Wednesday, May 1, 2013

Loja para dhe prapa fasadës

Çfarë po ndodh - pyesin shumë. Me KQZ jemi apo pa KQZ? A do të bëjmë zgjedhje apo jo? Ku po shkojmë? Çfarë rreziqesh kemi përpara? Nga sa ve re shumica e njerëzve këto pyetje i bën me një kuriozitet që do ta mbiquaja të mefshtë, ngase ndjehet përvoja e gjatë zhgënjyese.
Në fakt le të bëjmë pak kronikë duke i bërë thirrje sadopak edhe kujtesës. Kalimi i Ilir Metës ne kampin tjetër nuk se ishte ndonjë gjë e re. Kalime të tilla kane ardhur duke u shtuar nëper vitet me partitë apo personat e ashtuquajtur satelitë. Ky ishte disi më skandaloz, pa dyshim, por edhe me këtë rritje doze të skandalit jemi mësuar. Mjaft të kesh parasysh deklaratat e Berishës para do kohe kur tha se gjithë ç'kishte thënë e bërë kundër Nanos (duke e akuzuar për vrasës dhe vjedhës)  kishin qenë ndoca llafe "elektorale" apo se në zgjedhjet për Tiranën LSI-ja tërhoqi në krahun kundër Ramës partinë e Hysni Milloshit.
Ishte e pritshme gjithashtu që me ketë logjikë Berisha të largonte të gjithë të punësuarit e LSI, edhe pse me ligj administrata duhet të jetë e depolitizuar. Edhe me rritjen e dozës së emërimeve dhe shkarkimeve në funksion të klientelës jemi mësuar.
Duke patur parasysh këto nuk mund të mos ishte e pritëshme që Berisha të hiqte edhe të propozuarin nga LSI në KQZ. Nuk ka burrë nëne të besojë në këtë Shqipërinë tonë se dikush mund të propozohet e zgjidhet në ato vende nisur nga mendimi se është njeri i ndershëm që do të verë ligjin përpara gjithshkaje. Të gjithë e dimë se propozimi dhe zgjedhja e antarëve të KQZ bëhet mbi pyetjen: a është me ne ky apo kundra nesh?
Ndërkaq duhet të ndalemi pak këtu. Thashë "të propozohet" sepse, sipas ligjit, antarët e KQZ vetëm propozohen nga maxhoranca dhe opozita, madje duke u përzgjedhur jashtë politikës, por këta bëjne betim se do të sillen si të pavarur dhe mandati i tyre zgjat më shumë sesa një legjislaturë. Pra, ligjërish, ata konsiderohen si të pavarur nga urdhërat e politikës çka i detyron të luajnë një dopio lojë. Njëra është fasada, betimi se do t'i sherbëjnë vetëm ligjit, që bëhet kryesisht për shkak të ndërkombëtarëve; tjetra është ajo që ata bëjnë dhe kanë bërë realisht: zbatimi i urdhërave të atyre që i kanë propozuar/zgjedhur. Dhe tashmë ky është bërë  sistemi me të cilin jetojmë gati pa e vënë në diskutim, dy fytyrat kryesore të të cilit janë: një bandokraci, ku kapobandat, ndërtojnë apo prishin aleancat sipas interesave të tyre dhe një fasadokraci ku ligji shërben si një gjethe fiku deri aty ku nuk prish punë, sidomos për sytë e ndërkombëtarëve, sepse, përndryshe, i nxjerrim organet e bandës jashtë dhe as na bëhet vonë fare.
Kësisoj, sipas logjikës së bandokracisë ishte e qartë se anëtari i KQZ do të ndrrohej nga Berisha dhe se lufta për të mbajtur të vetin nga Meta e Rama ishte luftë për epërsi jo për pavarësi të KQZ-së. Ndërkohë nga reagimi ndërkombëtar, në emër të fasadokracisë Berisha zgjodhi ta shkarkojë nënkryetarin e KQZ duke i gjetur një kleckë në biografi që deri  pak më parë nuk e paskërka ditur (?!).
Disa që besojnë ende se këtu tek ne komandojnë ndërkombëtarët thonë se në këtë situatë Edi Rama dhe Ilir Meta do të duhej të vazhdonin denoncimin e këtij akti të paligjshëm duke ia lënë Berishes të gjithë përgjegjësinë për prishjen e zgjedhjeve dhe të Komisionit Zgjedhor dhe jo të bënin atë që bënë: kundersulmin duke tërhequr të propozuarit e tyre duke e lënë kështu vendin pa Komision Zgjedhor sepse me këtë akt provuan se edhe të zgjedhurit/propozuarit e tyre janë politikë. Dhe, gjithë sipas këttyre zërave, kjo bëri që ndërkombëtarët të rikonfirmojnë mendimin se Rama është një partner jo kredibël.
A kanë të drejtë? Duke iu referuar lojës së dyfishtë unë do të thoja "jo" sepse kjo do të thoshte që Edi Rama dhe Ilir Meta të vepronin vetëm sipas logjikës së fasadokracisë e të harronin se loja e vërtetë është ajo e bandokracisë. Kur shpallën kundërsulmin ata treguan qartë se ka më shumë rëndësi ajo që ndodh prapa fasadës, bandokracia, sesa fasadokracia. Madje edhe ndërkombëtarët kanë nevojë jo vetëm për "karrotën' e fasadës, por edhe për "shkopin" e bandës. Sepse tashmë roli i tyre i dështuar në fasadë dihet përmendësh. Shumë shumë mund të bëjnë ndonjë deklaratë që Berisha do të përpiqet ta balancojë duke marrë deklaratat e ndonjërit nga ata të Partive Popullore Evropiane. Prandaj duhet ta fusim vendin në krizë aq thellë, deri në atë pikë, sa ndërkombëtarët të detyrohen të ndërhyjnë. Madje edhe me ushtri si në 97-tën, po të jetë e mundur.
Ndërkaq edhe Berisha nga ana e tij e di se më e rëndësishme është loja prapa fasadës sesa ajo para fasadës. Edhe ai e di se ndërkombëtarët kanë një limit në fuqinë e tyre për të vepruar. Ata nuk mund as të shkarkojnë as të emërojnë kryetarë partie, kryeministra apo antarë të KQZ-së,  as mund të shpallin fitues apo humbës në zgjedhje. Aq më pak kanë ata  mundësi të futen në lojën prapa fasadës. Berisha ka po ashtu parasysh se nuk është gjendja e 97-tës; se njerëzit kanë aq përvojë tashmë sa të mos ndjekin qorrazi drejt kryengritjes njerëz që sapo marrin pushtetin fillojnë e vjedhin e bëjnë kërdinë.
Jemi kështu në rrethin vicioz ku na ka futur kjo lojë e dyfishtë për të cilin ka punuar sistematikisht politika jonë dhe në të cilën janë bërë lojtarë  edhe ndërkombëtarët. Nuk është gabim të thuhet se është një situatë që nuk ka zgjidhje demokratike. Dhe nuk mund të ketë zgjidhje demokratike në një sistem që është ndërtuar për të mos qenë demokratik. Normalisht ne jemi të gjithë të përgatitur për të parë se cili është më i forti. Edhe kalimi i LSI në krahun e Ramës u bë me këtë logjikë. Vini re: sikur njerëzit të kishin shpresë se me opozitën gjendja në të cilën janë katandisur do të ndryshonte do t'i kishe sot tek selia e Komisionit Zgjedhor duke protestuar dhe nuk do të shkuleshin prej andej pa u vene e drejta në vend. Por ne popullin e kemi zevendësuar me ambasadorin amerikan i cili bën ndonjë deklaratë që ze faqet e para të lajmeve në medjat opozitare, por që harrohen të nesërmen.
Në fakt e gjithë kjo lojë po ngushtohet brenda një ringu që bëhet gjithnjë e më i vogël ndërkohë që pjesa më e madhe e njerëzve qëndron jashtë tij pasi është indiferente apo ka frikë të përfshihet në boksin e rradhës. Metaforikisht duhet thënë se në këto kushte do të duhej zëvendësimi i ambasadorit amerikan me popullin që do të thotë edhe kalimi i lojës politike nga ringu i bandokracisë dhe fasadokracisë në fushën e gjerë të demokracisë, por, fatkeqësisht s'duket asgjë e tillë në horizont. Ne jemi në pritje të ndeshjes së rradhës së boksit që ia njohim stilin, por që, megjithatë, të renë dhe rreziqet i ka në procesin e degradimit të vet. Dhe ky degradim na thotë se, të paktën psikologjikisht, duhet të përgatitemi që zgjedhjet do të jenë një ndeshje shumë e vështirë. (Panorama, 25 prill 2013)

Thursday, April 18, 2013

Marrëveshja Rama - Meta si çështje morale


Në një shkrim të para do kohësh, kur ishte hedhur tashmë ideja se duhet të bashkoheshin të gjithë qelbësirat kundër Berishës, kam shkruar se ky veprim mund të kthehet në bumerang për ata që shpresojnë se kjo do të na nxirrte nga e keqja. (Berisha si alibi, “Panorama”, 22 dhjetor 2012.)

Kur them “bumerang” kam parasysh sepse, në princip, e mira nuk ecën përpara nëpërmjet luftës së të këqijve, përkundrazi, pasi kjo është si të thuash se do të shpëtojmë nga mafiozët ngase ata do të vrasin njëri-tjetrin, ndërkohë që historia tregon se mafia dhe metodat e saj kështu fitojnë më shumë terren. Me fjalë të tjera, kjo lloj lufte mund ta shtyjë Berishën të mbrohet me të njëjtat mjete, duke i akuzuar kundërshtarët e tij si koalicion i qelbësirave, siç u shpreh së fundi për marrëveshjen Topalli, dhe të përdorin edhe ata çdo mjet dhe qelbësirë. Dhe duket sheshit se kjo garë po ndodh, madje ka kohë që ndodh – e kësisoj ne rrezikohemi të përjetojmë një përkeqësim të qelbësirllëkut.

Këtij rreziku që na godet të gjithëve do t’i shtoja edhe një tjetër, që mund të godasë protagonistët e marrëveshjes. Kur ke parasysh se ç’kanë bërë e thënë deri dje ndaj njëri-tjetrit e për njëri-tjetrin Edi Rama dhe Ilir Meta, e sot i sheh të bashkuar, nuk mund të mos mendosh se paturpësia e klasës sonë politike ka arritur kulmin. Pra një faktor tjetër bumerangu mund të jetë fakti se imoraliteti i marrëveshjes Rama – Meta ka shokuar jo pak opinionin publik, çka do të thotë se mund të rrisë në mënyrë të konsiderueshme numrin e abstenuesve apo të atyre që nuk do ta votojnë këtë opozitë kësisoj.

Për të zbutur njëfarësoj këtë efekt zhgënjimi, një pjesë gazetarësh e opinionistësh, duke analizuar marrëveshjen Rama – Meta, kanë përdorur termin “pragmatizëm”, duke i quajtur “moralistë” ata që në një mënyrë apo në një tjetër kanë shprehur zhgënjimin e tyre me këtë marrëveshje.


Disa vërejtje gjuhësore


Në këtë pikë mendoj se ia vlen të bëjmë ndonjë vërejtje gjuhësore.

Së pari, ka një keqkuptim tek ata që mendojnë se “pragmatist” është e kundërta e një “moralisti”, apo se një pragmatist është një qenie që e shkel të moralshmen për të arritur suksesin. Filozofia pragmatiste nuk na mëson kurrsesi përdorimin e çdo mjeti imoral për arritjen e suksesit. Ky mund të quhet “makiavelizëm” në kuptimin e keq që ka marrë ky term – si një keqkuptim dhe thjeshtëzim i Makiavelit – e që e ka përdorur Meta për Ramën jo shumë kohë më parë. Kurse pragmatizmi na mëson se vetëm ato ide apo akte që rezultojnë të suksesshme ngase janë provuar nga përvoja njerëzore janë të vlefshme dhe të vërteta. Për shembull, kur themi se dashuria është më e mirë se urrejtja – sipas pragmatistëve – nuk se kemi ndonjë teori për ta provuar se kjo ide/bindje e jona është vërtetë, por kemi diçka shumë më të rëndësishme: një përvojë praktike që na e ka provuar koha. E njëjta gjë mund të thuhet për ndershmërinë në raport me vjedhjen, sinqeritetin në raport me gënjeshtrën etj. Në këtë kuptim pragmatistët pranojnë edhe rolin e feve dhe të mësimeve të tyre morale që përvoja njerëzore i ka provuar si të vlefshme për njeriun dhe shoqërinë.

Së dyti, një pjesë shkruesish apo komentuesish përdorin edhe konceptin “amoral/amoralitet”. Vë në dukje se ka një diferencë midis termit “amoral” dhe atij “imoral”. Amoral ka më së shumti kuptimin e mungesës së moralit apo indiferencës ndaj moralit atje ku s’ka kuptim që ky të ekzistojë p.sh. në botën e kafshëve apo, sipas disa filozofive, në ligjet e historisë. Natyra është amorale. Shteti, në kuptimin e një mekanizmi impersonal, është amoral. Kafshët që përdorin çdo lloj dredhie për të shtënë në grackë prenë e tyre janë amorale, sepse për to nuk ekziston morali. Kurse vertebrori hommo sapiens, ndryshe njeriu, është qenie morale, d.m.th. e di ç’është moralja dhe, kur e shkel apo nuk e respekton atë, mbiquhet imoral, jo amoral. Është e vërtetë se moralet njerëzore mund të jenë të ndryshme, por ka disa principe, si p.sh. ato “mos vidh”, “mos gënje”, “mos mashtro”, “mos ia bëj tjetrit atë që s’do të ta bëjnë ty” e që lidhen direkt me politikën që i gjen në cilindo syresh. Rama me Metën kanë dhënë prova se e njohin se ç’është moralja, – përndryshe nuk do të mund të thoshin tërë ato që kanë thënë për njëri-tjetrin në sy të publikut, duke dashur të prekin shqisat e tij morale – prandaj sipas meje është më saktë të quhet ky akt imoral, sesa amoral.


* * *


I shkrova këto për të vënë në dukje se në një vend si ky i yni, ku “çështja morale” (term ky i futur në gjuhën e politikës italiane nga Berlinguer në Italinë e korruptuar të viteve ‘80), si çështje e moralizimit të politikës, ashtu sikurse edhe e edukimit të njeriut, është gjëja më e rëndësishme për të cilën kemi nevojë sot. Në fakt, është çështja që ka të bëjë pikërisht me ndryshimin që presim. Pra nuk mund kurrsesi të legjitimosh imoralen duke e quajtur “pragmatizëm” apo “amoralizëm”, madje as ta relativizosh atë sepse zhdukja nga bota jonë politike e së mirës si pikë referimi mund të ndikojë që njerëzit ta humbasin orientimin moral deri në atë pikë sa të bëhen më keq se kafshët. “Individi njerëzor ka qenë gjithmonë rezultat i një investimi të madh në shkollim dhe kulturim. Mirëpo ka nga ata pushtetarë të radhës që tentojnë ta zhbëjnë avantazhin e madh të edukimit dhe të përdorin material tjetër për të na ndërtuar një shtet milingonash. Këta zotër që e pandehin veten të plotfuqishëm bëhen kësisoj përgjegjës për degradimin e vetë natyrës së njeriut, sepse, nëse një njeri do të reduktohet në rolin e milingonës, jo vetëm do të reshtë së qeni njeri, por nuk do të jetë më as edhe milingonë e mirë”. (Norbert Wiener)

Kësisoj, ata që e kanë përkufizuar debatin që është zhvilluar kohët e fundit si debat midis “moralistëve” dhe “pragmatistëve”, sipas meje kanë kryer një akt depistimi nga debati/et që duhet të ngjallte kjo marrëveshje.


Debati që duhet bërë


Në thelb çështja e kësaj marrëveshjeje ka të bëjë pikërisht me thellimin e shndërrimit të elektoratit në milingona. Si e tillë, marrëveshja Rama – Meta dhe kontradiktat që paraqet ajo në kontekstin që po jetojmë e që shprehen edhe në shkrime e komente të shumta gazetarësh e njerëzish të thjeshtë, sipas gjykimit tim, duhet të nxitin zhvillimin e një debati/debateve të tjera në funksion të rilindjes morale të shoqërisë, të demilingonizimit të njeriut shqiptar.

Prandaj, sipas meje, debati mbi marrëveshjen Rama – Meta do të duhej të fokusohej në çështjen: a mund të reformohet së brendshmi ky sistem politik, ekonomik, mediatik mafioz që kemi ngritur dhe kjo kastë njëzetvjeçare që është ndërtuesja dhe interpretuesja e këtij sistemi, apo kjo është e pamundur dhe prandaj duhet ose të krijojmë forca të reja ose të presim rënien e këtij sistemi nëpërmjet kalbëzimit dhe degjenerimit të tij përfundimtar? Sipas gjykimi tim, ajo që bëri Rama tregoi se ai, ndryshe nga ç’kishte trumbetuar, qoftë edhe disa ditë më parë, nuk beson se ky sistem dhe kjo kastë ka fuqi të reformohet apo “rilindë” së brendshmi ngase aktorët janë tejet të komprometuar me të, për të mos thënë “moralisht të vdekur” sepse janë sistemi vetë dhe nuk kanë asnjë interes që ky të ndryshojë. Në këto kushte, debati shtrohet edhe në pyetjen: a duhet të vazhdojmë ne të besojmë se rotacioni në pushtet i kësaj kaste politike është rruga e zhvillimit dhe ndryshimit – që tek e fundit do të thotë pikërisht një zgjim moral i shoqërisë – apo duhet të synojmë një farë revolucioni – sigurisht paqësor? A mund të shpresojmë ne – me këto që po shohim – se me kohën këto parti do të demokratizohen duke nxjerrë liderë të rinj më të moderuar, më mendjendritur, më të moralshëm, apo këto parti do të mbeten tërë jetën klane/banda në duart e padrinove të tyre Berisha, Rama, Meta dhe klaneve që i mbështesin, e do të vijnë gjithnjë e më shumë duke u degraduar mendërisht dhe moralisht?

E konsideroj debat të hapur, nuk pretendoj të jap përgjigje të padiskutueshme. Por në këtë debat karrigia ime është ajo e atij që mendon se marrëveshja Rama – Meta, cilido që të jetë rezultati elektoral që mund të sjellë ajo, nuk duhet të na fshijnë nga mendja se opozitarizmi i vërtetë është ai që do t’i kundërvihej krejt sistemit dhe krejt klasës politike ekonomike mediatike që ka qeverisur vendin në këta njëzet vjet, në nivele qendrore dhe lokale, e se kjo duhet bërë duke dhënë shembullin se vetë jemi të ndryshëm në atë që bëjmë përditë. Se ne nuk jemi nga ata që ulen me kriminelë, vrasës, trafikantë, hileqarë e mashtrues gjithfarësh për të ndarë pare e pushtet me ta. (Panorama, 17 prill 2013)

Friday, March 29, 2013

Pa rrip sigurie

Nuk mund të mos të të bjerë në sy se shumë shqiptarë që ngasin makinën apo ulen në sediljen e parë të pasagjerit, veçanërisht meshkujt, refuzojnë ta venë rripin e sigurisë; u duket si zhburrërim, si përtesë, si mungesë lirie a ku di unë. Shumë syresh, madje, për të evituar atë sinjalin "pi - pi - pi...", që bëjnë makinat e reja, e kalojnë rripin mbrapa sediljes, e fusin pastaj tek ajo kllapa dhe rrinë rehat për shtatë palë qejfe.
Megjithatë unë kam bindjen se shumica  e këtyre shqiptarëve nuk do ta blenin një makinë që nuk ka rripa sigurie sepse do t’u dukej e vjetër, e dalë mode, jo evropiane, jo në përputhje me statusin që kërkojnë të kenë etj..
Ky raport që kemi me makinat e reja dhe rripat e tyre të sigurisë më duket një metaforë e mirë për të shprehur raportin tonë me shtetin e së drejtës, për të cilin një politolog i njohur thotë se demokracia ekziston vetëm një ditë, atë të zgjedhjeve, kurse tërë periudha që e pason, deri në zgjedhjet e ardhshme, është (apo duhet të jetë) shtet i së drejtës.
Paradoksalisht shqiptarët, veçanërisht shoferët tanë, edhe nuk i duan rripat e sigurisë së makinës së shtetit të së drejtës edhe nuk duan një makinë pa rripa. Këtë paradoks e ndesh shpesh sot jo vetëm duke parë sjelljen e politikanëve tanë, por edhe kur dëgjon rëndom njerëz të të thonë se ne nuk jemi të pjekur për demokraci, prandaj na duhet një juntë ushtarake, se ne nuk jemi pjekur për heqjen e dënimit me vdekje, prandaj duhet ta rikthejmë atë, se ne duhet të presin edhe tridhjetë vjet për paradën gay&lesibian etj. e ndërkaq mbi 90% deklarojnë se duan të hyjnë në "makinën" Evropë ku ekiziston rripi i sigurisë/ligjet që të mbrojnë nga pushtetet e juntave, ku nuk aplikohet dënimi me vdekje apo që garanton të drejtat e hmoseksualëve.
Pasja e një makine me rripa sigurie do të duhej të na induktonte mënçurinë për ta përdorur rripin, duke menduar se ky është fryt i një përvoje. Të mësosh nga gabimet e të tjerëve i thonë kësaj. Ne nuk e kemi këtë mënçuri. Po ashtu, pësimi i një aksidenti duhet të na bënte të kuptonim se sa i rëndësishëm është rripi dhe, paskëtaj, ta vendosnim atë. Kësaj i thonë të mësosh nga gabimet e tua. Edhe këtë ne nuk e kemi. Duhet të punojë frika ose respekti për ligjin - sugjerojnë një pjesë. Ne as këtë nuk e kemi. Kështu që, edhe pas njëzet vjetësh, po vazhdojmë të aplikojmë variantin më të keq: ndonse kemi pësuar aq e aq aksidente ngulmojmë të mos e vendosim rripin.
Kësisoj, ndërkohë që ne kemi "blerë" një makinë të kohës, kemi gjetur "kompromisin" që ta ngasim atë sikur jetojmë në një kohë tjetër, pa i përdorur rripat e saj. E kjo, pa dyshim, na ka ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta. Ja na erdhën zgjedhjet parlamentare, të shtatat që bëjmë në këta njëzet vjet. Shikoni si shkëlqen makina. Pjesëtarë të shtabeve elektorale të Tony Blairit dhe të Barack Obamës do të vijnë të organizojnë fushatat e partive tona. Shikoni pastaj delaratat e shoferëve tanë. Shpallin fitore të padiskutueshme, pa përfillur as edhe në një moment vënien në diskutim nga votuesi. Çdo humbje e konsiderojnë se mund të vijë vetëm si rezultat i veprimeve keqbërëse të kundërshtarit prandaj dhe të papranueshme dhe të panjohëshme. Sondazhet e besueshme do të duhej të ishin e vetmja pikë referimi. Por për këto as që bëhet fjalë. Vënia e arbitrit/rripave të sigurisë do të duhej të ishte garant i numërimit të saktë dhe mosvënies në diskutim të rezultatit. Por këta rripa janë prapa sediljes. Jo, jo këta tanët nuk duken sikur janë në një garë se kush të dalë i pari duke garuar në të njëjtin drejtim, me rripa sigurie shtrënguar fort. Ata shembëllejnë me shoferë që ngasin makina lluksoze në drejtime të kundërta e që po shkojnë drejt përplasjes jo vetëm pa rripa sigurie, por edhe pa mend në kokë.
Ka shumë shqiptarë që kësaj here kanë frikë se aksidenti do të jetë fatal. 
(Panorama, 29 mars 2013)

Tuesday, March 12, 2013

Lëvizja e Grillos dhe ne


Për t’ia prezantuar publikut shqiptar Grillon dhe Lëvizjen e tij Cinque Stelle (Pesë Yjet), do të zgjidhja më së pari refrenin e këngës së Lëvizjes,  me të cilën ai u prit në Piazza San Giovani, ku mbajti fjalimin e fundit elektoral. Non siamo un partito/ Non siamo una casta/ Siamo citadini/ Punto e basta, që me përkthim të lirë në shqip do të thotë: Nuk jemi një parti/ nuk jemi një kastë/ jemi qytetarë/ dhe vetëm kaq.

Ky refren shpreh njëherësh edhe qëndrimin e Lëvizjes mbi sistemin politik ekzistues në Itali, edhe propozimin e saj për një tjetër sistem. Lëvizja Pesë Yjet është kundër politikanit profesionist në karrierë që, pasi i delegohet pushteti, nuk pyet për ata që ia kanë deleguar, por abuzon duke u kthyer në një partitokrat e pjesëtar të një kaste të shkëputur nga realiteti. Ajo propozon si alternativë një demokraci direkte pjesëmarrëse në vendimmarrje, gjë që, sipas saj, sot e mundëson uebi. Sipas Lëvizjes, politikanët që do të hyjnë në Parlament apo në vendimmarrje të ndryshme do të mund të qëndrojnë atje vetëm për dy zgjedhje, d.m.th. tetë vjet. Këta tetë vjet do të konsiderohen si shërbimi që ata bëjnë për qytetarët dhe pastaj do të kthehen në profesionin e tyre. Dhe, gjithë sipas Lëvizjes, për këtë shërbim nuk kanë pse të kenë tërë ato lukse e privilegje që kanë politikanët deri tani në Itali. Pra, nga njëzet mijë euro që merr një deputet italian, deputetët grilistë kanë rënë dakord që do të marrin vetëm pesë mijë dhe pjesën tjetër do ta fusin në një fond që do të përdoret për të inkurajuar mikrobiznese e me radhë – gjithë duke pasur idenë se, sikur të ketë maxhorancë të mjaftueshme, Lëvizja do të votojë që të gjithë të marrin kaq.

Një tjetër pikë kyçe e rëndësishme e Cinque Stelle është se ata fusin në të njëjtin sistem tërë klasën politike, d.m.th. edhe qendrën e djathtë të Berlusconit që ka qeverisur në kohën më të madhe këta njëzet vjet, edhe qendrën e majtë, e cila, sipas grilistëve, ka bërë sikur ka bërë opozitë, pasi, në të vërtetë, ka qenë pjesëtare e së njëjtës kastë. Sipas grilistëve, këta duhet të ikin të gjithë në shtëpi, se boll i kanë bërë dëme Italisë, ndërkohë që për ata që kanë përfituar duke shkelur ligjin, Lëvizja do të kërkojë hetim dhe do të jetë “parte civile”.

Një tjetër karakteristikë kryesore e grilistëve është se te kasta dhe partitokracia ata fusin edhe tërë sistemin mediatik që është ngritur në Itali: pra si ato media e gazetarë që i kanë shërbyer Berlusconit, edhe ata që i kanë shërbyer qendrës së majtë, duke i quajtur propagandistë partiakë, dhe jo gazetarë. Për këtë ata kanë refuzuar të bëhen pjesë e debateve televizive qoftë të studiove të RAI-t, ashtu edhe të Mediaset-it të Berlusconit dhe kanë preferuar të krijojnë rrjetin e tyre të komunikimit nëpërmjet uebit.

Përsa i përket sistemit social ekonomik, grilistët janë kundër kapitalizmit që e mat cilësinë e jetës me rritjen e GDP-së, janë për një Itali që nesër mund të jetë më e varfër në disa aspekte, por më e vërtetë, më e pasur në vlera shpirtërore dhe në cilësi jete, janë për zbutjen e diferencave në fitime, janë për një sistem social që ndihmon qytetarin edhe kur mbetet pa punë, por gjithë duke i ofruar vende pune, janë për mbrojtjen e ambientit, për transportin publik, për ujin si pasuri publike, për energjinë e rinovueshme, kundër shpenzimeve për armatime etj.

