Tuesday, December 11, 2012

Optimizmi i çuditshëm shqiptar

 
Nëse Vaso Pasha do të mund të shihte festimet e këtij 100-vjetori, do të kishte konstatuar me habi se atë vargun “feja e shqiptarit është shqiptaria” bashkatdhetarët ia kanë marrë aq “ad literam”, saqë e kanë bërë vërtet shqiptarinë fe të shqiptarëve. Kulti i flamurit, kulti i shqiponjës, i bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth tyre; Ismail Qemali me dyzet apostujt, u celebruan kësaj here si kurrë ndonjëherë: madje të pastruar nga “ndotjet” e tjera si komunizmi apo europianizmi që kanë “njollosur” celebrimet e tyre të mëparshme. Kryeministri, si i dehur nga festa e adhurimit të Zotit të vërtetë të shqiptarëve, nxori të tilla fraza nga goja, saqë u bë shkak i anulimit të vizitës së Presidentit të Maqedonisë dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë. Kulmi ishte torta stërgjigante kuq e zi mbi të cilën turmat e shqiptarëve u vërsulën si në një liqen, për ta ngrënë, për të marrë kështu, si në një rit pagan, fuqi nga gjaku i kuq i flamurit dhe mishi i shqiponjës së tij të zezë.
Nuk e dimë se sa do t’i shijonte Vaso Pashës gjithë ky ritualitet, por një gjë është e sigurt: se kaq shumë shqiptarë nuk janë parë prej kohësh të mblidhen me vullnetin e tyre në qendrën e kryeqytetit. Disa komentatorë të huaj kanë mbetur të impresionuar nga këto festime. “Kombi optimist” e quante kombin tonë gazetari zviceran Andreas Ernst te rubrika Feuilleton e NZZ. Ai shkruante se “ndërsa në Serbi bie në sy depresioni dhe fakti se parullat nacionaliste nuk kanë efekt, te shqiptarët, të ndarë në disa shtete, mbizotëron optimizmi”. Sipas tij, është një optimizëm që në pamje të parë të duket “i çuditshëm”, sepse “Kosova dhe Shqipëria janë dy vendet më të varfra të Europës: nuk prodhojnë dhe eksportojnë pothuaj asgjë, … shteti është në duart e karteleve të pushtetit, të cilët shkëmbejnë votat dhe bindjen e qytetarit me vende pune, drejtësia është e dobët dhe e korruptuar”, … por optimizmi në territoret shqiptare, gjithë sipas tij, ka arsye të forta: “sepse prej 1990-s po zhvillohet një shoqëri panshqiptare”. Shkurt, shqiptarët i motivon nacionalizmi i tyre, bashkimi, për të qenë optimistë për të ardhmen.
Pyetja që shtrohet është: a qëndron ky optimizëm, apo ai epiteti “i çuditshëm” që ka përdorur gazetari kërkon një zhbirilim më të thellë?
Në fakt, qenë të shumtë ata shqiptarë që konstatuan se kishte diçka që nuk shkonte në tërë këto celebrime, diçka të tepruar, për të mos thënë edhe të shëmtuar. Personalisht m’u desh të mendoj gjatë për t’i dhënë një artikulim konceptual së shëmtuarës që, së jashtmi, shprehej me shëmtinë e dekorit, me mbiteprimin në përdorimin e flamurit dhe të shqiponjës, me ngritjen e monumenteve që s’kishin asgjë nga fryma e kohës që jetojmë. “Jo, ka diçka që nuk shkon, – thashë me vete, – po si do t’ia vëmë emrin kësaj gjëje që nuk shkon?”
Mendimi më çoi te një thënie e Gëtes: “E shenjta është ajo që bashkon shumë shpirtra”. Vërtet flamuri, shqiponja mund të konsiderohen si të shenjta për besimtarët e fesë së shqiptarizmit. Por, kur flitet për të shenjtën dhe raportin e njeriut me të, nuk mund të mos kujtosh urdhëresën e dytë që i dha Zoti Moisiut: “Mos e përmend emrin e Zotit vend e pavend”. Duke parë flamurin të mbulojë fasada të tëra ndërtesash si qe ajo e hotel “Tiranës” apo ajo e selisë së Kryesisë së Kuvendit, shqiponjën në çdo rrotullame udhëkryqi; apo njerëzit dhe makinat të mbështjellë me flamur, për të mos folur pastaj për tortën-flamur, nuk mund të mos kishe ndjesinë se ato po “përmendeshin” vend e pavend.
Po ç’kuptim ka urdhëresa e mospërmendjes së Zotit vend e pa vend, që Krishti, tek Ungjilli, sipas Mateut, e thotë me fjalët: “Jo çdokush që më thërret Zot, Zot! do të hyjë në mbretërinë e qiellit”. Një nga kuptimet e kësaj thënieje është se nuk duhet ta instrumentalizosh “Zotin”, nuk duhet të tentosh ta “rreshtosh” në ushtrinë tënde për beteja në emër të interesit tënd apo të palës tënde. Po ashtu, premtimet që bëhen në emër të Zotit nënkuptojnë ndershmëri, besnikëri, vërtetësi; ato duhen mbajtur. Të mos i mbash ato do të thotë të abuzosh me emrin e Zotit; me fjalë të tjera, ta bësh Zotin një gënjeshtar. “Në mbretërinë e qiellit do të hyjë vetëm ai që e zbaton vullnetin e Atit tim…”, vazhdon Krishti.
Ja këtu, tek abuzimi me të shenjtën qëndron, sipas meje, shpjegimi i brendshëm i shëmtisë që pamë së jashtmi me abuzimet me flamurin dhe shqiponjën. Ato u shpërdorën vend e pa vend pikërisht sepse ata që i shpërdorën nuk i ndiejnë me të vërtetë si të shenjta. Madje, sipas disa “thashethemeve”, ky shpërdorim kishte motive deri fare banale: fitimin maksimal të parave nga të tenderuarit për zbukurime e shitje flamujsh.
Prandaj, ndaj pyetjes nëse flamuri dhe shqiponja dykrerëshe vërtet na bëjnë të ndjehemi kaq optimistë? – edhe në kuptimin e iluzionit se nacionalizmi mund të na nxjerrë në dritë, – gjykoj se duhet të japim përgjigje të kujdesshme. Sipas meje, nëse në Serbi ka një depresion pasi ka dështuar nacionalizmi apo se serbët janë të vetëdijshëm se as nacionalizmi nuk i nxjerr dot nga gropa, nuk është se te ne nuk ekziston kjo vetëdije, paçka se festimet e 100-vjetorit dhanë idenë se këtej nga ne ka optimizëm nacionalist. Kosovarët që paketojnë flamurin dhe nisen me entuziazëm për në Shqipëri duke i mbushur tumllas sheshet e Tiranës apo Vetevendosja që po fiton terren, mund dhe t’u japin idenë të huajve se diçka po ndodh andej kufirit. Por, sipas meje, zor se ka njerëz në botën shqiptare që kanë shpresë seriozisht te nacionalizmi. Celebrimet që pamë dhe monumentet e shumta butaforike janë pjesë e një teatraliteti që e kemi mësuar mirë në kohën e regjimeve ku kemi jetuar, e që askush nuk i merr seriozisht. Aleanca Kuqezi që duket se kërkon të zëvendësojë mungesën e plotë të lëvizjeve civile, por edhe shkatërrimin e çdo shprese që ka sjellë shndërrimi i dy partive politike që drejtojnë vendin në dy banda, është edhe ajo pjesë e këtij teatraliteti. Ashtu siç ishte edhe filmi i koncertit të Pavarësisë me këngën që e bënte të qante Enver Hoxhën: “Për ty atdhe… shkëmb graniti vigan… s’u përkule nga çdo stuhi e tufan…”. Vini re: njeriu që i ka bërë më shumë se kushdo të qajnë shqiptarët, qante për atdheun. A ka përshkrim më elokuent se ky të teatralitetit tonë? Ky i yni është vërtet një “optimizëm i çuditshëm”. Në fakt, pasi bie perdja e festës, shqiptari i varfër u kthehet halleve dhe vuajtjeve të përditshme me nënshtrimin e skllavit që mallkon tërë ditën shtetin e tij të keq. Kurse shqiptari shtetar mendon se si të identifikohet sa më shumë me atdheun, duke organizuar ndonjë festë tjetër, pikërisht për ta shtypur atë sa më lehtë.
Në këto kushte, sipas meje, me një rritje të mëtejshme të krizës ekonomike, siç ka shumë gjasa të ndodhë, shqiptarët e varfër përsëri nuk do ta shohin shpresën apo shpëtimin te dashuria nacionaliste për granitin, por tek ikja prej “shkëmbit vigan” në shtetet që funksionojnë si shtete të së drejtës për të gjithë qytetarët e tyre. Nuk përjashtohet që në një situatë të tillë, grupimet nacionaliste të mund të marrin pushtetin, por jam i bindur se kurrsesi nuk do të mund të ngjallin besim e shpresë te shqiptaret për t’u kthyer. Aq sa ç’kanë ngjallur Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha, Fatos Nano, Hashim Thaçi apo Ramush Haradinaj si këtej, dhe andej kufirit.
Prandaj gjykoj se, që optimizmi ynë të mos jetë “i çuditshëm”, siç qe në celebrimet e këtij 100-vjetori të pavarësisë, shqiptarët do të duhet të reflektojnë ca më shumë për atë se si është e mundur që, ndërkohë që flasin kaq shumë për dashurinë për atdheun, me veprat e tyre punojnë për ta bërë Shqipërinë vendin e urrejtjes së shqiptarit ndaj shqiptarit; se pse ndërkohë që flasin kaq shumë për bashkimin, janë aq të përçarë sa edhe festimet i bënë ndaras, se pse në këta 100 vjet kanë nxjerrë në krye të punëve të tyre vetëm kriminelë, vrasës, hajdutë që u kanë vrerosur jetën? Dhe, mbi të gjitha, se çfarë duhet bërë që të ndryshojë kjo gjendje përderisa duket sheshit se nuk mjafton përmendja e atdheut vend e pa vend.
“Nuk do ta gjesh kurrë të vërtetën nëse nuk je i gatshëm të pranosh edhe atë që nuk e pret”, thotë Erakliti. Që do të thotë, sipas meje, në kontekstin e çka po shkruaj, se ndoshta duhet ta fillojmë tjetërkund nga ritualet e dashurisë së rrejshme për atdheun që janë vetë jeta jonë – siç e pamë edhe në këtë 100-vjetor – për të arritur te dashuria e vërtetë për atdheun. (Panorama, 11 dhjetor 2012)

Saturday, December 1, 2012

Refuzimi i Bekim Fehmiut

Më 16 nëntor u inaugurua në Firence ekspozita e titulluar  "Uliksi që erdhi nga Ballkani" dedikuar Bekim Fehmiut. Kjo ekspozitë, e realizuar dhe promovuar nga shoqata italiane "Pasagi di storia" në kuadrin e aktivitetit "Balkan Florence Express", ka shëtitur edhe në disa qytete të Ballkanit si Pejë, Beograd, Sarajevë, Prizren. Më 21 nëntor, po në kuadrin e këtij ektiviteti, folën në Firence mbi Bekim Fehmiun kantautori italian Vinicio Capossela dhe Michele Nardelli, president i "Forum trentino per la pace". Capossela erdhi aty pasi këngët e tij të fundit i ka me temën e Uliksit dhe, kur mori vesh vdekjen e Bekim Fehmiut, ia dedikoi diskun me këto këngë aktorit të famshëm, pasi për të Uliksi është, ashtu siç i është ngulitur në fëmijëri, me fytyrën e Bekim Fehmiut.
Ditën e inaugurimit të ekspozitës ishin ftuar të flisnin Fatos Lubonja që jeton midis Tiranës dhe Firences dhe Dejan Atanackovic, artist dhe pedagog serb i artit që jeton midis Firenzes dhe Beogradit. Po botojmë fjalën e të dyve.  

Refuzimi i Bekim Fehmiut

Nga Fatos Lubonja 

Bekim Fehmiun e kam takuar personalisht vetëm një herë: në vitet 2000 në Beograd, në Qendrën e Dekontaminimit Kulturor ku isha i ftuar për një përkujtimore të vdekjes së Danilo Kish. Por për këtë takim dhe për Qendrën që drejtohej nga regjizorja Borka Pavićević mund të them dy fjalë më vonë.
Në fillim dua të them se, në fakt, Bekim Fehmiun më vjen edhe sot në përfytyrim ashtu siç e kam takuar në moshën e rinisë, në vitet '60, nëpërmjet filmit Ulisi, që e kemi ndjekur asokohe, në Shqipërinë e izoluar, nëpërmjet RAI-t. Nuk di nëse është e vërtetë, por mbaj mend se tek ne, në rrethet që e ndoqën filmin, u tha, jo pa një lloj krenarie kombëtare, se regjizorët kishin zgjedhur për dy rolet kryesore Bekimin dhe Irene Papas, si ballkanas, në mënyrë që tiparet fizike të dy protagonistëve kryesorë të ishin sa më afër atyre të banorëve të lashtë të këtyre trevave. Dhe ne të rinj krenoheshim asokohe me hijeshinë e tipareve të tyre duke u identifikuar me to.

* * *
Ashtu siç i mendoj vitet '60, kur Bekim Fehmiu luante Ulisin, them se ka qenë një kohë kur fakti që ai ishte njëherësh shqiptar dhe aktor jugosllav që luante kryesisht në serbokroatisht nuk qenë dy gjëra të papajtueshme; se shqiptarët pra, mund të ndjeheshin krenarë që kishin një aktor të madh në teatrin dhe filmin jugosllav dhe aktorët e tjerë sllavë të ndjeheshin mirë që kishin në mes tyre një shqiptar. Nuk di nëse këtu në sallë ka shqiptarë nga Kosova. Ata ndoshta do të më kundërshtojnë, por, sipas meje - pa rënë në një vizion të idealizuar të Jugosllavisë, - në vitet '60, kur Bekim Fehmiu luante "Shitësit e puplave" dhe "Ulisin", parrulla e famshme "bashkim - vëllazërim" kërkonte ende të funksiononte; ose më mirë të them atmosfera jugosllave nuk ishte kontaminuar ende keqas nga nacionalizmat. Kontaminimi, si rimarrje e urrejtjeve nacionaliste të vjetra, ka qenë një proces, që, sipas çfarë kam lexuar, fillon në fund të viteve '50 - kur idealet e komunizmit për një botë të re dështuan duke humbur edhe besimin dhe forcën e tyre inspiruese - dhe kulminon në vitet '90.
Por këtu nuk është vendi të bëjmë analizën përse dështoi projekti Jugosllav i "bashkim vëllazërimit" dhe fitoi ai i nacionalizmave që shpërbënë Jugosllavinë nëpërmjet tragjedish të pabesueshme për kohën. Ndoshta është më mirë t’ju tregoj një histori që direkt apo indirekt lidhet edhe me Bekim Fehmiun. Është një histori që më vjen në kujtesë nga një bisedë e disa viteve më parë me një mikun tim, një intelektual i njohur kosovar, Shkëlqen Maliqi, e që flet shumë për kohën që erdhi më pas.
Shkëlzeni në vitet '80 studionte në Beograd. Një tjetër shqiptar nga Kosova ishte asokohe mjaft i njohur në Beograd. Ky ishte aktori Enver Petrovci. Të dy jetonin në Beograd ndoshta me ëndrrën apo iluzionin që, ashtu si Bekim Fehmiu, do të bëheshin intelektualë e aktorë të shquar Jugosllavë, gjithë duke qenë edhe shqiptarë. Por kohët kishin ndryshuar. Kontaminimi ishte thelluar. Nacionalizmat në Jugosllavi kishin filluar të ndizeshin fort, ai serb mbi të gjitha kontaminonte Beogradin, por edhe ai shqiptar kontaminonte jo pak Prishtinën. Asokohe, Enver Petrovci luajti në Begrad në një komedi rolin e car Llazarit. Reagimet që erdhën nga të dy palët qenë shumë emblematike. Serbët në Beograd thoshin: "si mund të ridikulizojë një shqiptar car Llazarin!"; shqiptarët në Prishtinë: "si mundet një shqiptar të luajë car Llazarin!" Në Beograd, jashtë rretheve intelektuale, Shkëlzeni  dhe Enveri ndjeheshin të diskriminuar; në Prishtinë i konsideronin si dora e zgjatur e Beogradit. Derisa më në fund ata vendosën të kthehen përfundimisht në Prishtinë duke hequr dorë  nga ëndrra jugosllave.

Është një histori që të bën të mendosh mbi aspektin tragjik të identitetit dhe të nevojës për përkatësi të njeriut; se si identitetet mund të shndrrohen në instrumente diskriminimi, ndarjeje, urrejtjeje duke shkuar shumë larg, duke u bërë, pra, “vrastare”, sikurse i quan Malouf. Ajo çka ndodhi më pas në fundvitet '80 dhe pastaj në vitet '90 është ilustrimi më i mirë i kësaj.

