Në një shkrim të para do kohësh, kur ishte hedhur tashmë ideja se duhet të bashkoheshin të gjithë qelbësirat kundër Berishës, kam shkruar se ky veprim mund të kthehet në bumerang për ata që shpresojnë se kjo do të na nxirrte nga e keqja. (Berisha si alibi, “Panorama”, 22 dhjetor 2012.)Kur them “bumerang” kam parasysh sepse, në princip, e mira nuk ecën përpara nëpërmjet luftës së të këqijve, përkundrazi, pasi kjo është si të thuash se do të shpëtojmë nga mafiozët ngase ata do të vrasin njëri-tjetrin, ndërkohë që historia tregon se mafia dhe metodat e saj kështu fitojnë më shumë terren. Me fjalë të tjera, kjo lloj lufte mund ta shtyjë Berishën të mbrohet me të njëjtat mjete, duke i akuzuar kundërshtarët e tij si koalicion i qelbësirave, siç u shpreh së fundi për marrëveshjen Topalli, dhe të përdorin edhe ata çdo mjet dhe qelbësirë. Dhe duket sheshit se kjo garë po ndodh, madje ka kohë që ndodh – e kësisoj ne rrezikohemi të përjetojmë një përkeqësim të qelbësirllëkut.Këtij rreziku që na godet të gjithëve do t’i shtoja edhe një tjetër, që mund të godasë protagonistët e marrëveshjes. Kur ke parasysh se ç’kanë bërë e thënë deri dje ndaj njëri-tjetrit e për njëri-tjetrin Edi Rama dhe Ilir Meta, e sot i sheh të bashkuar, nuk mund të mos mendosh se paturpësia e klasës sonë politike ka arritur kulmin. Pra një faktor tjetër bumerangu mund të jetë fakti se imoraliteti i marrëveshjes Rama – Meta ka shokuar jo pak opinionin publik, çka do të thotë se mund të rrisë në mënyrë të konsiderueshme numrin e abstenuesve apo të atyre që nuk do ta votojnë këtë opozitë kësisoj.Për të zbutur njëfarësoj këtë efekt zhgënjimi, një pjesë gazetarësh e opinionistësh, duke analizuar marrëveshjen Rama – Meta, kanë përdorur termin “pragmatizëm”, duke i quajtur “moralistë” ata që në një mënyrë apo në një tjetër kanë shprehur zhgënjimin e tyre me këtë marrëveshje.Disa vërejtje gjuhësoreNë këtë pikë mendoj se ia vlen të bëjmë ndonjë vërejtje gjuhësore.Së pari, ka një keqkuptim tek ata që mendojnë se “pragmatist” është e kundërta e një “moralisti”, apo se një pragmatist është një qenie që e shkel të moralshmen për të arritur suksesin. Filozofia pragmatiste nuk na mëson kurrsesi përdorimin e çdo mjeti imoral për arritjen e suksesit. Ky mund të quhet “makiavelizëm” në kuptimin e keq që ka marrë ky term – si një keqkuptim dhe thjeshtëzim i Makiavelit – e që e ka përdorur Meta për Ramën jo shumë kohë më parë. Kurse pragmatizmi na mëson se vetëm ato ide apo akte që rezultojnë të suksesshme ngase janë provuar nga përvoja njerëzore janë të vlefshme dhe të vërteta. Për shembull, kur themi se dashuria është më e mirë se urrejtja – sipas pragmatistëve – nuk se kemi ndonjë teori për ta provuar se kjo ide/bindje e jona është vërtetë, por kemi diçka shumë më të rëndësishme: një përvojë praktike që na e ka provuar koha. E njëjta gjë mund të thuhet për ndershmërinë në raport me vjedhjen, sinqeritetin në raport me gënjeshtrën etj. Në këtë kuptim pragmatistët pranojnë edhe rolin e feve dhe të mësimeve të tyre morale që përvoja njerëzore i ka provuar si të vlefshme për njeriun dhe shoqërinë.Së dyti, një pjesë shkruesish apo komentuesish përdorin edhe konceptin “amoral/amoralitet”. Vë në dukje se ka një diferencë midis termit “amoral” dhe atij “imoral”. Amoral ka më së shumti kuptimin e mungesës së moralit apo indiferencës ndaj moralit atje ku s’ka kuptim që ky të ekzistojë p.sh. në botën e kafshëve apo, sipas disa filozofive, në ligjet e historisë. Natyra është amorale. Shteti, në kuptimin e një mekanizmi impersonal, është amoral. Kafshët që përdorin çdo lloj dredhie për të shtënë në grackë prenë e tyre janë amorale, sepse për to nuk ekziston morali. Kurse vertebrori hommo sapiens, ndryshe njeriu, është qenie morale, d.m.th. e di ç’është moralja dhe, kur e shkel apo nuk e respekton atë, mbiquhet imoral, jo amoral. Është e vërtetë se moralet njerëzore mund të jenë të ndryshme, por ka disa principe, si p.sh. ato “mos vidh”, “mos gënje”, “mos mashtro”, “mos ia bëj tjetrit atë që s’do të ta bëjnë ty” e që lidhen direkt me politikën që i gjen në cilindo syresh. Rama me Metën kanë dhënë prova se e njohin se ç’është moralja, – përndryshe nuk do të mund të thoshin tërë ato që kanë thënë për njëri-tjetrin në sy të publikut, duke dashur të prekin shqisat e tij morale – prandaj sipas meje është më saktë të quhet ky akt imoral, sesa amoral.* * *I shkrova këto për të vënë në dukje se në një vend si ky i yni, ku “çështja morale” (term ky i futur në gjuhën e politikës italiane nga Berlinguer në Italinë e korruptuar të viteve ‘80), si çështje e moralizimit të politikës, ashtu sikurse edhe e edukimit të njeriut, është gjëja më e rëndësishme për të cilën kemi nevojë sot. Në fakt, është çështja që ka të bëjë pikërisht me ndryshimin që presim. Pra nuk mund kurrsesi të legjitimosh imoralen duke e quajtur “pragmatizëm” apo “amoralizëm”, madje as ta relativizosh atë sepse zhdukja nga bota jonë politike e së mirës si pikë referimi mund të ndikojë që njerëzit ta humbasin orientimin moral deri në atë pikë sa të bëhen më keq se kafshët. “Individi njerëzor ka qenë gjithmonë rezultat i një investimi të madh në shkollim dhe kulturim. Mirëpo ka nga ata pushtetarë të radhës që tentojnë ta zhbëjnë avantazhin e madh të edukimit dhe të përdorin material tjetër për të na ndërtuar një shtet milingonash. Këta zotër që e pandehin veten të plotfuqishëm bëhen kësisoj përgjegjës për degradimin e vetë natyrës së njeriut, sepse, nëse një njeri do të reduktohet në rolin e milingonës, jo vetëm do të reshtë së qeni njeri, por nuk do të jetë më as edhe milingonë e mirë”. (Norbert Wiener)Kësisoj, ata që e kanë përkufizuar debatin që është zhvilluar kohët e fundit si debat midis “moralistëve” dhe “pragmatistëve”, sipas meje kanë kryer një akt depistimi nga debati/et që duhet të ngjallte kjo marrëveshje.Debati që duhet bërëNë thelb çështja e kësaj marrëveshjeje ka të bëjë pikërisht me thellimin e shndërrimit të elektoratit në milingona. Si e tillë, marrëveshja Rama – Meta dhe kontradiktat që paraqet ajo në kontekstin që po jetojmë e që shprehen edhe në shkrime e komente të shumta gazetarësh e njerëzish të thjeshtë, sipas gjykimit tim, duhet të nxitin zhvillimin e një debati/debateve të tjera në funksion të rilindjes morale të shoqërisë, të demilingonizimit të njeriut shqiptar.Prandaj, sipas meje, debati mbi marrëveshjen Rama – Meta do të duhej të fokusohej në çështjen: a mund të reformohet së brendshmi ky sistem politik, ekonomik, mediatik mafioz që kemi ngritur dhe kjo kastë njëzetvjeçare që është ndërtuesja dhe interpretuesja e këtij sistemi, apo kjo është e pamundur dhe prandaj duhet ose të krijojmë forca të reja ose të presim rënien e këtij sistemi nëpërmjet kalbëzimit dhe degjenerimit të tij përfundimtar? Sipas gjykimi tim, ajo që bëri Rama tregoi se ai, ndryshe nga ç’kishte trumbetuar, qoftë edhe disa ditë më parë, nuk beson se ky sistem dhe kjo kastë ka fuqi të reformohet apo “rilindë” së brendshmi ngase aktorët janë tejet të komprometuar me të, për të mos thënë “moralisht të vdekur” sepse janë sistemi vetë dhe nuk kanë asnjë interes që ky të ndryshojë. Në këto kushte, debati shtrohet edhe në pyetjen: a duhet të vazhdojmë ne të besojmë se rotacioni në pushtet i kësaj kaste politike është rruga e zhvillimit dhe ndryshimit – që tek e fundit do të thotë pikërisht një zgjim moral i shoqërisë – apo duhet të synojmë një farë revolucioni – sigurisht paqësor? A mund të shpresojmë ne – me këto që po shohim – se me kohën këto parti do të demokratizohen duke nxjerrë liderë të rinj më të moderuar, më mendjendritur, më të moralshëm, apo këto parti do të mbeten tërë jetën klane/banda në duart e padrinove të tyre Berisha, Rama, Meta dhe klaneve që i mbështesin, e do të vijnë gjithnjë e më shumë duke u degraduar mendërisht dhe moralisht?E konsideroj debat të hapur, nuk pretendoj të jap përgjigje të padiskutueshme. Por në këtë debat karrigia ime është ajo e atij që mendon se marrëveshja Rama – Meta, cilido që të jetë rezultati elektoral që mund të sjellë ajo, nuk duhet të na fshijnë nga mendja se opozitarizmi i vërtetë është ai që do t’i kundërvihej krejt sistemit dhe krejt klasës politike ekonomike mediatike që ka qeverisur vendin në këta njëzet vjet, në nivele qendrore dhe lokale, e se kjo duhet bërë duke dhënë shembullin se vetë jemi të ndryshëm në atë që bëjmë përditë. Se ne nuk jemi nga ata që ulen me kriminelë, vrasës, trafikantë, hileqarë e mashtrues gjithfarësh për të ndarë pare e pushtet me ta. (Panorama, 17 prill 2013)
Thursday, April 18, 2013
Marrëveshja Rama - Meta si çështje morale
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
1 comment:
Shume mire qe zoti Lubonja nuk perqendrohet ke interesat personale te Meta-Rames apo Berishes sic jan perqendruar mediat keto dit me Kqz-ne (pse nuk u shqetesuan mediat per shtyrjen e referendumit te plerave? nuk ishin politik anetaret e kqz-se ne ate periudhe? apo mjedisi shqiptar nuk qenka aq i rendesishem!).
Shumica e shqiptareve jan per ndryshimin e kastes politike qe ka sunduar keto 20 vite. Politikaneve tane i jan zene syt keqazi nga pushteti dhe paraja, por nuk e kuptojn se gjendia nuk eshte si vite me par ku korrupsioni ne pikun e tij realizonte edhe nje fare shperndarje pasurie. Sot tentakulat e korrupsionit jan rrudhur dhe i sherbejne vetem nje kaste te ngusht. Kuptohet qe ne menyre te natyrshme korrupsioni smund te ket me rolin e nje shteti paralel. Levizje per lufte kundra korrupsionit po behen ne Itali, Franc apo Gjermani ndersa kasta shqiptare kujton se do jet e qete me vite te tera. Shpresoj te ket ardhur kohate ndryshojme nga milingonat dhe te arrijme me ne fund si shoqeri te bejme nje revolucion paqesor.
Post a Comment