Thursday, February 6, 2014

Për Gjikën dhe të tjerë

Me një deklaratë të tij të botuar në Gazetën Panorama më 3 shkurt Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika më sulmon si “pseudogazetar” e “pseudoopinionist” nisur nga shkrimi im i datës 1 shkurt me titull “Ujkun e kemi prapa derës”. Në atë shkrim, duke marrë shkas nga tmerret e atentateve me tritol të kohëve të fundit, them, mes të tjerash, se për çfarë qëndron prapa tyre flet shumë edhe “kërcënimi” që i është bërë prefektit të Vlorës, Dervishi, me vendosjen e tritolit në makinën e tij.  Sipas asaj çka di unë sot për sot nga mediat, këtë bombë ia ka vënë një njeri që, deri në shtator 2013, ka punuar në Bashkinë e Vlorës, që paska disa biznese në Vlorë dhe të cilit, së fundi, me rastin e shembjeve në bregdet nga qeveria,  i është prishur edhe një parkim ngaqë e ka pasur pa leje. Sipas meje duhet të jesh fare pa tru që të mos mendosh se këtë parkim ky e ka siguruar  nga lidhjet me pushtetin në Vlorë ku njeriu më i pushtetshëm dhe mbrojtës i parë i ligjit është, apo duhet të jetë, ish prefekti dhe tani Kryetari i Bashkisë Shpëtim Gjika. Kështu që, kur prefekti i kërcënuar me bombë, Dervishi, deklaroi se dihet se cilit klan i përket bombëvënësi, se atentati është punë e krimit të organizuar dhe se ai do të vazhdojë luftën kundër informalitetit, duhet të jesh dy herë pa tru të mos mendosh se ai po aludon qartazi për Gjikën, i cili, për më tepër, është edhe i akuzuar në Prokurori për lejimin e informalitetit në Vlorë. Pra, besoj se është e drejta ime si gazetar që kërkon të vërtetën t’i bëjë këto arsyetime – që, në fakt, i bën çdo qytetar - dhe të arrijë në konkluzionin se aksionet e qeverisë me shembjet e ndërtimeve të kundërligjshme (ku fus edhe atë të pallatit me pronar vjehrrin e kryetarit të PD-së Basha) “kanë prishur ekuilibret e sistemit të ngrënies nga ujku dhe me ujkun në Vlorë”… e se, me bombën në makinën e Dervishit, “kemi të bëjmë me mesazhin e krimit të organizuar e të lidhur me politikën që kërcënon qeveritarët e rinj të mos u prekin interesat sepse, përndryshe, i presin bombat.” Në hipotezat që ngre më tej nuk mungon ajo se këtu mund të kemi të bëjmë edhe me zëvendësimin në Vlorë të “klanit” të Gjikës me ndonjë “klan” tjetër të PS-së.

Përpara kësaj analize, që më duket se është minimumi që mund t’i kërkohet një gazetari nga lexuesi i tij që të mund ta quajë gazetar, Gjika shpërthen me akuza dhe epitete, pa hyrë aspak në përmbajtje për ta kundërshtuar në mënyrë bindëse. E vetmja gjë që thotë, përtej epiteteve fyese, është: o provojeni në Prokurori se unë jam mafjoz ose mos flisni. Por unë nuk është se po flas (gabueshëm) si gazetar investigativ që kërkon të provojë (pa fakte) se  bombëvënësin e urdhëroi drejtpërdrejt Gjika. Unë them - me plot gojën dhe me të drejtën time të fjalës – se, në këtë histori, përgjegjësia, direkte apo indirekte, morale, politike, por ndoshta edhe ligjore e Gjikës për lidhje me njerëz të tillë që janë të gatshëm të venë bomba është evidente dhe se këto lidhje, që po na bëjnë të mos dallojmë më se ku mbaron politikani dhe ku fillon bombëvënësi, e se cili është më i rrezikshëm, janë fenomen i përhapur në krejt vendin që shtron pyetjen e madhe dramatike se ç’duhet të bëjmë ne për të çliruar politikën dhe ekonominë nga kapja prej krimit. Sikurse dihet, si për koincidencë, për këtë foli së fundmi edhe vetë Kerry.
