Friday, May 8, 2009

E ardhmja e shamisë

Para disa ditësh mora në postën elektronike një e-mail që autori ua kishte drejtuar edhe shumë adresave të tjera. Përmbante thirrjen për nënshkrimin e një peticioni që do ta detyronte gazetën Panorama dhe autorin e një shkrimi të saj "të kërkojnë falje publike për shkrimin denigrues dhe fyes mbi muslimanët shqiparë." E-mailit i ishte bashkangjitur edhe shkrimi në fjalë sëbashku me tre shkrime polemizues me të.
Meqënëse për "shqiptarët dhe feja" kam shkruar mjaft (madje edhe një numër i revistës Përpjekja i dedikohet kësaj teme) u vura ta lexoj përmbajtjen e e-mailit me interes. Për të hyrë në temë lexova së pari shkrimin e autorit që quhej Andis Gjoni. Ishte një përzjerje shkel e shko e frymës ultra të djathtë të librit " Krenari dhe mllef " të Orajana Fallacit mbi rrezikun islamik për qytetërimin evropian me frymën vetorientaliste të elitës shqiptare të shndrruar nga nacional komuniste në nacional - evropianiste sipas të cilës të gjitha të këqijat na kanë ardhur nga Lindja (që na ka prurë edhe ferexhetë) dhe dalja në Perëndim është shpëtimi ynë. Fillonte me një përshkrim fantapolitik: "E imagjinoni dot një ditë kur Tirana të jetë e mbushur me gra të mbuluara me perçe të zeza, kur nuk do shohësh më asnjë femër në rrugë, por vetëm hijet e tyre që do lëvizin si fantazma. Do të kujtoni se jeni në Teheran, por jo, do jeni në Tiranë." Autori ngulmon se është dritëshkurtësi të mendosh se nuk jemi përpara një rreziku të tillë, të cilit, sipas tij, do t’i dalë tymi dhjetëvjeçarë më pas. Ai madje mburret se ka guximin të flasë kundër këtij fenomeni për të cilin të tjerët nuk guxojnë të flasin duke na paralajmëruar se, nëse nuk duam të kthehemi në kohën kur na pushtoi turku, duke mohuar tërë sakrificat e prindërve tanë, duhet t'i çojmë në Teheran ata që duan të venë shamija.
U vura pastaj të lexoj shkrimet e tjerë që ishin një i Blendi Kajsiut një i Agim Baçit dhe njëri që nuk e kishte autorin me titull "Shami dhe tanga".
Kajsiu ngulmonte në tezën se sistemi ynë arsimor nuk vuan nga rreziku islamik, por nga "mungesa e cilësisë në mësimdhënie, mungesa e motivimit të studentëve dhe pedagogëve, mungesa e respektit të ndërsjellë mësues–nxënës, mungesa e infrastrukturës, mungesa e mësuesve në zonat rurale dhe periferike, numri i lartë i studentëve në klasë, korrupsioni, e kështu me radhë." Sipas tij " Frika se mos vajzat dhe djemtë e rinj mund të ‘indoktrinohen’ me Islamin na ka verbuar ndaj indoktrimit të tyre konstant me ‘vlera’ që nga egoizmi ekstrem dhe deri tek mungesa e respektit për tjetrin. Kështu ndërsa merremi me shamitë e vajzave islamike harrojmë ferexhenë tonë islamofobike që na mbulon sytë."
Agim Baçi në polemikën me autorin e shtrin debatin jashtë vendit: "Autori përmend Francën… por … debati për shaminë është zgjidhur në vende si Gjermania, Britania, Amerika, Norvegjia, ku, edhe pse emigrantë, myslimanët kanë fituar të drejtën publike të shamisë… edhe në administratën e Presidentit amerikan, Obama, ka punonjës që shkojnë në punë me shami."
Ai i kujton Gjonit gjithashtu se debati për veshjen e vajzave të besimit Islam "ndryshon kryekëput në një vend si i yni, ku myslimanët janë vendas, janë shumicë dhe se prej shekujsh kanë ushqyer tolerancën fetare."
Shkrimi tjetër i kundërvihet vlerave mbizotëruese në shoqërinë e sotme shqiptare përsa i përket veshjes së grave dhe vajzave në emër të vlerave të moralit fetar musliman. Ai thotë se "atje ku hyrite e femres ekspozohen për popullin e jo për partnerin është normale që të duket jashtëtokësore dhe abstrakte të mbulosh bukuritë e trupit, ti ruash vetëm per shokun e jetës, sepse në shoqërinë tonë të jesh i droguar je trendy, të shkosh në shkollë me taka dhe minifunde je shik dhe në hap me kohën, të injorosh prindët dmth. pjekuri dhe pavarësi, ndërsa të jesh i moralshëm dhe i devotshëm dmth. të jesh tribal, patriarkal, malok dhe taleban, ku asnjëra nga këto epitete realisht s'ka lidhje me moralin."
* * *
