Monday, November 2, 2015

Laguna Blu dhe kapitalizmi ynë kafshëror


Para dy vjetësh, kur jam pyetur se kush do të qe më mirë të fitonte zgjedhjet e vitit 2013 kam bërë një arsyetim që disa e morën me qesëndi: nëse fitonte Berisha, shqiptarët do të humbnin edhe katër vjet me shpresën se, kur të vijnë këta të tjerët, gjërat do të ndryshojnë, kurse po fitoi Rama do të ndërgjegjësohen më shpejt  se këta nuk janë zgjidhja, por pjesë e problemit, prandaj ndoshta do të fillojnë të kërkojnë zgjidhjen e vërtetë.
Nuk e kisha menduar se qeverisja Rama do të punonte kaq shumë për ta përmbushur sa më shpejt parashikimin tim. Por kjo historia e lejes dhënë Sandrit dhe Samir Manes për të ndërtuar në Qerret, buzë detit dhe e lejes tek Parku përballë Ekonomikut në Tiranë që mbahet sekret se kujt i është dhënë, por zëra të mirëinformur flasin se rrotull tyre duhet ta kërkojmë lejemarrësin – duke pasur parasysh se kjo dyshe ishte paraqitur nga Rama dhe të tijtë si emblema e lidhjeve korruptive të Berishës me biznesin dhe mediet – sikur e mbushi kupën e bindjes se gjërat me Ramën po vashdojnë atje ku i la Berisha, veç duke precipituar edhe më shpejt. Dhe nuk e kam fjalën se u ndërgjegjësuan banorët e Lagunës Blu të Qerretit,  shumica e të cilëve, sipas meje, kanë qenë kaherë të ndërgjegjësuar për kuptimin e vërtetë të përshëndetjes “Të fala Sandrit” që Rama i drejtonte këtij me gazetarët. E kam fjalën për njerëzit që po e ndjekin ngjarjen nga jashtë gardheve të Lagunës Blu historinë.

Gjeneza e së keqes
Në fakt kjo historia e Qerretit është emblematike për të kuptuar mekanizmin se si është pervertuar që në gjenezë sistemi kapitalist që deshëm të ndërtonim, për të përcaktuar përgjegjësit, për të analizuar se në ç’fazë jemi sot, dhe për të gjetur rrugëdaljen. Mund të ishte edhe një subjekt i lezeçëm romani me titull “Ngritja dhe rënia e Lagunës Blu”.
Historia fillon kur toka në fjalë u dha me koncesion medemek për ndërtimin e një fshati turistik me idenë e zhvillimit kapitalist të vendit. Me fjalë të tjera ideja që iu shit popullit ishte se atje do të ngrihej një kompleks turistik nëpërmjet të cilit investitorët do të nxirrnin përfitimet e tyre por, vini re,  në të njëjtën kohë do të punësonin njerëz në hoteleri, bar - restorante e shërbime të tjera, do të paguanin edhe taksa me të cila do të mbahej shteti dmth. do të kurohej edhe interesi publik.
Por çfarë ndodhi? Në vend të objekteve turistike atje, kryesisht në kohën e socialistëve, u ndërtuan vila dhe apartamente për elitën  re që po drejtonte vendin, politikanë, biznesmenë, gazetarë, shkrimtarë, shoqëri civile etj.. Kur erdhi koha e demokratëve ndërtimet e kryera, në vend se të ktheheshin në destinacionin turistik, u privatizuan duke u ndryshuar ligji. Pra kjo copë e vyer bregdeti që mund të prodhonte të mira për të gjithë shoqërinë mbi bazën e harmonizimit të interesit privat me atë publik, me shtetin si rregullator të kësaj harmonie, u kthye praktikisht në një pronë private e një pakice të privilegjuarish të pushtetshëm që kanë edhe ligjin edhe arrën në dorë.

