Wednesday, September 26, 2018

Shembja e teatrit: Injoranca, hajdutëria dhe deliri në veprim

 
Duke ndjekur intervistës në Opinion të Edi Ramës me gazetarët (pjesën për Teatrin Kombëtar) mu ngjall edhe një herë një pikëpyetje që ngrihet ne rrethet gazetareske mbi Kryeministrin. Pikëpyetja është se çfarë dominon në projektet Rama të shembjes së monumenteve të kulturës si Stadiumi e Teatri: babëzia e hajdutit  që kërkon të ketë sa më shumë para për pushtet dhe pushtet për para apo sëmundja e narçizistit delirant e mitoman që mendon se historia fillon me të?
Ka që ngulmojnë se duhet ta harrojmë delirin dhe historinë.
Shikoni Komunën e Parisit! - të thonë ata. Aty Rama ka pasur mundësi ta fillojë historinë nga zeroja sepse ishte një terren i virgjër  ku mund të shfaqte krejt ambiciet, dashurinë dhe vizionin e tij për qytetin - sikur ta kishte - dhe ja se çfarë shëmtie ka bërë. Shikoni prishjen e tërë atyre vilave historike tek Blloku, tek rruga e Elbasanit etj. për të ngritur atje ndërtesa banale me të vetmin kriter: sa më shumë sipërfaqe shitjeje në gjerësi dhe lartësi.   Ju duken të bukura ato, ju duket se kanë ndonjë pretendim për të bërë histori, përveç historisë së shëmtimit të këtij qyteti? Mirëpo në këtë pikë partizanët e delirit, që nuk e mohojnë hajdutin brenda tij, ndërhyjnë e thonë se politikanë hajdutë ka pasur dhe ka Shqipëria, por askush nuk ka arritur deri tek shembja e objekteve të tilla si Teatri apo Stadiumi. Këtu ka diçka më tepër - të thonë ata - dhe të kujtojnë atë argumentin e Vangjush Dakos kur tha se Veliera po bëhet për turistët që do të vijnë pas treqind vjetësh të vizitojnë Durrësin.
Personalisht kam mëdyshje mbi atë se çfarë dominon tek Rama, babëzia e firmës së betonit Rama/Gjushi, apo megalomania e narçizisit manipulator e mitoman që pandeh se po le gjurmë në histori. Madje them se nuk ka kuptim të kërkosh se cila dominon sepse ato janë tashmë dy anë të medaljes ku asnjëra nuk bën dot pa tjetrën.  Por një gjë di të them me siguri nisur nga ajo historia që Rama po e përsërit ngase nuk do dhe nuk di të mësojë prej saj. Gjëra të bukura mund të bëjë edhe një i sëmurë narçizist megalloman, por kurrsesi kur sëmundja bashkohet me kalkulimin për të vjedhur dhe me injorancën.
Në emisionin Opinion të së enjtes gazetarët e ftuar u morën jo aq sa duhet me synimin për të vjedhur në projektin e Teatrit. Për të ilustruar tezën time do të thoja se ato kullat "Fusha" prapa, që kanë synim vjedhjen, dëmtojnë estetikisht edhe vetë projektin "Flutura" të danezit sepse i marrin dritën frymën dhe hapësirën për të cilën ka nevojë; dhe fakti që Rama nuk shqetësohet fare për këtë përforcon tezën e atyre që thonë: harrojeni delirin shikoni vetëm vjedhjen. Debati u përqendrua më shumë tek pjesa kulturore e projektit: tek nevoja apo jo e ruajtjes së ndërtesës historike. Dhe pikërisht këtu Rama shpalosi injorancën e tij të thellë, që, bashkë me vjedhjen nuk mund te lerë kurrsesi të bëjë gjëra të bukura.
Do të ndalem vetëm në dy momente.
I pyetur nga Fevziu se me çfarë argumenti një objekt si
Teatri Popullor është futur në monumentet e kulturës në vitin 2000 dhe tani është hequr për t'u shembur Edi Rama u përgjigj se që nga ajo kohë kanë kaluar 20 vjet. Kjo përgjigje (pa përgjigje) nuk mund të jepet pa qenë "profondamente ignorante" (thellësisht injorant) siç e ka pas cilësuar dikur një ish këshillëtare e tij me profesion arkitekte. Kryeministri që ka qenë edhe kryetar bashkie edhe ministër kulture nuk e paska mësuar ende se lista e objekteve që futen në trashëgiminë kulturore nuk vjen duke u pakësuar, por duke u shtuar, në një qytet  që nuk sundohet nga talebanët, sepse historia ecën përpara çka do të thotë se sot, psh. ne kemi nevojë të shpallim monumente kulture edhe shumë objekte të kohës së socializmit ndërkohë që ata më të vjetrit bëhen edhe më të çmuar ashtu si vera e mirë. Jo vetëm, por kryeministri na nxori qartë se ai paska hequr si monument kulture edhe godinën e ish Komitetit Qendror edhe Piramidën (duke lënë vetëm asfaltin e bulevardit) sepse paska ndërmend t'i transformojë duke i vënë të parit një kapuç të madh mbi kokë  dhe të dytit shkallë për të luajtur fëmijë duket sipas projektit të Vini Mass.  A dominon babëzia apo sëmundja psikike në këtë punë për mua s'ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që këtu kemi të bëjmë me një padituri të thellë edhe emocionale edhe racionale mbi rëndësinë e monumenteve të kulturës.  
E kjo lidhet me një tjetër padituri që manifestoi Kryeministri në emisionin e të enjtes duke respektuar gjatë gjithë debatit "këshillën" e Mark Twenit: "Gjithshka për të cilën ke nevojë në këtë jetë është injoranca dhe besimi; dhe atëhere suksesin e ke të garantuar."
Kur gazetarët i thanë se ka prishur një monument kulture (duke folur për Stadiumin) ai u përgjigj: "monument kulture ka qenë i gjithë ansambli jo thjesht Stadiumi". Sipas kësaj diturie  nëse i heqim një copë një monumenti kulture ai nuk u cënokërka. Më pas, për të demaskuar deri në fund veten, sipas atij parimit se po tu prish karakteri të zbehet edhe inteligjenca, filloi të thotë se ai nuk e ka prishur objektin e Bozios, pasi fasadën, që qenkërka e vetmja gjë me vlerë e objektit, e paskan futur brenda stadiumit: "siç i bëjnë italianët nga të cilët unë mësoj kurse ju nuk mësoni" shtoi ai duke përqeshur gazetarët.
Nuk dua të flas këtu për faktin se për të shembur një objekt të mbrojtur me ligj minimalisht duhet të ndryshosh më parë ligjin që e ka bërë atë objekt të mbrojtur. Këtë shpresoj se do të vijë dita kur një drejtësi vërtet e pavarur do ta ketë objekt të hetimeve të veta. Dua të theksoj edhe një herë aspektin e paditurisë së kryeministrit tonë.
Një nga gjërat më elementare që duhet të dijë një ish ministër kulture dhe një ish kryebashkiak, kur flet për monumentet e kulturës, është fakti se ka një rregullore që  mbron objektet që janë monument kulture ku, midis të tjerave, përcaktohen edhe largësitë (prej tyre) që duhen ruajtur në mënyrë që ata të mund të rrezatojnë vlerën e tyre për të cilën ruhen, bukurinë e tyre. Kurse ky me Casamontin e tij na e paska futur brenda stadiumit të ri fasadën e vjetër sikur të jetë ndonjë lodër që e lëviz në shtëpinë e tij. Edhe diçka tjetër: ku i paska parë ky dhe Casamonti këtë veprime në Itali me monumentet e kulturës. Në Firencen e Casamontit stadiumi Artemio Franchi, ku luhen ndeshjet e Fiorentinës, është i vitit 1931 dhe konsiderohet simbol i arkitekturës së shekullit XX në qytet. Dhe është jashtë qendrës historike. Kurse në qendër, kur një kryebashkiak pati idenë të ndryshojë pak daljen e prapme të galerisë Uffici, për të vendosur atje një si tip strehe, sipas projektit të një arkitekti të njohur japonez, u ngritën gjithë njerëzit e artit dhe e ndaluan.
"Nuk ka gjë më të tmerrshme sesa injoranca në veprim" thotë Gëtja. Shtojini kësaj edhe babëzinë për të vjedhur të Ramës dhe oligarkëve rreth tij edhe sëmundjen e pashërueshme të delirit të atij që mendon se historia fillon me të dhe imagjinoni se si do të katandiset Tirana, që edhe kështu është bërë e pashikueshme dhe e pabanueshme. (Panorama, 22 shtator 2018)