Për ilustrim, shikoni se ç’po del nga vrasja dhe vrasja e mbetur në tentativë në Durrës. Një i ashtuquajtur “bizmesmen” i fuqishëm i gazit nuk heziton të paguajë 120 000 euro për të hedhur në erë një biznesmen tjetër i cili i paska prishur biznesin apo i bëka konkurrencë apo nuk i ka paguar para – një dreq e merr vesh pse. Deri këtu jemi në nivelin e “nëntokës” mafjoze dhe mund të ishim të qetë sikur në “mbitokë” të kishim institucionet tona që na mbrojnë nga këta biznesmenë. Por ja që s’mund ta kemi këtë qetësi sepse, së pari, na del përpara pyetja: si i kanë fituar të drejtat nga pushteti për të ushtruar aktivitetet e tyre këta biznesmenë që kuptohet se, kur bëjnë këto gjëra, mund të kenë bërë edhe shumë të tjera duke filluar nga mënyra e vënies së parave? Së dyti, na del se ky biznesmeni na qënka kaq i fuqishëm saqë ka njerëzit e tij në polici që e mbrojnë. E kanë mbrojtur deri në atë pikë saqë kjo mbrojtje bëri që t’i ikë koka një tjetër biznesmeni pasi bashkëpunëtorit të vrasësit të paguar nga biznesmeni nuk iu pranua në kohë denoncimi - çka bëri që shoku i tij të kryejë edhe një vrasje tjetër. Sipas versionit të opozitës, që po e marr, gjithsesi, me rezerva, por që pres të përgënjeshtrohet, lidhjet e besnesmenit bombëporositës të çojnë që nga shefat e komisariatit në policinë e Durrësit deri tek Ministri i Brendshëm.
Çfarë duhet të bëj unë si gazetar dhe qytetar përpara këtyre fakteve të tmerrshme që dëgjoj i pa ndihmuar as nga organet tona të drejtësisë e as nga politikanët tanë, madje shpesh i dizinformuar prej tyre pasi o janë të lidhur vërtet me këta lloj biznesmenësh o kanë  vetëm hallin e pushtetit apo parasë së tyre? Mos duhet të rri i qetë me mendimin se “ai gjarpër që s’më kafshon mua rrnoftë 100 vjet.” Por kjo s’është çështje vetëm personale. Ne jetojmë në një shoqëri dhe këto që po ndodhin kanë helmuar tërësisht klimën e shoqërisë ku jetojmë, ndjenjën e sigurisë së jetës e të shpresës për një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët tanë. Disa, me ndihmën e gazetarëve militantë, të sugjerojnë taktikën: “futu në njërën bandë e sulmo të tjerët, që të jesh i mbrojtur.” Këtë bën edhe Gjika në deklaratën e tij kur i thotë Dervishit: “Ke bërë gol në portën tonë.” Pra ai duhet të harrojë se iu rrezikua koka mu në “portën e tij”. Ata të opozitës, nga ana e tyre, ulërijnë sikur i gjithë ky krim të ketë mbirë e rritur për gjashtë muaj kur të gjithë e dinë se ai është rritur e fuqizuar edhe gjatë tetë vjetëve që kanë qenë ata në pushtet.
Kush nuk i pranon gjysëm të vërtetat e këtyre për të mos e quajtur veten as të shitur dhe as budalla  i mbetet të futë kokën në rërë si struci. Por kjo do të thotë të jetosh me frikën e këtyre banditëve, si në kohën e Enver Hoxhës: “Mbylle gojën se përndryshe…!” e të harrojmë se historia na e ka provuar shumë herë atë thënin e vjetër tonën: “Ç’ka sheh në kodër, prite në votër.”
Pastaj, më thoni, si mund të jesh i qetë kur sheh që njeriu më i fuqishëm i vendit bën edhe ai rolin e një struci që ka futur kokën në rërë si struci. E kam fjalën për Kryeministrin. Në fakt po e krahasoj ironikisht me strucin sepse, për mua, ai ka një përgjegjësi të madhe për “afrimin” e krimit në politikë dhe shndrrimin e kësaj në luftë bandash. E them këtë  duke parë së fundmi edhe mosreagimin e tij përballë këtyre ngjarjeve tragjike apo kërkesën që i ka bërë në grupin parlamentar  deputetit Frroku lidhur me kërcënimet dhe fyerjet që ky i ka bërë Jozefina Topalli. Vini re: në një kohë kur në Shqipëri kanë shpërthyer bombat e vrasësve me pagesë, ka dalë në shtypin belg një akuzë e rëndë: se deputeti Frroku, që bën pjesë në maxhorancën e Kryeministrit, është një vrasës i kërkuar nga drejtësia belge. Ta do mendja që një kryeministër i angazhuar në luftë kundër krimit të organizuar do të duhej të alarmohej për këtë dhe të vinte në lëvizje të  gjitha institucionet brenda dhe jashtë vendit për ta sqaruar çështjen. Ta do mendja se përpara një akuze të tillë minimalisht grupi parlamentar socialist t’i kërkonte atij dorëheqjen deri në momentin që të sqarohej e vërteta. Mirëpo çfarë ndodh: jo vetëm që s’bëhet asgjë e tillë, por, kur opozita kërkon sqarime për këtë çështje, deputeti i dërgon Jozefina Topallit një sms me fyerje dhe kërcënime. Dhe ç’bën Kryeministri ynë? I kërkon deputetit në mbledhjen e grupit parlamentar thjesht t’i kërkojë ndjesë Topallit për gjuhën jo të hijshme që ka përdorur ndaj një gruaje. Ej, luani vendit! E kuptoni se ku jemi katandisur? Kjo është si t’i kërkosh ujkut që të tregohet i kujdesshëm për formën e hungërimave që nxjerr nga goja ndërkohë që ky të ka ngulur dhëmbët e ka në plan të të shqyejë.

Jo, punët janë shumë keq, të dashur bashkëqytetarë. E di se disa, të cilëve nuk u intereson gjë tjetër përveç “shëndetit” të bandës së tyre, do të më thonë: po ç’bëri Jozefina Topalli kur ishte në pushtet për të ndaluar këta njerëz? A nuk del edhe nga sms-ja që i ka dërguar Frroku se edhe ajo paska bashkëpunuar me të? E vërtetë, prandaj dhe them se punët janë keq, shumë keq. Ngjarjet që po ndodhin, kërkesat edhe të miqve  ndërkombëtarë, kërkojnë që njerëzit e vullnetit të mirë të maxhorancës dhe opozitës të bëjnë një pakt të rëndësishëm historik për pastrimin e politikës dhe ekonomisë nga krimi, një pakt ku t’i japin mbështetje drejtësisë të veprojë pa marrë parasysh përkatësi partiake. Por kjo u duket disave aq e pamundur, për shkak të fuqisë që ka krimi mbi partitë, drejtësinë, mediat, shoqërinë, ekonominë, krejt shtetin sa që këshilla më “e urtë” që të japin është: hani atë copë bukë dhe mbyllni gojën ose ikni një sahat e më parë nga ky vend sa pa ju plasur ndonjë bombë në makinë. Por kjo është një këshillë e gabuar. Krimi duket shumë i fortë, por kjo ndodh vetëm për shkak të nënshtrimit, indiferencës dhe dobësisë sonë. Ai përfaqëson gjithsesi interesat e një pakice që, sikur sejcili të ngrinte pjesën më të mirë të vetes së vet e ta luftonte, ai do të futej shumë shpejt në “nëntokën” ku i përket të jetojë.(Panorama, 5 shkurt 2014)

Saturday, February 1, 2014

Ujkun e kemi prapa derës


Gjatë këtyre viteve kam dëgjuar shumë nga ata – madje edhe intelektualë – që, kur u thoje se Shqipërinë po e mbyt ekonomia kriminale, trafiku i drogës, i qënieve njerëzore, të thonin, direkt apo indirekt, se nëpërmjet kësaj ekonomie, hyjnë edhe para e kështu bëhet edhe ndonjë gjë, hamë edhe ne. Vetë fakti që nuk është bërë temë shqetësimi primar rreziku që mund t’i sjellë një shoqërie qënia e pjesës më të madhe të ekonomisë së saj kriminale flet shumë. E kam trajtuar këtë rrezik para disa kohësh në një shkrim të titulluar: “Të hash nga ujku” (Panorama, 1 shkurt 2013) ku flas për një shoqëri ku “ujqit” dhe “njerëzit” e kthyer në “qenër” të tyre i sheh gjithandej sëbashku. Sot besoj se jemi në momentin kur rreziqet e ngrënies nga ujku dhe me ujkun po shfaqen në mënyrën më dramatike të këtyre njëzet vjetëve. Krimi po kërcënon dhe po vret në mënyrën më spektakolare. Ujqit janë hedhur në aktivitet të ethshëm. Pa u kapur mirë ujqërit në Vlorë ca ujqër të tjerë hodhën në erë një makinë në Tiranë. Pastaj erdhën ca kërcënime të tjera për bomba. Dhe, kur them “ujqërit”, nuk e kam fjalën për bombavënësit, por për mandatuesit e tyre.
Shkaku është se po u rrezikohet “ushqimi”. Njerëzit e thjeshtë bëjnë të habiturin: ”çfarë po ndodh kështu!” - sepse i shtyn në këtë miopi instikti i atij që nuk do të besojë se i ka ardhur e keqja në derë, por e vërteta duhet parë në sy.
Besoj se për të vërtetën që duhet parë në sy flet shumë “kërcënimi” që i është bërë prefektit të Vlorës Dervishi me vendosjen e tritolit në makinën e tij.  Ai na flet edhe për shumë bomba e ujqër të tjerë. Leximi im për këtë ngjarje është ky: aksionet e qeverisë me shembjet e ndërtimeve të kundërligjshme (ku fus edhe atë të pallatit me pronar vjehrrin e kryetarit të PD-së Basha) kanë prishur ekuilibret e sistemit të ngrënies nga ujku dhe me ujkun në Vlorë. Nuk do shumë mend për të kuptuar se “klani” për të cilin foli Dervishi është klani i Kryetarit të Bashkisë që, sipas meje, i ka lejuar ato ndërtime me parimin “të hash nga ujku”. Prandaj dhe lëshimi para disa kohësh i Gjikës në duart e drejtësisë nga ana e socialistëve nuk mund të jetë pa lidhje, direkte apo indirekte, me këtë kërcënim. Kemi të bëjmë me mesazhin e krimit të organizuar e të lidhur me politikën që kërcënon qeveritarët e rinj të mos u prekin interesat sepse, përndryshe, i presin bombat. Është emblematik edhe reagimi i opozitës në këtë kontekst. Deklarimet e saj se kishte të dhëna të sigurta se bomba ishte vënë nga vetë Dervishi dhe të tijtë për të justifikuar blindimin e pushtetarëve, si dhe për të larguar vëmendjen nga problemet e vërteta që ka vëndi, doli se ishte një akt i pastër depistimi që, sipas meje, meriton jo vetëm një ndëshkim moral, por edhe hetim ligjor.  Kushdo që kërkon të kuptojë në këtë histori pak më thellë sesa mënyrën si si i prodhonte bombat i arrestuari Sinani, nuk mund të mos e lidhë këtë reagim të opozitës me faktin se në pallatin që u shemb në Vlorë kishte një bashkëndarje interesash midis kastës politiko ekonomike socialiste të Vlorës dhe njerëzve të ish-maxhorancës kundër interesave të të cilëve qe angazhuar, me shembjen e pallatit, prefekti Dervishi. Në këtë kontekst “bombëvënësit” dhe “shpërthimet” apo “mosshpërthimet” e bombave të tyre nuk janë gjë tjetër veçse vazhdim i politikës me mjete të tjera. Me fjalë të tjera kontrolluesit deri dje të sistemit të “ngrënies nga ujku dhe me ujkun” ndjehen sot të kërcënuar dhe kërconëjnë.
Pyetjet apo hipotezat që shtrohen në këtë kontekst janë disa:
 E PARA: a kemi të bëjme me një përpjekje serioze nga qeveria për të luftuar këtë sistem kriminal? Dhe, a mund t’ia dalë kjo qeveri në këtë luftë apo do të dorëzohet përpara kërcënimeve me tritol? Në këtë rast shtrohet edhe pyetja se çfarë duhet të bëjnë njerëzit e vullnetit të mirë që kjo luftë të fitohet nga shteti dhe jo nga sistemi i krimit të organizuar.
E DYTA,  (që e kemi në majë të gjuhës në bazë të përvojës së deritanishme): Apo kemi të bëjmë me një fazë acarimi të luftës së bandave, pasi banda e re, që sapo ka marë pushtetin, po përcakton kufijtë e saj të territorit që kontrollon duke ngushtuar territorin e asaj tjetrës?  Kam parasysh këtu edhe faktin se ajo që ka ndodhur në Vlorë, bastion i socialistëve,  tregon se edhe PS ka vepruar me logjikën e bandës  dhe, në këtë rast, ose kemi të bëjmë me një luftë  brenda bandës ku “klani” i Gjikës zëvendësohet, ose me një pastrim që kërkon të bëjë qeveria në emër të luftës kundër krimit, çka vihet në dyshim kur ke parasysh se disa ditë më parë maxhoranca u akuzua për përfshirje të vrasëve të tjerë në krahun e vet parlamentar - përveç atyre që ka pasur.
E TRETA: apo apo, kjo banda e re që ka ardhur në pushtet është më “humane” apo më “inteligjente”, ka brenda edhe njerëz të ndershëm, të pakomprometuar deri tani, dhe po përpiqet të bëjë diçka më shumë edhe për njerëzit, pasi, tek e fundit, nuk mund të injorohen ashtu krejt edhe kërkesat e njerëzve edhe  presioni ndërkombëtar. Prandaj dhe po ndërmerr disa  aksione që i shërbejnë edhe legjitimimit të saj në sy të opinonit edhe të ndërkombëtarëve, për çka po kërcënohet.
Përballë këtyre pyetjeve nuk mund të mos marrësh në analizë edhe qëndrimin e opozitës. Është mëse e qartë, sipas meje, se opozita, ose krahu më i lidhur me krimin i saj, po e inkurajon këtë terrorizëm me bomba, pasi i intereson. Qëndrimi i opozitës se krimi po shpërthen nga paaftësia e qeveritarëvetë rinj për të kontrolluar ujqit dhe prandaj vendi po futet në krizë apo se krimin e ka nxitur qeveria me agresivitetin e saj duhet përkthyer. “Përkthimi”, sipas meje, duhet bërë duke pasur parasysh  se opozita i mshon pikërisht hipotezës së dytë, se kemi të bëjmë me një revansh kriminal të bandës tjetër, çka ajo e mbështet edhe me pastrimet masive në administratë nga njerëzit e saj dhe me goditjet selektive në shembjet që po bën. Prandaj, sipas meje, “përkthimi” që duhet të bëjnë njerëzit është: kur ishim ne në pushtet i linim ujqit rehat prandaj duhet të kthehemi ne që të keni “qetësinë”  dhe “sigurinë” që gëzonit më parë. Përndryshe bombat do t’ju afrohen gjithnjë e më pranë pragut të shtëpisë. Nuk është opozita konstruktive që flet kështu, por ajo që po sheh t’i shkatërrohen interesat e lidhura me sistemin “të hash nga ujku”.
