Para disa ditësh, në gazetën “Mapo” lexova një shkrim të gazetarit Arben Vata, me titull “Kadeli dhe kastraveci… si ushqim për mediat”. Shkrimi fillonte me pohimin: “Sigurisht që nuk ka asnjë analogji që i bën bashkë deputetin socialist Gjovalin Kadeli, që (siç tha ai), për hir të interesave të elektoratit, brenda 6 muajsh iku nga PS, u bashkua me PD dhe së fundi kaloi te LSI, dhe perimes me emrin intrigues ‘kastravec’”. E kishte fjalën për kastravecin shqiptar, që së fundi nuk do të lejohet të tregtohet në Malin e Zi, sepse autoritetet atje e kanë gjetur me përqindje të lartë pesticidesh, që e bën të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.Vata ngrinte me shqetësim pyetjen se si ka mundësi që mediat i dhanë kaq shumë rëndësi një “loje deputetësh” dhe aq pak kastravecëve me pesticide, që, kësisoj, do të vazhdojnë të helmojnë fëmijët tanë?Shqetësim i ligjshëm, por unë, megjithatë, mbeta i zhgënjyer nga pohimi i tij që e ndante Kadelin nga kastraveci duke mos gjetur asgjë të përbashkët midis tyre. Jo, i dashur Arben, unë nuk mendoj se Kadeli dhe kastraveci nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Dhe mos të të shkojë ndër mend se dua ta shaj Kadelin “kastravec” në kuptimin që e përdorim ne këtë fjalë. Jo, jo, nuk është kaq banale lidhja që shoh midis tyre, edhe pse pohimi se paska ndërruar tri parti për hir të interesave të elektoratit, lë gojëhapur edhe më kastravecin e shqiptarëve. Jo, për mua Kadeli dhe kastraveci i helmuar kanë një lidhje qenësore, të thellë, strukturore quaje po deshe, që i bën të pandashëm nga njëri-tjetri, do të thosha dy anë të së njëjtës medalje, që, nga një këndvështrim i caktuar, më bën t’i shoh edhe të lidhur si trupin me shpirtin. Lidhja që shoh unë qëndron në faktin se kastraveci i refuzuar në Malin e Zi është produkt material i mendjes dhe shpirtit të njeriut të ri shqiptar të kapitalizmit, i të cilit Kadeli është shprehje elokuente, por sigurisht jo i vetmi, përkundrazi, një nga përfaqësuesit e panumërt të tij. Si nuk paska lidhje, i dashur Arben, midis një njeriu që, për të fituar sa më shumë para, i dynd kastravecët me pesticide, pa llogaritur mashtrimin dhe dëmin që u bën të tjerëve dhe një njeriu që dynd elektoratin e majtë e të djathtë me mashtrime po për të fituar sa më shumë para? Të gjithë ne e dimë se Kadeli nuk ka shkuar për interesat e elektoratit te PD-ja dhe nuk është kthyer te LSI-ja për këto interesa, por për të mbrojtur interesat e tij private: kështjellën e Lezhës që ka marrë me koncesion, antenat që ka instaluar atje lart, e më the, e të thashë. Të gjitha këto janë: të mira të të gjithëve që Kadeli i përdor si i do qejfi, duke dëmtuar edhe peizazhin, edhe interesin publik. Pra, i dashur Arben, nga ky këndvështrim, kastravec i helmuar nuk është vetëm perimja me emrin intrigues kastravec, por edhe çdo produkt joperimor i shpirtit të këtij njeriu të ri që kemi krijuar këta njëzet vjet. Pra, edhe ajo kështjella e Lezhës e Kadelit e kthyer në restorant, edhe ato antenat që janë vendosur aty (pyet po deshe edhe Artan Lamen e maxhorancës për këtë), edhe plazhet e mbushura me pallate e vila, edhe ai pallati në Vlorë, edhe gratacielat që po ngrihen në Tiranë, edhe fabrikat e çimentos e hidrocentralet që po mbijnë gjithandej, edhe nafta bruto që na shitet si naftë e rafinuar, edhe universitetet tona private, edhe, edhe, edhe mediat që nuk e bëjnë lidhjen midis kastravecit dhe Kadelit. Kastravec i helmuar janë edhe partitë tona, edhe Parlamenti ynë, edhe politika jonë. Madje partitë tona e kanë në programin e tyre politik helmimin e kastravecit për të fituar sa më shumë para, që do të thotë më shumë vota, që do të thotë më shumë para, që do të thotë më shumë vota. A nuk i katërfishoi votat nga viti 2009 në vitin 2013 LSI-ja? A e sheh i dashur se me çfarë shpejtësie po klonohet njeriu i ri që i mbush kastravecët me pesticide? A e pe se si bleu vota edhe nga PS-ja tani? Më shpejt, më shumë, më larg, më lart pesticide, shkatërrime, mashtrime, poshtërsi, hile, intrigë për të fituar sa më shumë para në kurriz të të tjerëve, që të fitojmë sa më shumë vota, që të fitojmë sa më shumë para, që të fitojmë sa më shumë vota. Që të mos e bëj listën të gjatë pa fund, do të thosha se kastravec i helmuar, i dashur Arben, është edhe vetë Shqipëria jonë. A e dëgjove lajmin se Shqipëria po pret me gëzim armët kimike siriane që të shkatërrohen këtu te ne? Na duhen para, i dashur, e kupton apo jo, që të blejmë vota, që të fitojmë para, që të blejmë vota, që të fitojmë para. Po na duhet edhe mbështetja politike e partnerit strategjik amerikan që të mbyllin sytë për pesticidet e tjera. Dhe s’kanë ç’thonë shqiptarët kur e duan amerikanët, se për ta ne jo kimikate që mund të hamë, por edhe dreqin e mallkuar.Teksa shkruaj këto rradhë më bëhet sikur i lexoj ata kritikët e mi që më ulërijnë: Sa negativ ky Lubonja, na helmon shtypin me këto artikujt e tij pesimistë dhe antishqiptarë! Si guxon e quan krejt Shqipërinë kastravec të helmuar? E ka nga burgu, nga jeta e ndyrë që ka bërë atje plot me poshtërime. Nuk po na lë as të gëzojmë maxhorancën e re që ka krijuar një klimë optimizmi e shprese në të gjithë vendin; ky njeri që na hiqet si ekspert për gjithçka, tani na doli edhe ekspert i kastravecit. Le që nuk na jep dot një zgjidhje.Po detyra ime e parë është të gjej lidhjet, jo zgjidhjet, mor mik. Ja, unë kësaj here gjeta lidhjen midis kastravecit dhe Kadelit. Zgjidhjen le ta gjejë Edi Rama, që të na ngjallë edhe shpresë. Mirëpo ai më duket se e ka gjetur zgjidhjen në ngritjen e normës së lejuar të pesticideve. Sa më shumë pesticide që të ngordhim Berishën – a nuk e kishin kështu parullën. Ja Berishën e ngordhën; shqiptarët ua lejuan madje për këtë edhe ngritjen e normës së pesticideve, por prapë duan ta ngrenë edhe më. Sepse maxhorancat, më fal, kastravecët, rriten më të shëndosha, më të fuqishme me pesticide. Ja, nga 84 deputetë u bënë 85 tani. E dëgjove Ramën se si tha kur e akuzuan (të vetët) se ai po voton për kryetar të Kushtetuese një që ka marrë para korrupsioni? “Nuk kemi ç’bëjmë”. Edhe gjykatat me pesticide janë të mbushura, si kastravecët. Dhe, tek e fundit, janë kastravecët që mund të na thonë – në fakt po na e thonë përditë – po s’deshët të na hani, ngordhni. “O mangi questa minestra, o salti dalla finestra”. Tani bile s’ke nevojë të hidhesh nga penxherja, si në kohën e diktaturës. Tani këta të lënë të dalësh jashtë shtetit shqiptar, atje ku pesticidet janë brenda normës, madje në disa vende duan t’i ndalojnë fare se po ngordhin bletët, dhe zhdukja e bletës, siç ka thënë Ajnshtajni, është shenjë e zhdukjes së jetës mbi tokë. Po kështu do të shtohen pesticidet te ne – do të thuash ti. Punë e madhe. A e pe atë qytetin kinez disa milionësh që ishte mbyllur për shkak të ndotjes sepse ishte bërë i pabanueshëm? Ne mund të bëhemi edhe vendi i parë në botë që mbyllet i tëri, pasi jemi me nivel pesticidesh shumë herë më të lartë se norma. Po ç’rëndësi ka? Deri atëherë këta do të kenë shitur aq shumë kastravecë me pesticide, sa do ta kenë siguruar jetën e tyre dhe të nip e stërnipërve. Kush po pyet për të tjerët. (Panorama 6 nentor 2013)
Sunday, November 10, 2013
Kadeli dhe kastraveci
Friday, November 8, 2013
Punës njeriun apo njeriut punën
Shkarkimi i Denion Meidanit nga puna si shef i Antikontrabandës në Drejtorinë e Doganave, që së fundi mori edhe një dimension ndërkombëtar me ndërhyrjen e Doris Pack, është një rast për të gjykuar e reflektuar në përgjithësi mbi shkarkim/emërimet e reja që kanë hapur jo pak diskutime në publik.Le të shpreh në fillim një mendim të përgjithshëm se si e shoh çështjen e shkarkim/emërimeve.Së pari duhet thënë se, pa dyshim, administrata ka qenë tejet klienteliste, e mbushur me militantë, servilë e të korruptuar, dhe kjo është një ndër arsyet pse ka dështuar në punën e saj në shumë sektorë. Dihet se klientelizmi, militantizmi, tarafllëku, korrupsioni, servilizmi janë armiq të meritokracisë. Prandaj nuk ka pikë dyshimi se duhen bërë zëvendësime njerëzish që puna të ndryshojë. Pra çështja nëse përgjegjës për të keqen është sistemi apo njerëzit dhe se kush duhet ndryshuar që të eliminohet e keqja, meriton përgjigjen se duhet ndryshuar sistemi, por se ky nuk mund të ndryshohet dot veçse nga njerëzit dhe prandaj duhen njerëz të rinj e të mirë. Gjykoj se këtë vlerësim duhet ta bëjë edhe opozita me një ndjenjë vetëkritike ndaj mënyrës se si ka vepruar me emërimet kur ishte në pushtet, dhe jo thjesht e vetëm të hidhet në luftë për të mbrojtur njerëzit e vet.Së dyti, mendoj se zëvendësimet duhet të respektojnë disa kritere. Kryesori, sipas meje, duhet të jetë ai se ndryshimet duhet të synojnë ndërtimin e një administrate efikase dhe të qëndrueshme bazuar mbi meritokracinë, pra me njerëz që duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në administratë edhe kur të humbasë pushtetin kjo maxhorancë. Një kriter tjetër duhet të jetë ai se, duke u bazuar tek ideja se është kryesisht sistemi ai që i shtyn njerëzit në të keqe, duhet synuar emërimi i atyre njerëzve që kanë për detyrë të gjejnë formulat për të ndryshuar sistemin, dhe jo formulat për shkarkimin në masë të njerëzve. Kjo nënkupton se drejtuesit e rinj politikë duhet të bëjnë kujdes, mes të tjerash, që të ndajnë të aftët nga të paaftët, që janë vënë në një punë thjesht e vetëm si militantë. Sidokudo, edhe në administratën e Berishës duhet të ketë njerëz që janë specializuar gjatë këtyre viteve apo që kanë zënë një vend në sajë të aftësive, dhe jo në sajë të klientelizmit dhe militantizmit partiak.Një kriter tjetër duhet të jetë respekti ndaj aspektit njerëzor dhe social të këtyre zëvendësimeve. Kam parasysh se humbja e punës për një njeri është një traumë në aspektin psikologjik, e lidhur edhe me problemet ekonomike e familjare që ajo hap. Kjo nënkupton edhe një ndjeshmëri njerëzore për ata që marrin përgjegjësinë e shkarkimeve të njerëzve nga puna. Ata duhet të kenë parasysh edhe faktin që ne jemi një vend i vogël, ku e njohim të gjithë njëri-tjetrin dhe që kemi nevojë urgjente të zbusim armiqësimin që ekziston midis palëve, çka ka gjeneruar një klimë politike të pajetueshme. E kam fjalën për atë se nëse një drejtues i një institucioni shkarkon për shembull një drejtor apo një tjetër sepse ai nuk përputhet me vizionin që ai ka, apo qoftë edhe pse mendon se është i paaftë apo militant, gjithsesi është e udhës ta bëjë këtë në mënyrë sa më njerëzore, domethënë duke e thirrur, duke e falënderuar për punën që ka bërë deri më atëherë, apo edhe duke i vënë në dukje qartazi pakënaqësitë apo parealizimet, madje edhe abuzimet, por gjithsesi, duke folur me njeriun që ka përballë, dhe jo të veprojë si ata pilotët që hedhin bomba nga qielli pa parë se ç’ndodh poshtë.Nisur nga këto kritere, që i formulova shkurt, do të thosha se i riu Meidani duhet të bënte pjesë në kategorinë e atyre që nuk do të duhej të shkarkoheshin, aq më pak menjëherë, ashtu siç ndodhi: sepse as mund të akuzohet për militant të thekur, as për korrupsion, përderisa sapo ka hyrë në atë punë dhe fare mirë mund të mendohej si një ndër ata që, me një ndryshim të sistemit dhe të frymës së punës në dogana, do të punonte edhe më i motivuar nga çka mund të ketë punuar. Nuk pretendoj se jam në brendësi të rastit dhe as se e njoh mirë punën dhe profesionalizmin e Meidanit, por po gjykoj thjesht nga perceptimi i pozicionit të tij. Dhe problemi është se rasti i shkarkimit të këtij njeriu, që perceptohet kësisoj, nuk u bë i qartë për publikun, duke na ngritur shumë dyshime për shkarkim/emërimet. Drejtoresha që e shkarkoi tha se ka shkelur etikën, por nuk u mor vesh se për çfarë etike bëhej fjalë, sepse në letrën e bërë publike prej saj nuk se kishte ndonjë informacion bindës dhe as ndonjë etikë profesionale. Ndërkaq, Ben Blushi, për t’iu përgjigjur Doris Pack-ut, u shpreh se ishte një shkarkim që kishte të bënte me mungesën e profesionalizmit të Meidanit, pra jo me etikën dhe as me përkatësinë partiake, pasi i ati ka qenë eksponent i PS-së deri edhe President i zgjedhur prej saj. Edi Rama dha variantin (me Doris Pack) se ky i ka dhënë shtypit lajmin e gjobitjes së “Kurum”-it – çka nuk duket një argument bindës për të pushuar një njeri nga puna fët e fët, aq më tepër po të kesh parasysh se është ky që i ka vënë gjobën “Kurum”-it. E përsëris, nuk dua ta ngushtoj këtë shkrim me një rast të veçantë, por nisur nga ky rast e duke e ballafaquar edhe me raste të tjera, dua të reflektoj për shkarkim/emërimet në përgjithësi. E pra, mendja më çon te dyshimi se shkarkimi i Meidanit nuk është bërë për asnjë nga arsyet e përmendura më sipër, por thjesht sepse vendi i punës së tij ishte një post i lakmueshëm që i duhej hapur dikujt tjetër. Nga sa lexojmë e dëgjojmë, ka shumë shkarkime apo zëvendësime që bëhen me këtë filozofi, që çon pastaj edhe te mungesa e ballafaqimit njerëzor për të cilin fola më lart, nganjëherë edhe tek urdhrat për shkarkime masive, siç ishte rasti i shkarkimeve në Polici. Ka shumë fakte (përveç traditës së mëhershme të kthyer tashmë në rregull) që të bëjnë të mendosh se shkarkim/emërimet u diktohen drejtuesve të institucioneve nga lart sipas pazareve partiake që janë bërë për