Friday, October 31, 2014

Shteti autoritar dhe autoriteti i shtetit

Në librin  e tij të famshëm: “Të kesh apo të jesh” Eric Fromm shkruan edhe për diferencën midis: “të kesh autoritet” dhe “të jesh autoritet”. Shkurt, sipas tij, “të kesh autoritet” do të thotë ta kesh “marrë” atë me forcë dhe ta ushtrosh kryesisht nëpërmjet frikës që ngjall tek të tjerët. Të “jesh autoritet” do të thotë të fitosh respektin e të tjerëve nëpërmjet veprave të mira;  çka bën që njerëzit të ta dëgjojnë fjalën edhe pa qenë nevoja e ushtrimit të forcës dhe frikës ndaj tyre.
Ajo që më solli ndërmend këtë kategorizim të Frommit janë aksionet e fundit që po merr qeveria ndër të cilët spikat  ultimatumi pesë ditësh për të gjithë popullsinë se çështja e vjedhjes dhe mospagesës së energjisë elektrike do të zgjidhet me një aksion policor dhe me burgime. Pas ditës së pestë Edi Rama mblodhi në Pallatin e Kongreseve dy mijë punonjës shtetërorë dhe, si personifikim i këtij lloj shteti që kërkon të “marrë” autoritet, njoftoi mbarimin e ultimatumit dhe fillimin e aksionit.
Si rastësisht po këto ditë u njoftua edhe ndryshimi i një ligji të qarkullimit rrugor sipas të cilit vihen gjoba deri në 50 000 lekë për një kalim semafori me të kuqe, dhe, po ashtu, u dha ultimatumi se një gjobë e tillë do t’i vihet çdo makine që policia nuk do t’i gjejë kutinë mjekësore, atë trekëndëshin e stopit që vihet pas saj, kur ke pësuar aksident, si dhe jelekun e verdhë që duhet të veshësh në këtë rast.
Thuhet se njerëzit, të frikësuar, rendën me vrap të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe po ashtu nxituan të blejnë ato jelekët e verdhë dhe kutitë e shërbimit mjekësor si dhe ca bombola që, mesa di unë, nuk i kërkojnë as në Itali.
Po a është kjo rruga për ndërtimin e një shteti me autoritet në kuptimin që i jep Frommi të qenit autoritet.
Po jap vetëm disa argumente se pse më duket se me këto metoda veprimi nuk jemi në rrugën e drejtë të ndërtimit të një shteti që fiton respekt në sajë të një pune të mirë.
Së pari, vetë buon sensi i bazuar në intuitën dhe në sadopak njohje të mënyrës se si funksionojnë shtetet e së drejtës dhe shtetet autoritare, të thotë se këto ultimatume të lenë shijen e keqe të një arrogance që synon të frikësojnë. Një shtet i së drejtës nuk funksionon me aksione frikësuese dhe taksidarë të shoqëruar me policë, por me punë të përditshme, që synon mbi të gjitha tu shërbejë njerëzve, tu rrisë mirëqenien, të fitojë respekt dhe jo t’i frikësojë ata, apo t’i përdorë si lopë për tu mjelur. Nuk mund të mos ngresh disa pyetje: Ku keni parë ju një shtet të së drejtës ku drejtori i policisë së shtetit (por qoftë ky edhe Kryeministri) udhëzon policinë të monitorojë prokurorinë dhe gjykatat? Kush na e jep ne garancinë se policia qenka më e ndershme se prokuroria dhe gjykatat? Në një vend ku sipas drejtorit të OSHEE ka rreth pesëqind gjashtëqind mijë lidhje të paligjshme si mund të futësh çdo shkelës në burg siç deklaron Ministri i Brendshëm? Ku i keni parë ju që për një kalim me të kuqe të semaforit apo për mungesë jeleku të marrësh gjoba që janë në mos sa rroga sa gjysma e rrogës mujore të një mësuesi apo mjeku? A nuk do të ishte më normale që shteti të bënte përditë punën me vjedhësit e energjisë dhe po ashtu të bëhej një fushatë sensibilizuese për nevojën e vërtetë të këtyre jelekëve dhe jo të kërcënoheshin njerëzit me ultimatume? Ka një parabolë të Krishtit në Ungjill që tregon për atë fshatarin që deshi të pastrojë krejtësisht arën e grurit nga egjiri dhe shkatërroi edhe grurin e që le mesazhin se nuk mund të bësh pastrim apo drejtësi absolute, lërja Zotit ta bëjë  atë. Dhe historia ka treguar se kush ka synuar pastrime të tilla ka bërë shumë më keq.
Së dyti, (lidhur me të parën): do të duhej, më së pari, që politikanët tanë të kishin treguar të paktën për një farë kohe  se janë ata respektuesit më të parë të atyre që predikojnë. Deri tani kjo nuk më rezulton. Në reporteri.al lexova psh. një shkrim të Besar Likmetës (sa për dijeni të atyre që nuk e njohin është fitues i CEI/SEMO për gazetari investigative) që përsërit edhe një herë faktin e përmendur në një shkrim të dy javëve më parë të botuar nga BIRN (agjenci investigative gazetarësh të Ballkanit) sipas të cilit OSHEE, ka bashkëpunuar me dy tregtarë të energjisë, EFT A.G dhe GSA – për të manipuluar rezultatin e tenderëve për importimin e energjisë elektrike, çka besohet se i ka sjellë konsumatorit një dëm prej 7.3 milionë eurosh, që s’krahasohet me asnjë nga vjedhësit për të cilët kërkohet dënimi 3 – 5 vjet. Thotë Likmeta: “Ka më shumë se njëzet vjet që një pjesë e shoqërisë paguan, jo vetëm për hajdutët e dritave, por edhe për luksin e politikanëve që ishin mbledhur në sallën e Pallatit të Kongreseve të dëgjonin fjalimin e Kryeministrit.”…“ka dhe një klasë me të madhe vjedhësish që Kryeministri bën sikur nuk ekzistojnë më, edhe pse kur ishte në opozitë, shpesh ai dhe deputetët e tij, i bënin fajtor për kolapsin e sistemit energjetik”.
Gjithë në këtë kontekst: është shumë e vështirë të besosh sot, sado mirëdashës të jesh ndaj qeverisë, se ky aksioni i jelekëve të verdhë dhe bombolave dhe kutive mjekësore nuk është një aferë midis atyre që e kanë urdhëruar dhe atyre që përfitojnë direkt nga ky operacion. E mendja nuk ka se si mos të të shkojë tek sponsorët e fushatave elektorale të partisë dhe në krejt sistemin klientelist korruptiv që, sipas Kryeministrit kur ishte në opozitë, qe fajtori kryesor për korruptimin e njerëzve.
Së treti, (lidhur me të dytën): që shteti të fitojë respektin do të duhej që paratë e mbledhura: - psh paratë e mbledhura nga ata që nuk paguajnë energjinë,- të shkojnë në përfitim të atyre që, sipas vetë fjalëve të Kryeministrit, kanë paguar për ata që nuk paguajnë. Mirëpo nuk rezulton kjo. Sepse bashkë me këtë aksion kundër shkelësve të ligjit njoftohet edhe heqja e fashës së 300 KWh për konsumatorët familjarë që kanë respektuar ligjin. Dhe, sipas kalkulimeve, del se me këtë heqje fashe ata që kanë paguar për ata që nuk kanë paguar përsëri do të paguajnë më shumë nga ç’kanë paguar, pra nuk përfitojnë asgjë, por humbasin. Po ashtu duhet që paratë e mbledhura nga policia e qarkullimit rrugor apo edhe paratë e mbledhura nga taksat më të shumta që do të paguajnë ata që na kanë shitur jelekët dhe kutitë mjekësore dhe ato bombolat, të konvertohen në shërbime më të mira përsa i përket cilësisë së trafikut, e vijave tëbardha e ndriçimeve, mundësive më të mëdha për parkim e më the të thashë. Deri më tani duket se këto para shkojnë në vrima të zeza. Ajo që shumëkush me të drejtë mund të mendojë është se ky është një aksion për të mbledhur para pjesa e luanit e të cilave (përveç borxhit që mbetet një problem shumë i madh e që s’më duket se mund të menaxhohet me të tilla aksione) do të shkojë në shërbim të oligarkisë që ka kapur shtetin.
Së katërti (lidhur me të tretën): Problemi i vjedhjes e mospagimit të energjisë është shumë i madh, kjo dihet, por ne jetojmë në një vend ku shteti është akuzuar vazhdimisht se është kapur dhe përdorur nga ata që e kanë kapur, edhe për të goditur në mënyrë selektive kundërshtarët, ku hyjnë edhe ata qytetarë që kanë mbështetur njërën parti apo tjetrën. Një aksion i tillë, pra, presupozohej se do të kishte dyshimin e reaksionin e gjysmës tjetër që është në opozitë – siç edhe ndodhi. U tha se për të zhvilluar këtë aksion janë ndërtuar komisione të përbërë nga OSHEE, policia dhe ekspertë. Personalisht kjo më duket se është tejet problematike përsa i përket aspekti ligjor, pasi këta duken si komisione revolucionare, si kontrollet punëtore në kohën e Enver Hoxhës që viheshin mbi institucionet dhe ligjin). Por edhe duke zbatuar këtë logjikë revolucionare, në një vend që pretendon të bëhet shtet i së drejtës, a nuk do të ishte më e udhës që të paktën të negociohej me opozitën dhe të kërkohej të futeshin edhe përfaqësues të opozitës në këta komisione, që të evitohej akuza për ndëshkime selektive?
Së fundi, por jo për nga rëndësia, ne kemi në pushtet një parti që jo vetëm ka premtuar “rilindje”, të shtetit, por që është edhe një forcë politike e majtë. Dhe është e mirënjohur tashmë që në vendet me demokraci, ku ka ende kuptim të qënit i majtë dhe i djathtë, një nga diferencat kryesore midis tyre është pikërisht fakti se nëse të djathtët u besojnë më shumë metodave tradicionale ku hyn psh. edhe ushtrimi i forcës për të zgjidhur probleme të tilla si kriminaliteti, e majta i mshon më shumë metodave edukative, përmirësimit të kushteve të jetesës, pra ndryshimit të kushteve që e bëjnë një njeri kriminel dhe jo dënimit të tij. Në këtë aspekt një qeverisje e mbështetur vetëm në policinë bëhet dy herë problematike për një forcë që pretendon se është e majtë.

Ndaj gjithë sa shkrova mbetet pyetja: po mirë çfarë na sugjeron ti të mbetet gjendja ashtu siç ishte? Absolutisht jo, besoj se nëpër rreshtat e kësaj kritike, kush do t’i lexojë ato ashtu siç janë shkruar, do të gjejë edhe shumë sugjerime se si do të duhet të veprohet jo vetëm që njerëzit të mos e vjedhin energjinë dhe ta paguajnë atë, por edhe që shteti të mos shihet si armik i tij nga qytetari, por me më shumë respekt. (Panorama, 30 Tetor 2014)

Atdhun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri tjetrin


1. Z.Lubonja i fajësuat edhe shqiptarët edhe serbët për atë që ndodhi në stadiumin ku u luajt ndeshja Shqipëri –Serbi duke thënë se të dy palët do të marrin dënimin e merituar për atë që ndodhi. A nuk filluan të parët serbët me  racizëm me thirrjet ‘Vrite, vrite shqiptarin, dhe thirrjen tjetër ‘Vrite shqiptarin që kroati të mbetet pa vëlla”?

Pyetja juaj më duket në vazhdën e thellimit të konfliktit. Jam kundër një gjëje të tillë e prandaj edhe në atë që shkruaj nuk merrem aq shumë me atë se kush e filloi i pari (ndonëse nuk e le pa vënë në dukje se ishin serbët) por se edhe ne kemi përgjegjësi për atë që ndodhi e se nuk po ndalemi as edhe një çast për të menduar për këtë, por vazhdojmë të merremi sot  e kësaj dite vetëm me temën se sa të poshtër janë armiqtë tanë, se ata janë vetëm xhelatë dhe ne vetëm viktima që vetëmbrohen. Ngjarja pati një pikë kulminante e cila e bëri edhe lajm botëror: e ky ishte fluturimi i hartës së Shqipërisë së Madhe mbi stadium dhe incidentet që e pasuan atë. Unë them se ai akt ishte i dënueshëm, duke patur parasysh kontekstin ku jetojmë, dhe ne duhet ta dënonim e jo ta festonim me një ethe nacionaliste revanshiste siç e festuam në Tiranë e Prishtinë.

2. Ju thatë se ata që kishin përgatitur kundërpërgjigjen me atë fluturaken me flamur- hartë nuk kishin menduar se kjo mund të nxisë  një valë antishqiptare në Serbi, a duhet tifozët, të cilëve nuk u interesojnë debatet intelektuale për nacionalizmin, është dashur të mendojnë për diçka të tillë?

Më vjen keq, por unë nuk them se kjo do të nxiste një valë antishqiptare në Serbi vetëm, por edhe në Greqi, Maqedoni, Mal të Zi dmth. kudo ku jetojnë shqiptarë në rajon dhe po ashtu do të na vinte në vështirësi edhe me Evropën. Dhe kështu ndodhi, apo jo? A duhet tifozët ta mendojnë se një akt i tillë përkeqëson marrëdhëniet e  shqiptarëve që jetojnë në këto vende me të tjerët dhe në përgjithësi vonon normalizimin dhe demokratizimin e rajonit? Kjo është njëlloj sikur të pyesësh: a duhet tifozët serbë të mendojnë se nuk duhet të ulërasin "vdekje shqiptarëve" në fushë. Sigurisht duhet ta mendojnë sepse, para se të jenë tifozë, janë qytetarë të një vendi. Dhe dua të shtoj se sipas meje atë akt dhe ato festime ne nuk duhet t'i kryenim, ashtu sikurse tifozët serbë nuk duhet të bënin ato që bënë, jo për të huajt, por për respekt për veten tonë mbi të gjitha. E keqja është se këta tifozë kanë një vetëdije politike dritëshkurtër dhe edhe më e keqja është kur politikanët nacionalistë ndjekin frymën e tyre të stadiumit në vend se ta dënojnë atë në emër të njerëzve që kërkojnë të jetojnë në paqe me njëri tjetrin, që jam i bindur se janë më të shumtit, pa çka se kjo frymë agresive nacionaliste shumë vetë i bën të heshtin e struken. 

3. Sigurisht që nuk ka një matës të nacionalizmit, për të matur urrejtjen ndërmjet  shqiptarëve dhe serbëve, por cili është opinioni juaj, i urrejnë serbët më shumë shqiptarët apo e kundërta?

Urrejtja është një ndjenjë e të dobëtit ndaj të fortit, që buron nga shtypja dhe frustrimi ndaj atij që të dhunon. Është një ndjenjë individuale më së shumti por që mund të marrë edhe përmasa kolektive, kur individët identifikohet me popullin  e tyre të viktimizuar. Po ashtu, urrejtja vjen edhe kur ndjehesh keq, i parealizuar, pa respekt për vetveten e për këtë kërkon të gjesh një fajtor të cilit i vesh tërë fajet për gjendjen e keqe. Në këtë aspekt ne jemi dy popuj të frustruar dhe në raste të caktuara, siç qe ky i ndeshjes, bëhemi pasqyrë e njëri tjetrit.  Prandaj më duket e vështirë të mas se cili e urren më shumë tjetrin. Varet nga periudhat historike. Ne në Shqipëri psh. kemi urryer diktaturën dhe diktatorin Enver Hoxha dhe veglat e tij më shumë se çdo gjë dhe i kemi pasur zili shqiptarët që jetonin në Jugosllavi. Atje shqiptarët kanë pasur të tjera ndjenja urrejtjeje.
Unë mendoj se sa më shumë të realizohemi si shoqëri dhe si individë, sa më shumë të fitojmë respekt për vetveten aq më shumë do të çlirohemi nga kjo ndjenjë e, kur të vijë puna për të urryer, nuk do të urrejmë popuj apo individë, por të keqen, ato fenomene, siç është nacionalizmi psh.,  që prodhojnë dhunë dhe shtypje të njeriut mbi njeriun dhe frustrim, kudo qofshin këto. Kjo do të na bëjë të jemi edhe më të hapur ndaj njëri tjetrit.


4. A po e helmon Kosova me nacionalizëm Shqipërinë, pasi disa në Kosovë po thonë se Shqipërisë ‘nuk po i shkon për fytyre’ nacionalizmi?

Shqiptarët e Shqipërisë kanë qenë gjithmonë nacionalistë sepse ideologjia e Enver Hoxhës ka qenë nacional stalinizmi që i ka bërë shqiptarët të jetojnë - siç e kam shkruar në një ese - "midis lavdisë së një bote virtuale dhe mjerimit të një bote reale". Kam parasysh me këtë vetëmburrjet e asaj kohe, historitë e trimërisë së popullit shqiptar në shekuj, nën shembullin e të cilave ne i rezistonim imperializmit dhe social imperializmit, qëndronim si shkëmb graniti apo si kështjellë ndaj sulmeve të armiqve… e të tjera si këto që nuk na linin të kuptonim se si, pastaj, ndodheshim kaq poshtë nën thundrën e një diktature mizore e në një gjendje varfërie ekstreme. Ka qenë një ideologji pushteti kjo që i shërbente atyre që në fakt e kishin izoluar Shqipërinë nga bota. E kam quajtur këtë një nacionalizëm vetëshkatërrues që vriste më së shumti shqiptarët brenda në emër të atdheut sesa armiq të jashtëm. Dështimin e tij e tregoi eksodi tragjik i shqiptarëve në vitet 90 - 91.
Nacionalizmi që shoh sot në Tiranë është një variant i këtij nacionalizmi vetëshkatërrues.  Ata që e promovojnë më së shumti janë njerëz që, sikurse e them dhe në shkrim, nuk i kam parë të bëjnë një akt të vetëm sakrifice për këtë vend, por veç çfarë t'i zhvatin atij. Duke tundur një flamur e duke thënë "oh sa mirë me ken shqiptar" duan të na mbushin mendjen se janë njerëz të mirë e që e duan atdheun. Por ju siguroj unë se janë teatralë, se thellë thellë nuk kanë respekt as për këtë vend, as për njerëzit e tij e as për veten e tyre se po t'i kishin këto nuk do të bënin bëmat që kanë bërë. E keni dëgjuar besoj Berishën që shkoi e tha në Mynich se është e papranueshme që shqiptarët të jetojnë në pesë shtete, duke lënë pa gojë kryeministrat evropianë. Është e lehtë të lëshosh mufka të tilla, veçanërisht kur s'të marrin as seriozisht. Por nëse ka pasur njeri që mund të bënte diçka për Shqipërinë në këta njëzet e kusur vjet ka qenë Berisha dhe çfarë bëri. Në vitet 90, nga etja e tij e shfrenuar për pushtet, e çoi vendin në greminë dhe shqiptarët të mbyten në det. Në tetë vjetët e dyta nuk la lum,  e mal, e kodër të këtij vendi pa shitur nga etja e panginjur për para e pushtet.   Prandaj them unë se nacionalizmi është streha e fundit e horrave. E këta horra nuk kemi pasur nevojë t'i importojmë nga Kosova se kemi boll vetë. Sigurisht duke u bërë bashkë bëhen edhe më të rrezikshëm për shqiptarët si këtej edhe andej kufirit.

"Atdhun do ta doni më shumë kur të doni më shumë njëri tjetrin." Ja, kjo thënie  e Nënë Terezës - që ia tha një gazetareje shqiptare si përgjigje kur ajo i tha se "feja e shqiptarit është shqiptaria" u duhet sot shqiptarëve dhe jo hartat me një Shqipëri të Madhe të cilën, në realitet, po vazhdojnë ta braktisin këtej dhe andej kufirit pikërisht nga kjo mungesë dashurie për njëri tjetrin. (Intervistë dhënë gazetës Ekspress, 23 Tetor 2014)

Wednesday, October 22, 2014

Të mbytesh në një fushë futbolli



Ndeshja Serbi-Shqipëri më gjeti në Britani, ku sapo kisha mbërritur, i ftuar me rastin e botimit atje të librit tim “Nëntëdhjeteshtata - Apokalipsi i Rremë”. Të tjera mendime pra më silleshin në kokë nga ato të tifozëve kuq e zi. Megjithatë, edhe pse i zhytur në punët e mia, e nuk mund ta ndiqja ndeshjen, isha kurioz dhe, sapo u ktheva në hotel, hapa një faqe interneti shqiptare për të parë rezultatin. “Serbi –Shqipëri 0-3”…ishte titulli. Paska ndodhur mrekullia, thashë me vete, u paskemi shënuar serbëve tre gola në fushën e tyre!
Klikova për të parë se si kishte shkuar ndeshja dhe, ç’të shihja. Ajo nuk kishte përfunduar, por sapo kishte filluar. Nisa kështu të ndjek lajmet dhe videot nëpër internet. Pashë ato që i kanë parë të gjithë, por që nuk i kemi përjetuar njëlloj më duket. Personalisht, sa më shumë mësoja, aq më shumë më kapte një ndjenjë ku pleksej habia, befasia me zhgënjimin. E them këtë pasi ka vite që e konsideroj veten ndër ata që punojnë për të ndërtuar në Shqipëri dhe në Ballkan një realitet ku personaliteti, dinjiteti dhe mirëqenia e njeriut, respekti për tjetrin, afirmimi nëpërmjet punëve të mira të jenë më të rëndësishëm sesa identiteti apo krenaria boshe kombëtare e shprehur në një fushë futbolli. Kurse ajo që pashë ishte mbytja e të gjithëve në një fushë futbolli – nëse mund të perifrazoj shprehjen: “të mbytesh në një gotë ujë”.
Sa më shumë ndiqja lajmet e komentet, aq më shumë ndihesha si një humbës i pafuqishëm përpara një mase të madhe të ekzaltuarish, të çmendurish, të izoluarish, të vetizoluarish nga bota që kishin pushtuar jo vetëm Beogradin, por edhe Tiranën e Prishtinën, jo vetëm shkallët e stadiumeve, por edhe rreshtat e gazetave e të rrjeteve sociale. Jo se nuk i njoh ndjenjat e urrejtjes nacionale, të mburrjes nacionale apo të frustrimeve nacionale të ballkanasve, por e mendoja të tejkaluar mundësinë e një ngjarjeje të tillë. Dhe, s’kam parasysh vetëm fushën, por, më së shumti, atë që ndodhi e po vazhdon edhe pas saj. Nuk mund të gjesh shembull më të mirë për ta ilustruar thënien e Jaspersit: “Tragjedia fillon atje kur të dyja palët e identifikojnë veten me të vërtetën”. Mund të ishte edhe më e saktë po të thuhej: kur të dyja palët e identifikojnë veten me gënjeshtrën dhe manipulimin që u bëhet.


Dy popuj të frustruar
Është më e lehta të rreshtoj në këtë shkrim ato që janë thënë për tifozët serbë dhe politikanët serbë. Mund të ndihesh rehat i rreshtuar në numrin e panumërt të shqiptarëve patriotë. Prandaj nuk dua të zgjatem me ta e përgjegjësitë e tyre për këtë që ndodhi. Në fakt, që kur u hap lajmi se serbët kishin kërkuar që të mos kishte tifozë shqiptarë, u bë e qartë se ata nuk u trembeshin shqiptarëve, por tifozëve të tyre; çka flet shumë për atë që serbët e jetojnë me një frustrim të madh çka u ka ndodhur në Jugosllavi duke e gjetur gjithë të keqen jashtë tyre, te fqinjët e tyre dhe te Evropa, ndërkohë që janë protagonistët numër një. Sepse është e papranueshme që pas tragjedive që kanë ndodhur të lëshohen në një stadium thirrje vdekjeje për fqinjët. Por u takon më së shumti intelektualëve serbë të mbajnë qëndrim për këtë dhe për fat të mirë ka syresh.


Po me shqiptarët ç’ke? Më duket se i dëgjoj patriotët të më thonë. Nuk e kam aq shumë me ata mendjendritur që kishin përgatitur kundërpërgigjen me atë flamur-hartë të Shqipërisë së Madhe, pa menduar asnjë çast se kjo mund të ndizte një valë antishqiptare në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e Greqi dhe do të na vinte në pozitë të vështirë përpara Europës, paçka se është tejet e ekzagjeruar të thuash se kjo synonte të destabilizonte rajonin. E kam me ata shqiptarë që ndërtojnë opinionin që këtë hartë e quajtën vazhdimisht “flamur shqiptar” dhe që mbrojtjen e saj nga futbollistët tanë e festuan si akt heroik, si fitoren e ndeshjes. E kam me ata politikanë, gazetarë e persona publikë që u shkrinë me pasionin e tifozerisë patriotike dhe që nuk guxuan të thonë se ky ishte një akt i dënueshëm. E kam edhe me ata që nuk lanë gjë pa thënë për ata evropianë që nuk u shprehën ashtu si donin ata të shpreheshin për këtë akt duke iu kthyer edhe një herë shprehjeve të rrënjosura “Evropa kurvë” e ku di unë. E kam me ata që kërcënonin deri Kryeministrin tonë - që po të shkonte në Beograd do të bënte mirë të mos kthehej më prej andej. Edhe këto janë shenja të një frustrimi të madh. 

Hej djema, a e dini se në vitin 1969 ka ndodhur një luftë e vërtetë midis Salvadorit dhe Hondurasit, që mori shkas nga ndeshjet kualifikuese për në Kampionatin Botëror të vitit 1970? Sigurisht, shkaqet ishin më të thella, por lufta me viktima të shumta mori flakë nga konflikti midis tifozëve në dy stadiumet rivale. A doni vërtet të na çoni në luftë? 

Streha e fundit e horrave

Ditën që luhej ndeshja kisha bërë një shkrim që ia dërgova “Panorama”-s. Ishte mbi përgjimet që na kanë bërë; gjë kjo jo e vogël sipas mendimit tim, madje shumë më e rëndësishme sesa të humbësh një ndeshje futbolli, qoftë kjo edhe me Serbinë. Duke parë valën nacionaliste që kishte shpërthyer, kryeredaktori më kërkoi ta shtynte botimin. Rashë dakord. E botoi pas tri ditësh dhe komentet ishin: ç’janë këto gjëra që na shkruan ti more ndërkohë që ne kemi këtë hall të madh? Ishte prova më e mirë se mjafton të ndezësh një pasion futbollistiko- nacionalist dhe i ke mbuluar tërë problemet, tërë çarjet e përçarjet; mund të të përgjojnë, mund të të vjedhin, mund të të shkatërrojnë qytetin, të të lënë pa punë, por kjo s’ka rëndësi sa kohë që kokën e ke të mbushur me urrejtje për armikun.
Duhet ta rikujtojmë vazhdimisht thënien “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave”. Ndërkohë që kemi aq shumë probleme brenda vendeve tona që kërkojnë pasion e vullnet për t’i zgjidhur, sakrifica po ashtu, i kanalizojmë pasionet në një absurditet si ai që pamë. Por kjo nuk është rezultat i një çasti, i një rastësie, që, siç thonë disa, do të ishte evituar sikur të mos na binte shorti i ndeshjes me Serbinë. Kjo është rezultat i një kohe të gjatë që jemi në krizë morale, ekonomike, politike. Manipulimi me idenë se nxitja e nacionalizmit, gjetja e armikut jashtë nesh është një nga mënyrat për t’u ikur këtyre problemeve dhe krizave, është praktikë e njohur që aplikohet në mënyrë koshiente dhe inkoshiente sapo shfaqet rasti. Ka shumë nga ata që pasi nuk kanë lënë gjë pa bërë për t’u pasuruar vetë duke rrënuar këtë vend, kërkojnë të na dalin tani si patriotë e shpëtimtarë kundër serbëve nëpërmjet një ndeshjeje futbolli. Por po t’u kërkosh se çfarë akti të mirë kanë bërë brenda vendit për shqiptarët, zor se do t’u gjesh një të vetëm. Se ç’ishte një biznesmen që u jepte lojtarëve një shumë të hatashme po të fitonin. Po e pyes atë: Po pse s’i jep ti ato para për të ndërtuar një shkollë për fëmijët shqiptarë që janë nga 50 në një klasë? 

Shqipëria e Madhe
Nuk mendoj se ideja e Shqipërisë së Madhe përbën një rrezik real siç u fry në këtë rast, pasi shumica e shqiptarëve janë të vetëdijshëm për problematikën e madhe që ajo mban. Por është shqetësues fakti se ushqimi i një ideje të tillë ndikon për të mbajtur vështrimin e shumë shqiptarëve në një drejtim të gabuar. Aq më tepër të të rinjve që duket sheshit se janë në krizë. Unë ngulmoj në mendimin se konteksti gjeopolitik e kulturor ku ndodhemi nuk është ai ku Skocia voton paqësisht me referendum për shkëputjen nga Britania dhe skocezët nacionalistë e pranojnë humbjen pa problem. E tregoi edhe kjo ndeshje se çfarë hendeku na ndan nga bota ku duam të hyjmë. Prandaj mendoj se ne shqiptarët kemi nevojë për një shtet më të mirë, për njerëz më të mirë, më të arsyeshëm, më të kulturuar; se për këtë duhet t’i hedhim energjitë dhe pasionet dhe jo për një shtet më të madh; se nuk mund t’i zgjidhim problemet e shumta që kemi nëpërmjet zmadhimit të territorit, përkundrazi, kjo luftë e armiqësi me fqinjët do ta vononte ndërtimin e një shteti më të mirë kudo ku jetojnë shqiptarët. Dhe, gjithë në këtë kontekst, mendoj se një nga rreziqet që paraqet kjo valë nacionalizmi futbollistik janë edhe frustrimet që krijon brenda vendit flaka nacionaliste që u ndez në Tiranë. Ajo rrezikon më së shumti të djegë vetë shqiptarët ngase mund të mbysë zërat racionalë që kërkojnë shtetin më të mirë, jo shtetin më të madh, paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë në Ballkan, dhe jo urrejtjen dhe konfliktet, që kërkojnë njeriun që ngrihet lart nëpërmjet punëve krijuese e ndërtuese, dhe jo njeriun që kërkon të duket nëpërmjet luftërave e konflikteve shkatërruese. E pamë se ku e çoi Serbinë ky njeri. 

Kjo klimë vë në rrezik deri lirinë e fjalës. Ishte e pabesueshme se si ishin çmendur të gjitha masmediat shqiptare në mbulimin e kësaj ngjarjeje ku gazetarët më së shumti rendnin për të treguar se cili është më patriot se tjetri. Ishte një provë dramatike se elita jonë ka mbetur ende e izoluar dhe me sindromën e shekullit të kaluar të intelektualit që ndien si detyrë të parë të mbrojë kombin e vet të viktimizuar nga të tjerët me çdo mjet, qoftë edhe duke humbur edhe atë që duhet ta karakterizojë: inteligjencën.
Siç ka treguar jo një herë historia, në këto situata gjëja më e lehtë është të shkrihesh me turmën dhe euforinë e saj, kurse më e vështira, por edhe më e rëndësishmja, është të kërkosh ta ndalësh marrëzinë; në rastin konkret të thuash se kemi edhe ne përgjegjësinë tonë, se nuk duhet të festonim pas asaj që ndodhi, por të ndiheshim keq. 


Elitat politike
Nuk dua të mendoj kurrsesi se mund të identifikohet e gjithë Serbia me dhunën dhe urrejtjen që demonstruan tifozët serbë në stadium, ashtu sikurse nuk mund t’i identifikoj tërë shqiptarët me ata që bënë provokimin e papërgjegjshëm dhe festuan në mënyrë të papërgjegjshme një ngjarje që meritonte shqetësim të thellë. Por gjithsesi, mendoj se elitat politike në Shqipëri dhe Kosovë kanë një përgjegjësi të madhe për këtë që ndodhi. Ajo më kryesorja, sipas meje, ka të bëjë me gjuhën e dyfishtë që përdorin: një për brenda përbrenda vendit ku dominojnë thekse nacionaliste e fjalë të mëdha për bashkimin (mjaft të kesh parasysh takimin që u krye midis dy qeverive në Prizren para disa muajsh) dhe një tjetër për ndërkombëtarët, për paqen, bashkëpunimin dhe integrimin evropian, por ndërkaq duke ua bërë me sy shqiptarëve se këto janë sa për sy e faqe. 

Unë gjykoj se është e rëndësishme të ndryshohet kjo gjuhë e dyfishtë duke njehsuar atë që thuhet për jashtë me atë që thuhet brenda vendit mbi të gjitha. E kjo s’bëhet me batuta si ato të Edi Ramës në Twitter që kërkojnë t’ua hedhin të dyja palëve, por duke u folur njerëzve me guxim, me bindje e sinqeritet se e ardhmja e këtij rajoni nuk duhet të njohë më luftëra e urrejtje, por punë, krijimtari e paqe. E për këtë nuk mjaftojnë takimet e liderëve që i bëjnë sa për të gënjyer Europën, por duhet takimi i njerëzve të çliruar nga ndjenjat e frustrimit dhe urrejtjes për njëri-tjetrin. Dhe kjo arrihet duke punuar përditë brenda vendit për njerëz më të mirë e më të kulturuar. Shpresoj se Rama do të shkojë në Serbi me një reflektim të thellë për këtë, dhe jo si përfaqësues i të papërgjegjshmëve që kërkojnë që ndeshjen në një fushë futbolli ta transferojnë në një luftë ushtrish të të dyja vendeve. 
Evropa e dobët
Sipas meje, për gjuhën e dyfishtë të politikanëve ballkanas, që ka ndikuar shumë në këtë që ndodhi, nuk mund të mos fajësohet edhe Evropa, me ambiguitetet dhe kontradiksionet që ekzistojnë brenda saj, duke hyrë edhe ajo në një periudhë krize duke humbur autoritetin dhe atraktivitetin e saj, madje duke u infektuar edhe ajo nga nacionalizma gërryese e përçarëse.
Kjo që ndodhi shpresoj se do t’i bëjë evropianët të mendojnë pak më me përgjegjësi. Për fat të mirë e të keq, arbitri i kësaj çështjeje mbeten ata, pasi ne nuk jemi në gjendje të marrim fatet tona në duar. Sipas meje, të dyja palët do të marrin një shuplakë të merituar. Serbët për mënyrën se si i pritën shqiptarët në stadium, për fishkëllimin e Himnit kombëtar, për thirrjet “vdekje shqiptarëve”, për dhunën që shpërthyen duke treguar se në Serbi është punuar pak për të dekontaminuar shoqërinë nga nacionalizmi serb që është përgjegjësi kryesor i tragjedisë që ndodhi në ish-Jugosllavi, kurse shqiptarët për provokimin e papërgjegjshëm me hartën e Shqipërisë së Madhe, por më së shumti për papërgjegjshmërinë me të cilën e trajtuan më pas tërë ngjarjen, me festimet absurde nacionaliste dhe mungesën e një reflektimi sado të vogël mbi përgjegjësitë e tyre për këtë që ndodhi. (Panorama, 21 Tetor 2014)




Historia e përgjimeve nuk mund të lihet kështu


Para disa ditëshë në emisionin Opinion te Fevziut mbi përgjimet e SHIK-ut u tha midis të tjerash se ndër gazetarët e përgjuar bën pjesë edhe Fatos Lubonja.
Ishte një pohim i hedhur si shumë pohime që u hodhën në atë emision, që mbeti pezull, pa patur një përgjigje duke ushqyer edhe ai thashethemajën rreth kësaj teme që u hap së fundi në këtë vendin tonë ku e vërteta dhe gënjeshtra luajnë si macja me miun ne mendjet e shumë njerëzve.
Sigurisht nuk është ndjenjë e mirë të dëgjosh se je përgjuar, veçanërisht kur mendon se nuk bën ndonjë aktivitet kriminal në jetë që të të bëjë të rrezikshëm për shoqërinë. Është po ashtu shumë e pakëndëshme të jetosh me hamendjet, që mund të çojnë deri në paranoja, nëse je përgjuar apo nuk je përgjuar në të kaluarën, nëse përgjohesh apo jo edhe në këtë moment. Përgjimi i pamerituar dhe i pa mbështetur në ligj është një dhunim i të drejtave të njeriut, një dhunim i privatësisë që përbën krim. Jo vetëm, por nuk mund të mos mendosh: kush janë këta që i jepkan vetes të drejtën të të përgjojnë? A nuk mund të presësh edhe më keq nesër prej tyre, në kuptimin e kërcënimit që i bëjnë lirisë dhe demokracisë? Prandaj dhe nuk arrij të kuptoj përgjigjen e Ilir Metës që u shpreh me humor për përgjimet që i qenkan bërë edhe atij, sipas këtij lajmi, ndërkohë që, sipas meje, do të duhej të mërzitej e shqetësohej tre herë, për veten, për ligjin dhe për ata që përfaqëson.
Nga sa dëgjova në Opinion dhe nga sa jam informuar më rezulton se variantet se si mund të kem rënë në përgjim – gjithmonë nëse kjo është e vërtetë, por tek e fundit këtë shkrim nuk po e bëj për veten, por po nisem nga vetja për të përgjithësuar problemin – janë disa.
Së pari, është varianti i përgjimit të ndonjë individi për të cilin është lëshuar një leje përgjimi nga organet kompetente pasi ka të dhëna se ai mund të merret me ndonjë aktivitet kriminal. Dhe, sikurse merret me mend, ky ka telefonuar edhe me persona të ndryshëm për punë të ndryshme të cilët, dashje pa dashje, janë regjistruar.
Por nuk është vetëm ky varianti i përfolur e që duket se është i ligjshëm. Është përfour edhe një variant sipas të cilit  personi është përgjuar me ligj, dmth duke u gjetur një vjegë ligjore, por jo për shkak të ndonjë aktiviteti kriminal, por për shkak të  paranojave të të pushtetëshmëve  (akuza kryesore bije mbi Sali Berishën) që kanë dhënë ndonjë urdhër apo pse ndonjë punonjjës apo drejtues i SHIK-ut ka bërë të zellshmin.
Por ka një variant edhe më të keq akoma: kur përgjimi është bërë pa u marrë asnjë leje, thjesht me urdhër verbal nga lart duke qenë se personi duhet përgjuar.
Nëse do të më thonin se jam përgjuar sepse ka ndodhur që më ka telefonuar një person i ndjekur për një lloj krimi atëhere do të më brente dyshimi se cili është ky person, pasi, tek e fundit, një shoqëri e tillë është sadokudo një rrezik. Por gjithsesi do të isha i qetë për dy arësye: së pari sepse nuk është përgjuar telefoni im, por i atij, pra nuk jam përgjuar në çdo orë e minut dhe për çdo telefonatë, duke mu dhunar privatësia dhe intimiteti dhe, së dyti, sepse do të mendoja se megjithëse nuk është e këndëshme gjithsesi të përgjohesh, ndoshta në këtë rast përfitimi është më i madh sesa dëmi pasi këto telefonata direkt apo indirekt kanë shërbyer për të thelluar pozicionin e një personi të dyshuar për ktim.
Megjithatë në këtë rast unë nuk mund të mos ngre pyetjen. A ka qenë funksional SHIKU në përgjimin e këtyre personave të lidhur me krimin? Cilat janë rezultatet që të mund të justifikohet edhe fakti që ne paguajmë taksa për punonjësti e SHIK-ut apo edhe fakti se jemi vënë edhe ne indirekt në përgjim? Aq më tepër kur, nga sa di unë, në rastet kur ka të dhëna të tilla informohet edhe Kryeministri edhe Presidenti dhe Kryeministri ka për detyrë të urdhërojë ndjekjen apo thellimin e çështjes.
Nga sa më rezulton mua rezultatet janë shumë të dobëta duke patur parasysh nivelin e kriminalitetit që ka në vend. Për këtë mendoj se duhet të bëhet një lloj transparence. Dhe, duke ngritur këtë problem, nuk mund të mos sjell ndërmend  se ka qenë një kohë e qeverisjes së parë të Sali Berishës kur përgjoheshin gazetarë e politikanë (ka prova për këtë edhe pse nuk janë bërë shumë publike) dhe ndërkaq nuk hetohej se si punonin piramidat financiare dhe cilët ishin bosët e tyre. Me pasojat që dihen.
Përsa i përket dy varianteve të tjera nuk di të them se cili është më i keq: rasti kur SHIKU ka gjetur një vjegë ligjore për të futur në përgjim një person, me synim ndjekjn e aktivitetit të tij politik apo gjetjen e ndonjë fakti komprometues për të mundur shantazhimin e tij apo rastin kur përgjimi është bërë me urdhër verbal pa u merakosur fare për të gjetur ndonjë pretekst. Për të parin di të them se duhet të ketë mjete ligjore që të investigohet kjo nëpërmjeet shqyrtimit të lejeve të përgjimit që kanë dhënë organet kompetente. Askush nuk mund të jetë jashtë parimit të check and balance në një demokraci, e aq më pak SHIKU që ne na kujton edhe kohë të mbrapshta.
Për rastin e dytë mund të them se është më vështirësisht i investigueshëm sepse ata që kanë urdhëruar përgjimet dhe ata që i kanë kryer pa u merakosur për ligjin ndoshta i kanë fshirë gjurmët e në këtë rast kemi të bëjmë me një krim të pastërt, që mund të zbulohet e mund të mos zbulohen, por si çdo krim nuk mund të mos ketë lënë asnjë gjurmë dhe shteti duhet të ketë mjete për të hetuar edhe për këtë rast.

Gjithsesi kjo histori nuk mund të mbetet kështu as në hije as në dritë. Ne, si qytetarë dhe si taksapagues, kemi të drejtë të dimë se si funksionojnë institucionet tona për mbajtjen e të cilëve paguajmë taksa. Nëse kjo histori mbetet kështu shumë shpejt do të lindin dyshime të tjera që do ta helmojnë edhe më klimën tejet të helmuar. Për shembull do të lindin dyshimet se maxhoranca dhe Kryeminstri nuk bëri transparencë ose pse janë të përfshirë vetë në përgjime që i komprometojnë ose pse nuk kanë synim ndërtimin e një Shërbimi Sekret që t’i shërbejë luftës kundër krimit dhe terrorizmit, por kanë synim ta kapin SHIK-un për ta përdorur për vete ashtu siç kanë akuzuar paraardhësin. (Panorama, 18 tetor 2014)