Kishte disa kilometra që
makina jonë po ndiqte veturën e bardhë Wolsvagen me targën SK, të Shkupit, me
të cilën e dija se udhëtonte gazetarja e njohur Christine fon Kohl. Kur lamë
rrugën nacionale dhe hymë në një rrugë të ngushtë me gropa që të çonte për në
fshatin Gradisht, diku, në një pikë të saj më të gjerë, makina e bardhë ndaloi
dhe nga krahu i shoferit doli një grua me flokë të bardha në të argjentë, të
prera shkurt me një trup shumë të rregullt që për t’u shkrythur nga mpirja e
qëndrimit gjatë në sedilje filloi të bëjë disa lëvizje gjimnastikore duke
ngritur e ulur krahët me frymëmarrje të thellë dhe duke përkulur e rrotulluar
belin.
Kështu e kam parë për
herë të parë Christin von Kohl. Të paktën kështu e kam në kujtese sepse sot,
kur rrekem të kujtoj diçka më të saktë se si e gjetën ata rrugën deri atje, se
si ka mundësi që nuk u takuam më parë gjatë udhëtimit, nuk më del në mendje
asgjë.
* * *
Ishte pranvera e vitit
1991, një kohë kur shumë shqiptarë pushtonin anijet dhe lundronin për në
brigjet e Italisë e kur perëndimorët e parë filluan të bëjnë rrugën e kundërt:
të vijnë në emër të ndihmës, të
njohjes, të politikave, të kërkimit të bizneseve e tregjeve të reja. Unë
sapo isha liruar nga burgu dhe kisha filluar të punoja si Sekretar i Forumit
për të Drejtat e Njeriut që më pas u bë Komiteti Shqiptar i Helsinikit. Atë
ditë isha nisur nga Tirana për në Gradisht, një nga fshatrat e internimit të
familjeve të të persekutuarve nga
diktatura, ku njerëzit vazhdonin të jetoni në një gjendje varfërie ekstreme.
Ishim marrë vesh që rrugës do të takoheshim me një kamion me ndihma të
Caritasit të Vienës që vinte nga Austria nëpërmjet Maqedonisë dhe me një makinë
të marrë me qira në Jugosllavi, me të cilën udhëtonin gazetarja dhe aktivistja
e të drejtave të njeriut Christin von Kohl dhe Marion Feik, e cila punonte për
Caritasin.
Takimi dhe njohja ime me
to u bë në atë pikë të rrugës.
* * *
Në një sallë të madhe të
Gradishtit, që dukej si magazinë, por ku thuhej se shfaqeshin ndonjëherë edhe
filma, u mblodhën të gjithë të
internuarit që banonin ende atje, me fëmijë dhe me pleq. Megjithëse ishte një
ditë me diell atje brenda ishte shumë errët, pasi drita hynte vetëm nga dera që
ishte në krye të sallës e nga disa dritare të vogla lart. Fytyrat e njerëzve
pas rreshtave të parë mezi shquheshin. Fëmijët silleshin vërdallë duke u
shfaqur në dritë e duke u zhdukur prapa në errësirë. Një përfaqësues i të
internuarve prezantoi misionin humanitar për të cilin kishim ardhur dhe pastaj
ia dha fjalën Christinës duke rikujtuar se ajo ishte shumë e njohur në çdo cep
të Shqipërisë për shkak të historisë së arrestimit, disa kohë më parë, nga
policia serbe në Kosovë.
“Ato çka kemi sjellë – u
tha ajo - janë gjëra të vogla, por kanë vlerën se janë shenjë që ne ju
mendojmë.”
Kamioni ishte plot me
kutira kartoni në sejcilën prej të cilave kishte disa kile ushqime bazike si
sheqer, fasule, makarona, qumësht pluhur, çokollata biskota.