Pasi lexova të katër shkrimet vendosa të mos e nënshkruaj peticionin për një arësye shumë të thjeshtë: sepse mbetem partizan i së drejtës së çdokujt për të thënë mendimin e vet sado egër, vrazhdë apo paditurisht që mund ta thotë. Reshtimi në një batalion njerëzish që do ta detyronin dikë të kërkonte falje publike për mendimet që ka shprehur më duket një akt i rrezikshëm për lirinë e fjalës së atij që mendon ndryshe. Duhet të ruajmë dhe zhvillojmë edhe më tej hapësira për lirinë e shprehjes dhe jo t'i ngushtojmë ato. Lirija jote është edhe lirija ime. Polemika rreth kësaj çështje më duket shumë më e dobishme sesa një peticion që rrezikon ta shuajë polemikën. Prandaj vendosa thjesht të hyj në polemikë.
Për polemikën në fjalë mund të shkruhen e thuhen shumë gjëra. Mbi të gjitha sipas meje duhet thënë se çështjet që ajo përmban janë tejet komplekse dhe të mbarsura me plot kundërthënie, me argumente dhe kundërargumente, prandaj, kur t'i trajtojmë, duhet të ruhemi pikërisht nga prirja se jemi duke thënë të vërtetën e pakundërshtueshme, gjithpërfshirëse, të të gjitha kohërave që është shumë e fortë tek njeriu kur flet për punë besimesh. Në këtë frymë, duke folur për të vërteta konteskstuale dua të bëj vetëm një koment duke i lënë çështjet e shuma që ajo përmban për raste të tjera.
Edhe unë jam i mendimit të shprehur në shkrimin e Kajsiut - që, në fakt, e kam shprehur mëse një herë në shkrime të përparëshme - se rreziqet më të mëdha që ka sot shoqëria shqiptare nuk lidhen me të ashtuquajturin rreziku islamik. Ngulmoj se të merresh me këtë e të "harrrosh" bjerrinën morale ku notojmë si shoqëri, përmbysjen thuajse totale të vlerave - që nga ato fetare deri në ato iluministike, - do të thotë t'u ikësh përgjegjësive intelektuale e qytetare apo ta përdorësh islamofobinë si gjethe fiku për të mbuluar punëra e qëllime të mbrapshta.
Autori i shkrimit të kontestuar flet për një rrezik që do të na shfaqet "pas dhjetëvjeçarësh". Por Shqipëria ka sëmundjet e rreziqet e veta të sotme, të cilat, pa dyshim, po të mos kurohen, do të na çojnë në "zgjidhje"/ rreziqe të tjera nesër. Sipas meje, po të vazhdojmë me rrugën pa rrugë që kemi nisur përsa i përket zhvillimit të vendit rreziku më i madh që na kanoset është kthimi në emigrantë edhe në vendin tonë. Me këtë kam parasysh një lloj disintegrimi edhe më të thellë nga ai që po ndodh sot të shoqërisë, për shkak të paaftësisë për të ruajtur e kultivuar kulturën tonë, gjuhën tonë, ekonominë tonë deri edhe tokën tonë - kjo edhe si paaftësi për t'iu përgjegjur proceseve të globalizimit. Vini re se qysh tani kompanitë kryesore, bankat më të mëdha, aeroporti kryesor, janë në duart e të huajve ndërkohë që shqiptarët nuk janë treguar të aftë të organizojnë asgjë konkuruese gjatë këtyre viteve përveçse (ndoshta) rrjeteve të trafiqeve të drogës dhe prostitucionit duke shkatërrur, nga ana tjetër, ndoshta më shumë se kushdo, burimet e tyre natyrore. Dhe, a nuk jemi në ekonominë e tregut? Në këtë kontekst projektet e politikanëve tanë për ta kthyer Shqipërinë në vendin e parqeve industriale të hidro e termo e eliko centraleve që do të prodhojnë energji për Perëndimin e pasur, të fabrikave të çimentove që do të grryejnë malet e pyjet po për hesap të të huajve do ta thellojnë këtë proces. Së fundi lexova edhe për një plan të Berishës për ta kthyer Gjirin e Vlorës në portin më të madh në Evropë ku, mesa duket, do të shkarkohen kontejnerët që do të shkojnë për në tërë Evropën Lindore. Një projekt i tillë që pasuron një grup politikanësh të korruptuar dhe investitorët e huajt do t'i varfërojë edhe më tej shqiptarët jo vetëm materialisht, por edhe si zhvilim traditash e kulture lokale edhe si pasuri pejsazhike. Ky është projekti që po ecën shumë më shpejt sesa procesi i islamizimit apo kristianizimit të shqiptarëve i shoqëruar me një proces dramatik dekulturimi për të mos thënë analfabetizimi edhe me ndihmën e televizioneve të shumtë komercialë në shërbim të politikanëve dhe grupeve të interesit të sipërpërmendura. Një projekt i tillë dhe jo shamijat - siç thotë autori Gjoni - do ta bëjë Shqipërinë "të pashkelëshme" nga turistët sepse turistët mund të vijnë fare mirë për të parë kisha che xhamija, por jo për të parë qyngje e tymra fabrikash e betonizime të natyrës. Me një projekt të tillë ndoshta Shqipëria do të bëhet vërtet një ditë pjesë e Evropës, por thjesht si një rrugëkalim i saj, si një vend ku Evropa hedh e djeg plehërat, kurse shqiptarët do të bëhen emigrantët e saj edhe në vendin e tyre.
