Wednesday, September 2, 2009

Nevoja për heshtjen

“Jetofsh në kohë me zhurmë!”. Kështu do ta perifrazoja atë mallkimin kinez “Jetofsh në kohë interesante!”, që nuk të lenë të hysh në kuptimin e thellë të gjërave, nëse do të doja ta bëja mallkimin kinez jo thjesht abstrakt, mendor, por konkret, fizik. Si të thuash për ta bërë torturën jo indirekte, shpirtërore, sikurse i thonë, por direkte, fizike. Sepse qënia njerëzore, sado që paraqitet superiore nga kafsha, prap dhimbjen kafshërore e ka më të padurueshme sesa atë shpirtërore. Kush ka lexuar Ferrin e Dantes psh. e di se çdo të thotë ndëshkim fizik. Pra nuk e kam fjalën për kuptimin abstrakt të fjalës “zhurmë”, por për kuptimin konkret të saj; atë që, me një terminollogji më profesionale, quhet “ndotje akustike”. Kështu mallkimi do të ishte: “Jetofsh në kohë me ndotje akustike!” Dhe, nëse ka ndonjë rreth të Ferrit ku do të doje ta hidhje një njeri për të vuajtur këtë mallkim apo torturë, jua them unë, ky do të duhet të përfshinte patjetër Shqipërinë. Sidomos Shqipërinë në verë; sidomos Shipërinë në pushime verore – nëse do të donim ta ngushtonim edhe më rrethin.
Besoj se është i madh numri i atyre shqiptarëve që e dinë se çdo të thotë kjo, mjafton të kenë kaluar pushime në ndonjë nga plazhet tona “turistike”. Mirëpo kjo puna e zhurmave që bëjnë shqiptarët nuk është çështje stinësh natyrore , temperaturash të larta e dritaresh të hapura. Kjo është çështje stinësh kulturore e gjendjesh të mbyllura mendore. Ka shumë thënie për atë se si mund të matet shkalla e një qyetërimi. Ka nga ato që thonë “shko shih varrezat”; ka të tjera që të ftojnë të shikosh trajtimin e kafshëve; ka që të çojnë edhe në kushtet e burgjeve. Do të thoja se nuk është gabim, përkundrazi mund të jetë shumë e saktë, nëse do ta matnim shkallën e qytetrimit të një shoqërie edhe me nivelin e zhurmës që ajo prodhon.
Ç’është e vërteta, lexuesi me të drejtë mund të më thotë se zhurma të tilla si ato të sirenave të ambulancave apo të policisë, zhurmat e trafikut të makinave, zhurmat e provokuara nga televizori i fqinjëve, diskot, stereot etj. - janë zhurma që kanë ardhur me të ashtuquajturin qytetërim duke iu shtuar zhurmave “natyrore” të lehjeve të qenve, të pëllitjes së kafshëve, të qarjes së fëmijëve, të grindjeve e të ulërimave të njerëzve e me rradhë. E në këtë kuptim duket sikur po them një broçkull kur them se qytetërimi matet me nivelin e ulët të zhurmave. Por jam i sigurt se nuk është kështu. Problemi i matjes së nivelit të qytetërimit me ndotjen akustike, siç e shtrova, nuk ka të bëjë me atë se cili prodhon më shumë ose më pak këtë ndotje, por se cili ka më shumë ose më pak ndjeshmëri ndaj dëmit të saj, se cili e lufton atë edhe atje ku ajo është e nevojshme dhe cili e prodhon atë edhe padobishmërisht. Sa për ilustrim; në vendet e qytetëruara, ku është prodhuar makina, nuk lejohet t’i bijesh burisë në qytete veçse për rastet ekstreme, madje gjobitesh po t’i bijesh kot, kurse tek ne është sport dasmash. Megjithatë ndoshta duhet ta korrigjoj atë që thashë e ta zëvendësoj duke thënë se niveli i një qytetërimi matet me nivelin e respektit për heshtjen e të kujtoj se në librin e tij “Manifest për heshtjen", profesori anglez Stuart Sim, shtjellon idenë se zhurma është një element i luftës që i bën zhvillimi ekonomik individit.
E pra po ua them tërë bashkëpatriotëve të mij të dashur dhe të padashur se, nëse ka ndonjë vend ku niveli i respektit për heshtjen është në nivelet më minimale, kjo është Shqipëria. Shqiptari është një qënie që sapo “dëgjon” një minutë heshtje e mbush atë me zhurmë. Jam stërbindur për këtë kësaj vere, por, e përsëris, kjo nuk është çështje stine natyrore, por stine mendore. Nuk ka vend në Evropë ku njeriu të futet në një bar për të pirë kafen e mëngjesit apo të shfletojë shtypin e ditës e të gjejë atje një muzikë diskoje nga ato që të ftojnë të kërcesh pasi të kesh rrëkëllyer doza të tëra alkooli në ndonjë festë. Dhe ky është vetëm fillimi i një dite ku zhurma të ndjek si mallkim ngado ku ndesh shqiptarë.
