Wednesday, August 2, 2006

Shyqyr që Gilli ka kaluar përciptazi nëpër Shqipëri

Një shkrim provokues i një gazetari anglez ka nxitur një reagim të gjerë të opinionit publik shqiptar, dhe kush ka mundur ka shprehur indinjate për këte. Së pari, si do ta gjykonit një shkrim qe mund te thuhet pa frike se ishte fyes, dhe së dyti, si e gjykoni këtë reagim, i cili shkon përtej atakimit të gazetarit dhe shpesh me këtë rast goditet e gjithë Anglia, jo sikur të kemi të bëjmë me nje opinion personal, por me një qëndrim të "foreign affairs office"..

Shkrimin e Gillit e gjeta si një karikaturë të lezeçme të Shqipërisë, të bërë me talent, e me cinizëm provokativ, por mund të them se edhe Shqipëria e ka ndihmuar shumë për ta realizuar mirë veprën e tij sepse është nga ato “fytyra” që me ekspresivitetin e saj të thekur dhe me anët e saj qesharake, me gungat dhe qimet e saj befasuese e me gjestikulacionet patetike e frymëzon e ia lehtëson goxha punën një karikaturisti.
Ju e quani fyerje, kurse mua nuk më duket fyerje sepse fyerja është diçka që të drejtohet direkt kurse ai, nuk duhet të harrojmë, u flet anglezëve jo shqiptarëve, dhe u tregon atyre se si iu duk Shqipëria që prapa syzeve të tija të cilat duket se kanë një ndjeshmëri të veçantë ndaj qesharakes. S’ke ç’i bën, është e drejta e tij.
Kam qenë dhe mbetem i mendimit se shqiptarët për shkak të izolimit të thellë të shoqëruar me propagandën nacional komuniste që u ka imponuar të jetojnë një botë e histori virtuale kanë pasur dhe kanë nevojë të çlirohen nga paranojat shqiptarocentrike e deliret e madhështisë si faqe tjetër e medaljes së provincializmit e komplekseve të inferioritetit e për këtë çlirim mund t’i ndihmojë edhe të vështruarit e vetes me sytë e të tjerëve. Prandaj dhe në revistën Përpjekja ka një seksion që quhet ”si na shohin” madje numuri 22 i Përpjekjes është me këtë titull e aty do të shihni se shkrimtari i njohur polak Stasiuk ka një përshkrim të Shqipërisë jo shumë larg atij të Gillit.
Edhe si në kërkim të një rezultati të punës me Përpjekjen kam ndjekur me më shumë interes reagimet e shqiptarëve ndaj shkrimit të Gillit. Sipas meje ky shkrim dhe reagimet ndaj tij mund të shërbenin në një farë mënyre si një test i pjekurisë sonë. Sepse aftësia për të inkasuar (po përdor këtë term të boksit) kritikën dhe veçanërisht kur ajo është provokative e satirike është një shenjë e rëndësishme pjekurie. Meqë ra fjala a e keni vënë re se ne nuk kemi thuajse fare kritikë të vërtetë letrare artistike nga ato që thonë kjo bën e kjo s’bën pa e çarë kokën për ndjeshmëritë e autorit. Kjo e ka një lidhje me kulturën që shfaqëm ne në reagimet ndaj Gillit.
Për t’u kthyer tek reagimet, pra, kam vënë re një larmi syresh që më kanë intriguar shumë. Dhe kjo larmi më duket një gjë pozitive për testin që na ka bërë Gilli.
Janë një kategori reagimesh që më kujtojnë një shkrim që kam shkruar ca kohë më parë me titull “Po, por” me të cilin karakterizoja kulturën tonë të bërjes opozitë. Ato reagime provojnë se kjo kulturë e të bërit opozitë është pjesë e një kulture më të gjerë sesa ajo politike. Kjo kategori pra ka reaguar duke thënë: po, të vërteta janë këto që thotë gazetari deri edhe në masën 80 - 90%, por... dhe pataj rrinë e merren me “por”-in: a nuk paskemi ne ndonjë gjë me vlerë? A nuk paskemi ne një fije bar, por qenkemi krejt shkretëtirë? Kurse të tjerë merren vetëm me “por”-in duke nxjerrë pasaktësirat e Gillit.
Pati edhe një kategori që i shfrytëzoi karikaturat e Gilit për të karikaturizuar pushtetin tonë, kryeministrin tonë (po jo vajmedet opozitën)
Më të pakët qenë ata që u cilësuan miqësisht nga ndonjë gazetë “antishqiptarë” – e më duket pozitive që ata u botuan dhe nuk u sulmuan - të cilët, pa shumë komplimete, i kanë dhënë të drejtë Gillit duke thënë se ato që thotë janë të vërteta e nuk jan marrë fare me “por”-et.
Ajo që më dëshpëroi, megjithatë, ishte numri i madh i “patriotëve” të fyer që kërkojnë shpagim ndaj Gillit si dhe i atyre që morën përsipër të mbrojnë nderin e nëpërkëmbur të kombit. Çfarë formash shpagimi e vetëmburrjeje patriotike nuk kam lexuar nga këta! Po t’i kishte gazetari Gill tërë reagimet, e t’u hidhte ndonjë vështrim të shpejtë, siç ia ka hedhur Shqipërisë, pa ndalur në ndonjë fije bari atje këtu, por duke dhënë përshtypjen mbizotëruese të reagimeve tona, do të dëfrehej atje ku është në Londër për shtatë palë qejfe e do të gajasej me miqtë e tij duke i thënë: shiko si ka shkruar ky: ne jem mbrojtësit e Krishtërimit, shpëtuesit e Evropës, si nuk e njihka ky Skënderbeun!. Shiko ky tjetri që thotë se shqiptarët janë pellazgë dhe pellazgët kanë ngrënë ulur dhe jo shtrirë (si romakët) duke treguar kësisoj epërsinë e shqiptarëve ndaj romakëve. Po ky tjetri që shan Londrën pse i është sharë Tirana. Pale kjo gazeta tjetër që ka nxjerrë në faqe të parë foton time nudo, ku imitoj diskhedhësin grek, duke menduar se më përqesh në sytë e shqiptarëve që ende nuk janë çliruar nga turpi i lakuriqësisë. E me rradhë e me rradhë.
Jo vetëm, por, po të ketë ndonjë mik shqiptar që e di mirë anglishten atje në Londër, Gilli do të gajaset edhe më tepër duke komentuar se gazetat shqiptare ia kanë përkthyer gabim tekstin qysh në fjalitë e parë. Sepse, në origjinal, ku unë e lexova fillimisht artikullin, Gilli thotë: “Mother Teresa is the only internationally famous Albanian; all the rest are infamous.” Po ta përkthesh këtë korrekt dhe duke respektuar stilin provokativ të Gillit kjo do të thotë se Nënë Tereza është e vetmja shqiptare e famshme në botë, kurse të tjerët janë famëkëqinj - sepse ky është kuptimi i “infamous”. dhe jo se nuk i njeh bota sikurse e kanë përkthyer. Sepse për këta, do të shtojë Gilli, ka rëndësi të jesh i famshëm paçka se për keq e do t’ia fillojë përsëri me Zogun e Enver Hxhën e me rradhë.
Pale kur t’i thonë se një organizatë të rinjsh shqiptarë, që ka marrë përsipër t’i thotë Mjaft gjërave që përqesh Gilli, ka vendosur të bëjë një peticion kundër tij e do t’ia dërgojë tërë shqiptarëve ta firmosin. Unë për vete nuk e firmos. Madje, në emër të të gjithë shqiptarëve, madje edhe të imazhit të Shqipërisë, ndonëse e di se do të më fusin në kategorinë e “antishqiptarëve”, do t’i lutesha Mjaftit të mos e bënte atë peticion se do të na merrte në qafë. (Le pastaj që kam dëgjuar se ka disa që duan ta hedhin në gjyq.) Dhe nuk e kam hallin për atë se reagimi kësisoj ndaj një satire do të tregojë se sa të papjekur jemi. Jo jo, kam hall se mos kthehet Gilli përsëri për të provuar se “akuzat” e tij janë të vërteta. A nuk thoni shyqyr që Gilli ka kaluar përciptazi e ka ikur nga Shqipëria. Mos doni të kthehet prapë. Ai thotë psh., se femrat tona janë të veshura më keq se të gjitha femrat e Evropës. Po shyqyr që thotë kështu e nuk thotë, siç më kanë thënë të huaj të tjerë se vishen si prostituta. Ai thotë se burrat shqiptarë nuk e vënë rripin e sigurimit në makinë se kanë hall se kjo u zbeh imazhin e mashkullorësisë e i çon tek homoseksualizmi pasiv. Ju siguroj unë se po erdhi prapë Gilli për të kërkuar fakte do të dalë ndonjë rrufjan antishqiptar e do t’i thotë që ka politikanë shqiptarë që nuk e ngasin makinën vetëm sepse kanë frikë nga leva e marshit se mos u ngjall ndjenja homoseksuale pasi ajo u shëbëllen me penisin dhe hajde duroje Gillin pastaj kur të shkruajë se të gjithë politikanët tanë janë homoseksualë pasivë. Se ai nuk di ta gjejë fijen e barit në shkretëtirë. Le më pastaj sikur të shkojë në Parlament. E akuzojnë, pastajs se e ka parë Tiranën vetëm nga Rogneri tek Tirana Internacionali. A nuk thoni shyqyr që merret vetëm me ngjyrat kllouneske të Kryetarit të Bashkisë. Po sikur t’i teket të hyjë në rrugët e dyta e të merret me plehërat psh.. Ja, mjafton të hyjë në rrugën time që është 50 metra nga qendra e të shohë kazanët e plehërave atje. Çfarë lemerie do të shkruante po të shihte gjendjen e shkapërderdhur të plehërave dhe kutërbimin e tyre. Pale sikur të qëllojë aty ai grupi i romëve që vijnë atje e bëjnë seleksionimin e plehërave. Sidomos ai që mbledh kanoçet e aluminit, që i nxjerr një nga një nga kazani dhe pataj fillon i shtyp një nga një me këmbë ndërkohë që tërë banorët rreth e rrotull presin që të mbarojë sa më shpjet zhurma e këtij çekiçi që tu bijen veshët rehat.
Jo, jo, unë jam me ata që thonë lëreni Gillin të gjejë ndonjë pre tjetër.


Nisur nga mënyra se si po precipiton situata politike në vend, a mendoni se dy forcat kryesore janë gjithnjë e më larg një marreveshjeje për reformen zgjedhore etj, apo gjithsesi do të gjendet një formule që do të mundësoje një tryeze kompromisi për problemet kryesore që kërkojnë vendimmarrje konsensuale...

Mua më duket se mazhoranca dhe opozita po e thellojnë konfliktualitetin, çka më duket se e kam paralajmëruar edhe në faqet e kësaj rubrike mëse një herë, e, në këto kushte, zor se mund të arrijmë në zgjedhje të mira, por nga ana tjetër nuk besoj se ky konfliktualiteti do të arrijë të krijojë situata si ato të vitit 97 siç bërtasin disa opozitarë më një krah dhe siç betohen se nuk do të lejojnë kurrsesi të ndodhë krahu tjetër. Është një luftë politike që sikur të mos ekzistonin mediat që e fusin atë në çdo shtëpi dhe e amplifikojnë nuk i intereson shumë publikut që është i raskapitur me teatraxhinjtë e parlamentit tonë. Dhe mendoj se politikanët tanë, të të dy kampeve, duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë. Ata duhet të kuptojnë se njerëzit janë të lodhur dhe nuk kanë besim, po ashtu, tek ata prandaj e mira do të ishte që të punonin sa më shumë me modesti e të krijonin sa më pak tensionime politiko/mediatke.
Normale, pra, për mua do të kishte qenë që sot ata politikanë të punonin për shumëçka ka nevojë vendi, të reformonin së bashku shumçka që duhet reformuar medoemos dhe jo të merren vetëm me përgatitjen e ndeshjes së ardhëshme të zgjedhjeve. Si mund të fillojnë beteja të tilla tani ndërkohë që zgjedhjet e ardhshme duan edhe një vit të paktën që të zhvillohen?


Zhvillimet politike në vend kanë sjellë një ashpërsim të madh mes mazhorancës dhe opozitës. Konkretisht, disa institucione parlamentare, po kontestojnë dhe në fakt po rrëzojnë vendime të parlamentit. A kemi të bëjmë në këtë rast me cënim të legjitimitetit të Kuvendit, një institucion sovran, apo është gjithçka normale brenda rregullave të funksionimit të demokracisë...

Nuk është normale kjo që ndodh midis institucioneve. Aty ka paaftësi dhe boshllëqe ligjore, por, mbi të gjitha, ka vullnet të keq. Po t’i kthehem gjërave që kam shkruar para zgjedhjevet të korrikut mund të sjell ndërmend se kryerjen e zgjedhjeve normale e konsideroja të pamundur pasi ishte e pamundur që një trup i sëmurë të jepte analiza normale gjaku ditën e zgjedhjeve. Dhe më duket se u provua kjo me tërë atë çka ndodhi ditën e zgjedhjeve e në vazhdim, me vonesën e dorëzimit të pushtetit, me ngjarjet e pastajme me krizën e energjisë. Ajo çka ndodh sot është një vazhdim i sëmundjes së politikës shqiptare, i marrëdhënieve midis institucioneve i kapjes të shumë prej tyre nga krimi e me rradhë.
Por nëse do të përpiqem ta zhdramatizoj gjendjen, do të thoja se këto janë dhimbjet e rritjes së demokracisë. Eshtë maksimumi i optimizmit që mund të sjell në këto rradhë, por nuk e them thjeshtë për të zhdramatizuar, kam bindjen se nga gjithë kjo ne edhe do mësojmë.
Para do kohësh duke biseduar me një mik politikan ai më tha se disa vjet më parë, kur Shqipëria hyri në periudhën që ne e quajmë rëndom dhe për lehtësi “e tranzicionit”, një sociolog amerikan i kishte thënë se nëse ju (dmth ne shqiptarët) do zgjidhni rrugën e duhur do t’ju duhen të paktën 25 vjet për të kapërcyer krizën dhe nëse zgjedhja është e gabuar do kërkohet trefishi i kohës. Problemi, sipas meje, është se ne kemi zgjedhur rrugën e gabuar në shumëçka. Dhe më e keqja e kësaj zgjedhjeje të gabuar është kriminalizimi i klasë politke, ngarkimi i saj me faje të rënda ndaj vendit për shkak të përdorimit të politikës për qëllime pasurimi e përvehtësimi të mirash për vete. Ndërtimi pra i atij sistemi të korrupsionit që sot na mban peng. Unë mendoj se tërë ai agresivitet i opozitës së sotme, dje mazhofancë, tërë ai bojkot e obstruksionizëm nuk vjen nga pasioni i madh për t’i shërbyer më mirë këtij populli, por nga një frikë se mos mbi ta bije drejtësia. Të paktën me të kaluarën e tyre aa nuk e kanë kredibilitetin se nuk është kështu. Më anë tjetër mazhorancën e sotme e veçanërisht Berishën e shoh shumë të nervozuar nga kjo rezistencë e nga kjo luftë ndërkohë që sipas meje energjitë kryesore duhet t’ia kushtojë nevojave të mëdha që ka ky vend për tu normalizuar. (Rubrika Përpjeka, Standart 29 Korrik)

Fat i keq, por edhe probabilitet

A keni ju një gjykim tuajin për tragjedinë e fundit ku një helikopter me 6 persona në bord u zhduk në det, duke qenë se është bërë një temë e fortë debati mes pozitës dhe opozitës; ku pushtetarët thonë se gjithë procedura teknike ka qenë e rregullt, ndërsa opozita akuzon për pakujdesi dhe bën fajtore qeverinë për ngjarjen...

Tragjedinë e Pashkos e mësova ashtu siç besoj se e kanë mësuar pjesa më e madhe: në dy akte. Në fillim dëgjova çfarë i kishte ngjarë në detin Jon e se ndodhej në gjendje të rëndë në spitalin e Barit. Pastaj mësova atë më tragjiken: që helikopteri nuk kishte mbrritur në Bari, por ishte mbytur në Adriatik sëbashku me të birin, dy pilotët, mjekun dhe inxhinierin. Kjo e dyta ishte në nivelin e atyre lajmeve që të lenë të pataksur e që refuzon t’i besosh. E përjetova si një fatalitet nga ato që të sjellin ndërmend tragjeditë e grekëve të lashtë ku zotat e gjithpushtetshëm vendosin për fatet e tokësorëve në zëmërim e sipër. Kjo e Pashkos mu bë sikur të ishte një tragjedi me dy akte ku hyjnia e detrave, Poseidoni, dukej sikur kishte vendosur ta merrte me çdo kusht dhe, pasi ky i shpëtoi kthetrave të tij për herë të parë në Jon, ngulmoi dhe e mori për së dyti në Adriatik, ndoshta në bashkëpunim me perëndinë e erërave, Eolin. Madje kësaj here, i zemëruar edhe më, vendosi ta marrë sëbashku me të birin dhe katër të tjerë.
Ky ishte një reagim i parë emocional përzjerë me keqardhjen për Pashkon që sikur u gjashtëfishua e më la pa gojë, veçanërisht kur sillja ndërmend të birin. Pastaj afërmendsh goja fillon e flet e vihet në lëvizje sëbashku me pjesën tonë racinale që kërkon të dijë hollësira për ngjarjen, kërkon edhe ta kthejë filmin mbrapsh për të gjetur shkaqet, si mund të evitohej, fajtorin etj.
E këtu le të përmend një debat që bëra më dikë i cili më tha se ishte destini apo fati, - çka e tha në një farë mënyre edhe Berisha. Në përgjithësi ne shqiptarët e kemi shumë të fortë ndjenjën e fatalitetit, që, në thelb, është shprehje e një mendësie e kulture, do të thoja, që e ka shumë të theksuar tiparin e nënshtrimit e të pafuqisë për të vendosur për fatet tona. “Kështu desh Zoti”, “Jetëshkurtëri nuk bëhet jetëgjatë” e shumë thënie si këto janë shprehje të këtij mentaliteti. Pa dyshim në rastin në fjalë ai që e quajmë “fati i keq” ka treguar me Pashkot një egërsi të veçantë, por, sipas meje, kjo nuk është vetëm çështje fati të pashmangshëm apo vullneti hyjnish, por është edhe çështje shumë tokësore, probabiliteti do të thoja. Ç’kuptoj me këtë? Me këtë kuptoj se fakti që aksidentet në ujë apo në rrugë apo në ajër ndodhin më shumë tek ne sesa në një vend perëndimor nuk është çështje fati. Pra, duke iu referuar rastit në fjalë: sikur ne të kishim në bregdetin e Jonit, që supozohet se është edhe zonë turistike, një helikopter shpëtimi që të ishte i gatshëm të vinte në çdo cep të atij bregdeti në një kohë rekord e me ndihmë të shpejtë, ndoshta Pashko do të mund të shpëtohej në vend. Le të vazhdoj më tej: sikur të kishim në Vlorë një spital për të qenë përsëri ai do të ndalej aty në një kohë shumë më të shpejtë. Por edhe sikur të kishim në Tiranë një spital të mirë; por edhe sikur të kishim helikopterë më shumë dhe më të rinj. Pra sikur të ishin të gjitha këto e të tjera, probabiliteti që të ndodhte kjo tragjedi do të ishte shumë më i vogël.
Sipas meje, kur vjen puna për ta politizuar këtë tragjedi, këtu duhet të ndalet politika dhe politikanët për të nxjerrë përgjegjësitë e tyre: pse e kanë lënë këtë vend në këtë gjendje? Madje, në këtë kontekst politizimi, çështja duhet ngritur edhe në një aspekt tjetër: supozojmë se Pashko do të arrinte në Bari dhe do të shpëtonte. A nuk do të kishte të drejtë çdo qytatar i thjeshtë i këtij vendi, që nuk ka emrin dhe njohjen e Pashkos, të ngrinte çështjen e pabarazisë së shtetasve në një nga të drejtat themelore të njeriut: atë të pasjes së një shërbimi shëndetsor bazë të siguruar për të gjithë? A nuk do të kishte ai të drejtë të ngrinte çështjen se këta politikanët tanë, mu pse kanë këto privilegje e mundësira për vete, nuk duan t’ia dinë për të tjerët?
Në këtë kontekst, pra, sipas meje, do të duhej të politizohej kjo tragjedi e jo vetëm të nxirreshin përgjegjësitë, por edhe të hidheshin ide se çfarë duhet bërë nesër urgjentisht e po ashtu në terma afatgjata. Kurse instrumentalizimi që i ka bërë opozita duke akuzuar Berishën si vrasës të gjashtë vetëve sepse paska vënë në dispozicion helikopterin e tij kundra rregullave, e duke ngelur këtu, më duket se provon mjerimin e kësaj opozite e cila, e ka përqendruar tërë luftën e saj e bërjen opozitë kundër një personi që mishëron obsesionin e saj, kryemnistri. Jam i bindur se kjo lloj opozite sikur Berisha të mos kishte ofruar helikopterin e tij do ta akuzonte përsëri si vrasës pasi nuk e dha helikopterin. Mirëpo problemi është se një opozitë e obsesionuar kësisoj çka e çon tek ideja se mund të përdoret çdo mjet kundër obsesionit të saj, nuk është më e aftë të merret me fenomenet e të ketë qartpamësi e drejtpeshim në vlerësimin e situataave e ngjarjeve. E kjo është një humbje e madhe, por është edhe e barsur me rreziqe të mëdha. Sepse edhe tek trajtimi i kësaj ngjarjeje vihet re strategjia e përdorimit të çdo mjeti për eliminimin e kundërshtarit, çka kam frikë se do ta thellojë konfliktualitetin e do ta çojë politikën në shkallë edhe më të mëdha iracionaliteti.

Si e shihni luftën e fundit që ka nisur në Lindjen e afërt, ku Izraeli ka sulmuar disa objekte të Libanit. A mendoni se ky konflikt do të përshkallëzohet dramatikisht, duke qenë se disa vende arabe kanë shprehur një lloj gadishmerie për t'u përfshirë në këtë ngjarje, apo diplomacia e të mëdhenjve do të mundësoje paqen...