E megjithatë, paradoksalisht, meqënëse shkrimi i Gjonit na fut në fushën e fantapolitikës, ky përfytyrim i zymtë i së ardhmes së shqiptarëve nuk e përjashton mundësinë që të ndodhë një proces kthimi nga besimi fetar, që sot është në fillimet e ringjalljes së vet, në fanatizëm fetar apo më mirë të them në instrumentalizim politik të feve, ndër to edhe të asaj islamike, me tërë pasojat që mund të sjellë kjo në një vend multifetar. Dhe këtu duhet të kemi parasysh se fetë, historikisht, janë instrumentalizuar, jo ashtu kot, për hir të feve në vetvete, por sepse zhvillime të caktuara në kontekste interesash të caktuara e kanë nxitur këtë proces. (Le të kujtojmë psh. se kur ishin pjesë e Perandorisë Osmane ebrej e muslimanë, të krishteterë ortodoksë e katolikë, të grupeve të larmishme etno gjuhësore, sa në Ballkan aq edhe në Lindjen e Mesme, kanë jetuar relativisht në paqe e harmoni fetare për disa shekuj derisa erdhën zhvillimet nacionaliste, shpesh të nxitura edhe nga interesa të Fuqive të Mëdha, që sollën, bashkë me disintegrimin e Perendorisë edhe aq shumë luftra e urrejtje midis të njëjtëve popuj duke e shndrruar ndër të tjera besimin fetar në urrejtje fetare.) Sipas gjykimit tim, në kontekstin aktual shqiptar, fanatizmi fetar dhe instrumentalizimi i fesë do të mund të vinin (nëse nuk vjen disintegrimi) bash si rezultat i rrugës së mbrapshtë që kemi nisur, duke na provuar edhe nj herë atë thënien "ekstremet puqen". Do të vinin pra, si reaksion ndaj kësaj rruge dhe si rrjedhojë e pashmangëshme e saj. Si reaksion mbrojtës sepse kthimi tek feja dhe vlerat e saj morale mund të jetë një nga mënyrat e reaksionit ndaj degradimit moral në rritje të shoqërisë, veçanërisht korrupsionit dhe polarizimit korruptiv. Me këtë rast përsëris çka kam shkruar edhe herë tjetër se, edhe në vende të botës muslimane me tradita laike, një nga arësyet e kthimit të fesë si faktor i rëndësishëm social politik ka qenë reagimi ndaj regjimeve të korruptuara. Edhe talebanët, aq të përmendur në shkrimet në fjalë si rrezik për lirinë, erdhën për herë të parë në pushtet falë korrupsionit të politikanëve që morën pushtetin në Afganistan pas luftës me BS. Po ashtu besimi fetar është rivlerësuar në mos instrumentalizuar në kohën e sotme edhe si nevojë për identitet e komunitet në një botë të individualizuar nga globalizimi ku individi ndjehet gjithnjë e më i vetmuar dhe më i shfrytëzuar. Edhe si reaksion ndaj formave të reja të neokolonializmit.
Dihet gjithashtu se fanatizmi fetar është një sëmundje infantile e besimeve fetare ngase i lidhur ngushtë me paditurinë ashtu sikurse dihet se instrumentalizimi i fesë është i lidhur ngushtë edhe me dëshpërimin e thellë shoqëror dhe me mungesën e dritës në fund të tunelit. Ajo çka thotë Kajsiu për gjendjen e shkollave tona, që është aq e vërtetë, nuk mund të çojë veçse në padituri ashtu sikurse sistemi i krimit në pushtet nuk mund të çojë veçse në varfëri dhe dëshpërim.
Në këto kushte, gjithë duke tentuar të bëj një fantapolitikë provokuese, ashtu si shkrimi që u bë shkas i këtyre rradhëve, nuk është pa gjasë të ndodhë pikërisht ajo që parashikon Gjoni. Pra që ndërkohë që elita shqiptare në pushtet predikon Naton, Perëndimin, Jezu Krishtin e Nënë Terezën si fe pushteti duke grabitur e varfëruar edhe në emër të tyre shumicën e shqiptarëve, muslimanizmi të fillojë të bëhet gjithnjë e më shumë "feja e të varfërve", që mund të instrumentalizohet nesër edhe politikisht, për të përmbysur këtë elitë. (Korrieri, 7 maj 2009)


7 comments:

Endri said...

eshte shume e vertete qe rreziku i ekstremizmit fetar behet serioz nese politizimi i fese shihet nga njerezit si e vetmja menyre per te nderruar nje elite te korruptuar. Pra elitat fetare perceptohen si te vetmet kandidate per te zevendesuar nje sistem te korruptuar.

Ne rastin e Shqiperise mendoj se kjo gjendje nuk ka arritur (akoma). Alternativa laike ndaj elitave te sotme te korruptuara ka. Rezistenca dhe artikulimi politik i pakenaqesise ndaj elitave ne pushtet eshte me prezent sot sesa me pare. Pervec kesaj ne Shqiperi miti i ndryshimit nga brezi i ri eshte i forte me ose pa te drejte. Se fundmi mjeti me efikas qe e ka ruajtur Shqiperine nga ekstremizimi fetar apo probleme sociale te renda ka qene emigrimi ne perendim. Thjesht shpresa se mund te mberrish nje dite ne token e premtuar e mban nje te ri larg ekstremizmit. Vetem kur edhe ajo shprese vdes atehere ekstremizimi behet i pashmangshem.

Megjithate pse Shqiperia eshte "bekuar" me nje brez ne pergjithesi te deshtuar elitash e teknokratesh (une do ta quaja "brezi i vrare") kjo nuk do te thote qe ne emer te luftes ndaj korrupsionit duhen toleruar si alternativa modelet medievale qe ofron vahabizmi saudit. Kjo llogjike per te bere nje paralelizem do te ishte si te lije nje njeri qe ka ngrene nje shkelm aq te forte sa ka rene perdhe ta godisnin per here te dyte ne menyre te atille qe te mbetet perhere sakat. Elitat e korruptuara si ajo shqiptare vuajne nga dobesia kronike pasi jane te fragmentarizuara dhe e lene vendin shpejt.

Per aq kohe sa politizimi dhe ekstremizimi fetar eshte i kufizuar e mund te luftohet me mjete konvencionale, duhet ndjekur politika e tolerances zero. Sidomos kur behet fjale per qendrime publike. Ne fund te fundit ne Shqiperi ceshtja e shamise nuk eshte gje tjeter pervecse nje inskenim politik i fese. Sepse personat qe e kerkojne kete gje kane bere drenazhim neper medrese vahabite apo xhami te financuara nga sheike saudite me nafte te vjedhur nga popullsite qe drejtojne dhe jo te dala nga ndonje aktivitet ekonomik prodhues. Ashtu si dhe me modelet e institucioneve globale qe i shesim vetes si NATO, BE, Amerika etj. do ja dalim padyshim te majmunizojme dhe nje model reaksionar si shamite.

Packa se mund te duket si autentik levizja per shamite duhet perceptuar per ate qe eshte. Nje model i importuar saudit, nje reaksion mesjetar ndaj globalizimit. Shamite jane thjesht shenja te fillimit te perplasjes se ketyre dy modeleve ne Shqiperi. Apo me mire te them te fillimit te teatrit te nje perplasje pasi perplasja vetem mund ti forcoje keto modele ne kurriz te dickaje me te vertete autoktone.

Anonymous said...

"Se fundmi mjeti me efikas qe e ka ruajtur Shqiperine nga ekstremizimi fetar apo probleme sociale te renda ka qene emigrimi ne perendim. Thjesht shpresa se mund te mberrish nje dite ne token e premtuar e mban nje te ri larg ekstremizmit. Vetem kur edhe ajo shprese vdes atehere ekstremizimi behet i pashmangshem."

Kjo tingellon si nje parandalim shume i çuditshem i ekstremizmit.Perderisa njerezit kane nje shprese ikjeje, nuk do vendosin te behen ekstremiste!Ekstremizmi fillon vetem pastaj, kur detyrohen te mbeten ketu.

Kam pershtypjen se ndere te imigruarit ka sa ekstremiste edhe jo esktremiste. Emigrimi behet per nje mori arsyesh, dhe jo detyrimisht per "t'i shpetuar sistemit te keq". Shume nga emigrantet islamike fanatike dhe radikale ne perendim, nuk kane ikur aspak prej vendit te tyre, per t'iu larguar sistemit. Ata madje ne nje fare mase perpiqen ta instalojne ate sistem edhe ne vendin prites, duke ruajtur perj ketij vetem kushtet me te mira ekonomike. Kjo ne fakt eshte e pamundur, pasi mireqenia ne vendet perendimore eshte krijuar jo nga ndonje mrekulli, por me se shumti nga liria (te pakten relative) e njerezve, per te punuar, burra dhe gra, per te qene aktive dhe per t'u mbeshtetur ne aftesite e tyre, se sa nga nje vendimmarres jashtetokesor. Hiqi te gjithe keta faktore, dhe vendet me te zhvilluara mund te fillojne t'u ngjajne atyre vendeve me pasuri natyrore perrallore po ku njerezit vuajne per buken e gojes dhe jetojne ne padituri ose ne fanatizem.

Sa per pjesen tjeter te komentit, qe me duket ne thelb e njejta ide me Lubonjen,jam plotesisht ne nje mendje. Rreziqet nuk kane pse shihen ne menyre sekuenciale:" te zgjidhim nje here kete, pastaj ate tjetren", pasi mund te jete vone per te zgjidhur qofte edhe njeren.

Mos harrojme se pavaresisht nga cilesia e edukimit /arsimimit te sotem, instalimi e nje fryme ultar-islamike nuk do i lejonte vajzat dhe te rejat te shkonin fare ne shkolle, me apo pa ferexhe, dhe atehere alternativa e vetme do te mbetej fanatizmi fetar dhe mesimet e hoxheve dhe/apo Ajatollaheve.

Personalisht, mendoj se njerezit mund te kene besimin e tyre fetar pa patur nevoje ta deklarojne apo publikojne ate permes veshjeve apo formave te tjera deklamuese, te cilat gjithmone me duken nje fare presioni ndaj te tjereve. Besimi i vertete eshte diçka e thelle por shume e brendshme, qe ka te beje me esencen e njeriut dhe jo me doke e veprime kolektive. Keto te fundit veçse deshmojne pasigurine dhe cektesine e besimit, perderisa kane nevoje per shoke te tjere e madje turmen, per te qene te sigurta ne ekzistencen e tyre.

Anonymous said...

perdrisa ato vajza me shamia duan te arsimohen, topi mbetet ne fushen tjeter.
Kur ne ndonje vend tjeter pretendohet se besimi i tyre i privon nga mesimi,kritikohet me te forte, e ndersa si ne rastin e vendit tone kur privohen nga mesimi edhe pse besimi nuk ua ndalon, nuk shikohet i njejti reagim i atyre qe kritikojne rastin e pare.

Anonymous said...

"Per aq kohe sa politizimi dhe ekstremizimi fetar eshte i kufizuar e mund te luftohet me mjete konvencionale, duhet ndjekur politika e tolerances zero. Sidomos kur behet fjale per qendrime publike. Ne fund te fundit ne Shqiperi ceshtja e shamise nuk eshte gje tjeter pervecse nje inskenim politik i fese. Sepse personat qe e kerkojne kete gje kane bere drenazhim neper medrese vahabite apo xhami te financuara nga sheike saudite me nafte te vjedhur nga popullsite qe drejtojne dhe jo te dala nga ndonje aktivitet ekonomik prodhues. Ashtu si dhe me modelet e institucioneve globale qe i shesim vetes si NATO, BE, Amerika etj. do ja dalim padyshim te majmunizojme dhe nje model reaksionar si shamite. "