shpërndarjen e vendeve të punës. Dhe kjo mënyrë të vepruari ka dy probleme përsa i përket efikasitetit të administratës që kërkojmë të ndërtojmë: së pari, ajo s’mund të çojë kurrsesi në krijimin e një ekipi organik dhe të motivuar për të arritur maksimumin e efikasitetit, pasi secili e di se vendin e punës e ka nga “merita” që s’kanë të bëjnë me aftësinë e tij, dhe së dyti, e shkarkon drejtuesin e institucionit, i cili duhet të jetë vetë përgjegjësi edhe për emërimet, edhe për shkarkimet (ashtu sikurse edhe për suksesin apo mossuksesin e institucionit), nga përgjegjësia e dështimit të institucionit.Shkurt, gjykoj se, me gjithë disa deklarata të mediatizuara të Kryeministrit Rama që i paralajmëron deputetët të mos kërkojnë vende pune për kushërinjtë, ka shumë të dhëna që tregojnë se po veprohet sipas logjikës klientelare, sipas së cilës nuk ka rëndësi t’i gjendet punës njeriu, por t’i gjendet njeriut puna. Rezultatin e dimë se e kemi provuar më parë: reaksion zinxhir shkarkim/emërimesh, që shoqërojnë një proces degradimi të administratës së maxhorancës së radhës, në hullinë e traditës tashmë 20-vjeçare të përdorimit të institucioneve të shtetit për interesa korruptive private. (Panorama, 31 tetor 2013)
Thursday, November 7, 2013
Shpresa dhe dyshime
Të gjithë po ndjekin me vëmendje aksionet e para të qeverisë – edhe mbështetësit e saj, edhe kundërshtarët, edhe dashamirët, edhe skeptikët, edhe të lodhurit, edhe indiferentët. Besoj se vëmendja është e lidhur me atë se, siç thotë një fjalë, shpresa vdes e fundit. Por përpara se të bëj ndonjë koment mbi atë se sa shpresë ngjallin këto aksione, le të vë në dukje diçka që më duket shumë e rëndësishme:Ka një pjesë që thonë: Lërini të punojnë, duhet të presim nja 100 ditë, apo 300, apo dy vjet që të shohim rezultatin e punës dhe pastaj të flasim. Gjykoj se këta nuk e kanë kuptuar ende, pas njëzet vjetësh, se ç’është demokracia dhe liria. Ashtu siç flasin këta – jo pa kontributin e sjelljeve të politikanëve – do të thotë të vazhdojë mënyra e funksionimit të regjimit autoritar ku vendimet merreshin në kupolë dhe ekzekutimet e tyre i jepeshin popullit si dhuratë nga partia, çka ka vazhduar edhe këta njëzet vjet në të cilët mund të numërohen me gishta rastet kur vërejtjet e opozitës apo të mediave e shoqërisë civile të kenë korrigjuar ndonjë vendimmarrje të maxhorancës dhe të qeverisë së saj. Në demokraci vendimmarrja duhet të jetë gjithnjë nën vëzhgimin e çdo qytetari, qoftë nëpërmjet qëndrimeve të tij individuale, qoftë nëpërmjet opozitës, mediave, shoqërisë civile, sondazheve që matin çdo javë rënien apo ngjitjen e mbështetjes etj. Sepse demokraci dhe liri do të thotë pjesëmarrje. Kush nuk merr pjesë, nuk ka pse ankohet për mungesë demokracie dhe lirie në një vend.Le të kthehemi tani te vendimmarrjet e fundit. Ato që më kanë tërhequr vëmendjen më shumë janë vendimet e prishjes së ndërtimeve pa leje dhe pastaj të ndalimit të ndërtimeve, si dhe ato kundër qendrave të bixhozit dhe të lojërave të fatit. Duket sheshit se ato synojnë të godasin disa fenomene që i sheh gjithkush se janë gangrenë e shoqërisë me përmasa dramatike. Sipas meje, këto vendime gëzojnë mbështetje të gjerë të opinionit, ashtu sikurse edhe vendimi për ndalimin e importit të plehrave. Ndërkaq, krahas këtyre aksioneve, nuk mund të mos bien në sy edhe zëvendësimet e shumta të njerëzve në Polici e administratë, në sajë edhe të ligjit normativ, edhe ristrukturimeve. Këto zëvendësime janë ndjekur e po ndiqen me mëdyshje e dyshime nga opinioni.Duke i parë vendimet dhe zëvendësimet, që janë jo pa lidhje me njëri-tjetrin – sepse pikërisht aksioni kundër kazinove dhe lojërave të fatit sikur përligji shkarkimet në Polici – pikëpyetja që ngrihet është: Kemi të bëjmë me një nisje të mbarë, apo kemi të bëjmë me një zëvendësim klientele ku operacioni shërben si fasadë? Për ta mbështetur këtë dyshim po u referohem disa argumenteve. Së pari, një argumenti të Edi Ramës, i cili shpeshherë ka thënë e ripërsëritur se e keqja këtu te ne nuk janë njerëzit, por është sistemi: se kushdo që hyn në këtë sistem është i shtrënguar të punojë sipas ligjeve të tij korruptive. Atëherë, nëse është kështu, përse duhen ndërruar njerëzit në masë? A nuk i duhet mëshuar prioritetit të ndryshimit të sistemit? Dhe në këtë pikë nuk mund të mos ngrihet pyetja: Po cili është sistemi? Personalisht, kur them sistemi nuk kam parasysh emrat e disa strukturave apo institucioneve që po ndërrohen me ca emra të rinj, siç është p.sh. një byro hetimi, që po zëvendëson një strukturë tjetër të Policisë. Kam parasysh tërë atë rrjet lidhjesh klientelare, madje kriminale politikë-biznes-media-krim (të organizuar dhe çorganizuar), si dhe njerëzit që e promovojnë e kontrollojnë atë. Kam parasysh se ky rrjet i bën institucionet e pushteteve të ndara, cilado qoftë mënyra e organizimit të tyre në nënstruktura, që në vend se të punojnë në emër të interesit publik dhe drejtësisë duke kontrolluar njëri-tjetrin, të punojnë së bashku si një metastazë që ha çdo ditë qelizat e shëndosha të shoqërisë. Ose me fjalë të tjera, pa metaforë: sistemi janë “të fortët” e të paprekshmit që qarkullojnë shumicën e parasë publike, të parasë të pastër dhe të pisët në këtë vend nëpërmjet kapjes së shtetit, të tregut, të territorit e të burimeve natyrore të këtij vendi dhe që e kanë kthyer shumicën e shqiptarëve në argatë të tyre. Këtu fus, pa dyshim, edhe të fortët e krimit. Mendoj se ish-opozita, tashmë maxhorancë në pushtet, duhet të jetë më e informuar se unë vetë për “të fortët” e këtij sistemi. Nëse nuk janë të informuar, le të ulen me laps në dorë ekonomistët dhe financierët e Ramës dhe le të kalkulojnë, p.sh. se sa metra katrorë sipërfaqe banimi kanë shqiptarët dhe se sa para janë përdorur për ndërtimin e tyre, të kalkulojnë se sa vila janë ndërtuar dhe se kush i ka ndërtuar apo blerë dhe me se. Jam i sigurt se do të arrijnë në një diferencë të madhe midis parasë së harxhuar për të ndërtuar dhe blerë këto metra katrorë dhe parasë që rezulton e deklaruar si e fituar me djersën e ballit. Po ashtu do të arrijnë në përfundimin se në duart e kujt është pasuria e shqiptarëve, se me çfarë merren këta dhe nëse kanë paguar taksa apo jo.Edhe kur bëhet fjalë për kazinotë e lojërat e fatit, ka shumë të dhëna që të çojnë tek të fortët dhe tek ideja se ato jo vetëm gjenerojnë krim, por janë vendstrehime të krimit pasi janë vende riciklimi parash të pista.Dua të them se ajo që del shumë lehtë në pah është se ekonomia jonë është një ekonomi kriminale në pjesën më të rëndësishme të saj dhe se politika jonë është shprehje