Kohët e fundit në kampin
opozitar janë shtuar akuzat ndaj atyre, që deklarojnë nëpër media se “janë të
gjithë njëlloj”. “Si mund të jemi ne njëlloj me këta, që futën kriminelët në
Parlament, që kanabizuan krejt Shqipërinë!” – formulohet me dy fjalë kritika.
“Ju jeni antiopozitarë, të shitur, punoni për Edi Ramën.” – shtojnë të tjerë,
edhe më agresivë. Meqë së fundi këto akuza i dëgjova direkt nga Lulzim Basha në
emisionin “Studio e hapur”, ndiej përgjegjësinë publike t’i jap përgjigje edhe
me të shkruar, për faktin se më duket një çështje tejet e rëndësishme (lexo
shkrimet poshte Lapsi.al). Së pari, po bëj një konstatim: edhe Edi Rama me
taborin e tij u ka drejtuar, fjalë për fjalë, të njëjtat akuza kur ishte në
opozitë atyre që shpreheshin se “janë njëlloj”. Kjo akuzë, fatkeqësisht,
thjesht provon atë që them: njëllojtësinë. Sepse te të dyja palët gjen
mendësinë e vjetër enveriste, sipas së cilës “kush nuk është me mua, është
kundër meje,” që çon pastaj në një politikë lufte llogoresh, që duhet të
përfundojë me asgjësimin e tjetrit. Veçanërisht kur u drejtohet gazetarëve, që
duhet t’i njohin e respektojnë si pushtet i pavarur, kjo akuzë bëhet edhe më
problematike.
Thënë kjo nuk i shpëtojmë,
megjithatë, nevojës për t’iu përgjigjur një pyetjeje themelore, që shtrojnë
këta kritikë. “Ti thua se, meqë këta janë të gjithë njëlloj, duhet ngritur një
forcë e tretë. Mirëpo, meqë edhe ti e pranon se kjo situatë që po përjetojmë me
Edi Ramën dhe rilindasit është më e keqe se ajo më parë, dhe, duke e parë se
parti si Libra e Blushit nuk patën sukses, përkundrazi, po vdesin, a nuk mendon
se e vetmja mundë- si është të mbështetësh këtë opozitë, pavarësisht rezervave
ndaj saj? Përndryshe, a nuk rezulton se duke thënë “janë të gjithë njëlloj”
frenohet çdo proces politik, ndihmohet statukuoja d.m.th. pushteti i Edi Ramës?
Përndryshe, si e mendon ti procesin, që mund të na nxjerrë nga kjo rrugë drejt
humnerës”.
Përgjigjen po e jap duke iu
referuar një deklarimi që bënte së fundi për Trumpin, regjisori amerikan
Michael Moore, – por duke e ftuar lexuesin të ketë gjithmonë parasysh dallimet
midis SHBA dhe Shqipërisë. Moore shkruante: “Ai nuk është mirë; ai është një
narçizist malinj dhe një sociopat aktiv. Dhe, duke qenë se zotëron kodet e
lëshimit të armëve bërthamore, ai është një rrezik i veçantë për njerëzimin”.
“Por – vazhdon më poshtë Moore – problemi ynë shkon shumë përtej një presidenti
sociopat […] misioni dhe puna jonë është që të rrëzojmë sistemin e mashtrimit
që ka prodhuar Trumpin.” Bashkohem me opozitën lidhur me rrezikshmërinë e
veçantë të sociopatit aktiv Edi Rama (ndonëse, shyqyr Zotit, ai nuk ka në dorë
të rrezikojë botën, por vetëm Shqipërinë). Por ndahem me të, për sa i përket
pikërisht procesit politik, që ajo ka vënë në jetë për të rrëzuar Ramën, proces
që, sipas meje, duhet të lidhet medoemos me rrëzimin e “sistemit të
mashtrimit”. Sipas gjykimit tim, në kushtet aktuale “sociopati” me
“rrezikshmëri të veçantë” nuk duhet parë kurrsesi i ndarë nga pika kulminante e
rrezikshmërisë që ka arritur sistemi ynë i mashtrimit. Madje, gjykoj se ai sot
– ndryshe nga Trumpi në SHBA – as nuk mund të rrëzohet si politikan sociopat,
pa u goditur ai sistem mashtrimi.
Le ta shtjelloj idenë time.
