Tuesday, May 12, 2009

Shpresë e ulët për ndryshim

Fakti që ne kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi dyshim tek sondazhet tona praelektorale më duket gjëja më e kuptueshme. Do të ishim krejt naivë po të mos kishim dyshim për të mos thënë mosbesim tek to. Jetojmë në një shoqëri ku manipulimi i njeriut nga njeriu është shumë herë më i fortë se sa komunikimi i sinqertë midis njerëzve, ku kush ka në dorë instrumentet e njohjes së të vërtetës rrallë punon për ta njohur e kuptuar sa më mirë atë, por për ta kontrolluar e imponuar atë. Aq më tepër kur kemi parasysh se porositësit e sondazheve janë televizione që, prej kohësh, nuk sillen si pushtet i katërt, por si televizione partiake. Sot vështirë se ka shqiptar që të mos e dijë se Klani është televizon afër Berishës dhe Top Channel afër Edi Ramës, pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëjnë gazetarë të veçantë apo rebelët brenda këtyre televizioneve të tregohen objektivë, të pavarur, asnjëanës. Prandaj, kur këta televizone kanë porositur sondazhe, kanë qenë gjithherë të paragjykuar. Dhe rezultatet e sondazheve deri më sot nuk i kanë përgënjeshtruar paragjykimet tona. Paçka se sondazhistët kanë qenë të huaj. Jemi mësuar tashme prej kohësh edhe me përdorimin e autoritetit e kredibilitetit të të huajve për të na mashtruar. Veçanërisht tani, pas kësaj krize ekonomike e financiare të shkaktuar kryesisht nga të ashtuquajturit "djem të artë" perëndimorë, besimi tek kësi djemsh ka rënë në fund të këmbëve.
Ja pse lajmi se sondazhi i Zogbyt, i porositur nga Top Channel, ka nxjerrë një rezultat në favor të PD është një lajm ku më i rëndësishëm sesa fakti që PD del dy pikë mbi PS është fakti se këtë e thotë sondazhi i porositur nga Top Channel, i njohur si pro Rama, i cili ka nxjerrë gjithnjë PS me distancë mbi PD.
Si do ta shpjegonim këtë ndryshim rezultati nga Zogby në prag të zgjedhjeve?
Së pari, nëse do t'i besojmë paragjykimit tonë se sondazhistët nuk kërkojnë të vërtetën, por se si t'u shërbejnë interesave të pronarëve të televizioneve që i paguajnë, nuk mund të mos ngremë dyshimin se mos ka ndryshuar ndonjë gjë tek TOP-i. Mos vallë pronarët janë kapur nga Berisha nëpërmjet ndonjë interesi apo pike të dobët? Duam s'duam këtë pikëpyetje nuk mund ta fshijmë nga truri. Deri tani personalisht, nuk mund të them më shumë se kaq për këtë hipotezë. Më ka ardhur në vesh puna e një telefonie celulare të katërt, por kjo mbetet për tu verifikuar. Këtë mund ta provojmë duke ndjekur në vazhdim edhe lajmet dhe emisionet e Topit që, për hir të së vërtetës, kanë shfaqur herë pas here lëkundje të kësaj natyre, gjithë duke mbetur në krah të Ramës.
Por, sigurisht, nuk mund të mos marrim në konsideratë hipotezën se rezultati shpreh një të vërtetë: që PS gjithsesi ka rënë dhe PD gjithsesi është rritur dhe ta analizojmë atë. (Këtu hyn edhe varianti i ndërmjetëm sipas të cilit, sondazhistët, edhe pse kanë për synim të shërbejnë, nuk mund t'ia fusin ashtu kot fare sepse nesër do të përgënjeshtroheshin rëndë dhe do të humbisnin fare edhe reputacionin e klientelën. Kjo të çon tek hipoteza se, megjithë shërbimin, Zogby nuk mund ta çonte diferencën më të vogël se kaq. Pra diferenca në këtë rast mund të jetë edhe më e madhe.)
Cilat do të ishin arësyet e kësaj zhvendosjeje të rezultatit?
Disa ia atribuojnë këtë hyrjes në NATO, kandidimit në BE, premtimit për viza. Sipas mendimit tim një diferencë e tillë në rezultat, gjithmonë nëse është e vërtetë, nuk mund t'i dedikohet propagandës për hyrjen në Nato dhe as premtimeve të Berishës për central bërthamore, sikurse lexova në ndonjë koment të shtypit. Kam ca më shumë respekt për intuitën e shqiptarëve. Dhe as nuk besoj se ata janë të kënaqur me gjendjen. Sipas meje, në vend të parë të shkaqeve të këtij rezultati do të renditej shpresa e vogël e shqiptarëve për ndryshim. Kur shpresa se forca opozitare mund ta ndryshojë gjendjen është e vogël atëhere elektorati priret të ruajë statuskuonë.
Besoj se ka shumë arësye në favor të idesë se kjo shpresë për ndryshim është e vogël.
Së pari, sepse kemi të bëjmë me një klasë politike të provuar dhe stërprovuar në pushtet dhe gjithherë zhgënjyese. Këtë ia thotë elektoratit edhe vetë Edi Rama: "Kjo është një lojë që 18 vjet e luajnë ata dhe e paguani ju", pa u kuptuar qartë nëse këtë e bën pse ka vërtet iluzionin se njerëzit e ndajnë atë nga klasa politike të cilës i përket apo me idenë "ta hajë kush ta hajë". Sipas mendimi tim, njerëzit këtë nuk e hanë fare. Për më tepër Rama këtë ndryshim të klasës politike, që do të sillte edhe ndryshimin e gjendjes, duket sikur kërkon ta përfaqësojë vetëm vetë sepse figurat që dalin në PS krahas tij ose janë ata të vjetrit ose janë ndoca të rinj që nuk shfaqin asnjë lloj personaliteti të spikatur.
Së dyti, sepse opozita është realisht në pushtet. Mbajtja e Bashkisë në duart e kryetarit të Partisë Socialiste ka qenë një thikë me dy presa. Më një anë, duke patur parasysh lojën politike shqiptare, ajo i duhej Ramës për të mbajtur pranë vetes mjaft lobe biznesomediatike që përndryshe mund ta linin dhe ai do të ndihej, kështu, shumë më i dobët përsa i përket propagandës dhe financimeve. Por, në anë tjetër, kjo s'mund të mos ndikonte në rritjen e mosbesimit të publikut tek forca e tij politike që, në krye të Bashkisë, nuk ka bërë ndryshim në metodat korruptive të qeverisjes shpesh edhe në bashkëpunim me mazhorancën.
Së treti, edhe pavendosmëria e Ramës për lënien e Bashkisë ka ndikuar për rritjen e mosbesimit në ndryshim. Sido që të përpiqet ta justififikëjë Rama moslënien e Bashkisë me gjoja mbajtjen e premtimit banorëve të Tiranës askush nuk bindet dot se kjo nuk ndodh për shkak të frikës së humbjes. Dhe kjo frikë, ndryshe mosbesim në fitore, është transmetuar sigurisht në elektorat sëbashku me forcimin e idesë se, tek e fundit, kësaj kategorie politikanësh i intereson të ruajë llokmat e pushtetit dhe të përfitimit, e jo të sakrifikojë për njerëzit. Në këtë pikë gjithsesi duhet thënë se moslargimi i Ramës nga Bashkia forcon besueshmërinë e sondazhit të Zogbyt.
Një arësye tjetër e shpresës së ulët për ndryshim lidhet me faktin se, me kalimin e viteve, interesat e lobeve të caktuar të biznesit janë bërë gjithnjë e më pak konfliktualë me njëri tjetrin ndërkohë që dihet se janë ata që i kanë përcaktuar kryesisht politikat e partive. Ata, në përgjithësi, kanë gjetur rrugët për të mbrojtur interesat e tyre, cilado qoftë partia që ka ardhur në pushtet. Gjithë në këtë kontekst, kundërshtimet e opozitës ndaj projekteve të Berishës, që janë dukshëm në favor të këtyre interesave e jo të popullsisë së gjerë, janë shumë të zbehta, sa për shkak të lidhjeve të vjetra që ajo ka pasur me këta lobistë aq edhe sepse nesër, edhe në pushtet, do të jetë e detyruar të punojnë për ta. Është folur shumë për Gërdecin si faktor që ka ulur pikët e Berishës. Kjo pjesërisht është e vërtetë, por, nga ana tjetër, megjithëse mediat nuk kanë folur sa e si duhet, njerëzit e dinë mirë se Fatmir Mediut apo të birit të Berishës vetëm rastësisht u plasi në duar Gërdeci sepse protagonisti kryesor i Gërdecit, Delijorgji, do ta kishte bërë fabrikën në Gërdec edhe sikur në Ministrinë e Mbrojtjes apo në Kryeministri të kishin qenë miqtë e tij socialistë. Mungesa e vullnetit për t'i shkuar deri në fund të vërtetës që përfaqëson fenomeni Delijorgji, jo vetëm nga PS, por edhe nga partnerët e rinj të saj, që hynë në politikë me kartën e luftës kundër klasës së vjetër të korruptuar politike, siç është grupimi 99 i Erjon Velisë, nuk kalon pa u vënë re tek elektorati.
Këto janë disa nga arsyet pse, sipas mendimit tim, elektorati ka pak shpresë që opozita do të sillte ndyshimin që ai pret, çka shpjegon edhe rezultatin e Zogbyt.

