Monday, June 2, 2014

Lazarati - tumori malinj dhe metastazat

Pas ngjarjeve të fundit me trafikun e drogës, që flasin për një përshkallëzim serioz të fenomenit, si dhe instrumentalizimin nga opozita që po na thërret të ngrihemi në këmbë, a thua se na ka ardhur sot bajlozi nga deti kur ai ka qenë i shtruar këmbëkryq këtu prej vitesh, disa kritikë brenda maxhorancës – si Ben Blushi psh. – kanë hedhur idenë se qeveria duhet të veprojë duke ndërhyrë në Lazarat. Kjo do të ishte, sipas tyre, edhe prova se qeveria nuk është e përfshirë në trafikun e drogës.
Duket se nuk ka arsyetim më bindës. Ky do të ishte një operacion që do t’i rriste lart kuotat e qeverisë. Ndërkaq, nga ana e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, qëndrimet janë të kujdesshme. Ata premtojnë për një ndërhyrje, por,… “në kohën e duhur”.
Pse ky hezitim, ndërkohë që ta do mendja se maxhoranca, që kur ishte në opozitë dhe premtonte rilindje, do të duhej ta kishte pasur një plan të qartë për trajtimin e kësaj plage?
Sipas meje një shpjegim i këtij “kujdesi” gjendet në argumentet që dëgjon, edhe nga goja e lazaratasve, se industria e drogës mban me bukë shumicën e familjeve të Jugut. Se nuk janë vetëm banorët e Lazaratit që ushqehen me shitjen 200 euro kg. të kanabisit që kultivohet aty, por edhe familjet e atyre që punojnë me sezone në Lazarat, edhe ata që punojnë në bizneset dhe punët e tjera që kanë këta. Pastaj janë edhe trafikantët që kanë ngritur rrjetin e transportimit të drogës nga Lazarati në Evropë që marrin pjesën e luanit: (thuhet se kjo është 4000 - 200 =3800 euro për kilogram). Dihet se këta kanë investuar; kështu që duhet të llogarisim edhe ata që punojnë në restorantet, hotelet, ndërtimet, dyqanet,  pikat e karburantit – kryesisht vetëm shërbime – që kanë hapur këta për të pastruar paratë e pista. Po ashtu nuk duhet të harrojmë se, pa paranë e gjithë këtyre, do të falimentonin edhe shumë biznese jo të pista, si psh. dyqanet e mallrave të ndryshme, apo klinika private shëndetësore e dentare etj. që i kanë klientë njerëzit që ushqehen direkt apo indirekt nga trafiku. Por edhe bankat  që ruajnë paratë e tyre duhen llogaritur. Jo vetëm, por, për rrjedhojë, edhe vetë taksat që mbledh shteti për të mbajtur administratën do të pakësoheshin. Prandaj, kujdes, të thonë…ndërhyrja në Lazarat do të ishte si operacioni i një tumori malinj, që do të krijonte hemorragji të madhe dhe që, po ashtu, do të lëshonte metastazat e tij tjetërkund, në mënyrë edhe më agresive.
Në të vërtetë pyetja që shtrohet është se cila është vatra e tumorit. Personalisht mbroj tezën se kemi të bëjmë me një tumor që është zhvilluar si rezultat i një mutacioni të sistemit kapitalist që kemi importuar nga ndërhyrja në të e virusit shqiptar. Me “virus shqiptar” kam parasysh si nevojën e mbijetesës së një shoqërie që doli nga diktatura me një ekonomi të mbaruar, prandaj dhe krejtësisht të paaftë për të garuar në tregun e lirë botëror, aq edhe kulturën e pasurimit të shpejtë, me çdo mjet, që u përhap gjatë këtyre njëzet vjetëve me një shpejtësi galopante. Në këtë kuptim tumori i drogës është vetëm një nënvariant i këtij tumori të madh. Edhe korrupsioni kapilar, edhe piramidat financiare,  edhe shkatërrimi i territorit e i natyrës me çimentifikimin e tyre, edhe universitetet private që shesin diploma, edhe stërmbushja e kastravecëve me pesticide edhe… edhe… janë variante të ndryshme të manifestimit të këtij tumori.
Për të vazhduar arsyetimin duhet thënë se kjo ekonomi kriminale ka, si faqe tjetër të medaljes, politikën dhe shtetin kriminal. Avioni që mbeti në Divjakë është vetëm maja e ajsbergut e këtij fenomeni. Në rastin e drogës psh. duhet të kemi parasysh se paraja e pisët ushqen, duke i helmuar, edhe strukturat shtetërore. Ka shumë burime që flasin për lidhje të trafikantëve dhe të parasë së tyre me shtetin, që nga ato me policët dhe shefat e tyre, përgjegjës për të kontrolluar rrugët e territorin, deri lart në partitë politike dhe institucionet shtetërore  ku droga ngjitet nëpërmjet rrugësh të njohura dhe të panjohura, në pikën sa nuk dallohet më se ku mbaron krimi i organizuar dhe ku fillon politika dhe shteti.
Dhe këtu unë gjej shpjegimin e dytë të “kujdesit’ të qeverisë ndaj ndërhyrjes në Lazarat. Ideja se shteti është një gjë dhe krimi i organizuar një gjë tjetër nuk qëndron në rastin Shqipëri. Në Shqipëri nuk mund të flitet, madje, as për segmente të krimit që kanë kapur segmente të shtetit. Krimi dhe shteti në Shqipëri janë në simbiozë, me çka nuk dua të them që çdo shtetar merret me krim, por se  ata nuk mund të qëndrojnë në pushtet pa lidhjet direkt apo indirekt me krimin. Se, në një rreth vicioz, më një anë krimi buron nga një sistem i helmuar politiko – ekonomiko - mediatik dhe, më anë tjetër, ky sistem kriminal gjeneron krim.
Në këto kushte për ndërhyrjen në Lazarat mund ta përdorja atë metaforën sipas së cilës qeveria nuk mund ta luftojnë krimin sepse kjo do të thotë të presë degën e pemës mbi të cilën qëndron. Por kjo metaforë mund të kthehet edhe kokëposhtë e të thuhet se krimi nuk është pema, por është fryti që lind e rritet në pemën monstër të sistemit politiko – ekonomiko - mediatik që kemi ngritur. Dhe prandaj çështja se kush duhet “prerë” bëhet edhe më e ngatërruar sepse, në fakt, bëhet fjalë për çrrënjosje, gjë që s’i intereson as krimit dhe as pushtetit, në fakt krimpushtetit.
Në këto kushte, sipas meje, e vetmja rrugë që ka qeveria është të bëjë sikur po e lufton krimin, gjithë duke vazhduar të ushqehet nga krimi. Duket se ky është shpjegimi më i thellë i “kujdesit” që po tregon qeveria për të ndërhyrë në Lazarat: duhet të kryhet një operacion që do të ketë sa më shumë efekt të jashtëm pa krijuar “hemorragji” të brendshme. Në fakt një nga detyrat më të rëndësishme që kanë politikanët tanë dhe mediet në shërbim të tyre, për të cilën paguhen shumë herë më tepër nga krimi sesa nga paratë publike, është pikërisht krijimi i kësaj fasade. Në këtë lojë hyn edhe teatri maxhorancë opozitë që luhet sa në Parlament e sheshe aq edhe në mediet.  Ndërrimi i roleve në skenat me greva urie dhe çadra pranë Kryeministrisë është shprehja më e padurueshme e këtij spektakli që nuk emocionin më jo vetëm shqiptarët, por as ndërkombëtarët.

Dy fjalë për zgjidhjen

Në këtë pikë jam i sigurt që shumë lexues do të kërkojnë atë që ma kanë kërkuar edhe herë të tjera: zgjidhjen. Mund edhe të më thonë se, duke e përgjithësuar kaq shumë problemin, e fshiva problemin, prandaj gjërat le t’i marrim me radhë. Një operacion në Lazarat, që do të ndërpriste prodhimin e drogës atje, do të ishte një sinjal i fortë edhe në kokën e çdo shqiptari se ka ardhur koha të  mendojnë ndryshe lidhur me pasurimin e shpejtë e me rrugë kriminale.  Jo, me këtë shkrim nuk dua të them se nuk duhet bërë operacioni në Lazarat, por se ky, edhe po u bë, do të jetë një operacion imazhi, që s’duhet të na mashtrojë e se, prandaj, duhet të kërkojmë diçka më të thellë.
Sipas meje zgjidhja duket kërkuar duke qenë të qartë më së pari për tërë kompleksitetin e sëmundjes, si dhe per faktin se kemi një maxhorancë, opozitë dhe medie në shërbim të tyre që punojnë çdo ditë me sloganin “të ndryshojë gjithshka që të mos ndryshojë asgjë”, pra që  nuk kërkojnë zgjidhje, por vetëm pushtet.  
Në kërkim të  zgjidhjes po i referohem një ideje që solli gazetari investigativ, njohës shumë i mirë i lidhjes së krimit të organizuar me politikën në Ballkan, Drew Sullivan në intervistën e tij në Shqip të Rudina Xhungës. Ai e krahasoi Shqipërinë me Çikagon në kohën e Al Capones kur ky ishte aq i fuqishëm saqë, me paratë e tij, mund të blinte politikanët, gjyqtarët, hetuesit, policinë, gazetarët dhe të sundonte pa u prekur. Mënyra që u gjet për ta çrrënjosur këtë sistem në Çikago ishte ndërhyrja nga jashtë. Pra, në atë rast, ishte qeveria federale e SHBA që emëroi disa të paprekshëm dhe të pakorruptueshëm nga sistemi që vepruan për shembjen e tij.
Problemi tek ne është se çfarë mund të bëhet  në një vend i cili është i gjithi Çikago e Al Capones. Nuk mund të reshtim së kërkuari nga njerëzit, veçanërisht nga të rinjtë, kurajë për ta sfiduar këtë sistem nga brenda, por, për të qenë realistë, në një vend që është i gjithi Çikago ndodh një proces paradoksal: sa më shumë që njerëzit ndërgjegjësohen për të keqen që i ka zënë aq më të pafuqishëm ndjehen ndaj saj dhe aq më të prirur i sheh t’i nënshtrohen asaj për shkak të kësaj pafuqie. Situata, në thelb, është e ngjashme me regjimin komunist: njerëzit ishin thuajse të gjithë të vetëdijshëm se ai sistem ishte kundër tyre, por të gjithë punonin për të. E vetmja gjë që prisnin shqiptarët ishte një ndërhyrje nga jashtë që t’i shpëtonte dhe, po ashtu, një zgjidhje individuale: të iknin nga ai vend për të jetuar në një vend normal.

Në fakt zgjidhja “nga jashtë” për të cilët flet Sullivan tregon se sa e vështirë është gjetja e një zgjidhjeje nga brenda në kushte të tilla. Edhe regjimet komuniste nuk do të kishin rënë pa luftën e ftohtë nga jashtë që sigurisht u kombinua edhe me një rezistencë nga brenda. Në Shqipëri zgjidhja erdhi në formën më të keqe sepse rezistenca nga brenda ishte më e dobëta. Virusi shqiptar që prodhoi tumorin që po na mbyt erdhi pikërisht prej kësaj. Edhe ky tumor, sistem i krimit të organizuar që ka kapur shtetin, nuk mund të bjerë pa ndihmën nga jashtë – e në këtë aspekt ndërkombëtarët duhet të mendojnë më seriozisht, sipas meje. për politika më efikase. Por, ndërkaq, sa më e fortë të jetë rezistenca nga brenda aq më shpresa ka që zgjidhja që do të vijë më pas të jetë më e mirë. (Panorama, 29 maj 2014)

Tuesday, May 20, 2014

Harrojeni teorinë e të keqes më të vogël

Kam kohë që mbroj tezën se dy partitë kryesore PS dhe PD (si dhe LSI, herë si përbërëse e një maxhorance dhe herë e tjetrës) sillen në vend si banda, ose, po të doni, edhe si organizata kriminale dhe se sistemi që kemi ngritur, më shumë sesa demokraci, meriton të quhet bandokraci. Sot shtroj pyetjen: a nuk ishte debati parlamentar i të enjtes, më 15 maj, mbi ngjarjen e trafikut të drogës me avion prova më e mirë e kësaj? Për mua mjafton vetëm të bashkosh dy gjysmë të vërtetat: faktet dhe argumentet bindëse që thanë për njëra tjetrën deputetët e dy partive kryesore si dhe liderët e tyre. Kjo vlen edhe për gjysmagjelat e gazetarisë, që s’reshtin së manipuluari faktet në mbështetje të njërës bandë apo tjetrës. Ndërkaq, ajo që bije në sy, duke ndjekur akuzat e ndërsjella, është se njerëzit janë mësuar aq shumë me luftën e këtyre dy gjysmagjelave saqë e “shijojnë” spektaklin pa ngritur një pyetje elementare: si ka mundësi që në tërë atë parlament nuk ka një po një deputet të vetëm, që të dalë dhe tu thotë se që të dyja akuzat janë të vërteta prandaj që të dy palët janë për tu dërguar jo “në shtëpi”, siç tha Lulzim Basha për Edi Ramën, por në burg. Dhe ju siguroj unë se ky është mendimi i shumicës së shqiptarëve.
E pra, a mund të quhet demokratik një vend në Parlamentin e në mediet e të cilit nuk përfaqësohet mendimi që ka shumica e shqiptarëve  lidhur me partitë që sundojnë vendin? Jo, ky teatër parlamentar me gjysmë të vërteta, i shfaqur direkt edhe në mediet e tyre, është një gënjeshtër e madhe që të kujton përkufizimin e ideologjisë së diktaturës komuniste nga Solzhenjicini si një “gënjeshtër e madhe” që sundon vendin.
Tani, imagjinoni të dashur lexues një situatë hipotetike sikur të dilte një deputet “i çmendur”nga radhët e këtyre tre partive dhe të fillonte të denonconte këtë gënjeshtër të madhe; të akuzonte të dy palët duke u thënë se edhe ato që thotë njëra palë edhe ato që thotë tjetra janë të vërteta. Reagimi i parë do të ishte çudia dhe me shumë gjasa edhe injorimi. Askush nuk do t’i përgjigjej e nuk do të merrej me të. Sikur ky të ngulmonte me shumë gjasa edhe do ta çonin në psikiatri si të çmendur. Imagjinoni pastaj sikur të ndodhte që në një seancë tjetër të mos dilte një, por dy tre “të çmendur” si ai. Me shumë gjasa do të vazhdonte injorimi, por ndoshta duke u përzierë me ndonjë tallje, si ajo që bëri Rama kur i tha opozitës se i dukeshin mushkonjat aeroplanë. Po çfarë do të ndodhte sikur, nga dy tre, këta të mund të bëheshin ndonja gjashtë, a shtatë, a dhjetë? Jua them unë: do të përpiqeshin t’i blinin.  Po sikur, mos o zot, këta të mos pranonin të bliheshin nga asnjëra palë, por të vazhdonin t’i akuzonin të dy palët si banda edhe pas kësaj? Atëherë të dy bandat do ta ndërprisnin luftën me njëra tjetrën dhe do të fillonin të merreshin me ta: do t’i luftonin me ç’të mundnin. Edhe të vdekurit nga varri do tua nxirrnin për t’i luftuar e poshtëruar dhe asgjësuar. Dhe këtu po hap një parantezë. Si mendon ti i dashur lexues, a mund të ndodhë që dy banda kriminale të bien dakord për të ndërprerë luftën me njëra tjetrën dhe për të thërritur gjykatës të paanshëm që të vlerësojnë se kush janë kriminel midis tyre – sikurse shpresojnë evropianët që do të na japin statusin në qershor, e që, për këtë, kërkojnë bashkëpunimin e tyre? Sipas meje, po të vijë puna që dikush brenda tyre të kërkojë prokurorë e gjykatës që të zbulojnë e dënojnë kriminelët në të dy krahët, ato do të bëhen bashkë, sepse një gjë e tillë është kundër logjikës të funksionimit të bandave kriminale sipas të cilit ligjin, të drejtën dhe të vërtetën e bën më i forti. Ja pse nuk ka shans të funksionojë drejtësia në këtë vend. Ajo ideja që kanë perëndimorët dhe që mbisundon në ideologjinë e gënjeshtrës sonë të madhe se demokracia do të ecë në këtë vend duke u shtrënguar vidat e shtetit ligjor dalëngadalë do të funksiononte sikur të kishte drejtësi dhe media të pavarura, që, rast pas rasti, do të pastronin të keqen, sëmundjen duke i nxjerrë jashtë parlamentit dhe punëve publike të korruptuarit dhe duke dhënë edhe një mësim për të tjerët. Dhe në këtë pikë të argumentimit më duhet të ve në dyshim atë që kam thënë më parë “më mirë dy banda se një bandë” duke sjellë si argument psh. faktin se ngjarjet e trafikimit të drogës me avion me bekimin dhe mbulimin e maxhorancës nuk do të mund t’i mësonim e as do të guxonim t’i thonim ndoshta sikur të mos ekzistonte banda e opozitës. Por  ekzistenca e dy bandave ka edhe një të keqe të madhe, sepse krijon iluzionin, gënjeshtrën, se mund  të mbështetemi tek njëra, ajo më pak e keqja, kundër më të keqes. Mirëpo përvoja ka treguar se opozita, si më pak e keqja, lufton jo kundër të keqes për interesa të shqiptarëve, por për interesin e vet sipas parimit të përdorimit të çdo mjeti e qelbësire për të arritur qëllimin. Dhe, sikurse thonë burime shumë të besueshme, duke u ndjekur ky parim, në Parlamentin tonë kanë hyrë deri edhe vrasës, me bekimin e kryetarëve, të cilët kanë lënë jashtë të ndershmit me arsyetimin se këta “të fortë” sigurojnë dhe mbrojnë votën. E pra një parlament me vrasës (se për njerëz të lidhur me trafikimet kjo s’diskutohet) as që u shkonte ndërmend shqiptarëve se mund të ndodhte dhjetë vjet më parë. Madje kam dëgjuar edhe deputetë të më thonë se u vjen turp që janë në atë Parlament me njerëz të atillë. Në këtë kushte a  mund të thuhet se jemi në një proces shtrëngimi vidash të shteti ligjor që po ecën përpara? Për mua vidat janë llaskuar me kohë, madje u janë zhdukur edhe vjaskat. Prandaj duhet ta harrojmë teorinë e së keqes më të vogël. Historia me avionin e drogës tregoi dy gjëra në këtë drejtim: e para, se që të dy të këqijat sa vjen e po përkeqësohen; dhe, e dyta, se e keqja më e vogël sa vjen në pushtet bëhet e keqja më e madhe. Dhe ka një arsye shumë të thjeshtë për këtë të dytën. Sepse sistemi i lidhjes me krimin që kanë ndërtua këto parti është i tillë që i krijon mundësi më të madhe grabitjeje atij që ka maxhorancën. Ja pse opozita nga e keqja më e vogël që kontrollonte 30 - 40 përqind të "territorit" të përfitimeve kur bëhet maxhorancë grabit 60-70 përqind duke u bërë shumë shpjet e keqja më e madhe.
E pra, që të kthehemi tek historia jonë hipotetike: çfarë do të ndodhte sikur ata shtatë, tetë apo dhjetë deputetë që përmenda unë, të mbështetur nga ndonja shtatë, tete apo dhjetë gazetarë t’i rezistonin edhe luftës së dy bandave e të vazhdonin t’i denonconin ato dmth. të mos frenoheshin në stadin e blerjes apo frikës por të vazhdonin luftën? Do të ktheheshin shumë shpejt në heronj, shpëtimtarë, ndonjëri edhe i vdekur sigurisht, që do të ndiqeshin menjëherë nga turma njerëzish të frymëzuar, që mezi e presin një moment të tillë, dhe do të bëheshin shumë shpejt aq të fortë sa do të fitonin.
E ndërtova këtë histori hipotetike duke iu referuar thënies së një fitimtari të tillë: Gandit i cili thotë: “Në fillim të injorojnë, pastaj të tallin, pastaj të luftojnë dhe pastaj fiton.” (Panorama, 20 maj 2014)
    

Sunday, May 11, 2014

Pse Lufta Nac-Çl duhet studiuar dhe jo festuar


Me rastin e 5 majit u rihapën debatet mbi Luftën Nacional-Çlirimtare. Shkak u bë një foto fëmijësh që, të vendosur secili në një nga varret e dëshmorëve të Përmetit, nderonin me grusht: sipas disave me simbolin e Luftës Nacional - Çlirimtare; sipas të tjerëve me simbolin e regjimit të Enver Hoxhë dhe të vetë diktatorit. Kësaj ngjarjeje iu shtua edhe një foto ku tregohet një fotografi e Enver Hoxhës e vendosur në një lapidar tek i cili shkoi të bëjë nderime ministri aktual i drejtësisë. Dhe e gjithë kjo ndërkohë që, nga partitë në pushtet PS dhe LSI, është shtuar zhurma e  përgatitjeve për festimin me madhështi të 70 vjetorit të çlirimit që bije më 29 nëntor të këtij viti. Gjykoj se përpara se të përgatisë këto festime maxhoranca duhet të mendojnë një çikë më thellë për atë nëse duhet festuar apo jo dita e ashtuquajtur "e çlirimit"; se mos do të ishte më mirë që të hollat e festës të shpenzoheshin që Lufta të studiohet e të njihet më mirë në kompleksitetin  saj me çka kuptoj edhe dekonstruktimin e mitit të Luftës si mit themeltar i pushtetit diktatorial të Enver Hoxhës. Personalisht jam për këtë të dytën dhe më poshtë po rendis argumentin kryesor që s'është i vetmi.
Sipas gjykimit tim në bazë të problematikës nëse duhet festuar apo jo sot nga të gjithë shqiptarët e ashtuquajtura "festë e çlirimit" ka një truk që ka filluar që me Luftën vetë dhe emërimin e saj e që nuk është denoncuar sa duhet qëllimisht edhe sot. Truku qëndron në përdorimin e dy ideologjive që ka përdorur pushteti i Enver Hoxhës si instrumente të pushtetit: asaj nacionaliste dhe asaj komuniste dhe në moskthjellimin si duhet të këtij fakti. Sikurse dihet Lufta filloi me emrin Nacional - Çlirimtare, sipas shembullit të Stalinit që e quajti "Patriotike" luftën kundër gjermanëve, megjithëse kishte mbi njëzet vjet që, medemek, ndërtonte sistemin më të lumtur në botë dhe prandaj ta donte logjika që ta quante "Lufta për Socializmin". Kjo u bë sepse, ajme, mu për shkak të dështimeve dhe të krimeve që kishte bërë, ai e dinte se patriotizmi mund të bashkonte me shumë sesa komunizmi. Edhe në luftën tonë Nacional - Çlirimtare qoftë rinia qoftë më të moshuarit u bashkuan më së shumti në bazë të kësaj ndjenje dhe deri më 1943, kur kapitulloi Italia fashiste, shumica e shqiptarëve ishin bashkë: si komunistët, si ballistë si legalistët.
Por, sipas planeve të komunistëve, lufta nuk do të mbaronte si një luftë patriotike, por si një revolucion që do të përmbyste borgjezinë dhe do të vendoste diktaturën e proletariatit. Dhe e vërteta është se që nga fundi i vitit 1943 deri në nëntor 1944 Lufta mori gjithnjë e më shumë trajtat e një vëllavrasjeje apo lufte civile  që më shumë sesa çlirim nga pushtuesit - të cilët u mundën jo për shkak të rezistencës së brendshme, por për shkak të situatës që u krijua prej tyre në krejt frontin e luftës - solli triumfin e komunistëve që vendosën diktaturën e proletariatit duke filluar menjëherë edhe goditjen dhe shfarosjen e klasave të tjera.
Këta fitimtarë ndërtuan pastaj dhe historinë edhe mitin e Luftës, duke instrumentalizuar edhe gjakun e idealistëve të rënë, në funksion të pushtetit të tyre. Nëpërmjet një loje propagandistike, për të cilën vunë në shërbim propagandën e mirënjohur të masave, shtypin, sistemin arsimor, shkrimtarë, artistë, muzikantë regjisorë etj. ata e paraqitën luftën si një vepër ekskluzivisht të tyren dhe po ashtu, sipas kësaj propagande, që zgjati 45 vjet, shqiptarëve u thuhej përditë se Lufta u kishte sjellë dy çlirime të  mëdha të pandashme nga njëri tjetri: nga pushtuesi dhe nga klasat shfrytëzuese. Pra, duke filluar që nga 1944 - në propagandën e Hoxhës u kultivua dhe u monopolizua dhe retorika komuniste edhe ajo nacionaliste duke i etiketuar kundërshtarët e tyre jo vetëm si armiq të partisë e socializmit, por edhe të popullit edhe të atdheut. Po tel cili armik dhe cili çlirim vihej theksi? Sipas meje këtë e tregon zhvendosja e datës më të rëndësishme historike të shqiptarëve. Deri në ardhjen e komunistëve në pushtet data më e rëndësishme ishte 28 nëntori, shpallja e pavarësisë. Me ardhjen e tyre në pushtet data më e rëndësishme u bë 29 nëntori që, si ditë çlirimi, nuk mund të ishte kurrsesi më e rëndësishme sesa dita e pavarësisë, por ajo bëhej e tillë si data e triumfit të revolucionit të tyre që do të hapte epokën e re në historinë e popullit shqiptar ngjashëm me ditën e Revolucionit të Tetorit që ishte data më e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik.  Po të shfletosh dokumentet dhe literaturën e kohës ky theks është mëse i qartë.
Ajo që "harrohet" më së shumti në kohën e sotme është pikërisht ky aspekt i dytë i propagandimit të Luftës dhe të asaj që quhet "dita e çlirimit": se ajo pra është përjetuar dhe përkujtuar nga shqiptarët, për mirë dhe për keq, më së shumti si dita e triumfit të revolucionit që solli në pushtet një parti që, ajme, qysh në atë kohë zërat më kritikë brenda saj, si Sejfulla Malëshova, kishin filluar ta quanin "bandë kriminale". Dhe ç'është më tragjikja këta banditë ishin luftëtarët e kësaj Lufte dhe viktimat e këtyre banditëve ishin edhe ata shqiptarët ndër të cilët edhe shumë pjesëtarë të kësaj Lufte. Kjo e bën shumë të ndryshme Luftën dhe përkujtimin e ditës së mbarimit të saj nga vende të tjera që, pas Luftës II, patën sisteme demokratike ku festat e lidhura me Luftën e II-të përkujtohen si momente që bashkojnë shumicën e banorëve në diversitetin e tyre. Në Itali psh. 25 prillin  1945 e përkujtojnë si ish komunistët e socialistët edhe ish demokristianët. Kujtoj po ashtu se në një vend si Greqia përkujton si festë kombëtare 28 tetorin 1940 kur Metaksa refuzoi ultimatumin italian dhe u rreshtua në anën e aleatëve çka ka bashkuar dhe bashkon dhe komunisttë edhe nacionalistët grekë të asaj kohe e më vonë e pasardhësit e tyre. Për fat të keq Lufta jonë i ka ndarë shqiptarët më dysh mu për shkak se ajo shërbeu, më shumë sesa për çlirimin e  atdheut, si revolucion në emër të vendosjes së një sistemi që rezultoi i gabuar dhe tragjik për shqiptarët.
Prandaj sot nuk mund të mos shtrohet pyetja: a duhet përkujtuar mbarimi Luftës si ditë e çlirimit dhe prandaj duhet festuar apo duhet përkujtuar si dita e vendosjes së regjimit më të egër që kanë provuar ndonjëherë shqiptarët në historinë e tyre me pasoja të pariparueshme që vazhdojnë edhe sot?
Mendimi im është se ajo mund të festohet vetëm nga ata që, për një arsye apo për një tjetër, nuk janë ndërgjegjësuar për të keqen që kemi kaluar nga protagonistët e Luftës, por kurrsesi nga shumica e shqiptarëve. Dhe pikërisht për këtë mendoj se ajo që duhet bërë nuk është festimi, por përpjekja për ta njohur e studiuar në kompleksitetin e saj për të kuptuar më mirë se si kemi qenë dhe si jemi. (Panorama, 10 maj 2014)