Në një shkrim të para do kohësh, kur ishte hedhur tashmë ideja se duhet të bashkoheshin të gjithë qelbësirat kundër Berishës, kam shkruar se ky veprim mund të kthehet në bumerang për ata që shpresojnë se kjo do të na nxirrte nga e keqja. (Berisha si alibi, “Panorama”, 22 dhjetor 2012.)Kur them “bumerang” kam parasysh sepse, në princip, e mira nuk ecën përpara nëpërmjet luftës së të këqijve, përkundrazi, pasi kjo është si të thuash se do të shpëtojmë nga mafiozët ngase ata do të vrasin njëri-tjetrin, ndërkohë që historia tregon se mafia dhe metodat e saj kështu fitojnë më shumë terren. Me fjalë të tjera, kjo lloj lufte mund ta shtyjë Berishën të mbrohet me të njëjtat mjete, duke i akuzuar kundërshtarët e tij si koalicion i qelbësirave, siç u shpreh së fundi për marrëveshjen Topalli, dhe të përdorin edhe ata çdo mjet dhe qelbësirë. Dhe duket sheshit se kjo garë po ndodh, madje ka kohë që ndodh – e kësisoj ne rrezikohemi të përjetojmë një përkeqësim të qelbësirllëkut.Këtij rreziku që na godet të gjithëve do t’i shtoja edhe një tjetër, që mund të godasë protagonistët e marrëveshjes. Kur ke parasysh se ç’kanë bërë e thënë deri dje ndaj njëri-tjetrit e për njëri-tjetrin Edi Rama dhe Ilir Meta, e sot i sheh të bashkuar, nuk mund të mos mendosh se paturpësia e klasës sonë politike ka arritur kulmin. Pra një faktor tjetër bumerangu mund të jetë fakti se imoraliteti i marrëveshjes Rama – Meta ka shokuar jo pak opinionin publik, çka do të thotë se mund të rrisë në mënyrë të konsiderueshme numrin e abstenuesve apo të atyre që nuk do ta votojnë këtë opozitë kësisoj.Për të zbutur njëfarësoj këtë efekt zhgënjimi, një pjesë gazetarësh e opinionistësh, duke analizuar marrëveshjen Rama – Meta, kanë përdorur termin “pragmatizëm”, duke i quajtur “moralistë” ata që në një mënyrë apo në një tjetër kanë shprehur zhgënjimin e tyre me këtë marrëveshje.Disa vërejtje gjuhësoreNë këtë pikë mendoj se ia vlen të bëjmë ndonjë vërejtje gjuhësore.Së pari, ka një keqkuptim tek ata që mendojnë se “pragmatist” është e kundërta e një “moralisti”, apo se një pragmatist është një qenie që e shkel të moralshmen për të arritur suksesin. Filozofia pragmatiste nuk na mëson kurrsesi përdorimin e çdo mjeti imoral për arritjen e suksesit. Ky mund të quhet “makiavelizëm” në kuptimin e keq që ka marrë ky term – si një keqkuptim dhe thjeshtëzim i Makiavelit – e që e ka përdorur Meta për Ramën jo shumë kohë më parë. Kurse pragmatizmi na mëson se vetëm ato ide apo akte që rezultojnë të suksesshme ngase janë provuar nga përvoja njerëzore janë të vlefshme dhe të vërteta. Për shembull, kur themi se dashuria është më e mirë se urrejtja – sipas pragmatistëve – nuk se kemi ndonjë teori për ta provuar se kjo ide/bindje e jona është vërtetë, por kemi diçka shumë më të rëndësishme: një përvojë praktike që na e ka provuar koha. E njëjta gjë mund të thuhet për ndershmërinë në raport me vjedhjen, sinqeritetin në raport me gënjeshtrën etj. Në këtë kuptim pragmatistët pranojnë edhe rolin e feve dhe të mësimeve të tyre morale që përvoja njerëzore i ka provuar si të vlefshme për njeriun dhe shoqërinë.Së dyti, një pjesë shkruesish apo komentuesish përdorin edhe konceptin “amoral/amoralitet”. Vë në dukje se ka një diferencë midis termit “amoral” dhe atij “imoral”. Amoral ka më së shumti kuptimin e mungesës së moralit apo indiferencës ndaj moralit atje ku s’ka kuptim që ky të ekzistojë p.sh. në botën e kafshëve apo, sipas disa filozofive, në ligjet e historisë. Natyra është amorale. Shteti, në kuptimin e një mekanizmi impersonal, është amoral. Kafshët që përdorin çdo lloj dredhie për të shtënë në grackë prenë e tyre janë amorale, sepse për to nuk ekziston morali. Kurse vertebrori hommo sapiens, ndryshe njeriu, është qenie morale, d.m.th. e di ç’është moralja dhe, kur e shkel apo nuk e respekton atë, mbiquhet imoral, jo amoral. Është e vërtetë se moralet njerëzore mund të jenë të ndryshme, por ka disa principe, si p.sh. ato “mos vidh”, “mos gënje”, “mos mashtro”, “mos ia bëj tjetrit atë që s’do të ta bëjnë ty” e që lidhen direkt me politikën që i gjen në cilindo syresh. Rama me Metën kanë dhënë prova se e njohin se ç’është moralja, – përndryshe nuk do të mund të thoshin tërë ato që kanë thënë për njëri-tjetrin në sy të publikut, duke dashur të prekin shqisat e tij morale – prandaj sipas meje është më saktë të quhet ky akt imoral, sesa amoral.* * *I shkrova këto për të vënë në dukje se në një vend si ky i yni, ku “çështja morale” (term ky i futur në gjuhën e politikës italiane nga Berlinguer në Italinë e korruptuar të viteve ‘80), si çështje e moralizimit të politikës, ashtu sikurse edhe e edukimit të njeriut, është gjëja më e rëndësishme për të cilën kemi nevojë sot. Në fakt, është çështja që ka të bëjë pikërisht me ndryshimin që presim. Pra nuk mund kurrsesi të legjitimosh imoralen duke e quajtur “pragmatizëm” apo “amoralizëm”, madje as ta relativizosh atë sepse zhdukja nga bota jonë politike e së mirës si pikë referimi mund të ndikojë që njerëzit ta humbasin orientimin moral deri në atë pikë sa të bëhen më keq se kafshët. “Individi njerëzor ka qenë gjithmonë rezultat i një investimi të madh në shkollim dhe kulturim. Mirëpo ka nga ata pushtetarë të radhës që tentojnë ta zhbëjnë avantazhin e madh të edukimit dhe të përdorin material tjetër për të na ndërtuar një shtet milingonash. Këta zotër që e pandehin veten të plotfuqishëm bëhen kësisoj përgjegjës për degradimin e vetë natyrës së njeriut, sepse, nëse një njeri do të reduktohet në rolin e milingonës, jo vetëm do të reshtë së qeni njeri, por nuk do të jetë më as edhe milingonë e mirë”. (Norbert Wiener)Kësisoj, ata që e kanë përkufizuar debatin që është zhvilluar kohët e fundit si debat midis “moralistëve” dhe “pragmatistëve”, sipas meje kanë kryer një akt depistimi nga debati/et që duhet të ngjallte kjo marrëveshje.Debati që duhet bërëNë thelb çështja e kësaj marrëveshjeje ka të bëjë pikërisht me thellimin e shndërrimit të elektoratit në milingona. Si e tillë, marrëveshja Rama – Meta dhe kontradiktat që paraqet ajo në kontekstin që po jetojmë e që shprehen edhe në shkrime e komente të shumta gazetarësh e njerëzish të thjeshtë, sipas gjykimit tim, duhet të nxitin zhvillimin e një debati/debateve të tjera në funksion të rilindjes morale të shoqërisë, të demilingonizimit të njeriut shqiptar.Prandaj, sipas meje, debati mbi marrëveshjen Rama – Meta do të duhej të fokusohej në çështjen: a mund të reformohet së brendshmi ky sistem politik, ekonomik, mediatik mafioz që kemi ngritur dhe kjo kastë njëzetvjeçare që është ndërtuesja dhe interpretuesja e këtij sistemi, apo kjo është e pamundur dhe prandaj duhet ose të krijojmë forca të reja ose të presim rënien e këtij sistemi nëpërmjet kalbëzimit dhe degjenerimit të tij përfundimtar? Sipas gjykimi tim, ajo që bëri Rama tregoi se ai, ndryshe nga ç’kishte trumbetuar, qoftë edhe disa ditë më parë, nuk beson se ky sistem dhe kjo kastë ka fuqi të reformohet apo “rilindë” së brendshmi ngase aktorët janë tejet të komprometuar me të, për të mos thënë “moralisht të vdekur” sepse janë sistemi vetë dhe nuk kanë asnjë interes që ky të ndryshojë. Në këto kushte, debati shtrohet edhe në pyetjen: a duhet të vazhdojmë ne të besojmë se rotacioni në pushtet i kësaj kaste politike është rruga e zhvillimit dhe ndryshimit – që tek e fundit do të thotë pikërisht një zgjim moral i shoqërisë – apo duhet të synojmë një farë revolucioni – sigurisht paqësor? A mund të shpresojmë ne – me këto që po shohim – se me kohën këto parti do të demokratizohen duke nxjerrë liderë të rinj më të moderuar, më mendjendritur, më të moralshëm, apo këto parti do të mbeten tërë jetën klane/banda në duart e padrinove të tyre Berisha, Rama, Meta dhe klaneve që i mbështesin, e do të vijnë gjithnjë e më shumë duke u degraduar mendërisht dhe moralisht?E konsideroj debat të hapur, nuk pretendoj të jap përgjigje të padiskutueshme. Por në këtë debat karrigia ime është ajo e atij që mendon se marrëveshja Rama – Meta, cilido që të jetë rezultati elektoral që mund të sjellë ajo, nuk duhet të na fshijnë nga mendja se opozitarizmi i vërtetë është ai që do t’i kundërvihej krejt sistemit dhe krejt klasës politike ekonomike mediatike që ka qeverisur vendin në këta njëzet vjet, në nivele qendrore dhe lokale, e se kjo duhet bërë duke dhënë shembullin se vetë jemi të ndryshëm në atë që bëjmë përditë. Se ne nuk jemi nga ata që ulen me kriminelë, vrasës, trafikantë, hileqarë e mashtrues gjithfarësh për të ndarë pare e pushtet me ta. (Panorama, 17 prill 2013)
Thursday, April 18, 2013
Marrëveshja Rama - Meta si çështje morale
Friday, March 29, 2013
Pa rrip sigurie
Nuk mund të mos të të bjerë në sy se shumë shqiptarë që
ngasin makinën apo ulen në sediljen e parë të pasagjerit, veçanërisht meshkujt,
refuzojnë ta venë rripin e sigurisë; u duket si zhburrërim, si përtesë, si
mungesë lirie a ku di unë. Shumë syresh, madje, për të evituar atë sinjalin
"pi - pi - pi...", që bëjnë makinat e reja, e kalojnë rripin mbrapa
sediljes, e fusin pastaj tek ajo kllapa dhe rrinë rehat për shtatë palë qejfe.