P.S. Ndërkaq nuk di të them se në ç'mënyrë po ndikon rreziku i thellimit të krizës ekonomike tek ky elektorat. Me një fjalë në cilën forcë politike ka ai më shumë besim se do ta menaxhonte më mirë perspektivën e një ndryshimi për keq të gjendjes për shkak të krizës. Përshtypja ime është se jemi pak të informuar për këto rreziqe që, nëse ekzistojnë, na mbahen të fshehta edhe për shkak të zgjedhjeve. Prandaj nuk besoj që rezultati i Zogbit të reflektojë gjë në këtë drejtim. Vetëm nëse do t'i kthehemi sërisht dyshimit tek Zogby e të hamendësojmë se për këto rreziqe Rama është i informuar sëbashku me këshillën që është më mirë të mos e marrë sesa ta marrë pushtetin qendror. Por kjo është një hipotezë shumë largvajtëse që e futa si poshtë shënim në këtë shkrim më shumë për ndershmëri ndaj lexuesit, përderisa e mendova, e jo pse besoj në të. Mbetem i bindur se politikanët shqiptarë, e veçanërisht ata të tipit Rama Berisha, nuk hyjnë kurrsesi në kategorinë e politikanëve largpamës, përkundrazi bëjnë pjesë ndër ata që nuk e kanë hedhur kurrë ndonjëherë vështrimin përtej hundës së pushtetit të tyre e se ky lloj politikani, nga ana tjetër, është produkt i një klase ekonomike po aq dritëshkurtër që praktikon vetëm stilin e biznesit "kafsho e ik". (Korrieri, 11 maj 2009)