Ç’duhet të bëjnë në këtë situatë njerëzit e ndershëm e të vullnetit të mirë, që, për hir të së vërtetës, duken të çorientuar, madje edhe të frikësuar e të gatshëm për t’i bërë “naftën” këtij vendi? Personalisht mendoj se ky sistem, që punon edhe me tritol kur nuk ia del me para, duhet refuzuar e luftuar me çdo çmim. Jemi në një moment kur është bërë më e qartë dhe më dramatike se kurrë se ku të çon bashkëpunimi me krimin dhe kriminelët. Ne duhet të kërkojmë me ngulm një qeveri që të veprojë sipas hipotezës së parë: të luftës pa kompromis dhe pa përkatësi partiake me krimin. Në fakt qeveria nuk e ka ende kredibilitetin se mund ta bëjë këtë luftë. Duhet drejtësia mbi të gjitha të dalë në krye. Duhet të bëjë diçka çdo njeri që nuk dëshiron të jetojë si peng i krimit dhe i kriminelëve, i poshtëruar prej tyre, e që ka sadopak në dorë, në cilëndo parti qoftë, në cilëndo strukturë të Prokurorisë apo Gjyqsorit  dhe në cilëndo medie apo shoqatë të shoqërisë civile qoftë. Dhe kjo diçka me një fjalë tjetër mund të quhet sakrificë dhe kurajo, jo vetëm për të mos ngrënë me ujkun, por edhe për të luftuar me të. E kjo nënkupton edhe sakrificën e jetës: mjaft të kesh parasysh se në Italinë fqinje lufta me ujkun i ka kushtuar jetën shumë shërbëtorëve të shtetit, të ligjit e të së vërtetës, qofshin politikanë, gazetarë, njerëz të drejtësisë, të policisë, njerëz të thjeshtë. Rrugë tjetër s’ka. Përndryshe do të vazhdojmë (edhe pak kohë) të jetojmë si ai gomari që i dukej se ishte në ëndërr kur po e hante ujku. (Panorama, 1 shkurt 2014)

Thursday, January 30, 2014

Vrasjet dhe debati fals mbi policinë

Pas shkrimit tim "Humbja e kredibilitetit dhe militantizimi i shoqërisë", thelbi i të cilit ishte se dy forcat politike që kemi kompensojnë kredibilittin e humbur nëpërmjet uzurpimit të çdo hapësire publike dhe militantizimit të shoqërisë, më kanë ardhur një sërë kritikash - të përsëritura tashmë - ndaj këtij qëndrimi që ka kohë që e mbroj. E kam fjalën për kritikat sipas të cilave unë, dhe ata që mendojnë si unë, duke i kritikuar apo akuzuar të dy palët, duke mbajtur distancë nga të dy palët, duke thënë se të dy palët janë njëlloj, "dy banda" etj. - prodhojmë sterilitet politik, ruajtje të statukuosë.  Dje, ata që ishin në opozitë më akuzonin se kështu po i shërbeja maxhorancës në pushtet, të cilës i interesonte statukuoja, kurse sot këta që janë në opozitë më akuzojnë për të njëjtën gjë.
Problemi është se unë i mshoj pikërisht të kundërtës: se është pikërisht dinamika false maxhorancë - opozitë,  e cila, në mungesë të forcave të reja politike, drejtësisë dhe të medieve e shoqërisë civile që duhet të denoncojnë të dyja palët, dhe jo të bëhen pjesë e njërës apo tjetrës, ka prodhuar dhe po vazhdon të prodhojë sterilitet politik dhe ruajtje të statukuosë.
Le ta ilustroj këtë që mbroj me mënyrën se si e trajton kjo kastë politike një fenomen jashtëzakonisht të rëndë që po grryen ndjenjën e sigurisë së jetës në Shqipëri. E kam fjalën për numrin e madh të vrasjeve ku spikasin edhe ato të kohëve të fundit me atentatete me tritol. Para dy ditësh përsëri një shpërthim tritoli në makinë i mori jetën në Durrës një personi që merrej me ndërtime.
E pra cili është debati apo polemika midis maxhorancës dhe opozitës që po zhvillohet lidhur me krime të tilla. Opozita akuzon se krimi ka marrë dhenë ngase janë hequr policët e aftë dhe janë zëvendësuar me militantë. Nuk mungojnë edhe akuza sipas të cilave disa krime që kanë ndodhur kundër kryekomunarësh të PD-së janë organizuar për të terrorizuar opozitën ashtu sikurse nuk mungoi edhe akuza e fundit sipas së cilës vetë kryetari i PS, Edi Rama, dhe krerë të tjerë të partisë janë krahu politik i krimit. Nga ana e maxhorancës pretendohet se krimi është paksuar dhe jepen edhe shifra për këtë dhe vazhdohet me denoncimin e policisë së Berishës, e cila ka qenë e militantizuar dhe e lidhur, ajo, me krimin.