Po ti mor Endri, ne cilin vend e ke bere dranazhin e trurit tend ne pamje te pare te hapur ndaj mendimit ndryshe, por ne te vertete te mbyllur me disa shtresa perdesh hekuri?
Mos u mundo qe te thuash se je duke thene ne thelb te njejten gje si Lubonja, sepse ajo qe ti thua eshte krejt ndryshe nga ajo qe thote Lubonja. Ne radhe te pare sepse edhe pse gjuha jote eshte pakez me e lemuar, ajo eshte e ngjashme me ate te autorit te shkrimit te pare te Panorames, Andis ... . Se dyti, kujdes kur flet per pregatitjen e vajzave me shamia neper medresera fantazma. Shqiperia dihet sesa medrese ka. Dhe nuk ka nevoje qe mesimi i Islamit te behet fshehur. Sepse Islami nuk karakterizohet nga fshehtesia. Venia e shamise ka qene kusht i te gjitha feve monoteiste, madje, Fan Noli ka thene se Perandoria Osmane (se ciles Lubonja i atribuon vlerat pozitive te tolerances-pike tjeter kjo qe e dallon diskursin tend nga i tij) e mori zakonin e venies se perces nga Perandoria Bizantine. Por ne Kuran sanksionohet venia e shamise, dhe jo ti me tolerancen tende zero, po edhe sikur te gjithe njerezit e kesaj toke te mblidheshin per ta ndryshuar kete fakt, nuk do t'ia arrinin dot. Dhe a e di pse? Sepse Kurani per besimtaret muslimane ESHTE I SHENJTE. Dhe eshte pikerisht ky aspekt qe njerezit mendjengushte e materialiste nuk do arrijne dot kurre te kapin. Ato vajza trimeresha qe vendosin shamite ne kete kohe kur prirja eshte PERNDJEKJA DHE PERSEKUTIMI I MUSLIMANEVE PRAKTIKANTE nga njerez pseudodemokrate qe promovojne tolerancen zero karshi tyre, jane njekohesisht nga vajzat me arsimdashese qe kam njohur ne jeten time. Ishte viti 1995 kur e njoha njeren prej tyre. Ne ate kohe vajza qe une njoha ishte ne vit te trete gjimnaz. Ishte nxenese e shkelqyer, sidomos ne shkencat ekzakte, por edhe leximi i pelqente shume. Ne duart e saj nje dite ra literature Islame. Ajo lexoi per jeten e perkore te profetit te Islamit dhe qau. Ishte shume e prekur nga ajo qe kish lexuar. Dhe kerkon te dije me shume, gjithnje e me shume. Dhe lexoi se ne thelb te besimit Islam qendronte besimi ne nje zot te vetem e absolut, se njerezit ishin te gjithe te barabarte para tij, se njerezimi ishte njoftuar per ekzistenecen e ketij Zoti kohe pas kohe permes profetesh...., se Jozefin e kishin shitur te vellezerit, per ta ritakuar te perulur vite me pas...,se Moisiu kish shpetuar mrekullisht i hedhur ne nje shporte ne lume, kish kaluar nje jete faraonesh, kish folur me Zotin, kish lene gjithcka per t'u bere profet i Tij, kish kaluar detin..., se Jezusi ishte nje mrekulli e fjales se Zotit, qe mjaft te thote behu e Ai u be, se Maria eshte gruaja me e larte qe njerezimi ka njohur, se Jezusin deshen ta vrasin, por ja qe nuk e vrane dot..., se ai u ngrit ne qiell, per t'u kthyer nje here te dyte..., se te parat vargje te Kuranit qe Muhamedit i ishin shpallur thoshin "Lexo, Ne emer te Zotit tend qe krijoi cdo gje/ krijoi njeriun nga nje ngjizje/ Lexo, se Zoti yt eshte me bujari/ Ai qe i mesoi njeriut te shkruaje me pene/ Ai qe i mesoi njeriut ate qe nuk e dinte". Dhe jeta e saj ndryshoi. Ajo pranoi islamin dhe deshi te falej. Dhe mesoi se veshja e gruas muslimane duhej te ishte e thjeshte, e bukur, por edhe me shami. Floket konsideroheshin si nje pjese intime e trupit, qe nuk lejoheshin te shiheshin nga jo-familjaret, se vetem keshtu femra kishte mundesi t'i shpetonte seksizmit, e do te mund te vleresohej per mendjen e idete e veta para se te vleresohej per bukurine apo hiret. Dhe keshtu nuk e kish patur vetem Islami, por cdo fe monoteiste, pavaresisht se sot njerezit nuk e zbatonin me. Fundja edhe murgeshat prandaj mbuloheshin, pasi konsiderohen grate e Jezusit, e ndaj tyre nuk duhet pasur demonstrim epshi te mishit. Dhe ajo e ndjeu veten si murgeshe- ne kuptimin e mbulimit si respekt ndaj bashkeshortit dhe familjes, e pa tjeter, ndaj Zotit qe e kish urdheruar kete. Por ndryshe nga murgesha, jeta e saj do te ishte krejt e njejta si me pare. Duke vene shami ajo kerkonte te ruante intimitetin e saj ne ate menyre sic besonte se eshte urdheruar nga Zoti. Keshtu kishin bere shumica e grave ne shumicen e shoqerive, e pse ajo nuk duhej ta bente?
Por ja, pa nje pa dy ate vajze e perjashtuan nga shkolla. Mes dhjetra nxenesve huligane te viteve 90, mes dhjetra te droguarve dhe shites droge - e vetmja qe u perjashtua nga shkolla ishte kjo vajze - sepse nje dite kishte vendosur qe floket e saj nuk donte t'ia tregonte dynjase. FLOKU I SAJ ISHTE I SAJ DHE AJO E KISH KLASIFIKUAR ATE SI NJE PJESE TE INTIMITETIT TE SAJ, KISHTE REFUZUAR TA NDANTE SHIKIMIN E TIJ ME TE TJERE.
E kam takuar sivjet pas 13 vjetesh. Ishte martuar e kishte nje djale. Shkollen nuk kishte arritur ta ndiqte. Gjimnazi i kishte mbetur peng. Motrat e saj, duke patur precedente, e vune shamine vetem ne fakultet, ku dallonin nga shume studente te tjera per cilesine e larte te arsimit.
Por djali i saj i madh ishte nje nxenes i shkelqyer ne mesime. Me vete urova fatin e saj qe kishte lindur djem, e po ashtu edhe fatin tim. Sepse po te kishim vajza, nese vendimi i tyre do te qe venia e shamise, kjo do te thoshte se e ardhmja e tyre do te ishte djegur.
Duke i privuar muslimanet nga arsimi, synohet lenia e tyre ne injorance dhe renia ne te ashtuquajtur fanatizem. Sepse sa me shume fanatizem te kete mes ketij komuniteti te brishte e te vogel praktikuesish, aq me i lehte eshte margjinalizimi i tyre, aq me i lehte eshte zbatimi i tolerances zero.
Kjo eshte arsyeja e vetme pse ne jeten time nuk e vura shamine, per t'ju treguar juve trushkulurve te tolerances zero se nuk ia keni arritur qellimit, se muslimanet jane ketu, e ketu do te jene, me fjalen e tyre te embel, me zemren e tyre te gjere, me njerezit e tyre te shkolluar, me jeten e tyre te thjeshte e jokonsumeriste, me bizneset e tyre ku fajdeja dhe fajdexhinjte nuk kane vend, disa me shami e disa pa shami, dikush me mjekerr e dikush pa te, por gjithnje me fjalen e mire dhe me besimin tek Zoti, e me moralin e larte. Uroj te jete e shpejte ajo dite kur koleget e mi mjeke muslimane te shqiperise do te hapin nje sherbim shendetsor model krejt te anasjelltin e atij ekzistues. Shqiperia do ishte nje vend pa dyshim me i mire nese shume prej gjyqtareve do ishin muslimane. Morali fetar eshte i vetmi qe mund te nderhyje ne kete korrupsion gjigand. Me sa e kuptova shkrimin e Lubonjes, eshte pikerisht per kete alternative qe ai e ka fjalen ne paragrafin e fundit, e jo ajo alternativa fantavehabite (qe nuk e di se ku e kane gjetur keta zoterinj). Une nuk mendoj se Shqiperia do te behet ndonjehere vend me legjislacion islam, por nese ecet ne kete rruge, ah mendoj se numri i besimtareve muslimate do te rritet. Dhe le te tremben te korruptuarit se parate e rryshfeteve do u ikin nga duart. Ajo do jete nje dite e bekuar per Shqiperine

Anonymous said...

"vetem keshtu femra kishte mundesi t'i shpetonte seksizmit, e do te mund te vleresohej per mendjen e idete e veta para se te vleresohej per bukurine apo hiret."

Une qe po te pergjigjem nuk jam as Endri, te cilit ti po i sulesh egersisht ndersa flet per tolerance, dhe as Andis Gjoni. Jam personi qe kam bere nje koment me pare dhe i jam pergjigjur Endrit.

Se çfare kuptoni ju me shpetim prej seksizmit, cituar prej jush me lart, ilustron fare mire sesa seksiste ne ekstrem jane gjithe sera juaj.Pra mbulimi i hireve te femres u garantoka atyre "virtutin" dhe vleresimin e intelektit!!! Ata qe e shohin femren ne rradhe te pare si nje rrezik dhe joshje seksuale nuk kane dhe as mund te kene kurre respekt per intelektin e saj.Ata jane maniake seksuale perverse, te cilet vetem mbulimi i femres mund t'i shpetoje nga uria e tyre e semure per mish.Ndalimi i diçkaje, zonje apo zoteri qofsh, eshte provuar qe vetem e shton deshiren apo ngacmimin. Me ler te te njoftoj qe jane me miliona njerezit e virtytshem, qe nuk kane nevoje te mbulohen per te ruajtur deliresine e tyre nga seksiste si puna juaj.

Ndersa toleranca eshte vetem nje fjale qe per ju eshte krejt bosh, dhe ka vlere per aq sa mund t'ju lere te beni perpara duke shfrytezuar dobesine e sistemit imunitar te te tjereve. per ju ehste vetem nje koncept per t'u abuzuar sa te merrni gjithshka ne dore dhe pastaj vazhdimin e dini vete- asnje lloj demokracie dhe tolerance, por diktature talebane.

Eshte shume ndriçuese ajo qe shkruani, per ata qe kane ende iluzione intelektualiste te tipit te relativizmit kulturor, se me seren tuaj mund te bashkejetohet ne nje shoqeri normale me pluralizem mendimesh dhe besimesh.

Kur te vije koha juaj, e myslimaneve superiore nga te gjtiha drejtimet perfshire edhe drejtesine e moralin, te gjithe te tjeret do duhet te zhduken.

Po te them se ajo kohe s'ka per te ardhur kurre!! Shamiat dhe ata qe fshihen pas tyre , le te shkojne ne Arabi dhe ta mbajne perçen, bashke me "virtutin" e tyre per tere jeten.

Me qe flet per Nolin, po ta kthej me MIgjenin , qe tregon se sa bukur myslimanet e devotshme te Shkoders te asaj kohe, perdornin perçet per te shkuar te mbuluara per shtate pale qejfe me dashnoret.

Endri said...

Mes dhjetra nxenesve huligane te viteve 90, mes dhjetra te droguarve dhe shites droge - e vetmja qe u perjashtua nga shkolla ishte kjo vajze - sepse nje dite kishte vendosur qe floket e saj nuk donte t'ia tregonte dynjase. FLOKU I SAJ ISHTE I SAJ DHE AJO E KISH KLASIFIKUAR ATE SI NJE PJESE TE INTIMITETIT TE SAJ, KISHTE REFUZUAR TA NDANTE SHIKIMIN E TIJ ME TE TJERE.
E kam takuar sivjet pas 13 vjetesh. Ishte martuar e kishte nje djale. Shkollen nuk kishte arritur ta ndiqte. Gjimnazi i kishte mbetur peng. Motrat e saj, duke patur precedente, e vune shamine vetem ne fakultet, ku dallonin nga shume studente te tjera per cilesine e larte te arsimit.
Por djali i saj i madh ishte nje nxenes i shkelqyer ne mesime. Me vete urova fatin e saj qe kishte lindur djem, e po ashtu edhe fatin tim. Sepse po te kishim vajza, nese vendimi i tyre do te qe venia e shamise, kjo do te thoshte se e ardhmja e tyre do te ishte djegur.
Eshte per te ardhur keq kur degjon per te tilla fate njerezish te cilen une po e marr per te vertete. Eshte shume e vertete qe ne rastin konkret te perjashtimit nga shkolla problemi per viktimen perkeqesohet pasi e le ate perjetesisht injorant e hedh si te thuash me zorr ne krahe te ekstremizmit. E cilesoj kete vajzen mbi te gjitha si viktime. Viktime e lojes se institucioneve, e varferise dhe e margjinalizimit social qe i detyron prinderit ti dergojne femijet ne pseudo-shkolla si medresete. Keshtu ka ardhur puna, te pasurit i dergojne te vetet neper shkolla private. Ata te varfrit i dergojne nga halli neper medrese ku femijet pervec se me buke i ushqejne dhe ashtu si me spond me tekste arabe te paperkthyera dhe me gjithe barren e ideologjise vahabiste e teknikave te bollshme te lavazhit te trurit. Barre e rende goxha per aq supe te njoma.

Dhe ketu fillon dhe mbaron problemi, tek institucionet. Tek ato shteterore shqiptare ne radhe te pare te cilat lejojne vakume te atilla strukturore qe lene hapesira te lira per medrese vahabiste. Tek medresete dhe ata qe i drejtojne ne terren (shqiptaret, qe jane lugate parash me keq se vellezerit e tyre te ojf-ve) dhe tek arabet dmth. financuesit vahabiste qe kane nje skenar politik shume te qarte ne koke. Tek shkollat shteterore qe nuk ju a bejne te qarte me rregullore qe ne fillim nxenesve nese do te tolerohen shfaqje publike te fese apo jo. Dhe se fundmi viktime e mediatizimit qe i kthen ngjarje te tilla ne simbole pa marre parasysh ndikimin tek te prekurit.

Problemi kryesor qe kam une eshte kultura e importuar vahabiste qe nuk ka te beje fare as me myslimanizmin tradicional shqiptar as me historine shqiptare e as me identitetin shqiptar. Por qe ka si synim te vetem te importoje nje perplasje me globalizimin qe nuk eshte e jona e qe nuk na hyn fare ne xhep. Hiqni sa me shpejt arabet dhe tekstet vahabiste nga medresete. Behuni autonome ne financa dhe shkepusni lidhjet me vahabistet. Akoma me mire eshte te mbyllni medresete fare e mesimi i fese islame ti kaloje programit te shkollave shteterore. Keto jane keshillat e mia si qytetar.

Qe shteti mund ti njohe medresete eshte alibi mjaft mjaft e dobet dhe mos e perdorni me ne publik. Nje shtet si i yni ku shperthejne depo ne mes te dites nga korrupsioni nuk eshte fare garant per ndonje lloj cilesie, perkundrazi.

Vetem nje myslimanizem i zhvilluar mbi traditen shqiptare meriton te respektohet e te mos margjinalizohet. Sepse modelet medievale arabe nuk i kemi per borxh pas 50 vjet medievalizmi te importuar stalinist.

Anonymous said...

urime site-it te ri te musilmanizmit. Duke dashur me demek te komentohet atikulli i Lubonjes autoret e disa komenteve ne fakt po bejne propagande musimane.
E pse nuk pati rasti ajo vajza te lexoje dicaka nga ilumnistet apo qofte dhje biblen e krishtit?
Mos na veshtirsni leximin e ketij blogu qe sidoqofte per merite te z. Lubonja si mendimtar i pavarur ka krijuar reputacion e ti.