Argumenti më absurd
që kam hasur në mediat shqiptare kohët e
fundit është ai sipas të cilit Edi Rama
votoi pro rezolutës që kundërshtonte njohjen e Jerusalemit si kryeqytet
të Izraelit sepse donte të pengonte reformën në drejtësi. Pra, se amerikanët do
të mërziteshin me Ramën dhe nuk do të jepnin ndihmat materiale dhe logjistike
për reformën; dhe kjo ngaqë Rama nuk e do këtë reformë pasi i trembet edhe
vetë. Argumentin e bënte edhe më absurd fakti se këtë e tha opozita që akuzohet
nga Rama se është ajo që nuk e do reformën në drejtësi pasi ka frikë prej saj.
Në fakt, reforma po çan
përpara drejt suksesit me vela të fryra. Dhe në erën që e fryn është edhe
kontributi i pamohueshëm i bulçive të ambasadorit amerikan. Doni prova? Po ja,
kjo që po bën kryeprokurorja e përkohshme kujtoni ju se nuk është reformë? Kjo
është vetë reforma. Do të thoni ju: po vetingu? Prisni se edhe atij do t’ia
ndjeni krismën, por Arta është pararoja e vetingut sepse, siç do të thoshte
Orwelli në këtë rast, të gjithë janë të barabartë përpara vetingut përveç atyre
që janë vetë vetingu. Dhe mos bëni sikur e keni për herë të parë ju të
opozitës. A nuk ju kujtohet kur zëvendësuat gjyqtarët që nuk i kontrollonit dot
me ata me kurse 6 mujore te plepat e Kavajës? Po sulmet ndaj Ina Ramës si prostitutë e
bulevardit a i keni harruar? Jo jo, të mendosh se politikanët shqiptarë duan
prokurorë të pavarur është njëlloj sikur të imagjinosh hajdutët duke u përpjekur
që të vihen roje të ndershëm në vendet ku ata do të shkojnë të vjedhin.
Po atëherë ç’është
kjo reformë që askush s’e do dhe të gjithë e brohorasin? Po ambasadorët
ç’dreqin kanë që ngatërrohen me këto mashtrime?
Teoria ime është
kjo: Jetojmë në një vend ku, siç ka thënë dje edhe vetë Rama, jeta për njerëzit e ndershëm është bërë e
pamundur. Imagjinoni, shqiptarët më 2016 vinin në Gjermani pas sirianëve për
ikje nga vendi i tyre. Më 2017 në Francë u bënë të parët, duke ua kaluar edhe afganëve.
Ka më tmerr se kjo? Një vend i pashpresë që veç tjerash po dëshpëron edhe
vendet e tjera ku po eksporton mjerim dhe krim. E pra në këtë lloj vendi o
duhet të ulesh e të punosh me përulësi, sinqeritet e përkushtim për njerëzit e
ndershëm, o duhet të gjesh mashtrimin e rradhës me njerëzit e pandershëm. E
meqënëse për të parën kjo racë shqiptarësh nuk ka bythë, “reforma në drejtësi” është
mashtrimi i radhës për të gjetur një
fajtor dhe për të ndërtuar një shpresë të rreme për budallenjtë e radhës. Është
edhe mashtrimi më polivalenti sepse i shërbente një shumësie aktorësh dhe qëllimesh.
Më së pari i shërben kryemashtruesit të këtij vendi, Edi Ramës, për të kapur
edhe pushtetin e drejtësisë ashtu siç, nëpërmjet reformash të tjera, pastroi institucionet
nga kundërshtarët e tij, me rezultat zero. I shërben edhe si një alibi për të
thënë se gjërat nuk kanë shkuar mirë deri tani sepse na kanë penguar disa
njerëz të liq në drejtësi që kanë qenë të lidhur nga kundërshtarët e mi të liq.
Teorinë që përdori kur u bashkua me Metën se është sistemi që e pjell të keqen,
jo njerëzit, tani e zëvendësoi me teorinë se janë disa njerëz të liq, si Meta,
që na e kanë sjellë të keqen. Por reforma i shërben edhe si një mashtrim për të
huajt që do thënë: ja reformatori i guximshëm që më në fund po lufton korrupsionin
në Shqipëri!
Ndërkaq, togfjalëshi
magjik i shërben goxha edhe mashtruesve të Brukselit. Në funksion të projektit
të bashkimit evropian janë derdhur shumë para. Për të punon një armatë e tërë burokratësh
e paguar nga taksapaguesit evropianë me rroga të majme. Dhe ndër nënprojektet e
rëndësishme të këtij projekti, që po jep shpirt nga paaftësia dhe korrupsioni i
këtyre burokratëve, është edhe ai i integrimit në Evropë i Ballkanit Perëndimor.
E pra edhe këtyre perëndimorëve u duhen disa prova se rrogat e tyre nuk paguhen
kot. Ja, në sajë të ndihmës së tyre kompetente vende si Shqipëria po bëjnë hapa
përpara drejt integrimit. Taksapaguesit evropianë duhet të jenë të sigurt se
paratë e tyre nuk kanë shkuar në ndonjë gropë të zezë dështimi e korrupsioni. Dhe a ka provë më të mirë sesa
një reformë në drejtësi që do të kurojë sëmundjen më të rëndë të vendeve si
Shqipëria që nuk i le ta çojnë vendin drejt Evropës, por i bën banorët e tyre të lenë vendin për
të invaduar Evropën. Ja pse suksesi i kësaj reforme është kaq i nevojshëm për
tu reklamuar. Po Lu-ja ç’pjesë ka në këtë mashtrim, do të pyesë ndokush. Lu-ja
përfaqëson SHBA që është partneri i madh i Perëndimit, plus që duket se është i
lidhur me lobet që kanë mbështetur Ramën në SHBA - në mos pastë edhe ndonjë “inat
personal” me drejtësinë aktuale për shkak të Bankers Petrolium - siç thonë
gojët e liga.
E kështu tani kemi
arritur në një pikë ku mungon vetëm një gjë e vogël për ta përmbyllur në mënyrë
të suksesshme këtë mashtrim. Kjo gjë e vogël e ka mbiemrin të madh sepse quhet:
“peshku i madh”. Duhet pra që rrjeta e reformës ramalu, vrimat e të cilës po i
mbyll me shpejtësi kamikaxia Arta Marku, të hidhet në det sa më parë, dhe të
ngrihet që andej me një apo dy peshq të mëdhenj që t’i fotografojnë të gjithë
të kapur në rrjetë. Atëherë e gjithë bota perëndimore do të ndalë frymën e do
të thotë: bravo Shqipëria, bravo Edi Rama, faleminderit Bruksel, faleminderit ambasadori
LU!
Do të thoni ju po
dosja Rama – Tahiri e kthimit të vendit në narkoshtet, po drejtorët e policisë trafikantë
droge të arratisur, po koncesionet kriminale të Ramës, po kullat si pastrim i
parave të drogës, po votat e blera me para të pista, po shqiptarët që ikin me
vrap nga vendi. Harrojini sa më shpejt këto, historinë e bëjnë fitimtarët. Tani
s’na ka mbetur veçse të themi: e gëzofshim reformën “ramalu”! (Panorama, 11 janar 2018)
No comments:
Post a Comment