Monday, May 18, 2009

E reja e këtyre zgjedhjeve

Cili është dallimi i këtyre zgjedhjeve me zgjedhjet e mëparëshme? Më duket se nëse do të kemi parasysh prioritetet e fushatave të ndryshme elektorale të opozitës dhe mazhorancës, që ndryshe i quajmë edhe "kuajt e betejës" së një fushate elektorale, do të vërejmë se fushata aktuale ka një karakteristikë të vetën që e dallon nga të tjerat e që vlen të merret në analizë.
Le të përpiqemi t'i kujtojmë zgjedhjet që nga viti 1996 për të nxjerrë, sigurisht duke thjeshtëzuar, kuajt e betejës së dy partive kryesore.
Në vitin 1996 kali i betejës së opozitës ishte akuza ndaj Berishës për dhunë e autoritarizëm. Ndërkaq kali i betejsë së mazhorancës ishte (sërisht) antikomunizmi që e kishte sjellë në pushtet më 1991 kombinuar me pretendimin për sukseset e arritura. Dhunimi i votës së lirë ditën e zgjedhjeve provoi akuzat e opozitës, por duke i dhënë fitoren, megjithatë, PD-së.
Një vit më vonë më 1997 opozita e ndërtoi fushatën e saj mbi katastrofën që kishte shkaktuar Berisha me piramidat kurse Berisha mbi kundërakuzën se kishin qenë ata shkaktarët e katastrofës sepse kishin manipuluar politikisht krizën e piramidave në emër të një revanshizmi komunist. Kësaj here njerëzit treguan qartazi me votë përgjegjësit e vërtetë të fatkeqësisë. Më shumë sesa çdo gjë këtë e provoi rezultati i Tiranës ku PD humbi thuajse në të gjitha zonat.
Në vitin 2001 kali i betejës së PD në opozitë u bë akuza për korrupsion kurse kali i betejsë së mazhorancës qe rreziku i kthimit të Berishës që kishte bërë 97-tën. Këto zgjedhje përfunduan me fitoren e socialistëve të cilët arritën të bindin, edhe me ndihmë manipulimesh zgjedhore si Dushku, se korrupsioni i tyre qe rreziku më i vogël.
Pas katër vjetësh përsëri kali i betejës së opozitës ishte korrupsioni i PS dhe përsëri mazhoranca e vuri theksin tek rreziku i kthimit të njeriut që kishte bërë 97-tën. Kësaj here rreziku më i vogël u konsiderua nga zgjedhësit se ishte bërë rreziku më i madh: karta e rrezikziut të 97-tës humbi përpara kartës së korrupsionit të Nanos me shokë. Lidhur me këto zgjedhje duhet kujtuar edhe fakti se në to mori pjesë edhe LSI, një parti që, me ndarjen e saj, ndikoi në humbjen e së majtës. Por le të mos harrojmë se edhe ajo kalin kryesor të betejës në fushatë kishte korrupsionin e mazhorancës.
Në vitin 2009 jemi në një fushatë që ka specifikën e vet që nuk e gjejmë në zgjedhjet paraardhëse. Kjo specifikë qëndron në atë se kuajt e betejës së dy palëve kryesore, ndryshe nga çdo herë tjetër, janë të njëjtë: të dy palët e kanë përqendruar fushatën në akuzat e ndërsjellta për korrupsion të dy liderëve të partive. Nëse do të shfletosh faqet e para të gazetave do të shohësh se opozita akuzon kryesisht Berishën se ka vënë sistemin e korrupsionit në shërbim të pasurimit të familjes së tij, kurse mazhoranca akuzon kryebashkiakun Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit, madje ka ngritur për këtë edhe një komision parlamentar që kuptohet se është në funksion të fushatës elektorale.
Historianët që do të vihen pas vitesh të shkruajnë historinë e Shqipërisë të këtyre viteve do të venë në dukje se në fundin e dhjetëvjeçarit të parë ose në dekadën e dytë të tranzicionit problemi kryesor që ka pasur Shqipëria ka qenë korrupsioni i klasës së saj politike. Dhe, duke iu referuar shtypit të kohës, do të venë në dukje akuzat ndaj Berishës për Gërdecin apo rrugën Durrës Kukës dhe akuzat e mazhorancës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës e të PS Rama me lejet e ndërtimit. (Në ato vite besoj se provat e vërtetësisë së këtyre akuzave do të jenë shumë më të qarta sesa sot). Dhe, sipas mendimi tim, do të jenë duke thënë të vërteta për të cilat ka prova të mjaftueshme edhe sot. Por nuk di se sa do të arrijnë të dallojnë një paradoks të sotëm brenda këtyre akuzave. Paradoksi qëndron në atë se flitet aq shumë, bërtitet aq shumë për korrupsionin ndërkohë që ai rritet, nuk zvogëlohet. Paradoksi qëndron në atë se ndërkohë që flitet aq shumë kundër tij njerëzit revoltohen aq pak, sikur ta kenë humbur ndjeshmërinë, njëlloj si hundët që nuk e ndjejnë më një erë të keqe pse qimëzat e ndjeshmërisë së asaj ere janë të tejngopura me të. Këto ditë po publikohen dokumente të tjera që provojnë se në Gërdec është i përfshirë i biri i Berishës dhe një pjesë gazetarësh ngrenë pyetjen se si ka mundësi që nuk po ndodh e pabëra, madje, paradoksalisht shtimi i provave që vërtetojnë implikimin e njerëzve të Berishës në Gërdec sikur shton edhe indiferencën e publikut, po t'u besosh sondazheve. Problemi është se hundët tashmë janë krejt të bllokuara sepse mekanizmat e pastrimit të tyre (kam parasysh kryesisht sistemin e drejtësisë) nuk funksionojnë. Problemi është se veshët nuk ndjejnë sepse tashmë po e stërdëgjojnë refrenin e këngës së luftës kundër korrupsionit të luhet përsëritshëm dhe mërzitshëm si një pllakë grmafoni e prishur që rrotullohet në vend, ku mungon finalja.