Thursday, September 20, 2018

Ndërkombëtarokracia që minon demokracinë

 
Përgjigjja e Brukselit se projektligji special “Fusha” për teatrin duhet ndryshuar për t’i hapur rrugën një gare konkurrentësh iu paraqit publikut në mediat tona kryesisht si lajm. Pati disa komente që vunë në dukje paturpësinë e Edi Ramës dhe Erjon Veliajt në kthesat e tyre 180 gradësh. Shkroi Andi Bushati një artikull ku paralajmëroi se kjo s’do të thotë fare se teatri ka shpëtuar, por mendoj se ky lajm meritonte të komentohej shumë më tepër sesa kaq. Madje, të bëhej çështje e çështjeve nga opozita, që thjesht u mjaftua ta quajë një fitore të saj.
Pse e them këtë?
Sikurse dihet, projektligji për teatrin është kundërshtuar nga shumë palë në Shqipëri. E kanë kundërshtuar vetë aktorët, e kanë kundërshtuar intelektualë me emër, pjesë e shoqërisë civile, e ka kundërshtuar opozita dhe, më në fund, e kundërshtoi me nëntë pika edhe vetë Presidenti. Argumentet ishin të shumta, që nga nevoja për të ruajtur trashëgiminë kulturore në zhdukje e deri te denoncimi i shkeljeve flagrante të ligjeve të vendit me qëllim grabitjen e pronës publike në favor të klientëve të qeverisë. Po çfarë ndodhi? Ndaj gjithë këtyre kundërshtimeve shumë argumentëshe, Edi Rama, kryebashkiaku socialist Veliaj, ministrat dhe deputetët rreth tyre (me përjashtim të Pandeli Majkos) reaguan me mospërfilljen dhe arrogancën më të madhe. Sakaq, ndaj tentativës për vjedhje nëpërmjet këtij ligji, një organ që pretendon se është rezultat i Reformës në Drejtësi, Prokuroria, u soll edhe ajo me mospërfillje ekstreme. Pra, u desh një ndërhyrje e Brukselit që të ndalonte këtë akt “korrupsioni të pastër” – sikundër thuhet se e ka cilësuar (jo publikisht) edhe një diplomat i lartë, mbështetës i qeverisë.
Mirëpo, pikërisht për sa thashë më sipër, ky fakt meriton shumë më tepër sesa komentet e pakta që janë bërë. Sepse kjo që ndodhi ishte testi më i mirë për të provuar se në Shqipërinë e të ashtuquajturve rilindës nuk funksionojnë, as minimalisht, ato institucione të sistemit politik të quajtur demokraci parlamentare me “check and balance” e me drejtësi të pavarur e me media të pavarura, por thjesht një banditizëm njëpartiak. Ky test provoi se i vetmi institucion që funksionuaka për të korrigjuar e kontrolluar maxhorancën shqiptare qenkan ndërkombëtarët. Por a mund të quhet kjo demokraci? Kurrsesi jo. Ndoshta mund të quhet ndërkombëtarokraci.
Po çfarë tiparesh ka kjo ndërkombëtarokracia jonë, që, për hir të së vërtetës, ia gjen fytyrën edhe tjetërkund, por që në këtë palo shtetin tonë ka marrë trajtat më qesharake dhe më të përçudnuara?
Së pari, do të thosha se ndërkombëtarokracia jonë është pasja e një qeverie që, si një fëmijë i keq, i trembet dhe i nënshtrohet të fortit jashtë (ndërkombëtarit perëndimor) dhe vjedh, fyen e poshtëron ata që i ka poshtë (qytetarët e vendit të vet), të cilëve s’u mbetet tjetër veçse të qahen e të ankohen si fëmijë te prindërit se po i rreh vëllai i madh. Me këtë sjellje sadomazokiste, që kreu i rilindësve e rrezaton në formë sëmundjeje të rëndë psikike, vetëm demokraci nuk mund të ndërtohet.
Por problemi nuk mbaron këtu. Përtej emocioneve, çështja që shtrohet është nëse ndërkombëtarokracia mund të funksionojë si garantuese e ligjit. Kurrsesi jo. Për këtë do të lipsej një ndryshim themelor kushtetute që do të duhej ta kthente Shqipërinë nga shtet sovran në një protektorat të Brukselit. Përndryshe, ajo funksionon vetëm in extremis, së pari, kur zullumi i fëmijës së keq i kalon kufijtë kombëtarë dhe, së dyti, për sa kohë që fëmija i keq ka nevojë për ndërkombëtarët perëndimorë, sepse mund të vijë një moment kur, nëse sheh se ata nuk e duan më, mund të prishet me ta dhe të gjejë ndërkombëtarë të tjerë.
Një problem tjetër është se, po ta shohësh thellë-thellë, ndërkombëtarokracinë nuk se e kanë instaluar ndërkombëtarët në Shqipëri, paçka se shumë prej tyre kanë treguar se u pëlqen fort ky lloj pushteti pervers. Atë e kanë instaluar fëmijët e këqij. Janë ata që i kanë dhënë pushtet të pamasë ambasadorëve Lu, Vllahutinit të Brukselit e më the të thashë. Por kujdes, siç e kam thënë edhe më herët, raporti që ata kanë ndërtuar me ta nuk është ai i një fëmije të bindur dhe të sinqertë, por ai i fëmijës së keq që i mashtron ata sipas parimit: Nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët, apo, edhe më keq akoma: korruptoji ata. Kjo e bën edhe më të vështirë funksionimin e sistemit ndërkombëtarokrat si garantues i respektimit të ligjit në një vend. Edhe vetë përgjigja e Komisionit të Brukselit për projektligjin e Teatrit e provon këtë:
“Komisioni mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special me qëllim futjen e një thirrjeje për tender të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit Kombëtar, ku çdo kompani private mund të aplikojë me një projekt."
 Kjo përgjigje i ka gëzuar disa që luftojnë për mbrojtjen e Teatrit. Opozitën madje e ka bërë të këndojë fitore. Por, sipas meje, gabohen. Ajo duhet parë si provë e çfarë po them, ndërsa gëzimi se në çfarë gjendje infantilizmi na ka reduktuar ndërkombëtarokracia. Sepse, vërtet Komisioni është shprehur kundër atij projektligji, por nuk ka kërkuar aspak të thellohet se si ka mundësi që një qeveri, që kërkon të na bëjë pjesë e shteteve të së drejtës, arrin të hartojë këtë lloj ligji dhe aq më pak të kuptojë se nga vjen përçmimi që ka treguar qeveria ndaj shqiptarëve, që kanë kundërshtuar këtë projektligj. (Nuk po merrem këtu me faktin se nuk ka treguar as ndjeshmërinë më të vogël ndaj asaj që në një vend europian do të ishte një skandal i paimagjinueshëm: shkatërrimi i një monumenti kulture). Për mua, kjo përgjigje është njëlloj sikur, mbasi të kesh në dorë një provë flagrante se njerëzit me të cilët ke të bësh janë vjedhës të paskrupullt e të revoltohesh e të kërkosh që të merret drejtësia me ta, të ulesh në marrëveshje me ta që t’i bindësh të gjejnë një mënyrë vjedhjeje një çikë më delikate. D.m.th të jesh bashkëpunëtor me ta.
Si përfundim, ashtu sikurse projektligji për Teatrin nxori zhveshur në mënyrën më skandaloze se çfarë sistemi korrupsioni mbretëron në Shqipëri, ndryshimi i qëndrimit të qeverisë për shkak të këshillës delikate të Brukselit (për të ruajtur sadopak faqen) nxori zhveshur në mënyrë po aq skandaloze se çfarë sistemi politik kemi ndërtuar në Shqipëri, (edhe me ndihmën ndërkombëtare). Prandaj, gjykoj se kjo histori duhet të shërbente për të ndërgjegjësuar jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët e pakorruptuar, se Shqipëria në vend të demokracisë po sundohet nga kjo ndërkombëtarokraci që po minon përditë demokracinë, duke i lënë shqiptarët në gjendje infantile dhe nën mëshirën e një bande të paskrupullt hajdutësh sadomazokistë të përkrahur nga burokratë të korruptuar në Bruksel. (Panorama, 18 shtator 2018)