* * *
Ato vite të para të pas
komunizmit Christine erdhi shpesh në Shqipëri si gazetare dhe si përfaqësuese e
Federatës së Helsinkit që e kishte zyrën në Vjenë. Si Sekratar i Komiteti
Shqiptar të Helsinkit e kam shoqëruar shpesh aq sa u bëmë miq. Takimi ynë ishte
takimi i dy botëve që kishin shumë kuriozitet për njëri tjetrin. Ishte koha “e
artë” e dashurisë së re midis Perëndimit dhe vendeve ish komuniste si
Shqipëria. Ishte edhe koha e njohjes reciproke gjithashtu. Dhe dashuria e
njohja e ndihmojnë shumë njëra tjetrën edhe pse jo lehtësisht shkojnë dorë për
dore për një kohë të gjatë së bashku. Mua më dukej se e njihja mirë historinë e
së keqes shqiptare, e flisja më së shumti për këtë. Ndërkaq e idealizoja
Perëndimin si vendin e lirisë dhe demokracisë prandaj dëgjoja me vëmendje të
veçantë gjithshka më thoshin “misionarët” që vinin nga ajo botë. Edhe
Christinën e shihja si një të tillë. Bisedat me të janë ndër bisedat e para që
kam bërë me perëndimorët pas një qëndrimi prej 17 vjetësh në burg. Sytë e saj,
njëri i gjelbër tjetri i kafët, ma bënin edhe më të veçantë këtë grua. Nga ana
e saj ajo kërkonte të zbulonte një botë që ishte kaq e ndryshme nga e vetja,
duke qenë kaq afër, me çudinë se si kishim mbijetuar ashtu për afro pesë dekada
të izoluar. Takimi me mua dhe me tim atë që kishim dalë nga burgime të gjata si
dhe me familjen time që gjatë gjithë kësaj kohe kishte jetuar në internim, në
fshatra si Gradishti e prekte shumë dhe dukej se donte të bënte diçka për të na
lehtësuar. Ndërhyri asokohe tek drejtori i Televizionin të Vjenës që im atë,
Todi Lubonja, ish Drejtori i Radiotelevizionit Shqiptar, i shpallur si armik
nga Enver Hoxha, të mund të operonte sytë për shkak se, kishte dalë nga burgu
thuajse i verbuar nga katarakti. Në spitalet e Tiranës asokohe gëlonin
infeksionet. Në librin e tij “Ankthi pa fund i lirisë” im atë ka shkruar me
shumë emocion për ditët pas operacionit kur takoi në Vjenë Christinën duke e
parë atë dhe qytetin, më në fund, me dritën e syve që i ishte kthyer.
* * *
Sekushi ka në jetë
takime me njerëz nga ata të cilët i kanë shenjuar jetën. Zakonisht këta njerëz
kanë autoritetin e më të moshuarit, të atij që ka më shumë përvojë, që është më
i zoti se ty, që është më i njohur. Por nuk mjafton kjo: njerëzit e këtyre
takimeve kanë edhe aftësinë të të krijojnë një ndjenjë ku admirimi, i cili
kërkon një farë distance, mplekset me afërsinë dhe besimin që ata të krijojnë
nëpërmjet modestisë, sinqeritetit, inteligjencës. Christine von Kohl ka qenë
një nga këta njerëz për mua. Kujtimet që kam me të janë nga ata që sikur kanë mbjellje në mendjen time fidane që kanë
zënë rrënjë atje e janë rritur me kalimin e viteve.
Nuk e harroj se si gjatë
njërit prej udhëtimeve të para për një nga qytetet e Shqipërisë, duke parë
pejsazin e bukur e të larmishëm shqiptar, më tha:
“Duhet të keni kujdes të
mos bëni gabimet që kemi bërë ne.”
“Për çfarë gabimesh e ka
fjalën?” - i thashë, si i befasuar, pasi Perëndimi ishte ende për mua ideali i
vendit për t’u imituar, jo për t’u korrigjuar.
“Për shembull, mos e
mbushni vendin me autostrada më tha.”
“Po çfarë të bëjmë?” – e
pyeta unë, që autostradat i shihja si simbol i Perëndimit të zhvilluar.
“Zhvilloni hekurudhat”
mu përgjegj, transportin publik.
Për herë të parë prej saj dëgjova ide që sot janë një nga ndjeshmëritë e
mija më të mëdha: ato kundër çimentifikimit kundër atij që quhet zhvillim në
kurriz të ambjentit të cilësisë së jetës.
Kritikat e Christinës
ndaj Perëndimit në përgjithësi e ndaj politikave të tij në Ballkan në veçanti
kanë qenë kontakti im i parë me kritikën ndaj asaj bote që e kisha idealizuar
në errësirën e “kavernës“ së burgut. Nëse sot, kur analizoj mbrapështirat e
zhvillimeve paskomuniste shqiptare, nuk mjaftohem me gjetjen e shkaqeve të tyre
vetëm tek e kaluara totalitare, por edhe tek shumëçka prej neoliberizmit të
shfrenuar e prej politikave neokoloniale që na solli Perëndimi, e di se
fillimet e këtij mendimi kritik për mua kanë qenë bisedat me Christinën.
Me të gjithë sjelljen e
saj ajo tregonte se nuk vinte në Shqipëri me ndjenjën e superioritetit të
qytetërimit Perëndimor, por me dashurinë për njeriun e për të vërtetën; për t’u
dhënë më të mirën e saj njerëzve që i konsideronte si të barabartë me të.
Kolegu i saj suedez Gerald Nagler, Sekretari i Komitetit të Helsinkit më 1991,
më tregonte asokohe për një takim që kishte pasur me Havelin dy vjet më parë.
Në bisedë e sipër e kishte pyetur: “Më thuaj, çfarë mund të bëjmë ne për ju?”
Haveli i ishte përgjigjur: “më duket se kjo është një pyetje e gabuar pasi
çështja nuk shtrohet: ‘çfarë mund të bëni ju për ne’, por ‘çfarë mund të bëjmë
ne të gjithë për njëri-tjetrin’, pasi jemi në të njëjtën barkë.” Christina
ishte një ndër ata që e rrezatonte me gjithë qënien e mendimet e saj se ndjehej
në të njëjtën barkë.
* * *
Duke vizituar Shqipërinë
Christina po mësonte jo vetëm mbi
të keqen shqiptare të diktaturës por edhe për pasojat e saj në të tashmen. Dhe,
sikurse thashë, shpesh ndodh që njohja dhe dashuria nuk ecin bashkë për një
kohë të gjatë.
Nuk i harroj përpjekjet
e saj për të organizuar në Vjenë, sëbashku me Marion Feikun e Caritas, një
ekspozitë me punë të piktorëve të persekutuar shqiptarë. Ajo synonte të bënte
një gjë sa më përfaqësuese, por e pati shumë të vështirë të gjente
bashkëpunimin e disa prej piktorëve. Atë e tërhoqi shumë historia e një pikture
të socrealizmit, që ia kishte treguar im atë, ku paraqitej një partizan që
kishte në krah shokun e tij të plagosur në një pejsazh dimëror me borë. Kur e
kishin parë cenzorët zyrtarë, përpara se të ekspozohej, e kishin cilësuar të
paekspozueshme pasi shumë pesimiste. Atëhere piktori, për t’i dhënë optimizëm,
kishte shtuar edhe një monopat në horizont ku dukej brigada me flamurin e kuq
në ballë që vinte përdrejt tyre. Por përsëri ajo nuk e kishte kaluar cenzurën.
Shkuam e pamë pikturën në fondin e Galerisë së Arteve. Asaj i pëlqeu dhe mendoi
ta ekspozonte pasi fliste shumë për historinë e artit socrealist në Shqipëri,
por një nga piktorët i tha se do t’i tërhiqte pikturat e tij po të merrej ajo
pikturë pasi autori nuk bënte pjesë në të persekutuarit. Ajo u detyrua të mos e
merrte, ndonëse shkroi për historinë e saj në tekstin e katalogut të
ekspozitës. Një piktor tjetër pretendonte se ekspozita duhet të kishte vetëm me
veprat e tij, përndryshe nuk do t’i sillte të vetat. Një ditë pasi doli e
lodhur nga njëra prej studiove ku kishte dëgjuar të derdhej helm nga një piktor
mbi njërin prej kolegëve të tij, më tha se ky mosbesim i thellë ndaj njëri
tjetrit ishte një nga pasojat më të këqija të diktaturës, që do ta vuanim
shumë. Megjithatë ajo e çoi deri në fund këtë punë. Shumë vepra u ekspozuan.
Midis tyre ishte edhe një punë e piktorit Arben Theodhosi që kishte një histori
të veçantë. Në studion e tij Christinën e tërhoqi një punë që autori e kishte
lënë mënjanë si pa rëndësi. “Po këtë pse e ke lënë këtu?” - e pyeti. “Është e
papërfunduar” - i tha ky dhe i shpjegoi se ishte një prekje që kishte bërë mbi
njërën nga radiografitë e mushkërive të tij të bërë, për kontroll nga silikoza,
kur kishte punuar në minierë si i internuar. Mbi hijet e zbardhura të kockave
të toraksit ai kishte theksuar me akrilik në monokrom kryqin që formon shtylla
kurrizore me klavikulat. “A mund ta ble unë kështu siç është?”. ”Ta dhuroj me
kënaqësi.” - i tha Beni.
Christina e mori dhe, kur u hap
ekspozita, pamë se e kishte ekspozuar edhe këtë punë sëbashku me historinë e
saj. Më pas e kam parë shepsh këtë punë në një nga muret e shtëpisë së
Christinës.
* * *
Gjithnjë kam menduar se
takimi me Presidentin e parë antikomunist Sali Berisha në verën e vitit 1992
ishte një pikë kthese në raportet e Christinës me Shqipërinë, që, sipas meje,
ndikoi në ftohjen e saj me shqiptarët, ndonëse ajo s’foli kurrë për një ftohje
të tillë.
Sapo u bë President, pas
zgjedhjeve të marsit 1992, Berisha filloi luftën ndaj kundërshtarëve dhe
pastrimin e rivalëve me metodat e atyre që asokohe u quajtën më të këqijtë e
komunistëve: komunistët e kthyer në antikomunistë. Një numër intelektualësh me
rëndësi ishin përjashtuar apo larguar nga Partia Demokratike e sapokrijuar, një numër gazetarësh kishin dhënë
dorëheqjen nga gazeta e parë
antikomuniste Rilindja Demokratike. Edhe Komiteti ynë, që kishte lindur nga e
njëjta lëvizje opozitare që kishte lindur edhe Partinë Demokratike të Berishës,
por që tashmë i takonte t’i bënte kësaj kritikën, ishte nën presion për t’u
kthyer në “levë të partisë” së Berishës. Christina kishte botuar edhe një
shkrim në Standart ku prekte problemet e reja që po lindnin në Shqipëri.
Një ditë ajo erdhi në
Tiranë sëbashku me Sekretarin e ri të Federatës së Helsinkit, polakun Novicki,
që asokohe kishte zëvendësuar Gerald Naglerin. Pasi folën me shumë njerëz i
kërkuan takim Presidentit për të biseduar mbi problemet e reja të të drejtave
të njeriut që gjetën në Shqipëri. Presidenti na priti një ditë të treve: Christinën, Novickin dhe mua.
I pari e mori fjalën Novicki. Me një gjuhë mjaft
diplomatike, duke iu referuar eksperiencës së vendit të tij dhe Solidarnosit,
ku kishte bërë pjesë, ai i tha Berishës se pas fitores së opozitës demokratike
në fillim ata kishin menduar se tashmë gjithshka ishte në rregull, por shumë shpejt
kishte dalë se çështja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut mbetej një çështje
e rëndësishme edhe në demokraci. Pastaj shpjegoi se si gjatë vizitës dhe
kontakteve të shumta në Shqipëri ai dhe zonja von Kohl kishin krijuar një tablo
të problemeve kryesore që i dilnin Shqipërisë në fushën e të drejtave të
njeriut. Dhe pas kësaj e ftoi Christinën të hynte në detaje.
Mirëpo Presidenti Berisha ndërhyri përpara se ajo të
fillonte të fliste. I tha Novickit se kishte për t’i bërë një pyetje “kësaj
zonje” dhe pastaj vazhdoi t’i fliste atij, jo Christinës, se ai ishte shumë i
mërzitur që “this lady” paskësh shkruar një artikull në Standart në të cilin
thuhej se Shqipëria qënkej në prag të luftës civile, çka - tha ai - nuk është e
vërtetë: populli shqiptar po shkon paqësisht drejt një shoqërie demokratike dhe
një deklaratë e tillë e dëmtonte Shqipërinë sepse trembte investitorët e huaj.
Pastaj - vazhdoi të akuzojë Presidenti - “kjo zonjë”, në të njëjtin artikull,
kishte marrë rolin e avokatit të familjeve të “bllokmenëve” (kështu filluan t’i
quanin asokohe udhëheqësit kryesorë komunistë pasi kishin jetuar në një zonë të
mbyllur të Tiranës që quhej “Blloku”), të cilat janë “criminal families” që
mund të mbrohen në gjyq, por jo nga aktivistët e të drejtave të njeriut.
Presidenti Berisha po
vazhdonte të fliste pa iu drejtuar Christinës personalisht derisa më në fund
ajo e humbi durimin, dhe i tha:
“Zoti President, po
flisni me Christine von Kohl apo për Christine von Kohl? Ju lutem, unë jam
këtu, flisni me mua, jo për mua.”
Berisha e pati shumë të
vështirë ta dëgjonte pa e ndërprerë. Christina e pyeti nëse e kishte vënë re
shenjën e pikëpyetjes në fund të titullit të artikullit të saj: “A do të shkojë
Shqipëria në luftë civile?” Ky rrezik ishte vënë në dukje nga Christina duke
parë konfliktualitetin e fortë që ishte krijuar në Shqipëri për shkak të së
kaluarës, por lidhej edhe me çështjen e bllokmenëve, që ishte bërë problem i
Federatës së Helsinkit pasi disa familje bllokmenësh u kishin dërguar letra
organizmave ndërkombëtare, mes tjerash edhe Federatës, ku ankoheshin për
shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj familjeve të tyre. Christina i referohej
kësaj historie në artikullin e saj për të treguar se mentaliteti patriarkal dhe
ai prej klani kishin rrënjë ende të fuqishme në Shqipëri dhe kjo i bënte
shqiptarët që të projektonin fajet e atit tek i biri apo të identifikonin atin
me birin apo nipin,
Këtë mentalitet po ia
provonte edhe Presidenti ku vazhdimisht përdorte termin “familje kriminale”, aq
sa Christina u detyrua t’i thotë se një nga krimet më të rënda të Enver Hoxhës
ishte pikërisht ai që, për një person, dënonte të gjithë familjen dhe se
shpresonte ta kishte keqkuptuar Presidentin, se nuk besonte që ai të ndiqte të
njëjtat parime me ato të ish-diktatorit.
Takimi u mbyll shumë
keq. Zyra e Shtypit e Presidentit lëshoi pas disa ditësh një njoftim mbi
takimin në të cilin ironizohej sikur presidenti i kishte thënë me ironi zonjës
von Kohl se ajo mund të vinte të bëhej avokate e bllokmenëve në gjyqin e tyre.
Këtë njoftim për shtyp e pasuan disa artikuj në gazetën e partisë së
Presidentit, me sulme të shëmtuara ndaj saj.
Pas pesë vjetësh
qeverisjeje të Berishës, me rënien e piramidave financiare Shqipëria u gjend
vërtet në prag të hunerës së një lufte civile. Berisha akuzoi për këtë
revanshin e klaneve ish komuniste. Artikulli i shkurtër i Christinës po i dilte
profetik. Ai artikull është aktual edhe sot, pas njëzet vjetësh, po të kesh
parasysh se midis dy partive
kryesore, asaj ish komuniste dhe asaj të Berishës vazhdon një konfliktualiteet
që e çon vendin shpesh në zgrip të instabilitetit ndërkohë që në bazë të diferencave të tyre nuk qëndrojnë
programe e vizione të ndryshme për botën, por përkatësi klanore familjesh të
mpleksura me interesa të mëdha ekonomike e financiare.
* * *
Gjatë viteve kontaktet e
Christinës me Shqipërinë u rralluan, por nuk u ndërprenë kurrë. As interesi i
saj për të mësuar dhe për të treguar në revistën “Ballkan” për zhvillimet e
reja. Edhe unë nuk i humba kurrë kontektet me të edhe pse ato u rralluan.
Takoheshim herë pas here kur kaloja në Vjenë ose flisja me të në telefon. Nga
çdo takim e bisedë më duket sikur më ka mbetur diçka në mendje, e pashlyeshme.
Pasi i shoqi i saj Libal
kaloi të nëntëdhjetat dhe filloi të rëndohet me shëndetin më kujtohet se i
telefonova një ditë për ta pyetur se si ishte ai me shëndet. E pyesja me një
shqetësim të dyfishtë pasi nuk më shqitej nga mendja diçka që më kishte thënë
shumë vjet më parë, në kohën e udhëtimeve të saj të shpeshta në Shqipëri, mikja
e jonë e përbashkët Marion Feik: se jeta e Libalit ishte shumë e rëndësishme për të pasi here pas here
ajo kishte shprehur mendimin se me vdekjen e së shoqit ajo mund të humbiste një
motiv të rëndësishëm për të jetuar e mund t’i jepte fund jetës. Gjatë
telefonatës Christina më tha diçka për shëndetin e Libalit, por fraza që më
mbeti në mendje ishte: “nuk është mirë që njeriu të jetojë kaq gjatë”.
Disa muaj pas vdekjes së
Libalit u takuam një ditë në Vjenë. Kishte ardhur e ftuar për të ndjekur
punimet e një Konferencë të organizuar nga Universiteti i Vjenës me temë
“Shqiptarët dhe feja” ku merrja pjesë edhe unë. Në mbarim të njërës nga seancat
hëngrëm darkë në një restorant në qendër ku u ulëm bashkë pranë njëri tjetrit.
E pyeta si ishte me shëndet. Më tha se kishte kancer. Unë u trondita, por ajo
ndërhyri për të më thënë se ishte shumë e qetë. Dukej sikur e kishte bërë
tashmë paktin me vdekjen.
Bisedën e fundit e bëmë
dy tre muaj përpara se të vdiste. E mora në telefon për ta pyetur se si ishte
me shëndet. Më tha se ishte mirë. Pastaj nuk di se si biseda kaloi në temën e
identitetit. Ndoshta ngaqë unë i tregova se isha përfshirë në një debat mbi
çfarë ishte identiteti evropian i shqiptarëve. I thashë se kisha shkruar për
identitetin si varfërim në kuptimin që ai e thjeshtëzon kompleksitetin e qënies
sonë.
“Njerëz si unë dhe si ti
nuk kanë nevojë për identitetin.” – më tha. Këto janë fjalët e fundit që mbaj
mend nga Christina.
Kur mësova për vdekjen e
saj nuk di pse imazhi i parë që mu shfaq ishte ai i asaj gruas së fortë dhe
energjike që doli nga makina në rrugën që çonte për Gradisht dhe filloi të
lëvizte krahët lart e poshtë duke bërë frymëmarrje të thellë. Pastaj mu kujtuan
fjalët e Marion Feikut që më
kishte thënë se ajo kishte një obsesion që, nëse do të vdiste Libali, ajo do
t’i jepte fund jetës. Dhe pastaj mu kujtuan fjalët e fundit që kisha dëgjuar
prej saj mbi identitetin dhe mendova se ndër të gjithë njerëzit që kam njohur
ndoshta Christinës, më shumë se kujtdo tjetër, i shkonin fjalët e Renanit se
“njeriu nuk i përket as gjuhës as racës së vet: ai i përket vetëm vetes së tij,
sepse është një qënie e lirë, dmth një qënie e moralshme.” (Panorama 29 janar 2013)
*Ky shkrim memuaristik i
Fatos Lubonjës është botuar në një libër me kujtime për Christine von Kohl që
vdiq më 23 janar 2009 me titull: Sprich
günstig mit dem Balkan (Fol mirë për Ballkanin) EditionAtelier Vienë nen kujdesin e Vedran
Dzihic, Herbert Maurer. Po e botojme me rastin e katër vjetorit të
vdekjes së saj.