* * *
Si do ta vendosja në këtë histori Bekim Fehmiun, aktorin me origjinë shqiptare që kishte luajtur në skenat e teatrit të Beogradit në gjuhën serbokroate, martuar me një serbe me të cilën ka dy djem, pastaj i bërë i njohur në të gjithë botën si aktor kinematografie, veçanërisht me rolin e Uliksit, simbol i njeriut universal që shëtit nëpër botë?
Unë bëj pjesë ndër ata që janë shumë kritikë ndaj identitetit si nevojë e njeriut për përkatësi në një bashkësi sepse mendoj se, kur flasim për identitetin, duhet të kemi parasysh një proces gjithnjë në lëvizje dhe ndryshim, sepse duhet të kemi parasysh shumë identitete brenda një njeriu; sepse përkatësia në një bashkësi mund ta shndrrojë shumë lehtë njeriun edhe në rob e pastaj viktimë të kësaj bashkësie. Por histori si ajo që tregova më bëjnë ta shtyj kritikën deri në refuzimin e identitetit. Në ç'kuptim? Në kuptimin se shpesh, kur tentojmë të identifikojmë një person, kryejmë ndaj këtij personi  një proces thjeshtëzimi, reduktimi të tij në diçka që në të vërtetë ai nuk është. E etiketojmë psh. "shqiptar" apo "serb" dhe, nëpërmjet një mekanizmi instrumentalizues, të diktuar nga të tjera instrumente nga ata të njohjes, një qënie shumë komplekse, multi-identitare, gjithherë në zhvillim e ndryshim, me historinë e tij personale, e zhveshim, e varfërojmë duke e kthyer  thjesht në një objekt që duhet dashur apo urryer.
Bekim Fehmiun e shoh në një farë kuptimi si njeriun që ndërkohë që ka ndërtuar indivudualitetin e personalitetin e tij ndeshet me këtë proces varfërues, të cilin e refuzon në emër të personalitetit të tij, të vlerave me të cilat është formuar, por edhe në emër të bijve të tij dhe të të gjithë atyre njerëve që i ka dashur dhe e kanë dashur. Ai ka lindur në Sarajevë në një familje shqiptare, ka jetuar fëmijërinë në Shkodër dhe Prizren, ka studiuar në Beograd, ka aktruar në shumë gjuhë të botës, është dashuruar dhe martuar me një serbe me të cilën ka bërë dy djem të cilëve - siç thotë - ua ka lënë të zgjedhin vetë mënyrën e jetës që duan të bëjnë. A mund të mohoen të gjitha këto për t'u bërë thjesht e vetëm "shqiptar" apo "serb"? Kur Bekimi ka dalë në New York i veshur me kostum kombëtar shqiptar ai ka dashur të verë në dukje një faqe të identitetit të tij që ndoshta shumëkush nga jo-shqiptarët atje e lexonte për herë të parë. Po ashtu ai protestoi nëpërmjet tërheqjes nga teatri dhe heshjes kur Millosheviçi  filloi sulmet ndaj shqiptarëve, duke u hequr autonominë. Por, nga ana tjetër, atë nuk e kemi parë t'i fryjë zjarrit të nacionalizmit shqiptar dhe të urrejtjes ndaj serbëve. Sipas meje ka vepruar kështu sepse nuk ka dashur ta shihte veten të reduktuar, të varfëruar, të shpërfytyruar dmth. ashtu siç nuk e ndjente të ishte por edhe sepse nuk ka dashur të bëhet instrument i këtij varfërimi vrastar - siç për fat të keq kanë bërë dhe bëjnë shumë intelektualë në trevat tona.
Lidhur me tërheqjen dhe heshtjen e tij, si formë e këtij refuzimi, mund të thuhet se gjithkush bën zgjedhjet e veta; personalisht mendoj se ai edhe mund ta kishte shfaqur refuzimin në një formë tjetër: duke luftuar për mbrojtjen e pasurisë që kishte ndërtuar me artin dhe figurën e tij.
Gjithsesi do të thoja se ai i përket kategorisë së atyre intelektualëve që nuk e pranuan prishjen e Jugosllavisë, veçanërisht luftrat, e për të cilët shumë shpesh është përdorur edhe termi jugonostalgjikë e që i qëndruan koherent këtij qëndrimi. Pjesa më e madhe e atyre që kam takuar nga kjo kategori bëjnë pjesë në grupin më të iluminuar të shqiptarëve, serbëve, kroatëve, sllovenëve, maqedonasve, e malazezve që kanë jetuar në Jugosllavinë e asaj kohe. Jo rastësisht unë e takova Bekimin në Qendrën e Dekontaminimit Kulturoror, ku mblidheshin intelektualë të tillë e që ndjehej se ishte një ishull i vogël i rrethuar nga kontaminimi. Ishte një takim i shkurtër. Ma prezantoi mikja e tij e vjetër dhe mikja ime më e re Borka Pavićević, drejtoresha e Qendrës. Ai foli shumë pak gjatë kohës së shkurtër që qëndruam sëbashku; me mua shqip me Borkën serbokroatisht. Ishte një takim për të cilin mund të them se nuk ma ka zëvendësuar dot në kujtesë imazhin e Bekim Fehmiut në rolin e Uliksit, me atë vështrimin e tij depërtues e plot jetë.
Sot në hapësirat serbe dhe shqiptare kategoria e  intelektulëve si Bekim Fehmiu duken si specie e zhdukur, e harruar. Por nuk është tamam kështu. Unë mendoj se vërtet Bekim Fehmiu vazhdon të jetë "i heshtur", por heshtja e tij, ndoshta e bën edhe më të rëndë  praninë e tij në realitetin tonë mendor. Për mua ajo heshtje, si refuzim i varfërimit identitar, na grish ne që ta rimarrim jetën dhe veprën e tij për të ushqyer shpresën për një botë të dashurisë dhe jo të urrejtjes, të hapjes ndaj kulturave të tjera dhe jo të kulturave të mbyllura. Ashtu siç na ushqen personazhi me të cilin Bekim Fehmiu na është bërë më i dashur, Uliksi, njeriu që e tërheq bota dhe të panjohurat e saj, që eksploron shumë vende, kultura, duke u dashuruar me to e duke kërkuar të njohë të tjera, - ndoshta simboli më i fortë i njeriut si banor i tërë universit.




Pupla dhe gjak

Nga Dejan Atanackovic

Nuk e meritoj të flas në inaugurimin e kësaj ekspozite dedikuar Bekim Fehmiut në cilësinë e një njohësi të punës së tij. Sepse, përkundrazi, për mua imazhi i tij është ai i një legjende, i një fytyre të fëmijërisë, i një simboli "pop" të adoleshencës sime.
Në fakt ne dinim pak për të asokohe. Dihej se gjendej në ndonjë cep të botës duke ndjekur karrierën e tij ndërkombëtare dhe se rrethohej, si në një ëndërr, nga emra të mëdhenj si Jon Huston, Ava Gardner, Dirk Bogard… Ky është kujtim i atyre kohëve kur TV-ja ecte më ngadalë, por shumë më me seriozitet; kur flitej për kinemanë duke transmetuar cikle të plota të një regjizori apo të një aktori dhe  duke dhënë fragmente të tërë filmash pak a shumë të njohur. Madje më së shumti filmat bëheshin të njohur fillimisht nga këta fragmente (jo nga trailer-ët publicitarë, si sot) dhe vetëm më pas i shihnim të plotë.
Një skenë që kujtoj ta kem parë shumë herë në televizion, kohë përpara sesa ta shihja filmin e plotë ishte nga “Skupljači perja” [Shitësit e puplave) i Saša Petrović. Në atë skenë shohim një Bekim Fehmiu tragjik e në vuajtje që bije në një trishtim të pafundëm dhe që përplas ballin e duart mbi gota të thyera duke u çarë e gjakosur keq; i gjithë filmi pastaj luan me imazhin e gjakut që kontraston fort me atë të puplave. Janë dy materie: njëra e një peshe të pamatë dhe tjetra e një lehtësie onirike.
Puplat të njollosura me gjak janë një kontradiktë per exellance, një kontradiktë që në të gjithë natyrën  nuk shfaqet me aq vërtetësi sa në natyrën njerëzore, në variancionet e saj absurde dhe të rrezikëshme. Sepse njeriu është vetëm pjesërisht një qënie natyrore, fati i tij është shenjuar prej kohësh të zvarritet në labirintet mbytëse të konstruksioneve të tij, të produkteve dhe të hijeve të tij të shumta. Njeriu është bërë një produkt dhe duket se Bekim Fehmiu, një ditë të jetës së tij, vendosi të tërhiqej nga ky produkt.
Kujtoj mbi të gjitha shikimin e tij, një shikim i fortë dhe i trishtë që ne asokohe na hiqte çdo kuptim dallimi nacional apo etnik. Ishte ai, sëbashku me të mëdhenj të tjerë si  Rade Šerbedžija, Ljuba Tadić, Radko Polič, Relja Bašić - që recitonin në skenën e atij teatri që e quanim Jugosllavia, i cili dinte të kalonte me lehtësi nga heroikja tek erotikja dhe nga ideologjikja tek komikja. Ishte e qartë se herët a vonë - e thonin shumë këtë - do t'i vinte rradha edhe tragjedisë.
Në shtëpinë time thuhej gjithmonë se do të kishte luftë. Por këta figura, - aktorët, muzikantët jugosllavë kultura "e lartë" dhe "pop" e viteve 80 - mua ma bënin krejtësisht të pabesueshme realizimin e kësaj profecie. E megjithatë lufta ndodhi. Bekim Fehmiu thotë në shkrimet e tij: "Këtu nuk mbyllet jeta pa të paktën dy apo tre luftra." Nuk e di nëse luftrat e viteve '90 do të të jenë të fundit në jetën time. Erdhën me rradhë: Sllovenia, Kroacia, Bosnja, Kosova dhe e vetmja gjë e pranueshme që kishin ato qe se ne i humbëm ato të gjitha. Nuk e di se si do ta kisha pranuar një fitore.
Në fund të viteve '90 ndoshta mund të ma sillte rasti ta takoja Bekim Fehmiun. Banonte në një zonë afër shtëpisë sime. Sillesha shpesh andej nga Qendra e Dekontaminimit Kulturor ku disa beogradas shkonin për të mos u çmendur apo për t'u çmendur sëbashku. Por nuk e takova kurrë. Në të vërtetë, siç munda të vija re asokohe, intelektualët dhe artistët jugosllavë i ruajtën kontaktet edhe gjatë luftës: eksistone një rrjet normaliteti sadoqë shumë i brishtë. Normaliteti - kjo fjalë kyç, befas u bë kaq e çmuar.  Por për ta jetuar nuk ishte e mjaftueshme të ishe një intelektual apo një artist. Sa shumë prej tyre ranë në meskinitetet dhe interesa private duke u përlyer me gjak dhe llum.
Edhe sot ekziston harta e normalitetit, një rrjetëzim i qytetve të Jugosllavisë së asaj kohe, por është pak i dukshëm dhe i kuptueshëm për qytetarin e zakonshëm. Në Beogradin e viteve '90 ndryshuan gjuhët, fytyrat, shikimet deri edhe trupat.  Nuk mund të rrihej më dhe kështu iku shkrimtari, aktori, muzikanti, miku, i panjohuri. Pak nga pak Beogradin na e vodhi një provincializëm ambiciozësh me dhëmbë të mprehtë, një periferi që zaptoi qytetin duke e kthyer këtë vetë pastaj përfundimisht në periferi, në një zgjatim të madh të abuzivizmit, të mungesës së rregullave.
Me rënien e Milošević-it u duk sikur u rivendos normaliteti. Befas, në televizionin që ndërkohë ishte bërë i shpejtë, filluan të shfaqen fytyra të njohura, miq që thonin gjëra me kuptim. Por kjo zgjati pak.
Ndoshta Bekim Fehmiu e ka konsideruar atë vit 2001 si vitin e një fillimi të ri dhe prandaj vendosi të botonte autobiografinë e tij që e kishte shkruar prej kohësh. Kur e pyetën: Pse tani? ai u përgjegj: "askush nuk e di në të vërtetë se pse lind, apo pse lind në një vend të caktuar. Lind dhe kaq." Nuk fliste me shumë gazetarë dhe, kur fliste, recitonte shpesh poezinë e Dušan Vasiljev-it "Njeriu këndon pas luftës". Një tekst i hidhur që një aktor i zoti e reciton i pushtuar nga ndjenja e turpit, e pafuqisë, e një habije të thellë me vetveten, me rënien e padurueshme që ka pësuar. Vasiljevi ishte vetëm 24 vjeç kur vdiq. Vitet e tij qenë ato që shoqëruan fillimn e shekullit të XX, të cilit Bekim Fehmiu dhe ne sëbashku me të i pamë fundin absurd. Një shekull gjaku dhe puplash.
Në librin e tij "E ndritshmja dhe e tmerrshmja" Fehmiu flet edhe për një të kaluar Jugosllave, ku gjen pak trëndafila e lule - sa për të hequr çdo iluzion mbi faktin se ajo ka qenë një periudhë pa paragjykime. Nuk ishte kështu as koha përpara tragjedisë që na duket si ajo më shembullorja e më pak e kritikueshmja. Ai kujton me shije të hidhur, se si presionet politike, megjithë suksesin dhe popullaritetin, i kanë hequr çmimet më prestigjioze. Megjithatë ai ka jetuar si jugosllav dhe besoj si jugosllav i bindur, duke e ditur se çdo teatër ka prapaskenën e tij dhe se përpara publikut të magjepsur zhvillohen gjithmonë së paku dy shfaqje ndër të cilat vetëm njëra duket. Këto dy shfaqje, tek e fundit. mund të ndryshojnë shumë në cilësi, por ajo që mbetet e rëndësishme është të jesh gjithmonë recitues i asaj më të mirës. Dhe janë ata të recitimit më të mirë që na kujtojnë Jugosllavinë.
Së fundi, meqënëse jam këtu, dua të them edhe diçka. Nuk duhet tu besojmë atyre që thonë se luftrat në Jugosllavi i kanë bërë popujt, etnitë, dhe aq më pak fetë dhe ideologjitë. Nuk ishte kështu. Dhe as duhen mistifikuar konfliktet që ndodhën duke e lidhur apo zgjidhur gjithshka me interesat ndërkombëtare të fuqive botërore. Nuk ishte kështu. Është shumë, po, banalisht shumë më e thjeshtë: ishte një hakmarrje e njërëzve pa talent. E atyre të prapaskenës, që nuk dinin të bënin gjë tjetër veçse të fshiheshin, të cilëve u shfaqej përpara syve Sarajeva, Dubrovniku, Vukovari, Mostari dhe këta qytete, islame, austro - hungareze, veneciane ishin për ta prova e tmerrshme se nuk do të arrinin kurrë ta kuptonin botën në bukurinë dhe brishtësinë e saj më të thellë. Dhe prandaj qëndronin prapa kuintave duke i dëgjuar duartrokitjet që u dedikoheshin të tjerëve me urrejtje në gjak.

Përktheu nga italishtja Fatos Lubonja

(Panorama, 30 nëntor 2012)



Sunday, November 25, 2012

Era e hajdutërisë


Ka plot histori që ndodhin në Perëndimin e idealizuar nga shumë prej nesh që të bëjnë të mendosh se ne shqiptarët, që na njohin e diskriminojnë në Perëndim si hajdutë e trafikantë, duhet ta normalizojmë disi ndërgjegjen tonë. Nuk jemi vetëm
ne që vjedhim – ne kemi të keqen se sistemeve që adoptojmë u japim tiparet më groteske – por sistemin që ka çelur erën e hajdutërisë nuk e kemi sjellë ne. Shikoni krizën që ka mbërthyer botën perëndimore. Në rrënjë të saj është fakti se jetojmë në erën e hajdutërisë, ju siguroj unë. Po pse e quan “era”? – do të thoni ju - hajdutëria është një erë e vjetër, që hundët tona e njohin shumë mirë që në lashtësi; dhe vetë sistemi kapitalist është akuzuar me kohë si i tillë; mjaft të kesh parasysh Marksin dhe teorinë e tij të “mbivlerës”. Megjithatë, unë e kam fjalën pikërisht për një erë të re në kuptimin e një epoke të re dhe të një njeriu të ri, “homo hajduticus”, “ladronicus” do t’i thoshin italianët, që po del në pah si mbijetuesi më i fuqishëm i seleksionimit natyror në këtë epokën tonë.

Por, më mirë, përpara se të filozofoj, le t’ju tregoj historinë që më nxiti të dal në përfundimet në fjalë.

Të hënën në mëngjes të kësaj jave u nisa nga Firencja me autobus për në Aeroportin e Pizës, për të fluturuar për në Tiranë. Kisha prerë një biletë vajtje-ardhje dhe po kryeja “ardhjen”. Kur mbërrita në Aeroportin e Pizës shkova në vendin e Check-in-it dhe po kërkoja tabelën AIR ONE, kompania italiane me të cilën do të fluturoja. (Sa për dijeni të atyre që nuk e njohin, është kompania “low cost” e Alitalia-s, për privatizimin e së cilës (Alitalia-s) u bë një zhurmë e madhe sepse u tha se pronarët e rinj morën pjesën e shëndoshë, duke i lënë shtetit borxhet).

Kërkova te radha e check-in-eve të gjej tabelën ku shkruhej “Tirana”, por nuk po shihja gjë. Atëherë shkova te një nga ekranet ku jepeshin të gjitha nisjet dhe, për çudinë time, vura re se ora e nisjes 11:25 nuk figuronte kurrkund, as emri Tiranë.

Diçka ka ndodhur – thashë – po shkoj të pyes informacionin. Ndërkaq, nxora nga çanta fletën e printuar të biletës së blerë on-line, për të parë se mos kisha lajthitur dhe kisha gabuar datën. Jo, hiç fare, 19 nëntor, ora 11:25.

Punonjësja e informacionit më tha se fluturimi im ishte ndryshuar, por se, për më tepër, mund të shkoja të pyesja te biletaria… në fund të korridorit, majtas.

Ajo e biletarisë më dha një lajm që nuk po doja ta besoja: se fluturimi im ishte kryer një ditë më parë, të dielën, dhe se, për këtë ndryshim date, unë kisha marrë një njoftim me e-mail.

“Me e-mail! – i thashë, – po unë marr kushedi se sa e-mail-e në ditë, midis të cilave edhe ato që dërgon AIR ONE-i për reklamë. Ja nuk e pashë unë e-mail-in, kaq mjaftuaka që të më fshini ju nga lista. Po numrat e telefonit pse m’i keni marrë atëherë? Pastaj, kam dëgjuar për fluturime që shtyhen, por për fluturime që kryhen përpara, kurrë ndonjëherë”.

Mirëpo ajo e biletarisë nuk ishte punonjëse e AIR ONE-it. Më zgjati një fletë A4, ku kishte numrat telefonikë të “call center”-ave të kompanive ajrore, midis të cilave edhe AIR ONE.

Bëra numrin 892 444. Në fillim më doli një zë burri që më njoftonte për tarifat se sa kushtonte një minutë a ku di unë. S’kisha nerva ta dëgjoja e të bëja kalkulimin se sa do të më kushtonte telefoni. Vura re se ishte një zë që fliste një italishte me aksent. Pas atij më doli një zë tjetër i regjistruar, që thoshte se duhej të prisja dhe pasi mbaroi edhe ai, më doli më në fund një operatore. Fliste një italishte shumë të mirë. “Më jep një çikë numrin e regjistrimit të biletës”, më tha. Fillova t’ia bëj me spell: “B come Bologna, 4, C come Como…”, derisa e mbarova dhe ajo gjeti emrin tim.

“Lubonja?”.
“Po, Lubonja, Fatos”
“Ne na rezulton se ju kemi dërguar një e-mail…”
“Po njeriu mund të jetë i sëmurë, mund të jetë i hutuar, mund të jetë në mal, ku s’ka internet, mund të jetë…, – fillova t’i dërdëllis, – si mund të mjaftoheni ju me një e-mail për ta ndier veten të qetë se e keni kryer shërbimin ndaj klientit, ndërkohë që i keni shkaktuar një bela kaq të madhe duke i ndërruar datën e fluturimit…?”
“Keni të drejtë, do të përpiqem të bëj diçka, – më tha, – por ne jemi thjesht operatorë”.
Më përsëriti disa herë “keni të drejtë” kur i shprehja argumentet e mia. Dukej sheshit se edhe ajo ishte e pakënaqur. Me gjithë hallin që më kishte zënë, fillova të kërkoj të gjej me mend se nga më flisnin ato operatoret. “Ndoshta nga Shqipëria, – thashë me vete, – ndoshta edhe nga India”. Mu kujtuan ulërimat e Peper Grillos: “Ju duket punë ajo në call center?!”. Por edhe një shkrim i “La Republica”, një faqe e tërë, që tregonte se si i transferojnë këto ndërmarrje në Shqipëri pasi atje kushton pesë herë më pak “krahu”, më falni, “goja” a punës, sesa në Itali.
Gjithsesi, përgjigjja përfundimtare e operatores ishte se ata shefat i kishin thënë se nuk mund të bëhej që unë të fitoja të drejtën për fluturimin pasardhës. Mirëpo ndërkohë që filloi të më shpjegonte se ç’duhet të bëja më tej, u pre telefoni. “Janë këto linjat e dobëta të internetit…”, – thashë me vete gjithnjë e më i acaruar. Prita pak dhe mora përsëri. Dëgjova edhe një herë dy lloje zërash të regjistruar, pastaj më doli një zë femre që m’u duk si zëri i parë, por nuk ishte ajo. “Kushedi është në një tjetër ‘call center’, kësaj here ne Kinë”, – thashë. Edhe një herë operatorja e dytë më kërkoi numrin e biletës. “B… come Bologna, 4, C come Como…”. Mirëpo, sapo mbarova spellingun dhe fillova t’i shpjegoj edhe një herë nga e para se ç’kishte ngjarë, m’u ndërpre lidhja përsëri. “Dreqi ta hajë, – thashë, – me këto linjat e internetit”. Gjeta në ekranin e celularit numrin që kisha bërë dhe shtypa tastierën. Por kësaj here, në vend të tri radhëve të zërave, më doli krejt tjetër muzikë:
“Në rimbushjen tjetër paguaj një euro që të fitosh dy euro… Grazie”
“Ç’është kjo? – thashë. – I kam rënë numrit gabim?”. I rashë prapë. Prapë i njëjti zë: “Në rimbushjen tjetër paguaj dy euro të fitosh një euro… Grazie”.

E kuptova. E pabesueshme! Ju betohem se celularin nuk kisha shumë që e kisha mbushur dhe duhet të kisha minimumi dhjetë euro. Kishin ikur të gjitha për “call center”-at e mallkuar dhe pa zgjidhur asgjë. Kisha mbetur edhe pa celular, sepse ndërkaq i kisha hipur autobusit për t’u thyer nga Piza në Firence jo pa llogaritur edhe shpenzimet e ikura dëm për biletat.


Kur mbërrita në shtëpi nxitova të marr një numër fiks të AIR ONE-it. Kësaj here duket se ishte numër italian, sepse kishte prefiksin e Italisë. Më doli një operatore edhe kësaj radhe. Edhe një herë “…B come Bologna, 4, C come Como…”. Edhe njëherë i shpjegova se çfarë më kishte ndodhur.
“Të shohim çfarë mund të bëjmë, – më tha, – prit një minutë”.
Nuk di çfarë provoi dhe pastaj tha:
“Jo, nuk ma lejon sistemi ta kaloj biletën tuaj në fluturimin e së mërkurës”.

Kësaj here dukej sikur vullneti i njeriut ishte, por nuk kishin vullnet makinat, d.m.th. kompjuterët.
Pasi shkëmbyem edhe disa fjalë të tjera, ku i thashë se AIR ONE një dy e ndërron oraret e fluturimit me Shqipërinë, se një fluturim më parë kisha ndenjur pesë orë në Aeroportin e Pizës, ajo  më tha:
“Prit një minutë se duhet të sinjalizoj shefat më lart, sepse vetëm ata mund ta lejojnë një veprim ndërrimi date bilete në kompjuter”.

Iku e më la të prisja një copë herë me telefon hapur. Më në fund u kthye e më tha se nuk mund të bëhej gjë e se, me sa dukej, nëse doja të fluturoja për në Tiranë, unë duhet të blija një biletë të re.

“Po kujt mund t’i ankohem për këtë që më bëri AIR ONE?” – e pyeta.

“Mund të bëni reklamim”.

“Ku mund ta bëj?” – i thashë. Po kërkoja dëshpërimisht një emër njeriu. Por ajo më dha vetëm një e-mail: customerserviceairo-ne@alitalia.it.

U ula menjëherë të shkruaj:

“Gentili signori di AIR ONE” (nuk më vinte fare t’u thosha “gentili”, por kuptohej se ishte “per modo di dire”, siç i thonë italianët.

E fillova duke përshkruar tërë historinë: “… Sot, më datë 19 nëntor shkova në Aeroportin e Pizës…” dhe e përfundova duke u kërkuar dëmshpërblim për dëmin që më kishin shkaktuar me këtë sjellje që e gjeja të padrejtë dhe të një moskorrektese të rëndë – pasi më kishin prishur krejt planet e punës për atë javë, si dhe që të më mundësonin fluturimin të mërkurën, pa shpenzime shtesë.
Për hir të së vërtetës, të nesërmen shërbimi i klientit i AIR ONE-it më ktheu përgjigje duke më njoftuar se fluturimin tim të së hënës, që ishte kryer të dielën, e kishin spostuar për të mërkurën, pa shpenzime.


* * *

Sidoqoftë, kjo nuk më bëri ta ndërpres refleksionin që zhvillova tërë atë ditë e të nesërmen mbi idenë se jetojmë në epokën/erën e hajdutërisë. Po cili është dallimi i kësaj epoke me të tjerat? – do të thoni ju – duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi. Menjëherë do të thosha se dallimi qëndron në atë se në epokat paraardhëse veprimet e shtyra nga etja e panginjur për fitim ishin në mos një gjë e paligjshme, të dënueshëm moralisht, kurse në këtë epokën tonë sikur jo vetëm është zhdukur kufiri midis së ligjshmes dhe së paligjshmes në hajdutëri, por sikur po zhduket çdo skrupull moral përpara etjes për fitim me çdo mjet. Dhe po ashtu, ndryshimi qëndron sepse epoka jonë, duke u bërë gjithnjë e më virtuale në sajë të teknologjisë së internetit, krijon një lloj hajdutërie si në ajër, kur ti nuk e merr vesh se si të merren të hollat dhe as se cili t’i merr. Kjo historia me “call center-a” e me një e-mail që mjafton për të të marrë qyl të hollat e biletës, është vetëm një aspekt i vogël i kësaj bote të madhe të frikshme. Mjaft të mendosh ato që quhen “bonuse të helmatisura” që qarkullojnë nëpër bursat e gjithë botës, të shpërndara nga disa “golden boys” në Wall Street apo për të famshmin “spread” që po rrëzon qeverinë, në emër të diktaturës së tregut, e që, tek e fundit, është edhe ai një lojë virtuale me kompjuterë nëpër bursa që bëhet me qëllim fitimin maksimal të disa pehlivanëve, të cilët ligjërisht nuk ke ku i kap. Prandaj them se, më shumë sesa e globalizimit, kjo epoka jonë po bëhet gjithnjë e më shumë e hajdutizimit.

Por, këtë refleksionin tim e bazoj edhe mbi dy paradigma të tjera. Së pari, njeriu perëndimor i kohës sonë jo vetëm që jeton shumë më pak se në epokat e tjera me besimin në vlerat që promovojnë fetë si ato të sakrificës së njeriut për njeriun apo të karitasë që kanë qenë themelore deri në shekujt e fundit, por nuk jeton më as si në shekullin XX si pjesë e projekteve të mëdha nacionaliste apo komuniste. Ato projekte kanë dështuar duke marrë me vete, për fat të keq, edhe dy ëndrra/vlera të mëdha të njeriut: atë se njeriu mund ta ndryshojë botën me vullnetin e tij dhe atë të barazisë – duke e lënë kësisoj njeriun e shkretë në projektet e tij të vogla personale, meskine që, tek e fundit, reduktohen te nevoja për para, që kështu të ndërtojë një shtëpi, të blejë një makinë, të sigurojë fëmijët, e ku di unë. Me një fjalë, t’i adoptohet këtij realiteti të ndyrë dhe jo të kërkojë ta ndryshojë atë, nga frika se mos krijon një monstër si nazizmi apo komunizmi. E dyta, kur vjen puna te paraja, problemi është se këto shoqëritë tona kanë tendencën të shndërrohen gjithnjë e më shumë nga kapitalizëm prodhues në kapitalizëm spekulativ financiar dhe në shoqëri shërbimi. E kam fjalën veçanërisht për këto perëndimoret, ku ne aspirojmë të bëjmë pjesë. Dhe kjo do të thotë që në vend se të fitohen paratë duke prodhuar mollë, rrush, dardha, vezë, mish, djathë, hekur, çelik, bakër, energji, aeroplanë, makina, e ku di unë, këto të fitohen gjithnjë e më shumë duke ofruar shërbime, siç janë edhe “call center”-at e duke bërë spekulime financiare nëpër bursat. Kjo çon në gjetjen dhe sofistikimin e trukeve se si të nxirren para nga paraja e klientit. Dhe ata që krijojnë këto truke  gjithnjë e më shumë shtrëngohen t’i sofistikojnë ato pasi paraja që vjen nga prodhimi bëhet gjithnjë e më e pakët. Këta djem, pra, që jo më kot i quajnë “golden” (të artë), seleksionimi i ka nxjerrë në pah si qenie superiore. Unë i quajta “homo hajduticus”, si përfaqësuesit më të suksesshëm të një epoke që nuk e dimë se ku po na çon, por që sot ka hyrë në krizë. A do të zhduken këta nga ky ndryshim klimaterik që po ndodh me krizën, apo do të triumfojnë plotësisht këta? – Dhe unë në një rast të tillë nuk do të merrja më fare përgjigje nga customerserviceairo-ne@alitalia.it. Nuk e dimë ende.

Desha ta ngjyroj me pak humor këtë refleksionin pas historisë me AIR ONE-in që tregova, por shoh se nuk ia dola siç desha ca nga paaftësia ime dhe ca, ndoshta, ngaqë me pengoi serioziteti i çështjes. Prandaj po e lë me kaq, si pa fund, këtë shkrim, me shpresë se lexuesi do të më mirëkuptojë. (Panorama, 24 nëntor, 2012)

Friday, November 16, 2012

Pse kemi vetëm parti “të djathta”

Me gjithë përpjekjet që bën Berisha për të na paraqitur si një përjashtim në botë përsa i përket moskrizës, kush ka sy në ballë dhe mendjen të paturbulluar nga ankthi i pushtetit dhe parasë, e konstaton mjaft lehtë gjendjen e vështirë të vendit. A nuk ishte edhe paaftësia e qeverisë për të dëmshpërblyer ish-të përndjekurit politikë konform ligjit një shenjë e krizës?
Në fakt, Shqipëria ka mjaft situata të ngjashme apo të përbashkëta me dy vendet kryesore fqinje në krizë, Italinë dhe Greqinë, prej të cilave mund të themi se kemi imituar edhe shumëçka nga sistemi politiko-ekonomik. Mbi të gjitha, kemi të përbashkët faktin se kriza jonë nuk është thjesht e vetëm krizë ekonomike, por edhe krizë e besimit në klasën politike që e ka qeverisur vendin këta njëzet vjet. Me fjalë të tjera, si për opinionin e gjerë andej edhe këtë këtej, në thelb të krizës qëndron fakti se këto vende janë qeverisur nga një kastë politike ekonomike dhe mediatike që ka abuzuar me pushtetin për t’u pasuruar për vete duke lënë të tjerët në mjerim e së fundi edhe në pasiguri jetese.
Ndërkaq, Shqipëria ka edhe mjaft ndryshime nga këto vende. Njëri prej tyre, që tërheq vëmendjen veçanërisht dhe meriton një analizë të gjerë, është fakti që në Greqi dhe në Itali, si rezultat i këtij zhgënjimi të thellë, kanë lindur parti të fuqishme të majta që udhëheqin në sondazhe: Syriza në Greqi është partia e parë në sondazh dhe po ashtu në Itali lëvizja “Cinque Stelle” (Pesë Yjet) është bërë kërcënimi numër një i të gjithë kastës. Kurse në Shqipëri kanë lindur dy parti të reja, që janë, që të dyja, të djathta.
Si ta shpjegojmë këtë ndryshim?
Fillimisht duhet thënë se kriza, normalisht, duhej të provokonte reagimin/lindjen e forcave të majta, sepse është e majta ajo që përfaqëson interesat e atyre që pësojnë më shumë se kushdo nga kriza: shtresat më të brishta të shoqërisë. Dikush, duke iu referuar historisë, mund të thotë se edhe fashizmi, dhe nazizmi, si lëvizje të djathta, ka lindur si rezultat i krisës. Por kujtoj se përsa i përket sistemit ekonomik, fashizmi dhe nazizmi ishin kundër kapitalizmit që prodhoi krizën. Erza Paund e dashuroi aq shumë fashizmin e Musolinit mu pse ishte kundër usuria-s (fajdexhinjve kapitalistë); ideologjia e Hitlerit ishte nacional – socializmi.

Për të shpjeguar shkakun – ose më saktë një nga shkaqet kryesore, sipas meje, të ndryshimit tonë me Greqinë apo Italinë përsa i përket lindjes së partive të reja në kohë krize – më duket me vend të them dy fjalë për lëvizjen e Pepe Grillos në Itali, sepse, sipas mendimit tim, realiteti italian, edhe pse shumë më i sofistikuar sesa i yni, është mjaft i ngjashëm me sistemin tonë – sigurisht, në mënyrë të tillë që ne mund të quhemi një kopje e thjeshtëzuar, banale e tij.
Në Itali ka njëzet vjet që dominojnë dy parti kryesore. Ka dominuar Berluskoni i alternuar nga Partia Demokratike, baza e së cilës është ish-Partia Komuniste, e cila, edhe kur ka qenë në opozitë, ka qeverisur, megjithatë, shumë provinca e komuna të rëndësishme të vendit. Pas njëzet vjetësh në pushtet këto dy parti kanë arritur minimumin e pikëve në sondazhe dhe, sipas disa zërave të fundit, ato po nxitojnë për në prag të zgjedhjeve të ndryshojnë ligjin elektoral, sepse përndryshe, sikurse tha Schifani, një nga eksponentët e partisë së Berluskonit, Grillo mund të shkojë nga 30% te 80%.

Ç’është lëvizja e Grillos që ka arritur në një kohë të shkurtër një sukses kaq galopant? Së pari duhet vënë në dukje se Grillo e ka krijuar lëvizjen e tij në internet. Madje ai akuzon të gjitha mediat se janë “teatrino” e kastës politike. (A nuk ju tingëllon kjo shumë e ngjashme me mediat tona?) – duke i bojkotuar ato. Ai është kundër pushteteve të forta – të bankave dhe pasunarëve, akuzon rrjetin e sistemit politik italian (si qendrën e majtë edhe atë të djathtë) si një rrjet korrupsioni të paparë, kërkon të ndryshojë partitokracinë në favor të një demokracie më pjesëmarrëse, ka qëndrime të forta ekologjiste. Por, pa u zgjatur më tej në programin e tij, mund të them se, pavarësisht nëse janë dakord me të apo jo përsa i përket programit, shumica e italianëve bien dakord se Grillo ka një konsensus kaq të madh për shkak se ai shpreh nevojën e shkatërrimit të sistemit ekzistues në Itali, të kalbur e të korruptuar deri në palcë si dhe të kastës politike që e ka ngritur këtë sistem. Sistemi dhe njerëzit e tij, sipas Grillos, janë dy anë të së njëjtës medalje, prandaj lëvizja “Pesë Yjet” synon kandidimin e njerëzve të rinj që nuk kanë qenë pjesë e sistemit të vjetër. Pra, janë të shumtë ata që thonë sot se, qoftë edhe vetëm me shkatërrim, Grillo do t’i bënte një shërbim të madh Italisë sepse, pas tij do të lindte diçka e re. E njëjta gjë thuhet, në thelb, edhe për Syrizën në Greqi. Të rinjtë grekë të Athinës e Selanikut, që mbështesnin Syrizën në zgjedhjet e fundit, mbyllnin në shtëpi prindërit që të mos shkonin të votonin për partitë tradicionale të kastës. Për këtë kastë fliste edhe lajmi i arrestimit të gazetarit grek që denoncoi kontot e saj bankare jashtë vendit.

Analiza se pse në Shqipëri, me gjithë krizën e rëndë, kanë lindur dy parti të djathta dhe asnjë e majtë, meriton një debat që e tejkalon hapësirën e një shkrimi të tillë. Unë, megjithatë, dua të theksoj një aspekt të këtij fenomeni që më duket shumë i rëndësishëm. Them se partitë që po kërkojnë të sfidojnë sot PD-në dhe PS-në janë të djathta sepse liderët e tyre nuk duan të ndryshojnë apo shkatërrojnë sistemin, por thjesht të bëhen pjesë e tij apo të mbeten në të me një emblemë tjetër. Si e argumentoj këtë? Më së pari le të them se çfarë duhet të kuptojmë me fjalën “sistem” në Shqipëri. Thjesht dhe qartë atë që kupton edhe Grillo në Itali: politika në shërbim të ekonomisë së fitimit të kastës; politika e kapur gjithnjë e më shumë nga mafia, gazetaria po në shërbim të këtij grupi/kaste, çka në Shqipëri ka marrë trajta shumë herë më të shëmtuara dhe abuzive, por edhe më falimentare. Po ç’lidhje ka e djathta me këtë sistem? Ka, sepse fasada ideologjike që e ndihmoi ngritjen e këtij sistemi ishte e djathtë në kuptimin e kultit të privatizimit si zgjidhje e çdo problemi nëpërmjet privatizimit apo nëpërmjet idesë së zhvillimit si çimentifikim që nëpërkëmbi çdo lloj kujdesi për ambientin dhe cilësinë e jetës. Nuk dua të them me këtë se ne kemi parti vërtet të djathta, absolutisht jo. Në Shqipëri s’ka të majtë dhe të djathtë, por vetëm pasunarë që kanë kapur parti dhe shtetin, dhe të varfër që s’kanë as parti, as shtet në krah të tyre. Desha të them se këta që kanë parti dhe gazeta, dhe televizione, dhe shtetin, si nga PD-ja, edhe nga PS-ja, LSI-ja etj., e kanë përdorur ideologjinë e djathtë, që ka në bazë të vet lirinë maksimale të sipërmarrjes, interesin e privatit që kështu prodhon më shumë, për të ndërtuar sistemin e grabitjes së shqiptarëve dhe se, nga ana tjetër, nëse duam të godasim vërtet sistemin dhe kastën që e ka ngritur atë, kjo mund të bëhet sot nga një parti e majtë, që duhet të kërkojë të vendosë më shumë kontroll të shoqërisë/publikut mbi këto interesa – pa harruar, sigurisht, se edhe ajo mund ta përdorë të majtën si fasadë. Kurse parti të djathta, aq më tepër njerëzish që deri dje kanë qenë pjesë e kastës, premtojnë shumë pak në këtë aspekt, sepse në to ndjehet “investimi” i atyre që punojnë sipas të njëjtit sistem.

Po të vësh re kritikat që bëhen nga dy partitë e reja sot për gjendjen ku është katandisur vendi, ato përqendrohen tek individi Sali Berisha dhe individi Edi Rama, kryesisht tek autoritarizmi dhe korrupsioni i tyre, por s’gjen, ama, asnjë tentativë serioze për t’u marrë me tërë atë sistem politik, mediatik, ekonomik që këta individë udhëheqin dhe i shërbejnë njëkohësisht dhe veçanërisht me protagonistët e tjerë të kastës, në skenë apo prapaskenë. Kështu, po t’i heqësh disa fraza për ish-pronarët dhe ish-të përndjekurit, programit të Bamir Topit nuk i mbetet veçse denoncimi dhe sharjet për Berishën dhe Ramën si autoritarë. Asnjë depërtim më thellë në rrjetin e interesave abuzive që Berisha e trashëgoi nga socialistët, e jo më ndonjë propozim mbi ndryshimin e këtij sistemi. Kreshnik Spahiu, po ashtu, bën ndonjë denoncim më shumë për disa pasoja, thekson më së shumti tradhtitë e Berishës se i ka dhënë grekut detin, tund flamurin, por asnjë analizë të sistemit politik, ekonomik, mediatik që e ka futur vendin në një ekonomi piramidale dhe aq më
pak ndonjë propozim se si mund të dilet prej tij. Për të përmendur vetëm një shembull: Sot pritet me ankth që “shpëtimi” t’i vijë Shqipërisë nga shitja e Albpetrolit. Edhe ish-të burgosurit politikë aty e kanë shpresën e dëmshpërblimit. Por askush nga këta që përmenda nuk përmend se aksionisti kryesor i shoqërisë që kërkon të na shpëtojë të gjithëve i ka Albpetrolit, që s’e ka blerë akoma, d.m.th. shtetit, rreth 100 milionë dollarë borxh dhe që askush nuk ia kërkon. Apo që u ka borxh disa azerbajxhanasve ndonja 70 milionë të tjerë dhe që – sipas një shkrimi të Baton Haxhiut – për turp të gazetarisë nuk u dha nga asnjë media shqiptare, pasi gazetarët, sipas thashethemeve, “u blenë”. A kanë para, apo kanë borxhe këta njerëz? Nuk e dimë. Kush do t’i paguajë ato? As këtë nuk e dimë. Si i kanë vënë paratë pasunarët tanë që blejnë për të sponsorizuar një fondacion të gruas së Kryeministrit një pikturë 100 000 dollarë? Çfarë taksash paguajnë këta? Po shteti ç’ka bërë dhe çfarë bën? Po ky Bamir Topi që deri dje ka qenë kryetar i shtetit, a mund të jetë jashtë këtij rrjeti? Po ky Spahiu që ka qenë zv.kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë? Ka shumë pyetje që ngrihen e që po t’u kapësh fillin, të çojnë në rrjetin e sistemit për të cilin flas, që po bëhet mortja jonë, e që këto parti, ndryshe nga ato që përmenda në Greqi apo Itali, nuk e prekin fare.

Lexova në një lajm të fundit se Edi Rama i PS ka deklaruar se do ta çlirojë arsimin nga politika, duke nënkuptuar me këtë çlirimin nga Berishën. Por problemi thelbësor, sipas meje, nuk është ky. Problemi thelbësor është çlirimi i politikës, edhe i Edi Ramës vetë, nga sistemi të cilit i shërben ai dhe politika e tij, dhe që, si gjarpri që kafshon bishtin, edhe e udhëheq njëkohësisht. Përndryshe, çlirimi nga Berisha, të cilit sot po i këndohet aq shumë, dhe jo pa arsye, ashtu si ai nga Berluskoni që ndodhi më në fund në Itali, do të rezultojë një çlirim i rremë. (Panorama, 14 nentor 2012)

Friday, November 2, 2012

Konteksti i grevës së urisë


Greva e urisë së ish-të burgosurve politikë ka qenë dhe mbetet një nga ngjarjet më të debatuara kohët e fundit. Ajo ka hapur shumë tema të mprehta sociale ekonomike, politike, të lidhura sa me të kaluarën, edhe me të tashmen, sa me forcat politike, edhe me shoqërinë civile dhe që e tejkalojnë “hallin” e atyre që u futën në grevë. Në fakt, ajo ishte një test, do të thosha, për tërë shoqërinë me në krye politikën, për të provuar se sa ka reflektuar ajo për të kaluarën komuniste, se sa është në gjendje ajo të zgjidhë problemet, se sa është në gjendje të dialogojë, negociojë etj., dhe rezultatet e këtij testi na nxorën keq, shumë keq.

Në këtë shkrim nuk mund të shteroj tërë problematikën që ngacmoi ajo grevë, por më duket e domosdoshme të shtjelloj më së pari kontekstin social ekonomik të grevës.

Nuk gjej mënyrë më të mirë për ta shtjelluar këtë kontekst sesa rrëfimi i tri bisedave që kam pasur këto ditë midis bisedave të shumta që bëjmë të gjithë përditë me ata që takojmë.


Biseda e parë:

Një i njohur, teksa pinim kafe, më tregoi se po i ndërtonin pa leje atje ku ai ka pronën, në një lagje të Tiranës. “Shkova të ankohem dhe e di çfarë më thanë? – Shiko, ne atë zonën ia kemi lënë partisë çame. Shih se mos gjesh ndonjë nga ata që ta rregullosh këtë punë, se për besë vështirë e ke ndryshe”.


Biseda e dytë:
Duke i treguar një të njohuri historinë e parë, ai më tregoi një tjetër: “Një mikut tim i vdiq i ati, më tha. Aty zbuloi se puna e një vendi varri ishte problem i madh. Duhet të paguaje – nën dorë kuptohet. I thanë: Shiko, varrezat i ka LSI-ja, prandaj shih mos njeh ndonjë nga ata të LSI-së”.


Biseda e tretë:

Teksa ndalova në një dyqan për të blerë një mall, shitësi më njohu dhe më tha:

- Zoti Lubonja, kam një hall. A mund të më ndihmosh?

- Çfarë halli ke? – i thashë.

- Kam gruan pa punë, është mësuese.

- Mësuese për çfarë?

- Pedagogji.

- Çfarë të thonë?

- Më kanë kërkuar para. Një vend pune për gruan time kushton nga 3 deri në 5000 euro.

- Kush t’i ka kërkuar, – i thashë, – me shpresën se do të më pasuronte listën e partive. Por kësaj here përgjigja ishte: “Sekseri”.


Ja, këto janë bisedat që zhvillojnë përditë njerëzit nëpër tryeza. Dhe të mos harrojmë se ato përbëjnë sfondin e atyre lajmeve skandaloze që flasin për shitje korruptive të pronave publike, për interesa milionëshe, për tenderë të anuluar e për tenderë mashtrues, e me radhë e me radhë – që i faturohen, mbi të gjitha, partisë më të madhe në pushtet.
Është imazhi i një vendi ku partitë janë kthyer në banda që kanë ndarë territorin e po e shqyejnë ku të mundin e sa të mundin, madje me një uri edhe më të madhe, pasi tani kanë mbetur copërat e fundit.
Është imazhi i një shoqërie të polarizuar ekstremisht, kur një pjesë e vogël, duke abuzuar me pushtetin, kanë vënë pasuri të mëdha, kurse pjesa tjetër e sheh veten të margjinalizuar dhe shpresëfikur.

Greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë nuk mund të shihet e shkëputur nga kjo gjendje e përgjithshme e njerëzve. Ata njerëz, një pjesë e të cilëve përfaqësojnë kategorinë më të pafat të të pafatëve që u kaloi një pjesë e jetës nëpër kampe, burgjet e komunizmit, zgjodhën grevën e urisë si mjetin e fundit të presionit dhe të protestës. Por nuk mund të thuash kurrsesi se ata përfaqësojnë vetveten. Ata përfaqësojnë një zhgënjimi më të madh.

“Zhgënjimi qenka më i rëndë se shtypja, – më tha një ish-bashkëvuajtës që s’ishte në grevë, por që ndiente gjer në kockë shpërfilljen e pushtetit dhe të shoqërisë, – sepse shtypja, tek e fundit, tregon edhe respekt, tregon se ti je, të llogarisin, kurse ky injorim është më i rëndë”.

Unë gjykoj se ky është konteksti në të cilin duhej parë greva e urisë së ish-të burgosurve politikë. Ai i humbjes thuajse totale të besimit te politika. Përpara tetë vjetësh, duke trajtuar çështjen e ish-të burgosurve politikë në prag të zgjedhjeve që i dhanë fitoren, Sali Berisha, midis të tjerave, ngrinte pyetjen:
“Ku shkuan me mijëra e qindra hektarë tokë që ata krijuan me mundin dhe djersën e tyre? Që të gjitha gëzohen sot nga fermerë, por për hir të së vërtetës, i përkisnin shoqërisë së konformuar, dhe jo asaj të shtypur, jo asaj të persekutuar. Duke e parë edhe në këtë kontekst, nuk mund të pranojmë që këto pasuri kombëtare që u krijuan, të gëzohen nga ky komb pa njohur borxhin që ka ndaj atyre motrave dhe vëllezërve që u përdorën si argatët më të keqpaguar në historinë e kontinentit….

…Le ta marrim kënetën e Maliqit, kënetën e Tërbufit, kënetën e Thumanës etj.; secila prej tyre është mbi një miliard dollarë vlerë. Nuk po përmend dhjetëra vepra të tjera të mëdha që kanë ndërtuar, por vetëm këto këneta të shndërruara në tokë buke, kanë sot dhe në çdo kohë një miliard dollarë vlerë…

…Jam i vetëdijshëm se për dy apo tre vjet nuk mund të shlyhet kjo faturë, por jam i vetëdijshëm se në një vend që vidhen 600 milionë euro në vit në taksa nga 27 VIP-a, pa cenuar askënd, brenda një afati kohor të shkurtër mund të ndahet shoqëria shqiptare tërësisht nga pasojat e kalvarit më të egër që Europa e pasluftës ka njohur, sepse asnjë komb nuk ka pasur një luftë klasore vrastare si kombi shqiptar…”.

Perceptimi pas tetë vjetësh është se 27 VIP-at mund të jenë bërë 54, se 600 milionët mund të jenë bërë 1 miliard e 200 milionë, dhe se të nëpërkëmburit sot janë më të shumtë e më të poshtëruar po ashtu. Ka arritur puna deri aty sa disa sot shtrojnë pyetjen: Po pse për të bërë 55 njerëz miliarderë qenka rrezuar ai sistem?

Në vend që të reflektonte thellë për këtë gjendje që e nxori edhe më në pah greva e urisë së ish-të burgosurve, Sali Berisha dhe politikanët rreth tij përdorën një taktikë të njohur: “Nëse do të zgjidhësh një problem, sajo një armik”. Se ku përfundon kur për zgjidhjen e problemeve sajohet armiku, i jashtëm apo i brendshëm, na e ka mësuar përvoja e regjimit të Enver Hoxhës. (Panorama, 27 tetor 2012)