Çka po ndodh midis Izraelit dhe Libanit e shoh si pasojë të gabimit fatal të Bushit që ndezi luftën në Irak duke i hedhur edhe më benzinë zjarrit në një zonë mjaft të ndezur nga konflikti izraelo palestinez. Them “gabim” sepse më vjen ndërmend një thënie e Fushesë kur Bonoparti, me këshillën e Talejrandit, vrau Dukën e Engijenit: “Ky ishte më keq se një krim, ishte një gabim” – tha Fusheja. Sepse një krim mund të mbyllet me një krim, kurse një gabim është i barsur me pasoja nganjëherë të pallogaritëshme, siç ndodhi në rastin e asaj vrasjeje pas të cilës armiqtë e Bonopartit u bashkuan kundër tij në Aleancën e Shenjtë. Sipas meje ishte gabim tërë strategjia e përdorur nga Bushi në luftën kundër terrorizmit. Ishte një strategji që u ndërtua me mjete anakronike, sepse përdorimi i luftës si vazhdim i politikës me mjete të dhunshme është i barsur me rreziqe të jashzakonshme në kohën kur jetojmë e nuk është as edhe efikas; sepse pushtimet me ushtri dhe konvertimet me ushtri janë të pamundura në kohën që jetojmë, me ndjeshmërinë, koshiencën, informacionin që kemi sot. Lufta kundër terrorizmit në kontekstin global kërkonte të tjera mjete. Sipas meje trajtimi i vendeve që konsideroheshin armike apo diktatoriale si Iraku duhej kryer sipas politikash krejt të tjera nga ato të ndeshjes me ushtri. Mund të përdorej psh. edhe strategjia e Luftës së Ftohtë e cila nënkuptonte edhe zhvillimet graduale demokratike brenda vetë vendit si ato që ndodhenë në vendet e Lindjes. Kur ia kam thënë këtë ide një përfaqësuesi të Departamentit të Shtetit në kohën kur po përgatitej lufta ai mu përgjegj se kështu do të ishte më mirë sikur Sadami të mos kishte armë të shkatërrimit në masë që e bëjnë të rrezikshëm imediatisht. Mirëpo rezultoi se Sadami nuk kishte armë të tilla. Por edhe sikur të kishte. Çfarë do të mund të ndodhte psh. sikur në këtë përshkallëzim urrejtjeje të kishte edhe zhvillime në Pakistan dhe regjimi të bjerë atje në duart e një qeverie armike ndaj SHBA që, me gjithë gjasat, sikur të ketë zgjedhje të lira edhe mund të ndodhë, siç pamë se ndodhi me zgjedhje të lira në Palestinë ku fitoi krahu ekstremist Hamasi dhe jo krahu i moderuar. Pra, eksportimi i demokracisë me mjete të dhunshme ka rezultuar jo vetëm i dështuar, por ka barsur me urrejtje të panevojëshme botën arabe ndaj SHBA e Izraelit e po ashtu ka ulur jashtzakonisht reputacionin dhe legjitimitetin e SHBA si fuqia e parë botërore që do të duhej të garantonte paqen dhe harmoninë në planet. Edhe për këtë arseye sot me të drejtë flitet për mbarimin e sistemit monopolar me mbizotërimin amerikan dhe për fillimin e një epoke shumëpolare; por për fat të keq të pastabilizuar e prandaj edhe të barsur me plot rreziqe. Kjo që po ndodh në Lindjen e Afërt, sipas meje, duhet parë në këtë kontekst. Gjithë duke shpresuar që diplomacia botërore do ta shuajë konfliktin, më duket se ajo po provon një lloj pafuqie për menaxhimin e tij dhe kjo është më e keqja.
Në nivelin tonë lokal më bije në sy indiferentizmi ndaj gjithë kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme, që mbush faqet e para të gazetave dhe lajmeve televizive botërore e që dikush e ka konsideruar edhe si fillim i Luftës së Tretë. Kjo ndodh për shkak të përqendrimit të opinionit tonë tek ngjarjet e vogla të brendëshme, tek furtunt në gotën tonë të vogël të ujit, sepse për aq shqetësohen politikanët tanë e mediat tona. Ky është tregues i një provincializmi të thellë. Jo vetëm, por të bije në sy edhe mungesa e ideve apo qasjeve të ndryshme politike ndaj këtij konflikti. Si psh. qasjet e djathta dhe të majta që i ve re në çdo vend ku funksionon vërtet demokracia dhe pluralizmi, ku ato të djathtat janë më pro izraelite dhe më justifikuese për përdorimimin e luftës kurse ato të majtat janë shumë më të ndjeshme ndaj çështjes palestineze dhe dënuese më me forcë ndaj atij që ata e quajnë reagim i shproporcionuar i Izraelit e këmbëngulin për reshtjen e luftimeve në emër të paqes e dialogut. Por, më anë tjetër, nganjëherë mendoj se është më mirë kjo heshtje sesa ndonjë ragim si ai i para disa vjetëve kur, pa qenë kurrfare nevoje përveçse për të treguar servilizmin tonë të pashoq e me synim të brendapërbrenshëm (për të mbuluar korrupsionin e për të fitur ndonjë mbështetje nga administrata e Bushit), e majta jonë super e djathtë vendosi të dërgojë trupa në Irak.


Disa nisma të fundit të mazhorancës kanë ngecur dhe duket se edhe më tej do të ngecin në Presidencë. Është fjala për rrëzimin që KLD i bëri ndryshimit të këtij këshilli së fundmi nga Parlamenti, si dhe siguria e bërë publike e Prokurorit të Përgjithshëm për mosshkarkim, duke qenë se ky akt është në dorën e Moisiut. Pse mendoni se Presidenti kundërshton mazhorancën në këto pika, dhe a i ka bërë mirë llogaritë qeveria me të, apo është gabuar duke mos ndërtuar një raport me funksional me kreun e shtetit...

Në tipologjinë e presidentëve që kemi kaluar gjatë këtij tranzicioni Moisiu është një variant i tretë do të thoja. Kemi pasur në fillim Berishën tek i cili ishte përqendruar tërë pushteti e që fare mirë mund të konsiderohej edhe shef i ekzekutivit. Pas tij kemi pasur Mejdanin i cili ishte përfaqësuesi i një pale, por jo i gjithpushtetshmi i parë sepse ishte nën hijen e kryetarit të ekzekutivit. Ai e ruajti këtë pozicion gjithë duke qenë qartazi pjesë e një pale dhe pa gëzuar legjitimitetin që duhej t’ia njihte edhe pala tjetër. Moisiu është variant tjetër. Ai ka dalë nga konsensusi PS – PD; madje PD ka pandehur se ka arritur maksimumin e mundshëm me zgjedhjen e tij sepse dihej e kaluara e tij pro PD. Por karakteristika e tij thelbësore që e bëri edhe të zgjedhshëm ishte mendimi se ky do të mund të ishte i kontrollueshëm nga PD-ja sepse e dinte se ishte ajo që e kishte zgjedhur duke e lidhur këtë edhe me faktn se ishte figurë që nuk kishte treguar ndonjë personalitet të spikatur. Kurse Nano e pranoi sepse mendoi se, duke patur pushtetin, do të arrinte shumë shpejt ta vinte nën hyqmin e socialistëve, gjithë duke menduar edhe ai se Moisiu nuk ishte ndonjë personalitet i spikatur. I të njëjtës tipologji është edhe Sollaku. Shumë njerëz sot nuk e dinë se ai ka qenë kandidat për deputet i PD në kohën kur PD-ja ishte në minimumin e mbështetjes së saj: në zgjedhjet e 29 qershorit 97. Pa dyshim kjo lidhje ka bërë që PD të besojë se do ta ketë në krahun e vet prokurorin, kurse përsëri Nano ka besuar shumë më tepër se pushteti i mafjes që ai kontrollonte do ta kthente lehtë Sollakun në krahët e tij. Për mua mund të thuhet se Nano ka treguar intuitë më të fortë ose se PD-ja kaq mund të arrinte duke qenë në opozitë. Kurse fakti që këta të dy sot nuk kalojnë në anën e PD, siç ta do vazhdimi i këtij arsyetimi, ka të bëjë me atë se më një anë këta i ka kapur sistemi dhe më anë tjetër sepse e dinë se janë të sakrifikuarit e rradhës. Por ndoshta edhe pse janë të ngjashëm në tipologji. Pra rezistenca e tyre, sipas meje, është, sëbashku me aktivitetin e opozitës, rezistencë e sistemit të korrupsionit nga rreziku i shkatërrimit të tij apo nga rreziku që atë ta marrë në dorë Berisha, por kurrsesi mbrojtje e shteti ligjor, sepse shteti ligjor nuk mbrohet dot nga një njeri i vetëm, aq më pak nga një njeri si Sollaku që në tërë këta vjet nuk ka bërë asgjë që të tregojë se është në gjendje të mbrojë shtetin ligjor nga kapja që i ka bërë mafja.
E dëgjova Sollakun së fundmi në parlament dhe më ra në sy jo vetëm fakti se teksti i tij ishte i shkruar nga një dorë që vetëm jurist nuk mund të jetë, por edhe se kur akuzoi se kjo që po ndodhte me të ishte një tentativë e kryeministrit për të kontrolluar organin e prokurorisë tha se, po të ndodhte kështu, vendi do të shkiste në anarki. Vini re: nuk tha se do të shkiste në autritarizëm, siç ta donte logjika. Në këtë mënyrë ai na kërcënoi, indirekt, se heqja e tij do të ishte e tillë që do të shkaktonte rebelim dhe anarki si në 97-tën. Dhe s’do mend se këtë anarki do ta bënte opozita. Këtu vlen të qëndrosh sepse mbetja në skemën e 97-tës është një gabim i madh që socialistët, por edhe Sollaku, nuk po dinë ta kuptojnë. Sigurisht 97-ta qëndron varur në historinë tonë edhe si një kërcënim, por nga ana tjetër duhet të arrijmë të bëjmë edhe dallimet, e një ndër dallimet është se populli nuk beson më te klasa politike që besonte në 97-tën. Por ka edhe diçka tjetër që duhet shtuar lidhur me atë deklaratë. Një njeri që pranon që vendi të shkojë në vitin 97 e të mos japë dorëheqjen, duhet të jetë në një hall shumë të madh. Më duket se në këtë hall është edhe Presidenti.
Për mua zgjedhje të tilla të dështuara në krye institucionesh tregojnë edhe një herë se sa e rëndësishme është të kemi institucione vërtet të pavarura e që drejtohen nga njerëz me personalitet që gëzojnë kredibilitetin e të dy palëve. Përndryshe ata bëhen thjeshtë një mollë sherri më tepër aq sa të vjen të thuash më mirë të mos ekzistojnë.
(Rubrika Përpjekja, Standart 22 korrik 2006)

Për ty atdhe

Socialistët i janë kthyer sheshit Skënderbej me një miting pas 10 vitesh. Duke e lenë mënjanë argumentin se është në të drejtën e vet legjitime për të protestuar, një gjë që nuk mund te vihet më në dyshim në Shqipërine e vitit 2006, si e gjykoni ju këtë si lëvizje politike, dhe veçanërisht mesazhet qe dolën nga podiumi. Nga retorika, del se PS kërkon largimin e qeverisë, dhe se është e gatshme të vijë në pushtet. A mendoni se këto dy pretendime qëndrojne duke ditur se ende nuk është mbushur nje vit nga rrotacioni...


Mitingun e socialistëve në Sheshin Skënderbej e ndoqa nga shkallët e Muzeut Kombëtar me kuriozitet të veçantë, jo pse prisja të dëgjoja ndonjë gjë të re në retorikën e liderve të opozitës, sepse tashmë e dimë përmendësh këtë retorikë nga mediat elektronike, por për të parë dy gjëra: pjesëmarrjen e njerëzve dhe entuziazmin e tyre. Besoj se edhe vetë opozitarët prandaj e thirrën mitingun: jo pse s’kanë tribuna për t’u folur njerëzve të tyre, por për të parë se sa kjo e folur e tyre është në gjendje të verë në lëvizje njerëzit që ata mendojnë se i mbështesin e për të matur njëfarësoj se sa mund të jenë këta. Nuk e di se si e kanë lexuar ata mitingun, por opinioni im, me çka pashë, është se pjesëmarrja dhe entuziazmi i njerëzve u dha atyre një përgjigje të qartë se besimi në ta është në nivelet më të ulta.
Mund të thuash edhe se mitingu tregoi se ka ikur koha kur partitë tregojnë dhëmbët nëpërmjet numrit të njerëzve që janë në gjendje të mbledhin. Por, sipas meje, nuk ka qenë asnjëherë kështu. Ka pasur periudha kur njerëzit më një anë kanë pas akumuluar shumë dhe më anë tjetër kanë pasur besim dhe shpresë tek politikanët që kanë brohoritur. Kurse mitingu i të mërkurës tregoi mungesën e të dyja këtyre, përkundrazi shkëputjen e këtyre partive nga njerëzit. Dhe si mund të jetë ndryshe? A e vutë re se mitingu u hap dhe u mbyll me këngën më të dashur të Enver Hoxhës: “Për ty atdhe”. Këngëtari thotë se për atdheun do të këndojë këngën më të bukur, sepse është atdheu që nuk u përkul nga çdo stuhi e tufan, por qëndroi si shkëmb graniti, vigan.
Po të marrim të analizojmë këtë këngë dhe zgjedhjen e saj si emblemë të mitingut do të bënim një analizë jo të keqe se ku është opozita sot. Thelbi i asaj kënge për mua është se në një kohë kur atdheun Enver Hoxha e kishte futur në gropën më të errët të historisë së tij, kur ai vuante nga varfëria e paparë dhe izolimi total, popullit i këndohej për atdheun si shkëmb graniti që nuk u përkul nga stuhi e tufan. Në fakt ishte një identifikim paranojak i diktatorit me atdheun, por edhe një hipokrizi dhe demagogji e shkallës më të lartë. Nuk mund të mos të të bëjë rezonancë fakti se është zgjedhur si emblemë e mitingut kjo këngë e diktatorit të djeshëm me çka ndodh sot: me fjalimet e liderve nga tribuna e atij mitingu të cilët, pasi e kanë futur për tetë vjet Shqipërinë në një spirale zbritëse të krimit e korrupsionit dalin e këndojnë këngë që nuk i besojnë as vetë për atdheun. Por zgjedhja e këngës tregon edhe më shumë se kaq: tregon se elektorati të cilit i drejtoheshin socialistët është ai që mallëngjehej nga kjo këngë në kohën e Hoxhës. Por edhe më shumë se kaq: tregon se ata kujtonë se njerëzit nuk kanë aq mend sa të gjykojnë e vlerësojnë demagogjinë e këngës së tyre. Ata pandehin se mjafton që njerëzve tu këndësh këngët që janë bërë tashmë shumë banale që fillojnë me sulmet ndaj Berishës që ka nëpërkëmbur Luftën, familjet e dëshmorëve si dhe oficerët patriotë e mbarojnë me dritat dhe ujin që ata vetë nuk i sollën kurrë, e njerëzit do të fillojnë të mallëngjehen e të ushtojnë me brohorima për ta; sikur njerëzit të mos jenë në gjendje të kuptojnë se sa e kanë seriozisht ata, sikur nuk e dinë se çfarë kanë bërë ata gjatë këtyre tetë vjetëve, sikur nuk dinë për vilat e llukset e papara të krijuara me paratë që ua kanë vjedhur atyre.
Një gjë tjetër që më ra në sy edhe në këtë miting është varfëria dhe mediokriteti i gjuhës politike të Ramës dhe shtroj me vete pyetjen: more po kaq banal ka qenë ky edhe më parë apo pikërisht fakti se thotë gjëra që nuk i beson as vetë, se duhet të flasë një gjuhë që duhet t’u pëlqejë edhe veteranëve edhe biznesmenëve të uritur për para edhe të rinjve injorantë e bën kaq banal? Edhe kur flet kundër Berishës duket sikur po rishkruan shkrimet e vitit 95, pa qenë në gjendje të kuptojë se kohët kanë ndryshuar apo duke menduar se njerëzit kështu e duan tu flasësh.
Me një fjalë entuziazmi që pashë në atë miting mu duk se nuk ishte as në nivelin që mund ta ngrinin atë një numër militantësh që shpresojnë të rikthehen në dogana e administratë për të riparë interesat e tyre. Sigurisht më shumë se tek një entuziazëm pozitiv ata shpresonin se mos ishte akumuluar pakënaqësi e madhe ndaj Berishës, pra se aty do të kishte britma kundër tij, por as kjo nuk rezultoi, sipas meje, jo pse ata që ishin mbledhur aty janë të kënaqur me Berishën, por sepse nuk besojnë më në ata udhëheqës që kishin përpara, paçka se e kishin vendosur tribunën nën hijen e Skënderbeut.
Gjinushi tha në fjalimin e tij se 2005 ishte koha kur e majta duhet të ndryshonte, por e djathta nuk duhet të vinte në pushtet kurse 2007 është viti kur e majta e ndryshuar duhet të vijë në pushtet. Unë nuk e di se për çfarë ndryshimi të së majtës flet Gjinushi. Në fakt kanë ndodhur vetëm dy ndryshime: E para se nuk është më kryetar Fatos Nano, por nga ana tjetër partia nuk është se e ka dënuar Nanon në kuptimin e asaj që ai përfaqëson një nga baballarët e korrupsionit. Ndryshimi i dytë, sipas meje krejtësisht negativ, është se Iliri Meta dhe partia e tij, që u shkëputën duke denoncuar të keqen në PS, janë kthyer përsëri për tu bashkuar me ta, por pa u shoqëruar kjo me plotësimin e kushteve që vinte dikur Meta dhe të tijtë për bashkimin. Tjetër ndryshim unë nuk shoh.
Në fakt sipas mendimit tim ka ardhur koha për ndryshime shumë më të rëndësishme në mënyrë që të kemi një shpresë të re të majtë në vend. E këto ndryshime i shoh në largimin nga skena politike të liderëve që nga mossinqeriti i thellë që i karakterizon, nuk inspirojmë më asgjë përveç mosbesimit.


Po flitet ne media se ka nje skeme, ose mundësi politike që Fatos Nano te jete Presidenti i ardhshëm i vendit. Sa e besueshme ju duket kjo, dhe në fakt, a shihni ju realisht ndonjë pengesë për këtë projekt të mundshëm..

E kam thënë edhe disa ditë më parë në Klan: fakti që ne (kur them “ne” kam parasysh politikën, mediat dhe popullin që na ndjek), po fillojmë që sot të shpenzojmë energji pa fund në intrigën se kush do të zgjidhet president pas dy vjetësh është sa absurd aq edhe tragjik, po të kemi parasysh se sa punë, shumë herë më të rëndësishme, ka përpara mazhoranca për t’i shërbyer vendit, se sa punë ka opozita për tu reformuar dhe për të bërë opozitë racionale më anë tjetër. Për mua mbushja e faqeve të gazetave dhe e lajmeve të televizioneve me këtë intrigë është treguesi më i mirë se këtu tek ne klasa politike, por edhe ajo mediatike, jeton e punon vetëm në funksion të pushtetit për pushtet dhe jo në funksion të shërbimit ndaj këtij vendi të varfër.
Lidhur me kandidaturën e Nanos unë mendoj se ajo është dy herë e papranueshme si nga pikpamja e mazhorancës ashtu edhe e opozitës e se ajo mund të dalë pozitive vetëm nëse në vend të “mbledhjes” së dy minuseve do të përdorim “shumëzimin” e dy minuseve. Le të shpjegohem: Është e qartë se futja e një figure si Nano në lojë sot, kur opozita pretendon se është e bashkuar mbi dy figura rivale të Nanos: Rama dhe Meta, është në favor të Berishës në aspektin afatshkurtër të luftës për pushtet të mazhorancës sepse futja e Nanos do ta përçante këtë opozitë që kështu, e bashkuar, përbën një kërcënim më të madh për Berishën. Por unë nuk mendoj se Berisha duhet ta reduktojë luftën e tij në atë thënien e famshme: armiku i armikut tim është miku im. Aq më tepër po të kesh parasysh se sa shpesh armiqtë janë bërë miq dhe miqtë armiq në këtë vendin tonë. Sepse, në këtë mënyrë, ai do të demaskonte qëllimin e vërtetë të tërë fushatës së tij kundër korrupsionit. Pra ndaj pyetjes që shtrohet se cili është armiku i vërtetë i Berishës korrupsioni apo jo, zgjedhja e Nanos do të tregonte qartë se antikorrupsioni për Berishën është një mjet për të qëndruar në pushtet të cilin mund ta shkëmbejë shumë lehtë me simbolin e korrupsionit Nano, kur ky t’i duhet. E po e bëri me Nanon pse të mos e bëjë me mafjen, me bizneset informale e me rradhë.
Jo vetëm kaq, por me këtë zgjedhje ai do t’i jepte dorë një projekti prapa të cilit qëndron kundërshtari i tij më i rëndësishëm sot Rama e që e mbështet edhe një pjesë nga jashtë e manipuluar nga fushata vetpromovuese e Ramës sipas të cilit projekt vetëm ikja e Nanos dhe Berishës e zëvendësimi i tyre me Ramën dhe politikanë të brezit të tij do të ishte shpëtimi i Shqipërisë nga rreziku i diktatorëve - çka unë do ta kisha mbështetur me tërë forcën sikur të mos e dija më mirë se të huajt se realiteti nuk është kështu.
Nga ana tjetër mua më duket se propozimi për Nanon duhet të vijë nga opozita, ose një pjesë e saj pro Nanos, sepse nuk ta do mendoja që Nano të futet në listën e kandidatëve të PDsë për president. Mirëpo në momentin kur kjo opozitë do të fusë Nanon si kandidatin e vet kryesor për president atëhere do të bëjë vetëdenoncimin e rradhës. Nëse ka ndodhur ndonjë ndryshim pozitiv që ata e pretendojnë kjo është ikja e Nanos filozofia qeverisëse e të cilit ka qenë ndoshta edhe më shkatërruese për shtetin sesa autoritarizmi i Berishës në vitet 1992- 1996. Sepse Nano e ndau Shqipërinë në feude dhe u tha feudalëve të tij: vidhni sa dhe si të mundni sepse nuk ju ndodh gjë, por veç më sillni mua pjesën time. E të zgjedhësh për president një person të tillë, që, për më tepër, ka gjashtë muaj që nuk duhet një herë në parlament, pale të shkojë në zonën që e ka zgjedhur, sipas meje do të ishte akti final i vetëdenoncimit të kësaj klase poltike, si të mazhorancës dhe të opozitës, do të ishte përqeshja e fundit që kjo klasë politike i bën popullit shqiptar dhe ndoshta akti i parë i një zemërimi që do të duhej të mbarsej për të pjellë një klasë të re politike.


Shuarja e Pjeter Arbnorit, na sjell në mendje nje fakt qe shoqëria jonë ende nuk e ka larë ndërgjegjen për krimet e komunizmit. Nuk është bërë akoma le të themi “mea culpa”. Si e shpjegoni ju këtë, dhe a mendoni se kjo duhet bërë, apo është një nga ato krizat që shoqëria jonë është mësuar t’i kapërdijë pa u ndalur për një hop në reflektim...

Jo më larg se dje rasti më dha të rishikoj një dokumentar të bërë në vitin 1992 nga një televizion i huaj në të cilin kishte shumë protagonistë të vuajtes nëpër burgje dhe internime që jepnin dëshmitë e tyre rrënqethëse. Të them të drejtën edhe unë, që pjesën më të madhe të aktivitetit tim si shkrimtar e kam të lidhur me përshkrimin e atyre vuajtjeve, u trondita kur e ripashë e më erdhi natyrshëm pyetja: si është e mundur që ne i kemi harruar këto?! Si mund të harrohen këto?!
E megjithatë po ndodh një harresë dramatike. Shkaqet janë të shumta e nuk di se kë të vendos të parin për nga rëndësia. Një nga shkaqet lidhet me çështjen që trajtova më sipër: Pse ne duhet të merremi dy vjet rresht me atë se kush do të zgjidhet president që, po ta shtrish më gjerë, do të thotë: pse ne prodhojmë kaq shumë historira kot e mbytemi në to kur kemi kaq gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë? Një nga shkaqet e “harresës” është fakti se ne gjatë këtye 15 vjetëve kemi prodhuar aq shumë historira të reja kot e tragjedira të reja kot sa këto nuk na kanë lënë ta kthejmë kokën prapa. Po ta trajtosh më thellë këtë fenomen do të arrish në konkluzionin se ndërgjegja jonë është ende në një fazë infantile. Por nuk është vetëm kjo. Një arësye e dytë lidhet me faktin se ajo që herë tjetër e kam quajtur elita jonë politike dhe kulturore, ajo që, si të thuash, ka dominuar në jetën publike me idetë, mendimet e veprimet e saj duke përcaktar edhe tematikat, edhe ndjeshmëritë, edhe prioritetet, nuk ka pasur interes të vërtetë dhe të sinqertë për kthimin e kokës për nga ajo kohe sepse ndjehet fajtore, por edhe sepse një kthim i kokës vërtet e me seriozitet e me ndjenjë drejtësie (e jo si instrumentalizim politik) në atë kohë do të ishte diskreditues për të e do të sillte humbjen e influencës e pushtetit të saj. Prandaj ajo i është futur një operacioni të dyfishtë të manipulimit të të vërtetave të asaj kohe duke e kombinur këtë me një imponim të harresës me çdo mjet edhe duke prodhuar pseudoprobleme. Sot psh., në sajë të këtij manipulimi për shumicën e njerëzve del më i persekutuar shkrimtari Ismail Kadare që ka qenë edhe edhe deputet edhe nëkryetar i Fronti Demokratik edhe antar partie e ka gëzuar trajtim të veçantë nga regjimi sesa shkrimtari Pjetër Arbnori që ka bërë 30 vjet burg. E për fat të keq në këtë manipulim shoh se kanë luajtur një rol edhe jo pak ish të persekutuar. E këtu vij në shkakun e tretë: sepse puna sistemetike 45 vjeçare që ka bërë diktatura për të shkatërruar ish të persekutuarit ashtu sikurse edhe vetë vuajtja e tyre ka bëri që këta të mos kenë mundësi të mbrojnë si duhet vuajtjen e tyre dhe kujtimin se saj e të luftojnë për drejtësinë që meritojnë.
Por ka edhe një shkak tjetër shumë të rëndësishëm që lidhet me tetë vjetët e sundimit socialist që janë periudha më e gjatë në këtë tranzicion. Socialistët edhe për arsye klienteliste, sepse votuesit e tyre ishin kryesisht në rradhët e ish persekutorëve, edhe për arsye mungesash kulturore e moraliteti që i thelluan me zhytjen totale që i bënë shoqërisë në korrupsion, e lanë krejtësisht në surdinë çështjen e persekutimit. Po të vesh re edhe në tekste shkollore ajo anashkalohet. E në këtë kontekst, do të shtoja edhe një arësye tjetër që lidhet pandashmërisht me ato që thashë më lart ose më saktë që është pasojë e atyre: mungesa e një brezi të ri të interesuar për atë se çfarë ka ndodhur.
Megjithatë unë kam besim se tragjedia e asaj kohe dhe shumë të vërteta të asaj kohe që sot po lihen në hije janë aq tragjike saqë nuk mund t’i tresë dot dheu e as t’i fshehin apo ndryshojnë shumë nga ata që edhe sot e kësaj dite i tremb hija e së kaluarës së tyre që zgjatet pa fund. Ajo tragjedi qëndron nën valët e turbulluara të ngjarjeve që ne prodhojmë pa reshtur e duket sikur nuk është, por, sapo të bëhet pak kthjellësi, ajo do të dalë e tëra me përmasat e saj gjigante dhe zinë e saj të paharrueshme. (Rubrika Përpjekja, Standart, 15 Korrik 2006)