Megjithatë unë kam bindjen se shumica e këtyre shqiptarëve nuk do ta blenin
një makinë që nuk ka rripa sigurie sepse do t’u dukej e vjetër, e dalë mode, jo
evropiane, jo në përputhje me statusin që kërkojnë të kenë etj..
Ky raport që kemi me makinat e reja dhe rripat e tyre të
sigurisë më duket një metaforë e mirë për të shprehur raportin tonë me shtetin
e së drejtës, për të cilin një politolog i njohur thotë se demokracia ekziston
vetëm një ditë, atë të zgjedhjeve, kurse tërë periudha që e pason, deri në
zgjedhjet e ardhshme, është (apo duhet të jetë) shtet i së drejtës.
Paradoksalisht shqiptarët, veçanërisht shoferët tanë, edhe
nuk i duan rripat e sigurisë së makinës së shtetit të së drejtës edhe nuk duan
një makinë pa rripa. Këtë paradoks e ndesh shpesh sot jo vetëm duke parë
sjelljen e politikanëve tanë, por edhe kur dëgjon rëndom njerëz të të thonë se
ne nuk jemi të pjekur për demokraci, prandaj na duhet një juntë ushtarake, se
ne nuk jemi pjekur për heqjen e dënimit me vdekje, prandaj duhet ta rikthejmë
atë, se ne duhet të presin edhe tridhjetë vjet për paradën gay&lesibian
etj. e ndërkaq mbi 90% deklarojnë se duan të hyjnë në "makinën"
Evropë ku ekiziston rripi i sigurisë/ligjet që të mbrojnë nga pushtetet e
juntave, ku nuk aplikohet dënimi me vdekje apo që garanton të drejtat e
hmoseksualëve.
Pasja e një makine me rripa sigurie do të duhej të na
induktonte mënçurinë për ta përdorur rripin, duke menduar se ky është fryt i
një përvoje. Të mësosh nga gabimet e të tjerëve i thonë kësaj. Ne nuk e kemi
këtë mënçuri. Po ashtu, pësimi i një aksidenti duhet të na bënte të kuptonim se
sa i rëndësishëm është rripi dhe, paskëtaj, ta vendosnim atë. Kësaj i thonë të
mësosh nga gabimet e tua. Edhe këtë ne nuk e kemi. Duhet të punojë frika ose
respekti për ligjin - sugjerojnë një pjesë. Ne as këtë nuk e kemi. Kështu që,
edhe pas njëzet vjetësh, po vazhdojmë të aplikojmë variantin më të keq: ndonse
kemi pësuar aq e aq aksidente ngulmojmë të mos e vendosim rripin.
Kësisoj, ndërkohë që ne kemi "blerë" një makinë të
kohës, kemi gjetur "kompromisin" që ta ngasim atë sikur jetojmë në
një kohë tjetër, pa i përdorur rripat e saj. E kjo, pa dyshim, na ka ekspozuar
ndaj rreziqeve të shumta. Ja na erdhën zgjedhjet parlamentare, të shtatat që
bëjmë në këta njëzet vjet. Shikoni si shkëlqen makina. Pjesëtarë të shtabeve
elektorale të Tony Blairit dhe të Barack Obamës do të vijnë të organizojnë
fushatat e partive tona. Shikoni pastaj delaratat e shoferëve tanë. Shpallin
fitore të padiskutueshme, pa përfillur as edhe në një moment vënien në diskutim
nga votuesi. Çdo humbje e konsiderojnë se mund të vijë vetëm si rezultat i
veprimeve keqbërëse të kundërshtarit prandaj dhe të papranueshme dhe të
panjohëshme. Sondazhet e besueshme do të duhej të ishin e vetmja pikë referimi.
Por për këto as që bëhet fjalë. Vënia e arbitrit/rripave të sigurisë do të
duhej të ishte garant i numërimit të saktë dhe mosvënies në diskutim të
rezultatit. Por këta rripa janë prapa sediljes. Jo, jo këta tanët nuk duken
sikur janë në një garë se kush të dalë i pari duke garuar në të njëjtin
drejtim, me rripa sigurie shtrënguar fort. Ata shembëllejnë me shoferë që
ngasin makina lluksoze në drejtime të kundërta e që po shkojnë drejt përplasjes
jo vetëm pa rripa sigurie, por edhe pa mend në kokë.
Ka shumë shqiptarë që kësaj here kanë frikë se aksidenti do
të jetë fatal.
(Panorama, 29 mars 2013)
Tuesday, March 12, 2013
Lëvizja e Grillos dhe ne
Për t’ia prezantuar publikut shqiptar Grillon dhe Lëvizjen e tij Cinque Stelle (Pesë Yjet), do të zgjidhja më së pari refrenin e këngës së Lëvizjes, me të cilën ai u prit në Piazza San Giovani, ku mbajti fjalimin e fundit elektoral. Non siamo un partito/ Non siamo una casta/ Siamo citadini/ Punto e basta, që me përkthim të lirë në shqip do të thotë: Nuk jemi një parti/ nuk jemi një kastë/ jemi qytetarë/ dhe vetëm kaq.Ky refren shpreh njëherësh edhe qëndrimin e Lëvizjes mbi sistemin politik ekzistues në Itali, edhe propozimin e saj për një tjetër sistem. Lëvizja Pesë Yjet është kundër politikanit profesionist në karrierë që, pasi i delegohet pushteti, nuk pyet për ata që ia kanë deleguar, por abuzon duke u kthyer në një partitokrat e pjesëtar të një kaste të shkëputur nga realiteti. Ajo propozon si alternativë një demokraci direkte pjesëmarrëse në vendimmarrje, gjë që, sipas saj, sot e mundëson uebi. Sipas Lëvizjes, politikanët që do të hyjnë në Parlament apo në vendimmarrje të ndryshme do të mund të qëndrojnë atje vetëm për dy zgjedhje, d.m.th. tetë vjet. Këta tetë vjet do të konsiderohen si shërbimi që ata bëjnë për qytetarët dhe pastaj do të kthehen në profesionin e tyre. Dhe, gjithë sipas Lëvizjes, për këtë shërbim nuk kanë pse të kenë tërë ato lukse e privilegje që kanë politikanët deri tani në Itali. Pra, nga njëzet mijë euro që merr një deputet italian, deputetët grilistë kanë rënë dakord që do të marrin vetëm pesë mijë dhe pjesën tjetër do ta fusin në një fond që do të përdoret për të inkurajuar mikrobiznese e me radhë – gjithë duke pasur idenë se, sikur të ketë maxhorancë të mjaftueshme, Lëvizja do të votojë që të gjithë të marrin kaq.Një tjetër pikë kyçe e rëndësishme e Cinque Stelle është se ata fusin në të njëjtin sistem tërë klasën politike, d.m.th. edhe qendrën e djathtë të Berlusconit që ka qeverisur në kohën më të madhe këta njëzet vjet, edhe qendrën e majtë, e cila, sipas grilistëve, ka bërë sikur ka bërë opozitë, pasi, në të vërtetë, ka qenë pjesëtare e së njëjtës kastë. Sipas grilistëve, këta duhet të ikin të gjithë në shtëpi, se boll i kanë bërë dëme Italisë, ndërkohë që për ata që kanë përfituar duke shkelur ligjin, Lëvizja do të kërkojë hetim dhe do të jetë “parte civile”.Një tjetër karakteristikë kryesore e grilistëve është se te kasta dhe partitokracia ata fusin edhe tërë sistemin mediatik që është ngritur në Itali: pra si ato media e gazetarë që i kanë shërbyer Berlusconit, edhe ata që i kanë shërbyer qendrës së majtë, duke i quajtur propagandistë partiakë, dhe jo gazetarë. Për këtë ata kanë refuzuar të bëhen pjesë e debateve televizive qoftë të studiove të RAI-t, ashtu edhe të Mediaset-it të Berlusconit dhe kanë preferuar të krijojnë rrjetin e tyre të komunikimit nëpërmjet uebit.Përsa i përket sistemit social ekonomik, grilistët janë kundër kapitalizmit që e mat cilësinë e jetës me rritjen e GDP-së, janë për një Itali që nesër mund të jetë më e varfër në disa aspekte, por më e vërtetë, më e pasur në vlera shpirtërore dhe në cilësi jete, janë për zbutjen e diferencave në fitime, janë për një sistem social që ndihmon qytetarin edhe kur mbetet pa punë, por gjithë duke i ofruar vende pune, janë për mbrojtjen e ambientit, për transportin publik, për ujin si pasuri publike, për energjinë e rinovueshme, kundër shpenzimeve për armatime etj.Përsa i përket Europës dhe euros, grilistët deklarojnë se nuk janë kundër Europës, por janë për një Europë tjetër nga kjo që po ndërtohet, që, sipas tyre, është më shumë një Europë e kapitalit financiar dhe e interesave të të pasurve, sesa një Europë e qytetarëve të saj. Nga ky këndvështrim ata e vënë në diskutim qëndrimin e Italisë në euro.Ka shumë analistë, jo vetëm në Itali, që duan ta karakterizojnë Lëvizjen Cinque Stelle si një lëvizje që artikulon vetëm zemërimin e italianëve, duke shtuar se ajo nuk paraqet alternativë. Nuk ka dyshim se ajo motivohet edhe nga një zemërim që e bën të ngjashme me lëvizjen Ocupy Wall Street, në Nju Jork, me lëvizjen e Indigniados (të indinjuarit) në Spanjë, me Syrizën në Greqi. Megjithatë, Lëvizja Cinque Stelle nuk mund të reduktohen thjesht në shprehjen e një zemërimi qytetar. Te Cinque Stelle nuk mungojnë idetë dhe propozimet për një botë ndryshe nga kjo e kapitalizmit degjenerativ të kohës së sotme – më sipër përmenda disa prej tyre – që e bëjnë atë edhe një shpresë të re. Edhe vetë fakti që ajo nuk jep siguri në zgjidhje, sikurse e komentoi edhe Dario Fo, një nga mbështetësit më të angazhuar të grilistëve, është i rëndësishëm. Por, sikurse thotë Grillo: “Meglio un salto nel buio, che una morte assistita”, që do ta përktheja: “Më mirë një hap i guximshëm drejt së panjohurës, sesa një vdekje graduale”.Problemi më i madh që ka Lëvizja sot, sipas gjykimit tim, është se ndërkohë që ajo konteston sistemin me një frymë revolucionare, por paqësore, duke kërkuar t’i transformojë institucionet apo të krijojë institucione të reja duke shpallur fundin e të vjetërve, është e detyruar të punojë brenda tyre e nëpërmjet tyre, pasi ajo nuk ka një maxhorancë absolute që të bëjë ligje e të qeverisë e vetme. Pikërisht si rezultat i kësaj, Lëvizja deri më sot ka refuzuar të bashkëpunojë me tri forcat e tjera që nxorën këto zgjedhje, duke krijuar probleme të qeverisshmërisë së Italisë, që përkthehet në humbje të kredibilitetit dhe humbje financiare po ashtu. Megjithatë, paradoksalisht, sipas sondazheve rezulton se pas kësaj zgjedhjeje numri i mbështetësve të saj është rritur. Mbetet po ashtu për t’u zgjidhur pikëpyetja që lind nëse Lëvizja fiton 100% – sikurse kërkoi Grillo në një nga deklaratat e tij – se kush do t’ia bëjë opozitën apo se si do të ushtrohej kjo?* * *Nuk do të isha ulur të shkruaja tërë këto për Lëvizjen e Grillo-s, sikur të mos kisha ndër mend realitetin shqiptar, i cili për mua është një pasqyrim grotesk dhe njëherësh i formës më të keqe i problemeve të Italisë që denoncon Grillo.Ne kemi nevojë urgjente të denoncojmë dhe ndryshojmë një sistem politik që ka tiparet më të këqija të partitokracisë italiane, një kastë e kaluar kastës që e ndarë në maxhorancë e opozitë, ka njëzet vjet që ndërron rolet në çuarjen e jetës sonë në një rrëpirë që vjen e bëhet gjithnjë e më e thepisur. Ne kemi nevojë t’u themi “shkoni në shtëpi” këtyre politikanëve, madje edhe në burg atyre që pas hetimeve do të rezultonin se na kanë vjedhur e grabitur. Ne po ashtu kemi nevojë të denoncojmë, siç kanë bërë grilistët, sistemin mediatik, i cili është pjesë e strukturave në shërbim të kësaj kaste.Po ashtu, në aspektin e sistemit ekonomiko-social ne kemi nevojë për një rikthim te vlerat e publikes: për shkollat e mira publike, mjekësinë publike për sigurime shoqërore, që garantojnë minimumin e dinjitetit për qeniet njerëzore. Kemi po ashtu të përbashkët me grilistët nevojën e denoncimit të problemeve të mëdha që na kanë krijuar politikat shkatërruese të ambientit që prapa shifrave të GDP-së në rritje fshehin një cilësi jete në përkeqësim dramatik.Por çfarë na mungon për të pasur një lëvizje si ajo Pesë Yjet? Sipas meje, nuk është vetëm uebi që në Shqipëri nuk mund të krahasohet me rrjetin italian të internetit. Më së pari, duke bërë krahasimin, nuk mund të mos shohësh se sistemi ekonomiko-social në Itali krijon shumë më tepër mundësi pavarësie për individët. Pra, edhe pse Italia vuan nga abuzimi me pushtetin në formë korrupsioni, klientelizmi, bashkëpunimi me krimin e organizuar, kjo vuajtje te ne është shumë më e madhe. Te ne ata që presupozohet se mund të sjellin ndryshimin janë shumë herë më të varur nga sistemi: intelektualët, studentët dhe pjesa me madhe e së ashtuquajturës shtresë e mesme janë të gjithë të punësuar brenda sistemit partitokrat oligarkik ose në punë shtetërore apo në mediat që janë pjesë e sistemit. Ndërsa në Itali, me gjithë të metat jo të vogla, Drejtësia funksionon si e pavarur nga politika, duke dhënë një siguri jo të vogël, te ne mungon edhe kjo siguri. Pra, mundësia për të krijuar institucione alternative ndaj sistemit është shumë herë më e vogël.Një arsye e dytë është vetë kultura autoritare që mbizotëron në Shqipëri, e lidhur ngushtësisht kjo me mungesën e përgatitjes arsimore. Një lëvizje si ajo Cinque Stelle presupozon njerëz më me personalitet më të përgatitur, më të kulturuar. Edhe në këtë aspekt ne kemi krijuar një sistem që po inkurajon paditurinë dhe mungesën e personalitetit.Mund të rreshtoja edhe arsye të tjera pse, paradoksalisht, mu pse ne i vuajmë shumë më thellë problemet që ka sot politika, shoqëria dhe ekonomia italiane, një lëvizje e tillë i ka shumë më të pakta mundësitë të lindë. Gjithsesi, mendoj se është shumë e nevojshme që ta njohim atë dhe të mund të marrim çfarë mund të marrim prej saj, duke pasur gjithnjë parasysh kontekstin shqiptar. Shqipëria ka nevojë urgjente për një lëvizje të tillë që t’i japë rrugë paqësore ndryshimit. Përndryshe, situata e krijuar do të precipitojë duke bërë që “zgjidhja” të gjendet në rrugë të gabuara. (Panorama, 12 mars 2013)
Thursday, February 28, 2013
Ç’qëndron pas termit “albanofobi”
Ndryshimi i gjuhës së Berishës kohët e fundit përsa i përket rritjes së retorikave nacionaliste, është komentuar shumë së bashku me përpjekjen për të gjetur origjinën e këtij ndryshimi.Me gjithë përpjekjen nga të tijtë për ta paraqitur këtë gjuhë si në koherencë me çka Berisha ka thënë më parë, janë disa deklarime që s’lënë dyshim se kemi të bëjmë me ndryshim gjuhe, madje të vetëdijshëm, veçanërisht po të kemi parasysh mënyrën se si ka folur ai jo shumë kohë më parë për bashkimin e shqiptarëve në një shtet etnik të vetëm. Pra, ndërsa para ndonjë viti ai është shprehur se ka qenë ndër ata që dikur ka aspiruar për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por se kjo tashmë është një aspiratë nga e cila duhet hequr dorë në favor të integrimit europian – gjithë duke ruajtur dykuptimësinë e shprehjes “bashkimi nëpërmjet Bashkimit Europian”, që ka qenë karakteristikë e qëndrimit të politikës shqiptare gjatë këtyre njëzet vjetëve - së fundmi Berisha foli hapur e qartë për padrejtësi që duhet ndrequr.Edhe ballafaqimi me deklaratat e ministrave të Jashtëm të kohëve që Berisha është në pushtet e provojnë këtë ndryshim të qëndrimit të Kryeministrit.Interpretimet/hipotezat e ndryshimit të kësaj gjuhe kanë qenë disa. Më së shumti i është mëshuar idesë se Berisha i ka theksuar tonet nacionaliste për të mos lejuar rrëshqitjen e elektoratit te Aleanca Kuqezi. Një hipotezë tjetër është ajo, sipas së cilës, dora-dorës që i rritet paranoja e pushtetit, Berisha e mendon gjithnjë e më shumë veten si udhëheqës të të gjithë shqiptarëve dhe, me rastin e 100-vjetorit, duke parë entuziazmin e madh patriotik, veçanërisht atë kosovar, iu rindezën llambat e nacionalizmit vetvetiu.Ka një hipotezë tjetër se kjo thirrje nacionaliste është produkt i vështirësive ekonomike brenda vendit. Shkurt, është ilustrim i thënies “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave”.Por, të gjitha këto hipoteza ngrenë, megjithatë, një pikëpyetje. A e ka llogaritur mirë Berisha që ndërkombëtarët nuk e duan një gjuhë të tillë? Pse ai, që ka qenë gjithherë i kujdesshëm me ta, ia lejoi vetes këtë lajthitje? Këtu duhet vënë në dukje se, mu si rezultat i reagimit ndërkombëtar, ai nxitoi ta korrigjojë disi drejtimin e qitjes ditët e fundit duke thënë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale dhe se shqiptarët kanë një nacionalizëm me fytyrë njerëzore jo si nacionalizmat e tjerë në rajon. Po pse lajthiti ai duke mos na dhënë aspak siguri se nuk do të lajthisë përsëri?Në këtë pikë vjen e ngrihet një hipotezë tjetër që më duhet të them se nuk e kam parë të artikuluar në shtyp dhe as që e kam nga mendja ime, por që qarkullon nëpër tryeza diplomatësh prej nga e kam dëgjuar edhe unë. Sipas kësaj hipoteze, deklaratat e Berishës u drejtohen pikërisht ndërkombëtarëve, jo shqiptarëve. Shkurt, i lodhur apo zhgënjyer me ndërkombëtarët që ia refuzojnë statusin – që do të thotë ta pranojnë kështu siç është – ai ka zgjedhur t’i shantazhojë ata: ju nuk doni të më pranoni në Europë, atëherë unë kaloj në planin B dhe ju krijoj probleme më të mëdha nga ç’mund ta mendoni. Pra, sipas kësaj hipoteze, termin “albanofobia” ai e ka përdorur jo thjesht për të përshkruar frikën e vendeve fqinje ndaj shqiptarëve, por edhe frikën e Europës për të pranuar shqiptarët në gjirin e saj. Është një hipotezë që, në një farë mënyre, është edhe pasqyrë e frikërave europiane.Nëse do t’i besojmë kësaj hipoteze, nuk mund mos të të shkojë në mendje se ai ka dashur, në një farë mënyre, të imitojë Kryeministrin turk Erdogan, i cili, i lodhur edhe ai me pritjen e pranimit të Turqisë, ka ca kohë që flet për “islamofobi” dhe kërkim alternativash të reja ndaj asaj europiane. (Grupi i Shangait).Përtej asaj nëse është apo jo e vërtetë kjo hipotezë, çështja që ajo ngre është, megjithatë, e madhe për fatet e ardhme të Shqipërisë dhe të botës shqiptare në përgjithësi. Nuk ka pikë dyshimi se në momentin e sotëm projekti postnacionalist i bashkimit europian po njeh ditët e tij më të vështira. Ka rryma të forta brenda shteteve europiane që flasin për dështim të tij dhe për kthim në interesa kombëtare, për dalje nga euroja, për krijime të grupimeve të tjera (p.sh. vendet e Veriut europian së bashku) dhe se kjo krizë nënkupton edhe shtyrje të afateve të integrimit për vende si Shqipëria. Pyetja që shtrohet është: a duhet të bëhen shqiptarët promotorë të një dështimi të tillë, a kanë ata interes për një dështim të tillë, apo përkundrazi, ata duhet të bëjnë ç’është e mundur që të mos e braktisin këtë projekt? Sipas gjykimit tim, nëse shumë vende mund t’ia lejojnë vetes luksin që ta mendojnë veten jashtë projektit europian, shqiptarët do të ishin më të humburit me këtë. Dhe me “shqiptarët” kam parasysh edhe ata në Kosovë, që duket sikur do t’i tërhiqte me vete plani B i Berishës. Kjo jo vetëm pse në kushtet që ndodhen sot, përsa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike, një shteti të së drejtës, shqiptarët kanë nevojë të jenë të lidhur me vendet demokratike – për lirinë dhe të drejtat e tyre më së pari – por edhe pse, e larguar nga Europa, bota shqiptare do të mbetej sot thuajse edhe pa miq. I vetmi vend mik që do të mund t’i jepte mbështetje diplomatike dhe ekonomike do të ishte Turqia, në kuadrin e rritjes së ndikimit e të fuqisë ekonomike të saj në rajon. Por, një skenar që do ta çonte Turqinë jashtë Bashkimit Europian dhe që do të acaronte marrëdhëniet me vendet fqinje të Shqipërisë në Ballkan, si Greqia, Serbia apo Maqedonia, do ta largonte Turqinë edhe nga Shqipëria, edhe nga shqiptarët që banojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.Prandaj gjykoj se projekti që duhet të mbështesë Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku janë është një hyrje edhe e Turqisë në Europë, shoqëruar kjo me një proces demokratizimi të brendshëm që do të krijonte edhe një tjetër marrëdhënie me vendet fqinje. Një Shqipëri vërtet demokratike dhe e integruar në Bashkimin Europian do të ishte një Shqipëri që do të kapërcente edhe urrejtjet e vjetra ndëretnike në rajon. Kurse një Shqipëri që shkëputet nga projekti europian dhe bubrron për të gjetur mbështetje politike dhe ekonomike te shtete me standarde demokratike më të ulëta, mund t’u shërbejë vetëm qëllimeve të errëta pushtetesh jodemokratike e mund të çojë edhe në aventura nacionaliste. Duket një aventurë e pamundur, por, edhe në qoftë e mundur, s’do të ishte tjetër veçse një reminishencë e së kaluarës së errët të Enver Hoxha, kur ky, për pushtetin e tij, izoloi shqiptarët duke i lënë kaq prapa. (Panorama, 26 Shkurt 2013)
Wednesday, February 13, 2013
Berisha dhe Rama të shkojnë në Spac
Duhet ta shikojnë nga afër atë vend si shoqëria
civile ashtu edhe politikanët
Ndodhesha vetë atje sëbashku me një fotografe
zviceriane, Barbara Haussamman, me të cilën kemi shkuar disa herë në Spaç. Ajo
ka qenë fotografja e instalacionit që bëra unë vjet me objektet të Sçaçit me
titull “Objekte – Subjekte”. Shkatërruesit i gjeta duke punuar me kazma dhe
vare. Ishin duke thyer shtylla betoni të përdorura për të shtruar vende vende
shtigjet në të cilat ngjiteshin të burgosurit për në minierë.Pasi u thërmonin
betonin u merrnin shufrat e hekurit që ato kanë brenda. Një grup tjetër ndoshta
po bënte të njëjtën punë më lart. Kurse në një galeri një grup po nxirrte
shinat e shtruara atje prej vitesh duke rrezikuar edhe jetën. Kur hyra në kamp
vura re, me tronditje, se në krahasim me një vit më parë gjendja ishte rrënuar
edhe më. Më bëri veçanërisht përshtypje prerja totalisht e ballkonit të katit
të parë sic duket edhe në fotot që kam bërë. Po te pyesnit Barbaren do të
shihnit se ajo mbeti edhe më e tronditur se unë – pasi ne shqiptarët sikur jemi
mësuar me kësi lloj barbarish. Bëra disa telefonata midis të cilave edhe në
Institutin e Kujtesës të cilat për fat sollën policinë që të paktën për atë
ditë e ndaloi batërdinë.
Nga Fatos Lubonja
Intervistë gazetës Shqiptarja.com, 12 shkurt 2013
Si dhe kush ju njoftoj për atë batërdi që po ndodh në
Spac? Ju ishit vetë
në vendngjarje, a mund të na përshkruani diçka më shumë nga ç’thonë fotot?
Ndodhesha vetë atje sëbashku me një fotografe
zviceriane, Barbara Haussamman, me të cilën kemi shkuar disa herë në Spaç. Ajo
ka qenë fotografja e instalacionit që bëra unë vjet me objektet të Sçaçit me
titull “Objekte – Subjekte”. Shkatërruesit i gjeta duke punuar me kazma dhe
vare. Ishin duke thyer shtylla betoni të përdorura për të shtruar vende vende
shtigjet në të cilat ngjiteshin të burgosurit për në minierë.Pasi u thërmonin
betonin u merrnin shufrat e hekurit që ato kanë brenda. Një grup tjetër ndoshta
po bënte të njëjtën punë më lart. Kurse në një galeri një grup po nxirrte
shinat e shtruara atje prej vitesh duke rrezikuar edhe jetën. Kur hyra në kamp
vura re, me tronditje, se në krahasim me një vit më parë gjendja ishte rrënuar
edhe më. Më bëri veçanërisht përshtypje prerja totalisht e ballkonit të katit
të parë sic duket edhe në fotot që kam bërë. Po te pyesnit Barbaren do të
shihnit se ajo mbeti edhe më e tronditur se unë – pasi ne shqiptarët sikur jemi
mësuar me kësi lloj barbarish. Bëra disa telefonata midis të cilave edhe në
Institutin e Kujtesës të cilat për fat sollën policinë që të paktën për atë
ditë e ndaloi batërdinë.
Çfarë rëndësie ka për kujtesën e shqiptarëve, Spaçi, ky
burg me galeri, i shpallur muze, por që po zhduket nga faqja e dheut, dalë
ngadalë...
Kam përshtypjen se
rëndësia është evidente. Është rëndësia që ka kujtesa në jetën tonë. Ne edhe si
qënie individuale por edhe si shoqëri tek e fundit jemi ëndrrat tona për të
ardhmen, por jemi edhe kujtesa jonë e së shkuarës. Pa kujtesën ne nuk do të
dinim se si ta përcaktonim veten, madje as ëndrrat e të ardhmes. Sipas
meje eshte nje humbje e madhe materiale dhe shpirtërore si edhe e çdo monumenti
që fikson të kaluarën, kujtesën. Njerezit në botë vizitojne minierat e vjetra per
të parë se si kanë qene ato, kushtet e punës së paraardhësve të tyre, kurse ne kemi nje miniere Gulag qe ka
krahas saj edhe kampin e te burgosurve e do te ishte nje vend unik ndoshta edhe
ne bote. Unë nuk kam dëgjuar të ketë një tjetër në vendet e Lindjes si Spaçi.
Kurse ne e shkatërrojmë me një
mendjelehtësi që na bën më shumë të ngjashëm me kafshët që jetojnë një të
tashme pa të shkuar e pa të ardhme sesa me njerëzit.
Në krye të këtij biznesi thuhet se është vëllai i Ndrea
Prendit, i akuzuari për vrasje gjatë protestave të 21 janarit... Si do ta
komentonit këtë fakt?
Kështu më tha policia që
i arrestoi. Nuk dua të bëj akuza familjare sepse jam kundër identifikimit të
individëve me familjarët e tyre cilëtdo qofshin ata. Por as mund të mohoj
faktin se në Shqipërinë tonë, për fat të keq, përkatësia familjare funksionon
si privilegj e mundësi mbrojtjeje apo e kundërta: si mundësi goditjeje e
persekutimi. Në rastin në fjalë kam të drejtë të dyshoj se personi në fjalë e
ka ndjerë veten të mbrojtur për të bërë çfarë po bënte duke u nisur nga pozita
e vëllait të tij - madje edhe ditët kur vëllai ka qenë në momentet më të
vështira. E nëse do të nisemi nga ifakti se shqiptarët, për fat të keq, janë të
ndarë politikisht sipas përkatësisë familjare këtë do ta komentoja edhe si një
fakt që vërteton se tek e fundit në Shqipërinë tonë, përtej retorikave që
dëgjojmë të përdorin shumë vetë, nuk ka të majtë apo të djathtë, komunistë apo
antikomunistë, por kusarë që shohin vetëm se si të bëjnë ndonjë lek, veçanërisht
duke vjedhur pasurinë e të gjithëve.
Edhe pse ka vite që bëhen projekte për ta kthyer në një
muze të vizitueshëm, ai vend sërish është gërmadhë. Kë mund të fajësojmë
për këtë? Çfarë duhej të kishte bërë deri më sot Ministria e Turizmit
Kulturës rinisë dhe sporteve?
Faji bije mbi të gjithë,
mbi elitën politike dhe kulturore që ka drejtuar këtë vend gjatë këtyre njëzet
vjetëve. Dhe ky faj është shumëfaqësh. Ky faj ka të bëjë më së pari me mungesën
e ndjeshmërisë së vërtetë të kësaj elite ndaj kësaj faqeje më të errët të
diktaturës, për shkak se në përgjthësi kjo elitë është dominuar nga njerëz të
cilët në jetën e tyre gjatë diktaturës nuk kanë qenë në anën e të
persekutuarve. Por ka të bëjë edhe
me gjendjen e mjerueshme materiale dhe shpirtërore që e ka katandisur vendin kjo
elitë duke menduar vetëm për pasurimin e vetvetes – çka bën që gjynahqarë e
mjeranë, të cilët ndoshta nuk ia dinë as kuptimin fjalës “kujtesë”, të shkojnë të kërkojnë të nxjerrin bukën
e gojës edhe në atë vend dhimbjeje e vuatjeje që e bën të shenjtë, - deri duke
rrezikuar jetën e tyre.
Ministria së paku do të
duhej të kujdesej që atje të viheshin disa tabela që të tregonin se është vend
muze – sepse edhe ashtu ai është një vend muze, ku nuk duhet të merret asgjë pa
leje nga shteti – e jo vetëm ndërtesat, por edhe i gjthë mali ku ka qenë
miniera. Edhe shtyllat e pakta të rrethimit që kanë mbetur edhe shtyllat e
betonit të galerive që gjinden nëpër rrugë.
Forumi për mbrojtjen e monumenteve ka hedhur idetë e
para, për ta bërë publik këtë skandal. Çfarë mbetet për tu bërë nga
shoqëria civile sa i takon një rasti të tillë?
Mendoj se e para gjë që
duhet të bëjnë njerëzit e shoqërisë civile, por edhe politikanë, është që të shkojnë
ta shohin nga afër atë vend. A keni dëgjuar të ketë shkuar atje ndonjëherë Sali
Berisha psh, apo Edi Rama apo shkrimtarë e artistë të njohur? Jo. E trajtojnë
si një diçka që nuk u përket. Kanë shkuar në Aushvic, por jo në Spaç.
Po të shkosh atje vendi
flet vetë. Kuptohet ende se atje ka ndodhur diçka e rëndë megjithë përpjekjet
që bëjnë barbarët për ta kthyer në një gjendje normale.
Intervistoi Admirina Peçi
Saturday, February 2, 2013
Të hash nga ujku
Para disa ditësh shtypi dha një lajm që joçuditërisht nuk u komentua fare në median shqiptare. Ishte një vendim i Gjykatës së Tiranës që vendosi sekuestrimin preventiv për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të një personi me mbiemrin Deliu, që është vrarë para disa vjetësh së bashku me nënën e tij, si dhe të pasurisë së ish-shoferit të tij, me mbiemrin Sako, i vrarë edhe ky kohët e fundit. Sipas vendimit dilte se kjo pasuri ishte vënë me rrugë kriminale, kryesisht trafiqe droge. Nuk dihet se kush i ka vrarë, por flitet për grupe rivale që, kuptohet, nuk janë zbuluar. Kuptohet gjithashtu se gjyqi i sekuestrimit është bërë pasi tashmë të gjithë të lidhurit direkt me ato prona janë të vdekur. Ishte i paimagjinueshëm numri i pronave të sekuestruara. Qenë 34 troje ndërtimi – nuk e kam gabim, tri-dhje-te-ka-tër – troje për vila e pallate me një sipërfaqe gjithsej 47 000 metra katrorë, të gjitha të hipotekuara. Ishin 5 (pesë) makina të tipave “BMW”, “Mercedes”, “Audi”, “Chrysler”, “Mitsubishi Pajero” (i blinduar), si dhe, vini re, 20 llogari bankare (një-zet) në bankat më të njohura të Shqipërisë. Ishte edhe një apartament. Kur u interesova për historinë mësova se disa kohë përpara se të vritej, Deliu kishte qëndruar, së bashku me të ëmën, gati i ngujuar në shtëpi ngase ruhej. E kishin ditur të gjithë në pallat (pa dyshim edhe policia), sepse banorët paralajmëroheshin të mos hipnin në ashensor se mund të pësonin ndonjë hedhje në erë me telekomandë. Mësova gjithashtu se pas vrasjes së Deliut dhe të së ëmës avokatët më në zë të vendit qenë angazhuar për të zgjidhur çështjet e pronësisë së tyre.Shkurt, ajo që më rezultoi duke menduar këtë histori është se me ato paratë e tij të krimit e të drogës kush nuk është ushqyer: fshatarë që kanë shitur tokat, noterë që kanë bërë akte noteriale, hipotekarë që kanë regjistruar pronat, punonjës të bankës, avokatë, gjyqtarë. Këta më erdhën ndër mend si të lidhurit direkt, se pastaj në listën e atyre që kanë përfituar indirekt: më del se mund të futemi të gjithë: ndërtues që kanë shitur apartamente, shitës makinash, tregtarë gjithfarësoj mallrash që personi ka blerë, shteti që ka marrë taksa prej tyre e ka paguar funksionarë, pronarë restorantesh ku ka ngrënë e ka pirë, kamerierë, lavapjatës, kompani telefonike që kanë shitur celularë e kanë dhënë shërbim telefonik, media që kanë marrë reklama nga këto kompani, e me radhë, e me radhë. Nuk po llogaris këtu paratë që janë shpërndarë nën dorë, ku dyshoj se edhe policia duhet të ketë marrë shuka të mira për të bërë shurdhin dhe qorrin. Po ky është realiteti ynë, të thonë, pse çuditesh, kjo është vetëm maja e ajsbergut; ne me para droge e krimi kemi bërë çfarë s’kemi bërë: vila, pallate, markete, supermarkete ete… ete; bare, restorante ante… ante…; hotele, motele, ele… ele…; kartodrome, velodrome drome… drome…, pishina ina… ina…; televizione, one… one… e çfarë s’kemi bërë. Një ditë, madje, njëri më tha: “Nuk thua shyqyr që janë këta, se përndryshe çfarë do të hanim ne?”.Pikërisht lidhur me këtë ngrënie e kam fjalën, të dashur vëllezër shqiptarë, ndryshe të dashur bashkëngrënës shqiptarë. Dhe për të shpjeguar efektin e këtij ushqimi, po ju tregoj një histori që lidhet me një zbulim të fundit shkencor për të cilin dëgjova para disa ditësh. Ishte një lajm sipas të cilit, shkencëtarët kishin arritur të zbulonin mekanizmin se si ka dalë qeni nga ujku gjatë evolucionit. Zbulimi kishte nisur nga konstatimi se sistemi tretës i ujkut dhe ai i qenit qenkëshin të ndryshëm dhe këtë ndryshim, që ka ndodhur në një moment të caktuar të evolucionit, e përcaktuakan disa gjene të caktuara. Sipas shkencëtarit që po intervistohej, në një moment të caktuar të evolucionit paska ndodhur një ndryshim i sistemit tretës ndër kopetë e ujqërve që kanë pasur fatin të jetojnë në zona ku jetonte edhe njeriu. Një pjesë e tyre, dora-dorës, nga bashkëjetesa e afërt me njeriun, filluan të hanë ushqimin që hante edhe njeriu. Kuptohet se kjo u krijonte lehtësi mbijetese, pasi njeriu ishte më i zoti për të gjuajtur. Kjo bëri që me evolucionin sajë mutacionit, këtyre lloj ujqërve t’u krijohej tjetër sistem tretës – të bëhen pra qen – kurse ujqit që nuk e pësuan këtë ndryshim në ato zona u zhdukën.Ky ishte zbulimi me dy fjalë. Dhe a e dini se ç’më shkoi në mendje, të dashur vëllezër njerëz? Se këtej nga pylli ynë ka kohë që po ndodh e kundërta. Këtu jemi ne që po hamë nga ujqit e që po ndryshojmë sistemin tretës. Tani bëheni hesap vetë: ata që nuk po e ndryshojnë do ngordhin, kurse të tjerët do bëhen, siç janë bërë një pjesë tashmë, qenër të ujqërve. (Panorama, 1 shkurt 2013)
Wednesday, January 30, 2013
Christine von Kohl*
Kishte disa kilometra që makina jonë po ndiqte veturën e bardhë Wolsvagen me targën SK, të Shkupit, me të cilën e dija se udhëtonte gazetarja e njohur Christine fon Kohl. Kur lamë rrugën nacionale dhe hymë në një rrugë të ngushtë me gropa që të çonte për në fshatin Gradisht, diku, në një pikë të saj më të gjerë, makina e bardhë ndaloi dhe nga krahu i shoferit doli një grua me flokë të bardha në të argjentë, të prera shkurt me një trup shumë të rregullt që për t’u shkrythur nga mpirja e qëndrimit gjatë në sedilje filloi të bëjë disa lëvizje gjimnastikore duke ngritur e ulur krahët me frymëmarrje të thellë dhe duke përkulur e rrotulluar belin.Kështu e kam parë për herë të parë Christin von Kohl. Të paktën kështu e kam në kujtese sepse sot, kur rrekem të kujtoj diçka më të saktë se si e gjetën ata rrugën deri atje, se si ka mundësi që nuk u takuam më parë gjatë udhëtimit, nuk më del në mendje asgjë.* * *Ishte pranvera e vitit 1991, një kohë kur shumë shqiptarë pushtonin anijet dhe lundronin për në brigjet e Italisë e kur perëndimorët e parë filluan të bëjnë rrugën e kundërt: të vijnë në emër të ndihmës, të njohjes, të politikave, të kërkimit të bizneseve e tregjeve të reja. Unë sapo isha liruar nga burgu dhe kisha filluar të punoja si Sekretar i Forumit për të Drejtat e Njeriut që më pas u bë Komiteti Shqiptar i Helsinikit. Atë ditë isha nisur nga Tirana për në Gradisht, një nga fshatrat e internimit të familjeve të të persekutuarve nga diktatura, ku njerëzit vazhdonin të jetoni në një gjendje varfërie ekstreme. Ishim marrë vesh që rrugës do të takoheshim me një kamion me ndihma të Caritasit të Vienës që vinte nga Austria nëpërmjet Maqedonisë dhe me një makinë të marrë me qira në Jugosllavi, me të cilën udhëtonin gazetarja dhe aktivistja e të drejtave të njeriut Christin von Kohl dhe Marion Feik, e cila punonte për Caritasin.Takimi dhe njohja ime me to u bë në atë pikë të rrugës.* * *Në një sallë të madhe të Gradishtit, që dukej si magazinë, por ku thuhej se shfaqeshin ndonjëherë edhe filma, u mblodhën të gjithë të internuarit që banonin ende atje, me fëmijë dhe me pleq. Megjithëse ishte një ditë me diell atje brenda ishte shumë errët, pasi drita hynte vetëm nga dera që ishte në krye të sallës e nga disa dritare të vogla lart. Fytyrat e njerëzve pas rreshtave të parë mezi shquheshin. Fëmijët silleshin vërdallë duke u shfaqur në dritë e duke u zhdukur prapa në errësirë. Një përfaqësues i të internuarve prezantoi misionin humanitar për të cilin kishim ardhur dhe pastaj ia dha fjalën Christinës duke rikujtuar se ajo ishte shumë e njohur në çdo cep të Shqipërisë për shkak të historisë së arrestimit, disa kohë më parë, nga policia serbe në Kosovë.“Ato çka kemi sjellë – u tha ajo - janë gjëra të vogla, por kanë vlerën se janë shenjë që ne ju mendojmë.”Kamioni ishte plot me kutira kartoni në sejcilën prej të cilave kishte disa kile ushqime bazike si sheqer, fasule, makarona, qumësht pluhur, çokollata biskota.* * *Ato vite të para të pas komunizmit Christine erdhi shpesh në Shqipëri si gazetare dhe si përfaqësuese e Federatës së Helsinkit që e kishte zyrën në Vjenë. Si Sekratar i Komiteti Shqiptar të Helsinkit e kam shoqëruar shpesh aq sa u bëmë miq. Takimi ynë ishte takimi i dy botëve që kishin shumë kuriozitet për njëri tjetrin. Ishte koha “e artë” e dashurisë së re midis Perëndimit dhe vendeve ish komuniste si Shqipëria. Ishte edhe koha e njohjes reciproke gjithashtu. Dhe dashuria e njohja e ndihmojnë shumë njëra tjetrën edhe pse jo lehtësisht shkojnë dorë për dore për një kohë të gjatë së bashku. Mua më dukej se e njihja mirë historinë e së keqes shqiptare, e flisja më së shumti për këtë. Ndërkaq e idealizoja Perëndimin si vendin e lirisë dhe demokracisë prandaj dëgjoja me vëmendje të veçantë gjithshka më thoshin “misionarët” që vinin nga ajo botë. Edhe Christinën e shihja si një të tillë. Bisedat me të janë ndër bisedat e para që kam bërë me perëndimorët pas një qëndrimi prej 17 vjetësh në burg. Sytë e saj, njëri i gjelbër tjetri i kafët, ma bënin edhe më të veçantë këtë grua. Nga ana e saj ajo kërkonte të zbulonte një botë që ishte kaq e ndryshme nga e vetja, duke qenë kaq afër, me çudinë se si kishim mbijetuar ashtu për afro pesë dekada të izoluar. Takimi me mua dhe me tim atë që kishim dalë nga burgime të gjata si dhe me familjen time që gjatë gjithë kësaj kohe kishte jetuar në internim, në fshatra si Gradishti e prekte shumë dhe dukej se donte të bënte diçka për të na lehtësuar. Ndërhyri asokohe tek drejtori i Televizionin të Vjenës që im atë, Todi Lubonja, ish Drejtori i Radiotelevizionit Shqiptar, i shpallur si armik nga Enver Hoxha, të mund të operonte sytë për shkak se, kishte dalë nga burgu thuajse i verbuar nga katarakti. Në spitalet e Tiranës asokohe gëlonin infeksionet. Në librin e tij “Ankthi pa fund i lirisë” im atë ka shkruar me shumë emocion për ditët pas operacionit kur takoi në Vjenë Christinën duke e parë atë dhe qytetin, më në fund, me dritën e syve që i ishte kthyer.* * *Sekushi ka në jetë takime me njerëz nga ata të cilët i kanë shenjuar jetën. Zakonisht këta njerëz kanë autoritetin e më të moshuarit, të atij që ka më shumë përvojë, që është më i zoti se ty, që është më i njohur. Por nuk mjafton kjo: njerëzit e këtyre takimeve kanë edhe aftësinë të të krijojnë një ndjenjë ku admirimi, i cili kërkon një farë distance, mplekset me afërsinë dhe besimin që ata të krijojnë nëpërmjet modestisë, sinqeritetit, inteligjencës. Christine von Kohl ka qenë një nga këta njerëz për mua. Kujtimet që kam me të janë nga ata që sikur kanë mbjellje në mendjen time fidane që kanë zënë rrënjë atje e janë rritur me kalimin e viteve.Nuk e harroj se si gjatë njërit prej udhëtimeve të para për një nga qytetet e Shqipërisë, duke parë pejsazin e bukur e të larmishëm shqiptar, më tha:“Duhet të keni kujdes të mos bëni gabimet që kemi bërë ne.”“Për çfarë gabimesh e ka fjalën?” - i thashë, si i befasuar, pasi Perëndimi ishte ende për mua ideali i vendit për t’u imituar, jo për t’u korrigjuar.“Për shembull, mos e mbushni vendin me autostrada më tha.”“Po çfarë të bëjmë?” – e pyeta unë, që autostradat i shihja si simbol i Perëndimit të zhvilluar.“Zhvilloni hekurudhat” mu përgjegj, transportin publik. Për herë të parë prej saj dëgjova ide që sot janë një nga ndjeshmëritë e mija më të mëdha: ato kundër çimentifikimit kundër atij që quhet zhvillim në kurriz të ambjentit të cilësisë së jetës.Kritikat e Christinës ndaj Perëndimit në përgjithësi e ndaj politikave të tij në Ballkan në veçanti kanë qenë kontakti im i parë me kritikën ndaj asaj bote që e kisha idealizuar në errësirën e “kavernës“ së burgut. Nëse sot, kur analizoj mbrapështirat e zhvillimeve paskomuniste shqiptare, nuk mjaftohem me gjetjen e shkaqeve të tyre vetëm tek e kaluara totalitare, por edhe tek shumëçka prej neoliberizmit të shfrenuar e prej politikave neokoloniale që na solli Perëndimi, e di se fillimet e këtij mendimi kritik për mua kanë qenë bisedat me Christinën.Me të gjithë sjelljen e saj ajo tregonte se nuk vinte në Shqipëri me ndjenjën e superioritetit të qytetërimit Perëndimor, por me dashurinë për njeriun e për të vërtetën; për t’u dhënë më të mirën e saj njerëzve që i konsideronte si të barabartë me të. Kolegu i saj suedez Gerald Nagler, Sekretari i Komitetit të Helsinkit më 1991, më tregonte asokohe për një takim që kishte pasur me Havelin dy vjet më parë. Në bisedë e sipër e kishte pyetur: “Më thuaj, çfarë mund të bëjmë ne për ju?” Haveli i ishte përgjigjur: “më duket se kjo është një pyetje e gabuar pasi çështja nuk shtrohet: ‘çfarë mund të bëni ju për ne’, por ‘çfarë mund të bëjmë ne të gjithë për njëri-tjetrin’, pasi jemi në të njëjtën barkë.” Christina ishte një ndër ata që e rrezatonte me gjithë qënien e mendimet e saj se ndjehej në të njëjtën barkë.* * *Duke vizituar Shqipërinë Christina po mësonte jo vetëm mbi të keqen shqiptare të diktaturës por edhe për pasojat e saj në të tashmen. Dhe, sikurse thashë, shpesh ndodh që njohja dhe dashuria nuk ecin bashkë për një kohë të gjatë.Nuk i harroj përpjekjet e saj për të organizuar në Vjenë, sëbashku me Marion Feikun e Caritas, një ekspozitë me punë të piktorëve të persekutuar shqiptarë. Ajo synonte të bënte një gjë sa më përfaqësuese, por e pati shumë të vështirë të gjente bashkëpunimin e disa prej piktorëve. Atë e tërhoqi shumë historia e një pikture të socrealizmit, që ia kishte treguar im atë, ku paraqitej një partizan që kishte në krah shokun e tij të plagosur në një pejsazh dimëror me borë. Kur e kishin parë cenzorët zyrtarë, përpara se të ekspozohej, e kishin cilësuar të paekspozueshme pasi shumë pesimiste. Atëhere piktori, për t’i dhënë optimizëm, kishte shtuar edhe një monopat në horizont ku dukej brigada me flamurin e kuq në ballë që vinte përdrejt tyre. Por përsëri ajo nuk e kishte kaluar cenzurën. Shkuam e pamë pikturën në fondin e Galerisë së Arteve. Asaj i pëlqeu dhe mendoi ta ekspozonte pasi fliste shumë për historinë e artit socrealist në Shqipëri, por një nga piktorët i tha se do t’i tërhiqte pikturat e tij po të merrej ajo pikturë pasi autori nuk bënte pjesë në të persekutuarit. Ajo u detyrua të mos e merrte, ndonëse shkroi për historinë e saj në tekstin e katalogut të ekspozitës. Një piktor tjetër pretendonte se ekspozita duhet të kishte vetëm me veprat e tij, përndryshe nuk do t’i sillte të vetat. Një ditë pasi doli e lodhur nga njëra prej studiove ku kishte dëgjuar të derdhej helm nga një piktor mbi njërin prej kolegëve të tij, më tha se ky mosbesim i thellë ndaj njëri tjetrit ishte një nga pasojat më të këqija të diktaturës, që do ta vuanim shumë. Megjithatë ajo e çoi deri në fund këtë punë. Shumë vepra u ekspozuan. Midis tyre ishte edhe një punë e piktorit Arben Theodhosi që kishte një histori të veçantë. Në studion e tij Christinën e tërhoqi një punë që autori e kishte lënë mënjanë si pa rëndësi. “Po këtë pse e ke lënë këtu?” - e pyeti. “Është e papërfunduar” - i tha ky dhe i shpjegoi se ishte një prekje që kishte bërë mbi njërën nga radiografitë e mushkërive të tij të bërë, për kontroll nga silikoza, kur kishte punuar në minierë si i internuar. Mbi hijet e zbardhura të kockave të toraksit ai kishte theksuar me akrilik në monokrom kryqin që formon shtylla kurrizore me klavikulat. “A mund ta ble unë kështu siç është?”. ”Ta dhuroj me kënaqësi.” - i tha Beni. Christina e mori dhe, kur u hap ekspozita, pamë se e kishte ekspozuar edhe këtë punë sëbashku me historinë e saj. Më pas e kam parë shepsh këtë punë në një nga muret e shtëpisë së Christinës.* * *Gjithnjë kam menduar se takimi me Presidentin e parë antikomunist Sali Berisha në verën e vitit 1992 ishte një pikë kthese në raportet e Christinës me Shqipërinë, që, sipas meje, ndikoi në ftohjen e saj me shqiptarët, ndonëse ajo s’foli kurrë për një ftohje të tillë.Sapo u bë President, pas zgjedhjeve të marsit 1992, Berisha filloi luftën ndaj kundërshtarëve dhe pastrimin e rivalëve me metodat e atyre që asokohe u quajtën më të këqijtë e komunistëve: komunistët e kthyer në antikomunistë. Një numër intelektualësh me rëndësi ishin përjashtuar apo larguar nga Partia Demokratike e sapokrijuar, një numër gazetarësh kishin dhënë dorëheqjen nga gazeta e parë antikomuniste Rilindja Demokratike. Edhe Komiteti ynë, që kishte lindur nga e njëjta lëvizje opozitare që kishte lindur edhe Partinë Demokratike të Berishës, por që tashmë i takonte t’i bënte kësaj kritikën, ishte nën presion për t’u kthyer në “levë të partisë” së Berishës. Christina kishte botuar edhe një shkrim në Standart ku prekte problemet e reja që po lindnin në Shqipëri.Një ditë ajo erdhi në Tiranë sëbashku me Sekretarin e ri të Federatës së Helsinkit, polakun Novicki, që asokohe kishte zëvendësuar Gerald Naglerin. Pasi folën me shumë njerëz i kërkuan takim Presidentit për të biseduar mbi problemet e reja të të drejtave të njeriut që gjetën në Shqipëri. Presidenti na priti një ditë të treve: Christinën, Novickin dhe mua.I pari e mori fjalën Novicki. Me një gjuhë mjaft diplomatike, duke iu referuar eksperiencës së vendit të tij dhe Solidarnosit, ku kishte bërë pjesë, ai i tha Berishës se pas fitores së opozitës demokratike në fillim ata kishin menduar se tashmë gjithshka ishte në rregull, por shumë shpejt kishte dalë se çështja e mbrojtjes së të drejtave të njeriut mbetej një çështje e rëndësishme edhe në demokraci. Pastaj shpjegoi se si gjatë vizitës dhe kontakteve të shumta në Shqipëri ai dhe zonja von Kohl kishin krijuar një tablo të problemeve kryesore që i dilnin Shqipërisë në fushën e të drejtave të njeriut. Dhe pas kësaj e ftoi Christinën të hynte në detaje.Mirëpo Presidenti Berisha ndërhyri përpara se ajo të fillonte të fliste. I tha Novickit se kishte për t’i bërë një pyetje “kësaj zonje” dhe pastaj vazhdoi t’i fliste atij, jo Christinës, se ai ishte shumë i mërzitur që “this lady” paskësh shkruar një artikull në Standart në të cilin thuhej se Shqipëria qënkej në prag të luftës civile, çka - tha ai - nuk është e vërtetë: populli shqiptar po shkon paqësisht drejt një shoqërie demokratike dhe një deklaratë e tillë e dëmtonte Shqipërinë sepse trembte investitorët e huaj. Pastaj - vazhdoi të akuzojë Presidenti - “kjo zonjë”, në të njëjtin artikull, kishte marrë rolin e avokatit të familjeve të “bllokmenëve” (kështu filluan t’i quanin asokohe udhëheqësit kryesorë komunistë pasi kishin jetuar në një zonë të mbyllur të Tiranës që quhej “Blloku”), të cilat janë “criminal families” që mund të mbrohen në gjyq, por jo nga aktivistët e të drejtave të njeriut.Presidenti Berisha po vazhdonte të fliste pa iu drejtuar Christinës personalisht derisa më në fund ajo e humbi durimin, dhe i tha:“Zoti President, po flisni me Christine von Kohl apo për Christine von Kohl? Ju lutem, unë jam këtu, flisni me mua, jo për mua.”Berisha e pati shumë të vështirë ta dëgjonte pa e ndërprerë. Christina e pyeti nëse e kishte vënë re shenjën e pikëpyetjes në fund të titullit të artikullit të saj: “A do të shkojë Shqipëria në luftë civile?” Ky rrezik ishte vënë në dukje nga Christina duke parë konfliktualitetin e fortë që ishte krijuar në Shqipëri për shkak të së kaluarës, por lidhej edhe me çështjen e bllokmenëve, që ishte bërë problem i Federatës së Helsinkit pasi disa familje bllokmenësh u kishin dërguar letra organizmave ndërkombëtare, mes tjerash edhe Federatës, ku ankoheshin për shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj familjeve të tyre. Christina i referohej kësaj historie në artikullin e saj për të treguar se mentaliteti patriarkal dhe ai prej klani kishin rrënjë ende të fuqishme në Shqipëri dhe kjo i bënte shqiptarët që të projektonin fajet e atit tek i biri apo të identifikonin atin me birin apo nipin,Këtë mentalitet po ia provonte edhe Presidenti ku vazhdimisht përdorte termin “familje kriminale”, aq sa Christina u detyrua t’i thotë se një nga krimet më të rënda të Enver Hoxhës ishte pikërisht ai që, për një person, dënonte të gjithë familjen dhe se shpresonte ta kishte keqkuptuar Presidentin, se nuk besonte që ai të ndiqte të njëjtat parime me ato të ish-diktatorit.Takimi u mbyll shumë keq. Zyra e Shtypit e Presidentit lëshoi pas disa ditësh një njoftim mbi takimin në të cilin ironizohej sikur presidenti i kishte thënë me ironi zonjës von Kohl se ajo mund të vinte të bëhej avokate e bllokmenëve në gjyqin e tyre. Këtë njoftim për shtyp e pasuan disa artikuj në gazetën e partisë së Presidentit, me sulme të shëmtuara ndaj saj.Pas pesë vjetësh qeverisjeje të Berishës, me rënien e piramidave financiare Shqipëria u gjend vërtet në prag të hunerës së një lufte civile. Berisha akuzoi për këtë revanshin e klaneve ish komuniste. Artikulli i shkurtër i Christinës po i dilte profetik. Ai artikull është aktual edhe sot, pas njëzet vjetësh, po të kesh parasysh se midis dy partive kryesore, asaj ish komuniste dhe asaj të Berishës vazhdon një konfliktualiteet që e çon vendin shpesh në zgrip të instabilitetit ndërkohë që në bazë të diferencave të tyre nuk qëndrojnë programe e vizione të ndryshme për botën, por përkatësi klanore familjesh të mpleksura me interesa të mëdha ekonomike e financiare.* * *Gjatë viteve kontaktet e Christinës me Shqipërinë u rralluan, por nuk u ndërprenë kurrë. As interesi i saj për të mësuar dhe për të treguar në revistën “Ballkan” për zhvillimet e reja. Edhe unë nuk i humba kurrë kontektet me të edhe pse ato u rralluan. Takoheshim herë pas here kur kaloja në Vjenë ose flisja me të në telefon. Nga çdo takim e bisedë më duket sikur më ka mbetur diçka në mendje, e pashlyeshme.Pasi i shoqi i saj Libal kaloi të nëntëdhjetat dhe filloi të rëndohet me shëndetin më kujtohet se i telefonova një ditë për ta pyetur se si ishte ai me shëndet. E pyesja me një shqetësim të dyfishtë pasi nuk më shqitej nga mendja diçka që më kishte thënë shumë vjet më parë, në kohën e udhëtimeve të saj të shpeshta në Shqipëri, mikja e jonë e përbashkët Marion Feik: se jeta e Libalit ishte shumë e rëndësishme për të pasi here pas here ajo kishte shprehur mendimin se me vdekjen e së shoqit ajo mund të humbiste një motiv të rëndësishëm për të jetuar e mund t’i jepte fund jetës. Gjatë telefonatës Christina më tha diçka për shëndetin e Libalit, por fraza që më mbeti në mendje ishte: “nuk është mirë që njeriu të jetojë kaq gjatë”.Disa muaj pas vdekjes së Libalit u takuam një ditë në Vjenë. Kishte ardhur e ftuar për të ndjekur punimet e një Konferencë të organizuar nga Universiteti i Vjenës me temë “Shqiptarët dhe feja” ku merrja pjesë edhe unë. Në mbarim të njërës nga seancat hëngrëm darkë në një restorant në qendër ku u ulëm bashkë pranë njëri tjetrit. E pyeta si ishte me shëndet. Më tha se kishte kancer. Unë u trondita, por ajo ndërhyri për të më thënë se ishte shumë e qetë. Dukej sikur e kishte bërë tashmë paktin me vdekjen.Bisedën e fundit e bëmë dy tre muaj përpara se të vdiste. E mora në telefon për ta pyetur se si ishte me shëndet. Më tha se ishte mirë. Pastaj nuk di se si biseda kaloi në temën e identitetit. Ndoshta ngaqë unë i tregova se isha përfshirë në një debat mbi çfarë ishte identiteti evropian i shqiptarëve. I thashë se kisha shkruar për identitetin si varfërim në kuptimin që ai e thjeshtëzon kompleksitetin e qënies sonë.“Njerëz si unë dhe si ti nuk kanë nevojë për identitetin.” – më tha. Këto janë fjalët e fundit që mbaj mend nga Christina.Kur mësova për vdekjen e saj nuk di pse imazhi i parë që mu shfaq ishte ai i asaj gruas së fortë dhe energjike që doli nga makina në rrugën që çonte për Gradisht dhe filloi të lëvizte krahët lart e poshtë duke bërë frymëmarrje të thellë. Pastaj mu kujtuan fjalët e Marion Feikut që më kishte thënë se ajo kishte një obsesion që, nëse do të vdiste Libali, ajo do t’i jepte fund jetës. Dhe pastaj mu kujtuan fjalët e fundit që kisha dëgjuar prej saj mbi identitetin dhe mendova se ndër të gjithë njerëzit që kam njohur ndoshta Christinës, më shumë se kujtdo tjetër, i shkonin fjalët e Renanit se “njeriu nuk i përket as gjuhës as racës së vet: ai i përket vetëm vetes së tij, sepse është një qënie e lirë, dmth një qënie e moralshme.” (Panorama 29 janar 2013)*Ky shkrim memuaristik i Fatos Lubonjës është botuar në një libër me kujtime për Christine von Kohl që vdiq më 23 janar 2009 me titull: Sprich günstig mit dem Balkan (Fol mirë për Ballkanin) EditionAtelier Vienë nen kujdesin e Vedran Dzihic, Herbert Maurer. Po e botojme me rastin e katër vjetorit të vdekjes së saj.
Subscribe to:
Posts (Atom)
-
Është e dyta herë që se në qytetin e Lezhës një grup jo i vogël personash, kryesisht të rinj, por jo vetëm, - sipas disa mediave deri në 40...
-
Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndod...
-
Ndërkohë që në Shqipëri flitet aq shumë për hapjen e kutive të votimit ka nisur edhe një debat tjetër i cili, edhe pse jo aq i nxehtë sa i p...