Do të thoja se indiferentizmi i elektoratit ndaj akuzave të ndërsjellata për korrupsion, ndërkohë që fushatat e dy forcave kryesore janë ndërtuar kryesisht mbi këto akuza, është karakteristika kryesore e kësaj fushate, por edhe e reja e saj në krahasim me fushatat e tjera. Në këtë kontekst ajo që bije në sy në të dy partitë, në ndryshim me vitin 2005, është fakti se, ndonëse ato kanë si kalë beteje denoncimin e korrupsionit, nuk po ndodh ajo që ndodhi në 2005, kur Berisha, që ta kalëronte sa më mirë këtë kalë, e paisi edhe me një "shalë". E kam fjalën për faktin se në premtimet e tij elektorale të vitit 2005 Berisha paraqiti edhe disa projekt premtime të luftës kundër korrupsionit. Kryesori ishte premtimi i dënimit të të korruptuarve që do të realizohej me vendosjen e një prokurori të pavarur që do të hapte dosjet e dukëve dhe baronëve të krimit mbi të cilët kishte fjetur prokurori i athershëm. Por pati edhe premtime të tilla si eliminimi i konfliktit të interesave, që i detyronte kandidatët e tij të mos kishin njëherësh edhe biznese e më the të thashë e, në këtë kontekst, ai premtoi, madje, se edhe madiat do t'i çlironte nga konflikti i interesit që i kishte kthyer në shërbëtorë të pushteteve qendrorë apo lokal. Këto qenë dy shtyllat kryesore do të thoja të projektit që sikur konkretizonin disi ëndrrën e njerëzve për ndëshkimin e të padrejtëve më një anë dhe nevojën për qeverisje me drejtësi më anë tjetër. Kurse tani kuajt janë pa shalë. Pra edhe pse flitet kaq shumë për korrupsionin e kundërshtarit kjo nuk shoqërohet me projekt premtime konkrete se çfarë do të bëhet për eliminimin apo reduktimin e korrupsionit. Nga sa kujtoj dy ishin argumentet kryesore të Edi Ramës kundër fushatës së PD kundër korrupsionit më 2005. E para, se ai po e përdorte korupsionin si kalë pushteti njëlloj sikurse kishte përdorur antikomunizmin - çka sipas mendimit tim u provua si e vërtetë - dhe, së dyti, se korrupsioni nuk luftohej me denoncim e dënime me burg individësh, por me reforma radikale që do ta pamundësonin atë. Tani nuk kemi asnjë lloj projektreforme që do ta luftonte korrupsionin, që sipas meje, do të duhej të ndërtohej rreth premtimeve të pambajtura të Berishës për eliminim e konflikteve të interesave dhe forcimin e pavarësisë së drejtësisë në vendin tonë. Nga sa më rezulton të dy partitë përsa i përket drejtësisë kanë kryer reforma që e dobësojnë pushtetin e drejtësisë përpara pushtetit të partitokracisë së korruptuar dhe, po ashtu, termin "konflikt interesi" nuk e shikoj të artikulohet në fushatën elektorale të dy partive ndërkohë që në praktikë, edhe në fushatë, e shikoj të jetë vetë motivimi i politikës. Shtoj këtu se, sipas meje, edhe fakti që akuzat janë përqendruar thjesht dhe vetëm në akuza ndaj liderëve të partive Berisha dhe Rama vërtetojnë mungesën e programeve serioze antikorrupsion përkundrazi provojnë mosseriozitetin dhe demagogjinë e këtyre akuzave.
Problemi i ndërtimit të projekteve të tilla antikorrupsion nuk është aq i thjeshtë, sigurisht. Korrupsioni në Shqipëri nuk është aspekti negativ i politikës sonë apo edhe i drejtësisë sonë, por është vetë politika, vetë drejtësia jonë. Ai nuk është efekti shoqërues i këtij të ashtuquajturi tranzicion përdrejt shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut, por është vetë ky tranzicion. Kjo e bën të vështirë hartimin e projekteve efikase dhe të besueshme njëherësh, sepse vështirë të ndodhë që autorët e së keqes të bëhen edhe shëruesit e saj. Por kjo s'do të thotë se duhet të reshtim së kërkuari shërimin. Aq më tepër kur, siç na e vërtetojnë edhe partitë me fushatën e tyre elektorale, kjo është sëmundja kryesore prej së cilës vuan shoqëria jonë. Dhe një nga format e ngulmimit tonë për shërim do të thoja se është që në prag fushatash të tilla elektorale të kërkojmë projekte të qarta e bindëse antikorrupsion prej atyre që gjithë ditën akuzojnë njëri tjetrin për korrupsion, ndër të cilët do të përfshija edhe gazetarët e angazhuar në njërën apo tjetrën palë. (Korrieri, 18 maj 2009)

No comments: