Kam lexuar shumë komente pas deklarimit të Ramës se do të ndryshojë kushtetutën që të pengojë koalicionet. Ndër komentet opozitare mbizotërojnë ata se kësaj here Rama ka shkelur në “dërrasë të kalbur” pasi ka dalë kundër ndërkombëtarëve që kanë deklaruar me forcë se marrëveshja e 5 qershorit duhet respektuar dhe aprovuar ashtu siç është. “Më në fund edhe ata e kanë kuptuar se cili është Rama i vërtetë” – thonë komentuesit. Ka të tjerë që na kujtojnë se kjo ka ndodhur më herët: që kur Rama prishi Teatrin në sy të të gjithë Evropës. Disa shtojnë si “dërrasë të kalbur” edhe përfshirjen e tij në aferën e pistë antievropiane të ndryshimit të kufijve të Kosovës.
Rëndësia që i jepet këtij ndërgjegjësimi të ndërkombëtarëve tregon se çfarë peshe ka tek ne mbështetja ose jo, nga ana e tyre, e qeverisë që kemi mbi krye. Duket sikur ajo thënia e njohur sipas së cilës: “Çdo popull ka qeverinë që meriton” tek ne është kthyer në: “Populli shqiptar ka qeverinë që mbështesin ndërkombëtarët” dhe se kundërvënia ndaj tyre gati gati barazohet me rrëzimin e saj. Po sa është vërtet kështu?
Po ta shohësh pak më thellë, thënia se çdo popull ka qeverinë që meriton nuk është ashtu dhe aq të vërtetë, ashtu sikurse edhe ajo se ne kemi gjithmonë qeverinë që mbështesin ndërkombëtarët. Pa e mohuar vërtetësinë e pjesshme të këtyre pohimeve do të thosha se i afrohemi më shumë të vërtetës nëse themi edhe se “Çdo popull ka qeverinë që i imponon sistemi i pushtetit që është ngritur në vend.” Që do të thotë se populli, megjithë mëkatet e veta, mund të mos e meritojë qeverinë që ka; që ndërkombëtarët, megjithë bashkëpunimet e tyre, mund të mos e mbështesin atë, por se kjo qeveri, si shprehje e sistemit të pushtetit në vend, mund t’u imponohet të dy palëve. Historia e Enver Hoxhës, prej nga ne vijmë, është ilustruese e kësaj ideje: nuk mund të thuash se qeveria e tij ishte shprehje e vullnetit të popullit, dhe as e vullnetiti të ndërkombëtarëve, - perëndimorëve jo e jo, por, në një pikë, as edhe e Kampit Lindor që e kishte pas mbështetur. Tek e fundit ajo u imponua në sajë të sistemit të pushtetit që ngriti në vend një bandë - ku krimi në formën e terrorit stalinist dhe të shfrytëzimit të të burgosurve politikë nëpër Gulage kishte një peshë kryesore - nga i cili nuk tërhiqej dot, qoftë edhe me koston e prishjes me mbështetësit e fuqishëm ndërkombëtarë dhe fitimin e urrejtjes popullore.
“Toute proportion gardée”, sikurse thonë frëngët, dmth. duke patur parasysh diferencat në krahasimin midis dy regjimeve, gjykoj se kemi mjaft ngjashmëri midis dy fenomeneve historike shqiptar.
Në pikën ku kemi arritur duke ecur mbi dërrasat e shumta të kalbura të Ramës vendimi i tij për të mos lejuar koalicione, si manovër për të mos ia lëshuar me asnjë çmim qeverinë opozitës, vjen si pasojë e një procesi ku pushteti i krimit nuk mund të pranojë mundësinë e një qeverie tjetër, të ngritur nga një opozite që ka denoncuar simbiozën e krimit me politikën, me policinë e shtetit, pastrimin prej tij të parave të pista nëpërmjet lejeve të ndërtimit apo koncesioneve, kanabizimin e vendit etj., etj.? Ne e kemi parë se sa ka vuajtur Rama për t’i përgënjeshtruar këto, se sa të madhe e ka pasur dhe e ka vullnetin që zhdukë fare nga skena gjithë “kazanët”, “plehrat”, “shpifësit” e “delet” që i thonë këto gjëra, deri edhe tu bërtasë ndërkombëtarëve “gënjeshtra!”, “gënjeshtra!” kur ia kanë përmendur. Kjo që po bën është përpjekja për realizimin përfundimtar të këtij vullneti. Mirëpo, duke patur parasysh kontekstin evropian ku vepron, nuk mund t’ia lejojë vetes ndryshimin deri në atë pikë tp Kushtetutës sa të shpallë Rilindjen si partinë e vetme udhëheqëse të jetës politike të vendit. “De facto” ai këtë synon por “de jure” kërkon ta arrijë këtë nëpërmjet një ndryshimi kushtetues që i mundëson të fitojë përsëri. Hapi tjetër vjen më vonë.
“Kjo do ta vendoste Parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimin të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të BE dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në BE” - deklaroi Zv/kryetari i Grupit të CDU-CSU Wadephul, “Populli shqiptar nuk e meriton këtë”.
Duket edhe Wadephul mendon se thënia: “populli ka qeverinë që meriton” nuk është ashtu dhe aq e vërtetë përderisa ne durojmë ende këtë qeveri. Duke e konsideruar aktin e Ramës si “kundër” BE-së ai paralajmëron braktisjen e mbështetjes evropiane ndaj qeverisë Rama duke na vënë kështu përpara pikëpyetjes: a është më e vërtetë thënia se populli shqiptar ka qeverinë që mbështesin ndërkombëtarët apo se ka qeverinë që i imponon (edhe ndërkombëtarëve) sistemi kriminal i pushtetit që ndjehet më i sigurt kur ecën mbi dërrasa të kalbura. (Panorama, 15 korrik, 2020)
No comments:
Post a Comment