Unë ngulmoj se të kapemi dhe mbetmi tek një polemikë e tillë do të thotë t'i ikim debatit të vërtetë që duhet bërë lidhur me krimin në Shqipëri. Askush me dy para mend në kokë nuk beson se këto krime që po ndodhin sot janë shtuar pasi u zëvendësuan disa oficerë e policë të aftë me disa të paaftë. Askush nuk beson se iu bëka atentat një kryekomunari në një komunë, për të terrorizuar opozitën, ashtu sikurse askush nuk beson se krimi po pakësohet ngase socialistët kanë vënë ca më të zot apo edhe ngase iu rrit rroga policëve apo ndryshuan ca struktura apo emra strukturash. E vërteta është se për të ulur krimin ne kemi nevojë më së pari të kërkojmë shkaqet më të thella e më të vërteta  të tij - përse psh. i është vënë tritol personit në Durrës apo kryekomunarit - dhe tu shkojmë deri në fund këtyre shkaqeve për të kuptuar sistemin, rrjetin e lidhjeve mafjoze, ekonomike e politike viktimë e të cilave kanë rënë këta duke qenë ndoshta edhe bashkëpunëtorë dje. Unë besoj se ky hetim do të na çojë, në një formë ose në një tjetër, tek ajo që është më e besueshme: se sistemi ekonomik dhe politik që kemi ngritur është i lidhur ngushtësisht me krimin dhe se numri spaktakolar i vrasjeve dhe atentateve që po ndodhin sot është shenjë e rëndimit të këtij sistemi në një kohë krize siç jemi sot.
E pra unë shtroj pyetjen: a mund t'i hyjnë këto forca politike që kemi debatit mbi krimin deri në këtë thellësi dhe të ndërtojnë, pastaj, strategji, edhe të përbashkëta, për luftën kundër krimit? A mundet një gazetari në shërbim të këtyre forcave politike apo edhe një prokurori të hetojë deri në këtë nivel pa dallim partiak?  Unë them jo sepes nuk janë të interesuar për këtë pasi kjo rrugë i çon tek dega ku rrinë vetë. I kujtoj lexuesit se para disa javësh i bëra një letër të hapur Prokurorit të Përgjithshëm ku i kërkoja të hetonte me gjithë seriozitetin e duhur mbi atë se kush e vuri tritolin në makinën e prefektit të Vlorës pasi kishim dy versione politike: një të opozitës dhe një të maxhorancës, që diktonin dënimin e njërës ose tjetrës palë. Asgjë nuk ndodhi. Sepse tek ne nuk bëhet zbulimi, por e kundërta: për të mbuluar të vërtetën dramatike të krimit devijohet debati tek akuzat e ndërsjellta dhe mbrojtjet e ndërjellta se këto akuza janë palitike. Pastaj, nëpërmjet militantizimimit, kërkohet t'i imponohet shoqërisë ideja se e gjithë e vërteta qëndron tek ky debat fals. Në fakt ky është steriliteti i politikës dhe ruajtja e statukuosë dhe pikërisht për këtë duhet të dilet jashtë shinave të debatit fals të kësaj kaste politke për të hapur rrugë të reja debati, kontestimi dhe denoncimi të vërtetë. Dhe unë them se atëhere ky debat e denoncim i vërtetë do të na çonte tek fakti se krimi i organizuar dhe i paorganizuar, madje edhe vrasës, kanë hyrë sot deri në Parlamentin shqiptar pa dallim partiak e kjo do  të duhet të ngrinte shoqërinë në këmbë në protesta edhe më të fuqishme se ato kundër sjelljes së armëve kimike. (Panorama, 27 janar 2014)