3 comments:

Anonymous said...

Eshte nje shkrim qe duhet te lexohet dhe ti vihet perpara njerezve te thjesht apo popullit sepse jane ata qe ne fund te gjithe kesaj vendosin voten ne kutine e ndryshkur nga kjo politike me shprese se mund te ndryshoje dicka pikpamjet e tyre ndaj kesaj 'politike e vjeter' por qe eshte dhe e politike e sotme.

Anonymous said...

I nderuar zoti Lubonja!
Si gjithmon mendoj se jeni shume i sakte ne ato qe shkruani e analizoni.
Ndoqa mbrem ne emisionin "Shqip"zonjen Rudina Seseri,doja me gjith zemer te me kapte entuzjazmi i saje,por pasi zuri ne goje te pakten 10 here Edi Ramen mendova ,ose kjo zonje ose nuk e di se flete per nje politikan qe shqiptaret veshtir ta besojne,edhe pse kane para nje model te keq ate te Berishes.
E cmoj pa mas zonjen Seseri dhe faktin qe ajo enderron te kontribuoj ne kete vend te shtrenjte per ne ,e cmoj dhe vendimin e saje per tu bere pjese e politikes,pasi vetem duke qene pjese e saje mund te te degjohet fjala e zeri e mund te ndikosh e punosh ne realizimin e endrres per ta bere Shqiperine.
Po pse me trishton o zonja Seseri me adhurimin tend per Zotin Rama.
Lere Ramen te mesoj prej teje.
Ja si e ka percaktuar idhullin tend o zonja Seseri gazetari i mirnjohur Fatos Lubonja ...
"Mbetem i bindur se politikanët shqiptarë, e veçanërisht ata të tipit Rama Berisha, nuk hyjnë kurrsesi në kategorinë e politikanëve largpamës, përkundrazi bëjnë pjesë ndër ata që nuk e kanë hedhur kurrë ndonjëherë vështrimin përtej hundës së pushtetit të tyre e se ky lloj politikani, nga ana tjetër, është produkt i një klase ekonomike po aq dritëshkurtër që praktikon vetëm stilin e biznesit "kafsho e ik". (Korrieri, 11 maj 2009)
sano

Anonymous said...

I nderuar Lubonja!
Vleresoj si gjithmone artikullin tuaj. Do doja te thosha shume gjera, por s'kam kujt t'ia them. E njejta gje ndodh edhe me ty. Ju thoni shume gjera po kujt ja thoni? Ju flisni per nje klase politike qe mua tashme me ben te ndihem i lodhur nga mbivleresimet qe ju u beni ketyre grupeve ose individeve, duke i quajtur politikane. Megjithate, nje gje do tua them atyre qe s'me njohin. Ne Shqiperi as nuk ka patur, as nuk ka, e as nuk do te kete ndonjehere, jo klase politike qe jo e jo, por as edhe nje individ te vetem politik. Ne Shqiperi ka vetem mashtrues e te mashtruar. Ne vend te klasave politike ka vetem banda e ne vend te politikaneve bandita. Kjo eshte e verteta qe edhe ju e njihni. Shqiperise i ka peshtyre shejtani ne corbe dhe as vete shejtani nuk mund ta shpetoj dot.
Po supozojme nje moment qe brenda nje nate jo ti heqim por ti vrasim te gjithe politikanet shqiptare. Menjehere do te na lindi pyetja me e veshtire qe mund te na behet. A egziston ne ate vend te helmuar qofte edhe nje filiz i paster e i papegerur nga tradita e banditizmit? Mendimi im personal eshte se eshte e pamundur te gjesh nje individ te paster, te pakten qe nga mosha 7 vjec e lart. Faleminderit per vemendjen, se po ndihem prape i lodhur.