e interesave të kësaj ekonomie. Aq sa të luftojë krimin me seriozitet sot për politikën është njëlloj si të presë degët mbi të cilat qëndron; të ndodhet përballë rrezikut se ndërsa ka premtuar 300 000 vende pune të reja, të krijojë edhe më shumë papunësi.Thënë kjo, pyetja që shtrohet është: A e ka parasysh qeveria këtë realitet dhe a janë në drejtimin e goditjes së sistemit që ka prodhuar këtë realitet veprimet që po kryhen ajo? Është e vështirë t’i përgjigjesh me një “po” apo “jo” kësaj pyetjeje, sepse tek e fundit këtë do ta provojnë muajt në vazhdim, por siç e thashë, pikëpyetjet dhe dyshimet duhet t’i ngremë. Deri tani ajo që vihet re në këto aksione është se ata kanë të përbashkët ndryshimin në masë të njerëzve, ndryshime në masë në administratë, ndryshime në masë në Polici, ndryshime në masë (që priten) edhe në pushtetin lokal me reformën administrative territoriale. Krahas tyre, ka disa operacione që edhe pse pozitive, nuk janë më shumë sesa sinjale apo shfaqje. Nuk ka dyshim se për ndryshimin duhen njerëz të rinj. Po ashtu nuk ka dyshim se njerëz të rinj do të përpiqen qoftë edhe vetëm në fillim, të bëjnë diçka pozitive. Por pikëpyetja që ngre unë është tjetër: A po preken vërtet të fortët, ata që tërheqin fijet e sistemit në skenë apo prapaskenë dhe strukturat që kanë ngritur ata? Një socialist më tha “po”, kjo do të ndodhë, Kryeministri e ka këtë vullnet. Një tjetër, po socialist, më tha: “70 për qind e këtyre që ti po sheh të bëhen synojnë thjesht zëvendësim klientele, 30 përqindëshi që mbetet është shfaqje mediatike për të maskuar zëvendësimet, plus paaftësi”. Sikurse e thashë në fillim: ne s’kemi pse presim që të shohim se cila do të dalë e vërtetë, por duhet të bëjmë presion që të ndodhë e para. (Panorama, 22 tetor 2013)
Sunday, October 20, 2013
Ri - ri - rilindje në stilin induist
Duke parë një foto të
ambasadorit amerikan Arvizu që qeshte teksa shihte tryezën ovale të mbledhjes
së qeverisë të lyer me ngjyrë të kuqe, nuk mund të mos më shkonte nëpër mendje
pyetja: A do të qeshte kështu ambasadori sikur të hynte në dhomën ovale dhe të
shihte të lyer me të kuqe tryezën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara?
Sigurisht jo. Do të merrte pamje serioze teksa do të mendonte se po
shihte një ëndërr të çuditshme. Po pse qesh atëherë ambasadori me tryezën tonë
të Këshillit të Ministrave? – do të pyeste ndonjë patriot i ofenduar,
veçanërisht ndonjë demokrat. Qesh Arvizu sepse ka disa vjet që po ndjek
shtatzëninë e Shqipërisë që, me ndihmën e mamive të Trojkës, më në fund duket
se e lindi foshnjën e vet, shtetin, që tani është vetëm dy-tre muajsh. Në fakt,
a nuk flasim për rilindje; dhe qeshja e ambasadorit a nuk ishte pak si qeshja e
mamisë që përkulet mbi foshnjën që e ka ndihmuar të lindë?
Në fakt duhet ta pranojmë
se kjo fjala “rilindje” na ka ngatërruar shumë, deri edhe ambasadorët. Para
disa kohësh unë jam shprehur se në Shqipëri duhet folur për “lindje”, jo për
“rilindje”, sepse te ne nuk ka lindur ende shteti që i shërben qytetarit, por
se ka vazhduar pa ndërprerë shteti i grabitqarit. Mirëpo tani, sa më shumë e
mendoj, aq më shumë më duket se mund të flitet edhe për rilindje. Por ama, duke
iu referuar metempsikozës së induizmit, sipas së cilës flitet për jetë të
mëkahershme të shpirtit në trupa të mëkahershëm. Kësisoj, – metaforikisht po
flas, të kuptohemi, – për shpirtin e shtetit tonë mund të thuhet se ai ka
migruar nga trupi i një zogu grabitqar, në trupin e një ujku që s’la kope pa
shqyer, dhe pastaj u rilind në formën e një çakalli të uritur, pastaj u ritrupëzua
në formën e hiene të babëzitur dhe përsëri u bë çakall i babëzitur. Tani të
shohim se çfarë trajte do të marrë kjo foshnja e ri-ri-rilindur, së cilës po i
qeshte ambasadori. Unë kam frikë se do të na dalë me gojë të madhe për të
ngrënë dhe për të folur, e veshë të vegjël për të (mos)dëgjuar. Për krokodilin
e kam fjalën. Dhe këtë sikur ma sugjeroi edhe tryeza e re e krokodilit, më
falni e qeverisë, që pashë. Pse e them këtë? Sepse kjo praktika e ndryshimit të
zyrave për mua është revoltuese pa masë. Nuk ka rrufjan që ka ardhur në pushtet
që nuk ka rinovuar zyrën e tij në këtë vendin tonë në këta njëzet vjet. Madje
rinovimi dhe ristrukturimi i zyrave dhe deri i krejt selisë është bërë simbol i
shtetit të Shqipërisë postkomuniste, i ri-ri-mishërimeve në stilin induist të
të njëjtit shpirt grabitqar të shtetit.
Transformimi i zyrave
është bërë simbol i personalizimit dhe i privatizimit të institucionit, aq sa
të vjen të pyesësh me inat: A e dinë këta se këto institucione nuk janë
shtëpitë e tyre private, se ata atje duhet të ndihen si qiraxhinj dhe jo si
pronarë? A e dinë këta se të ndërtosh një institucion do të thotë të krijosh
një organizëm që mbetet edhe kur ikën ti; e se kjo ka vlerë si për
administratën që krijon, ashtu edhe për atë që mund të quhet pjesa më e
jashtme, ku hyjnë edhe mobilimi dhe arredimi i institucionit?
Është e kuptueshme që një
funksionar të ndryshojë diçka kur vjen në një zyrë, që i përshtatet më shumë
shijeve të tija, si p.sh. ndonjë nga kuadrot që varen në mur, apo që i
përshtatet shpinës së tij (thonë që Obama ka ndryshuar karrigen dhe këtë e ka
paguar me lekët e veta). Por te ne transformohet gjithçka dhe, duke pasur
parasysh varfërinë e borxhet e vendit, nuk mund të mos ngresh pyetjen: Si është
e mundur që këta ia nisin punës me luksin e zyrave? Le më pastaj kur dëgjon se
këto transformime i bëkësh gratis klasa e re e të pasurve filantropë shqiptarë,
që qëlloi të na qenkëshin të gjithë miq të Kryeministrit të ri, se në tetë
vjetët e Berishës s’kam dëgjuar për ndonjë filantropi kësisoj. Jo zotërinj,
këto transformime zyrash në kohë krize e varfërie janë simbol i personalizimit
dhe i privatizimit të institucionit nga grupe interesash që trajtojnë, sipas
qejfit e grykësisë, paranë dhe pronën tonë publike.
Së dyti, këto
transformime janë simbol i faktit se kushdo që vjen në pushtet në këtë vendin
tonë, kërkon të na mbushë mendjen se historia fillon me të. Në një farë kuptimi
kanë të drejtë, sepse paraardhësit nuk kanë bërë veçse gjëra që ne i mbiquajmë
“për t’u harruar”, por veçse në kuptimin figurativ, sepse në fakt janë gjëra
për t’u kujtuar dhe mirë madje. Dhe një nga gjërat që do të duhej të ishte për
“tu harruar” d.m.th. “për t’u kujtuar”, është ndryshimi i zyrave nga
politikanët sa herë vijnë në pushtet, si simbolikë e asaj se të gjithë
ri-ri-rilindësit tanë të stilit induist pretendojnë se po nisin një histori të
re dhe në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse përsërisin historinë e vjetër.