Friday, July 14, 2006

Po, POR

Duke biseduar me një të huaj që ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe që ka pasur jo vetëm një herë rastin të takohet edhe me përfaqësues të opozitës, dëgjova prej tij një gjetje që më sintetizoi shumë thjeshtë diçka që ne, analistët e brendshëm, e kemi të vështirë ta “gjejmë” për shkak se janë disa qëndrime që, mu pse bëjnë pjesë në kulturën tonë, na duken aq normale sa nuk na godasin. Ai më tha se ajo që i bënte përshtypje në takimet që kishte pasur me opozitarët ishte se, në bisedat që zhvilloheshin me ta, kur të huajt shtronin, lidhur me ankesat e tyre, çështjen se punët nuk kanë shkuar ashtu edhe aq mirë në periudhën e tyre (si për shembull lidhur me korrupsionin apo me gjendjen e medias apo me zgjedhjet dhe regjistrat e zgjedhësve), përgjegja që ata të japin – më tha - është e tipit: ”po, është e vërtetë, por…” dhe pastaj nuk ndalen më tek “po”-ja, por fillojnë e të mbajnë një fjalim të gjatë për “por”-in. Të thonë psh.: “po, ka pasur korrupsion, por antikorrupsioni po përdoret si ideollogji për të na luftuar ne…” (e pastaj vazhdojnë e tjerrin pjesën që vjen pas “por”it; “Po, por ligji për mediat po bëhet për tu hequr atyre lirinë…”; “Po, por regjistri zgjedhor bëhet për të na vjedhur votat...”
Ajo çka i binte atij në sy në këtë lloj shtrimi të çështjeve nga opizita ishte, pra, një lloj hipertrofizimi i “por”-it dhe lënia në heshtje e “po”-së.
Pse ne nuk na bije në sy ky konstatim që ka bërë i huaji? Sipas meje sepse në këto 15 vjet që ekziston opozita tek ne nuk ka hyrë ende kultura e ndaljes tek “po”-ja, pasi kjo kulturë e të bërit opozitë, e cila fatkeqësisht reflektohet edhe në qëndrimet e shumë gazetarëve, buron nga një kulturë e marrdhënieve tona ku pranimi i gabimit nuk të vlerëson, por të ul në sytë e të tjerëve. E kështu, nëse me të huajt ajo përdoret disi, pasi me të huajt politikanët tanë përdorin gjuhë tjetër, me shqiptarët ajo nuk përdoret thuajse fare. Me shqiptarët mbizotëron një hipertrofizim i tejskajshëm i “por”-it që, në fakt, kthehet nga “por” në një “jo” që nuk njeh asgjë përveç afirmimit të vetvetes e mohimit të kundërshtarit totalisht. Kjo kulturë na ka sjellë një mori të këqijash, por ajo më e keqja është se nuk i le njerëzit të thellohen në fenomenet që duhet të luftojë politika, ajo e redukton jetën politike në një luftë për pushtet personash, ajo bën të sajohen motive pas motivesh personale të qëna e të paqëna pse thuhet apo bëhet një gjë, pa lënë asnjë moment kohë për tu ndalur në argumentet pro dhe kundër asaj që bëhet. Ajo i ngarkon njerëzit vetëm emocionalisht duke ua shpëlarë trurin nga çdo lloj argumenti racional e duke i larguar nga çdo lloj zgjidhje që nuk përmban luftë për jetë a vdekje. Tek e fundit, pra, ajo nuk bën tjetër veçse krijon premisat për të mos u zgjidhur problemet që përmban “po”-ja, por vetëm se i le ato të akumulohen.
Po të hapësh në ditët e sotme televizionet e lajmeve do të mund të gjesh nëntituj të tillë që sintetizojnë këtë kulturë të të bërit opozitë: “”Jo’ barbarëve me çdo mjet” “Kjo qeverisje është pushtim” “Vendi është peng i kryeplakut Berisha”. Të njëjtat bomba deklamative e thirrje luftënxitëse pa përmbajtje do të gjesh çdo ditë në faqet e para të Zëri i Popullit. Është mëse e qartë se thirrje të tilla janë ashtu që nuk lenë më vend për të bërë analizën racionale të “po”-ve të vetvetes e as të “por”-eve të kundërshtarit.
Rasti më dëshpërues i zhdukjes së “po”së është ai i LSI-së. Të gjithë jemi prezent se si kjo parti u ngrit dhe u mbështet në sajë të ndarjes (që sot rezulton vetëm me fjalë) nga ato fenemene që ishin thelbi i të keqes që kishte pushtuar PS-në. Ishte partia pra që, më shumë se çdo tjetër, kërkoi të ndahej nga “po”-ja e së keqes socialiste dhe se nuk do të kalonte tek “por”-i pa u ndalur njëherë seriozisht tek “po”-ja. Mirëpo, befas, pa u dhënë thuajse asnjë shpjegim atyre që e kanë votuar, ajo e hoqi nga fjalori “po”-në e korrupsionit, “po”-në e monopoleve “, “po”-në e prokurorisë së kapur, e shumë “po” të tjera që rëndonin mbi PS dhe u rreshtua në korrin e madhe të “por”-it të hipertrofizuar duke na mohuar kështu një shans të të bërit opozitë ndryshe. Tani, madje, ajo ka hyrë pa dallim nga PS në një fazë të re të ”por”-it pa “po”. Në atë të thirrjeve për demostrata nga ato që “Sali Berisha nuk i ka parë as në ëndrrat më të këqija”- siç u shpreh së fundi kryetari i PS. Nuk mund të mos të të vijë ndërmend periudha e parë e Berishës dhe e PD pas 1997-tës, kur mbizotëronte një “por” i hipertrofizuar, e se u deshën shumë vjet që ajo parti t’u kthehej disa “po”-ve të paanalizuara për të ndryshuar disi imazhin e saj, por pa e ngritur këtë në nivelin e një kulture tjetër të të bërit opozitë.
Nëse kjo gjysëm e munguar, që është gjysma e trurit të madh, prej ku buron arësyeja, nuk do të futet në kulturën e opozitës jo vetëm nuk mund të ketë reformim të opozitës, por nuk do të mund të ketë as edhe një maxhorancë ndryshe. Sepse edhe maxhoranca në këto kushte gjithnjë e më shumë do ta rrisë prirjen, që e ka, të të ndalurit vetëm tek “po”-të e së keqes së kundërshtarëve (siç bënë në fakt socialistët gjatë tetë vjetëve që qenë në maxhorancë) dhe jo tek “por”-et dhe pikëpyetjet që bijen sot mbi të, dhe të ardhmen e saj qeverisëse. E pa këtë dialektikë asgjë nuk mund të na lerë shpresë se ne një ditë do të zgjidhim tërë ato probleme që na kanë mbytur e po na mbysin përditë, por thjeshtë do të vijojmë rrethqarkullimin tonë politik, ku gjysma ndalet vetëm tek “po”-ja dhe gjysma tek “por”-i pa ndërtuar dot një frazë politike racionale me “po” dhe me “por”-e të drejtpeshuara. (Korrieri, 11 korrik 2006)

Nëse krimi do të ndjehet seriozisht i kërcënuar duhet të përgatitemi edhe për më keq se videoja e Lesit

Po shtohen rastet e publikimit të videove nga momente private të personave, me qëllim demtimin e tyre, stigmatizimin. A mendoni se falë teknologjisë me zhvillime të shpejta, po humbet gjithnjë e me shume hapësira private e njeriut, pra një pjesë e rëndësishme e lirisë së tij...

Nuk më duket se duhet të fajsojmë teknologjinë për këtë fenomen. Spiunimi, kërcënimi, shantazhimi, stigmatizimi i njeriut nga njeriu janë fenomene të vjetra sa shoqëria njerëzore që, ndoshta, teknologjia u jep forma të reja më interesante e më të larmishme, por që nuk e kanë burimin e tyre tek rritja e mundësive që krijon teknologjia. Askush nuk mund ta mohojë se kompiuteri e interneti, ashtu sikurse edhe celulari, kanë rritur në mënyrë të jashtzakonshme mundësitë e komunikimit e të regjistrimit të fakteve e dokumenteve. Por fakti që krahas këtyre vemë re se ka mendje të mbrapshta që bëjnë gjithshka për të hyrë në të dhënat e të tjerëve, si psh. të bankave për t’i vjedhur apo që prodhojnë viruse për të shkatërruar të dhënat e të tjerëve apo njerëz që e përdorin celularin si videokamer për të filmuar skena që mund t’i përdorin nesër si mjet shantazhi më duket se janë çështje që duhen trajtuar në tjetër prizëm, në atë të marrëdhënieve shoqërore e të moralit që ekziston në shoqëri, të respektit ndaj ligjit e të privatësisë, po ashtu. Ka një problem, do të thoja, lidhur me teknologjinë: në një vend ku teknologjia ka hyrë pa ecur në një hap me rritjen e demokracisë, të qytetarisë e të respektit për ligjin e privatësinë e të drejtat e njeriut atëhere ajo, pa dyshim, duke rënë në duar që, si të thuash, nuk e meritojnë mund të përdoret shumë herë më tepër për keq se atje ku ajo ecën krahas ecjes së shoqërisë. “Shkenca pa ndërgjegje nuk është tjetër veçse rrënim i shpirtit” thotë La Roshfuko. E më duket se në këtë aspekt ky është një problem i yni në raport me teknologjinë, por që nuk do të mund të zgjidhej kurrsesi me kufizimin e teknologjisë, por me rritjen e ndërgjegjes së shoqërisë.
Ma merr mendja se ju e keni fjalën për rastin e fundit të një filmimi që i është bërë deputetit Lesi në lokalin e një personi që sot është në burg për krime, i cili person, më anë tjetër, ka qenë mik i afërt i ish kryeministri Nano e është akuzuar nga media se është personi që ka ndihmuar në zhdukjen e provave të vrasjes së ndodhur në Shkallnuer. Ta do mendja që Lesi është futur në grackë për t’u shantazhuar duke patur parasysh se asokohe ai ishte akuzuesi kryesor i kryeministrit për vrasjen e Shkallnuerit. E gjitha kjo histori për mua do trajtuar në aspekte krejtësisht të tjera nga diskursi i teknologjisë. Ajo duhet trajtuar si provë e lidhjes së politikës me krimin deri në nivele shumë të larta, për të mos thënë i simbiozës së tij me krimin dhe është një paralajmërim i madh për shoqërinë. Fakti që krimi nuk ka reaguar më shpesh deri më sot me akte të kësaj nature si kryerja e pastaj publikimi i kësaj videoje, por edhe shumë më të rënda, nuk vjen për shkak se tani është rritur teknologjia, por nga një gjë shumë më e thjeshtë: sepse krimi ka mbretëruar i pashqetësuar në vend, sepse ai ka pasur lidhje dhe mbrojtje nga të katër anët nga politika, por edhe nga prokuroria edhe nga gjyqsori. Kurse po të fillojmë të ndërtojmë shtetin ligjor dhe krahas saj dhe një gazetari të guximshme investigative, çka do të thotë që krimi të fillojë të ndjehet i kërcënuar seriozisht – siç më duket se sapo ka filluar diçka - do të duhet të priten edhe akte të tilla edhe më të rënda. E nuk di se sa jemi të përgatitur si shoqëri për këtë gjë.

Ne librin e tij, “Fundi i pasionit politik”, filozofi spanjoll Jozef Ramoneda paralajmëron zhdukjen e politikes, dhe rritjen e pushtetit te biznesit dhe teknokrateve. A mendoni se e njëjta gjë ndodh dhe në Shqiperi, dhe sa vend për zgjidhje politike ose ideologjike lenë shoqeri ne rrethana si tonat...

Librin nuk e kam lexuar, por, nga sa e kam lexuar Ramonedan, kam përshtypjen se ai e ka paralajmëruar këtë si një rrezik i mundshëm që duhet evituar. Dhe, sipas meje, është vërtet një rrezik, por, nga ana tjetër, nuk më duket se do të mund të bëhet realitet. Madje, mendoj, çështja nuk do shtruar nëse do të ndodhë apo jo, por se duhet punuar që të ndodhë e kundërta. Me të kundërtën kuptoj rritjen e pasionit politik si rritje edhe e demokracisë, dmth gjetjen e mënyrave të rritjes së pasionit politik tek njerëzit në mënyrë të tillë që ata të jenë gjithnjë e më shumë e më të shumtë në marrjen e vendimeve për fatet e tyre.
Në fakt, me rënien e komunizmit ka pasur një iluzion sikur më në fund bota skartoi një model të gabuar dhe i mbeti modeli perfekt i sistemit ekonomiko politik perëndimor. Mirëpo, sipas meje, pikërisht rënia e komunizmit dhe mbetja vetëm e këtij modeli me kalimin e viteve të para triumfaliste ka nxjerrë në pah shumë më tepër difektet e sistemit të ekonomisë së tregut e të pluralizmit partiak. Dhe mendjet e ndritura kudo në botë nuk kanë reshtur së analizuari situatat e reja të krijuara dhe së kërkuari ndryshime më të moderuara apo më radikale. Psh. vazhdon debati i madh lidhur me ekonominë e tregut të lirë e globalizimin që ka prodhuar një polarizm të tillë sa 200 të pasur kanë pasuri sa 2 miliard vetë në botë e nuk kanë rreshtur përpjekjet dhe eksperimentet për të gjetur mënyra alternative të organizimit të ekonomisë. Kurse lidhur me pluralizmin partiak gjithnjë e më shumë është vënë në dukje rënia në partitokraci e nevoja për të futur në politikë edhe lëvizjet qytetare. Së fundi është konstatuar fort pushtimi flagrant i drejtpërdrejt i politikës nga bizneset e fuqishme siç flitet psh. për rastin e Bushit e Çenejt që i akuzojnë si instrumente të kompanive të fuqishme të naftës e se lufta në Irak është bërë për ato interesa. E këtu rrahja e ideve midis të majtëve dhe të djathtëve mbetet një nga instrumentet krysore të zhvillimit të mendimit dhe praktikave politike.
Problemi i Shqipërisë, në këtë kontekst, është se ne pjesërisht për shkak se na u desh të fillojmë të montojmë modelin kaptalist duke e marrë fjalë për falë, e pjesërisht sepse edhe kulturalisht na mungon fryma kritike, përkundrazi dominohemi nga prirja infantile për idhujtari, kemi mbetur në adhurimin e atij modeli dhe nuk kemi zhvilluar, apo qoftë edhe marrë të gatshëm nga perëndimorët, mendimin kritik ndaj sistemit të tyre. Madje madje, përkundrazi, e kemi thjeshtëzuar dhe banalizuar atë ashtu sikurse thjeshtëzuam dhe banalizuam në ekstrem edhe marksizmin. Kjo ka çuar në reduktimin e konceptimit të politikës sikur ajo të jetë thjeshtë një menaxhuese e interesave të bizneseve të vendit: që e gjej të shprehur në mënyrën më eksplicite në një deklaratë të një ish ministri socialist që deklaronte se shteti është bërë partner me biznesin ndërkohë që shteti, përkundrazi, sipas një kuptimi liberal është arbitër midis palëve, midis kapitalit dhe punëtorëve psh, kurse në një kuptim më të majtë është një rregullues i shpërndarjes në mënyrë që të zbutë problemet sociale që krijon tregu i lirë. Jo vetëm kaq, por këtë konceptim e kemi banalizuar e instrumentalizuar deri në atë pikë sa politikanët dhe biznesmenët janë bërë shpesh i njëjti person. Edhe ky konceptim kaq thjeshtëzues e reduktues çon pastaj në reduktimin e politikës në punë menaxherësh biznesi personal. Një ekonomist i famshëm amerikan këshilltar i presidentit Kenedi tallej shumë me idenë e krahasimit të shtetit me një ndërmarrje të madhe (shprehje që e përdor shpesh edhe Berluskoni në Itali) dhe i thoshte këtij: po të ishte kështu atëhere president i SHBA duhet të ishte yt atë.

Si e keni përcjellur kampionatin e futbollit botëror, për kë keni bërë tifo, dhe çfarë ndryshimesh vini re nga koha në kohë, për mënyren se si ndiqet një manifest i tillë kaq masiv...

E kam ndjekur kampionatin thuajse në të gjitha ndeshjet, por në një mënyrë shumë më të ndryshme nga mënyra se si e kam ndjekur vite e vite më parë, dmth qysh nga 1966 kur kam parë për herë të parë një kampionat botëror. Një nga ndryshimet kryesore që ve re tek vetja është mënyra e të bërit tifo ose më saktë ndryshimi i kulturës së tifozllëkut. Në moshën e rinisë tifollzllëkun e përjetoja si besnikëri ndaj një skuadre me të cilën si të thuash identifikohesha, dashurohesha dhe kjo duhej të ishte ajo më e forta e po të humbte ajo sikur e humbte kuptimin edhe ndjekja më pas e kampionatit. Kujtoj se në ato kohë ka pasur një periudhë kur futboli atletik anglez dhe gjerman dhe pastaj ai total hollandez sikur mbizotëruan mbi futbollin latinoamerikan si dhe futbollin italian dhe spanjoll. Në atë kohë unë jam bërë tifoz me Gjermaninë ndërkohë që shumë të tjerë u bënë tifozë të Hollandës apo të Anglisë. Ka ndikuar shumë për këtë kampionati i 1974-ës. Në atë kohë çfarëdo loje të bënte skuandra gjermane do të isha me të. Dhe ishte një skuadër që nuk të zhgënjente sepse fitoi edhe kampionatin evropian të 1980 edhe qe shumë e fortë në 1982 dhe thuajse gjithmonë në këto kompeticione të mëdha shkonte në gjysëmfinale apo finale.
Mirëpo sa më shumë ka kaluar koha aq më shumë jam shkëputur nga kjo kulturë tifozllëku. Me kalimin e viteve fillova të çmoj gjithnjë e më shumë spektaklin dhe artin në futboll që, tek e fundit, është thelbi i futbollit e jo ajo se kush fiton e kush humbet, se kush del i pari kush i dyti. Brazili i 1982 ishte një skuadër e jashtzakonshme që ta impononte këtë diferencë. Kurse Maradona i 1986 ishte një pikë përfundimtare kthese për mua kur tifozllëku im u nda më dysh: më një anë skuadra e dashur e rinisë Gjermania dhe më anën tjetër futbolli i madh i Maradonës së Argjentinë. Që prej asaj periudhe tifoja ime ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Sot ndjek ato skuandra ose lojtarë që më japin kënaqësi me lojën e tyre dhe po qe se një skuadër nuk ma jep këtë kënaqësi mund të divorcoj kollaj me të për të bërë tifo për një tjetër, sigurisht jo me pasionin e zjarrtë të rinisë, por me kënaqësinë e gëzimin që më japin lojtarët e talentuar që bëjnë gjëra të bukura në fushë. E duke qenë se skuadrat që ma japin më shumë këtë kënaqëzi të fotbollit si spektakël dhe si art janë skuadra si Brazili dhe Argjentina gjithnjë e më shumë kam pasur simpati për to sepse kam dashur t’i shoh gjithnjë e më gjatë. Në këtë kampionat isha me Argjentinën. Pastaj kalova tek Brazili me shpresë se do të rritej spektakli i tyre nga loja në lojë, por më zhgënjeu dhe më vjen keq që më zhgënjeu me lojën dhe jo që nuk fitoi. E në këtë aspekt sipas meje ky kampionat nuk na dha ndonjë skuadër të madhe nga ato që mbeten në histori.
Por njëkohësisht tifozllëku im është pasuruar edhe me ndonjë element tjetër. Nëse Brazilin apo Argjentinë i kam ndjekur me dashurinë për futbolin e bukur, më pëlqen të bëj tifo edhe për skuadrat e Afrikës kur shoh rritjen e tyre. Kjo është një tifo jashtë futbollistike që dikush mund të ma shohë si komponente të majtë në tifozllëkun tim e nuk e mohoj se në këtë lloj tifoje ka edhe ndjenja antiraciste e simpatie e mbështetjeje për më të dobëtit që rriten, ndër të cilët, nuk duhet ta harrojmë, bëjmë pjesë edhe ne vetë.
Vë re se tek një masë e gjerë tek ne ende mbizotëron ajo kulturë tifozllëku që kam jetuar edhe unë në rinënë time. Ajo e të bërit me një skuadër të njhur e të fortë paçka se si luan, e të bërit me një skuadër sepse fiton e jo pse luan bukur, apo edhe pse është evropiane (dikush e shoqëron edhe me ndjenja raciste duke të thënë “po pse me kë do të bëhem me ata bythzinjtë”) e që në fjakt nuk kanë lidhje me futbollin si lojë, art dhe spektakël. Kam përshtypjen se është përhapur shumë më tepër nga ç’ka qenë më parë edhe tifozllëku i diktuar nga bastet, i cili edhe ai nuk ka të bëjë me futbollin si lojë art dhe si spektakël.
Tek e fundit çështja e kulturës së tifozllëkut më duket se ka të bëjë me atë se çfarë të shkakton emocione në një lojë futbolli. Dmth pse ti qëndron përballë ekranit për 90 minuta duke ndjekur një ndeshje futbolli? Sipas meje të qëndrosh përpara ekranit për të shijuar emocionet që të jep loja në vetvete, madje e të dyja skuadrave, e jo emocionet që të jep identifikimi me një skuadër apo bastet që ke vënë për një skuadër do të thotë të kesh kultivuar në një nivel më të lartë shijet për futbollin. (Rubrika Përpjekja, Standart, 8 korrik 2006)

Wednesday, July 5, 2006

Mos me pyet per milionin e pare

Nje nga opinionet qe me ka zhgenjyer me shume ne debatin mbi elitat eshte ai i kolegut Artan Fuga ne faqet e rubrikes Ide & Debate te “Standard”. U befasova kur opinionin e tij mbi eliten tone ekonomike e gjeta t’i beje rezonance nje ideje qe sa me shume e degjoj aq me shume e percmoj, pasi ne nje fare menyre eshte bere “ideollogjia sunduese” ne vend duke qene, ne fakt, nje surrogat ideollogjik nga me banalet. E kam fjalen per idene sipas se ciles ne nuk kemi pse merzitemi se gjendja jone eshte kjo qe eshte persa i perket ekonomise kriminale, sepse keshtu ka filluar gjithandej me grabitje e me vrasje, se keshtu eshte bere edhe Amerika etj.. Sigurisht Fuga e thote ne nje menyre shume me elegante, por thelbi ky eshte: “Elitat ekonomike shqiptare jane ato qe jane dhe nuk mund te ishte ndryshe”. Po pse nuk mund te ishte ndryshe? Fuga nuk e thote nese per shkaqe specifike shqiptare apo per nje ligj universal, por duket sikur anon nga e dyta, kur, pasi therret ne ndihme edhe Nicen, shton: “Perparon me shpejt drejt pasurise, ai qe eshte me i shkathet, qe di si te mos jete i drejte me te tjeret, me agresivi, me aventurieri, me i guximshmi, ai qe merr edhe guximin e jetes ne sy, ndoshta edhe me ciniku.” Kurse ata qe nuk kane keto karakteristika, sipas Fuges, edhe ne qofshin te ditur e te mencur e te drejte e intelektuale nuk mund te ngrihen kurrsesi me lart se ne rolin e sherbetoreve te ketyre: “mendja e tij (e intelektualit F.L) ka vlere jo se eshte flori ne vetvete, por sepse ndihmon kapitalin qe te beje flori.”

Kuptohet nuk e prisja nga Fuga nje gjykim te tille, per shume arsye. Me se pari per respektin qe kam per dijet e tij. Me se dyti, sepse kjo ide vec tjerash mbeshtet nje kuptim jashtezakonisht te tjetersuar te jetes se njeriut qe ekziston vertet ne boten kapitaliste, por ajo bote ka investuar shume per ta korrektuar (e ai si filozof kam pershtypjen se e di mire se c’eshte tjetersimi). E kam fjalen per ate kuptim jete sipas te cilit ai qe e quajme kapitalisti shnderrohet thjeshte ne nje makine qe prodhon para, ai qe quhet intelektuali reduktohet ne trurin e kesaj makine, kurse pjesa tjeter e shoqerise jane qenie qe hyjne ne ingranazhet e ne rrotat e kesaj makine, sic hynte Carli Caplin ne filmin “Kohet Moderne”. Kurse, ne fakt, njerezit para se te jene kapitaliste, punetore, te papune, intelektuale jane qytetare me te drejta themelore te barabarta e me marredhenie te rregulluara me ligje e me te drejtesi e me bote shpirterore e me besime fetare etj., etj. e parane e vene shume me teper ne sherbim te jetes sesa jeten ne sherbim te parase. Se treti, cka eshte edhe me kryesorja, nuk mund ta pranoj idene e Fuges per shkak te rezonances qe i ben formes me surrogate qe ka marre kjo ideologjia e “mos pyet per milionin e pare” ne Shqiperi. Sepse ajo cka ka ndodhur tek ne eshte bash nje ekstrapolim i idese se te dish si te mos jesh i drejte, te jesh agresiv ndaj te tjereve, cinik e aventurier do te thote te jesh i suksesshem e i nderuar e po synohet te behen te gjithe te tille. Merret me mend se ku do te shkonte bota sikur askush te mos edukohej qe te ishte i drejte, paqesor, i ditur, por te kunderten e ketyre, e te kerkonte qe te mos e pyesnin per milionin e pare. Jemi ne, me duket, qe po bejme kete eksperiment ashtu sic eksperimentuam dje shtetin e vetem socialist e ateis ne bote, duke e revolucionarizur idene “mos me pyet per milionin e pare” e duke kerkuar qe te mos pyetemi, as per te dytin, as per te pestin e as per te pesembedhjetin e as fare.

Megjithate nuk po dua te hyj ne diskutime te gjata mbi kete teme qe e kam trajtuar edhe here tjeter, as te permend perseri Biblen e te them se te pakten qe ne kohet kur eshte shkruar ajo, problemi i raportit te fese, besimit, vlerave, morale e intelektuale me parane dhe pasaniket nuk ka qene i reduktuar aq banalisht, as te permend mesimet e Krishtit e Muhametit, apo te sjell ne kujtese shen Franceskun qe e la pasurine per t’u sherbyer disa vlerave te tjera. E as te rikujtoj se mbledhja e taksave per te ngritur vepra publike e ka nismen e vet tek pasaniket holandeze qe u vetetaksuan, sepse nuk ishin “injorante ne kuptimin e mire te fjales”, sic thote Fuga se duhet te jene pasaniket e sotem. As te permend kohet moderne kur pasanike te tille si Soros apo Bill Gate, mu pse e kane kuptuar se nuk mjafton paraja, sa me shume jane pjekur, aq me shume ia kane dedikuar jeten e parane e tyre jo prodhimit te floririt, por konsumimit te tij per krijim vlerash te tjera.

Ne kete shkrim dua te sjell thjesht nje informacion te thate, shume me konkret. Informacioni ka te beje pikerisht me ate lloj ekonomie qe eshte ngritur te ne nga “me te shkathetit”, nga ata “qe dine si te mos jene te drejte me te tjeret”, nga “me agresivet”, “me aventurieret”, “me te guximshmit”, qe kane marre edhe “guximin e jetes ne sy” e qe nuk do shume mund t’ua gjesh shembelltyren te trafikantet e shumte qe kane guxuar deri te hedhin njerezit ne det, tek grabitesit e prones publike qe kane ditur me mire se kushdo te jene te padrejte me te tjeret, te shkaterruesit e pyjeve e te bregdetit e me radhe e me radhe tek sivellezerit e tyre aventuriere. Informacioni qe dua te sjell shtjellon nje (vetem nje) prej te keqijave qe na ka shkaktuar ne kjo elite ekonomike dhe ekonomia informale qe ajo ka ngritur. Ishte dicka qe nuk e dija dhe besoj se si une ka edhe shume te tjere qe nuk e dine. Ate ma dha nje ekonomist serioz nga ata profesioniste/intelektuale qe e kam te veshtire ta fus ne kategorizimin qe ben Fuga, sepse ai nuk punon per te pasuruar kapitalistet, por per te mbrojtur interesat e konsumatoreve, dmth te atyre qe punojne sa per te pasur nje rroge dhe per te ushqyer e shkolluar me ta femijet. Pra, nuk po shkruaj ketu me poshte si nje moralist i tepruar, sic do te me akuzonte ndonje, por me gjuhen e thate te nje ekonomisti qe numeron parate qe hyjne dhe dalin ne vend.

E pra, ne gjuhen e ekonomistit ne fjale ajo lloj ekonomie, qe ne gazetaret e quajme rendom, “e zeze” apo “informale”, perkufizohet mes tjerash duke perdorur edhe nje koeficient qe quhet “koeficienti i rrezikut te investimit”. Cfare eshte koeficienti i rrezikut te investimit te nje vendi? Ky eshte ai qe percakton se sa duhet ta kete fitimin nje investitor qe te ndermarre iniciativen te investoje ne ate vend. Sipas ekonomistit, nese kerkon te investosh ne bonot e thesarit amerikan, rreziku i investimit ne kete rast eshte zero ose, me sakte, praktikisht zero sepse nuk mendohet te ndodhe qe shteti amerikan te mund te falimentoje. E ne kete rast fitimin qe do te kesh nga ky investim do ta kesh te vogel. Kurse, sa me i madh rreziku, aq me i larte duhet te jete fitimi qe dikush te marre guximin te hyje ne nje vend te investoje. Sipas tij, ne vitin 2005 Bullgaria e kishte koeficientit e rrezikut te investimit 3. Kurse Shqiperia a e dini se sa e ka? E ka 10. Pra, sipas tij, duke qene se ne kemi nje ekonomi qe ngrihet mbi parate e pasigurta te droges dhe prostitucionit dhe te emigranteve e duke qene se bankat tona japin kredi duke pranuar si prona apartamente qe nuk jane as te hipotekuara etj. etj. atehere nje nga te keqijat e kesaj ekonomie eshte rritja e koeficientit te rrezikut te investimit. Cfare do te thote kjo, me tej? Edhe nje here: kjo do te thote qe nje investitor i huaj qe vjen ne Shqiperi, duke patur parasysh koeficientin e rrezikut te investimit do te kerkoje te fitoje mese tre here me shume sesa ne Bullgari qe te vije. Perndryshe ai nuk ka pse vjen. (Nuk po flas ketu per nje te keqe tjeter te madhe te koeficientit te rrezikut qe eshte ajo e moshyrjes fare te investitoreve ne keto zona te pasigurta e as se duhet te llogaritet edhe se Shqiperia eshte nje vend i vogel, cka sipas ekonomistit, e ngre edhe me shume kerkesen e fitimit). Dhe cfare do te thote kjo rritje e kerkeses se fitimit? Kjo do te thote qe konsumatori shqiptar duhet te paguaje per kete investitor tre here me shume sesa ne Bullgari. (Eshte e veshtire nese aplikojme teorine e epersise se me agresivit, me te padrejtit me injorantit, me cinikut te kuptojme kete epersi te bullgareve ndaj nesh, sepse duhet te hamendesojme se elita ekonomike bullgare eshte tre here me agresive, me injorante, me e padrejte se e jona. Sipas meje eshte me e kuptueshme, nese aplikojme teorine se komunizmi bullgar ishte tre here me pak deformues sesa ai i joni).

Kur e pyeta ekonomistin: po gjermanet qe kane marre psh. me koncesion aeroportin e Rinasit, me kete koeficient kane hyre? Pa dyshim qe ‘po’, me tha. Kur e pyeta per tarifat e larta te AMC dhe Vodafon, me tha se ne ato tarifa ka rolin e vet edhe ky koeficient. E di se ndonje ekonomist mund te sjelle si kunderargument krahun e lire te punes. Por po te bashkojme krahun e lire te punes me ate qe thashe me siper lidhur me fitimin jashtezakonisht te larte te kapitalistit ne Shqiperi per shkak te koeficientit 10, dalim tek ai polarizim i skajshem qe ka Shqiperia dhe problemet afatshkurtra e afatgjata qe ai bart me vete. Por kjo eshte nje teme tjeter qe besoj se mund ta trajtojne me mire ekonomistet. Une shpresoj qe ky informacion te kete qene sadopak i dobishem per te kthjelluar tere ata qe reklamojne teorine “mos me pyet per milionin e pare”. (Korrieri, 04 Korrik 2006)

Sunday, July 2, 2006

Berisha i ngërthyer në disa kontradikta dramatike

Eshtë hapur një debat për nevojën e ndryshimit të elitave gjithë duke parë se shpesh aristokratët e sotëm janë ca aventurierë shpesh me pasuri dhe begraund kulturor të dyshimtë. Si mendoni se mund të ndodhë kjo. Krijimi i elitave a është në fund të fundit një proces që vjen natyrshëm në një shoqëri të hapur ku sundon ekonomia e tregut...

Do te ishte për mua lajm i mirë sikur vërtet të konsiderohet i hapur debati, pasi ishte shkrimi im “Mbi nevojën e ndërrimit të elitës” ai që e nisi. Por edhe sikur të jetë kështu më duhet të them se nuk mendoj se çështja që kam ngritur mund të shterrohet thjeshtë duke u hapur e mbyllur një debat ose, më mirë të them, nuk mund të reduktohet në një debat. Debati mund të shërbejë thjeshtë si “mbjellës” i ideve dhe ngacmimeve tek një pjese njerëzish ose edhe si ndërtues paradigmash të reja mbi të cilat do të mund të ndërtohej diçka e re.
Pyetja që shtroni më fton tu shtoj diçka atyre që kam thënë në dy shkrimet për këtë çështje pikërisht lidhur me atë që e kam lënë disi pa përgjigje: mënyrën se si do të mund të ndërrohej elita sepse ju thoni se në një shoqëri të hapur ku sundon ekonomia e tregut ndërrimi presupozohet të jetë një proces që vjen natyrshëm. Por çfarë duhet të kuptojmë me “natyrshëm”? Pas shumë gjasash ju nënkuptoni një ndrrim që nuk vjen me revolucion, por me evolucion ose me emancipim sikurse do të thoshte Spinoza, e në këtë rast duhet të shtrohej çështja nëse ka kuptim të flitet për revolucion në një demokraci. Sepse kam frikë se një nga argumentet kundra idesë sime – ngase kam përdorur edhe termin “përmbysje e elitës” - mund të ishte pikërisht evokimi i frikës së revolucionit duke evokouar trazirat e më the të thashë. Kurse në të vërtetë çështjen e mënyrës së ndrrimit të elitës unë e le të hapur, por ama gjithë duke mos harruar se ky sistem që kemi ndërtuar nuk meriton të quhet demokraci.
Ndërkaq nuk do të ngurroja ta quaja edhe revolucion atë që mendoj se duhet të ndodhë, por pikërisht në kuptimin e ndërrimit të elitës e jo domosdoshmërisht në kuptimin e përmbysjes së dhunshme të elitës apo të sistemit, paçka se nga ana tjetër mendoj, si Habermasi, se e drejta e mosbindjes duhet të jetë një e drejtë kushtetuese ngase askush nuk i lëshon kollaj privilegjet që ka fituar. Termi “revolucion” ka marrë një konotacion aq negativ për shkak të komunizmit saqë është mistifikuar e nuk guxon as ta përdorësh, ashtu sikurse shumë nuk guxojnë as të mendojnë se mund të jenë të majtë. Sipas meje ka ardhur koha t’i normalizojmë disa terma me çka kuptoj t’i zhveshim nga përmbajtja e tyre emocionale e lokale dhe tu japim atë racionale e universale e njëherësh t’i kontekstualizojmë. Çështja e revolucionit si mjet i dobishëm ndryshimi social, politik e kulturor apo kundërproduktiv është një debat i hapur sot e kësaj dite që ka i ka rrënjët e tij më një anë në idetë e Hobsit që kalimin nga gjendja natyrore në gjendjen e shtetit e quan revolucion e më anën tjetër të Spinozës që këtë e quan kontinuitet. Nuk është këtu hapësira për të hyrë në trajtime filozofike, por unë po ju kujtoj se në histori termi “revolucion” është përdorur në shumë kuptime pozitive dhe negative që vetëm konteksti mund t’i qartësojë sipas rasteve. Më i famshmi është revolucioni francez i cili si të thush i ka të dy kuptimet: edhe shndrrrimin e madh pozitiv që solli edhe ndryshim elite, pasi borgjezia e fuqizuar ekonomikisht i morri edhe pushtetin politik aristokracisë. (Kanti e konsideron këtë punë të iluminstëve që solli kalimin nga gjendja e tutelës në gjendjen e lirisë.) Por ai ka pasur edhe fytyrën e tij të zezë që quhet mbretëria e terrorit. Ka edhe nga ata që thonë se është shumë herët 200 vjet për ta gjykuar se çfarë ka qenë.
Ndërkaq historia tregon se revolucionet duke krijuar pushtete të reja dhe elita të reja krijojnë edhe premisa të reja për abuzime të reja me pushtetin që bëjnë edhe që të tradhtohen idealet e fillimit. Ka treguar edhe se përmbysjet e eltave vijnë edhe për keq. Ai i Tetorit është më i mirënjohuri. Për kohët tona po sjell një shembull: talebanët erdhën në pushtet në Afganistan pasi ata të quajtur “zotërit e luftës” që bënë luftën për çlirimin e Afganistanit u korruptuan jashtë mase.
Pra historia na ka dhënë gjithfarë modelesh edhe teoricienët e revolucioneve ofrojnë po ashtu modele të ndryshme. Sipas mendimin tim revolucionet më të sukseshme janë ata që vijnë kur më një anë ka një kalbëzim të elitaved të vjetra, por, nga ana tjetër, kur ka edhe një fermentim idesh të reja tek një brezi i ri e jo vetëm kaq, por edhe interesash të reja të një shtrese që është krijuar e ndërgjegjsuar tashmë. Dikush mund të thotë se në demokraci ky është një proces i vazhdueshëm që sigurohet nëpërmjet rotacionit të pushteteve. Por edhe në një demokraci ka momente kur akumulimi i problemeve më një anë dhe fermentimi i ideve alternative më anën tjetër krijojnë shpërthimin. Termi revolucion përdoret psh. edhe për revolucionin e 68 tës, pra në shoqëri ku kishte ekonomi tregu e relativisht shumë demokratike dhe qe nuk solli përmbysjen e sistemit. Edhe ai krijoi paradigma të reja veçanërisht të së majtës e solli jo vetëm shumë ide, por edhe krijimin e një elite të re, shumë të ndryshme nga etërit që ishin shumë më tepër konservatorë autoritarë e ndrydhës të lirive jo vetëm seksuale. Duke par atë mund të thuash se paradoksalisht elitat ndërrohen apo përmbysen duke i hapur rrugën përparimit atje ku paraardhësit kanë punuar më mirë, kurse atje ku paraardhsit kanë punuar keq ato përsëri mund të përmbysen por mbeten shumë probleme.
Lidhur me realitetin tonë mendimi im është se jemi në fazën e dekompozimit të rëndë të kësaj elite që pasi u konvertua nga komuniste në antikomuniste mori përsipër të udhëheqë tranzicionin duke vazhduar në fakt të udhëheqë interesat e veta në një mënyrë që erdhi duke degraduar. Kam shprehur rezerva për atë se si mund të lindë një elitë me tjetër frymëzim e sistem vlerash. Por nuk mendoj se kjo mund të ishte pengesë për të hedhur idenë ashtu siç hedh një grusht farash në një tokë me shpresën se ndonjëra do të mbijë. Dhe këtë grush farash e shoh në vazhdën e shumçkaje kam shkruar më parë: kur sistemin tonë e kam quajtur regjim mediatik; kur elitën e kam quajtur kastë, kur kam ngulmuar për krijimin identitetve të partive dhe të shtresave sociale ekonomike dhe jo për mbajtjen e shoqërisë në kaos, kundër kulturës së manipulim simulimit etj.. Në fakt që të ndodhë ajo ngjarje që mund ta quajmë edhe revolucion duhet të bashkohen disa elementë ku të domosdoshëm janë: së pari një krizë (që ne e kemi), së dyti një shtresë e caktuar shoqërore që nuk e duron më këtë krizë, (që ne e kemi dhe s’e kemi ende), së treti një organizim politik i kësaj shtresë dhe një elitë që merr përsipër drejtimin e kësaj shtrese (që ne nuk e kemi ende) shoqëruar me ide alternative ndaj asaj që kemi bërë keq (që ne i kemi, por nuk duam t’i aplikojmë). Ju do të thoni po partitë politike që kemi sot ç’duhen atëhere? E përsëris nuk mund të jap rrugzgjidhje të padiskutueshme, ndonëse nuk e përjashtoj idenë e krijimit të një partie të re (kam shkruar shpesh për një të majtë të re), por ajo që kërkoj në thelb është diçka më shumë që do të mund të quhej një lëvizje transversale që do t’i përshkonte dhe trondiste të gjitha partitë e institucionet, kuptohet, pa përmbysur disa themele bazë të sistemit demokratik të vendosur më 1992. Sepse atë që duhet ndryshuar e shoh jo vetëm në nivelin politik, por edhe shoqëror e kulturor. Dhe kur flas për ndërrim elitash nuk e kam fjalën vetëm për ndryshimin e klasës politike, por për një ndryshim të tërë social kulturor e të sistemit të vlerave morale e intelektuale. Dhe jam habitur kur kam marrë telefona nga disa njerëz që më kanë thënë se numri i atyre që mendojnë ashtu si unë është shumë shumë i madh, paçka se nuk kanë se ku shprehen.

Kanë kaluar 9 muaj qysh se Berisha ka nisur të qeverisë. Si është në perceptimin tuaj kjo periudhë, çfarë ju ka mbetur në mendje nga punët e këtij ekzekutivi. Nga ana tjetër, vlerësimi juaj për Kryeministrin Berisha, a është ai determinant për gjithçka ndodh në qeverisje, dhe çfarë do të vlerësonit ju në këtë aspekt si pozitive apo si negative?

Po e ndjek me vëmendje të madhe çdo hap që hedh qeveria dhe mazhoranca në tërësi, por edhe me shqetësim të madh sepse bëj pjesë ndër ata që kanë mbështetur riardhjen e kësaj mazhorance në pushtet dhe ka qenë një bast jo i lehtë për mua. Dhe mund të them se deri tani nuk kam ndryshuar mendje, por ende nuk kam krijuar besimin e plotë se nuk kam gabuar.
Preferoj ta përqendroj përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje mu tek Berisha. Tek ai unë shoh të ngërthyera disa kontradikta që janë kontradiktat e kësaj faze që po kalojmë. Më së pari, ajo që shoh është se perceptimi jo vetëm i imi, por edhe i shumëve që duan që ky vend të ndryshojë për mirë dhe vazhdojnë të shpresojnë për këtë është se shumçka në këto shpresa janë përqendruar mu tek një njeri i vetëm, Berisha. Gati, gati nganjëherë shoh se njerëzit perceptojnë sikur vetëm Berisha është i miri atje, kurse gjithë të tjerët janë të paktën të dyshimtë. Nuk di të them saktë se kush ka punuar për krijimin e këtij perceptimi. Besoj se më së pari vetë Berisha i cili ka qenë protagonit i padiskutueshëm i PD dhe i rikthimit të saj në pushtet, ka pasur shumë herë më tepër forcë dhe kurajo për të akuzuar direkt korrusionin dhe të korruptuarit gjatë opozitës dhe shumë nga aksionet që kryen sot kundër krimit të organizuar pa dyshim kanë brenda vendosmërinë e tij. Shkurt është bërë simboli dhe lideri i padiskutueshëm i PD-së. Përshtypja ime është se ai e di mirë këtë dhe di edhe përgjegjësinë e madhe që do të thotë kjo për të. Mirëpo, ndërkaq, ky përqëndrimi i pushteti në duart e tij – çka është edhe pjesë e karakterit të tij - sipas meje ka krijuar edhe një problem jo të vogël. Punët që ka marrë përsipër të bëjë nuk bëhen dot vetëm. Ai duhet të delegojë pushtet me besim, por a ka qenë i aftë për të punuar për të krijuar një ekip të tillë? Duket sikur, përkundrazi, ka punuar vetëm për figurën e vet dhe ja se si kjo të kthehet kundra. Kam përshtypjen se rrotull nuk ka njerëz që e kanë të lehtë t’i thonë se këtu apo atje ai e ka gabim.
Një kontradiktë tjetër në të ciln e shoh të ngërthyer Berishën, edhe ajo dramatike, buron nga fakti se ai ka bërë disa premtime shumë serioze për të luftuar sistemin e korrupsionit e krimin e organizuar. Unë besoj se përkushtimi i tij për mbajtjen e këtyre premtimeve është serioz, por, nga ana tjetër, shoh se për të realizuar këto premtime i duhet pushteti të cilin Berisha e do dhe si karakter, përveç kësaj. E problemi është se për të mbajtur pushtetin i duhen kompromise me shumë nga ata të cilët ka premtuar se do t’i luftojë jo vetëm si persona, por – çka është edhe më keq – edhe si struktura të ngritura. Cili do të jetë rezultati final i këtyre kompromiseve? Kjo ende nuk dihet, por duke patur parasysh se nga ana tjetër kemi një opozitë që është e gatshme ta hajë të gjallë dhe jo t’i japë dorën, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, atëhere mbetet rreziku që ai, për ta fituar këtë luftë me opozitën të harrojë premtimin që e ka sjellë në pushtet: luftën kundër sistemit të korrupsionit.

Kryetari i Partisë Socialiste ka urdhëruar të zgjedhurit lokalë të PS-së që të bojkotojnë procesin e reformës zgjedhore duke mos bashkëpunuar me Ministrinë e Brendëshme. A duket se kemi të bëjmë me një kapërxim në këtë rast, duke qënë se të zgjedhurit lokalë, paçka se të PS-së, janë funksionarë publikë dhe e kanë të rregulluar punën e tyre me ligje. Ky urdhër, a tingëllon paksa regresiv që të kujton kohën kur partia ishte mbi të gjitha apo është pjesë normale e luftës politike?

Problemi i opozitës ka qenë prej kohësh ay që në një shkrim e kam quajtur “turravrapi për tu rikthyer në pushtet” e në një tjetër “mosdalja ende e pijes së pushtetit”. Urdhërin për të cilin flisni e shoh si vazhdim të turravrapit e të mosdaljes së pijes. Por, në fakt, opozita ka arësye shumë serioze për këtë turravrap. Sepse në të dy variantet edhe nëse Berisha ndërton shtetin ligjor ata e shohin veten të humbur në këtë lojë, sepse shumëçka kanë bërë gjatë këtyre tetë vjetëve do të dalë në dritë e do të ndëshkohet; por edhe në variantin e keq, sikur Berisha të marrë në dorë sistemin e korrupsionit, ata përsëri ngelen keq sepse askush nuk i siguron, veç tjerash, se në këtë rast nuk do të ketë goditje selektive për ta. Prandaj kanë filluar këtë aksion me goditje të përqendruar për ta rrëzuar sa më parë Berishën.
Mendimi im se si duhej të sillej opozita në të mirë të interesave të vendit e të saj afatgjata ka qenë krejt tjetër: që pjesa e shëndoshë e opozitës që deri diku dukej se mund të ishte LSI do të duhej ta përkrahte Berishën në luftën kundër korrupsionit, por duke i imponuar bërjen e kësaj pune drejt, në mënyrë që të triumfonte premtimi i tij për të ndërtuar shtetin ligjor dhe atëhere, afërmendsh, do të ndërtohej edhe një e majtë e shëndoshë që nesër mund të kthehej në pushtet. Por kur them nesër nuk kam parasysh 2007, por fundin e një apo dy legjislaturave. Kurse këta u bashkuan turravrapthi me të korruptuarit e PS pa u mbyllur viti duke provuar se janë të gjithë njëlloj, por edhe duke treguar se sa pak kontakte kanë me realitetin sepse tani po flasin për dalje në rrugë. Por kush beson më, pas tetë vjetëve që ngritën një sistem grabitjeje të shoqërisë, se ata mund të luftojnë për shoqërinë, që të dalë në rrugë? (Rubrika Përpjekja, Standart, 1 korrik 2006)