Saturday, September 1, 2018

Kush e kërcënoi Klodjana Lalën

 
 
Ditën e djeshme, 30 gusht 2018, nëpër media dhe portale dolën tre lajme që në pamje të parë duken pa lidhje me njëri-tjetrin.
Lajmi i parë:
Revista Monitor na bën të ditur se në vitin 2018 kreditë bankare për ekonominë shqiptare kanë pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar, duke konfirmuar një grafik që ka disa vjet që vazhdon në rënie.
Lajmi  dytë:
Maxhoranca ka nxituar të fusë në punimet e Kuvendit projektligjin e kthyer nga Presidenti, që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri me gjashtë kulla prapa, paçka se nuk kemi asnjë përgjigje për nëntë pikat mbi argumentet e të cilave Presidenti e ka kthyer këtë projektligj.
Lajmi i tretë:
Ka ndodhur një sulm kërcënues me armë, i tipit mafioz, ndaj shtëpisë së gazetares investigative Klodiana Lala.
Cili është filli që i lidh këta tre lajme?
Le t’i marrim me radhë.
Lajmi i parë konfirmon edhe një herë përgjigjen e një pyetjeje që ka kohë që është ngritur: Nga burojnë paratë e bumit të ndërtimeve që ka kapluar Tiranën? Me çfarë parash po ngrihen e do të ngrihen grataçielat, që ka aprovuar Rama? Lajmi konfirmon një hipotezë tejet të besueshme, të formuluar tashmë si akuzë nga opozita dhe jo vetëm, se burimi janë paratë e pista të krimit.
Le të kalojmë te lajmi i dytë. Nuk ka pikë dyshimi se gjashtë grataçielat, që parashikohet të ndërtohen në një pjesë të truallit të Teatrit dhe në truallin publik prapa tij, nuk kanë ndonjë logjikë ekonomike pasi Tirana është e rrëmbushur me qendra biznesi që po falimentojnë. Edhe te dy të ashtuquajturat grataçiela që kemi, njëra ka vite që është e pambaruar kurse tjetra funksionon si hotel vetëm në dy-tre kate të saj. Prandaj projekti i ndërtimit të një teatri të ri me kusht ndërtimin e grataçielave prapa tij, ngjitur me hotelin bosh, nuk mund të mos të të çojë tek akuza se edhe këtu kemi një pretekst për pastrim parash të pista.
Fakti që, si në rastin e lejeve të shumta të ndërtimit të dhëna nga bashkia, ashtu edhe në rastin e kësaj superlejeje, kemi përfshirjen tejet aktive të qeverisë, veçanërisht të Kryeministrit Rama, përforcon akuzën e ngritur tashmë se pastrimi i parave bëhet me bekimin e qeverisë, që e ka strategji të vet qeverisjen me krimin, për krimin. Rritja e paprecedent e kultivimit dhe trafikimit të drogës, futja e njerëzve të krimit në Parlament, vendosja e ministrave të Brendshëm të lidhur direkt apo indirekt me krimin është një provë më tepër e kësaj strategjie.
Dhe ja ku vijmë te lajmi i tretë.
Gazetarja Klodiana Lala, së cilës i dërgoj solidaritetin si koleg, është një nga gazetaret më aktive në denoncimin e lidhjeve të politikës me krimin e organizuar. Jo më shumë sesa disa ditë më parë ajo publikoi përgjime që nxjerrin lidhjen e deputetit të PS-së, Çyrbja me bandën e ashtuquajtur të Shullazit. Dhe sikur të mos jetë e vërtetë, pista e parë e hetimit që të vjen ndërmend është se këtu kemi të bëjmë me një kërcënim që vjen nga kjo lidhje. Qëllimi është i qartë. Pushteti i krimit kërcënon që ta lenë të qetë në punët e tij dhe projektet e tij, që na rezultojnë punë e projekte të përbashkëta me qeverinë.
Janë të shumtë ata që, me këtë rast, pyesin se si arritëm deri këtu? Rruga e fuqizimit të krimit deri në kapjen e shtetit ka qenë e gjatë, por të gjithë bien dakord se lidhja e qeverisë me krimin dhe kriminelët ka njohur një hop të paparë gjatë këtyre viteve të Ramës. Disa e shpjegojnë këtë me dobësinë e veçantë që ka Kryeministri për këtë kategori. Personalisht, e ve theksin te degradimi i mëtejshëm i një ekonomie që gjithnjë e më shumë varet te paratë dhe njerëzit e krimit. Por problemi sot nuk është analizimi i shkaqeve, por se sot kemi arritur në gjendjen e bretkosës së zierë, që nuk del dot nga tenxherja. Për ata që nuk e dinë se ç’do të thotë kjo metaforë, po e tregoj: Nëse marrim një tenxhere me ujë të zier dhe hedhim në të një bretkosë të gjallë, ajo hidhet përpjetë nga nxehtësia e del nga tenxherja. Nëse marrim një tenxhere me ujë të ftohtë dhe fusim në të një bretkosë, ajo qëndron aty se është ambienti i saj natyral. Nëse fillojmë ta nxehim gradualisht këtë tenxhere derisa të arrijmë temperatura shumë të larta, bretkosa paralizohet dhe nuk është në gjendje të kërcejë e të dalë nga tenxherja kur ajo vlon, por ngordh.
Lexova se Kryeministri, që po punon natë e ditë, duke ndërtuar me keqbërësit, për keqbërësit e që ka futur në Parlament keqbërës, na e paska cilësuar “barbar” dhe “të patolerueshëm” aktin ndaj Klodiana Lalës dhe ka bërë thirrje për kapjen e keqbërësve. Kësaj i thonë që keqbërësit të të vrasin natën dhe të të qajnë ditën. Privilegj i madh ky, por kur bretkosa nuk del dot më nga tenxherja, mund ta gëzosh edhe këtë privilegj. (Panorama, 31 gusht 2018)