Tani, këta
ri-ri-rilindësit e fundit po duan të na thonë se paskan gjetur në bodrumet e
Kryeministrisë disa mobilie të viteve ‘40 dhe se Kryeministria, pikërisht në
frymën e kujtesës historike të shtetit, do të mobilohet me mobilie të viteve
‘40. Për këtë bëhet garant Lamja me Shkrelin që, kur janë në opozitë, flasin
për ruajtje të trashëgimisë, për restaurime, rikualifikime, ashtu sikurse edhe
për faktin se një gjë e vjetër nuk duhet zëvendësuar me një të re – që mund të
duket edhe më e bukur – pasi bukuria e së vjetrës qëndron më së pari te
historia e saj. A t’u besojmë? Të më falin, por unë për vete nuk u besoj sepse
i kam provuar se kur vijnë në pushtet, me Ramën në krye, këta bëjnë bash të
kundërtën e asaj që thonë në opozitë. Ja, pyetja e parë që më vjen t’u bëj
është: Po ç’lidhje ka tryeza e kuqe, që shndrit si xixë e re, me historinë e
kësaj ndërtese që fillon me mobiliet e viteve ‘40?
Për mua e vetmja lidhje
është se kemi të bëjmë me personalizimin e privatizimin e radhës të
institucionit nga Kryeministri i radhës, i cili përditë po jep shenja se s’ka
mësuar asgjë as nga historia personale, as e këtyre institucioneve. Thënë
ndryshe: metempsikozë në të kuqe e shpirtit grabitqar të shtetit. (Panorama, 2 tetor 2013)
Wednesday, September 25, 2013
Një krahasim i gabuar
Kohët e fundit është përmendur shpesh krahasimi që ka bërë Kryeministri Rama midis fitores së koalicionit të tij më 23 qershor dhe fitores së PD në 22 mars të vitit 1992. E ka bërë edhe ambasadori amerikan, Arvizu. Nuk e di nëse e ka marrë Arvizu nga Rama apo Rama nga Arvizu, por di të them se Arvizu me siguri e ka marrë nga ndonjë shqiptar, prandaj edhe mund të mos i vësh faj. Për sa i përket Ramës, bie në sy se krahasimin e ka përdorur më së pari për konsum të jashtëm dhe kjo, sipas meje, ia shton shijen e keqe. E them këtë pasi, sipas meje, është një krahasim tri herë i gabuar: e para sepse është një interpretim i rrejshëm i asaj kohe, e dyta, sepse ka dallim midis asaj kohe dhe kësaj që po jetojmë për sa i përket votës së shqiptarëve; e treta, sepse duket sikur Rama synon të na manipulojë me stilin e tij, tashmë të njohur, duke manipuluar të huajat dhe pastaj duke na manipuluar nëpërmjet tyre: u themi të huajve ca gënjeshtra, ata i riciklojnë si të vërteta, dhe me to pastaj shpëlajmë trutë e shqiptarëve që, çdo fjalë që nxjerrin nga goja të huajt, e marrin si fjalën e Atit të Shenjtë.Sipas meje, krahasimi bëhet për të na sugjestionuar. Pra, për t’i dhënë rëndësi fitores së tij, çka, kuptohet, i rrit pushtetshmërinë, Rama e krahason fitoren e 23 qershorit me një ngjarje që na e shet si të madhe për mirë në historinë e shqiptarëve. Dhe këtu le të përmendim se kjo gjë revoltoi shumë ata të PD-së, me në krye Jozefina Topallin, që u lëshuan me akuza kundër ambasadorit që guxonte të bënte krahasim midis asaj ngjarjeje të madhe dhe kësaj fitoreje meskine. Por problemi im nuk është ai i zonjës Topalli. Përkundrazi, problemi im është se sipas shumë shqiptarëve sot, madje edhe Ramës vetë në atë kohë, 22 marsi është një ngjarje me të cilën merr nismën historia e tragjedisë postkomuniste shqiptare si vazhdimësi dhe jo si ndryshim i të keqes komuniste, prandaj krahasimi është shumë problematik qoftë për sa i përket kujtesës historike, qoftë për atë se sa na premton rilindje dhe se sa na motivon një njohje dhe vlerësim kësisoj i historisë.Atëherë le të kujtojmë pak më me gjakftohtësi se çfarë e shoqëroi vitin që solli 22 marsin e vitit 1992. Më së pari duhet thënë se ngjarjet më të rëndësishme që shënojnë rënien e regjimit komunist, janë lëvizja studentore që kulmoi me pranimin e pluralizmit politik, si dhe 21 shkurti 1991, kur populli rrëzoi monumentin e diktatorit – që sollën pastaj zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991. Kurse periudha që pason, nga 31 marsi 1991 deri në 22 mars 1992, është një periudhë mjaft e errët në historinë e Shqipërisë, sepse është periudha e ngjitjes në pushtet të një monstre (disa i vënë emrin Sali Berisha, por unë kam parasysh jo thjesht atë, por frymën politike që u ngrit), që prodhoi rënien e shpresës së shqiptarëve për të ndërtuar demokraci, ekonomi të lirë tregu dhe që shkoi deri në tragjedinë e vitit 1997, që është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e popullit shqiptar.Sipas meje, periudha mars 91 – mars 92 është periudha e shtatzanisë që e polli monstrën që lindi më 22 mars dhe pasojat e saj. Ai ishte një vit ku shqiptarët u bënë protagonistë të një destruktiviteti të paparë social, ekonomik dhe politik. Kujtoni se sa plaçkitje magazinash shtetërore u kryen në atë kohë, se si u prenë deri edhe pemët anës rrugëve automobilistike, eksodin dramatik që filloi të nxjerrë jashtë vendit energjitë më të mira dhe trurin më të mirë të shqiptarëve, shkatërrimin e administratës dhe të çdo autoriteti të shtetit e të ligjit. Të gjitha këto e të tjera nuk do të mund të ndodhnin pa aventurizmin dhe papërgjegjshmërinë politike të monstrës që polli ky vit, një monstër i motivuar vetëm nga etja për pushtet, që kërkonte me çdo kusht të fuste në krizë qeveritë që dolën atë vit, në mënyrë që t’i hapej rruga Sali Berishës e të tijve. Për këtë sigurisht u shfrytëzua edhe fakti se përballë në pushtet ishte një president që kishte humbur legjitimitetin dhe që nuk kërkonte gjë tjetër, veçse si ta lëshonte vendin në duart e aventurierierëve dhe të papërgjegjshmëve të parë, mjaft që të mos e gjente gjë atë dhe njerëzit e tij.Le të kujtojmë se fushata elektorale e marsit ‘92 është ajo e mbarsjes së njerëzve me teorinë e “terapisë së shock-ut”, që përfundoi në shock pa terapi; e premtimeve mashtruese të “çekut të bardhë”; e sloganit absurd “ne qeverisim, Europa na ndihmon”, që zëvendësoi sloganin e Enver Hoxhës “miqësia - garancia” dhe që praktikisht u përkthye në “ne vjedhim ndihmat që Europa jep për ju”. Le të kujtojmë gjithashtu se gjatë atij viti në Partinë Demokratike kishte filluar një luftë për pushtet me pastrime të stilit enverist të figurave që mund t’i bënin rezistencë demokratike Sali Berishës e që shpërtheu fill pas 22 marsit, duke e zhveshur partinë nga pjesa më intelektuale e duke e bërë të humbasë rëndshëm popullaritetin. Kujtoj se jo më shumë se tre muaj pas këtyre zgjedhjeve, pra fill pasi mori pushtetin, PD-ja i humbi zgjedhjet lokale; se dy vjet më vonë, PD-ja përsëri e humbi referendumin për Kushtetutën; se gjatë kësaj periudhe edhe ish-të burgosurit edhe ish-pronarët, që kjo parti gjoja përfaqësonte, e panë veten në greva urie prej të cilave u nxorën dhunshëm jashtë nga një parti që mbiquhej antikomuniste, por liderët kryesorë të së cilës ishin të llojit më të keq të komunistëve. Kujtoj po ashtu se jemi në periudhën kur iu hap rruga një vërshimi sa të paligjshëm, aq edhe të dëmshëm në aspektin ekonomik e social drejt rrethinave të Tiranës me zaptime tokash buke dhe tokash pronarësh të vjetër, zaptimit të hapësirave publike, trafiqeve njerëzore, privatizimeve klienteliste, ashtu sikurse një gjuhe urrejtjeje e lufte të re klasash ku njerëzit gjykoheshin, si në kohën e Enver Hoxhës, me familje e jo si individë etj. etj.Nuk kam harruar sigurisht bëmën më të rëndë, që s’besoj se e ka harruar kush: atë se, në vend të një ekonomie normale tregu, në këto vite u promovuan piramidat financiare, që qenë një formë e grabitjes së pasurisë së shqiptarëve që s’do të ishte kryer kurrë pa bashkëpunimin e mashtruesve me pushtetarët që merrnin llokmën e paligjshme për këtë bashkëpunim – çka është thelbi i frymës së ekonomisë sonë dhe i motivimit të politikanëve tanë edhe sot e kësaj dite.Kjo periudhë, pikërisht se ishte e zezë edhe në vlerësimin e shumicës së shqiptarëve, solli grabitjen e votës më 1996 dhe rrahjen në shesh të opozitës.Le të vë në dukje edhe diçka shumë të rëndësishme: monstra që lindi më 22 mars, riabilitoi me bëmat e saj një parti monstër, siç ishte Partia e Punës e kthyer në Parti Socialiste, pa bërë asnjë lloj vetëkritike për të kaluarën e saj të mbushur me krime, gjë që nuk ka ndodhur në vendet e tjera ish-socialiste, ku më së shumti ish-partitë komuniste janë shkrirë (kujtoj me këtë rast se edhe Edi Rama ka qenë për eliminimin e kësaj partie që sot kryeson). Kjo bëri të inaugurohet një politikë, ku të zezat dhe zullumet që bën një monstër në pushtet, riabilitojnë monstrën që ka qenë në pushtet më parë; një pandëshkueshmëri që vazhdon edhe sot për politikanët, çka zhvilloi me kalimin e viteve një raport dashuri – urrejtjeje midis dy monstrave dhe një teatralitet, ku në skenë dy monstrat luajnë herë lojën demokratike e herë një konfliktualitet të skajshëm, kurse në prapaskenë ndajnë tortën e abuzimeve me interesin publik.Dikush do të thotë se Rama ka pasur parasysh entuziazmin e njerëzve që dhanë votën më 22 mars 1992, jo ata që morën pushtetin dhe bëmat e tyre. Edhe për sa i përket entuziazmit, kam dyshimet e mia të mëdha, boll të kesh parasysh se shumica e shqiptarëve ëndërronte asokohe të ikte jashtë dhe jo të votonte. Madje, ka shumë zëra që thonë sot se edhe votat janë manipuluar më 22 mars, por s’janë kontestuar, pasi Ramiz Alisë nuk i interesonte mbajtja e pushtetit.Por gjithsesi, ngulmoj se një ngjarje përkujtohet lidhur ngushtë me efektet që ajo ka prodhuar. Për mua dhe besoj për shumicën e shqiptarëve, 22 mars 1992 është pikërisht momenti kur pasioni i ri i dashurimit të shqiptarëve me lirinë dhe demokracinë, që u manifestua në lëvizjet e viteve ‘90–‘91, u institucionalizua në një martesë zhgënjyese me Partinë Demokratike të Sali Berishës e që vazhdoi pastaj me martesat e tjera deri në ditët e sotme. Dhe kjo martesë e parë nuk mund të celebrohet si ngjarje e madhe nga një njeri që thotë se kërkon të ndryshojë Shqipërinë që ndërtoi Sali Berisha. Këtë periudhë, kur hidheshin rrënjët e Shqipërisë kapitaliste, ai do të duhej ta kishte pjesë të reflektimeve të tij kritike dhe vetëkritike dhe jo të na e shiste si ngjarje historike, pasi shumë shqiptarë të sotëm janë bij jetimë të asaj martese të dështuar.Në këtë pikë le të vijmë te një dallim i rëndësishëm i 22 marsit me problematikën e ditëve të sotme, që Rama duket sikur kërkon ta kalojë, pikërisht duke mitizuar 22 marsin. Nuk mund të mohohet se një pjesë shqiptarësh kanë shpresuar te “martesa” e 22 marsit 1992 me ata që i zhgënjyen, sepse ata nuk ishin provuar në pushtet. Nuk mund të mohohet gjithashtu se hapësirat që ishin krijuar asokohe, mbanin gjallë shpresën se monstra që u ngrit në pushtet, në sajë të monstrave me fytyrë njeriu që derdhnin përditë dhunë, ligësi, vrer dhe injorancë mbi tërë shoqërinë – për të vjedhur e mashtruar sa më lehtë, – do të ishte e përkohshme, se ne kishim mundësi t’i ndryshonim e ndëshkonim ata, sepse tani ishim në demokraci. Pastaj kishim edhe asistencën ndërkombëtare tek e cila besonim shumë. Kurse fitorja e 23 qershorit 2013 është në një kontekst tjetër në këtë aspekt. Së pari, ajo nuk ka sjellë në pushtet njerëz që nuk i kemi provuar në pushtet, përkundrazi, ka sjellë ata që i kemi ndëshkuar me votë, madje edhe shumë nga monstrat e atyre viteve të para, pasi një pjesë e mirë e tyrja janë sot me Ramën. Së dyti, sot është zhdukur thuajse çdo shpresë për ndëshkimin e këtyre monstrave, sepse ka njëzet vjet që këta fuqizohen duke përqendruar në duart e veta pushtetin politik, financiar, mediatik, duke kontrolluar Gjyqësorin dhe duke na imponuar alternativën e kalimit nga një monstër te tjetra. Së treti, pafuqia dhe dështimet e ndërkombëtarëve me shtete si ky i yni sot njihen nga të gjithë, botërisht.Thënë të gjitha këto, pyetja që ngrihet, është: nëse e pranojmë se Rama krahasimin me një ngjarje që na e shet si të madhe e ka bërë për t’i dhënë rëndësi fitores së tij, për t’i rritur vetes pushtetshmërinë, e ndoshta edhe për të mobilizuar e motivuar shqiptarët, a mund të rezultojë ky krahasim dobiprurës? Personalisht mendoj se jo. Them jo, sepse ashtu sikurse edhe premtimet e tij, ky krahasim flet për një humnerë të madhe në vetëdijen e Kryeministrit midis, më një anë, gjendjes reale të vendit, duke filluar që nga realiteti i ardhjes së tij në pushtet, dhe pritshmërive që na servir, më anë tjetër. Realiteti është se ai ka ardhur në pushtet në sajë të përvojës së hidhur të shqiptarëve me monstrën para tij, madje deri duke përdorur parullën “të bashkohen të gjithë qelbësirat kundër Sali Berishës” dhe jo si udhëheqës i një gjenerate të re shqiptarësh të ndershëm, që kërkojnë të hapin një epokë të re historike. Problemi i fjalëve të Ramës përballë këtij realiteti është se ai na premton një revolucion moral duke pasur prapa një ushtri me mëkatarë, ndër të cilët edhe shumë nga ata të viteve ‘90, madje duke qenë edhe vetë një i tillë. Problemi i këtij realiteti është se ndryshimi i vërtetë i tij do të mund të kryhej duke e njohur mirë atë dhe historinë e tij më së pari, me punë serioze njerëzish të ndershëm më së dyti dhe duke evituar sa të jetë e mundur premtimet e fjalët e mëdha, më së treti. Dhe shqetësimi i dukshëm në këtë rast është se, në mungesë të këtyre kapaciteteve, Kryeministri falsifikon një të kaluar historike për të na ndërtuar një të ardhme të falsifikuar. Me fjalë të tjera, shqetësimi është se ne do të vazhdojmë të jetojmë skizofreninë midis mjerimit të botës reale të politikës sonë dhe lavdisë së botës virtuale të propaganduar nga fjalët e mëdha të politikanëve tanë.(Panorama, 23 shtator 2013)
Tuesday, September 24, 2013
Mbi vendimet e para të qeverisë
Mendimi që e kam shprehur mëse një herë përsa u përket pritshmërive që kemi nga qeveria e re dhe qëndrimeve që duhen mbajtur ndaj saj, veçanërisht nga mediat, është se ajo duhet ndjekur hap pas hapi në vendimet e saj. Kjo veçanërisht në kushtet kur kemi një opozitë që ka një qëndrim që e bën jokredibël për më shumë se një arsye: së pari, pasi ajo nuk ka bërë as minimumin e vetëkritikës lidhur me humbjen e saj, por shkakun e ka gjetur jashtë vetes, te naiviteti i popullit shqiptar që ka besuar premtimet e gënjeshtërta të Edi Ramës me shokë dhe, së dyti, pasi më një anë ajo premton racionalitet dhe konstruktivitet dhe më anë tjetër shpall luftë totale në stilin e njohur të bërjes opozitë destruktive deri në kockë.Me këtë rast më duhet të shtoj se janë iracionale edhe disa qëndrime që kërkojnë nga mediat apo gazetarë të caktuar që të mos bëjnë oponencë ndaj opozitës, por vetëm ndaj maxhorancës, apo që kërkojnë që oponenca që duhet t’i bëjë shtypi e mediat maxhorancës të shprehet në formën e bashkimit me opozitën. Kjo është një sëmundje infantile e shtypit tonë, e stimuluar nga mungesa e ndarjes së vërtetë të pushteteve në Shqipëri, ku bën pjesë edhe fakti se interesat financiare të pronarëve të mediave kanë qenë dhe janë edhe ato të varura nga pushteti politik i njërës ose tjetrës palë. Kam qenë dhe mbetem i mendimit se shoqëria jonë civile dhe mediat duhet të luajnë rolin e një pushteti të pavarur në shoqërinë tonë dhe se përballë tyre duhet të jetë pushteti politik me të cilin kam identifikuar dhe vazhdoj të identifikoj të tërë klasën politike, maxhorancë dhe opozitë, dhe strukturat ekonomike e mediatike që e mbështesin atë, pasi sistemi i mbrapshtë që na sundon është pjellë e të dyja palëve.Duke u nisur, pra, që në nisje, nga një dyshim i thellë te të dyja palët dhe në mungesë të një force opozitare ndaj tyre, gjykoj se gazetarët dhe intelektualët vërtet të pavarur mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë fazë kur vendi është në udhëkryqin e ndryshimit të pushteteve, duke mbajtur qëndrime jo totalisht në favor apo kundër njërës palë, por në varësi të racionalitetit të vendimeve e qëndrimeve qoftë të maxhorancës, qoftë të opozitës. Për ta konkretizuar çka thashë më lart, do të shpreh qëndrimin tim ndaj dy prej tri vendimeve të para të qeverisë së re, ndër të cilat njërin e aprovoj dhe tjetrin e kundërshtoj.Jam plotësisht dakord me vendimin për ndalimin e importimit të plehrave në Shqipëri. Kjo jo vetëm pse jam një prej nismëtarëve të lëvizjes për referendumin kundër plehrave, por edhe sepse te vendime si ato që promovojnë importimin e plehrave, të marra nga maxhoranca që sapo iku, kam parë dhe shoh pikërisht të keqen e madhe që ka pësuar vendi nga sistemi i ngritur që e ka vënë shtetin në shërbim të atyre interesave private që i kundërvihen interesit publik. Në këtë kontekst më duhet të shtoj se qeveria jo vetëm duhet përgëzuar për këtë vendim, por duhet nxitur të bëjë ç’është e mundur që imazhi i vendit tonë si një vend ku gëlojnë plehrat kudo që të shkosh të ndryshojë radikalisht. Ka nga ata që bashkëjetesën e shqiptarëve me plehrat deri në atë shkallë sa ato nuk u bëjnë përshtypje, e quajnë një gjë që ka të bëjë me kulturën shekullore të këtij populli, ashtu siç edhe të pështyrit përtokë. Sipas mendimit tim, problemi i mbytjes sonë nga plehrat është fortësisht i lidhur edhe me sistemin që u promovua këta njëzet vjet të ngritjes së kultit të privates mbi rrënimin e publikes.Po të vësh re, plehrat gëlojnë te ne pikërisht në hapësirat publike: rrugët, lumenjtë, bregdetet ku derdhen këta, hapësirat midis ndërtesave të ndryshme etj. Po ashtu ato janë më së shumti produkt i aktiviteteve private që nuk shohin përtej gardhit të tyre. Mjaft të kesh parasysh lokalet pa fund që i hedhin mbeturinat e mutrat si pa të keq në lumenj, në dete apo në rrëpirën më të afërt. Edhe vetë vendimi i importimit të plehrave në një kohë kur në Shqipëri gëlonjnë plehrat nga të katër anët, ishte shprehje e këtij realiteti. Disa industri që kanë vetëm interesin e tyre – si p.sh. ato të shkrirjes së aluminit – kërkojnë të sjellin plehrat nga jashtë, ndërkohë që nuk bëhet asgjë për mbledhjen e diferencuar të plehrave brenda vendit, që mund t’i shërbente edhe kësaj industrie, por sigurisht, në atë shkallë që interesi i tyre të mos dëmtonte interesin e të gjithëve.Pra, ne kemi nevojë të djegim plehrat tona duke ndotur ajrin aq sa prodhojmë plehra vetë, dhe jo të djegim plehrat e tërë Europës në emër të përfitimit të një grushti njerëzish në dëm të ajrit të të gjithëve. Në këtë kontekst aksionet e ndryshme për zhdukjen e sëmundjes së ndyrë të shpërhapjes së plehrave në tërë territorin tonë do të ishin edhe një sinjal i kthimit të shtetit nga shërbyes kriminalë të interesit të disa privatëve, në kujdestar të interesit publik, çka është edhe detyra e shtetit.* * *Ndërkaq nuk jam dakord me vendimin për heqjen nga muret e institucioneve qeveritare të portretit të Presidentit të radhës Bujar Nishani dhe zëvendësimin e tij me portretin e Ismail Qemalit. Ky është një akt që fshin një traditë – jo vetëm shqiptare – kuptimi i së cilës është se Presidenti është figura që jo vetëm simbolizon unitetin e kombit, por edhe që ushtron funksionet e tij në këtë drejtim. Pra nuk mjafton që një figurë thjesht dhe vetëm të jetë simbol i unitetit, se atëherë ndoshta mund të mjaftonte edhe një i vdekur si Ismail Qemali, por ai duhet të veprojë politikish si i gjallë në funksion të këtij roli kushtetues, që nuk është roli i Kryeministrit.Së dyti, ekzistenca e figurës së Presidentit në vendin tonë ka qenë gjithsesi një lloj mbrojtjeje nga autoritarizmi i figurës që konsiderohet si figura më e pushtetshme, që në rastin tonë, që prej vitit 1997, ka qenë Kryeministri. Kush e kujton historinë e presidentëve tanë gjatë këtyre viteve do të verë re se presidentët, kush më shumë dhe kush më pak, edhe pse asnjëherë mjaftueshëm, e kanë luajtur një rol kundërbalancues.Me fjalë të tjera, tjetër gjë është se sa zgjedhja e Nishanit ka qenë zgjedhja më e duhur për një figurë që duhet të luajë rolin e Presidentit, dhe tjetër gjë është se ç’përfaqëson institucioni i Presidentit. Dhe sipas meje, ky vendim sulmon institucionin, jo Nishanin, edhe pse mund të duket se është bërë për të sulmuar Nishanin. Dhe ky është një akt që bëhet edhe më shqetësues po të kemi parasysh prirjet autoritariste dhe prepotente që kanë manifestuar kryeministrat tanë, shoqëruar kjo gjithmonë, si anë tjetër e medaljes, nga prirjet serviliste të vartësve të tyre.Zëvendësimi i autoritetit të të gjallëve me atë të të vdekurve që nuk mund të flasin, por veç përdoren, dihet se është praktikuar rëndom nga diktatorët për të eliminuar çdo autoritet tjetër përveç atë të tyrin. Ne presim nga maxhoranca ndryshime kushtetuese që do t’i forconin institucionet që kanë për detyrë të jenë arbitër midis maxhorancës dhe opozitës, dhe jo dobësimin e tyre. Pra ajo që presim ne nga maxhoranca e re është një ndryshim që do të forconte rolin e Presidentit si arbitër, si përfaqësues të të gjithëve, dhe jo një akt që dukshëm e dobëson figurën e Presidentit në këtë rol në sytë e publikut.(Panorama, 18 shtator 2013)
Saturday, September 7, 2013
Lepujt e qeverisë, qerrja e Folisë dhe ekspertët e Ramës
Konferenca e Ramës me ekspertë ndërkombëtarë nuk mund të mos më rikujtonte një ide të Makiavelit. Në Princin e tij ai thotë diku se detyra e Princit është që t’i shquajë problemet atëherë kur nuk i dallojnë dot të tjerët. Në këtë rast, thotë Makiaveli, korrigjimi apo zgjidhja e tyre është e lehtë, sepse kemi të bëjmë me fillimet. Ndërsa kur vjen puna që problemet i shohin të gjithë, zgjidhja bëhet shumë e vështirë.E pra, sipas meje, ekspertët njëditorë ndërkombëtarë të Ramës bënë një xhiro të kotë nëpër Shqipëri për të konstatuar, duke parë territorin, diçka evidente: se i sëmuri na qenka duke vdekur dhe se ky na qenka problem. Puna është se çfarë duhet bërë për ta ngjallur.Lidhur me ngjalljen e të vdekurit nuk ma merr mendja se ekspertët na thanë ndonjë gjë të madhe, që nuk e dinim. Në fakt, ata do të duhej të gjenin shkakun e sëmundjes më së pari. Dhe ky nuk mund të gjendet në një ditë.Le t’ju jap një shembull për ta ilustruar këtë pamundësi objektive të ekspertëve njëditorë të Ramës. Gjatë gjithë gushtit e në vazhdim, mu në qendër të Tiranës, nga një lokal që më thanë se quhet Folia, jo më larg se 80 metra nga Bashkia dhe 50 metra nga Ministria e Rendit gjëmon muzika deri në orën 04:00 të mëngjesit. Si qytetar i kam telefonuar Policisë Bashkiake në numrin që ka për qytetarët, për të kërkuar zbatimin e ligjit, i cili thotë se në orën 23:30 përfundon muzika (në 24:00 në fundjavë), i kam telefonuar pa fund edhe 129-s. Me shumë mirësjellje dezhurnët e turnit më kanë thënë se do të njoftonin patrullat e policisë që qarkullojnë nëpër qytet, më kanë thënë edhe se kanë pasur me dhjetëra telefonata nga banorë që ankohen për të njëjtën ndotje akustike. Por Folia ka vazhduar pa e prishur terezinë e vet. I kam dërguar edhe nja dy SMS kryetarit të Bashkisë, kam folur edhe me shefin e Policisë Bashkiake. Por Folia po foli.Tani më thoni ju, të dashur lexues, se çfarë mund të ketë thënë një ekspert njëditor i Ramës, nëse do t’i ketë qëlluar që hoteli i tij te ketë qenë në rrethin me rreze thuajse një kilometër që ndotet akustikisht natë për natë nga Folia. Se unë kaq larg e kam dhe, në katin tim, zhurma e saj vjen sikur ta kesh në oborr, sidomos kur ora shkon afër 3:00 pas mesnate. Me siguri do të çuditej, por do të thoshte se ky do të jetë rasti i ndonjë të çmenduri. Me gjasë do të jepte këshilla se si trajtohen në Europë të sëmurët psikikë që kanë prirjen ekzibicioniste të tërheqin vëmendjen e të tjerëve duke bërë zhurma kësisoj. E pra, dua të them se atij do t’i duhej të paktën të rrinte disa ditë të dëgjonte se si kavaleria muzikore e Folisë kalëron mbi gjumin e qytetarëve çdo natë, për të filluar të kuptojë që zhurma nuk vjen nga shtëpia e ndonjë individi të çmendur, por nga një lokal me emrin çmenduria, të kuptonte se pse policia është e pafuqishme ndaj tij, dhe të hynte pastaj të kërkonte ndonjë zgjidhje se si mund të shpëtohet qyteti nga kjo çmenduri, duke shtruar madje edhe pyetjen: nëse nuk jeni në gjendje të mbroni qytetarët nga shkelësit e ligjit 80 metra nga Ministria e Rendit dhe 50 metra nga Bashkia, ç’na sillni kot të merremi me ju?Tani po ju kujtoj se ekspertët njëditorë të Ramës vizituan Shqipërinë dhe dhanë këshilla të ndryshme se çfarë duhet bërë për territorin. Meqë ra fjala – një njeri shumë i udhëtuar dhe shumë i ditur që nuk bënte pjesë në grupin e ekspertëve të Ramës, por që kishte ardhur për pushime në Shqipëri – iku duke u lënë miqve shqiptarë përshtypjen se nuk kishte parë në asnjë vend tjetër të botës atë që kishin bërë shqiptarët me territorin. Çmenduri! Por ai nuk kishe mundur të zbulonte se i çfarë natyre është ai virus që ka shkaktuar këtë çmenduri të paparë. Aq më pak them se do ta kuptonin ekspertët njëditorë të Ramës. Më thoni ju, të dashur lexues, a do të mund të bënin p.sh. ekspertët e Ramës ndonjë lidhje midis çmendurisë së Folisë dhe shkatërrimit të territorit? Ma thotë mendja se jo, kurrsesi. Kurse ne shqiptarët e bëjmë menjëherë. Ja unë vë bast që, cilëtdo qofshin pronarët e Folisë që na prishin gjumin, ata me 99% kanë zaptuar edhe territore me leje dhe pa leje. Po ashtu, eksperti me shumë gjasa do të na thoshte se tani që kemi Kryeministrin e ri, ky do të vërë rendin në rregull. Por unë sërish vë bast se pronarët e Folisë e kanë grurë edhe me Ramën apo do ta kenë grurë edhe me të, edhe me Sajmir Tahirin, edhe me Lulzim Bashën.Po si ka mundësi kjo? Jua them si. Dikur ka pasur një thënie, sipas së cilës shteti e kap lepurin me qerre. Në Shqipërinë tonë është Folia që i kap lepujt e qeverisë me qerre. Ja ky është problemi. A e keni vënë re se sa të gatshëm janë ato qerret, më falni karroatrecët që ia rrëmbejnë qytetarit makinat, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, sapo parkon makinën gabim, nganjëherë edhe pa e parkuar gabim? Të fluturon 7000 lekëshi fët e fët pa pasur mundësi ku të ankohesh. Pse Policia Bashkiake nuk i ve gjoba Folisë, siç ua ve qytetarëve në emër të ligjit? Pse nuk ia merr altoparlantët, siç u rrëmben makinat qytetarëve? Sepse qerret, më falni karoatrecët, janë të Folisë, nuk janë të qeverisë.Disa lexues të mi, një dy e më shkruajnë: lëri diagnozat se na mërzite, zgjidhje Lubonja, zgjidhje të problemit duam. Këtyre lexuesve që s’kanë kuptuar ende se zgjidhjen duhet ta kërkojnë te vetja, u them: lexoni fillimin e shkrimit, ç’thotë Makiaveli. Pse ka ekspertë që t’ia gjejë ilaçin kësaj folie? Personalisht ndihem i pafuqishëm. Edhe Policinë Bashkiake dhe atë qendrore nuk e marr më në telefon. I vetmi ngushëllim që kam, është ajo thënia: ndaj të marrëve edhe Zoti është i pafuqishëm. (Panorama, 2 shator 2013)
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Është e dyta herë që se në qytetin e Lezhës një grup jo i vogël personash, kryesisht të rinj, por jo vetëm, - sipas disa mediave deri në 40...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
-
Ndërkohë që në Shqipëri flitet aq shumë për hapjen e kutive të votimit ka nisur edhe një debat tjetër i cili, edhe pse jo aq i nxehtë sa i p...