Gjykoj se, që të nxjerrë
diagnozën e saktë dhe terapinë e saktë, opozita duhet jo vetëm të shtrojë
pyetjen: si ka mundësi që ne kemi në krye të vendit një mashtrues të tillë
politik, por të shkojë më tej në pyetjen: si ka mundësi që edhe paraardhësit e
tij kanë qenë mashtrues? Me një fjalë, ajo duhet të zbresë te rrënjët e Ramës,
sistemi i mashtrimit ekonomik, i ndërtuar qysh herët – edhe me kontributin e
saj të madh – që sot me Ramën në krye ka kaluar në një fazë edhe më kriminale,
me pastrimin e parave të drogës dhe jo ta ndalë akuzën për drogën deri te
blerja e votës me paratë që ka grumbulluar Saimir Tahiri me policinë dhe
sensibilizimin e ndërkombëtarëve për këtë. Le ta ilustroj idenë time me
skandalin e fundit që ka shpërthyer, Armon. Ai flet për dy biznesmenë, të cilët
kanë ndërtuar skema mashtrimi për të rrjepur shqiptarët. Sot flitet për një
shifër mbi 700 milionë euro borxhe dhe taksa të papaguara, – pa llogaritur
fitimet e nxjerra me shitjen e naftës së përzierë. Këtë shifër e kanë krahasuar
me paratë që humbën shqiptarët në krizën e piramidave mashtruese, por krahasimi
duhet të shkonte edhe më tej: se këto skema nuk janë gjë tjetër, veçse forma më
të sofistikuara mashtrimi të skemave piramidale të viteve ‘90. Te skema Armo,
që është vetëm një molekulë e sistemit tonë ekonomik të mashtrimit, nuk mund të
mos të të bien në sy disa elementë të përbashkët me molekulat e tjera: se
kryeministrat janë bërë palë me këta mashtrues; se institucionet bankare
çuditërisht i kanë nxjerrë paratë (e qytetarëve) pa bërë asnjë hetim se kujt po
ia jepnin borxh ato; se të dy kanë qenë edhe pronarë mediash; se na prezantohen
sikur kanë prapa investitorë të huaj që dalin pastaj se janë ata vetë. Por,
vini re, ka edhe një element të rëndësishëm të përbashkët. Mashtruesi i parë i
skemës Armo, që shahet sot nga Rama, i ka filluar “bizneset” në kohën e PS-së, madje
cilësohej nga Berisha, asokohe opozitar, si “Kontrabandisti më i madh i
karburanteve.”; e megjithatë, kur Berisha erdhi në pushtet, e ndihmoi në
privatizimin e Armos. Edhe i dyti ka një histori të ngjashme bashkëpunimi të
vjetër me të dy palët.
Shkurt, nuk është vështirë të
konkludosh se ne kemi të bëjmë me një sistem mashtrimi ekonomik që ka, si anë
tjetër të medaljes, mashtrimin politik. Nuk është vështirë të deduktohet se një
sistem i tillë nuk e ka për gjë të përdorë edhe krime të tjera sipas logjikës
“krimi ndjell krimin”. Ja pse kemi arritur te futja galopante e trafikantëve të
drogës në ekonomi – për rrjedhojë edhe në politikë – e te rreziqet që na
kanosen në të ardhmen nga ky sistem kriminal. Terrori urban që po ushtrohet
nëpërmjet projekteve të kullave në Tiranë si dhe nëpërmjet lejeve të panumërta
që jep Erjon Veliaj – mashtrim ky i hapur pasi votën e morën me “zero ndërtime”
– nuk është thjesht tekë e një sociopati dhe mashtruesi, as thjesht etje për
t’u pasuruar personalisht nëpërmjet korrupsionit Rama e Veliaj. Ai është edhe e
vetmja rrugë, që i ka mbetur këtij sistemi kriminal për të qëndruar në pushtet.
Sociopatia e Ramës sot shfaqet
si papërgjegjshmëri ekstreme, që u përgjigjet nevojave ekstreme që ka sistemi.
Ka opozitarë që më thonë se ai
është i vetmi, që mund ta marrë përsipër poshtërsi të tilla si kriminalizimi
total i policisë, kapja totale e drejtësisë, dhënia e lejeve të tilla
monstruoze – gjëra që s’i ka bërë Berisha e Basha, të paktën jo në këtë
shkallë.
Personalisht mendoj se
papërgjegjshmëria e Ramës si shofer është problem i madh sigurisht, por mendoj
gjithashtu, se ai do të frenohej menjëherë sikur të mos ishte papërgjegjshmëria
e oligarkëve dhe kriminelëve, që po e furnizojnë makinën me karburant. Problemi
është se opozita bën sikur nuk e sheh këtë realitet dhe e përqendron tërë
betejën me sociopatinë e Edi Ramës. Kjo ndodh më së shumti pasi është e
komprometuar edhe vetë nga sistemi i mashtrimit, dhe pjesërisht pasi as nuk
arrin të mendojë se mund të vijë në pushtet pa oligarkët e tij (lexo shkrimin
poshte/ lapsi.al). Por ajo nuk ka arritur të kuptojë se nëpërmjet çimentos së
kullave, koncesioneve dhjetëravjeçare, lejeve për hidrocentrale etj., sot, Rama
po çimentohet si shofer i vetëm i sistemit; se ky sistem, që deri dje mbante
edhe opozitën si shofer rezervë, (kur njëra kokë kontrollonte Tiranën tjetra
Shqipërinë) sot është i tëri nën kontrollin e tij. Në këto kushte, opozitës i
mbetet ose të bëjë fasadën se gjoja kemi demokraci, derisa sistemi me shoferin
e çimentuar në timon të na çojë të gjithëve në humnerë, ose të transformohet
realisht dhe thellësisht në vetvete dhe aksione, për ti bërë balle këtij
rreziku. (Panorama, 8 shkurt 2018)
No comments:
Post a Comment