Sistemi i ngritur
Të kuptohemi, nuk është halli i një fshati të vogël, por se Shqipëria është kthyer e gjitha në një “fshat turistik” të tillë që shfrytëzohet për interesa private të një pakice. Po ta shohim nga ky këndvështrim shumë nga banorët e Qerretit që revoltohen sot kundër Sandrit që u ka uzurpuar  fushat e sportit, janë “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” me Sandrin pasi po pësojnë atë që në një farë kuptimi u kanë bërë të tjerëve poshtë tyre -  sigurisht sipas jerarkisë dhe përshkallëzimit që ndodh në një sistem oligarkik të egër si ky i yni.
Tingëllon meskine kur dëgjon sot debatin të fokusohet mbi atës e kush ua dha lejet Sandrit dhe Samirit në Qerret: Berisha, Basha apo Rama, për të gjykuar se kush është fajtori kush del i larë. Apo se janë apo nuk janë në rregull me ligjin këta, kur dihet se ligjet i kanë bërë siç u ka interesuar. Sipas meje është e qartë si drita e diellit se ky është një krim që është bërë së bashku  dhe debati duhet bërë mbi atë se qerretizimi është mënyra se si ka funksionuar e funksionon Shqipëria nën drejtimin e këtyre njerëzve që përfaqësojnë tre pushtetet më të rëndësishme në vend: atë ekonomik, atë mediatik dhe atë politik si dhe i asaj se si kemi reaguar ne si shoqëri civile, gazetarë, qytetarë ndaj tij.
Figurativisht do ta krahasoja sistemin oligarkik të qerretizimit të Shqipërisë që kanë ngritur këta me një godinë tre katëshe ku në katin e parë qëndron Samiri & Co dmth. i ashtuquajturi biznes, në katin e dytë është perandoria e Sandri & Co, dmth të ashtuquajturat medie, kurse në katin e tretë është e ashtuquajtura politikë, ku sundojnë Rama, Berisha, Basha, Meta & Co. Por ndërkaq të tre katet janë të lidhur me shkallë të lëvizshme që ndihmojnë që një pjesë e mirë e protagonistëve të lëvizin nga njëri kat në tjetrin duke bërë edhe biznesmenin edhe pronarin e medieve edhe politikanin, veçanërisht duke qarkulluar pronat dhe paranë publike nga njëri kat në tjetrin. Duhet thënë se zyrat kryesore në dy katet e para i zotërojnë prej kohësh të njëjtët njerëz, figurativisht Samiri dhe Sandri, kurse në katin e tretë ndodhin herë pas here ndoca lëvizje: protagonistët ndërrojnë zyrat, ata të maxhorancës shkojnë në zyrat e opozitës dhe vice - versa - lëvizje këto gjithmonë të miratuara dhe inkurajuara nga interesat e katit të parë dhe të dytë. Të rinjtë që duan të ngjiten në katin e tretë duhet më së pari të marrin “bekimin” e Samirit me shokë, pastaj të kalojnë në katin e dytë, të promovohen nga Sandri me shokë në mënyrë që, kur të kalojnë në katin e tretë, të kenë dhënë prova se do të punojnë për godinën e pushtetit oligarkik. Po ashtu ndërkohë që në katin e parë punët bëhen sa më në heshtje në katin e dytë dhe të tretë ka më shumë zhurmë, bëhen edhe debate, ku ata të katit të tretë zbresin dhe bëjnë sikur shahen e ofendohen me njëri tjetrin apo me gazetarët, deri akuzojnë njërin tjetrin se marrin drogë, se kanë vrarë njerëz, se kanë çuar njerëz që të vriten, se venë gjoba, se marrin gjoba. Por kur vjen puna askush nuk përmend lidhjet e përbashkëta që kanë me Samirin & Co. Madje aftësia e tyre më e madhe është të bëjnë sikur grinden për interesat e publikut gjithë duke punuar për interesat e katit të parë – dhe të vetes së lidhur me ta, sigurisht. Psh. kur Rama thoshte “Të fala Sandrit” njerëzit e thjeshtë duhet ta kuptonin sikur po u thoshte: prit sa të vij unë në pushtet pa ta tregoj qejfin, kurse, në fakt, i kujtonte atij të mos harronte punët që kishin bërë bashkë kur ishte kryetar bashkie, si psh. se si prishën sëbashku gjithë kompleksin rreth stadiumit Qemal Stafa që Sandri të ngrinte Klanin dhe pastaj pallatin njëzet katësh.
Dua të them se në thelb kjo godina e pushtetit tonë oligarkik, - që, harrova të them, ka diku, si aneks të saj, edhe zyrat e Drejtësisë, që e përdorin sa herë u duhet për të hequr qafe ndonjë që u kërcënon sadopak pushtetin e tyre ekonomiko - mediatiko – politik, vazhdon të punojnë si në kohën e Hoxhës, si një grusht i vetëm në mjeljen e popullit për të mbajtur me pekule nomenklaturën. Dhe për të vërtetuar se këta janë një bllok i vetëm ju ftoj të shkoni të shikoni se si banojnë së bashku në Qerret apo në Roling Hills ku kanë krijuar nga ato të ashtuquajturit “gated community” (komunitet i mbrojtur me mure e roje) që i gjen kryesisht në vendet e Amerikës Latine, e që ne, si përvojë, e kemi me Bllokun në Tiranë dhe atë të Plazhit. Tani është zgjeruar një çikë po në thelb e njëjta filozofi e nomenklaturës së djeshme i inspiron. Dhe nëse doni të gjeni se kush është më i pushtetshëmi sipas logjikës së nomenklaturës  së Hoxhës shikoni madhësitë e vilave që kanë. Mua më rezulton se në Rolling Hills, ku ka ministra dhe ish kryeministra nga të gjitha krahët statusin e Enverit dhe Mehmetit e kanë Samiri dhe Sandri.

Ç’po ndodh sot?
Këtë që po ndodh në Qerret dhe tek Parku i Liqenit nuk duhet ta mendojmë ngushtë – siç bëjnë disa - duke thënë se këta qenkan kaq të poshtër, sepse, megjithëse kanëkaq shumë, s’paskan të ngopur. Problemi që ngre kapitalizmi i ngritur nga bllokmenët e Qerretit dhe Roling Hillsit është se ashtu sikurse bllokmenët  e Enver Hoxhës ishin krejtësisht të paaftë të ndërtonin një socializëm me fytyrë sadopak njerëzore edhe këta të sotmit janë krejtësisht të paaftë të ndërtojnë një kapitalizëm me fytyrë njerëzore. Jua them unë, këta janë sot në hall të madh dhe hall më i madh sesa bulimia e tyre për para dhe prona është paaftësia e tyre për të ndërtuar shtet dhe për të ndërtuar një ekonomi që prodhon. 
A keni parë ndonjë vend tjetër nga ata të ish Lindjes të kolapsojë nga piramidat mashtruese ashtu si ne? A keni parë ndonjë vend tjetër ndër këta ku të ketë ndodhur masakra urbane ashtu si tek ne? A keni parë të mbillet ndonjëri prej këtyre vendeve nga veriu në jug me drogë si tek ne. A keni parë që të marrin njerëzit arratinë sikur të jenë në Luftë si tek ne? Ja, në luftë është Ukraina, por nuk ikin siç ikin shqiptarët nga lufta që u kanë hapur këta grabitqarë. Problemi është se duke mos qenë në gjendje të ndërtojnë një kapitalizëm prodhues, ata pasurimin e tyre e kanë llogaritur vetëm në vjedhjen e parave të të tjerëve. Është thjesht si puna e hajdutit që meqënëse nuk ka bërë asnjë shkollë dhe s’ka mësuar asgjë kërkon të jetojë duke vjedhur të tjerët. Madje - të më falë lexuesi për guximin që po marr duke thënë këtë që vijon - personalisht kam më respekt për trafikantët e drogës sesa për këta lloj grabitqarësh të pronës publike. Sepse trafikantët të paktën venë veten në rrezik kurse këta punojnë të sigurt nën mbrojtjen e policisë, mediave dhe drejtësisë.
Mirëpo një sistem ku vjedhja mbetet e vetmja mënyrë për t’u pasuruar krijon varfërim gjithnjë e më të madh - kujtoni piramidat - sepse dikush duhet të punojë që këta të vjedhin. Ka të dhëna, që kati i tretë dhe ai i dyti nuk i bëjnë të njohura, që këta kapitalistë kafshërorë janë në krizë, sepse janë të zhytur në borxhe dhe tani po negociojnë me kryeaktorët e katit të tretë se si t’i kalojnë këto borxhe në kurriz të shqiptarëve. Për mua kjo krizë shpjegon se pse Sandri merr guximin t’u kundëvihet edhe njerëzve me të cilët ka bashkëjetuar tek Laguna; që duan të na hanë edhe një pjesët tjetër të Parkut; që Goni kërkon ta paguajmë si frëngu pulën rehatinë e bythës së ministrave duke e vënë atë në Jaguarët që do t’ia japë qeverisë me leasing; që nxirren para nga fondi rezervë i shteti për të paguar aparate dixhitale që do t’i sjellë një nga ata që shëtit me ashensor nga kati i parë në të dytin e në të tretin. Kjo shpjegon se pse kryeaktori i katit të tretë që këta e veshin nga koka te këmbët për ta nxjerrë sa më të bukur në skenën e mashtrimit, ka lëshuar policinë që të mjelë lopën me hir dhe me pahir. Dhe meqë lopa nuk po prodhon më qumësht ka zëra se më të fortët e godinës trekatëshe do të vendosin për therjen së saj përfundimtare dhe ndarjen e mishit në tre katet që rezikon të përfundojë me vrasje brenda godinës çka e paralajmëruan fadromat e Lagunës Blu. Jemi në logjikën e Bllokut të vjetër mos harroni, veçse ai ishte socializëm me fytyrë kafshërore ky është kapitalizëm me fytyrë kafshërore.

Zgjidhja e problemit
Historia e Qerreti tregoi se  godina trekatëshe e pushtetit ekonomik, mediatik politik me aneks atë gjyqsor, që punon për interesat e një pakice që jeton në blloqet lluksoze të ngritur mbi grabitjen e shumicës  duhet shembur sa më parë në emër të një projekti të ri. Në këtë projekt të ri sektorët e biznesit, të mediave, politikës dhe drejtësisë duhet të zhvendosen në hapësira të ndara nga njëri tjetri dhe të merren në duar njerëzish të aftë për të bërë biznes, për të bërë gazetari, për të bërë politikë për të bërë drejtësi, dmth. për të ngritur një kapitalizëm me fytyrë njerëzore jo si ky që kanë ngritur këta që nuk dinë as ç’është biznesi i vërtetë as politika as gazetaria dhe as drejtësia. Ku t’i  gjejmë këta njerëz është pyetja. E para gjë që duhet bërë për t’i gjetur është që gjithsekush që e ndjen peshën e këtij kafshërimi të përditshëm ta kërkojë njeriun tek vetja dhe jo  të shpresojë se këtë problem do t’ia zgjidhin kafshët që e kanë krijuar. Sepse, e thotë edhe Ajnshtajni: nuk zgjidhen problemet duke menduar në të njëjtën mënyrë si kur i kemi krijuar. Dhe kafshë si këta të godinës trekatëshee kanë konfirmuar tashmë se s’njohin mënyrë tjetër të menduari përveç asaj kafshërore të Bllokut të Enver Hoxhës. (Panorama, 2 Nentor 2015)




No comments: