Friday, January 19, 2007

Pikëpyetje mbi të ardhmen e shtypit

Para disa ditësh ndërkohë që në parlamentin tonë zjente, siç zjen përditë, sherri iracional i rradhës, në Gazetën Shqiptare u botua një shkrim me titull “Shtypi në Shqipëri në prag të falimentimit’’, që kaloi nën hundën e bllokuar me skandale të politikanëve tanë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Çka është më e keqja edhe në vetë shtypin e përditshëm ai shkrim nuk u pasua me komente. Nëpërmjet të dhënash goxha bindëse ky shkrim tregonte se përparimi i sëmundjes/ve të shtypit tonë ka arritur në një pikë kulminante dhe jepte një prognozë të errët. Mirëpo duket se mu prej kësaj, ashtu si i sëmuri që nuk do ta shohë dhe njohë sëmundjen e tij, edhe shtypi ynë e shtyu ballafaqimin me spitalin duke preferuar, ndoshta, më mirë të shkojë drejt e në morgun e tij.
Ajo çka mund të konkludosh duke parë të dhënat e artikullit autori i të cilit (Vëzhguesi) ka preferuar të mbetet anonim është se tashmë po jetojmë periudhën e pragrënies së sistemit piramidal të shtypi që u ngrit në periudhën 1997 – 2006 që ishte një shtyp që lindi nga shpresa të mëdha lirije shprehjeje dhe u katandis në një lloj aneksi të bizneseve të pronarëve botues që tërhoqi brenda gazetarët duke i shndërruar ata gradualisht në mëditës gjithnjë e më të kondicionuar nga interesat e këtyre bizneseve të tjera. Është një fenomen i njohur që e dinë të gjithë tashmë që punojnë më afër shtypit për të cilin edhe është shkruar ndonëse jo aq dhe ashtu si duhet. Nga sa duket një nga shkaqet kryesore të fillimrënies së këtyre piramidave është se qeveria ka ndërprerë “sponsorizimin” indirekt që i bëhej këtij shtypi nëpërmjet klientelizmit të pronarëve botues e shoqëruar kjo me humbjen e asaj fuqie abuzive me pushtetin e vet që kishte ky lloj shtypi. Mesa duket tani po del në shesh se shtypi nuk i paguante shtypshkronjat ose i paguante me shumë vonesë duke akumuluar borxhe dhe nga ana e vet shtypshkronjat nuk paguanin taksa që nuk i kërkoheshin pasi ky shtyp i mbronte. Tani na del se shteti i kërkon shtypshkronjave të paguajnë taksat kurse nga ana tjetër shtypshkronja i kërkon këto të hollat për të paguar taksat (por edhe për të blerë letër) tek botuesit që nuk kanë paguar. Sipas artikullshkruesit kemi të bëjmë me një goditje të qëllimtë të shtetit sepse ai ka zgjedhur të godasë me forcën e ligjit këto shtypshkronja ndërkohë që psh. nuk i kërkon AMC të paguajë borxhet që i ka edhe më të mëdha. Mbetet për tu provuar nëse është apo jo kështu, por nga ana tjetër fakti që AMC nuk ka paguar borxhe nuk mund të shërbejë si gjethe fiku për gjendjen e shtypit që denoncon shkrimi.
Problemi që del është shumë i madhe sepse ka të bëjë me mbarimin e një sistemi mediash ndërkohë që në horizont nuk duket ndonjë projekt për ndërtimin e diçkaje tjetër.
Projekti për diçka tjetër zëvendësohej në shkrimin në fjalë me disa propozime që thjeshtë shtyjnë për një farë kohe këtë gjendje. Të tilla dukeshin shumica e rekomandimeve të Vëzhguesit të Gazetë Shqiptare si amnistia fiskale për shtypshkronjat dhe botuesit apo edhe lehtësira të tjera si dhënia kredi botuesve për të blerë shtypshkronjat apo pagesa nga ana e qeverisë e shtypshkronjave. Ka disa arësye pse sipas meje kjo nuk duhet bërë. Së pari sepse detyra kryesore e një shteti është të garantojë barazi përpara ligjit dhe kompeticion të drejtë. Në Shqipëri duhet të mbarojë situata kur të padrejtët, ata që nuk zbatojnë ligjin, pasurohen gjithnjë e më shumë kurse të drejtët mbeten pa mundësi iniciative mu pse respektojnë ligjin. Kjo situatë nuk rrit pasurimin e meritokracinë dhe ekonominë e shëndoshë në një shoqëri, por kriminalitetin dhe padrejtësitë shoqërore dhe zhvillon ekonomitë mafjoze. Sepse pyetja që mund të shtrohet është: a janë apo nuk janë milionerë këta botues gazetash siç reklamojnë në gazetat e tyre. Nëse janë milionerë çfarë i pengon të paguajnë shtypshkronjën, nëse nuk janë milionerë pse shpenzojnë për të botuar gazeta nën kosto? Së dyti, si mund të shpërblehen përsëri nga shteti ata që kanë abuzuar me shtypin dhe lirinë e shtypit? Por nuk janë vetëm këto arësye që, si të thuash, kanë të bëjë sa me respektin ndaj ligjit edhe me moralin, që i bëjnë të papranueshme propozime të tilla. Problemi është se këto masa thjeshtë do të zgjasnin jetën e një sitemit mediatik që mu pse ka humbur rolin e vet, nuk do të mund të mbijetojë veçse duke pritur një amnisti tjetër fiskale pas disa kohësh abuzimesh e manipulimesh të tjera.
Mirëpo edhe që Shqipëria të mbetej pa shtyp kjo do të ishte një situatë e rëndë. Atëher çfarë duhet bërë?
Duke dashur të shpreh ndonjë sugjerim më së pari do të thoja atë që e kam thënë për tërë sistemin e mediave në tërësi se Shqipëria duhet të normalizohet se ky sistem është si një mish i huaj që ka pushtuar trupin e Shqipërisë se ajo nuk është në peshën e saj normale me këtë tumorr mbi shpinë që në vend se t’i shërbejë e ha. Dua të them pra se shtypi, ashtu si sistemi ynë i mediave në tërësi, duhet të reduktohet në mënyrë të tillë që të jetë organik me tërë peshën dhe zhvillimin e vendit. Mjafton të bësh një kalkulim të thjeshtë të nevojave dhe të aftësive që ka vendi për reklama me një anë – që janë burimi kryesor sëbashku me shitjen – dhe shpenzimet për të mbajtur këto media për të parë se jemi jashtë çdo lloj ekonomie normale, ose, thënë ndryshe, se ky shtyp është produkt i një ekonomie mafjoze. Rregullimi i kësaj ekonime do të ishte edhe regullimi i kësaj mediaje, por edhe e kundërta mund të thuhet: se rregulimi i kësaj mediaje mund të kontribuojë për rregullimin e kësaj ekonomie. Më së pari pra duhet të pranojmë parimisht se Shqipëria nuk mund të gëzojë luksin e pasjes së tërë këtyre të prëditëshmëve që ka sot duke mos pasur jo vetëm mundësitë financiare, por as forcat intelektuale për t’i ushqyer ato. Duhet pra një projekt që do të synojë reduktimin i cili do të rrisë edhe cilësinë. Por më anë tjetër mbetet rreziku i një reduktimi të kryer nën dikatin e politikës në mënyrë selektive ose nën diktatin e ekonomive më të forta mafjoze, çka përsëri do të vejë në rrezik, ndoshta edhe më të madh nga ç’është sot, lirinë e shtypit. Sipas meje është për tu përgëzuar nëse qeveria ka ndërprerë vërtet lidhjet abuzive me mediat. Por në këtë kontekst ajo duket të jetë e kujdesëshme që të mos bëjë luftë selektive. Nëse ajo do të marrë në mbrojtje gazetat që janë pro qeverisë dhe do të kërkojë pagesën e borxhit vetëm nga ato që janë kundër kredibiliteti i saj se po zbaton ligjin do të bjerë menjëherë. Por edhe nëse nuk është e vendosur dhe e drejtë në luftën kundër ekonomive mafjoze që përdorin shtypin si sperstrukturë të tyre përsëri asgjë nuk do të kemi në vijë.
Gjithsesi sipas meje problemi më i madh mbetet ai i gjetjes së rrugëdaljeve para kolapsit e për këtë them se ka ardhur koha të mendojnë jo vetëm tërë aktorët e interesuar që vendi të ketë një shtyp mbijetues në sajë të profesionalizmit, por edhe gjithë ata që dashur pa dashur e kanë futur në rrugën e falimentimit. (Korrieri, 11 tetor 2006)

Ndërkombëtarët apo shqiptarët

Ftesa e lëshuar së fundi nga klasa jonë politike për thirrje prokurorësh dhe ekspertësh të huaj që të hetojnë politikanët tanë me argumentin se institucioni ynë i prokurorisë është i pabesueshëm gjykoj se do të shënonte momentin kulminant kur Prokurori duhet të jepte detyrueshëm dorëheqjen pasi kjo nënkupton dështimin e gjithëpranuar të institucionit të tij. Madje ai duhet të jepte dorëheqjen që kur puna e tij vazhdimisht është zëvendësuar e po zëvendësohet me komisionet parlamentare që hetojnë politikanët e akuzuar për korrupsion. Por Sollaku e di, ashtu sikurse shumëkush nga ne e kupton, se ftesa për prokurorë të huaj është një bllof në pokerin e politikës të cilit mazhoranca i thotë “visto” sepse me kalkulimet e saj i intereson. Kështu që ai nuk do ta japë dorëheqjen dhe as Presidentit nuk do t’i lëvizë asnjë qime e vetullës duke lexuar këtë ftesë skandaloze. Kurse shqiptarët, me në krye Presidentin dhe Prokurorin do të vazhdojmë të ecin përpara në tymin që ngrenë këto deklarata e kundërdeklarata të politikës.
Nuk e di se çfarë mendojnë sot ndërkombëtarët, që ulën në gusht klasën politike shqiptare me idenë se u arrit një marëveshje që evitoi destabilizimin e vendit, teksa shohin energjinë e pafundme mosmarrëveshëse që po shpalos vetëm pas disa javësh klasa jonë politike. Nuk e di çfarë kanë menduar duke dëgjuar thirrjen që të na sjellin prokurorët e tyre? Ma do mendja se në rrethe të ngushta thonë se kemi të bëjmë me një demokraci të dështuar apo me një shtet të dështuar, por, më anë tjetër, mund të jenë duke projektuar ndonjë paliativ tjetër me efekt më të gjatë qetësues për neurozat dhe ankthet e fëmijëve tanë të rritur.
Ajo që më duket se mungon në mënyrë dramatike në tërë këtë situatë është një reflektim më i ftohtë, përtej luftës midis dy formacioneve politike, me synim për të ndërtuar strategji afatgjata. Duket sikur po përjetojmë një mosthellim në thelbin e gjësë të imponuar nga zhurma dhe lufta e pareshtur në sipërfaqe. Të kërkosh sot prokurorë të huaj, siç bën opozita, dhe t’i thuash “po” kësaj kërkese, siç bën mazhoranca, do të thotë të pranosh publikisht se Shqipëria jo vetëm është shumë larg asaj udhe që politika i premton, por edhe se ka pak shpresa që vendi të hyjë në atë udhë. Sepse, përveç imazhit që përçohet, një sërë pyetjesh ngrihen sapo dëgjon thirrjen për prokurorë të huaj, mjafton të hedhësh pak vështrimin përtej fushëbetejës së politikës si psh.: mirë se politikanët tanë paskan nderin që, përveç privilegjeve të tjera, të gëzojnë edhe atë të hetimit nga ekpertë ndërkombëtarë, po qytetarët tanë të thjeshtë pse duhet të mbeten në duart e prokurorëve tanë “të pabesueshëm” e “të korruptuar”? Kush do të na mbrojë ne, të thjeshtët, nga tërë ata kriminelë pa poste të larta politike, ndërkombëtarët? Ka shumë kundërthënie të tjera që të çojnë tek ideja se thirrja e prokurorëve të huaj është e pavend. Midis të tjerash edhe ajo se sado e korruptuar të jetë prokuroria jonë zor se do të mund të akuzonte e të bënte të fajshëm njerëz të pafajshëm. Falë kohës dhe hapësirës gjeopolitike ku jetojmë kjo më duket një periudhë e kaluar tashmë. Ajo çka ka bërë prokuroria jonë deri më sot ka qenë e kundërta ka bërë të fajshmit të pafajshëm duke mos hetuar e akuzuar asnjë politikan të fajshëm, por jo se ka akuzuar të pafajshëm. Dhe ajo çka mund të bëjë një prokurori e kapur sot nga shteti apo nga mafja është seleksionimi i të fajshmëve jo dënimi i të pafajshmëve. Por këtë seleksionim nuk e përcaktojnë dot ekspertët ndërkombëtarë. Seleksionimi do të përcaktohet prap nga lufta politike dhe jo nga ekspertët. Ja ku erdhëm në rreth vicioz. Prokurorëve të huaj do t’u paraqiten prova nga mazhoranca se Edi Rama dhe të tijtë kanë vjedhur duke abuzuar me pushtetin e po ashtu nga opozita se Sali Berisha dhe të tijtë janë futur në rrugën e korruptimit galopant. Po sikur, larg qoftë, ekspertët ndërkombëtarë t’u japin të drejtë të dy palëve, çfarë do të ndodhë? Kush do të vendosë se çfarë do të bëhet me këta, ndërkombëtarët apo Sollaku a ndonjë sivëlla i tij i pabesueshëm? Në shashkat tymosëse që hidhen e priten askush nuk i mendon deri në fund këto pikëpyetjeve ose bën sikur nuk i mendon sepse pandeh se shqiptarët janë aq mëndjefyçkë sa të ndjekin tymin pa u shqetësuar se ku është vatra e zjarrit.
E megjithatë mu pse na imponohet ky turr drejt tymit që mund të na çojë në situata iracionale kërkohet, nga ana tjetër, shumë kthjellësi dhe qetësi analize për sutuatën ku ndodhemi. Duke synuar sadopak kthjellim do të thoja se çështja shumë shqetësuese e thirrjes së prokurorëve ndërkombëtarë, që më ngjan si prelud i thirrjes së ushtrive ndërkombëtare nesër, nuk mund të shihet nga ne, por edhe nga vetë ndërkëmbëtarët, pa bërë analizën e shkaqeve se nga del zjarri dmth: çfarë ka ndodhur në të kaluarën e veçanërisht gjatë tetë vjetëve që socialistët ishin në pushtet me tërë ata institucione që duhet të ishin sot garanti i demokracisë në mënyrë që të mos u drejtoheshim më ndërkombëtarëve. Besoj se është një opinion i gjithpërhapur se ajo çka ndodhi ishte përdorimi i të gjitha metodave për t’i mbajtur institucionet që duhet të garantonin demokracinë dhe luftën kundër krimit nën kontrollin e pushtetit politik. Ishin metoda të pasura në variante e mbrapshtira që, ç’është më e keqja, ngritën një sistem pa ndryshimin e të cilit zorr se do të shpëtojmë ndonjëherë nga kërkesa për ndërkombëtarë. Kjo sepse u konsolidua sistemi i ndarjes në dy kampe pa institucione në mes që bëjnë arbitrin e garantojnë barazinë përpara ligjit. Jo vetëm, por në këtë strategji u konsolidua sitemi i lidhjes së politikës me biznesin për përfitime duke bërë që biznesi të mos përfaqësojë atë shtresë që siguron kudo stabilitetin dhe kërkon konkurrencën e lirë e zbatimin e ligjit, por të ndahet në biznese të socialistëve më të pasur dhe të demokratëve që presin të marrin pushtetin që të pasurohen. Me të njëjtën logjikë u ngritën apo u kapën edhe mediat duke bërë që ato përsëri të mos jenë pushtet i pavarur që investigon, denoncon, analizon në emër të interesave të publikut, por forca shpesh okulte që punojnë sipas interesave të lidhjeve të biznesve dhe krimit me politikën. Edhe shoqëria civile u ble në njëmijë mënyra duke humbur besueshmërinë e saj sepse gjithnjë e më shumë paratë e ndërkombëtarëve që e mbanin dukeshin pak në krahasim me çka mund të fitonin eksponentët e saj duke mbajtur lidhje me bizneso politikën. Edhe me krimin e trafiqeve ka ndodhur e njëjta gjë. Po të perifrazoj Havelin mund të them se politikanët tanë nxitën tiparet më të këqia karakteriale tek shqiptarët duke u bërë nga ana tjetër edhe pasqyrim i këtyre të këqijave e duke ngritur një sistem ku mbretëron e keqja. Në vend se të kërkonin biznesmenin e ndershëm përkrahën biznesmenin me të cilin vidhnin, në vend se të inkurajonin gazetarin e ndershëm kërkuan gazetarin që u shërbente, në vend se të kërkonin prokurorin dhe gjyqtarin e drejtë vendosën prokurorin dhe gjyqtarin që u fshihte krimet. Edhe me ndërkombëtarët kanë tentuar të bëjnë po këtë lojë e ndoshta kanë pasur edhe suksese të pjesëshme aty këtu.
Kapërcimi nga kjo situatë ku qemë para një viti nën udhëheqjen e socialistëve në situatën ku sot ata paraqiten si viktima të pafajshme kërkon të bëhet pa këtë analizë. Mu pse është kështu e pse njerëzit e dinë se me kë kanë të bëjnë ata ndjehen të pambështetur e mu pse ndjehen të pambështetur e të pabesuar e të frikësuar bërtasin më shumë. Më anë tjetër mazhoranca gjithnjë e më shumë ka tentacionin të merret me ata që bërtasin e t’i frikësojë e kërcënojë edhe ca më shumë dhe jo me reformat që duhet të imponojnë ndryshimin e sistemit. Kjo përforcon situatën e dy kampeve armike të ndara që përgatiten për luftën finale pa ndryshuar asgjë në thelb. Situata duket deprimuese për këdo që nuk e sheh këtë luftë si burim adrenaline që e nxjerr nga ankthet dhe depresionet. Por meqë janë shumica ata që nuk u prodhon adrenalinë kjo situatë lufta do të katandiset në një furtunë në një gotë ujë si ajo e gushtit. Nuk dimë se çfarë qetësuesi do të aplikojnë kësaj here ndërkombëtarët për të qetësuar këtë furtunë. Kësaj here ca më pak duket se mund të besojnë se po nuk ndërhynë do të bëhet nami. Por ndoshta si qetësues mund të shërbejnë edhe prokurorët e huaj që mund të sillen këtu e të thonë se u duhet të rrinë një dy vjet mbi dosjet. Por që ata të kenë autoritetin e duhur kjo me siguri do të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës dhe deri sa të ndryshojë Kushtetuta ata nuk do të kenë asnjë autoritet, por edhe po ndryshoi Kushtetuta ne prap mund të bëjmë ndonjë sherr tjetër e prap ndërkombëtarët mund të ndërhyjnë e të gjejnë ndonjë qetësues tjetër. Po e le pa mbaruar shkrimin sepse nuk gjeta entuziazëm të mjaftueshëm për tu bërë thirrje shqiptarëve të pashitur e të pablerë se duhet të jenë at dhe jo prokurorët e huaj ata që duhet t’i nxjerrin nga skena e politikës batakçinjtë. (Korrieri, 28 shtator 2006)

Mungesë shpirti qytetar apo mungesë besimi

Në numrin e shkuar keni akuzuar Aksionin Civil për mungesë kredibiliteti për shkak qëndrimesh selektive në aktivitetin e tyre dhe përdorim nga Edi Rama. Është pranuar se aksioni i tyre para Ministrisë së Transportit ishte një lloj dështimi, por të tjerë ankohen se ky dështim vjen nga mungesa e shpirtit qytetar të shqiptarëve. A mendoni se edhe kjo mund të jetë e vërtetë?

Pyetja juaj më sugjeron të them dy fjalë lidhur me lëvizjen Mjaft që nga fillimi dhe deri në ditën e sotme. Çështja që shtrohet sipas meje është të shpjegohet se si në vend se kjo lëvizje të rinjsh të rritej e të fuqizohej, me kalimin e kohës ka ardhur duke u mbrrudhur aq sa, së fundi, i duhet të shkrihet në një lëvizje me tjetër emër për të bërë një aksion. Me fjalë të tjera pse pas një periudhe të fillimit kur kishin shumë më tepër sukses dhe ngjallnin shumë më tepër shpresë brenda vendit tani këtyre të rinjve u është zbehur përkrahja duke bërë që ndërsa u rritet nami jashtë u pakësohen sukseset e mbështetja brenda?
Nëse do të kërkonin mendimin tim mbi shkaqet në themel do të vija atë se këta të rinj nuk mundën të mbajnë e të ushqejnë perceptimin që krijuan në fillim kur lindën: se ishin diçka e re që ishte kundër politikës së vjetër dhe kundër elitës së vjetër. Në bisedat që kam pasur me Erion Velinë i kam shprehur shpesh idenë se ata do të mund të sillnin diçka të re vetëm nëse do të refuzonin bashkëpunimin me elitën e vjetër qoftë politike qoftë kulturore sepse, sipas mendimit tim, vetëm kjo do t’u sillte kredibilitet dhe pasues veçanërisht nga shtresat e rinisë kurse ndejta nën ombrellën e elitës së vjetër (ku kam futur edhe veten) veç do t’i korruptonte e do t’u humbte kredibilitetin. Mirëpo ata nuk e patën këtë forcë rebelimi të vërtetë sipas meje as intelektuale as shpirtërore. Preferuan të rrinë nën hijen e më të mëdhenjve duke u njesuar me ta e bëri si ata e luajtur lojën e tyre.
Nëse do të kërkojmë shkaqe të tjera të dështimit – kuptohet flas për dështim duke iu referuar vizionit dhe shpresave të mija për një lëvizje të rinjsh - do të rendisja edhe faktin që kjo lëvizje, ashtu si shoqëria jonë civile në tërësi, nuk lindi nga poshtë si nevojë e shoqërisë, por tentoi të implementohet nga lart nëpërjet vullentit, ndihmave dhe mbështetjes perëndimore. Nuk do të thotë se një gjë e tillë është domosdoshmërisht e destinur të dështojë. Po të vesh re në vende të tjera të Lindjes paratë e hedhura nga Perëndimorët për të ndihmjuar krijimin dhe rritjen e shoqërisë civile kanë dhënë edhe mjaft gjëra të suksesshme. Por edhe atje shumçka ka dështuar apo është tjetërsuar kur nuk ka pasur mbështetjen nga poshtë dhe në përgjithësi mund të them se, siç ka treguar edhe përvoja jonë, shoqata të tilla pa rrënjë reduktohen në një grusht të vogël njerëzish që i kthjejnë ato në biznes, apo mënyrë jetese personale. Po të kërkoni të bëni analizën e shumë shoqatave do të vinin re se atje nuk bëhet fjalë më për ekzistencën e një jete të brendëshme demokratike, me zgjedhje të herëpasherëshme të kryetarëve të rinj. Po ashtu merak më i madh për ta duket sheshit se është tërheqja e vëmendjes së donatorëve më shumë sesa ajo e shqiptarëve. Mua më duket se për fat të keq edhe Mjafti filloi të notojë dhe mbeti në këto ujra.
Prandaj sipas mje nuk mund të fajësohet mungesa e shpirtit qytetar të shqiptarëve për mrrudhjen e impaktit të kësaj lëvizjeje. Është e vërtetë se ne jetojmë në një shoqëri ku mbizotron mosbesimi i shqiptarit tek shqiptari çka nuk e bën të lehtë bashkimin. Por nga ana tjetër njerëzit janë shumë të etur për të besuar në diçka. Sigurisht në një tjetër terren qytetar situata do të kishte qenë më ndryshe. Sikur lëvizja të kishte mbështetje të gjerë dhe jetë demokratike përsëri kredibliteti do të kishte qenë ndryshe, ashtu sikurse edhe kontrolli i veprimeve të liderëve të lëvizjes. Kurse kështu kur një shoqatë mbetet nën kontrollin e një apo dy vetëve që nuk i japin llogari kërkujt këta janë shumë herë më lehtësisht të manipulueshëm e të përdorshëm. Ja pse çështja e ngjalljes së besimit është çështje kryesore për këdo që synon të krijojë një lëvizje. Le të marrim psh, rastin e fundit. Sipas meje pas mitingut që e pranojnë të gjithë se qe një dështim në vend se të kishte një analizë se pse njerëzit nuk besojnë, ata, si për të vërtetuar akuzat që u bëhen se Aksioni ishte diçka e orkestruar dhe jo diçka organike, shkuan tek Presidenti ynë për t’i kërkuar atij të qëndrojë fort në mbrojtje të institucionit e të mos e dorëzojë prokurorin. Nuk e di se kush e ka marrë vendimin, por puna është se një lëvizje që ka lindur për t’i thënë “mjaft” korrupsionit duhet të kishte pas protestuar me kohë përballë zyrave të prokurorisë për mosveprimin e këtij organi ndaj të korruptuarve. Një lëvizje e tillë do të duhet të kishte pas gjykuar me kohë se për atë gjendje nuk mund të jetë pa përgjegjësi edhe Presidenti. Prandaj mund ta kishin kursyer atë vajtje tek Presidenti për t’i shprehur atij solidaritetin. Aq më tepër kur gjysma e skandalit të Albatrosit nuk flet aspak mirë edhe për atë. Kurse vajtja atje sipas meje përsëri shkoi në dëm të kredibilitetit të tyre.

Përdorimi nga ana juaj i termit “qen roje i padronit” në përgjigjen që dhatë në rubrikën e kaluar, kur ju pyetëm lidhur me akuzat e kolegut Mustafa Nano ka ngjallur edhe indinjatën e këtij edhe komente në mbështetje të idesë suaj. A keni ndonjë koment për të bërë?

Nuk kam ndërmend t’u përgjigjem tërë akuzave të M. Nanos. Do tu përgjigjem vetëm atyre që mund të çojnë në fenomene shqetësuese e që i interesojnë publikut. E në këtë rast ndonjë ngjarje personale besoj se vlen për të marrë në analizë fenomenin. Sikurse mund ta dini para disa vjetësh kam shkëmbyer edhe një korespondencë të gjatë me Nanon jo vetëm të publikuar, por kam edhe e-mailet personale që ai më ka dërguar në atë kohë. Është koha kur unë kam filluar të akuzoj politikat korruptive të Ilir Metës dhe Edi Ramës veç tjerash edhe për korruptimin e mediave. Nga sa kujtoj pikpamjet, si të publikuara edhe jo, i kishim mjaft të afërta për këto çështje. Ajo që ndodhi dhe shkaktoi çarjen ishte mu ndryshimi i beftë i Nanos lidhur me këto çështje. Sikurse mund t’ju kujtohet në ato kohë mua mu inskenua një gjyq civil nga pronari i gazetës Shekulli ku punoja sëbashku me Nanon. Pronari në thelb më akuzoi se kisha shpifur kur thoja se isha cenzuruar me urdhër të tij dhe po ashtu se kisha shpifur kur thoja se bizneset e tij lidheshin me politikën dhe politikanë të caktuar dhe se qëndrimet e gazetës gjithnjë e më shumë përcaktoheshin nga tenderat që fitonte apo duhet të fitonte ky. Dhe ky gjyq nuk ishte një lojë fjalësh. Zotëria kërkonte si dëmshpërblim për cënimin e imazhit një shifër mbi 100 000 USD që, për ta siguruar, do të më duhej të shisja shtëpi e katandi e të kthehesha më keq se në gjendjen financiare që kisha kur dola nga burgu. Nuk ishte lojë fjalësh edhe sepse kishte mbështetjen e kryeministrit Nano, e shoqja e të cilit Xhoana kishte tentuar të më hidhte në gjyq për shpifje dy javë më parë, si dhe mbështetjen e Edi Ramës i cili, në përkrahje të atij që e quajti “miku im Kokëdhima”, deklaroi në një televizon asokohe se edhe ay do të më kishte hedhur në gjyq po të mos kisha pas qenë në burg, (pasi e kisha akuzuar se po trafikonte lejet e ndërtimit e tenderat për të blerë e manipuluar median). Por ky gjyq nuk ishte një lojë fjalësh edhe në kuptimin e fateve që po i gatueshin gjithnjë e më shumë shtypit të lirë në Shqipëri në moshë krejt e re po të kesh parasysh se vetëm pak vite na ndanin nga 97-ta kur filluan të lindin gazetat me pronarë biznesmenë. Në këtë situatë përvoja ime me kolegët e Shekullit ndër të cilët edhe Muçi rezultoi më keq se zhgënjyese. Ata u rreshtuan në anën e padronit dhe mikut të tij politikan kush në mënyrën më të paturpshme duke dëshmuar rremësisht kundër meje kush i shtrënguar nga hallet. Muçi nuk bëri përjashtim nga kjo lojë. Në vend se të dilte në anën e kolegut – ndërkohë që e dinte mirë se si ishin punët – bëri thirrje në një shkrim të turpshëm që unë të shkoja në atë gjyq masakrues që zgjati dy vjet. Që prej asaj kohe e kam futur në kategorinë e atyre gazetarëve që gjithnjë e më shumë përvehtësojnë dhe ushtrojnë artin e shërbimit ndaj padronit që i paguan, por pa e sulmuar ndonjëherë publikisht, madje as kur mu lëshua si i tërbuar pse kisha pranuar të isha antar i KDRTSH. Kjo është bindja ime dhe, për fat të keq, më mungojnë elementët për të mos besuar kështu. Gjithsesi dua të them se të katandisurit në qen roje të padronit nuk duhet parë si diçka tejet fyese. Është një kondicion që është bërë gati normë në shtypin tonë në sajë sistemit që ngritën Edi Rama me shokë dhe të shembujve kësisoj. Në mënyrë më të butë ne themi “qeni leh atje ku ha”. Problemi i gazetarit kuptohet është më i vështirë ai nuk mund ta thotë hapur se lehjet e tij janë të kondicionuara nga buka që ha dhe janë drejtuar kundër atyre që rrezikojnë shtëpinë e padronit apo politikanit me të cilin ka interesa padroni. E këtu fillon drama. Shpesh arma më efikase për të kapërcyer këtë gjendje poshtërimi është autocenzura. Mirëpo ajo është shumë e rrezikëshme. Ja si shkruan Danilo Kish për autocenzurën: “e padukëshme, por atje, larg syrit të publikut dhe e zhytur në thellat më të fshehta të shpirtit, ajo është shumë më efikase sesa cenzura. [...] Autocenzurë do të thotë ta lexosh tekstin tënd nëpërmjet syve të një tjetri. [...] Duke refuzuar ta pranojë këtë fenomen, i cili është poshtërues për rolin prej bashkëpunëtori, autori i jepet gënjeshtrës dhe korruptimit shpirtëror.”
Për mua ky është thelbi i fenomenit që ka prekur sot rëndë gazetarinë shqiptare duke e korruptuar atë shpirtërisht. E si ilustrim të këtij fenomeni mund të sillja edhe sulmin banal që më bën Muçi së fundi kur me një stil që të kujton gazetarinë e lidhur me shërbimet sekrete thotë se unë u thënkam të hujave që takoj se Berisha është “the only hope” (shpresa e vetme) pa cituar se ku e kam thënë dhe në çfarë konteksti e kam thënë ndërkohë që ka me dhjetra artikuj të mij lidhur me situatën dhe dinamikën e marrëdhënieve mazhorancë opozitë si dhe rolin e veçantë që ka sipas meje Berisha në këtë dinamikë që mund t’i merrte e t’i citonte e analizonte. Së fundi psh. kam rishprehur idenë se sipas meje sot më i rrezikshëm se Berisha autoritar është sistemi mafjoz që ngritën socialistët gjatë tetë vjetëve, pra kapja e shtetit e se, gjithë kjo luftë që i bëhet Berishës me në krye opozitën nën petkun e luftës për liri është lufta që bën ky sistem për ta mbajtur shtetin të kapur. Por pa harruar asnjëherë të ve në dukje se lufta kundër korrupsionit nuk duhet kurrsesi të bëhet duke e aplikuar ligjin në mënyrë selektive, si në rastin e Albatrosit, pasi kjo mund ta degjenerojë çështjen. Këtë nuk mund tua them ndryshe të huajve sepse jo vetëm do të më vinte turp nga vetja të flisja ndryshe me të huajt e ndryshe me shqiptarët, por edhepse do të dilja bllof sepse ata të huaj që takoj janë shumica njerëz që në tërësi e ndjekin edhe shtypin shqiptar. Analisti fare mirë mund ta merrte këtë ide dhe të më argumentonte se gabohem. Por në vend se të bëjë këtë punë të vlefshme që tek e fundit nëpërmjet forcës së argumenteve mund edhe të më ndryshojë mendje, lëshon një shashkë që nuk ka fare qëllim të analizojë por të eliminojë një koleg apo t’i bëjë qejfin një padroni, pa kuptuar se kjo vetëm punë analisti nuk është.

Rrëmbimi i avionit pak ditë me parë është kthyer në një betejë politike në vend. Si e shini ju këtë ngjarje dhe a mendoni se është cënuar vërtet siguria kombëtare?

Për mendimin tim pasi u çliruam nga ankthi i jetës së pasagjerëve, pasi u çliruam nga frika se mos ky akt mund të kishte një matricë terroriste të lidhur me fondamentalizmin islamik dhe nga frika se ky njeri mund të kishte bashkëpunuar me policinë shqiptare për të hyrë i armatosur në avjon ngjarja u shfry dhe e humbi rëndësinë. Nuk është sipas mendimit tim ndër ato ngjarje me të cilat duhet të merremi gjatë pasi mund të na shërbejë si mësim për të ardhmen; dhe as një ngjarje që tregon shkallën e lartë apo të ulët të sigurisë në vend. Kemi gjëra shumë më të rëndësishme për tu marrë edhe përsa i përket gjendjes së sigurisë në vend.
Rubrika Përpjekja (Standart 7 tetor 2005) hllihtj

Të gabosh për hesap të të tretëve

Kohët e fundit një grup analistësh dhe Mjafti kanë lançuar një lëvizje që vetë ata e kanë pagëzuar me emrin Aksion Civil. Si e shini një nismë të tillë të këtij grupi dhe a mendoni se mund të sjellë diçka të re në tregun e veprimeve shoqërore dhe politike në vend?

Jam njohur me këtë lëvizje sepse më erdhi edhe një e-mail që më ftonte për pjesëmarrje. Fillonte me fjalinë: “Qindra intelektualë kanë vendosur t'i japin jetë Aksionit Civil dhe të protestojnë nesër (e premte, 29 shtator 2006) në orën 12.00, përpara Ministrisë së Punëve Publike, për të mbrojtur demokracinë në Shqipëri.”. Kur e lexova këtë fjali më erdhi për të qeshur me dy gjëra: së pari me atë “qindra intelektualë” (sa shumë intelektualë paskemi!) dhe së dyti me idenë për t’i mbledhur këta përpara Ministrisë së Transportit e të Punëve Publike që do të thotë të protestojnë kundra Lulzim Bashës medemek se ky qënka ai që po na kërcënoka demokracinë. Është qesharake të imagjinosh qindra intelektualë duke protestuar për lirinë përpara Ministrisë së Transportit, mund të imagjinosh shoferë taksie apo autobuzi që protestojnë sëbashku me makinat apo autobuzat për liçenca apo rrugë a ku di unë, por jo intelektualë përpara Ministrisë së Transporti. Intelektualët mund të protestojnë më ndonjë shesh lirie, apo përpara ndonjë institucioni me funksion shtypës siç mund të jetë Ministria e Brendshme apo edhe përpara Kryeministrisë, por jo te Ministria e Transportit ta hajë dreqi.
Pastaj më poshtë në ftesë nxitohej të thuhej edhe diçka tjetër që nuk e prisja: “Brenda Aksionit Civil nuk do të gjeni asgjë që mund të ketë lidhje me partitë politike.” Kjo kërcet sepse tua thuash këtë injorantëve edhe mund ta hanë, por si mund t’u thuhet intelektualëve kjo via e-mail? Nëse dinë ndonjë gjë mirë intelektualët dhe pseudointelektualët tanë këto janë lidhjet që ka gjithsejcili me partitë. Dhe për mua s’ka ndonjë të keqe që të kenë lidhje me partitë. Problemi është që këto të jenë lidhje transparente, të sinqerata dhe të synojnë të mirën e vendit. Madje në këtë kontekst vlen të analizohet pse i ha meraku të thonë se nuk kanë lidhje me opozitën, sepse që shumica e këtyre janë në sintoni me kritikat dhe akuzat që bën opozita, kjo dihet. Tentativa për fshehjen e lidhjeve me opozitën, sikur kjo të ketë kolerën apo SIDA-n, sikur i fut në një krizë të dyfishtë edhe opozitën edhe këta intelektualët. Nuk di ta them me bindje pse bëhet kjo politikë kulisash: një mendje të thotë se nuk u intereson të thonë se po punojnë që ish ministrat e korruptuar të PS të rikthehen përsëri në postet ministrore që kanë pasur, sepse kjo u humbet kredibilitetin; një tjetër se ndoshta synojnë të krijojnë imazhin se përveç PS këtu ka edhe një popull tjetër që proteston, kurse një mendje e tretë se një palë në PS synon t’i përdorë nesër për të likuiduar pjesës tjetër të PS. Kjo formë veprimi më bën të dyshoj se kemi të bëjmë me mënyrat e bërjes politikë të kryetarit të opozitës Rama në stilet e të cilit spikat shpesh një ndarje nganjëherë thuajse diametralisht e kundërt midis qëllimeve të vërteta që i harton në kulisa dhe atyre që i shpall hapur nëpër ekrane. Sidoqoftë ka diçka që nuk shkon në këtë ngurrim, që të ngjall mosbesim, e që më duket se u reflektua edhe në numrin minimal të njerëve në tubimin para Ministrisë ku nuk i dallova intelektualët.
Problemi më i madh që sipas meje kanë si Mjafti dhe dy analistët nismëtarë të aksionit civil – se për kaq bëhet fjalë më duket - është çështja e humbjes së kredibilitetit të tyre si shoqëri civile apo si analistë jo pse rreshtohen sot me opozitën, as pse denoncojnë skandalin e Albatrosit e mbrojnë Presidentin, por pse nuk kanë qenë në opozitë as kur PS ishte në pushtet e kanë qenë selektivë kundrejt fenomenesh krejt të ngjashme. Kanë bërë lojën e Edi Ramës duke i mshuar vazhdimisht idesë se duhej të ikte Nanua dhe Berisha, por nuk e kanë ngritur thuajse asnjëherë zërin për fenomenet që e gërryen Partinë Socialiste të tilla si lidhjet e saj korruptive me bizneset sidomos me trustet e ndërtimit apo për blerjen e mediave nëpërmjet shesheve të ndërtimit dhe tenderave e fenomene të tjera të tilla kampion i të cilave në Tiranë ka qenë vetë njeriu që kanë mbështetur, Edi Rama. Po ashtu kanë ngritur zërin me të madhe ndaj Berishës autoritar kur ky ishte në opozitë e nuk kanë pasur as ndjeshmërinë më të vogël për të parë tek Rama një edhe më autoritar e më personalizues institucionesh kur ky ishte në pushtet.
Po ashtu mund të them se e keqja më e madhe që mund ta gjejë dikë që pretendon se bën analistin kur del në rrugë për të bërë militantin është se nëse analistit i duhet aftësia për të përimtuar argumentet në ato që qëndrojnë dhe ato që nuk qëndrojnë e të ngrerë dyshime militantit i duhet besimi absolut në palën për të cilën lufton.
Tek e fundit unë i mbetem mendimit se që Shqipëria të hedhë një hap të ri përpara sot, duhet të ngulmojë të krijojë institucione e shoqëri civile e media të tilla që të hyjnë gjithnjë e më fuqishëm e me besim e mbështetje në konfliktin midis dy partive të mëdha – institucione pra që do të zëvendësojnë autoritetin dhe kredibilitetin që e kanë sot vetëm ndërkombëtarët - dhe jo aksione të tilla që duket sheshit se bëjnë lojën e njërës palë kundra tjetrës.


Një ndër idetë e këtij grupimi është edhe mundësia e një Partie Demokratike pa Berishën. Sipas mendimit tuaj, kjo do të ishte në të mirë apo në të keq të zhvillimit të vendit?

Edhe kjo ideja e hedhur për të lënë PD në qeverisje, por pa Berishën do parë më thellë sesa akuzat që hidhen për një Berishë autoritar apo të paaftë. Edhe këtu ka diçka që fshihet apo që nuk u artikulohet hapur e gjer në fund njerëzve. Nëse ju kujtohet, Nano, kur ishte në pushtet, i thoshte Berishës: “ti je garancia ime më e mirë që unë të qëndroj në pushtet”. Me këtë donte të thoshte se ai nuk votohej nga shqiptarët. Nëse do të kemi parasysh se edhe pasi humbën pushtetin socialistët me në krye Ramën filluan fushatën e kryeministrit të paaftë, ta do mendja se në vazhdën e arsyetimit të Nanos e duke patur parasysh se ne nuk kemi një opozitë që e ha meraku që vendi të qeveriset mirë, prania e Berishës me gafat dhe paaftësinë që i atrubuohen do të ishte në interes të PS sepse një më i mirë do të përbënte një rrezik më të madh për rikthimin e tyre në pushtet. Atëhere pse ky ngulmim që të ikë Berisha? Pse ai përbëka një rrezik më të madhe për PS-istë ndërkohë që duhet të jetë një kundërshtar më i dobët sepse më i paaftë dhe më i padëshiruar nga opinioni? Këtu del akuza e tyre ndaj Berishës si kërcënues i lirive. Por sa kredibël është kjo në kontekstin ku ndodhemi dhe sa është produkt i paranojave të socialistëve? Unë nuk besoj se opozitarët i ha meraku për lirinë e qytetarëve në kuptimin që e ka artikuar së fundmi Rama: se Berisha po u heq mundësinë njerëzve të ndershëm për të jetuar me punë të ndershme. Nëse ka sistem që fjalën ndershmëri dhe punë të ndershme e fshiu krejt nga faqja e dheut në këtë vend është sistemi që ngriti Nano e Rama. Unë më shumë besoj se shqetësimi i tyre është ai që më tha Ben Blushi në debatin në Opinion kur i thashë se opozita nuk mund të ndërtojë që ditën e parë strategjinë e rrëzimit të mazhorancës sepse kjo ka të bëjë me mosrespektimin e vullneti të popullit që i ka dhënë mandatin dhe i solla shembullin e SHBA ku, ndonëse Bushit sot i janë ulur kuotat në minimum historik dhe demokratët i kanë shumë të larta, opozita nuk i kërkon të japë dorëheqjen, por pret të vijë koha e votimit. Përgjigja që më dha Blushi ishte se Berisha nuk është Bushi pasi ai del një herë në dy ditë e na akuzon si të korruptuar prandaj ne nuk mund ta lemë të qeverisë katër vjet. Mirëpo një gjë është ta akuzosh Berishën se kërkon të godasë lirinë e të korruptuarve dhe një gjë është se po godet lirinë e të gjithë shqiptarëve. Përshtypja ime është se ankthin e tyre vetiak një grup njerëzish kërkon t’ia transmetojë tërë vendit. Sot për sot unë nuk e gjykoj situatën të jetë dramatike përsa i përket kërcënimit të lirive dhe të drejtave të njeriut nga shteti. E kam thënë dhe e them se lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si mundësi për të jetuar e punuar ndershmërisht i ka dhunuar në mënyrën më të tmerrshme sistemi i korrupsionit që ngritën socialistët (bashkë me rritjen e papërballueshme që u bëri çmimeve e standartit të jetës ky sistem) dhe se lufta kundër tij do të hapte hapësira të munguara lirie e barazie përpara ligjit. Në këtë kuptim situata është vërtet dramatike për shumicën, por kjo nuk është gjendja e atij grupi njerëzish që akuzohen si të korruptuar se ata ekonomikisht e kanë siguruar jetën. Prandaj ndoshta rruga më e mirë do të ishte që këta të jepnin dorëheqjen nga postet e nga imuniteti që kanë e t’i kërkonin drejtësisë t’i hetojë sesa të fusin tensionin në tërë vendin. Duke mos u shkuar as ndërmend kjo ata sulmojnë Berishën sepse sipas meje ata tek Berisha pra shohin kërcënimin më serioz për veten e tyre. Kjo shpjegon sipas meje edhe pse ngulmojnë me çdo mjet për tu thënë shqiptarëve se edhe ky është i korruptuar. Kërkojnë ta godasin pra në atë që si të thuash është pika e tij më e fortë në opinion që do t’i hiqte të drejtën morale për t’i goditur për korrupsion. Sipas meje do të ishte shumë më e shëndetëshme për të gjithë që tërë këto energji t’i shpenzonin për të provuar se janë të pastër vetë sepse provimi i korrupsionit të Berishës nuk i çliron dot ata nga akuzat për korrupsion që kanë mbi shpinë dhe për më tepër krijon në vend një situatë edhe më të pashpresë përsa i përket ndryshimit për të cilin votoi shumica e shqiptarëve më 3 Korrik.

Në shkrimet e tij të fundit, gazetari Mustafa Nano ju ka kujtuar disa artikuj tuaj të disa viteve më parë kundër Berishës. Si do t'i përgjigjeshit këtij sulmi të zotit Nano? Do të pranonit se keni gabuar atëhere apo se po gaboni tani?

Në përgjithësi unë kam pasur dhe kam bindjen se kur e kam akuzuar Berishën për autoritarizmin e tij në vitet 92-97 dhe personalizimin e pushtetit kam qenë në krahun e drejtë e jo të gabuar ashtu sikurse kam bindjen se nuk gaboj kur them se sot më i rrezikshëm se Berisha autoritar është sistemi mafjoz që ngritën socialistët gjatë tetë vjetëve, pra kapja e shtetit e se, gjithë kjo luftë që i bëhet Berishës me në krye opozitën nën petkun e luftës për liri është lufta që bën ky sistem për ta mbajtur shtetin të kapur. Por gjithë pa harruar asnjëherë të ve në dukje se lufta kundër korrupsionit nga ana e Berishës nuk duhet kurrsesi të bëhet duke e aplikuar ligjin në mënyrë selektive pasi kjo mund ta degjenerojë çështjen sepse ajo në thelb nuk duhet të jetë luftë kundër njerëzve, por kundër sistemit. A kam gabuar në tërë çka kam thënë e kam vlerësuar gjatë këtyre dy periudhave? Pa dyshim që kam gabuar. Një nga gabimet e mija është edhe Mustafa Nano psh. dhe, po të nisem nga llogjika që përdor ky mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse të skuqem për gabimet që kam bërë: pse kam mbështetur Berishën dhe PD më 1991-1992; pse kam mbështetur Aleancën e Cekës në një kohë të dytë, Nanon e Metën më vonë, por edhe Ramën në fillim të karrierës. Sipas tij unë do të isha burrë i mirë nëse do t’i qëndroja besnik deri në vdekje ndonjërit prej këtyre. Por detyra e një intelektuali është tu qëndrojë koherent disa bindjeve dhe idealeve dhe jo disa personave aq më pak kur sheh se këta i nëpërkëmbin moralin, parimet e idealet. Kurse roli që reklamon Mustafai është ai i “chien de garde” (dmth qen roje i padronit).
Ndarjet e mija me ata që kam mbështetur kanë pasur të bëjnë me zhgënjime në raport me atë çka kemi pritur nga këta njerëz dhe po ashtu akuzat ndaj tyre aty e kanë pasur burimin. A kam gabuar në gjykimet e mija edhe në këto raste? E përsëris: po, pa dyshim. Do të rreshtoja një listë të gjatë gabimesh. Problemi është se nga kanë buruar këto gabime. E këtu do të jepja përgjigjen që dha Enzo Biagi, gazetari i njohur italian, kur e pyetën nëse ka gabuar në ato që ka thënë apo shkruar gjatë karrierës s tij. Ai u përgjegj: - si nuk paskam gabuar edhe shumë bile, por kam gabuar “in buona fede” (që në shqip do ta përkthenim: se ashtu kam besuar) jo për hesap të të tretëve. Edhe unë nuk besoj se mund të më provojë kush se gabimet që kam bërë i kam bërë për hesap të të tretëve e aq më pak se idetë apo parimet mbi të cilat jam mbështetur për të gjykuar e kritikuar të tjerët kanë qenë në kundërshtim me ato që kam shpalosur si bindjet e mija bazë gjithherë. Kurse ky Nanua me shokë kam frikë se nuk e provojnë dot se nuk kanë gabuar e nuk gabojnë për hesap të të tretëve. A e shikoni se si dalin dhe thonë “Brenda Aksionit Civil nuk do të gjeni asgjë që mund të ketë lidhje me partitë politike.” Që këtu duket sheshit, se nuk luajnë ndershëm. Dhe pastaj fajësojnë shqiptarët pse nuk i ndjekin. Po kush të ndjek po s’pati besim se po punon për ta dhe jo për të tretët që të tërheqin fijet nga kulisat?
(Rubrika Përpjekja, Standart, 30 shtator 2006)

Sa e vështirë është të hysh në institucionet shqiptare me idenë se ke marrë një mistri për të ndërtuar dhe jo një pushkë për të luftuar

Zoti Lubonja sapo keni dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit. A ka ndonjë arsye tjetër që ju ka bindur të ndërmerrni një veprim të tillë përveç atyre që keni deklaruar? Për ju kjo ishte zgjedhja e rrugës më të lehtë e mundshme, por ndryshe a mund ta quajnë edhe dorëzim?

Mund ta quanit edhe rruga më e lehtë e mundshme, por jo më e lavdishmja po të kesh parasysh atë që thotë Miltoni, se është e bukur t’u këndosh udhëve të Zotit, por është shumë më e lartë t’i realizosh ato. Do të përpiqem të shpjegoj, mesa të mundem se pse sipas meje mosdorëheqja zor se do të mund të më çonte drejt lavdisë.
Fillimisht le të përsëris arsyet edorëheqjes: së pari marrëveshja që, në vazhdën e akteve të politikës që nëpërkëmbin ligjin, krijon pak shpresë e garanci se ky mund të zbatohet, e se dikush mund të punojë jashtë diktatit të këtyre partive; së dyti formula e cila pas marrëveshjes më nxorri në pozicion “jashtë loje artificial”, po të përdor këtë term futbollistik, dmth. më bëri lojtar të PD ndërkohë që isha i shoqërisë civile, së treti mugesa e projekteve të politikës e klima në rrethet mediatike që unë testova pas zgjedhjes e cila ishte dekurajuese. Do të mjaftonte njëra, veçanërisht e dyta që për mua ishte shumë e rëndësishme sepse kisha deklaruar që me formulën me balancim nuk do të kisha pranuar të zgjidhesha, për të dhënë dërëheqjen. Të treja janë shumë. Nuk ka ndonjë arësye tjetër nga ato që gjithmonë kërkohen në Shqipëri e besohen më shumë, si me thënë arësyeja e fshehtë. Nuk ka pasur as ndonjë intrigë pas shpine, as ndonjë ndërhyrje nga pushteti për të imponuar ndonjë zgjedhje që unë nuk mund ta pranoja, as ndonjë konflikt të brendshëm në shtatëshen e të zgjedhurve. Nëse do të shtoja ndonjë arësye tjetër do të thoja se edhe kur pranova të kandidoja kisha shumë ndërdyshje si përsa i përket asaj se sa i aftë do të isha të vazhdoja të bëja njëherësh edhe punën e gazetarit e shkrimtarit edhe atë punë ashtu edhe duke patur parasysh vështirësitë e mëdha që paraqet reformimi i atij institucini. Tri arësyet që kam përmendur si shkaqe e prishën krejtësisht balancën.
E këtu vijmë tek pyetja juaj që më djeg sepse dorëheqja interpretohet edhe si dorëzim, si rruga më e lehtë, por jo më e lavdishmja.
Një zgjedhje si kjo kishte një sërë kundërthëniesh. Kundërthnia më e rëndësishme për mua ka qenë ajo se nga një anë në pozicionin e inteletkualit, shkrimtarit apo gazetarit kërkohet të jesh radikal, gjithherë në luftë të papajtueshme me të keqen në emër të idealit dhe parimeve kurse në rolin e drejtuesit të një institucioni që të kërkon të punosh me të tjerët, me institucionet e tjera, quaje po deshe të bësh politikë, kërkohet moderacioni më shumë sesa radikaliteteti, realizimi i gjërave konkrete më shumë sesa shprehja e idealeve. Që të jem i sinqertë kur mora propozimin e shoqatës së gazetarëve profesionistë për të qenë antar i KDRTSH nuk e mendova se një detyrë e tillë do të politizohej aq shumë e do të futesha në qendër të polemikave politike. Pra, kam menduar se emri im si gazetar do të mbetej kryesori dhe nuk do të ekliposohej nga ajo detyrë, por mbi të gjitha se nuk do të ishte në kontradiktë të fortë me atë detyrë. Kam menduar se mund të gjeja një lloj kompromisi midis punës sime si gazetar dhe qënies antar i një bordi të Televizionit Publik, aq më tepër duke patur parasysh ndjeshmërinë që kam treguar vazhdimisht për publiken çka do të thoshte për mua se kahja e ideve për të cilat jam shprehur idealisht është e njëjtë me kahen e punës për bërjen e tyre realitet, e jo e kundërt. Duhet ta pranoj se në këtë llogari kam gabuar sepse nënvleftësova faktin (që e di) se sa xheloze dhe e sëmurë është politika për të ruajtur kontrollin total mbi çdo gjë që ekziston në Shqipëri dhe veçanërisht mbi sistemin mediatik, por edhe sepse besova se tashmë ka ardhur koha kur të gjithë aktorët janë ndërgjegjësuar se nuk mund të shkohet më kështu me këtë bathore mediash që kemi.
“Jeta është në ëndërr ëndrra bëhet realitet” thotë romantiku Novalis. Ju me fjalë të tjera më akuzoni se hoqa dorë nga vullneti për të bërë realitet ëndrrën. Edhe në shtypin e këtyre ditëve gjeta një kritikë të artikuluar nga Rudina Xhunga në gazetën Shqip e cila kritikonte një lloj idealizme që të shtyn “tu rrish larg skemave, marrëveshjeve intrigave, prapaskenave me drojën se mos ndotesh.” “Por nëse punon edhe do të bëhesh pis.”. “Të kesh frikë se mos bëhesh pis [...] është si të mos bijesh në dashuri nga frika se mos vuan.” – thotë Xhunga edhe pse kur kjo gazetë ku ajo punon më akuzoi me të keq se “u bëra pis” nuk më përkrahu duke paraqitur këtë filozofi. Është shumë e vërtetë megjithatë ajo që thotë sepse tek e fundit këtu vijmë tek thelbi i çështjes që, po të ekstrapolojmë, mund ta shtrojmë kështu: a mund të themi se jemi të moralshëm e të lirë duke ndejtur në shtëpi e duke prerë çdo marrëdhënie me shoqërinë nga frika se humbasim moralin dhe lirinë? Unë them jo sepse në fakt edhe liria edhe morali janë dimensione të njeriut si qënie sociale, që kanë kuptim vetëm në atë kontekst. Nuk mund të thuhet se dikush është i lirë nëse largohet nga të tjerët ngase i gjykon se nuk janë të lirë, e, as i moralshëm nëse nuk është në marrëdhënie ndërveprimi me të tjerët. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë se duhe të bëjë imoralitete meqë është në një ambjent të pamoralshë apo të dhunojë liritë meqë është në një ambjent ku dhunohen liritë. Problemi pra më shumë është të luftosh për lirinë dhe të luftosh për moralitetin sesa të jesh i lirë, të jesh i moralshëm. Ose, nëse do të përdor metaforën e dashurisë që ka përdorur Xhunga do të thoja se liria ka të bëjë edhe me ndërmarrjen e rrezikut për t’u lidhur me dikë. Nga kjo lidhje nesër mund të kesh edhe telashe edhe zhgënjime edhe dhimbje, por vetëm nga kjo lidhje do të kesh mundësi të gjenerosh jetë, të fitosh frymëzim ose të gjesh një kuptim jete. Mirëpo akti i lidhjes nënkupton një gjë fillestare; besimin, në kohën kur bën lidhjen, se kjo do të ecë. E problemi është se që nga koha kur unë bëra “fejesën” e deri kur vendosa të mos “martohem” ndodhi diçka që më humbi atë besim të kursyer që kisha ushqyer në mundsinë e realizimit të diçkaje. Kur pranova e pata të qartë se po “nxirrja nga xhepi” një pjesë të lirisë sime apo edhe të moralit për ta investuar me besimin se për një kohë më të shkurtër apo më të gjatë nëpërmjet rezultateve të kësaj “martese” do të mund të fito/ja/nim diçka më shumë liri dhe moral. Pra shumë njerëz që mund ta kishin parë me dyshim këtë vendim duke parë disa rezultate të prekshme në RTSH e në mënyrën e funksionimit të tij qoftë përsa i përket paanshmërisë, qoftë përsa i përket shërbimit ndaj publikut, qoftë përsa i përket transparencës së menaxhimit do të mund të më rikthenini ndoshta edhe më shumë besim. Në këtë kontekst edhe mazhranca që zgjodhi atë formulë duke pasur besim në zgjedhjen e saj dhe në qëllimin e mirë të zgjedhjes së saj do të mund të merrte ndonjë pikë më shumë nga elektorati edhe për përmirësim të gjendjes së RTSH. Mirëpo mazhoranca e sakrifikoi shumë shpejt kalin për torre nëse do të përdorja një metaforë shahistike. Kurse opozita vazhdoi të shqetësohet vetëm për një gjë: se si kjo mazhorancë të mos pranohet në asgjë, të mos ketë mundësi për asnjë lloj suksesi, madje mundësisht Shqipëria të bjerë poshtë e më poshtë gjatë kësaj kohe derisa ajo të rikthehet në pushtet.
Prandja në thelb, me gjithë kontradiktat që bart kjo dorëheqje ashtu sikurse edhe zgjedhja, mendoj se kam marrë një vendim të drejtë dhe se rasti im mund të shërbejë sadopak për të ilustruar se sa e vështirë është të hysh në institucionet shqiptare me idenë se ke marrë një mistri për të ndërtuar dhe jo me idenë se ke marrë një pushkë, që ta ka dhënë partia, për të luftuar kundërshtarin.

Kohët e fundit një nga temat më të diskutuara në opinion publik shqiptar dhe sidomos në atë politik ka qënë bllokimi i kompanisë ajrore Albatros. Si e shihni gjithë këtë histori dhe a mendoni se ky ka qënë një veprim i qeverisë për t'i bërë presion presidentit?

Për këtë çështje jam shprehur edhe më herët me një shkrim të titulluar “Dy modele të dështuar”. E kam fjalën për dy modele të menaxhimit të vendit që na paraqiten nga politika lidhur me raportin e shtetit me shkelësit e ligjit – e këtu e kam fjalën kryesisht për rastet e bizneseve që ndërtohen me afera korruptive e shkelin ligjin. Po të kesh parasyh tërë qëndrimin e opozitës ndaj tentativave të mazhorancës për të dënuar shkelësit e ligjit apo korrupsionin ato mund të sintetizohen në kërkesën: o dënojini të gjithë ose asnjërin. E meqënëse të gjithë nuk mund të dënohen atëhere s’keni të drejtë të dënoni asnjërin sepse ata që po dënoni doni t’i zgjidhni nga rradhët e mbështetësve tanë ose t’u bëni presion për synimet tuaja. Në rastin e Albatrosit kjo mendësi shprehet në atë se opozita nuk thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për nëpërkëmbjen që i ka bërë ligjit kjo kompani, por e merr në mbrojtje duke theksuar vetëm gjysmën e kësaj historie: goditjen selektive të saj për të bërë presion mbi Presidentin. Unë besoj se bërja presion dhe përdorimi selektiv i ligjit në këtë rast ekziston. E besoj këtë edhe thjeshtë duke iu rferuar faktit se ky ka qenë dhe mbetet një model i bërjes politikë tek ne dhe është një model i dënueshm dhe i dështuar njëkohësisht. Sepse nëse mazhoranca tregon selektivitet në aplikimin e ligjit dhe më anë tjetër arrin nëpërmjet mjetesh të pamoralshme të heqë prokurorin e të vendosë një prokuror të vetin atëher nuk do të kishim asnjë garanci që ky prokuror nuk do të përdorej gjithnjë në mënyrë selektive për të topitur çdo kundërshtar politik. Personalisht kam qenë dhe mbetem i mendimit se sot për sot rreziku më i madh nuk është ky, por kapja e shtetit nga krimi e korrupsioni, mbretëria a pandëshkueshmërisë që ndërtuan socialistët për krimin e se prokurori me kohë duhet të kishte dhënë dorëheqjen për këtë. Por nuk duhet të neglizhojmë faktin se duke patur parasysh se shumicën e liderëve të opozitës mund t’i kapësh e dënosh me ligj do të mund të ndodheshim përpara situatash shumë komplekse. Po të kesh një prokuror që nuk jep garanci se nuk mund të përdoret për të shkatërruar opozitën duke përdorur ligjin në mënyrë selektive mund të vijmë në një situatë mungese opozite dhe autoritarizmi të ushtruar nëpërmjet kërcënimit të dënimit. Dhe problemi më i madhe që do të sillte kjo situatë është ai se kush do ta korrigjonte Berishën dhe PD kur të bëjë politika të gabuara? Po t’i hysh thellë fenomenit me Albatrosin do të shohim se jemi pikërisht përpara këtyre dilemave të vështira që kërkojnë vërtet përgjegjësi dhe debat të thellë për të gjetur mënyrat e daljes nga dy modelet e dështuara, atë të pandëshkueshmërisë dhe atë të aplikimit selektiv të ligjit e të ndërtojmë modele që të çojnë drejt kthimit të autoriteti të shtetit më një anë e krijimit të barazisë përpara ligjit më anë tjetër.

Çështja Albatros ka sjellë në skenë edhe një problem tjetër për shoqërinë shqiptare. Fjala është për modën e përgjimeve. Mendoni se "çimkëzimi" po vë në rrezik lirinë e individit?

Kjo puna e përhapjes së modës së përdorimit të çimkave për përgjime është diçka që shoqëria duhet ta trajtojë seriozisht sepse është treguesi i asaj se çfarë marrëdhëniesh kemi krijuar në këtë shoqëri të kapitalizmit të egër dmth. se ku po shkon shoqëria nga pikpamja e moralit, e besimit të njeriut tek njeriu, e ndershmërisë së raporteve dhe zgjedhjes së mjeteve për zgjidhjen e problmeme që ka të bëjë, mes tjerash, edhe me krijimin e kushteve për një treg të lirë e të ndershëm. E kjo është gjëja më e rëndësishme sepse ajo që e quajmë cilësi e jetës mbi të gjitha ka të bëjë me gjendjen shpirtërore të një individi apo të një shoqërie dhe jo me gjendjen materiale. Historitë me çimka tregojnë se përdorimi i çdo mjeti për të arritur qëllimin tek ne ka arritur nivele degraduese të papara, por sapo thua këtë kujtohesh se nga kemi dalë: nga shoqëria komuniste e mbushur me përgjues natyralë, veshë të ngritur, që, për të bërë një copë karrierë çfarë nuk bënin. Prandaj nuk mund të mos mendosh se këtu nuk kemi të bëjmë me degradim nga një gjendje më e mirë, por me një vazhdimësi imoraliteti me përmirësime teknologjike.
Nuk e dimë tamam se si janë zhvilluar ngjarjet, por, nga sa kam ndjekur mediat, mua më duket se në një situatë me moral të shëndëshë dhe respekt për ligjin si në nivel individual edhe në nivel institucionesh, kur një kompani ka një borxh dhe kur, nga ana tjetër, pronarët kanë lidhje të afërta me Presidentin dhe e dinë se ky është në një moment delikat të karrierës së tij gjëja më e moralshme që do të duhet të bënin, madje pa marrë sinjalin se borxhi i tyre po përdoret për të bërë presion, duhej të ishte pagesa e borxhit pikërisht për ta lehtësuar jo vetëm presidentin, por edhe klimën politike. Aq më tepër kur shifra e borxhit është 400 mjë euro kurse fitimi, sipas shtypit, vetëm në një vit është 17 milion. Kurse futja në skenarin e përgjimit është komprometuese aq më tepër pse Albatros nuk merr dot përsipër as autorësinë e përgjimit sepse është e paligjshme. Kurse po ta kërkonin lejen e përgjimit në prokurori do të ishte prap e papëlqyeshme sepse prokurori në këtë rast do të akuzohej se po përdorte institucionin për të mbrojtur vetveten. Pra ky përgjim sipas meje më shumë ka sjellë dëm sesa fitim qoftë në kuptimin e moralitetit të një akti që përdoret për të arritur një qëllim qoftë në kontekstin e klimës së përgjithshme të marrëdhënies midis institucioneve. Këtu po merrem me përgjimin pa harruar se ky nuk justifikon tentativën e cilitdo pushtetar për të përdorur borxhin për qëllime politike apo aplikuar ligjin në mënyrë selektive. Edhe kjo është e dënueshme, madje po ta vesh në ballancë rëndon më shumë sepse është shteti i pari që duhet të rrezatojë moralitet. Kurse akoma më e dënueshme bëhet gjendja kur i sheh të dyja këtë forma në bashkveprim sepse përçojnë një klimë tejet të rëndë përsa i përketë shëndetit moral dhe respektit për ligjin në shqërinë shqiptare. (Rubrika Përpjekja, Standart, 23 shtator 2006)

Tri arësye pse jap dorëheqjen nga KDRTSH

Këto ditë, pasi u njoha më nga afër me marrëveshjen midis PD dhe PS e cila midis të tjerash ka prekur edhe Këshillin Drejtues të RTSH anëtar i të cilit jam zgjedhur si dhe zhvillimet pas saj vendosa të jap dorëheqjen nga kjo detyrë.
Janë kryesisht tri arësyet që më shtynë të marr këtë vendim.
Së pari, këtë marëveshje e konsideroj fryt të një politike që e kam denoncuar mëse një herë - kohët e fundit në një shkrim “Shteti i ligjit dhe shteti i marrëveshjes”- që sipas meje e ka lënë vendin në një nëpërkëmbje permanente të ligjit. Sipas gjykmit tim loja e politikës sonë me dualizmin ligj - marrëveshje, për fat të keq edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, ku, për interesa të ngushta partiake në më të shpeshtën e herëve marrëveshja ka nëpërkëmbur ligjin, i ka dhënë udhë arbitraritetit, lojës së forcës dhe ka depersonalizuar çdo institucion tjetër që buron prej ligjit. Edhe në marrëveshjen e fundit ndodhi e njëjta gjë. U arrit deri sa u shkel Kushtetuta vetëm pse dy parti donin të kishin nga një antar në KQZ. Përsa i përket KDRTSH marrëveshja e bërë nëpërkëmb ligjin që sapo ishte votuar nga Parlamenti duke ndryshuar numrin e antarëve të KDRTSH që u bë nga 7 në 11, duke ndryshuar formulën e përzgjedhjes së anëtarëve si dhe duke parashikuar shtesa të tjera që nuk ekzistonin në ligj. Një akt i tillë në vazhdën e akteve të mbivendosje së marëveshjes mbi ligjin le pak shpresë se respekti dhe aplikimi i ligjit do të jetë i garantuar. Në këtë kontekst po të shikosh gjendjen e mediave në Shqipëri ajo është e zhytur në paligjshmëri dhe vetëm një zbatim me rigorozitet i ligjit do të mund të krijonte premisat e një normalizimi dhe ringjallje të RTSH, kurse në këto kushte ajo çka ndodhi tregon se partitë do të venë interesat dhe vullnetin e tyre mbi ligjin. Një akt i tillë depersonalizon dhe shkurajon këto që kërkon të besojë e mbështetet vetëm tek ligji duke e bërë të ndjehet instrument në duart dhe interesat e këtyre partive dhe jo në shërbim publikut
Së dyti, lidhur ngushtë me të parën: kam qenë në mënyrë koherente dhe mbetem gjithaq kundër formulës së zgjedhjes të institucioneve të tilla si KDRTSH sipas formulës me balancim politik nëpërmjet përzgjedhjes së anëtarëve me propozim të dy forcave kryesore politike sepse kjo formulë nuk ka lejuar krijimin e institucioneve që duhet të funksionojnë të pavarur nga pushteti i këtyre partive, duke i ka lënë ato peng të tyre dhe të partitokracisë së tyre. Edhe në rastin e RTSH ajo ka treguar joefikasitetin e saj. Në rastin në fjalë ligji ende ekzistues parashikonte që Këshilli Drejtues i RTVSH zgjidhej nga Parlamenti mbi bazën e propozimeve të shoqërisë civile dhe jo mbi bazën e përzgjedhjes së tyre nga dy partitë me formulë balancimi që automatikisht i rreshton anëtarët e KDRTSH në dy kampe. Ky ligj që megjithë mangësitë që mund të ketë garantonte pavarësi nga dy partitë kryesore si dhe numri i vogël i anëtarëve qenë një nga arsyet pse pranova që kandidatura ime të bënte pjesë në një listë personash të propozuar nga shoqata të ndryshme. Dhe këtë e kam deklaruar mëse një herë publikisht. Kthimi në formulën me balancim përfaqësuesish të dy partive si dhe propozimet që janë bërë në marrëveshje kërkojnë minimalisht nga Parlamenti të kërkojë votimin e të gjithë antarëve që të mund të pranojnë apo jo të venë kandidaturën e tyre sipas marrëveshjes së re të kthyer në ligj yë ri. Përsa më përket në një ligj të hartuar mbi bazën e kësaj merrëveshjeje nuk e gjej veten sepse nuk do të pranoja të shndrohesha në përfaqësues të cilësdo nga dy partitë që kanë bërë marrëveshjen dhe, po ashtu, e shoh si një ligj bllokues që ruan statukuonë duke mos më lënë mundësi të realizoj shumë nga idetë që kisha në mendje kur pranova të bëhem antar i KDRTSH.
Së treti, gjatë kësaj periudhe të shkurtër si Kryetar i KDRTSH kam dhënë një numër intervistash lidhur me Televizionin Publik dhe nevojën e normalizimit të sistemit tonë të mediave që noton në paligjshmëri. Ato ishin për mua edhe një test për të parë reagimin ndaj këtyre propozimeve nga ana e atyre forcave pa bashkveprimin e të cilave, sikurse e kam thënë dhe rithënë shpesh, ato nuk mund të bëheshin sadopak realitet. E kam fjalën për aktorët politikë, pronarët e mediave dhe gazetarët. Nga ana e opozitës kam gjetur armiqësinë e saj – sipas meje pse është krijuesja e sistemit mediatik që kemi dhe përgjegjësja kryesore për shkatërrimin e RTSH; kurse mazhorancën e kam gjetur të frustruar pjesërisht nga trashëgimia e vjetër e Berishës, dhe pjesërisht ngase, sipas meje, edhe ajo është ndërdyshëse nëse duhet të përpiqet ta ndryshojë këtë sistem apo ta kthejë atë në favorin e saj. Këtë mosinteresim apo pafuqi për ndryshimn e statukuosë sipas meje e tregon edhe fakti se ndërkohë që këto dy parti kanë shpenzuar energji pa fund për të gjetur formulat e ballancimit të pushtetve duke e kthyer edhe çështjen e KDRTSH në një arenë lufte midis tyre nuk kanë shpenzuar asnjë sekondë për të hartuar e debatuar projekte për ndryshimin e gjendjes së sistemit tonë të mediave.
Përsa i përket kolegëve gazetarë (gjej këtu rastin të falenderoj edhe një herë ata që e kanë mirëpritur kandidaturën time) shumicën i kam parë të merren me gjithshka lidhur me zgjedhjen time, por jo me atë që, sipas meje, është thelbi i asaj që kam ngritur: nevoja urgjente e normalizimit të mediave. Nga shumica e tyre kam marrë mesazhin se ose nuk kanë besim se mund të ndryshohet ky sistem mediatik ose se janë vegla të këtij sistemi e prandaj luftojnë që të ruhet statukuoja. Kuptohet që aq më pak kam ndjerë mbështetjen e pronarëve të medive private, të cilët, përveç të tjerave, e shohin TVSH si konkurent. E ndërkaq mendimi im ka qenë dhe mbetet se pa një prokjekt tërësor për normalizmin e mediave në Shqipëri për futjen e tyre brenda ligjit e tregut të lirë as TVSH nuk do të mund të merrte dinjitetin dhe seriozitetin që kanë trelevizionet publike në tërë Evropën.
Këtë janë tre arësyet kryesore që më detyruan të jap dorëheqjen e parevokueshme nga Këshilli Drejtues i RTSH.

Fatos Lubonja
Korrieri 20 shtator 2006

Dy modele të dështuar

Këto ditë shtypi shqiptar po zien lidhur me çështjen e një kompanie ajrore me emrin e një zogu që ca e njohin për ndjellakeq e ca për lartfluturues: Albatros. U botuan dy dokumente/akuzë. Njëri ishte zbardhja e një inçizimi të fshehtë që drejtuesit e kompanisë Albatros i kanë bërë drejtorit të Aviacionit Civil, ku del se midis zyrtarit dhe inçizuesve është bërë një si pazar që këta të ndërhyjnë te Moisiu që ky i fundit të firmosë shkarkimin e prokurorit Sollaku në këmbim të hapjes së kafazit për Albatrosin. Dokumenti tjetër është mbrojtja që drejtori ka menduar të paraqesë, edhe si justifikim i bisedës, duke botuar një dokument sipas të cilit del se nga zyrat e presidencës i është kërkuar të ndërhyet në mbrojtje të Albatrosit kundër një kompanie rivale, Bell Air. Me një fjalë Presidenti paska ndërhyrë për të mbrotjur bizneset e nipit të tij po te ky zyrtar ku ka shkuar pastaj i nipi me mikroçip përgjimi. Punë e ngatërruar shqiptarësh, me përgjime dhe letra që ruhen për momentin e duhur, me ndërhyrje, shantazhe. përzjerje të politikës me biznesin, e me rradhë.
Duke dashur t’i bësh një shkoklavitje kësaj ngatërrese të re mund të thuash dy gjëra pa patur frikë se gabon: Së pari shumica e shqiptarëve besojnë se Albatrosi ligjin e ka shkelur duke mos i paguar ato borxhe e për këtë (sikurse edhe për hapjen e biznesit) ka pasur edhe mbrojtje apo mbështetje politike. Së dyti, shumica nuk e ve në dyshim faktin se sikur kompania Albatros të mos kishte këtë lidhje me presidentin Moisiu dhe se ky, nga ana tjetër, të mos kishte bllokuar shkarkimin e Sollakut gjërat, pas shumë gjasash, nuk do të kishin shkuar kështu për këtë kompani.
Mbi këto dy fakte të pakundërshtueshme për shumicën komentet janë të ndryshme. Në tërësi do të vesh re se ato ndahen në dy linja kryesore: më një anë mbështetësit e Qeverisë e të Berishës dhe më anë tjetër kundërshtarët e tij mbështetës të opozitës. Mbështetësit e qeverisë e hapin debatin me shkeljen e ligjit dhe nevojën e zbatimit të ligjit duke treguar se Albatrosit, sipas ministrit Basha, pas disa paralajmërimesh i është ndaluar fluturimi për 900 mijë euro borxhe të papaguara ndër të cilat mbi 400 mijë shtetit dhe të tjerat TAP-it, shoqëria që po ndërton aeroportin e Rinasit. Kundërshtarët nuk i lenë të mbarojnë fjalën dhe hidhen e përmendin rastet ku qeveria ka mbyllur sytë, madje edhe ka favorizuar të tjerë shkelës, për të provuar se kemi të bëjmë me goditje selektive që bëhet për hesap të bërjes presion mbi presidentin. Në përgjithësi debatet ngecen këtu, por atje ku debatuesit janë më të sofistikuar do të shohësh se mbështetësit e qeverisë i kundërpërgjigjen akuzës për selektivitet duke thënë se shteti do dhe duhet të godasë atje ku ka rrezik më të madh e se nuk ka rrezik më të madh sesa kur krimi ekonomik ka mbështetjen e presidentit. A e kuptoni pse Presidenti nuk e heq Prokurorin? – thonë ata. Kurse kundërshtarët e Berishës ngulmojnë prap duke thënë se kemi një përdorim të ligjit për qëllime që janë larg moralitetit të ligjit, çka paraqet rrezikshmëri edhe për lirinë sepse edhe institucini i presidentit kështu rrezikon të humbasë lirinë. Mbështetësit e Berishës, ndërkaq, kundërpërgjigjen duke thënë se Presidenti nuk ka qenë i lirë sepse, sikurse dhe e provon ky rast, ka qenë i kapur nga krimi. Kundërshtarët thonë se për këtë mund të akuzohet edhe Berisha.
Prapa gjithë këtyre debateve do të vemë re se kjo ngjarje rihap për të shumtën herë një çështje që është kyçe në situatën politike aktuale sepse ka të bëjë me ballafaqimin e dy modeleve që kemi provuar deri më sot në menaxhimin e vendit nga ana e politikës.
Po të vesh re kundërshtarët e Berishës e ndalin arsyetimin deri tek akuzat për selektivitet për të provuar se Berisha po kërkon të na pushtojë institucionet (në këtë rast Presidencën e Prokurorinë) e pas kësaj liritë. Ata nuk merren fare me çështjen nëse është apo jo shkelës ligji nipi i presidentit, as nuk merren (fatkeqësisht edhe kur janë gazetarë) me faktin se shqiptarët e shkretë kanë fluturuar në këtë kompani me një avion të vetëm të cilit nuk i janë hapur rrotat në kohën e duhur nja dy herë. Ata nuk e shtrojnë fare çështjen se Presidentit edhe si baba i kombit, të paktën një gjë i takonte të theksonte e të kërkonte nga bijtë dhe nipërit e tij: që të ishin në rregull me ligjin e t’i paguanin borxhet një sahat e më parë. Nuk mundet një baba të justifikohet duke thënë se djali i tij nuk duhet të ndëshkohet meqënëse në këtë botë ka kaq shumë kriminelë. Le pastaj që këtë punën e përgjimit që ngjan edhe si provokim nëse e ka ditur ai duhet ta ndalonte me çdo kusht. Por mbi të gjitha aq më pak merren opozitarët me çështjen se çfarë na mbetet të bëjmë nëse nuk i ndëshkojmë shkelësit e kësaj kategorie? Ajo që na lenë ata të nënkuptojmë me formën e kundërshtimit të tyre që sheh vetëm gjysmën që u intereson është se duhet të kthehemi tek modeli qeverisës Nano – Meta – Rama - Gjinushi etj. që me një fjalë të vetme është quajtur i pandëshkueshmërisë ku ka mbizotëruar liria e të gjithëve për të shkelur ligjin dhe dallimet janë bërë vetëm duke përdorur pushtetin politik për të favorizuar klientelën kurse ndaj kundërshtarëve është përdorur blerja. Ndërkaq, në krahun tjetër na shfaqet një model (Berisha) që luftën kundër shkelësve e trumbeton si pjesë të një programi politik për të vendosur shtetin ligjor, që i kërkon me ngulm prokurorisë të veprojë, por që jep shenja të dukëshme se në morinë e shkelësve goditja do të bjerë mbi ata që janë kundërshtarë të pushtetit apo që sponsorizojnë opozitën për të rrëzuar këtë pushtet.
Nuk ka dyshim se kemi të bëjmë me dy modele të këqinj, që janë vërtetuar të dy si të dështuar. Ai socialist sepse krijoi mbretërinë e një pandëshkueshmërie dhe imoraliteti të paparë, kurse ky i dyti të se mund të bëjë të ndjehet i kërcënuar nga goditja gjithsejcili që nuk pajtohet me politikën e partisë në pushtet e të lihen të lirë të tjerët që e mbështesin atë duke cënuar një nga të drejtat më themelore të njeriut: atë të barazisë përpara ligjit dhe pa e zhdukur, nga ana tjetër, korrupsionin.
Po a mund të dalim nga këta dy modele? Nëse gjërat do t’i shohim në mënyrë mekanike do të na duhej të thoshim se duhet të zgjedhim midis njërit dhe tjetrit model çka do të ishte, sipas gjykmit tim, njëlloj tragjike. Nëse do të niseshim nga ideali e do të kërkonim nga prokurori që të ngrihej në nivel të tillë pavarësie e neutraliteti e autoriteti saqë asnjë shkelës i ligjit të mos ndihej i sigurtë, qoftë mbështetës i njërës apo tjetrës parti, në pushtet qendror apo lokal, do të etiketoheshim si njerëz me këmbët në ajër jo në tokë.
E vetmja gjë që mbetet është pikërisht vështrimi i kësaj situate në dialektikën e vet. Pra kur përballë shkelësit të ligjit prokuroria të detyrohet të veprojë e kërkush të mos e mbrojë për sa kohë që provohet si i tillë, e kur, më anë tjetër, opozita të denoncojë me forcë selektivitetin si kërcënim duke kërkuar dënimin edhe të mbështetësve të Berishës që provohet se shkelin ligjin. Vetëm nëpërmjet kësaj dialektike mund të dilet ndoshta, them ndoshta dhe vetëm ndoshta, nga ky bllokim për të shkuar drejt një modeli të ri. Por kjo nënkupton, më së pari, ndërgjegjësimin e të dy palëve se dy modelet e tyre janë të dështuar dhe, mbi të gjitha, se nuk pranohen më nga shqiptarët. Mirëpo, ndërkaq, është e qartë se një klasë politike që i ka krijuar këta modele e ka dy herë të vështirë të dalë prej tyre jo vetëm pse ato janë pjesë e kulturës së saj, por edhe pse i duhet të përgjigjet për dëmet që ka sjellë – e kjo është vështirësia më e madhe. Por, nga ana tjetër, vetëm dialektika që përmenda më lart them se mund të sjellë, në proces, edhe lindjen e një klase me një ndërgjegjeje tjetër politike. (Korrieri, 14 shtator 2006)