Wednesday, October 14, 2015

Afera CEZ dhe Reforma në Drejtësi


Kush kërkon të masë se sa ka ecur Shqipëria nga shteti totalitar në drejtim të shtetit të së drejtës, apo në çfarë drejtimi ka ecur, duhet t'i referohet skandalit CEZ dhe luftës politike që po zhvillohet rreth tij, si një test bazë i vitit 2015 që shënon një çerek shekulli nga fillimi i kalimit nga partia shtet në pluralizëm politik.  Ky test duhet tu shërbejë shumë edhe atyre që po merren sot me të ashtuquajturën reformë në drejtësi.
E pra për mua ky test jep të dhëna dramatike. Ai tregon se struktura e sistemit të kaluar të partisë shtet vazhdon të dominojë strukturën e sistemit aktual jo vetëm përsa i përket raportit piramidal të pushteteve, por edhe përsa i përket mendësisë që buron prej këtij raporti, që, në një rreth vicioz, mbështet strukturën piramidale. Flas për mendësinë pasi për mua është skandaloz fakti  që shumica e atyre që plazmojnë opinionin publik, me në krye partitë, po përdorin një gjuhë enveriste në analizimin e skandalit ÇEZ. Ç’dua të them me këtë? Të gjithë ata që e kanë jetuar kohën e diktaturës dhe veçanërisht pastrimet e njerëzve të pushtetit e kujtojnë mirë se, kur bëhej fjalë për zbulimin e armiqve dhe dënimin e tyre, këta i zbulonte partia dhe udhëheqësi kryesor dhe po ashtu i dënonte partia. Kurse Drejtësia ishte thjesht ekzekutorja e vendimeve të marra në Plenium, në Byro apo në shtëpinë e Enver Hoxhës. Edhe kur bëhej fjalë për faljen apo riabilitimin e tyre edhe kjo ishte një punë e partisë. Drejtësia punonte disi më e lirë vetëm mbi ata që kryenin krime që quheshin ordinere, por edhe në këto raste biografia politike ishte shumë e rëndësishme në vendimet që merreshin.
Në thelb e njëjta mendësi po reflektohet edhe në këtë rast. Publiku u ndesh me një megaskandal vjedhjeje, ku dalin të përfshira të tre partitë kryesore, liderët e tyre dhe oligarkët rreth tyre. Mirëpo ky skandal nuk u vendos në kontekstin e një shteti demokratik, si një çështje e drejtësisë, si krim ordiner, por i gjithë skandali u vendos - në praninë e një Drejtësie krejtësisht impotente që e ndjek atë si spektatore - në kontekstin e luftës politike për pushtet midis të fortëve të partive: se kush do të fitojë dhe kush do të humbasë, se kush e ka bërë intrigën apo se çfarë thonë ndërkombëtarët. “Pakt midis Ramës dhe Bashës për likuidimin e Metës”, “Detantë midis Ramës dhe Metës”, “Rama shkon në zyrën e Metës”, “Meta i kërkon Ramës kokën e dy ministrave”. Këto janë disa nga kryetitujt e aferës ÇEZ që u janë transmetuar njerëzve me një gjuhë që jo rastësisht të kujton likuidimet e dikurshme, ndërkohë që fakti i megavjedhjes shërben thjesht si pretekst për luftë dhe mund të harrohet krejt në momentin që këta vendosin të bëjnë paqe. Dhe ndërkohë shohim që prokurorët tanë, me urdhër të kryetarit të këtyre luftëtarëve nxitojnë tu venë prangat gjynahqarëve që s’kanë  paguar një faturë energjie.
Sigurisht ky sojsorrollop prokurorësh e gjyqtarësh enveristë ngjall neveri. Por ama, ashtu sikurse kur gjykojmë sistemin enverist themi se e keqja e ka pasur një jerarki, edhe e keqja e sotme e ka një të tillë, e, pa dyshim, kokë e së keqes sot nuk është Drejtësia, sikurse po kërkojnë të na e shesin reformatorët e rrejshëm të saj.
Çështja e drejtësisë sipas meje duhet të shtrohet ndryshe dhe sipas një arsyetimi shumë të thjeshtë. Ne synojmë të bëjmë shtet të së drejtës. Kjo do të thotë t’u heqim pushtetin të fortëve dhe t’ia japim atë ligjit. Atëherë, që të arrijmë këtë, duhet të përcaktojmë se cilët janë të fortët sepse pikërisht atyre duhet tua heqim pushtetin. Dhe testi ÇEZ flet qartë se këta të fortë nuk i përkasin, Drejtësisë por janë autorët e megavjedhjes me në krye liderët e partive. Kurse drejtësia ka mbetur, si dikur, në rolin e pushtetit më të dobët, më saktë të shërbëtorit, instrumentit të tyre.
Sigurisht ka disa ndryshime me të kaluarën enveriste. Drejtësia nuk sundohet më nga partia e vetme e Enverit, por nga disa parti të lidhura me një numër oligarkësh, pronarë dhe jo pronarë mediesh. Kjo bën që, kur bëhet fjalë për luftëra politike si kjo, nuk kemi më propagandën mediatike të një partie, por të disave, të cilat kanë fuqi ta nxisin apo frenojnë veprimin e Drejtësisë varësisht nga raporti i forcave midis tyre. Këto raporte deri tani kanë diktuar një pakt të heshtur midis këtyre partive dhe Drejtësisë sipas të cilit politikanët mund të bëjnë shfaqje në Parlament duke akuzuar njëri tjetrin për vjedhje milionash, por drejtësia nuk ka kurrsesi të drejtë të fusë hundët në këtë shfaqje. Banga e të akuzuarit për ta mund të jetë vetëm në Parlament sepse krimet e tyre mund të jenë vetëm politike jo ordinere, pra s'mund të jenë tagër i Drejtësisë sonë. Sa për sy e faqe herë pas  here në këtë shfaqje në Parlament bëhet edhe thirrja që akuzat e tyre t'i shkojnë drejtësisë ndërkombëtare sepse të gjithë e dinë se kjo është e pamundur. Edhe akuzat për vjedhje janë thjeshtë pretekst për luftë politik. Prandaj dhe vjen justifikimi: kjo po më bëhet për arsye politike. Dhe fatkeqësisht, siç e tregon afera CEZ, kjo është e vërtetë pasi nga dhjetë kompani që janë të përfshira në megavjedhjen përmendet vetëm njëra duke krijuar idenë se po grinden se njëri nga krerët e partive nuk i ka qëndruar paktit të ndarjes së plaçkës dhe se për këtë po instrumentalizon drejtësinë kundër tjetrit për çka destabilizim. mirëpo ky tjetri kërcënon me destabilizim duke rikthyer stabilitetin e vjetër.
Ndërkaq, në këtë kontekst, po flitet për një reformë në Drejtësi duke u përhapur ideja se burimi i të keqes në Shqipëri është Drejtësia, "e degjeneruar” - siç u shpreh kryetari i kastës. Për fat të keq në këtë lojë të Kryeministrit janë futur edhe ndërkombëtarët, pa kuptuar se ajo që kërkon ai, duke sulmuar kësisoj Drejtësinë, nuk është heqja dorë nga pushteti personal për t'ia dhënë këtë ligjit, por që të bëhet ai garanti i vetëm i drejtësisë, që do të thotë që drejtësia të prishë paktin me partitë e tjera dhe të bëhet instrument vetëm i tij.  Ideja që po tenton të shesë Kryeministri për të arritur këtë qëllim është ajo sipas së cilës ndërkohë që anija e politikës (së tij) ecën përpara ajo e drejtësisë tërheq nga prapa, sepse është e degjeneruar. Mirëpo të thuash që e keqja e këtij vendi vjen nga drejtësia është sikur të thuash se fajin që këta na kanë vjedhur miliona nëpërmjet CEZ-it e ka Drejtësia, dhe se lekët e vjedhura i ka futur në xhep Drejtësia.
E vërteta, siç e provoi edhe rasti i fundit ÇEZ, është e kundërta: është anija e politikës ajo që tërheq e para nga e keqja, vjedhja, kurse Drejtësia i vjen prapa nga halli apo nga qejfi. Madje edhe pushteti i katërt, ai mediatik, është më i fortë se Drejtësia në këtë tërheqje drejt vjedhjes, pasi është edhe më i lidhur me këto parti/banda. Prandaj unë ngulmoj se nuk mund të ketë vendosje të ligjit në pushtet me Drejtësisë si ruajtëse dhe shërbëtore të tij, nëse nuk u heqim pushtetin partive banda/shtet që sot mund të kenë në krye Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën, Luzim Bashën dhe nesër të tjerë duke bërë ndarjen e pushteteve që këta vazhdojnë t'i mbajnë nën kontroll.
Dikush në këtë pikë të argumentit mund të thotë: po pikërisht Drejtësia është ajo që duhet të veprojë e t’i procedojë e t’i dënojë këta, duke e prishur rrethin vicioz e duke bërë, kësisoj, që të mos guxojë kush t’i hyjë politikës për të vjedhur. Kundër këtij argumenti është ai që thashë më lart, se këta, duke qenë më të fortë se Drejtësia, pasi tek ne vazhdojnë të funksionojnë strukturat e mendësia e partisë shtet, kanë pushtet ndaj saj. Këtë e përforcon edhe argumentin se janë po këta që kërkojnë drejtësi ndërkombëtare duke e konsideruar drejtësinë tonë instrument të qeverisë. Shtoi këtij edhe argumentin se para pak kohësh kur nga ndërkombëtarët, e besuar si arbitër i paanshëm, doli një raport (ai i OSBE-së) që i akuzonte për të korruptuar këta shpejt e shpejt i delegjitimuan duke i akuzuar si vegël të tjetrit. Dhe kështu vijmë tek rrethi vicioz që duhet këputur dhe tek pyetja se nga duhet filluar këputja. Sipas meje, po t’i referohemi edhe historisë së heqjes së pushtetit nga njeriu dhe dhënies të tij ligjit në vende të tjera, kjo këputje duhet të fillojë nga politika. Në njërën nga demokracitë më të vjetra në botë, atë Britanike, kjo punë është kryer duke ia hequr pushtetin mbretit nëpërmjet Revolucionit të Lavdishëm, siç e quajnë britanikët dhe hartimit të Bill of Rights (1689). Edhe tek ne nuk mund të ketë reformë të vërtetë në drejtësi pa vënien nën pushtetin e ligjit të  të fortëve tanë që s'ka nevojë t'i kërkosh me qiri se janë të tërë të përfshirë në skandalin ÇEZ.  Po s'u bë kjo nëpërmjet një "revolucioni të lavdishëm" ne do të vazhdojmë t'i shohim këta duke akuzuar njëri tjetrin për vjedhës, duke kërkuar herë pas here drejtësinë ndërkombëtare apo dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë dhe Drejtësinë tonë duke ndjekur si spektatore në televizion skandalin e tyre të radhës, siç kemi bërë këta 25 vjet. (Panorama, 12 tetor 2015)

No comments: