Saturday, October 24, 2015

E diela pa makina si metaforë e punëve të qeverisë


Para disa kohësh duke dashur të shpreh kontradiktën midis disa ideve të mira që kërkon të aplikojë Rama në atë që shumëkush sot e quan operacion fasadë, vetëm për tu dukur sikur po zhbën gabime të së shkuarës, dhe efekteve negative që ato kanë prodhuar, kam përdorur metaforën e hapjes së një trupi që i ka të sëmura të gjitha organet me pretendimin se mund të bësh operacion në të gjitha njëherësh, çka rezulton me vdekjen dhe jo shërimin e të sëmurit.  Duke vëzhguar si këmbësor dhe si shofer operacionin e ndalim qarkullimit në qendrën e Tiranës ditën e dielë mu duk se gjeta një metaforë më konkrete për të ilustruar se si idetë e mira mund të kthehen në të kundërtën e tyre.
Le ta përshkruaj metaforën e së dielës:
Nuk ka dyshim se ndotja e ajrit dhe pengesa e qarkullimit si këmbësor në Tiranë është bërë dramatike. Duhet thënë se kjo është kryer veçanërisht gjatë viteve 2000 - 2010 kur Tirana pësoi transformimin kryesor nga qytet i ndërtuar për këmbësorë në qytet të makinave. Megjithë sugjerimet që i janë bërë ish Kryetarit të Bashkisë Rama dhe oligarkëve ndërtues që e sollën në pushtet se qendra historike kryesisht duhej të restaurohej kurse ndërtimet e mëdha duhet të bëheshin në periferi sipas një plani urbanistik që do të parashikonte më së pari ndërtimin e infrastrukturës, dhe pastaj ndërtesat, u bë e kundërta: ndërtimet e larta, që shtuan densitetin e popullsisë në mënyrë dramatike, u kryen në qendër që nuk kishte infrastrukturë për t'i mbajtur ato dhe, po ashtu, edhe kur u bënë jashtë unazës u bënë duke u ndërtuar fillimisht pallatet e pastaj rrugët, pa përfillur asnjë parim të raportit ndërtim gjelbërim apo ndërtim infrastrukturë, sepse synohej vetëm rritja maksimale e sipërfaqes së shitëshme të ndërtimit. Për t'i krijuar popullsisë që u rras veçanërisht në qendër sadopak vend për makinat u krye zgjerimi i rrugëve që rezultoi thjesht si krijim i një radhe parkimi makinash dhe përgjysmim, në mos edhe krejt zhdukje, të trotuareve të këmbësorëve. Si përfundim në lagjet e banuara të Tiranës sot nuk gjen gjë tjetër përveçse pallate me dendësi të paparë, rrugë dhe rrugica dhe ndonjë shesh të mbetur ende pa u ndërtuar  - të gjithë të zaptuar me makina në lëvizje ose në parkim. Tirana ka dalë kështu krejtësisht jashtë standardeve evropiane përsa i përket jo vetëm cilësisë së ushqimit më primar të njeriut: ajrit, por edhe shumëçkaje tjetër që ndikon në cilësinë e jetës së qytetarit si hapësirat e gjelbëra, fushat e sportit, shëtitoret, trotuaret ku mund të ecësh i qetë etj.. Sigurisht kjo kërkon një ndryshim. Po a mund të jetë i suksesshëm operacioni që na u imponua me urdhër që të lemë makinat dhe të kthehemi në këmbësorë apo biçiklistë duke ndërprerë qarkullimin e makinave në qendër një herë në muaj.
I kujtoj lexuesit se këtë rast po e përdor si metaforë të thuajse të gjitha punëve të qeverisë.
E pra, çfarë ndodhi të dielën në Tiranë?
Ndërkohë që në bulevard një pjesë këmbësorësh ecnin të lirë nga makinat, në rrugët paralele dhe tërthore me bulevardin, si ajo që kalon  prapa Bankës dhe prapa Parkut Rinia si dhe në rrugë të tilla kryesore si ato në të dy anët e Lanës shihje një lum makinash që ecnin më ngadalë se këmbësorët pasi nuk kishin se ku të kalonin nga ndalimi i qarkullimit në arterien kryesore. Dhe e para gjë që të vinte në mendje ishte pikërisht ndotja e ajrit. Mjafton të bësh një kalkulim të shpejtë për diferencën e ndotjes që krijon një makinë që ecën shpejt dhe kalon nga njëri cep i bulevardit në tjetrin për të dalë jashtë qytetit dhe ndotjes që prodhon një makinë që rri e ndezur dhe ecën me hapin e breshkës nëpër rrugët e qytetit për të dalë në konkluzionin se ndotja e ajrit mund të jetë edhe më e madhe me këtë operacion. Kam takuar njerëz që më kanë thënë se për të dalë nga Rruga e Elbasanit për të shkuar tek rruga Dom Bosco në pasditen e së dielës u është dashur një orë e gjysmë. Ndotjes katastrofike të ajrit që prodhojnë këto makina duhet t'i shtosh pastaj edhe disa dëme të tjera, pa llogaritur fare shpenzimet e karburantit. Psh. jeta e banorëve në pallatet ku kalon ky lum makinash shndërrohet në ferr jo vetëm përsa i përket ajrit, por edhe zhurmës. Po ashtu duhet llogaritur ajri i ndotur që thith tërë ajo mori njerëzish që rrinë brenda lumit të makinave që lëvizin me shpejtësinë e breshkës. Nuk po i hymë fare humbjes së kohës apo stresit psikologjik.
Dikush mund të thotë po pse lëvizin këta me makinë sepse aksioni i Baskisë synon pikërisht pakësimin e tyre? Këtu vijmë edhe një herë tek problemet që kemi akumuluar pa korrigjimin në bazë të të cilave operacione të tilla kthehen në të kundërtën e tyre. Siç e thashë një nga problemet e mëdha të qytetit tonë është se, përveç qendrës, nuk gjen më lulishte apo  një park për njerëzit të dalin të shëtisin apo të ulen e të bëjnë muhabet, ku nuk ka një fushë sporti ku të rinjtë të luajnë futboll apo basketboll, por vetëm pallate rrugë, parkingje dhe ndonjë kafe. Prandaj, për të mbetur vetëm tek ajri, një të mirë aq të madhe për cilësinë e jetës që e kemi pasur gratis: natyrën dhe ajrin e pastër sot, përveçse tek Parku i Liqenit duhet ta kërkojmë jashtë qytetit, paradoksalisht duke ndotur ajrin dhe duke thithur një ajër të superndotur derisa të dalim atje, sepse për të dalë nuk ka mundësi tjetër veçse të marrësh makinën. Kurse po u ndalove njerëzve këtë mundësi ua bën të dielën edhe më të mërzitëshme. Ja kështu pra, në një kohë kur pretendohet se po i jep qytetarëve një ditë më të mirë në kuptimin  e një ajri më të pastër dhe të mundësisë për të lëvizur në qytet lirshëm si këmbësor krijohet një qytet që jo vetëm ndoshta ndotet edhe më shumë por bëhet edhe më i padurueshëm në shumë aspekte të tjera.
Rikujtoj edhe një herë se kjo është një metaforë për të shprehur se sa e vështirë është t'u gjesh  vetëm me mjete policore, pa u konsultuar dhe bashkëpunuar me qytetarët zgjidhjen e duhur problemeve që janë mahisur e bërë mullar, e se, edhe idetë e mira, po nuk u aplikuan në kontekstin e duhur, me seriozitetin dhe përgjegjësinë e duhur, rezultojnë ose si operacion fasadë ose si papjekuri dhe marrëzi - siç po rezultojnë shumë nga ato të qeverisë Rama. (Panorama, 21 tetor 2015)

No comments: