Saturday, November 12, 2016

Në vendin e gënjeshtrës e vërteta është një sëmundje - Kadare fabrikon te kaluarën; nuk e përndiqte Sigurimi

(Me kërkesë të Panoramës kam dhënë mendimin tim mbi librin e Kaloçit për Kadarenë, duke iu referuar përmendjes së deponimi tim ne hetuesi sipas te cilit im atë më paska thënë se Kadare “shkruante të vërtetën”; “nuk kishte frikë si të tjerët”)



Afro një vit pas Pleniumit IV unë jam arrestuar, vetë i katërt, sëbashku me babain, xhaxhain dhe burrin e hallës pasi Sigurimi, nëpërmjet agjentëve të tij, arriti të marrë informacion se në shtëpinë e xhaxhait gjendeshin të fshehura disa armë të babait (trofe të Luftës). Aty, gjatë kontrolleve, gjetën të fshehura edhe materiale të tim eti dhe shkrime të mijat: një antiroman, poezi dhe ditaret e pesë viteve universitet, që i kisha fshehur pasi kishin përmbajtje kundër regjimit. Gjatë kontrollit në shtëpinë time mu gjet edhe një letër kundër Enver Hoxhës, që ma kishte dërguar im atë nga Lezha, ku gjendej asokohe gjysmë i internuar.
U gjenda, pra, përballë këtyre fakteve që hetuesit i kishin të përforcuarae dhe me dëshmi të të arrestuarve e dënuarve më parë, me dëshmitarë nga jashtë e përgjime të teknikës operative që kishin kryer. Gjëja më e frikshme ishte kërcënimi lidhur me armët që donin të na i vishnin si përgatitje për të vrarë Enver Hoxhën d.m.th. terror. Janë situata, që, kush i ka provuar, e di mirë se ç’do të thonë. Hetuesia luante me ty si macja me miun pasi ti nuk dije as se ç’thonin të tjerët jashtë e brenda, ndërkohë që ata të kishin futur dhe spiunin e birucës në qeli. U përpoqa të mbroj veten duke mohuar akuzën për terror dhe, kur erdhi puna për të shpjeguar se pse kisha shkruar ato gjëra, si dhe pse im atë kishte shkruar një letër aq të rëndë kundër Enver Hoxhës, u përpoqa të reduktoja gjithçka në pakënaqësitë tona personale. Se të thoja të vërtetën që mendoja, se e keqja nuk ishim ne, por regjimi dhe Enver Hoxha, kjo ishte barazi me vetëvrasje dhe, për fat të mirë a të keq, më mungonte ky guxim.
Kur kam parasysh se edhe pa gjetur armë të fshehura e dokumente ku udhëheqësi cilësohej si “idiot”, shumë të arrestuar kanë pranuar akuza për agjenturë e komplote e terror, them se, me papërvojën që kisha, kemi shpëtuar mirë vetëm me akuzën për agjitacion e propagandë. Merita kryesore për këtë e pati im atë, i cili mohoi se armët ishin të tijat, mohoi se letra ishte për Enver Hoxhën, por ai kishte edhe më shumë përvojë, ishte edhe më trim.
***
E bukura në këtë histori është që Kaloçi dhe ata që promovojnë librin e tij, nuk nisen të kërkojë të vërtetën e këtyre dramave. As të evidentojë faktin (sado modest, por për t’u njohur) se në atë kohë paska pasur edhe të rinj që bënin letërsi sirtaresh kundër regjimit, që eksperimentonin forma të tjera nga socrealizmi; që nuk i ngrinin hymne partisë dhe shokut Enver, po shkruanin për varfërinë, mjerimin dhe udhëheqjen “idiote”; as se si regjimi i vriste në një mënyrë apo në një tjetër këta të rinj. Ata i (keq)përdorin  drama si kjo për t’i shërbyer gënjeshtrave të një shkrimtari të socrealizmit si Kadareja, i cili, edhe pse në vend të dënimeve dhe ridënimeve me burgje ka njohur vetëm promovime e privilegje e çmime, duke arritur deri të bëhet deputet dhe Zv/Kryetar i Frontit Demokratik, pretendon se na qenka persekutuar nga Enver Hoxha dhe Sigurimi.
Mirëpo, duke qenë se në vend se të kërkojë të vërtetën nëpërmjet fakteve e dokumenteve, autori i manipulon ato, duke i seleksionuar dhe deformuar e nxjerrë jashtë kontekstit, nuk i jep dot përgjigje një pyetje shumë të thjeshtë: ore, nëse Enver Hoxha e Sigurimi paskan qenë kundër Kadaresë, si shpjegohet që e kanë ngritur lart e më lart  në karrierë e privilegje?

***
Ka edhe një problem të madh etik tek këto dokumente  gjyqesh apo hetuesie që botohen kështu. Ato nuk janë shkruar nën vullnetin e lirë të atij të cilit i atribuohen, por nga hetuesit apo sekretarët duke zbardhur, në funksion të fajësimit, fjalët e një njeriu që është nën shtrëngim dhe torturë fizike dhe psikologjike. Dihet se në këto kushte njerëzit kanë arritur edhe të pohojnë gjëra të paqena, që i kanë çuar deri në pushkatim. Në këtë kuptim ato më së shumti janë dokumente që denoncojnë regjimin dhe veglat e tij shypëse. Dhe aq më pak ato mund të merren si dëshmi të vërtetash. Për shembull: sipas Kaloçit në dokument shkruhet se unë u paskam thënë hetuesve se im atë çmonte vetëm Kadarenë, pasi vetëm ai thoshte të vërtetën kurse të tjerët kishin frikë. E vërteta është që im atë në atë kohë çmonte Kadarenë, si më të talentuarin e shkrimtarëve dhe se e kishte mik, por kurrsesi nuk mund të thoshte se ky shkruante të  vërtetën. As unë s’mund ta sajoja këtë. Kjo është një fyerje për inteligjencën, edhe të hetuesve madje, pasi çdokush me dy pare mend ishte i vetëdijshëm se askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën në atë kohë. Se përndryshe ç’kuptim kishte që unë shkruaja letërsi sirtarësh po qe se të vërtetën mund ta shkruaje si Kadareja? Prandaj nëse dokumenti thotë vërtet kështu, atëhere fjala ime është zbardhur në mënyrë të deformuar. Dhe gjëra të tilla duhen pasur parasysh kur kërkojmë të kuptojmë të vërtetën e asaj kohe nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit. Jo më kot në Gjermani, krahas arkivit të STAZ-it, sot ka edhe një arkiv tjetër ku njerëzit që figurojnë në dosjet e STAZ-it janë ftuar të dëshmojnë të vërtetën e tyre.  Prandaj dhe Adam Michniku ka thënë se “ne (disidentët polakë F.L.) nuk mund të gjykohemi nga dokumentet që kanë bërë persekutorët tanë për ne.”
Në fakt, e vërteta e asaj kohe është se Kadarenë nuk e ka përndjekur Sigurimi dhe se as që më kanë pyetur me këtë qëllim. Çështja nëse do të dënohej apo jo Kadareja si këlysh i Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën (siç thuhej asokohe për disa) - duke u ditur që ky ishte benjamin i tyre - ishte zgjidhur që para Pleniumit IV, një vit e ca më parë. Në pranverë 1973, kur filluan disa kritika për “Dimrin e madh”, Nexhmija i bëri një vizitë në shtëpi dhe më pas Enver Hoxha e lavdëroi librin në Elbasan. Pas kësaj Kadareja u fut në korin e atyre që godisnin liberalët dhe jo në listën e atyre që po goditeshin, sepse këtyre iu hoq edhe e drejta e botimit, kurse ky shkruante e botonte rregullisht. Këto unë i kam ditur, sikurse kam ditur, nga im atë, se Kadareja nuk do të prekej pasi, që para botimit, “Dimri” kishte kaluar kapitull më kapitull tek Enver Hoxha nëpërmjet Ramis Alisë dhe ky e kishte pëlqyer. Prandaj thënia ime mund të jetë si përgjigje e pyetjes se cilët shkrimtarë vlerësonte im atë. Ndërsa po të doja vazhdoja të thoja të vërtetat që dija për Kadarenë në atë kohë unë mund të thoja shumë gjëra, pasi ai dhe e shoqja ishin miq të familjes dhe kam qenë i pranishëm në shumë biseda ku shprehnin edhe pakënaqësi për gjendjen e vendit dhe atë të letërsisë dhe arteve. Psh. mund të thoja se ai kishte dijeni për letërsinë e sirtarëve që shkruaja unë dhe se disa nga shkrimet e mija, që u kapën, ai i kishte lexuar; apo se im atë i thoshte vazhdimisht me humor: “Kështu si je bërë ti Ismail, po të të fusin në një thes dhe të të hedhin nga kati i pestë, do të biesh në këmbë.” Por as ata s’më kanë pyetur dhe as mua nuk më ka shkuar ndërmend një gjë e tillë.
***
Sipas mendimit tim ky libër, njëlloj si ai ku Kadare, për funksion të jashtëm, ka kthyer kokëposhtë historinë e poemës “Pashallarët e Kuq”, është një zgjedhje selektive dokumentesh, sipas kulturës që e kam quajtur të “manipulim simulimit”. Në këtë libër nuk kërkohet e vërteta, por i shërbehet hallit të madh të Kadaresë për të fabrikuar një të vërtetë tjetër të jetës e veprës së tij. Mirëpo këto fabrikime demaskohen më së pari nga vetë librat e tij, karriera e tij gjithnjë në ngritje gjatë regjimit, publicistika e  tij. Këto janë dokumente shumë më të rëndësishme sesa disa spiunime pa qeder që paska pësuar ky nga kolegët, qoftë për të bërë historinë e asaj kohe, qoftë për të kuptuar dritëhijet e figurës së tij. Psh., bash në atë kohë, pak muaj para arrestimit tonë, në 13 janar të vitit 1974, ai shkruante në Zërin e Popullit artikullin “Realizmi socialist - arti i madh i revolucionit”. Aty, pasi sulmon Biblën dhe Kuranin, e më pas shkrimtarë të mëdhenj të shekullit XX si Xhojs, Kamy, Myzil, Beket, u vërsulet edhe ish miqve dhe mbrojtësve të tij, tani armiq të partisë në prag të burgut, Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami: “Nuk është rastësi që pseudoshkrimtari dhe armiku i partisë Fadil Paçrami i linte të mbushura pseudodramat e tij me hije dhe jo me njerëz. Nuk është e rastit që ai, së bashku me T. Lubonjën, ishin kundërshtarë të tërbuar të karakterit kombëtar në artet tona. Në poezi F. Paçrami urrente figurën e baballarëve, në skulpturë figurën e nënës, në prozë përbuzte plakat shamizeza. Ai tmerrohej nga figura e Skënderbeut më keq se një pasha turk. Pra, ai nuk duronte dot asgjë që kishte lidhje me themelet e popullit e të kombit. Nga kjo pikëpamje ai të kujtonte ata pseudodijetarë të Ishullit të Liliputëve për të cilët Suifti tregon se kërkonin të shpiknin një metodë për të filluar ndërtimin e shtëpive nga çatia. Djathtizmi i T. Lubonjës e F. Paçramit, kozmopolitizmi, urrejtja për folklorin dhe antishqiptarizmi i tyre, treguan se lufta e klasave në terrenin e letërsisë dhe të arteve është e gjallë dhe do të jetë e tillë për një kohë shumë të gjatë.”

A mendonte vërtet kështu? Sigurisht që jo. I duhej të shkruante kështu për të mbijetuar, për të vazhduar karrierën. Ja pse nuk e përndiqte regjimi. E ç’ndryshim ka ky dokument nga ata 101 që denoncon nëpërmjet Kaloçit, në mos qoftë më i rëndë, qoftë edhe për peshën që kishte fjala e tij? Por, përtej personales, fakti që shkrimtari më i njohur i vendit, edhe botërisht, shkruante kështu, pa qenë as në hetuesi as në kërcënim jete, por i lirë, flet shumë për atë se si ajo kohë deformonte personalitetet e njerëzve. Sot në vend se t’i analizojmë këto raporte dramatike të njeriut me pushtetin, me synimin që ato të mos përsëriten më, (siç po ndodh edhe sot nën diktatin e pushtetit të ri që Kadare s’ka guxuar ta denoncojë një herë), ne vazhdojmë me kulturën e vjetër të manipulimit të njerëzve me gënjeshtra dhe simulimin e heronjve të paqenë. Kështu kemi ardhur përsëri në një gjendje kur të gjithë e dinë të vërtetën, por askush nuk guxon ta thotë, pasi sundon gënjeshtra e atij që ka pushtetin dhe paranë. Aq e neveritshme është bërë kjo gjendja në jetën tonë, sa të vjen në mend ajo thënia e Gianni Rodarit: “Në vendin e gënjeshtrës, e vërteta është një sëmundje.” (Panorama, 10 nentor 2016)

Partitë si pjesë dhe sherri Shqipëri – Kosovë

Vizita e Ramës në Serbi ka ngritur një sherr midis Kosovës dhe Shqipërisë, të paprovuar deri më sot në historinë dypalëshe. Reagimi i parë ishte ai i politikanëve dhe intelektualëve kosovarë (ku spikati deklarata e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj) se Shqipëria nuk mund të përfaqësojë Kosovën në Beograd, sikurse ka vepruar Rama. Nga Tirana, në vend të një analize nëse është e vërtetë se ka ndodhur kështu, dhe a duhet të ndodhte kështu, u hodhën sulme ndaj kosovarëve ku dominoi akuza se këta duan një Kosovë më vetë, jo të bashkuar me Shqipërinë? Të dy palët hodhën benzinë pa ngurrim në një zjarr të kryqëzuar dhe shumë kontradiktor. Cilët janë shkaqet më të thella të këtij sherri? Thënia e Oscar Wilde-it se e vërteta nuk është kurrë e pastër dhe asnjëherë e thjeshtë i shkon shumë të vërtetës së shkakut të kësaj situate. Po përpiqem megjithatë të jap një këndvështrim.
***
Në thelbin e sherrit mendoj se qëndron fakti se ne vazhdojmë të vuajmë kontradiktën midis kulturës së trashëguar totalitare të partisë-shtet dhe sistemit demokratik që kemi instaluar, që i ka ndarë shoqëritë tona në shumë parti. Vetë koncepti “parti” në demokraci nënkupton një pjesë, kurse, sipas kulturës totalitare të trashëguar, partia/pjesa, paradoksalisht, përfaqëson të tërën.  Sherri, pra, erdhi si pasojë e rrekjes së Ramës për të përfaqësuar në Beograd të tërën, ndërkohë që është një pjesë, që, për shkak të mendësisë totalitare, nuk e ka vetëdijen se është pjesë. Por edhe për shkakun se pjesët që e kundërsulmuan përdorën të njëjtën gjuhë. Por s’mund të mohoet se ai është kryeprotagonisti i sherrit.
Në shkrimin “Gjuha e trefishtë e Edi Ramës dhe flamuri si cohë toreadori” (Panorama, 6 prill 2015) kam komentuar paradën me shqiponjë dhe bashkim kombëtar që bëri Rama në Pallatin e Kongreseve me rastin e takimit të dy qeverive. Mes të tjerash aty kam konstatuar faktin se gjuhës së dyfishtë - nacionaliste për konsum të brendshëm dhe evropianiste për konsum të jashtëm - kryeministri i ka shtuar, së fundi, edhe një gjuhë të tretë: atë për kosovarët, duke u paraqitur edhe si babai, mbrojtësi apo përfaqësuesi i kosovarëve. Tek thellimi i kësaj tendence delirante duhet kërkuar rrënja kryesore e sherrit. Por pa harruar se në ato fillime, që pasuan edhe ndeshjen e futbollit në Beograd, Rama nuk u sulmua kështu nga kosovarët, përkundrazi u duartrokit. Pse kësaj here prodhoi këtë reagim? Së pari, sepse vjet e parvjet Rama ka përdorur shumë më tepër një gjuhë antiserbe, nacionaliste të bashkimit, duke venë në fasadën e Kryeministrisë edhe flamurin e Shqipërisë së madhe që valëviti droni në Beograd, e cila ka shumë më pak kundërshtarë në Shqipëri dhe Kosovë,  kurse sivjet përdori gjuhën evropianiste,   për nevojën e dialogut, paqes e bashkëpunimit me serbët. Së dyti, sepse kësaj here i injoroi thuajse plotësisht liderët kosovarë në tentativën e tij për t’u paraqitur si baba i tërë shqiptarëve të Ballkanit.

Në fakt, nëse ka politikan që harron se është pjesë dhe pretendon se është e tëra, që qëndrimin që i duhet për momentin e paraqit, me arrogancë madje, si qëndrim i së tërës, ky është Edi Rama. Në këtë aspekt ia kalon edhe Berishës i cili, p.sh., ka qenë gjithnjë i kujdesshëm që liderve kosovarë t’u linte hisen e tyre të pushtetit. Ndërsa Rama, vini re, shkoi në Beograd jo vetëm si përfaqësues i shqiptarëve edhe i kosovarëve, jo vetëm i (shumë) nacionalistëve edhe i (pak) kozmopolitëve, jo vetëm i atyre (shumë) që janë për bashkim kombëtar edhe të atyre (më pak) që janë për një Kosovë të mëvetëshme, por edhe si përfaqësuesi i gazetarëve dhe intelektualëve kritikë shqiptarë. Libri i tij “Kurbani”, do t’i “prezantojë publikut serb ngjarjet kulturore, politike dhe sociale në Shqipëri” (tha botuesi i tij Veran Matiç), “vizionin e tij të transformimit demokratik dhe modernizimit përballë vizionit autoritar të rivalit të tij Sali Berisha.” (është shprehur Shkëlzen Maliqi për Danas).
Edhe në regjimet komuniste zor se do të ecte, pa kërcitur keqas, kjo karrocë e mbingarkuar, jo më sot. Prandaj, ashtu siç kërciti në veshët e gazetarëve pretendimi i informimit të serbëve për realitetin shqiptar nëpërmjet “Kurbanit” ashtu dhe kërciti në veshët e politikanëve kosovarë pretendimi i tij për të bërë shiun edhe diellin e Kosovës, nacionalistin antiserb dje dhe evropianistin që citon Andriçin sot.
***
Me këtë nuk dua të them se kryeministri duhet të shkonte në Beograd si kryetar partie/pjese; as se duhet të fliste me gjuhën nacionaliste me të cilën iu drejtua Vuçiçit para dy vjetësh. Dua të them se duhet të shkonte me një qëndrim koherent dhe, mbi të gjitha, si politikan i një shteti demokratik. Me koherencë kuptoj përdorimin e një gjuhe të vetme si për shqiptarët e Shqipërisë, si për të huajt si për kosovarët. Me “demokratik” kuptoj gjuhën e kryeministrit të një vendi demokratik dhe jo autokratik, çka do të thotë të një kryeministri që e ka vetëdijen se ka dalë nga një force politike që është pjesë, dhe se në vendin e tij ka pjesë të tjera që nuk do të flisnin njëlloj si ai po të takoheshin me një kryeministër të huaj. Vetëdije që do të duhej t’ia kushtëzonte gjuhën, mënyrën e tij të të shprehurit ashtu që, edhe pa prezencën e tyre, këto pjesë të kishin zë në Beograd. Kurse ai duket sheshit se nuk e ka këtë vetëdije. Ai foli me një gjuhë absolutiste dhe të kundërt me gjuhën që ka përdorur para dy vjetësh po vetë, jo vetëm në emër të të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe në emër të shqiptarëve që kanë qeveri tjetër, histori tjetër me Serbinë, që kanë parti me qasje të ndryshme brenda vet, siç është Kosova.

***
Dhe këtu dalim tek problemi i kulturës politike totalitare që kemi trashëguar dhe nevojës për ta ndryshuar atë, nëse duam të jetojmë në demokraci.
Në realitetin tonë, si në Shqipëri dhe në Kosovë, nuk mund të mos konstatosh grupe njerëzish me prirje më nacionaliste apo më evropianiste, që janë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën apo për dy shtete, më antiserbe apo më të hapur për dialog me serbët, që janë më evrocentrike apo më evroskeptikë, më të djathtë përsa u përket politikave ekonomike apo më të majtë, më konservatorë përsa i përket moralit apo më progresistë, me frymë fetare apo me frymë laike. Disa syresh më afër ekstremeve dhe të tjerë më të moderuar. Ndërkaq, ajo që ndodh për shkak të trashëgimisë totalitare është prirja e partive ekzistuese për t’i përfaqësuar vetë të tëra këto prirje që ekzistojnë në shoqëri, në funksion të një pushteti gjithëpërfshirës e gjithëpërfaqësues. Si rrjedhojë, këto parti sillen edhe si përjashtuese të të tjerëve. Pikërisht prej kësaj kulture tek ne vazhdon të mbisundojë koncepti i fitores mbi tjetrin, i shuplakave që i japim tjetrit. Kjo kulturë i bën politikanët tanë të flasin në emër të të gjithëve me arrognacë sepse të mundurit për ta nuk kanë gojë. (Prandaj Rama përdori të njëjtën gjuhë edhe kur tentoi të miklojë shqiptarët duke u thënë se  ne e kemi fituar kundër Serbisë). E pra, në një shoqëri demokratike partitë dhe politikanët duhet të ndahen nga kjo kulturë. Partitë tona duhet të sillen si përfaqësuese të pjesëve, si shprehëse të vizioneve dhe interesave të tyre, duke dialoguar me njëra tjetrën në një proces pa fund që çon drejt përmirësimit të jetës shpirtërore dhe materiale të të gjithëve. E sipas këtij koncepti në demokraci nuk mund të ketë humbës dhe fitues, por një pjesë që, falë zgjedhjeve, merr detyrën që të qeverisë në emër të interesave të të gjithëve dhe që, për ta bërë sa më mirë këtë punë, ka nevojë për dialogun dhe konfrontimin e vazhdueshëm me pjesët e tjera, për kritikën e oponencën e tyre ashtu sikurse ka nevojë edhe për mediet e lira, shoqërinë civile. Dhe jo ta konceptojnë demokracinë si një ditë të vetme zgjedhjesh pas të cilës fituesi merr gjithshka dhe humbësi del nga skena e vendimmarrjes.

Po nuk hyri kjo kulturë politike në Shqipëri e Kosovë do të vazhdojmë të shohim parti/pjesë që, duke u sjellur sikur përfaqësojnë të tërën dhe të vërtetën e vetme, do të përdorin çdo mjet për të asgjësuar pjesët e tjera me pasojat tragjike që po shohim përditë. (Panorama, 18 tetor 2016)

Saturday, October 1, 2016

Skandali i plehrave dhe vetingu i pasanikëve

Debati i rihapur mbi importimin e plehrave për industrinë e riciklimit ka mbetur në nivel emocional duke u përqendruar tek ndjenjat e zhgënjimit me rilindësit, apo të revoltës  ndaj mos mbajtjes së premtimeve. Emocionet bëjnë mirë, por më duket se është koha që, përtej emocionalitetit, të mendohet më racionalisht për çka po ndodh. Debati duhet ta kalojë nivelin e ndjenjave, që në këtë rast rezultojnë tejet sipërfaqësore (sepse të thuash se kisha besim tek këta do të thotë të mos kesh jetuar me mend në kokë), dhe të integrohet në një debat më të gjerë e më racional.
Debati që propozoj duhet të sillet rreth pyetjes: si ka mundësi që në Shqipëri, tash 25 vjet, kategoria e njerëzve që është e dhënë pas pasurimit zhvillon thuajse vetëm industri nga ato që janë kundër interesit publik, kundër asaj që quhet ekonomi e qëndrueshme - siç është edhe kjo që kërkon të sjellim plehra nga jashtë? Për të bërë pak historik le të kujtoj se në fillim të viteve 90, dmth. në kohën e Berishës 1, pasurimi u bazua kryesisht mbi dy industri kriminale: trafikimin e njerëzve dhe piramidat financiare. Pas këtyre, me ardhjen e socialistëve, përsëri industria që zëvendësoi piramidat ka rezultuar shkatërruese. E kam fjalën për atë të ndërtimit, rezultatet e së cilës shikohen kudo, duke filluar nga Tirana që është bërë e pabanueshme me një ndotje ekstreme dhe me një cilësi jete mizerabël e deri tek shkatërrimi i brigjeve të Adriatikut e të Jonit, për të mos folur për masakrat që janë bërë në qytetet dhe rrethinat e Durrësit, Vlorës, Sarandës, Lezhës. Në kohën e qeverisjes Berisha 2, me dobësimin e industrisë së ndërtimit, shohim ngritjen e industrive që janë përsëri kundër interesave publike si në terma afatshkurtra edhe në terma afatgjata. Gjashtë fabrika çimentoje nga Tirana deri në Lezhë, dhënie me koncesione pa numër e lumenjve të Shqipërisë për të ndërtuar hidrocentrale, ndërtimi i petroliferave e termocentraleve në vende si brigjet rreth Vlorës që duhet të ishin perla turistike. Edhe industria e përpunimit të mbetjeve të sjella nga jashtë hyn në këto. Me ardhjen e rilindësve asgjë nuk ndryshon, siç po duket çdo ditë. Edhe ata vazhdojnë të bëjnë projekte për porte gjigante si ai i Karpenit, për hidrocentrale, petrolifera, t’i rihyjnë edhe një herë ndërtimeve të larta, të lejojnë lulëzimin e supermarketeve e karburante jashtë çdo proporcioni në raport me nevojat ashtu sikurse të ndërtimeve shkatërruese të brigjeve të Adriatikut dhe Jonit.
Ç’është ky mallkim? Nga na vjen? Si është e mundur që tek ne nuk flitet për zhvillime që janë në përputhje me politikat e asaj që sot në botë është bërë fjalë rutinë; ekonomia e qëndrueshme? Pse s’kemi rëndom të pasur të fuqishëm që vijnë nga bujqësia, blegtoria, agroturizmi, industria e përpunimit të produkteve ushqimore, por kush merret me këto është krejt margjinal në raport me pasanikët që vijnë nga investimet rëndom kundra interesit publik?
Ky mendoj se duhet të ishte debati kryesor, në nivel racional, i nxitur edhe nga skandali i fundit, me synim gjetjen e rrugëve që nesër të mos guxojë më kush të na sjellë plehra pa u pastruar një herë plehrat tona.

Shkaku: pula politike apo veza ekonomike?

Po t’i pyesësh shumicën e shqiptarëve të përgjigjen se shkaku i kësaj gjendjeje është klasa politike e korruptuar dhe elita intelektuale në shërbim të saj. Ka që flasin edhe për biznesmenë të korruptuar apo të lidhur me krimin. Por ajo që bëhet më pak është lidhja e të dyjave si një fenomen ku në njërën anë të shkakut është politikani dhe më anë tjetër biznesmeni në një raport shkak pasojë që mbyll një rreth vicioz sipas dilemës “veza pulën apo pula vezën”. Problemi është se në debatin shqiptar mbi gjetjen e shkakut tek “veza” apo “pula” theksi është venë, me qëllim dhe pa qëllim, tek pula/politika duke u lënë gjithnjë në hije veza/ekonomia. Kjo ka bërë që edhe kur janë ndërruar pulat, ato që i kanë zëvendësuar kanë dalë nga e njëjta vezë me të njëjtat karakteristika siç i ka të përcaktuara në ADN veza. Vështroni, ligjin mbi sjelljen e mbetjeve. Pulat politike ndruan vend kurse vezët që e mbështetën ligjin si dje edhe sot janë po të njëjtët biznesmenë. Sot ne bërtasim “korrupsion!” kundër Ramës siç bërtisnim dje kundër Berishës ndërkohë që korruptuesve nuk dimë as emrat. Këtu ka diçka që nuk shkon. Mendoj se në debatin tonë sot duhet sjellë me forcë pyetja: pse këta të pasurit tanë kanë nevojë të korruptojnë politikën dhe hartojnë thuajse gjithmonë projekte që janë kundër interesit publik?
Kjo pyetje me doemos do të na çojë tek analiza e historisë së pasurimit të atyre që u bënë biznesmenë në Shqipëri dhe që dora dorës kapën politikën. Në shkrimin paraardhës kam folur për oligarkë me pasurim të dyshimtë. Pa dashur t’i fus të gjithë në një thes do të thosha se një nga shkaqet kryesore të këtij degradimi është  veza që ka nxjerrë pulën: shpesh paraja e pisët, që ka pasur, në një sasi të madhe, burim krimin. Dhe lidhja është shumë e thjeshtë: krimit ka si psikologji pasurimin e shpejtë dhe të lehtë të njerëzve që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, që s’kanë as pasione të tjera veç parasë dhe as moral. Në thelbin e vet një ekonomi e bazuar mbi krimin si një ekonomi njerëzish të paaftë s’mund të jetë veçse një ekonomi e dështuar. Kjo do të prodhojë politikë të dështuar kur politikanët qëndrojnë në pushtet me paratë e biznesmenëve të korruptuar ose janë vetë këta. Gjykoj se këtu duhet kërkuar më së shumti burimi i kësaj ekonomike që po përparon në Shqipëri me shpejtësi dramatike duke zaptuar gjithnjë e më shumë politikën, mediet, drejtësinë, shoqërinë civile. Është pikërisht degradimi që vjen nga dështimi ai që shpjegon pse Parlamenti u mbush me kriminelë, pse nga Lazarati sot kemi tërë Shqipërinë vend kultivimi të kanabisit dhe se pse po i hapet rruga sjelljes së plehrave. Krimi ndjell krimin – thotë një fjalë e urtë.

Si mund të dilet nga ky rreth vicioz?

Sot është bërë e modës fjala “veting” duke iu referuar  Reformës në Drejtësi. Ajo që duhet bërë për të dalë nga ky rreth është një tjetër veting: ai i të ashtuquajturve të pasur shqiptarë në emër të një tjetër reforme: Reformës në Ekonomi. Ata që kanë ndërtuar biznese kundër interesit publik duhen futur të parët në shoshë për të bërë të qartë se si e kanë bërë pasurinë, se sa kanë qenë të rregullt në pagimin e taksave, nëse janë apo jo borxhlinj nëpër bankat tona etj.. Por, në këtë pikë, pyetja që shtrohet është: a mund t’ia bëjë vetingun këtyre drejtësia pasi të ketë kaluar vetingun e vet? Personalisht dyshoj shumë se një drejtësi edhe sikur të jetë vërtet e pavarur mund të përbllojë pushtetin e kësaj ekonomie që ka me vete edhe pushtetin politik edhe atë mediatik. Është kjo një arsye më shumë për të mbështetur idenë e një lëvizjeje të re politike që, duke mbrojtur interesat e të papërfaqësuarve, duhet të bëjë presion edhe për shëndoshjen e ekonomisë shqiptare, për pastrimin e saj nga metastazat e ekonomisë që po e kthen vendin në plehër, duke ushtruar një kontroll të rreptë ndaj çdokujt që kërkon të investojë paratë e krimit në vendin tonë.
Përndryshe na pret rënia e këtyre “piramidave” kriminale dhe zhyia e vendit në një kaos të ri. (Panorama, 30 shtator 2016)

Monday, September 26, 2016

Investime strategjike apo strategji grabitjeje

Lexova para disa ditësh shkrimin investigativ të Birn me autore Lindita Çelën: "Resortet turistike në bregdetin e jugut po ndërtohen në prona të grabitura". Ishte një ilustrim i qartë dhe i plotë i asaj se si në këtë vend një grup të pasuruarish të dyshimtë, në bashkëpunim me politikanë e gjyqtarë edhe më të dyshimtë se këta, me moral blozë, kanë grabitur ndër vite dhe vazhdojnë të grabisin shqiptarët pa u hyrë gjemb në këmbë. Ai është, po ashtu, edhe një çjerrje maske e kryeministrit të radhës, i cili ulëret e bërtet për reformën në drejtësi e vetingje gjyqtarësh e prokurorësh, duke i akuzuar se kanë grabitur shqiptarët, ndërkohë që është ai, dora vetë, në krye të grabitësve.
Për ta përmbledhur me dy fjalë (shpresoj që lexuesi e ka lexuar vetë http://www.reporter.al/resortet-turistike-ne-bregdetin-e-jugut-po-ndertohen-ne-prona-te-grabitura/) shkrimi na tregon se si u është grabitur katër familjeve himarjote trualli në një nga perlat e bregdetit të Jugut, poshtë Palasës, nëpërmjet një serie falsifikimesh e korruptimesh, për të përfunduar në duar oligarkësh famëkeq, të njohur tashmë si të lidhur me të gjitha partitë/banda që kemi pasur e kemi në pushtet. Shkrimi na tregon se drama e grabitjes, e filluar që me firmat piramidale, është zhvilluar me disa akte. Ata të fundit (duke filluar që nga dhënia e lejes së ndërtimit më 2014 në një kohë që tjetërsimi i pronave ishte objekt hetimi i Prokurorisë) i ka kryer kryerilindasi Rama i cili, në përfundim, ka gjetur edhe mënyrën për t'i fshirë gjurmët e krimit. Ai i ka dhënë në 2015 investimit në pronat e grabitura statusin e investimit strategjik, pasi ka miratuar me Parlament një ligj mbi investimet strategjike i cili lejon shpronësime të pasurive të paluajtshme për interesa publike.

 Nuk dua të merrem këtu me anën investigative sepse shkrimi i BIRN e ka treguar qartë e bukur mekanizmin e grabitjes. As me faktin se investitori është përsëri Mane & Co që na del gjithandej si kryeministri hije i Shqipërisë në qeveritë Berisha dhe Rama, ndërtuesi i Rolling Hills, ku ka strehën një pjesë e mirë e kastës që na ka sunduar e sundon, çka shpjegon edhe heshtjen e opozitës e të medieve kryesore për akte  të tilla skandaloze.

Dua të merrem me gjethen e fikut të përdorur nga Kryeministri dhe oligarkët e tij: se investimi na qenka strategjik në turizëm dhe në interesin publik pasi atje u investuakan mbi 50 milionë euro dhe u punësuakan, për nja dy vjet, mbi 80 vetë.

A është me interes publik ai horror që shohim në foton e publikuar nga Birn ku pejsazhi aq i bukur, i virgjër i bregut poshtë Palasës është betonizuar me një seri vilash ngjitur njëra pas tjetrës në një dendësi që të kujtojnë kompleksin e shëmtuar moralisht dhe   arkitektonikisht të Rolling Hills, ku duket qartë se synimi është ndërtimi i sa më shumë vilave në sa më pak metër katror sipërfaqe për të  rritur fitimin privat?

Jo dhe jo. Ajo që shohim aty është strategjia e grabitjes së pasurisë publike dhe private me synim pasurimin e një grushti njerëzish e ndjekur kudo në vend ku pronat publike apo të njerëzve të thjeshtë të palidhur me pushtetin janë zaptuar nga të fortët. Është "strategjia" që privatizoi plazhin e
Durrësit duke e kthyer më në fund në një plehër antituristike (plus disa laguna me vila të njerëzve të kastës) e që tani, si metastazat e një tumori i është qepur bregdetit të Jugut.

Nesër në bregun poshtë Palasës, që ishte një perlë që kurrsesi nuk duhej prekur, ndërsa pronarët duhet të kompensoheshin, do të kemi një zonë me vila, ku do gjejmë shumë nga banorët e Rolling Hills, dhe ndoshta edhe disa hotele super të shtrenjta të rrethuar me mure të larta. Ndërkohë me siguri edhe bregu do të bëhet i pakalueshëm për të gjithë të tjerët, vendas dhe turistë të huaj. Dhe ironia më e madhe  është se për t'ia nxjerrë sa më të lirë koston këtyre ndërtimeve private në dhjetor të vitit 2015, Rama paska miratuar edhe 10 vendime, medemek me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjik. Sipas këtyre, me paratë e gjithë shqiptarëve, që nesër as do të mund të hyjnë në atë zonë, shteti do t’i ofrojë Manes & Co infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime, trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.

JO, kjo nuk është strategji zhvillimi të turizmit nëse me të tilla nënkuptojmë projekte që shikojnë larg në kohë dhe që përfshijnë interesa vërtet publike, që  i interesojnë  gjithë popullsisë së Jugut: të atyre që jetojnë sot, por edhe të atyre që do të lindin nesër. Sikur të mos ishte syverbësia e babëzisë nuk do të ishte vështirë që Ministria e Trizmit të gjente shembujt për tu ndjekur në vendet më të njohura për turizëm sot. Atje do të shohësh se, përveç ndërtimeve historike, brigjet deri thellë ruhen të paprekura, sepse nuk është hoteleria vlera kryesore për të cilën vijnë turistët, por natyra, klima, pejsazhi, trashëgimia kultuore ku hyn edhe kuzhina. Hoteleria gjithnjë e më shumë bëhet në të ashtuquajturat agroturizme që janë edhe një mënyrë që komuniteti rrotull të zhvillojnë një ekonomi të qëndrueshme.

Në raste si zona në fjalë ajo që do të duhej të bëhej më së pari në Jug duhet të ishte ndalimi i ndërtimeve të reja për ruajtjen e pejsazhit. Pastaj restaurimi i shtëpive të fshatrave të vjetra - shumë më të bukura dhe tërheqëse sesa vilat standarte të Manes që s'kanë asnjë lidhje me traditën. Një pjesë e këtyre shtëpive do të shërbenin pastaj edhe për hoteleri duke u bërë burim të ardhurash për komunitetin. Nëse kjo hoteleri nuk do të ishte e mjaftueshme (për sezonin e verës) zgjidhja kurrsesi nuk mund të ishte shkatërrimi i natyrës e i pejsazhit me ndërtime gjatë bregut, le më pastaj për vila private. Duke pasur parasysh ndërtimet në Vlorë e Sarandë hoteleria mjafton e tepron për ata që duan të shijojnë detin, të eksplorojnë pejsazhin dhe traditën e Jugut. Asgjë nuk u kushton atyre të marrin makinën siç bëjnë në Toskanë apo në Sardenjë dhe të lëvizin pastaj nga Vlora apo Saranda apo nga agroturizmet që duhet të jenë lart, për në gjiret e ndryshëm të virgjër të bregut e për të vizituar fshatrat e bukur të jugut të restauruar ku edhe do të mund të hanin e pinin në restorante që ruajnë traditën. Kurse ndërtime të tilla veçse i largojnë turistët nga këto zona sepse u shëmtojnë pejsazhin, por edhe pse ua zaptojnë plazhin me ndërtime private.

Prandaj këto nuk janë investime strategjike për interes publik, por strategji grabitjeje për interesa private. Është strategjia kafsho një copë Shqipëri, mbush xhepat e ik, që ka shkatërruar tash 25 vjet shumëçka që përbënte pasuritë më të vyera që i kishin mbetur këtij vendi duke filluar që nga toka buke, pyje, lumenj, brigje deti e deri në trashëgiminë kulturore. Është e njëjta strategji që po na sjell së fundi edhe plehërat nga Evropa. (Panorama, 26 tetor 2016)

Tuesday, September 20, 2016

Dibra si kërcënim i putinizmit

Në fjalimin e tij përpara dibranëve deputeti oligark i PS Sadri Abazi, për t'i bindur dibranët të votojnë kandidatin e maxhorancës, u tha se Edi Rama do të rrijë në pushtet edhe dhjetë vjet të tjera prandaj ata kishin të gjithë interesat të votonin për të, sepse kështu do të gëzonin të mirat që vijnë nga qenia pranë pushtetit.

Fjalimi i tij qarkulloi nëpër rrjetet sociale me përqeshje, sepse deputeti fliste me një patos banal që e bënte qesharak. Por fitorja me diferencë 4000 vota e maxhorancës në Dibër shpresoj t'i ketë bërë pak më seriozë ata që e përqeshën pasanikun. Ai paralajmëroi instalimin e putnizmit në Shqipëri.



Ç'kuptoj me putinizëm

Me putinizëm kam parasysh një sistem që, edhe pse pluripartiak, nuk garanton rotacion pushteti sepse partia më e madhe, gjithë duke ruajtur fasadën e një vendi që shkon në votime, sundon e vetme nëpërmjet kontrollit të ekonomisë, të medieve, të shoqërisë civile, të drejtësisë. Putinizmi ka si background historik vende që kanë dalë nga diktaturat, ku sundon mendësia autoritariste, që kanë prirjen t'i ikin lirisë, dhe që kanë hyrë në sistemin kapitalist pa përvojë vetëorganizimesh sociale, politike si formë rezistence ndaj pushtetit.

Problemet që ngre putinizmi janë shumë. Instalimi i tij heq mundësinë për të korrigjuar me votë gabimet në rritje të maxhorancës sunduese të cilat vijnë duke u rritur sëbashku me autoritarizmin dhe arrogancën e liderit të saj. Duke  pretenduar përfaqësimin e të gjithëve putinizmi ndërton një kastë të paprekshmish që pengon atë që quhet mobilitet social, demokracinë lirinë dhe, në raste ekstreme, mund të çojë në diktatura fashiste.



Pse na rrezikon putinizmi

Premisë e putinizmit është fakti se partitë tona jo vetëm janë të gjitha përfaqësuese interesash oligarkike, por gjatë viteve, duke u kriminalizuar, janë shndërruar në banda që luftojnë për kontroll territori dhe përfitimesh. Kjo situatë, duke degraduar, ka çuar më një anë në largimin e popullit nga politika (edhe nga vendi), sepse ndjehet i papërfaqësuar dhe, nga ana tjetër, në një luftë brenda llojit për asgjësimin e njëra tjetrës dhe fitoren e asaj më të fortës. (Shih për këtë edhe shkrimin "Ndërtimi tek Parku si avancim i fashizmit ekonomik" Panorama, 19 janar 2016))

Megjithatë mund të ngrihet me të drejtë pyetja: pse rrezikohet rotacioni kur deri tani e kemi pasur?

Ka pasur disa arsye, të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, që kanë mundësuar rotacionin. Ato më kryesoret janë:

Së pari, dështimi në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme - i lidhur ngushtë edhe me korrupsionin galopant - ka bërë që të vijë një pikë kur njerëzit i janë kthyer kundër maxhorancës sunduese.

Së dyti, deri në fitoren e Berishës në 2005 dhe ca më pak në fitoren e Ramës në 2013 ka pasur një masë të konsiderueshme njerëzish që kanë vazhduar të besojnë tek opozita, ta ndjekin e ta mbështesin me shpresë ndryshimi për mirë.

Së treti, ka pasur një numër më të madh njerëzish që kanë vazhduar ta quajnë PS-në parti të majtë (edhe pse bën politika ultra liberiste) dhe PD-në të djathtë; bazuar tek e kaluara historike komuniste apo antikomuniste (por edhe në sajë të instrumentalizimit nga ana e këtyre  partive të kësaj të kaluare).

Së katerti, ka pasur më shumë oligarkë të lidhur me njërën apo tjetrën parti, një pjesë e të cilëve, edhe për arsyet historike që përmenda, edhe për shkak të disa lidhjeve të krijuara nga privilegjet e dhëna gjatë qenies në pushtet, u kanë mbetur besnikë opozitave.

Së pesti, ka pasur më shumë shoqëri civile e intelektualë të pavarur, çka i dedikohej edhe faktit se shumë shoqata e intelektualë sponsorizoheshin nga të huajt; plus faktit se standardet e jetës më herët kanë qenë më të ulëta, kështu që mbijetesa sigurohej me më pak.

Së gjashti, shqiptarët gjithsesi kanë zhvilluar një lloj imuniteti ndaj liderit të përjetshëm për shkak të kujtimit të figurës së Enver Hoxhës. Edhe kjo ka ndikuar që, kur kanë parë delirin në rritje të liderit të maxhorancës së radhës t'i japin goditje aspiratës së tij për lider të përjetshëm. 



Pse sot rrezikon të mos ndodhë më rotacioni?

Së pari duhet thënë se megjithë rotacionet prirja putiniste ka qenë gjithnjë prezente.  Partitë, me në krye liderin e radhës, kanë tentuar të akumulojnë sa më shumë pushtet duke eliminuar kundërshtarët dhe jo ta shpërndajnë atë për t'ia dhënë ligji dhe institucioneve. Vendimet që kanë marrë kanë qenë përherë rezultat i arrogancës jo i dialogut me opozitën, shoqërinë civile apo oponentët konstruktivë.

Së dyti, sepse të gjithë këta faktorë që përmenda, për shkaqe të degradimit të përgjithshëm të vendit, por edhe për shkak të një strategjie mjeshtërore tharëse të pemës së diversitetit nga ana e Rama & Co janë në zbehje.

Duke e lënë faktorin ekonomik në fund po e nis nga të tjerët.



Rënia e besimit tek opozita

Aq i vogël është ky besim saqë në Dibër një pjesë preferuan më mirë të marrin 2000 lekë për votë sesa të investojnë tek PD-ja. Sigurisht kjo vjen për shkak të përvojës së akumuluar tashmë se do të votonin për pasurimin e të njëjtëve oligarkë me të njëjtin stil pasurimi: grabitjen.



Rënia e ndikimit të së kaluarës

Varfëria, injoranca, dhe kulti e parasë, si e mira që siguron të gjithë të tjerat, ka avancuar sëbashku me avancimin e zhdukjes së brezave të së kaluarës duke e bërë elektoratin gjithnjë e më të pandjeshëm ndaj të kaluarës historike.



Pakësimi i oligarkëve opozitarë

Në kushtet e vështirësive në rritje ekonomike dhe të politikave  monopolizuese të ndjekura nga Rama & Co, të një ekonomie që gjithnjë e më shumë mbahet vetëm me para publike (kur nuk mbahet nga krimi) janë pakësuar biznesmenët që kanë mundësi të mbijetojnë nëpërmjet biznesit të tyre e t'i japin mbështetje opozitës. Për këtë zvogëlim ndikon edhe rritja e numrit të atyre që deri dje kanë ngrënë me të gjithë krahët dhe që gjithnjë e më shumë e shohin të pakuptimtë pagimin e dy tre partive, sepse u mjafton korruptimi i njërës.



Lideri i përjetshëm

Largimi i njerëzve që janë të lodhur me këtë vend që s'po del nga tranzicioni si dhe i gjithë atyre që nuk durojnë liderët autoritarë për shkak se ruajnë ende memorien, si dhe rritja e ndjenjës së nënshtrimit (kombinuar me faktorët e sipërpërmendur) e lehtëson avancimin e sëmundjes së gjithpushtetshmërisë tek Edi Rama.  Shembulli më elokuent për këtë e dha vetë partia e tij që pranoi pa kundërshtim që lidershipi i tij të mos vihej në votim në Kongres, gjë kjo e pangjarë deri më sot.



Ekonomia kriminale

Putinizmi nuk mund të konsolidohet pa naftë. E pra, duket se maxhoranca ka gjetur "naftën" që i mban në këmbë. Mbjelljen dhe trafikimin e drogës. E vërtetë, gjendja ekonomike është në ditët më të zeza që s'i ka njohur prej kohësh. Dhe kjo shkon në kundërshtim me argumentin tim kryesor. Pra njerëzit duhet të ngrihen. Por Dibra vërtetoi të kundërtën. Çfarë ndikoi? Ndikoi fakti se varfërimi (i lidhur edhe me faktorët e tjerë) jo vetëm i revolton njerëzit, por edhe i shtyn të ikin, edhe i degradon duke i çuar në krim e korruptim. Të mbijetosh duke mbjellë kanabis nën mbrojtjen e policisë është edhe krim edhe korruptim njëherësh. Sot jemi në një situatë kur mbijetesa e njerëzve është gjithnjë e më shumë e lidhur me krimin dhe oligarkët e lidhur me pushtetin. Janë strukturat e tyre, dhe jo strukturat partiake, që lidhin politikën me popullin. Në rreth vicioz, sa më shumë akumulimi i parave shkon në duar e këtyre njerëzve aq më të skllavëruar e të depersonalizuar ndjehen njerëzit derisa arrijnë të jetojnë me krim apo ta sheshin votën për 2000 lekë.

Për të gjithë këta faktorë të ndërlidhur me njëri mendoj se jemi përpara rrezikut serioz të instalimit të putinizmit.

Duhet thënë se Shqipëria nuk është e izoluar në këtë fenomen. Ajo i shembëllen shumë vendeve të botës ish komuniste, që janë një karikaturë e problemeve që ka sot kapitalizmi që i ka shndërruar politikanët gjithnjë e më shumë në menaxherë të interesave të oligarkisë. Veçse ajo është një imitim shumë më karikaturesk dhe kriminal sepse oligarkia jonë është shumë më kriminale, për të mos thënë se është krimi vetë.



Cila është rrugëdalja

Rreziku i këtij putinizmi apo fashistizimi të vendit mund të luftohet vetëm duke mobilizuar mosbesuesit, indiferentët, të lodhurit dhe të varfrit që s'duan të jetojnë me krim apo ta shesin votën për 2000 lekë. Parulla që duhet ngritur është: të përfaqësohen të papërfaqësuarit.

A mundet Partia Demokratike ta bëjë këtë punë. Duket një mision gati i pamundur. Më së shumti duket se kjo parti pret të trashen zullumet e kësaj bande në pushtet derisa njerëzit të shkojnë të kërkojnë ndihmë e shpëtim tek banditët e saj. Por, siç argumentova më sipër dhe siç e vërtetoi Dibra, ky variant duket gjithnjë e më i vështirë. Kështu siç është PD-ja mund të shërbejë fare mirë si parti e përjetshme opozitare në sistemin putinist.

Në këto kushte situata është tejet e rëndë dhe prapë do të thosha se rruga më e shkurtër është ajo që duket më e gjata dhe më e pamundura: krijimi i një lëvizjeje që të përfaqësojë të papërfaqësuarit, me njerëz të rinj, me fytyra të reja, që ngjallin besim e shpresë. Kjo lëvizje duhet të jetë e gatshme të bashkëpunojë edhe me opozitën, por pasi ka parë se ajo ka reflektuar dhe ka bërë ndryshime serioze dhe bindëse për të hequr dorë nga mendësia e sjelljes thjesht si një bandë që lufton me banditët e vet për të ripushtuar territoret e humbura. (Panorama, 19 shtator 2016)





Tuesday, September 6, 2016

Nga duhet filluar

Gjatë debatit mbi reformën në drejtësi kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj tezën se prapa retorikave të kësaj reforme kemi luftën për pushtet midis tre partive banda. Si pasojë kjo luftë mund të sjellë tre lloj zhvillimesh: ose një lloj destabilizimi (nëse tre bandat hapin luftë me njëra tjetrën pa e mposhtur dot njëra tjetrën), ose futje edhe më thellë në shtetin e së padrejtës, (nëse Drejtësia kapet nga banda më e madhe), ose mbetje atje ku kemi qenë, (nëse ato arrijnë një "konsensus"). Kam argumentuar se e treta është më e mirë se dy të para, pasi është më demokratike të kesh tre banda në pushtet sesa një bandë apo destabilizim e kaos. Mirëpo opsioni i tretë ngre, me shumë të drejtë, pyetjen: mos kjo do të thotë se duhet të qëndrojmë në kënetën e korrupsionit dhe depresioni ku ndodhemi? A nuk duhet filluar diku? Dhe, a nuk mund të ishte reforma në drejtësi një fillim?

Reformat e vërteta dhe politika

Shpesh, kur flasim për rrugët e ndryshimit, duke u dhënë emrin "reforma", këto i lidhim me politikanët që kemi duke nënkuptuar se ata, me hir ose me pahir, po detyrohen t'i bëjnë ato. Nganjëherë, madje, situata shitet sikur  edhe ata i kërkojnë sinqerisht këto rrugë, i duan reformat e vërteta, por nuk i gjejnë dhe kërkojnë ndihmë. Koha ka treguar se nuk është kështu. Të gjitha reformat e maxhorancave që kanë ardhur në pushtet kanë qenë të rrejshme dhe zhgënjyese pasi janë përdorur për një qëllim të vjetër dhe të pandryshueshëm: ndryshimin e gjithçkaje (në kuptimin e vendosjes në pushtet të njerëzve të tyre), që të mos ndryshojë asgjë (në kuptimin e mënyrës se si këta njerëz keqpërdorin pushtetin për interesat e tyre meskine). E tillë është edhe reforma që po na premton drejtësi. Le të sjell një argument me vetë fjalët e Ramës për këtë. Rama i porsaardhur në pushtet, deklaronte se për korruptimin e njerëzve e ka fajin sistemi jo individët, se edhe një gjerman po ta futësh në këtë sistem do të korruptohej. Pra ai nënkuptonte se do të ndryshonte sistemin. Ndërkaq, ajo çka ka bërë deri më sot (dhe që, sipas meje, synon ta përmbyllë edhe me drejtësinë) është pikërisht ndryshimi i njerëzve jo i sistemit. Edhe i famshmi "veting" që po shitet si shpresë drejtësie e ndryshimi, në thelbin e vet, premton sjelljen e "gjermanëve" në drejtësi.

Nga duhet ta filluar atëhere?

Ka një përgjigje mjaft të thjeshtë për këtë: duhet ta fillojmë nga vetja që të ndryshojmë edhe sistemin.
Edi Rama dhe partia e tij vërtet e kishte shumë të vështirë ndryshimin e gjithçkaje menjëherë. Por një gjë e kishte të lehtë. Të bënte vetingun tek vetvetja më së pari, të mos lidhej me krimin vetë, të mos bënte korrupsion vetë. Dalëngadalë shembulli i mirë që do të jepej në çdo sektor, do të triumfonte mbi të keqen.  Në këtë mënyrë do të fitonte gjithnjë e më shumë kredibilitet dhe nesër do të mund të çlirohej edhe nga i korruptuari Meta të cilin e paraqet sot si shkakun pse nuk po i ecin punët, e do të mund të kryente reforma të vërteta.
Po pse nuk ndodhi kjo, por sot shohim  paradoksin që këtej rilindësit flasin për veting të gjyqtarëve dhe prokurorëve kurse më anë tjetër mbështeten tek kriminelët që kanë futur në Parlament e nëpër bashkira? Jo thjesht sepse janë mashtrues e hajdutë të lindur, sikurse thonë disa, por sepse janë pjesë e sistemit, pjesë e strukturës së pushtetit ekonomik, politik, mediatik, që korrupton edhe "gjermanët".
Në një shkrim e kam krahasuar këtë sistem me një godinë tre katëshe me krimin e organizuar në bodrum, me oligarkët e korruptuar dhe korruptues në kat të parë, me mediet e këtyre oligarkëve në kat të dytë, me politikanët në katin e tretë, në të cilin kat drejtësia nuk ka veçse disa zyra të vogla.
Ajo që po ndodh tek kjo godinë me ardhjen e Ramës në pushtet është se ai po kërkon t'i zvogëlojë opozitës zyrat fare në kat të tretë, t'i mbyllë drejtësisë dyert që i ka të lidhura me ato të opozitës duke ruajtur lidhjen vetëm me zyrat e veta; të marrë gjithnjë e më nën kontroll lidhjet me katin e parë dhe të dytë e veçanërisht të fuqizojë lidhjet me  bodrumin, çka po duket dramatikisht së fundi me faktin që po bëhet gjithnjë e më evidente se mbjellja e tërë Shqipërisë me kanabis nuk është një diçka spontane, por diçka e organizuar për të siguruar bazën ekonomike të pushtetit të kësaj maxhorance.
E pra, reforma e vërtetë që kërkohet në Shqipëri është ajo që do të synonte shpërbërjen e kësaj godine kriminale pushteti. Dhe të presësh që këtë ta bëjnë vetë arkitektët, ndërtuesit dhe konsoliduesit e saj është iluzion sepse ata kanë dy arsye të forta që nuk i lejon ta bëjnë këtë. Së pari, ekonomike, sepse interesat e tyre materiale janë të lidhura ngushtë me mirëfunksionimin e kësaj godine dhe së dyti, psikologjike,  sepse ata janë "institucionalizuar" tashmë në këtë godinë. Jashtë kësaj godine dhe punës që bëjnë në të ata nuk i gjejnë dot më kuptim jetës.

Lëvizja e  re
Ja pse kam ngulmuar dhe ngulmoj se për të kryer reforma të vërteta lipset një lëvizje e re njerëzish që duhet të synojnë shpërbërjen e kësaj godine dhe jo fuqizimin e saj, siç po ndodh. Saktësoj se kur them "jashtë" nuk nënkuptoj "gjermanë" që bien nga qielli, por, në radhë të parë shqiptarë që nuk janë përfituesit, por viktimat e kësaj godine si dhe plot nga ata që, në një mënyrë apo në një tjetër, u është dashur t'i nënshtrohen diktatit të saj, por që kanë vetëdijen se kemi të bëjmë me një strukturë kriminale që po i çon të gjithë në humnerë, apo edhe eksponentë të ssaj që janë bërë tashmë të vetëdijshëm se po vazhdoi kështu ajo do të implodojë duke i zënë edhe ata brenda.
Disa nga pikat kryesore të programit të kësaj lëvizjeje, që përsa i përket elektoratit e shoh si lëvizje të të papërfaqësuarve  nga godina, prandaj dhe më së shumti të njerëzve të ndershëm dhe të varfër, prandaj më së shumti një lëvizje të majtë si ato që kanë lindur së fundi kundër kastave të korruptuara në Greqi, Itali apo Spanjë, do të duhet të ishin:
Së pari, të mos ketë lidhje dhe sponsorizim nga krimi dhe kriminelët, çka do të thotë që ajo të planifikojë që bodrumi i godinës të postohet në vendin që i takon, me një fjalë në burg, apo në fundërrinat e shoqërisë.
Së dyti, të kontestojë fort me shembullin e vet konfliktin e interesave që ka sot në Parlament, midis qenies në teori të politikanëve shërbëtorë të interesit publik dhe qenies së tyre realisht biznesmenë që e përdorin politikën për përfitimet e tyre personale. Duke iu referuar  metaforës së godinës kjo do të thotë që lëvizja të programojë që kati i parë i godinës të spostohet më vete, si treg vërtet i lirë.
Së treti, të kërkojë një reformë themelore në sistemin mediatik që do të pamundësojë ekzistencën e medieve manipuluese e disinformuese të publikut që punojnë për interesat e bodrumit, të katit të parë dhe të politikanëve të lidhur me ta dhe të  stimulojë mediet   e pavarura prej tyre. Çka do të thotë që edhe kati i dytë i godinës të shkrihet e të krijohet një "godinë mediatike"  më vete, si pushtet i ndarë.
Së katërti, në këtë lëvizje të katit të dytë duhet të përshihet edhe kërkesa që në shpërbërjen e godinës të kryhet edhe zhvendosja e zyrave të së ashtuquajturës shoqëri civile që ato të fillojnë të punojnë si  kundërpeshë e pushtetit, siç i quan John Locke dhe jo si leva të partisë në pushtet siç i quante Stalini dikur organizata të tilla si organizatën e gruas, bashkimet profesionale, organizatën e rinisë etj.
Së pesti, për ta mbyllur me reformën në drejtësi:
vetëm një lëvizje e tillë, që e fillon vetingun nga vetja dhe që punon seriozisht për ndarjen e kësaj godine kriminale, mund ndjehet e lirë për t'i dhënë pushtetin ligjit dhe Drejtësisë mandatin për të qenë ajo gardiani i vetëm i tij.
Kush pretendon se me një politikë, ekonomi, media, dhe shoqëri civile të kapur nga krimi dhe korrupsioni, mund të kemi drejtësi të pavarur, që të mbrojë barazinë e të gjithëve para ligjit, vetëm se mashtron për qëllime që s'kanë të bëjnë me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. (Panorama, 5 shtator, 2016)