Tashmë ka studime që provojnë se kakofonia e zërave rrezikon shëndetin e njeriut, bëhet shkak agresiviteti, hipertensioni, stresi, shrregullimesh kardiake, psiqike; se zhurma dëmin më të madh ua bën fëmijëve, të cilëve u zvogëlon aftësinë për të lexuar e për tu përqendruar psh.. Në këtë kuptim, duke parë nivelin e zhurmave që na rrethon, mund të thuhet se shoqëria jonë është e tëra e molepsur nga një sëmundje që, në rreth vicioz, prodhon zhurmë gjithnjë e më të madhe, e cila, nga ana e vet, na sëmur gjithnjë e më shumë. Mjafton të shihje, për tu bindur dëshpërimisht për këtë, fushatat elektorale të dy partive se si shoqëroheshin me darje dhe me lodër e me stereo në kupë të qiellit, - a thua se sa më shumë zhurmë do të thoshte aq më shumë mbështetje. Kam frikë se, nëse do të bëhet ndonjë studim për prapambetjen mendore shqiptare, për mungesën e ideve, deri edhe të programeve politike të partive, zhurma do të zerë një vend të rëndësishëm në tabelën e shkaqeve të tyre.
Një zhurmë prej 45 decibelësh prish gjumin. Kjo është sa gjysma e decibelëve që prodhon trafiku që është afro 70 decibel, kurse 80 decibel shkaktojnë dëme në të dëgjuarit. Shko po deshe për pushime në plazhet shqiptare. Më lehtë të ze gjumi në mes të trafikut, jam i sigurt, sesa pranë bam bameve të bokseve të diskove të ngritura në kupë të qiellit që përzihen me lloj lloj muzike zurnash e daullesh të lokaleve pranë tyre, e ku di unë ç’të them tjetër. Se mos janë vetëm dafrungat në plazhe. Dafrungat i gjen kudo edhe në mes të qytetit. Po gjeneratorët që fillojnë të ulërasin sa ikën energjia, po buritë e makinave të dasmave, po stereot e tyre të ngritura në kupë të qiellit teksa kanë parkuar poshtë shtëpisë tënde, po stereot e xhamive në pikë të mëngjesit?
Tek ne nuk kam dëgjuar të ketë matje të ndotjes akustike. As nëse ka orare kur ndalohet zhurma. Duket sikur ajo nuk ekziston si problem, por nuk është kështu. Problemi është se zhurma është hapësira ku shqiptari nuk të lejon të hysh sepse është prona e tij, prova e ekzistencës së tij dhe fatkeqësisht kjo pronë nuk rrethohet dot me mur prandaj ai e quan të pakufishme siç e ka dëshirën. Pse, a mund t’ua përishësh dasmën shqiptarëve duke u ankuaar në polici se po të lenë pa gjumë? Ata një ditë dasme kanë. Dhe dasmë për ta do të thotë zhurmë ashtu sikurse për partitë propagandë elektorale do të thotë zhurmë.
Por më mirë le të flasim për heshtjen. Në librin e tij profesori Stuart Sim na kujton se feja, filozofia, arti, letërsia, muzika tregojnë se heshtje nuk do të thotë mungesë e diçkaje. Përkundrazi, heshtja përfaqëson një të mirë me rëndësi vendimtare për qytetërimin tonë, sepse heshtja është lumi ku lundron mendimi njerëzor.
Në fakt a nuk themi ne se monumentet më të bukura na lënë pa fjalë? Në traditën fetare të budistëve heshtja absolute është forma më e lartë e vetëdijes. Zoti ebraik flet atje ku ka heshtje. Në shumë fe heshtja është kusht i kontemplimit dhe meditimit. Nëse do të bëhesh një muzikant i mirë mbyll sytë dhe dëgjo mërmërimat e natyrës thoshte Listi.
E pra heshtja nuk është sinonim i asgjësë. Dekarti thoshte "Cogito ergo sum" (mendoj pra jam) dhe që të arrish këtë vetëdije duhet heshtja: “lumi ku lundron mendimi njerëzor”. Ky lumë që tek ne rrezikon të thahet e helmohet nga “ndotja akustike” ashtu sikurse po thahen e helmohen lumenjtë konkretë nga ndotja ekologjike. Ai lumë duhet shpëtuar me çdo kusht. Madje, ndoshta shpëtimi i tij mund të sjellë edhe shumë shpëtime të tjera. (Korrieri, 29 gusht 2009)

3 comments:

Glen Llaçi said...

Nevoja per heshtjen... kjo eshte nje nga temat e mia te preferuara, ndoshta se "heshtia" lidhet me qenien tone dhe dallimin tone nga kafshet (jo se kafshet jane te zhurmeshme, por se heshtia per to nuk nenkupton asgje).
Jo rastesisht nga ky artikull del edhe nje here perceptimi i shoqerise tone per hapesiren publike dhe personale. Fakti se si ne injorojme hapsiren publike eshte se ne kemi nje lloje crregullimi ne lidhje me hapsiren personale. Studiuesit percaktojne se cdo individ ne vetevete ka nje hapesire personale prej 90-120 cm qe po t'ia shkelesh ndihet i cenuar, psh ne ashensore te gjithe ndihen jokomod ndaj nje personi jo te njohur. Personat qe kane crregullime mendore e kane kete hapesire deri ne 12 metra. Nuk ka se si mos te kete nje kufi edhe per nivelin akustik qe na rrethon parametrat e te cilit nuk i di ne menyre specifike. Ja pra gjithe kjo zhurme reflekton çrregullimin tone per sa i perket hapesires personale. Duke patur kete çrregullim ndihemi te cenuar dhe reagojme ne dy menyra ose distancohemi (gje qe ndodh pak sa rralle) ose reagojme ne te njejten menyre per te mbrojtur "territorin" tone, ja pse shqiptaret komunikojne gjithmone me ze te larte ndermejet tyre, jo se jane shurdher, por se eshte nje reagim vetiak vetembrojtes. E njejta gje vlen edhe per shtepite,lokalet, veturat, etj. pra te gjithe pak a shume kontribojne ne perkeqesimin e hapesires personale si te tjerve, por edhe te vetevetes. Ja pra Heshtia nuk eshte vetem e domozdoshme, por do te thoja nje antidot ndaj semundies tone te hapesires personale-publike. Dhe me kete hapesire nenkuptoje me tepers se sa nje limit akustik,por nenkuptoje nje hapesire fizike, shoqrore si dhe hapesire ku ne ndertojme jeten tone. Dhe jo per çudi politika qe duhet te kete rrolin e rregulluesit ne kete semundie shoqerore behet shkaketuese e kesaj semundie duke dhunuar hapesiren publike ne te gjitha menyrat e mundeshme nje nder te cilat ishte ndotia akustike qe permendet ne shkrimin e zotit Lubonja. Por jo vetem kaq fituesi nuk kishte se si mos e festonte triumfin e tij duke uleritur ne delir ne menyre qe te percaktonte hapesiren e tij. Jo se "heshtia" e humbesit ishte nje heshtie reflektuesi, jo ajo ishte nje heshtie e detyruar dhe e sforcuar.
Mendimi im se fundmi eshte qe antidot ndaj kesaj zhurme eshte heshtia. Heshtie qe duhet te filloje nga politika dhe media, por nese nuk fillon nga ta atehere duhet shoqeria t'ia imponoje kete standart. por qe t'ia imponojme duhet edhe ne te heshtim dhe te reflektojme rreth hapesirave tona.

lavdrim said...

I nderuari Lubonja,
edhe pse jam pothuajse gjithmone ne parim dakord me cfare tematizoni me duhet se keni marre njw "abbaglio" sic thone italianet, kur flisni per "stine zhurmesh". zhurma tek ne ka ardhur, sipas mendimit tim, nga heshtja e tepruar, nga heshtja e narkotizuar. qe sipas Elias Canetti disa persona arrijne maksimumnit e naes negative gjate heshtjes. nuk dua te jem nja apologjet i zhurmes, por thjesht besoj se kjo dukuri tregon se s'kane asgje tjeter per te thene se une jam, une egzistoj. eshte gabim, por zhurma eshte instikt natyror. sinqerisht

Miri Prroni said...

Kam nje verejtje te vogel, thjeshte per te qene objektiv, jo se ju zoti Lubonja nuk jeni objektiv perkundrazi dhe pikerisht duke u nisur nga kjo bindje qe kam per ju u habita kur lexova qe: (duke e vendosur me te drejte si shembull zhurme), stereot e xhamive ne pike te mengjesit,(edhe per mua zhurme e merzitshme eshte )por ama per mua te pakten edhe kumona e kishes zhurme eshte apo jo,apo ndoshta ate nuk e klasifikoni si te tille ngaqe e ndieni si nje tingull europian dhe ndoshta disesi me elegant. Kshu eshte?, sinqerisht shresoj qe jo. Pershendetje.