Tuesday, August 28, 2018

Nëse do të sundosh shqiptarët manipulo ndërkombëtarët


Në të njëjtën ditë kur mësuam se Kryeministri ynë, pasi ka mbyllur me nxitim mbledhjen e qeverisë, paska marrë një helikopter Vlorë– Rinas dhe pastaj një çarter Rinas-Torino për të parë ndeshjen Juventus- Lazio e për të bërë një fotografi me Ronaldon, mësuam edhe se qeveria na paska vendosur të bëhet zgjidhëse e krizës Itali- BE rreth emigrantëve të anijes “Diciotti”. Ajo paska vendosur të marrë në Shqipëri 20 nga 170 emigrantët e lënë në det nga ministri i Brendshëm italian Salvini, ndaj të cilit, për këtë, Prokuroria e Agrigentos ka lëshuar akuzën për sekuestrim personash.
Salvini ishte i pari që e dha lajmin, duke falënderuar Shqipërinë, të cilën ia kundërvuri një Europe që “fa schifo” (të bën për të vjellë) sipas tij. “Bravo Albania”, – thanë shumë italianë. Por, po të dëgjosh analistë që flasin për krizën e shkaktuar nga Salvini, shumica pajtohen në mendimin e Europës se Italia nuk ka një alarm emigracioni, sepse zbarkimet në brigjet italiane janë ulur shumë, se ka shumë më tepër zbarkime në Greqi dhe në Spanjë – duke shtuar se këtë alarm Salvini e ka si kalë beteje elektorale. Rastin në fjalë, sipas së përditshmes “Il Fatto Quotidiano”, ai e përdori për t’i rrëmbyer skenën mediatike partnerit kundërshtar në qeveri, Cinque Stelle, që ia kishte rrëmbyer me rastin e tragjedisë së urës “Morandi” në Genova. Analistët seriozë italianë thonë po ashtu, se alarmet e vërteta të Italisë janë të tjera nga alarmi emigracion; janë alarme që kërkojnë një punë serioze të qeverisë dhe jo fushata elektorale permanente, që mbulojnë paaftësinë për t’u marrë seriozisht me alarmet e vërteta dhe për t’i zgjidhur ato.
Dhe ja ku dalim te Kryeministri ynë dhe vendi ynë. Po ai, pse e mori dhe si e mori këtë vendim? Italianët jo, por ne që e njohim siç njohin ata Salvinin, e dimë se e mori për të mbuluar alarmet e vërteta që ka Shqipëria, ndër të cilët, paradoksalisht, kryesori lidhet me faktin se në qeverinë Rama, që po pret emigrantë, numri i shqiptarëve që braktisin vendin ka një rritje dramatike. Ashtu si Salvini, edhe ai po manipulon me dramën e emigrantëve eritreas. Por midis manipulimeve të Salvinit dhe atyre të Ramës ka një diferencë interesante. Salvini manipulon drejt, Rama me spond. Salvini synon të manipulojë italianët kundër Europës, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e akumuluara prej tyre gjatë viteve sikur fajin ua ka Europa, kurse Rama synon të manipulojë italianët dhe europianët për të manipuluar pastaj shqiptarët sipas parimit: nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët.
Ç’kuptoj me këtë? Duke ndjekur në “Facebook”-un e ministrit Bushati komentet e lajmit, nuk mund të mos të të binte në sy ndarja midis italianëve dhe shqiptarëve. Italianët falënderonin për solidaritetin, kurse shumica e shqiptarëve e konsideronin një akt “hipokrizie”. Një komentues shkruante: “Nuk bën fare sens logjik që ju të ofroni ndihmë për emigrantët e huaj, ndërkohë që me dhjetëra bashkëkombës lënë Shqipërinë çdo ditë. Dhe mos thoni se ata e lënë Shqipërinë nga zgjedhja e tyre personale. Ju e dini shumë mirë se ata ikin sepse Shqipëria ua ka këputur shpresat me të madh e me të vogël, sepse kanë një të ardhme të pashpresë e të mbytur me skamje, shtypje e padrejtësi”. Një tjetër i përmendte Bushatit fëmijët shqiptarë, që prindërit i braktisin qëllimisht në Itali dhe që po i mbajnë Caritaset italiane, duke i bërë thirrjen: “Lëri fasadat e shikoje realitetin në sy… mos u bëni gazi i botës!” Ishin të shumta edhe komentet e papranueshme raciste kundër sjelljes në Shqipëri të të zinjve, dhe, duke e ditur se shqiptarët janë më racistë se italianët në këtë drejtim, nuk është vështirë të mendosh se jashtë “Facebook”-ut këta janë edhe më të shumtë. Megjithatë, Rama nuk e përfill elektoratin që përfaqësojnë gjithë këta komentues.
Si ka mundësi, do të pyeste dikush. Sepse Edi Rama vazhdon të aplikojë parimin: nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët, të cilin e ka çuar në shkallën më të lartë të suksesit. Ai vazhdon të mendojë se kompleksi i inferioritetit të provincialit, kombinuar me mungesën e besimit në institucionet dhe elitën e vendit, i bën shqiptarët të përulen përpara vlerësimit të të huajve, i bën kundërshtarët të mbyllin gojën dhe dyshuesit të anojnë nga zgjedhja ndërkombëtare. Kështu, ai mendon se ky akt do të ushqejë imazhin, për të cilin ka kohë që punon në Itali, se nga vend eksportues emigracioni, Shqipëria është kthyer në vend pritës emigracioni (madje dhe italianësh). Të nesërmen e lajmit, “Corriere della Sera” vërtetoi se ky manipulim funksionon, paçka se mediat franceze, gjermane, holandeze e jo vetëm kanë kohë që shkruajnë për azilkërkuesit e panumërt shqiptarë në rritje (Che schifo da vero këto mediat italiane). Pastaj, imazhi i rremë i Shqipërisë që ka ndryshuar mund ta ndihmojë në hapjen e negociatave dhe gjithë ky vlerësim do t’i mbulojë alarmet e vërteta të Shqipërisë, të cilat manipulatori jo nuk mund, por nuk do t’i zgjidhë, pasi zgjidhja e tyre kërkon largimin e tij dhe të njerëzve të krimit rreth tij nga pushteti.
A do të ketë sukses manipulimi me këta gjynahqarë që, në vend se në Perëndim, do ta shohin veten në një nga vendet me numrin më të madh të azilkërkuesve në vendet Perëndimore (që tani do të kenë një motiv më shumë për t’i kthyer azilkërkuesit shqiptarë), më raciste ndaj të zinjve dhe krejt jashtë standardeve europiane? Ndoshta edhe po, por edhe dyshoj sepse më duket se qoftë brenda, qoftë jashtë vendit “rrogozi” i Ramës: ‘manipulo ndërkombëtarët për të sunduar shqiptarët’, po fut shumë ujë, shumë.
Megjithatë, kur prek të prapmet, Kryeministrit i dalin gjithmonë të thata. Kështu i thonë edhe të gjitha ata që ka përreth, që edhe pse i shohin njollat e ujit gjithandej, nxitojnë t’ia “thajnë”, sepse interesi i tyre është i lidhur ngushtë me mbajtjen e kësaj gënjeshtre dhe këtij manipulatori në këmbë. Përndryshe, nuk do të merrte guximin për të marrë vendime të tilla me po atë guxim papërgjegjshmërie, që e bën t’i duket normale të marrë helikopterin dhe pastaj çarterin për të parë ndeshjen Juventus-Lazio dhe për të bërë një foto me Ronaldon. (Panorama, 27 gusht 2018)

Friday, August 17, 2018

Reforma në drejtësi: Ndërkombëtarët pjesë e problemit jo e zgjidhjes


Ky i Reformës në Drejtësi ishte një dështim i paralajmëruar nga jo pak vetë, por më emblematiku mbetet paralajmërimi i Komisionit të Venecias pasi iu dërgua drafti: "Komisioni i Venecias evidenton se zgjidhje të tilla radikale (si procesi i rivlerësimit [vetingut FL.]) janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shtojnë mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmangin vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijojnë rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin."
Provat se ka ndodhur pikërisht kështu janë të shumta. Madje e kanë kaluar imagjinatën e komisionarëve të Venecias sepse askujt asokohe nuk do t'i shkonte mendja se "destabilizimi i punës së gjyqtarëve" do të arrinte deri aty sa vendi të mbetej pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, se do të bllokohej shkolla e Magjistraturës etj.. Po ashtu edhe përsa i përket kapjes, askush nuk e imagjinonte se në sajë të Reformës do të kishim një kryeprokurore si Arta Marku që me veprimet dhe mosveprimet e saj po sillet si kamikaze e maxhorancës. (Mjaft të kesh parasysh mënyrën se si u soll ndaj protestuesve të Kukësit apo rastin e vëllait të Xhafës më një anë dhe heshtjen ndaj grabitjes që synohet t'i bëhet pronës publike tek Teatri Kombëtar më anë tjetër)
Pikëpyetja që ngrihet është: si ka mundësi, që ndërkombëtarët që u konsideruan si garanti i Reformës vazhdojnë ta mburrin si një punë të suksesshme dhe të këmbëngulin në vazhdimin e procesit të kapjes së drejtësisë nga Edi Rama?
Sigurisht nuk mund të futen të gjithë ndërkombëtarët në një thes dhe po ashtu nuk mund të gjesh një arsye të vetme për këtë, por po rreshtoj disa arsyeve që më duken më evidentet.

Ndjenja e superioritet

Duke ndjekur aktivitetin dhe deklaratat e ambasadores së BE Vllahutin apo të ambasadorit amerikan Donald Lu (që u ekspozuan si kampionët e reformës) ashtu sikurse edhe të disa funksionarëve të BE si Hann, nuk mund të mos konstatosh një pozicion prej sipërori që dikton dhe imponon zgjidhje që për shqiptarët duhet të jenë të padiskutueshme. Asnjë dialog me shqiptarët e tjerë përveç maxhorancës nuk kemi parë të zhvillohet kur u vendos që të kryhej kjo reformë. U bë një punë nën rrogoz nga fondacioni Soros që ka vite tashmë që nuk vepron si kundërpart i pushtetit por si "levë e partisë" së Edi Ramës, që ndihmoi në përgatitjen e një drafti që nxirrte sheshit synimet e maxhorancës për ta vënë Drejtësinë në dorë të Qeverisë, për të cilin Vllahutin deklaroi se mund të votohej edhe pa miratimin e opozitës. Ky qëndrim prej sipërori që  dikton dhe nuk dialogon e që bashkëpunon vetëm me ata që kanë pushtetin ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot të mos ngrejë asnjë dyshim të arsyeshëm tek këta ndërkombëtarë, megjithë dështimin e prekshëm dhe megjithë skandalet e përditshme të qeverisë së Edi Ramës që tregojnë se kjo kategori politikanësh nuk ka asnjë lidhje me respektin ndaj drejtësisë dhe ligjit.

Mosnjohja dhe manipulimi

Kur i shkruaja një njeriu të njohur se si ka mundësi që nuk reagon ambasadori Italian Cotullo lidhur me atë që po ndodh me Teatrin (duke pasur parasysh jo vetëm shkeljet e Kushtetutës shqiptare e ato të ligjeve evropiane por edhe se bëhej fjalë për një trashëgimi kulturore që na lidh me Italinë e për të cilën Instituti Italian i Kulturës ka shpenzuar para për ta promovuar) mu përgjigj: "Por ai ndoshta nuk e di krejt historinë sepse ka ardhur në Shqipëri vetëm dy vjet më parë. Dhe ambasada nuk është selia e KGB ku dihet gjithçka për të gjithë." Pyetja që të vjen vetvetiu është: po atëherë, kur paskan një njohje kaq të cekët të realitetit shqiptar  përse mbështesin pa rezerva gjëra që kërkojnë një njohje shumë më të thellë sesa njohja e historisë së arkitekturës së Tiranës, siç është raporti i politikës me drejtësinë në Shqipëri?
Gjykoj se kjo nuk është vetëm çështje cektësie njohjeje, por edhe manipulimi. Tashmë dihet se ka një grup aktivistësh shqiptarë, dhe jo vetëm, që në një mënyrë ose në një tjetër, janë të kapur nga maxhoranca, kryesisht me forcën e lekut, e që nuk kanë punë tjetër veçse të xhirojnë nëpër ambasada që të japin opinionin e tyre "të pavarur" në favor të qeverisë për çfarë ndodh në Shqipëri.


Zgjedhja ideologjike

Një arësye tjetër është edhe mbështetja apriori, pa asnjë mendim kritik, e partive të qendrës së majtë evropiane që e konsiderojnë partinë e Edi Ramës si pjesë e familjes së saj evropiane. Ka dy arsye për këtë mbështetje: së pari mosinformimi se PS nuk është një parti e majtë, por vegla më e paskrupullt e oligarkisë dhe ekonomisë kriminale që ka katandisur në mjerim dhe dëshpërim shtresat më të brishta të vendit. Së dyti, fakti se edhe në Perëndim partitë e qendrës së majtë nuk e kanë më ndjeshmërinë që kanë pasur ndaj pjesës më të brishtë të popullsisë - çka ka shkaktuar edhe rënien e popullariteti të tyre.    Përndryshe Edi Rama nuk do të guxonte t'i mburrej publikisht Mateo Renzit se në Shqipëri nuk ka sindikata, si në Itali, prandaj investitorët italianë nuk duhet të tuten të vijnë këtu.

Konflikti i interesave

Buon-sensi minimal të thotë se nuk është "fair" që ambasadorë që punojnë të sjellin armët kimike apo muhaxhedinët në Shqipëri, apo biznese të vendeve të tyre, - për çka u duhet miratimi i maxhorancës dhe i qeverisë së krijuar prej saj, - të punojnë njëkohësisht edhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur që normalisht do të duhet të ketë target kryesor pikërisht maxhorancën pasi historia jonë tregon se zullumet më të mëdha në këtë vend i kanë bërë gjithmonë maxhorancat. Edhe nevoja e injorimit të këtij konflikti interesi  i kanë bërë mjaft ambasadorë të rreshtohen " nga ana e forcës politike që kontrollon procesin" e Reformës në Drejtësi.

Puna korruptuese e Edi Ramës & Co

Fakti që nuk kemi prova evidente për korruptim e ndërkombëtarëve të caktuar të përfshirë në mbështetjen e Reformës në Drejtësi - ndonëse rasti i vilës së Vllahutin në Rolling Hills apo ndërhyrja e Lu në prokurorinë shqiptare për Bankers Petrolium janë tejet të dyshimta - nuk na pengon ta ngremë hipotezën e korruptimi të ndërkombëtarëve duke pasur parasysh se ka tashmë prova të shumta se politikat e rilindësve të Ramës janë gjerësish dhe thellësisht të bazuara në blerjen dhe korruptimin e njerëzve si brenda dhe jashtë vendit.

Për gjithë sa thashë gjykoj se ndërkombëtarët e përfshirë në këtë të ashtuquajtur Reformë në Drejtësi nuk duhen konsideruar më si shpresë e zgjidhjes së problemit të krijuar, por si pjesë e këtij problemi. (Panorama, 30 korrik 2018)
 

Monday, July 16, 2018

Kitschi i Ramës si variant i kitschit të Gruevskit

 
Ish kryeministri i Maqedonisë Gruevski ka realizuar në qendrën e Shkupit një projekt arkitektonik, i quajtur “Shkupi 2014”, që nuk dihet saktë se sa ka kushtuar, por thuhet se i është afruar shifrës 700 milion euro. Ai ka ndërtuar atje një numër ndërtesash të reja si muzeume, arkivën, kishën e re të Maqedonisë etj., me stil neoklasik, neobarok, neoromantik; ka ngritur një monument të stërmadh të Aleksandrit të Madh, të babait të tij Filipit, nënës Olimpia, të figurave të krishtërimit të hershëm si Shën Cirili, Shën Metodi, Shën Naumi, të figurave historike si perandori Justinian, të heronjve të pavarësisë maqedonase, deri të Nënë Terezës. Përveç ndërtimeve të reja ka kryer edhe ndryshime të fasadave të disa prej ndërtesave kryesore të viteve ’70 duke i kthyer edhe ato nga stili modernist i asaj kohe në stilet e vjetër. Synimi i këtij projekti ka qenë t’i japë Shkupit pamjen e kryeqytetit të një shteti me një vazhdimësi historike që fillon që me Aleksandrin e Madh, si dhe për ta bërë të ngjashëm nga pamja me kryeqytet evropiane të shekullit XIX, kur në shumë vende evropiane u ndërtuan shtetet kombëtare dhe nëpër sheshet e qyteteve u vendosën monumentet e heronjve kombëtarë.
Duke zbritur nga Çarshija e bukur e Shkupit, që mban vulën disa shekullore të historisë së qytetit, kam mbetur i çmeritur – ashtu sikurse edhe shumë vizitorë me të cilët kam folur aty - përpara këtij Shkupi të sajuar, që nuk ka asnjë lidhje me historinë e qytetit. Kam nënqeshur edhe me përpjekjen e shqiptarëve për t’iu kundërvënë Gruevskit të Aleksandrit të Madh me qendrën e tyre të Shkupit, të sajuar aty përbri, ku kanë venë një monument të Skënderbeut të marrë nga modeli i Krujës. Shkupi i vërtetë i qytetarëve të mençur, qoftë ai i Çarshisë, i banuar denbabaden nga shqiptarë e turq myslimanë, ashtu dhe ai i maqedonase sllavë që banojnë kryesisht në ndërtimet e pas tërmetit, e sheh me qesëndi këtë Shkup të ri që shëmbëllen me një park gjigant lodrash për fëmijë apo me një tortë gjigante plot me ornamente kremi e skulpturash prej çokollate që nuk hahet nga sheqerosja e tepërt.
Tek “Shkupi 2014” gjen pamjen më ilustrative në arkitekturë të artit “kitsch”: një art që kërkon të imitojë artin e madh duke u bërë banal nëpërmjet vetë aktit të imitimit; një art që, edhe kur teknikisht mund të jetë i arritur, mbetet sipërfaqësor; një art që punon me efektet, të cilët mundësisht duhet të jenë sa më të shpejta e sa më spektakolare: një art që punon me stereotipa sepse i kalkuluar që t’u drejtohet shijeve të njerëzve të pakultivuar.
***

Në pamje të parë projekti Rama për Tiranën, - që nuk na është dhënë asnjëherë i plotë, por nëpërmjet punës dinake të Kryeministrit për të shembur hap pas hapi ndërtesat e Tiranës historike e për t’i zëvendësuar ato me kulla, duket si e kundërta e projektit Gruevski. Ndërtesat që ai ka ndërtuar në qendër (apo synon të ndërtojë) nuk janë në stile të kohëve të vjetra me qëllimin për ta bërë Tiranën të duket si një qytet evropian i shekullit XIX, dhe as nuk kërkojnë të fabrikojnë ndonjë identitet të ri kombëtar. Ato mbajnë firmën e arkitektëve të globalizimit, madje janë kopje të ndërtesave që mund t’i gjesh në Kore, sikurse është teatri që propozon për të zëvendësuar Teatrin Kombëtar, në Kinë apo në Moskën moderne, siç është Stadiumi me kullë; apo i grataçielave që i gjen me shumicë sot kudo në botë.
Por, edhe pse kaq larg nga pamja, të dy projektet kanë disa të përbashkëta thelbësore që i bën të dy variante të  kitschit. Te të dy projektet gjejmë fenomenin e imitimit banal të asaj që është prodhuar në vendet perëndimore.  Nëse Gruevski kërkon të imitojë qendrat e kryeqyteteve evropiane të ndërtuara në shekullin XIX, Rama kërkon ta shndërrojnë qendrën e Tiranë në një grumbull grataçielash sipas modeleve "downtown" që e kanë origjinën në SHBA. Po ashtu, në të dy projektet luhet me imazhet kartolinë të stereotipuara në mendjet e njerëzve të rëndomtë: Gruevski luan me kartolinat e qendrave historike të qyteteve evropiane, Rama me kartolinat me grataçiela të ngulitura në imagjinatën e njerëzve nga pamja e Manhatanit. Por edhe prekja e ndjenjave nacionaliste të këtyre njerëzve nuk mungon në projektin e arkitektëve globalistë të Ramës, duke thelluar kësisoj elementin kitsch të tyre. Së fundi pashë një video ku një nga këta arkitektë, hollandezi Winy Maas, thotë se me kërkesën e kryeministrit paska menduar të ndërtojë në qendrën e Tiranës një kullë me pamjen e kokës së Skënderbeut. Kurse në një intervistë për mediet është shprehur se “Kulla e parë që po bëjmë do të ketë figurën e hartës së Shqipërisë." Pastaj shton se e dashuron flamurin shqiptar. "Është flamuri më seksi që unë kam parë ndonjëherë, është shumë më i mirë se sa ai holandez.”  Kështu pra, nëse kitschi i Gruevskit është quajtur “antikuizim” nacionalist i qytetit sepse i jep Shkupit një pamje sikur të ketë ekzistuar aty një histori e vjetër evropiane e qytetit; kitschi i Ramës mund të quhet “lasvegazizim”, “winimaasizim” apo "globalizim" nacionalist i qytetit. Nëse kitschi i Gruevskit kërkon t’u ofrojë njerëzve një imazh skenik me një histori të rreme, pa lidhje me historinë dhe jetën e tyre të vërtetë dhe kontekstin e atij territori, “kitschi” i Ramës, me të njëjtën frymë, kërkon t'u ofrojë një tjetër imazh skenik nga forma, por edhe ky pa lidhje me historinë, kontekstin e territorit dhe jetën e vërtetë të njerëzve.
Gjithashtu, në të dy projektet gjen ambicien delirante të pushtetarit për të krijuar një identitet të ri të kryeqytetit që dominon mbi identitetet e vjetër duke i margjinalizuar ata (në Shkup) apo edhe duke i shkatërruar ata (në Tiranë). Do të thoja se në projektin e Ramës kërkimi i “efektit të menjëhershëm” si karakteristikë e kitschit është tejet më i fortë, sepse grataçielat e tij, për nga vetë stërmadhësia në raport me ndërtesat e tjera, tërheqin krejt vëmendjen duke varrosur çdo ndërtesë përbri tyre. Nuk është vështirë të imagjinosh se, të vendosura nën hijen e masivit të grataçielave të larta rreth hotel Plaza, simbolet e Tiranës historike si kompleksi i Xhamisë së Et'hem beut dhe Sahatit, ndërtesat e ministrive, Pallati i kulturës - pika referimi të disa brezave - do të duken si lodra të nxjerra jashtë loje në këtë park gjigant. Të njëjtin “efekt” ka bërë edhe stadiumi i ri me emrin kitsch "Arena Kombëtare" (për të imituar "Allianz Arena", sipas shijeve të shumicës së shqiptarëve që janë tifozë me gjermanët) ndaj kompleksit monumental rreth Sheshit Nënë Tereza. Të njëjtin efekt bën edhe kulla "Ever Green" ndaj ndërtesës historike të Bankës Kombëtare dhe ndërtesave të tjera rreth e rrotull; e po këtë efekt pritet të bëjë edhe një kullë tjetër e miratuar në pikën ku bashkohet rruga e Durrësit me atë të Kavajës që do të varrosë edhe Muzeumin Kombëtar. Të njëjtin efekt bën edhe sheshi i ri Skënderbe (por për këtë do të shkruaj një artikull më vete).
Kemi të bëjmë me një shëmtim të parekuperueshëm që, nga pikëpamja urbanistike - arkitektonike, vjen nga vendosja në kontekstin e gabuar e këtyre ndërtimeve të reja. Është një shëmtim që e gjen kudo në ndërtimet kaotike të Tiranës, ku Rama kryebashkiak ka ngritur pallate pa numër dhjetëkatëshe  mes ndërtesave katër katshe të komunizmit apo mes vilave të kohës më të hershme, por tek qendra ky shëmtim bëhet kitsch në sajë të pretendimit estetik që ka.
Lidhur me këtë fenomen të prodhimit të kitschit antropologu i njohur bullgar Ivaylo Ditchev thotë se "ka një shekull që politikanët në Ballkan ndjekin politika kulturore, që, në thelb, shkojnë drejt prodhimit të kitsch-it, si importim dhe imitim banal i gjërave që janë prodhuar më parë në Perëndim". Shakun pse kjo formë e kitsch-it është kaq ulëritëse në Ballkan Ditchev e shpjegon me dy argumente: Së pari, “sepse atje elita nuk është legjitime. Kjo elitë në të shumtën e rasteve ka dalë në krye fare rastësisht dhe përmes rrethanave të shumta të kaosit. Dhe duke qenë se ajo nuk e ka burimin e vërtetë, të brendshëm, për të qëndruar në pushtet, bën përpjekje të dëshpëruara për t'u kapur pas ndonjë "bote të jashtme", që do ta legjitimonte atë. Kultura e huaj, ndonëse e imituar në mënyrë banale, përdoret kësisoj për t'i vënë vata uniformës së pushtetit.” Së dyti, sepse nëpërmjet këtij kitschi “njerëzit harrojnë kontekstin e vërtetë të ekzistencës së tyre dhe jetojnë në mes të një imazhi skenik, që është prodhuar enkas për ta.”
Është fiks ajo se si e njohim Edi Ramën në punë e tij njëzetvjeçare: njeri që punon pa pushim për t'i vënë vata ndërkombëtare pushtetit të oligarkisë së korruptuar dhe kriminalizuar dhe duke krijuar imazhe skenike për të mashtruar shqiptarët.

***
Përveç aspektit social - kulturor - arkitektonik, që shtjellova më sipër, "Shkupi 2014" i Gruevskit dhe projekti Rama për qendrën kanë edhe dy të përbashkëta të tjera, që i bëjnë edhe projekte të rrezikshme politikë.
Së pari, të dy projektet janë imponuar me forcën e kartonit të një maxhorance duke sjellë përçarjen e shoqërisë ndërkohë që një qendër e kryeqytetit duhet të jetë përbashkuese. Dhe s’ka gjë më përbashkuese sesa historia e përbashkët shekullore e një qendre. Shkatërrimi me dhunë i saj nga një pjesë kundër pjesës tjetër, me parullën "mbi gërmadhat e botës së vjetër ngremë botën e re", siç ka ndodhur edhe më parë në Tiranë, le plagë të thella që përgatisin shkatërrime dhe gërmadha të tjera.
Së dyti, sipas njerëzve më të informuar, tek "Shkup 2014" nuk kishim të bënim vetëm me një projekt delirant sajimi identiteti, por, prapa kësaj fasade, qëndronte edhe një projekt i madh korruptiv, sepse paratë publike të derdhura lumë aty u shpërndanë në klientelën e Gruevskit. "Shkupi 2014" ishte çmimi që pagoi qyteti që Gruevski dhe të tijtë të qëndronin në pushtet.
Është e tepërt të jap prova e argumente - sepse kohët e fundit është folur e shkruar aq shumë për këtë - se si shkatërrimi i Tiranës historike, që po arrin një pikë kulmore me projektin e shkatërrimi të Teatrit Kombëtar, janë çmimi që po paguan qyteti që  Rama dhe oligarkia kriminale rreth tij të qëndrojnë në pushtet. (Panorama, 13 korrik 2016)

Saturday, June 30, 2018

Vandalizmi ndaj Treatrit - Veliaj si sekser, aktorët si pronarë trualli

A ju kujtohet që në vitet ‘90 ka qenë shumë e përhapur fjala « sekser » ? Tani sikur është harruar, aq sa besoj se, për një pjesë lexuesish, duhet ta rikujtoj kuptimin. Me dy fjalë sekseri ishte një person i cili shërbente si ndërmjetës midis një ndërtuesi apo pronari privat dhe një politikani. Ai kujdesej në fshehtësi dhe mirëbesim të ndërhynte tek politikani për sigurimin e një lejeje ndërtimi pa kontakte direkt të këtij me privatin. Sigurisht kishte shpërblimin e vet që varej nga sa kate fitonte ndërtuesi dhe çfarë pjese kërkonte politikani. Thuhet që këtë punë e kanë bërë edhe figura goxha të njohura.
Po ta shohësh hollë hollë koha e sekserëve ka qenë më « e shëndetshme » moralisht se periudha që po jetojmë. Kjo sepse vetë nevoja e sekserit nënkuptonte që politikani e ruante njëfarë cipe përpara publikut që e kishte zgjedhur,  nuk ekspozohej direkt me privatët. Nga ana tjetër edhe privatët, ndërtues apo pronarë trualli, nuk guxonin t’i shkonin t’ia bënin ofertën korruptive sy ndër sy.
Tani kemi arritur në një kohë kur sekseri është bërë i panevojshëm sepse politikani dhe ndërtuesi ndajnë mes vetes edhe lekët e sekserit. Është bërë e panevojshme edhe fshehtësia sepse pazaret këta i bëjnë sheshit nëpër televizione, dalin edhe në fotografi me palët. madje « vendimet » e tyre i aprovon edhe Parlamenti. 
Një sekserllëk në qiell të hapur ishte edhe përpjekja titanike që bëri Erjon Velia në aferën e Teatrit Kombëtar, që u kurorëzuan me marrëveshjen e arritur me aktorët, si dhe futjen në kalendarin e Parlamentit të projektligjit që i jep pronarit Fusha të drejtën të shembë Teatrin dhe të ndërtojë atje. Pazari i parë i mbyllur ishte ai midis politikanit Rama dhe ndërtuesit Fusha një i afërm i të cilit, prokuror, i hoqi qafe Velisë atë akuzën për Arditin e vrarë në landfillin e Sharrës. Por ja që dolën disa aktorë të teatrit që nuk po binin dakord sepse ndër ta disa duan të shembet duke ndërtuar edhe kulla, disa duan të shembet pa kulla, e disa të tjerë të ruajnë shtëpinë e vjetër sepse ajo ka histori. Për sekserin nuk ishte e vështirë të kandiste aktorët që s’ kanë qenë kurrë aktorë, por « vetëm zë », siç e quante dikur Edi Rama Artan Imamin, të cilët për fat të keq nuk ishin pak. Por një pjesë aktorësh po bërtisnin fort kundër, duke përdorur edhe emrin e tyre publik. Gjithsesi sekseri Veliaj i luajti të gjithë gurët derisa arriti ta mbyllë pazarin edhe me ta (ndonëse ca aktorët thonë se nuk është mbyllur). 
Po pse thua « sekser » dhe jo « kryetar bashkie » do të pyesë dikush ? Sepse në gjithë këtë vendimmarrje mungon një protagonist shumë i rëndësishëm, në fakt më i rëndësishmi, qytetari i Tiranës, i cili mungon pikërisht sepse mungon Kryetari i Bashkisë, ai që qytetari e ka votuar spasi i premtoi se në Tiranën historike nuk do të kishte më ndërtime. (Ka edhe mungues të tjerë në këtë histori si Ministria e Kulturës, Instituti i Monumenteve, Prokuroria që do të duhej të kishte nisur hetimin mbi firmën Fusha për përmbytjen e Bibliotekës Kombëtare dhe mbi të gjitha ligji, që në këtë rast do të duhej të kishte qenë Plani Urbanistik i Tiranës, që me kohë duhet të kishte fiksuar zonat e paprekshme ku s’mund të fusin hundët sekserët. Por në këtë shkrim do të përqendrohem tek sekseri i Edi Ramës që po luan rolin kryesor në këtë maskaradë).
E pra Erjon Veliaj si Kryetar Bashkie do të duhej të përfaqësonte interesat e gjithë qytetarëve, jo vetëm për premtimin që ka dhënë për të mos e shkatërruar edhe më Tiranën historike, por edhe sepse qytetarët e shohin atë që po ndodh me Teatrin Kombëtar si një skandal shumëplanësh. Skandal, sepse po u vidhet prona publike; skandal, sepse po u shkatërrohet një monument kulture në një zonë historike; skandal, sepse po planifikohet një mbingarkesë ndërtimesh në një zonë që nuk mban; skandal sepse po pastrohen para të drogës që fuqizojnë kriminelët; skandal sepse projektligji i hartuar enkas për Fushën është fund i çdo koncepti të shtetit të së drejtës. Si ka mundësi që Kryetari i Bashkisë nuk i përfaqëson këta ? E thashë : sepse ai nuk është Kryetar Bashkie, por sekser. Ashtu si ata sekserët e fshehtë që filluan shkatërrimin e Tiranës në vitet ’90 ai s’ka lidhje as me ligjin as me interesin publiku, ai ka lidhje vetëm me politikanin (Edi Ramën) me ndërtuesin Fusha dhe … këtu vjen e bukura: me pronarin e truallit.
Dhe ja ku dalim tek aktorët. Duke parë lajmin e marrëveshjes dhe foton që kishte botuar sekseri me ta nuk mund të mos më lindte pyetja: me çfarë tagri vendosin këta aktorët për prishjen e një prone që nuk është e tyrja, por e të gjithëve ? Mirë se sekserit, politikanit dhe ndërtuesit, për të mbyllur sa më lehtë çështjen, u interesoka që aktorët të trajtohen sikur të jenë ata pronarët e Teatrit dhe truallit përreth, por aktorët pse e pranojnë këtë rol që është sa i paligjshëm aq edhe i pa moralshëm? Aq më tepër kur e quajnë veten artistë. A nuk u vjen turp për atë që nesër do t’i akuzojnë se u kanë premtuar ndonjë apartament në kullat që duan të ndërtojnë dhe me kaq e kanë mbyllur pazarin me sekserin; se e gjithë protesta e tyre paska qenë për të rritur sipërfaqen e metrave katrorë që do të përfitonin nga marrëveshja Rama - sekser - Fusha? Në fakt sekseri kishte kohë që thoshte lart e poshtë se ata thjesht kërkonin të rrisnin çmimin.
Jo vetëm, por një pjesë prej tyre shkojnë e pozojnë me sekserin edhe tek ndërtimi i monstrës tek ish sadiumi “Qemal Stafa”, për të legjitimuar edhe vandalizmin e kryer atje.
Po vandalizëm. Kështu quhet akti i kryer ndaj Stadiumit “Qemal Stafa” nga Edi Rama dhe rrethi i rilindësve të tij poltikanë dhe ndërtues. Edhe ai që  kërkojnë të kryejnë tek Teatri Kombëtar vandalizëm është. Kur shpjegojnë motivet e vandalizmit studiuesit thonë se vandali i kryen ato ose sepse nuk ua di vlerën objekteve që shkatërron për shkak të padijes ose sepse ka një kompleks inferioriteti ndaj bukurive që paraqesin këta objekte. Vandali Edi Rama, sekseri Erjon Veliaj, ndërtuesi Fusha dhe artistët që i mbështesin i kanë të dyja, - sëbashku me syverbësinë dhe padijen që u shkakton etja e panginjëshme për para dhe për pushtet. Ndryshe nuk do të mund të bëheshin bashkë në një grup kaq grotesk. Sot i shoh të pozojnë së bashku të lumtur në padijen, kompleksin e inferioritetit apo babëzinë për para, por duhet ta dinë se nesër fotot e bëra me sekserin Veliaj do tu mbeten si vula vandalizmi me të cilat do të tallen brezat që do të vijnë - nëse ky vandalizëm do të lerë njerëz me sado pak mend në këtë vend. (Panorama, 29 qershor 2018)