Përsa i përket Europës dhe euros, grilistët deklarojnë se nuk janë kundër Europës, por janë për një Europë tjetër nga kjo që po ndërtohet, që, sipas tyre, është më shumë një Europë e kapitalit financiar dhe e interesave të të pasurve, sesa një Europë e qytetarëve të saj. Nga ky këndvështrim ata e vënë në diskutim qëndrimin e Italisë në euro.

Ka shumë analistë, jo vetëm në Itali, që duan ta karakterizojnë Lëvizjen Cinque Stelle si një lëvizje që artikulon vetëm zemërimin e italianëve, duke shtuar se ajo nuk paraqet alternativë. Nuk ka dyshim se ajo motivohet edhe nga një zemërim që e bën të ngjashme me lëvizjen Ocupy Wall Street, në Nju Jork, me lëvizjen e Indigniados (të indinjuarit) në Spanjë, me Syrizën në Greqi. Megjithatë, Lëvizja Cinque Stelle nuk mund të reduktohen thjesht në shprehjen e një zemërimi qytetar. Te Cinque Stelle nuk mungojnë idetë dhe propozimet për një botë ndryshe nga kjo e kapitalizmit degjenerativ të kohës së sotme – më sipër përmenda disa prej tyre – që e bëjnë atë edhe një shpresë të re. Edhe vetë fakti që ajo nuk jep siguri në zgjidhje, sikurse e komentoi edhe Dario Fo, një nga mbështetësit më të angazhuar të grilistëve, është i rëndësishëm. Por, sikurse thotë Grillo: “Meglio un salto nel buio, che una morte assistita”, që do ta përktheja: “Më mirë një hap i guximshëm drejt së panjohurës, sesa një vdekje graduale”.

Problemi më i madh që ka Lëvizja sot, sipas gjykimit tim, është se ndërkohë që ajo konteston sistemin me një frymë revolucionare, por paqësore, duke kërkuar t’i transformojë institucionet apo të krijojë institucione të reja duke shpallur fundin e të vjetërve, është e detyruar të punojë brenda tyre e nëpërmjet tyre, pasi ajo nuk ka një maxhorancë absolute që të bëjë ligje e të qeverisë e vetme. Pikërisht si rezultat i kësaj, Lëvizja deri më sot ka refuzuar të bashkëpunojë me tri forcat e tjera që nxorën këto zgjedhje, duke krijuar probleme të qeverisshmërisë së Italisë, që përkthehet në humbje të kredibilitetit dhe humbje financiare po ashtu. Megjithatë, paradoksalisht, sipas sondazheve rezulton se pas kësaj zgjedhjeje numri i mbështetësve të saj është rritur. Mbetet po ashtu për t’u zgjidhur pikëpyetja që lind nëse Lëvizja fiton 100% – sikurse kërkoi Grillo në një nga deklaratat e tij – se kush do t’ia bëjë opozitën apo se si do të ushtrohej kjo?


* * *


Nuk do të isha ulur të shkruaja tërë këto për Lëvizjen e Grillo-s, sikur të mos kisha ndër mend realitetin shqiptar, i cili për mua është një pasqyrim grotesk dhe njëherësh i formës më të keqe i problemeve të Italisë që denoncon Grillo.

Ne kemi nevojë urgjente të denoncojmë dhe ndryshojmë një sistem politik që ka tiparet më të këqija të partitokracisë italiane, një kastë e kaluar kastës që e ndarë në maxhorancë e opozitë, ka njëzet vjet që ndërron rolet në çuarjen e jetës sonë në një rrëpirë që vjen e bëhet gjithnjë e më e thepisur. Ne kemi nevojë t’u themi “shkoni në shtëpi” këtyre politikanëve, madje edhe në burg atyre që pas hetimeve do të rezultonin se na kanë vjedhur e grabitur. Ne po ashtu kemi nevojë të denoncojmë, siç kanë bërë grilistët, sistemin mediatik, i cili është pjesë e strukturave në shërbim të kësaj kaste.

Po ashtu, në aspektin e sistemit ekonomiko-social ne kemi nevojë për një rikthim te vlerat e publikes: për shkollat e mira publike, mjekësinë publike për sigurime shoqërore, që garantojnë  minimumin e dinjitetit për qeniet njerëzore. Kemi po ashtu të përbashkët me grilistët nevojën e denoncimit të problemeve të mëdha që na kanë krijuar politikat shkatërruese të ambientit që prapa shifrave të GDP-së në rritje fshehin një cilësi jete në përkeqësim dramatik.

Por çfarë na mungon për të pasur një lëvizje si ajo Pesë Yjet? Sipas meje, nuk është vetëm uebi që në Shqipëri nuk mund të krahasohet me rrjetin italian të internetit. Më së pari, duke bërë krahasimin, nuk mund të mos shohësh se sistemi ekonomiko-social në Itali krijon shumë më tepër mundësi pavarësie për individët. Pra, edhe pse Italia vuan nga abuzimi me pushtetin në formë korrupsioni, klientelizmi, bashkëpunimi me krimin e organizuar, kjo vuajtje te ne është shumë më e madhe. Te ne ata që presupozohet se mund të sjellin ndryshimin janë shumë herë më të varur nga sistemi:  intelektualët, studentët dhe pjesa me madhe e së ashtuquajturës shtresë e mesme janë të gjithë të punësuar brenda sistemit partitokrat oligarkik ose në punë shtetërore apo në mediat që janë pjesë e sistemit. Ndërsa në Itali, me gjithë të metat jo të vogla, Drejtësia funksionon si e pavarur nga politika, duke dhënë një siguri jo të vogël, te ne mungon edhe kjo siguri. Pra, mundësia për të krijuar institucione alternative ndaj sistemit është shumë herë më e vogël.

Një arsye e dytë është vetë kultura autoritare që mbizotëron në Shqipëri, e lidhur ngushtësisht kjo me mungesën e përgatitjes arsimore. Një lëvizje si ajo Cinque Stelle presupozon njerëz më me personalitet më të përgatitur, më të kulturuar. Edhe në këtë aspekt ne kemi krijuar një sistem që po inkurajon paditurinë dhe mungesën e personalitetit.

Mund të rreshtoja edhe arsye të tjera pse, paradoksalisht, mu pse ne i vuajmë shumë më thellë problemet që ka sot politika, shoqëria dhe ekonomia italiane, një lëvizje e tillë i ka shumë më të pakta mundësitë të lindë. Gjithsesi, mendoj se është shumë e nevojshme që ta njohim atë dhe të mund të marrim çfarë mund të marrim prej saj, duke pasur gjithnjë parasysh kontekstin shqiptar.  Shqipëria ka nevojë urgjente për një lëvizje të tillë që t’i japë rrugë paqësore ndryshimit. Përndryshe, situata e krijuar do të precipitojë duke bërë që “zgjidhja” të gjendet në rrugë të gabuara. (Panorama, 12 mars 2013)

Thursday, February 28, 2013

Ç’qëndron pas termit “albanofobi”


Ndryshimi i gjuhës së Berishës kohët e fundit përsa i përket rritjes së retorikave nacionaliste, është komentuar shumë së bashku me përpjekjen për të gjetur origjinën e këtij ndryshimi.
Me gjithë përpjekjen nga të tijtë për ta paraqitur këtë gjuhë si në koherencë me çka Berisha ka thënë më parë, janë disa deklarime që s’lënë dyshim se kemi të bëjmë me ndryshim gjuhe, madje të vetëdijshëm, veçanërisht po të kemi parasysh mënyrën se si ka folur ai jo shumë kohë më parë për bashkimin e shqiptarëve në një shtet etnik të vetëm. Pra, ndërsa para ndonjë viti ai është shprehur se ka qenë ndër ata që dikur ka aspiruar për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por se kjo tashmë është një aspiratë nga e cila duhet hequr dorë në favor të integrimit europian – gjithë duke ruajtur dykuptimësinë e shprehjes “bashkimi nëpërmjet Bashkimit Europian”, që ka qenë karakteristikë e qëndrimit të politikës shqiptare gjatë këtyre njëzet vjetëve -  së fundmi Berisha foli hapur e qartë për padrejtësi që duhet ndrequr.
Edhe ballafaqimi me deklaratat e ministrave të Jashtëm të kohëve që Berisha është në pushtet e provojnë këtë ndryshim të qëndrimit të Kryeministrit.
Interpretimet/hipotezat e ndryshimit të kësaj gjuhe kanë qenë disa. Më së shumti i është mëshuar idesë se Berisha i ka theksuar tonet nacionaliste për të mos lejuar rrëshqitjen e elektoratit te Aleanca Kuqezi. Një hipotezë tjetër është ajo, sipas së cilës, dora-dorës që i rritet paranoja e pushtetit, Berisha e mendon gjithnjë e më shumë veten si udhëheqës të të gjithë shqiptarëve dhe, me rastin e 100-vjetorit, duke parë entuziazmin e madh patriotik, veçanërisht atë kosovar, iu rindezën llambat e nacionalizmit vetvetiu.
Ka një hipotezë tjetër se kjo thirrje nacionaliste është produkt i vështirësive ekonomike brenda vendit. Shkurt, është ilustrim i thënies “Nacionalizmi është streha e fundit e horrave”.
Por, të gjitha këto hipoteza ngrenë, megjithatë, një pikëpyetje. A e ka llogaritur mirë Berisha që ndërkombëtarët nuk e duan një gjuhë të tillë? Pse ai, që ka qenë gjithherë i kujdesshëm me ta, ia lejoi vetes këtë lajthitje? Këtu duhet vënë në dukje se, mu si rezultat i reagimit ndërkombëtar, ai nxitoi ta korrigjojë disi drejtimin e qitjes ditët e fundit duke thënë se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale dhe se shqiptarët kanë një nacionalizëm me fytyrë njerëzore jo si nacionalizmat e tjerë në rajon. Po pse lajthiti ai duke mos na dhënë aspak siguri se nuk do të lajthisë përsëri?
Në këtë pikë vjen e ngrihet një hipotezë tjetër që më duhet të them se nuk e kam parë të artikuluar në shtyp dhe as që e kam nga mendja ime, por që qarkullon nëpër tryeza diplomatësh prej nga e kam dëgjuar edhe unë. Sipas kësaj hipoteze, deklaratat e Berishës u drejtohen pikërisht ndërkombëtarëve, jo shqiptarëve. Shkurt, i lodhur apo zhgënjyer me ndërkombëtarët që ia refuzojnë statusin – që do të thotë ta pranojnë kështu siç është – ai ka zgjedhur t’i shantazhojë ata: ju nuk doni të më pranoni në Europë, atëherë unë kaloj në planin B dhe ju krijoj probleme më të mëdha nga ç’mund ta mendoni. Pra, sipas kësaj hipoteze, termin “albanofobia” ai e ka përdorur jo thjesht për të përshkruar frikën e vendeve fqinje ndaj shqiptarëve, por edhe frikën e Europës për të pranuar shqiptarët në gjirin e saj. Është një hipotezë që, në një farë mënyre, është edhe pasqyrë e frikërave europiane.
Nëse do t’i besojmë kësaj hipoteze, nuk mund mos të të shkojë në mendje se ai ka dashur, në një farë mënyre, të imitojë Kryeministrin turk Erdogan, i cili, i lodhur edhe ai me pritjen e pranimit të Turqisë, ka ca kohë që flet për “islamofobi” dhe kërkim alternativash të reja ndaj asaj europiane. (Grupi i Shangait).
Përtej asaj nëse është apo jo e vërtetë kjo hipotezë, çështja që ajo ngre është, megjithatë, e madhe për fatet e ardhme të Shqipërisë dhe të botës shqiptare në përgjithësi. Nuk ka pikë dyshimi se në momentin e sotëm projekti postnacionalist i bashkimit europian po njeh ditët e tij më të vështira. Ka rryma të forta brenda shteteve europiane që flasin për dështim të tij dhe për kthim në interesa kombëtare, për dalje nga euroja, për krijime të grupimeve të tjera (p.sh. vendet e Veriut europian së bashku) dhe se kjo krizë nënkupton edhe shtyrje të afateve të integrimit për vende si Shqipëria. Pyetja që shtrohet është: a duhet të bëhen shqiptarët promotorë të një dështimi të tillë, a kanë ata interes për një dështim të tillë, apo përkundrazi, ata duhet të bëjnë ç’është e mundur që të mos e braktisin këtë projekt? Sipas gjykimit tim, nëse shumë vende mund t’ia lejojnë vetes luksin që ta mendojnë veten jashtë projektit europian, shqiptarët do të ishin më të humburit me këtë. Dhe me “shqiptarët” kam parasysh edhe ata në Kosovë, që duket sikur do t’i tërhiqte me vete plani B i Berishës. Kjo jo vetëm pse në kushtet që ndodhen sot, përsa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike, një shteti të së drejtës, shqiptarët kanë nevojë të jenë të lidhur me vendet demokratike – për lirinë dhe të drejtat e tyre më së pari – por edhe pse, e larguar nga Europa, bota shqiptare do të mbetej sot thuajse edhe pa miq. I vetmi vend mik që do të mund t’i jepte mbështetje diplomatike dhe ekonomike do të ishte Turqia, në kuadrin e rritjes së ndikimit e të fuqisë ekonomike të saj në rajon. Por, një skenar që do ta çonte Turqinë jashtë Bashkimit Europian dhe që do të acaronte marrëdhëniet me vendet fqinje të Shqipërisë në Ballkan, si Greqia, Serbia apo Maqedonia, do ta largonte Turqinë edhe nga Shqipëria, edhe nga shqiptarët që banojnë në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi.
Prandaj gjykoj se projekti që duhet të mbështesë Shqipëria dhe shqiptarët kudo ku janë është një hyrje edhe e Turqisë në Europë, shoqëruar kjo me një proces demokratizimi të brendshëm që do të krijonte edhe një tjetër marrëdhënie me vendet fqinje. Një Shqipëri vërtet demokratike dhe e integruar në Bashkimin Europian do të ishte një Shqipëri që do të kapërcente edhe urrejtjet e vjetra ndëretnike në rajon. Kurse një Shqipëri që shkëputet nga projekti europian dhe bubrron për të gjetur mbështetje politike dhe ekonomike te shtete me standarde demokratike më të ulëta, mund t’u shërbejë vetëm qëllimeve të errëta pushtetesh jodemokratike e mund të çojë edhe në aventura nacionaliste. Duket një aventurë e pamundur, por, edhe në qoftë e mundur, s’do të ishte tjetër veçse një reminishencë e së kaluarës së errët të Enver Hoxha, kur ky, për pushtetin e tij, izoloi shqiptarët duke i lënë kaq prapa. (Panorama, 26 Shkurt 2013)

Wednesday, February 13, 2013

Berisha dhe Rama të shkojnë në Spac

Duhet ta shikojnë nga afër atë vend si shoqëria civile ashtu edhe politikanët  

Nga Fatos Lubonja
Intervistë gazetës Shqiptarja.com, 12 shkurt 2013

Si dhe kush ju njoftoj për atë batërdi që po ndodh në Spac? Ju ishit vetë në vendngjarje, a mund të na përshkruani diçka më shumë nga ç’thonë fotot?
Ndodhesha vetë atje sëbashku me një fotografe zviceriane, Barbara Haussamman, me të cilën kemi shkuar disa herë në Spaç. Ajo ka qenë fotografja e instalacionit që bëra unë vjet me objektet të Sçaçit me titull “Objekte – Subjekte”. Shkatërruesit i gjeta duke punuar me kazma dhe vare. Ishin duke thyer shtylla betoni të përdorura për të shtruar vende vende shtigjet në të cilat ngjiteshin të burgosurit për në minierë.Pasi u thërmonin betonin u merrnin shufrat e hekurit që ato kanë brenda. Një grup tjetër ndoshta po bënte të njëjtën punë më lart. Kurse në një galeri një grup po nxirrte shinat e shtruara atje prej vitesh duke rrezikuar edhe jetën. Kur hyra në kamp vura re, me tronditje, se në krahasim me një vit më parë gjendja ishte rrënuar edhe më. Më bëri veçanërisht përshtypje prerja totalisht e ballkonit të katit të parë sic duket edhe në fotot që kam bërë. Po te pyesnit Barbaren do të shihnit se ajo mbeti edhe më e tronditur se unë – pasi ne shqiptarët sikur jemi mësuar me kësi lloj barbarish. Bëra disa telefonata midis të cilave edhe në Institutin e Kujtesës të cilat për fat sollën policinë që të paktën për atë ditë e ndaloi batërdinë.

Çfarë rëndësie ka për kujtesën e shqiptarëve, Spaçi, ky burg me galeri, i shpallur muze, por që po zhduket nga faqja e dheut, dalë ngadalë...
Kam përshtypjen se rëndësia është evidente. Është rëndësia që ka kujtesa në jetën tonë. Ne edhe si qënie individuale por edhe si shoqëri tek e fundit jemi ëndrrat tona për të ardhmen, por jemi edhe kujtesa jonë e së shkuarës. Pa kujtesën ne nuk do të dinim se si ta përcaktonim veten, madje as ëndrrat e të ardhmes. Sipas meje eshte nje humbje e madhe materiale dhe shpirtërore si edhe e çdo monumenti që fikson të kaluarën, kujtesën. Njerezit në botë vizitojne minierat e vjetra per të parë se si kanë qene ato, kushtet e punës së paraardhësve të tyre,  kurse ne kemi nje miniere Gulag qe ka krahas saj edhe kampin e te burgosurve e do te ishte nje vend unik ndoshta edhe ne bote. Unë nuk kam dëgjuar të ketë një tjetër në vendet e Lindjes si Spaçi. Kurse  ne e shkatërrojmë me një mendjelehtësi që na bën më shumë të ngjashëm me kafshët që jetojnë një të tashme pa të shkuar e pa të ardhme sesa me njerëzit.
Në krye të këtij biznesi thuhet se është vëllai i Ndrea Prendit, i akuzuari për vrasje gjatë protestave të 21 janarit... Si do ta komentonit këtë fakt?
Kështu më tha policia që i arrestoi. Nuk dua të bëj akuza familjare sepse jam kundër identifikimit të individëve me familjarët e tyre cilëtdo qofshin ata. Por as mund të mohoj faktin se në Shqipërinë tonë, për fat të keq, përkatësia familjare funksionon si privilegj e mundësi mbrojtjeje apo e kundërta: si mundësi goditjeje e persekutimi. Në rastin në fjalë kam të drejtë të dyshoj se personi në fjalë e ka ndjerë veten të mbrojtur për të bërë çfarë po bënte duke u nisur nga pozita e vëllait të tij - madje edhe ditët kur vëllai ka qenë në momentet më të vështira. E nëse do të nisemi nga ifakti se shqiptarët, për fat të keq, janë të ndarë politikisht sipas përkatësisë familjare këtë do ta komentoja edhe si një fakt që vërteton se tek e fundit në Shqipërinë tonë, përtej retorikave që dëgjojmë të përdorin shumë vetë, nuk ka të majtë apo të djathtë, komunistë apo antikomunistë, por kusarë që shohin vetëm se si të bëjnë ndonjë lek, veçanërisht duke vjedhur pasurinë e të gjithëve.
Edhe pse ka vite që bëhen projekte për ta kthyer në një muze të vizitueshëm, ai vend sërish është gërmadhë.  Kë mund të fajësojmë për këtë?  Çfarë duhej të kishte bërë deri më sot Ministria e Turizmit Kulturës rinisë dhe sporteve?
Faji bije mbi të gjithë, mbi elitën politike dhe kulturore që ka drejtuar këtë vend gjatë këtyre njëzet vjetëve. Dhe ky faj është shumëfaqësh. Ky faj ka të bëjë më së pari me mungesën e ndjeshmërisë së vërtetë të kësaj elite ndaj kësaj faqeje më të errët të diktaturës, për shkak se në përgjthësi kjo elitë është dominuar nga njerëz të cilët në jetën e tyre gjatë diktaturës nuk kanë qenë në anën e të persekutuarve. Por  ka të bëjë edhe me gjendjen e mjerueshme materiale dhe shpirtërore që e ka katandisur vendin kjo elitë duke menduar vetëm për pasurimin e vetvetes – çka bën që gjynahqarë e mjeranë, të cilët ndoshta nuk ia dinë as kuptimin fjalës “kujtesë”,  të shkojnë të kërkojnë të nxjerrin bukën e gojës edhe në atë vend dhimbjeje e vuatjeje që e bën të shenjtë, - deri duke rrezikuar jetën e tyre.
Ministria së paku do të duhej të kujdesej që atje të viheshin disa tabela që të tregonin se është vend muze – sepse edhe ashtu ai është një vend muze, ku nuk duhet të merret asgjë pa leje nga shteti – e jo vetëm ndërtesat, por edhe i gjthë mali ku ka qenë miniera. Edhe shtyllat e pakta të rrethimit që kanë mbetur edhe shtyllat e betonit të galerive që gjinden nëpër rrugë.
Forumi për mbrojtjen e monumenteve ka hedhur idetë e para, për ta bërë publik këtë skandal. Çfarë mbetet  për tu bërë nga shoqëria civile sa i takon një rasti të tillë?
Mendoj se e para gjë që duhet të bëjnë njerëzit e shoqërisë civile, por edhe politikanë, është që të shkojnë ta shohin nga afër atë vend. A keni dëgjuar të ketë shkuar atje ndonjëherë Sali Berisha psh, apo Edi Rama apo shkrimtarë e artistë të njohur? Jo. E trajtojnë si një diçka që nuk u përket. Kanë shkuar në Aushvic, por jo në Spaç.
Po të shkosh atje vendi flet vetë. Kuptohet ende se atje ka ndodhur diçka e rëndë megjithë përpjekjet që bëjnë barbarët për ta kthyer në një gjendje normale.
Intervistoi Admirina Peçi

Saturday, February 2, 2013

Të hash nga ujku

Para disa ditësh shtypi dha një lajm që joçuditërisht nuk u komentua fare në median shqiptare. Ishte një vendim i Gjykatës së Tiranës që vendosi sekuestrimin preventiv për pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme të një personi me mbiemrin Deliu, që është vrarë para disa vjetësh së bashku me nënën e tij, si dhe të pasurisë së ish-shoferit të tij, me mbiemrin Sako, i vrarë edhe ky kohët e fundit. Sipas vendimit dilte se kjo pasuri ishte vënë me rrugë kriminale, kryesisht trafiqe droge. Nuk dihet se kush i ka vrarë, por flitet për grupe rivale që, kuptohet, nuk janë zbuluar. Kuptohet gjithashtu se gjyqi i sekuestrimit është bërë pasi tashmë të gjithë të lidhurit direkt me ato prona janë të vdekur.
Ishte i paimagjinueshëm numri i pronave të sekuestruara. Qenë 34 troje ndërtimi – nuk e kam gabim, tri-dhje-te-ka-tër – troje për vila e pallate me një sipërfaqe gjithsej 47 000 metra katrorë, të gjitha të hipotekuara. Ishin 5 (pesë) makina të tipave “BMW”, “Mercedes”, “Audi”, “Chrysler”, “Mitsubishi Pajero” (i blinduar), si dhe, vini re, 20 llogari bankare (një-zet) në bankat më të njohura të Shqipërisë. Ishte edhe një apartament.
Kur u interesova për historinë mësova se disa kohë përpara se të vritej, Deliu kishte qëndruar, së bashku me të ëmën, gati i ngujuar në shtëpi ngase ruhej. E kishin ditur të gjithë në pallat (pa dyshim edhe policia), sepse banorët paralajmëroheshin të mos hipnin në ashensor se mund të pësonin ndonjë hedhje në erë me telekomandë. Mësova gjithashtu se pas vrasjes së Deliut dhe të së ëmës avokatët më në zë të vendit qenë angazhuar për të zgjidhur çështjet e pronësisë së tyre.
Shkurt, ajo që më rezultoi duke menduar këtë histori është se me ato paratë e tij të krimit e të drogës kush nuk është ushqyer: fshatarë që kanë shitur tokat, noterë që kanë bërë akte noteriale, hipotekarë që kanë regjistruar pronat, punonjës të bankës, avokatë, gjyqtarë. Këta më erdhën ndër mend si të lidhurit direkt, se pastaj në listën e atyre që kanë përfituar indirekt: më del se mund të futemi të gjithë: ndërtues që kanë shitur apartamente, shitës makinash, tregtarë gjithfarësoj mallrash që personi ka blerë, shteti që ka marrë taksa prej tyre e ka paguar funksionarë, pronarë restorantesh ku ka ngrënë e ka pirë, kamerierë, lavapjatës, kompani telefonike që kanë shitur celularë e kanë dhënë shërbim telefonik, media që kanë marrë reklama nga këto kompani, e me radhë, e me radhë. Nuk po llogaris këtu paratë që janë shpërndarë nën dorë, ku dyshoj se edhe policia duhet të ketë marrë shuka të mira për të bërë shurdhin dhe qorrin.
Po ky është realiteti ynë, të thonë, pse çuditesh, kjo është vetëm maja e ajsbergut; ne me para droge e krimi kemi bërë çfarë s’kemi bërë: vila, pallate, markete, supermarkete ete… ete; bare, restorante ante… ante…; hotele, motele, ele… ele…; kartodrome, velodrome drome… drome…, pishina ina… ina…; televizione, one… one… e çfarë s’kemi bërë. Një ditë, madje, njëri më tha: “Nuk thua shyqyr që janë këta, se përndryshe çfarë do të hanim ne?”.


Pikërisht lidhur me këtë ngrënie e kam fjalën, të dashur vëllezër shqiptarë, ndryshe të dashur bashkëngrënës shqiptarë. Dhe për të shpjeguar efektin e këtij ushqimi, po ju tregoj një histori që lidhet me një zbulim të fundit shkencor për të cilin dëgjova para disa ditësh. Ishte një lajm sipas të cilit, shkencëtarët kishin arritur të zbulonin mekanizmin se si ka dalë qeni nga ujku gjatë evolucionit. Zbulimi kishte nisur nga konstatimi se sistemi tretës i ujkut dhe ai i qenit qenkëshin të ndryshëm dhe këtë ndryshim, që ka ndodhur në një moment të caktuar të evolucionit, e përcaktuakan disa gjene të caktuara. Sipas shkencëtarit që po intervistohej, në një moment të caktuar të evolucionit paska ndodhur një ndryshim i sistemit tretës ndër kopetë e ujqërve që kanë pasur fatin të jetojnë në zona ku jetonte edhe njeriu. Një pjesë e tyre, dora-dorës, nga bashkëjetesa e afërt me njeriun, filluan të hanë ushqimin që hante edhe njeriu. Kuptohet se kjo u krijonte lehtësi mbijetese, pasi njeriu ishte më i zoti për të gjuajtur. Kjo bëri që me evolucionin sajë mutacionit, këtyre lloj ujqërve t’u krijohej tjetër sistem tretës – të bëhen pra qen – kurse ujqit që nuk e pësuan këtë ndryshim në ato zona u zhdukën.

Ky ishte zbulimi me dy fjalë. Dhe a e dini se ç’më shkoi në mendje, të dashur vëllezër njerëz? Se këtej nga pylli ynë ka kohë që po ndodh e kundërta. Këtu jemi ne që po hamë nga ujqit e që po ndryshojmë sistemin tretës. Tani bëheni hesap vetë: ata që nuk po e ndryshojnë do ngordhin, kurse të tjerët do bëhen, siç janë bërë një pjesë tashmë, qenër të ujqërve. (Panorama, 1 shkurt 2013)