Wednesday, September 25, 2013

Një krahasim i gabuar



Kohët e fundit është përmendur shpesh krahasimi që ka bërë Kryeministri Rama midis fitores së koalicionit të tij më 23 qershor dhe fitores së PD në 22 mars të vitit 1992. E ka bërë edhe ambasadori amerikan, Arvizu. Nuk e di nëse e ka marrë Arvizu nga Rama apo Rama nga Arvizu, por di të them se Arvizu me siguri e ka marrë nga ndonjë shqiptar, prandaj edhe mund të mos i vësh faj. Për sa i përket Ramës, bie në sy se krahasimin e ka përdorur më së pari për konsum të jashtëm dhe kjo, sipas meje, ia shton shijen e keqe. E them këtë pasi, sipas meje, është një krahasim tri herë i gabuar: e para sepse është një interpretim i rrejshëm i asaj kohe, e dyta, sepse ka dallim midis asaj kohe dhe kësaj që po jetojmë për sa i përket votës së shqiptarëve; e treta, sepse duket sikur Rama synon të na manipulojë me stilin e tij, tashmë të njohur, duke manipuluar të huajat dhe pastaj duke na manipuluar nëpërmjet tyre: u themi të huajve ca gënjeshtra, ata i riciklojnë si të vërteta, dhe me to pastaj shpëlajmë trutë e shqiptarëve që, çdo fjalë që nxjerrin nga goja të huajt, e marrin si fjalën e Atit të Shenjtë.
Sipas meje, krahasimi bëhet për të na sugjestionuar. Pra, për t’i dhënë rëndësi fitores së tij, çka, kuptohet, i rrit pushtetshmërinë, Rama e krahason fitoren e 23 qershorit me një ngjarje që na e shet si të madhe për mirë në historinë e shqiptarëve. Dhe këtu le të përmendim se kjo gjë revoltoi shumë ata të PD-së, me në krye Jozefina Topallin, që u lëshuan me akuza kundër ambasadorit që guxonte të bënte krahasim midis asaj ngjarjeje të madhe dhe kësaj fitoreje meskine. Por problemi im nuk është ai i zonjës Topalli. Përkundrazi, problemi im është se sipas shumë shqiptarëve sot, madje edhe Ramës vetë në atë kohë, 22 marsi është një ngjarje me të cilën merr nismën historia e tragjedisë postkomuniste shqiptare si vazhdimësi dhe jo si ndryshim i të keqes komuniste, prandaj krahasimi është shumë problematik qoftë për sa i përket kujtesës historike, qoftë për atë se sa na premton rilindje dhe se sa na motivon një njohje dhe vlerësim kësisoj i historisë.
Atëherë le të kujtojmë pak më me gjakftohtësi se çfarë e shoqëroi vitin që solli 22 marsin e vitit 1992. Më së pari duhet thënë se ngjarjet më të rëndësishme që shënojnë rënien e regjimit komunist, janë lëvizja studentore që kulmoi me pranimin e pluralizmit politik, si dhe 21 shkurti 1991, kur populli rrëzoi monumentin e diktatorit – që sollën pastaj zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991. Kurse periudha që pason, nga 31 marsi 1991 deri në 22 mars 1992, është një periudhë mjaft e errët në historinë e Shqipërisë, sepse është periudha e ngjitjes në pushtet të një monstre (disa i vënë emrin Sali Berisha, por unë kam parasysh jo thjesht atë, por frymën politike që u ngrit), që prodhoi rënien e shpresës së shqiptarëve për të ndërtuar demokraci, ekonomi të lirë tregu dhe që shkoi deri në tragjedinë e vitit 1997, që është një nga tragjeditë më të rënda në historinë e popullit shqiptar.
Sipas meje, periudha mars 91 – mars 92 është periudha e shtatzanisë që e polli monstrën që lindi më 22 mars dhe pasojat e saj. Ai ishte një vit ku shqiptarët u bënë protagonistë të një destruktiviteti të paparë social, ekonomik dhe politik. Kujtoni se sa plaçkitje magazinash shtetërore u kryen në atë kohë, se si u prenë deri edhe pemët anës rrugëve automobilistike, eksodin dramatik që filloi të nxjerrë jashtë vendit energjitë më të mira dhe trurin më të mirë të shqiptarëve, shkatërrimin e administratës dhe të çdo autoriteti të shtetit e të ligjit. Të gjitha këto e të tjera nuk do të mund të ndodhnin pa aventurizmin dhe papërgjegjshmërinë politike të monstrës që polli ky vit, një monstër i motivuar vetëm nga etja për pushtet, që kërkonte me çdo kusht të fuste në krizë qeveritë që dolën atë vit, në mënyrë që t’i hapej rruga Sali Berishës e të tijve. Për këtë sigurisht u shfrytëzua edhe fakti se përballë në pushtet ishte një president që kishte humbur legjitimitetin dhe që nuk kërkonte gjë tjetër, veçse si ta lëshonte vendin në duart e aventurierierëve dhe të papërgjegjshmëve të parë, mjaft që të mos e gjente gjë atë dhe njerëzit e tij.
Le të kujtojmë se fushata elektorale e marsit ‘92 është ajo e mbarsjes së njerëzve me teorinë e “terapisë së shock-ut”, që përfundoi në shock pa terapi; e premtimeve mashtruese të “çekut të bardhë”;  e sloganit absurd “ne qeverisim, Europa na ndihmon”, që zëvendësoi sloganin e Enver Hoxhës “miqësia - garancia” dhe që praktikisht u përkthye në “ne vjedhim ndihmat që Europa jep për ju”. Le të kujtojmë gjithashtu se gjatë atij viti në Partinë Demokratike kishte filluar një luftë për pushtet me pastrime të stilit enverist të figurave që mund t’i bënin rezistencë demokratike Sali Berishës e që shpërtheu fill pas 22 marsit, duke e zhveshur partinë nga pjesa më intelektuale e duke e bërë të humbasë rëndshëm popullaritetin. Kujtoj se jo më shumë se tre muaj pas këtyre zgjedhjeve, pra fill pasi mori pushtetin, PD-ja i humbi zgjedhjet lokale; se dy vjet më vonë, PD-ja përsëri e humbi referendumin për Kushtetutën; se gjatë kësaj periudhe edhe ish-të burgosurit edhe ish-pronarët, që kjo parti gjoja përfaqësonte, e panë veten në greva urie prej të cilave u nxorën dhunshëm jashtë nga një parti që mbiquhej antikomuniste, por liderët kryesorë të së cilës ishin të llojit më të keq të komunistëve. Kujtoj po ashtu se jemi në periudhën kur iu hap rruga një vërshimi sa të paligjshëm, aq edhe të dëmshëm në aspektin ekonomik e social drejt rrethinave të Tiranës me zaptime tokash buke dhe tokash pronarësh të vjetër, zaptimit të hapësirave publike, trafiqeve njerëzore, privatizimeve klienteliste, ashtu sikurse një gjuhe urrejtjeje e lufte të re klasash ku njerëzit gjykoheshin, si në kohën e Enver Hoxhës, me familje e jo si individë etj. etj.
Nuk kam harruar sigurisht bëmën më të rëndë, që s’besoj se e ka harruar kush: atë se, në vend të një ekonomie normale tregu, në këto vite u promovuan piramidat financiare, që qenë një formë e grabitjes së pasurisë së shqiptarëve që s’do të ishte kryer kurrë pa bashkëpunimin e mashtruesve me pushtetarët që merrnin llokmën e paligjshme për këtë bashkëpunim – çka është thelbi i frymës së ekonomisë sonë dhe i motivimit të politikanëve tanë edhe sot e kësaj dite.
Kjo periudhë, pikërisht se ishte e zezë edhe në vlerësimin e shumicës së shqiptarëve, solli grabitjen e votës më 1996 dhe rrahjen në shesh të opozitës.
Le të vë në dukje edhe diçka shumë të rëndësishme: monstra që lindi më 22 mars, riabilitoi me bëmat e saj një parti monstër, siç ishte Partia e Punës e kthyer në Parti Socialiste, pa bërë asnjë lloj vetëkritike për të kaluarën e saj të mbushur me krime, gjë që nuk ka ndodhur në vendet e tjera ish-socialiste, ku më së shumti ish-partitë komuniste janë shkrirë (kujtoj me këtë rast se edhe Edi Rama ka qenë për eliminimin e kësaj partie që sot kryeson). Kjo bëri të inaugurohet një politikë, ku të zezat dhe zullumet që bën një monstër në pushtet, riabilitojnë monstrën që ka qenë në pushtet më parë; një pandëshkueshmëri që vazhdon edhe sot për politikanët, çka zhvilloi me kalimin e viteve një raport dashuri – urrejtjeje midis dy monstrave dhe një teatralitet, ku në skenë dy monstrat luajnë herë lojën demokratike e herë një konfliktualitet të skajshëm, kurse në prapaskenë ndajnë tortën e abuzimeve me interesin publik.
Dikush do të thotë se Rama ka pasur parasysh entuziazmin e njerëzve që dhanë votën më 22 mars 1992, jo ata që morën pushtetin dhe bëmat e tyre. Edhe për sa i përket entuziazmit, kam dyshimet e mia të mëdha, boll të kesh parasysh se shumica e shqiptarëve ëndërronte asokohe të ikte jashtë dhe jo të votonte. Madje, ka shumë zëra që thonë sot se edhe votat janë manipuluar më 22 mars, por s’janë kontestuar, pasi Ramiz Alisë nuk i interesonte mbajtja e pushtetit.
Por gjithsesi, ngulmoj se një ngjarje përkujtohet lidhur ngushtë me efektet që ajo ka prodhuar. Për mua dhe besoj për shumicën e shqiptarëve, 22 mars 1992 është pikërisht momenti kur pasioni i ri i dashurimit të shqiptarëve me lirinë dhe demokracinë, që u manifestua në lëvizjet e viteve ‘90–‘91, u institucionalizua në një martesë zhgënjyese me Partinë Demokratike të Sali Berishës e që vazhdoi pastaj me martesat e tjera deri në ditët e sotme. Dhe kjo martesë e parë nuk mund të celebrohet si ngjarje e madhe nga një njeri që thotë se kërkon të ndryshojë Shqipërinë që ndërtoi Sali Berisha. Këtë periudhë, kur hidheshin rrënjët e Shqipërisë kapitaliste, ai do të duhej ta kishte pjesë të reflektimeve të tij kritike dhe vetëkritike dhe jo të na e shiste si ngjarje historike, pasi shumë shqiptarë të sotëm janë bij jetimë të asaj martese të dështuar.
Në këtë pikë le të vijmë te një dallim i rëndësishëm i 22 marsit me problematikën e ditëve të sotme, që Rama duket sikur kërkon ta kalojë, pikërisht duke mitizuar 22 marsin. Nuk mund të mohohet se një pjesë shqiptarësh kanë shpresuar te “martesa” e 22 marsit 1992 me ata që i zhgënjyen, sepse ata nuk ishin provuar në pushtet. Nuk mund të mohohet gjithashtu se hapësirat që ishin krijuar asokohe, mbanin gjallë shpresën se monstra që u ngrit në pushtet, në sajë të monstrave me fytyrë njeriu që derdhnin përditë dhunë, ligësi, vrer dhe injorancë mbi tërë shoqërinë – për të vjedhur e mashtruar sa më lehtë, – do të ishte e përkohshme, se ne kishim mundësi t’i ndryshonim e ndëshkonim ata, sepse tani ishim në demokraci. Pastaj kishim edhe asistencën ndërkombëtare tek e cila besonim shumë. Kurse fitorja e 23 qershorit 2013 është në një kontekst tjetër në këtë aspekt. Së pari, ajo nuk ka sjellë në pushtet njerëz që nuk i kemi provuar në pushtet, përkundrazi, ka sjellë ata që i kemi ndëshkuar me votë, madje edhe shumë nga monstrat e atyre viteve të para, pasi një pjesë e mirë e tyrja janë sot me Ramën. Së dyti, sot është zhdukur thuajse çdo shpresë për ndëshkimin e këtyre monstrave, sepse ka njëzet vjet që këta fuqizohen duke përqendruar në duart e veta pushtetin politik, financiar, mediatik, duke kontrolluar Gjyqësorin dhe duke na imponuar alternativën e kalimit nga një monstër te tjetra. Së treti, pafuqia dhe dështimet e ndërkombëtarëve me shtete si ky i yni sot njihen nga të gjithë, botërisht.   
Thënë të gjitha këto, pyetja që ngrihet, është: nëse e pranojmë se Rama krahasimin me një ngjarje që na e shet si të madhe e ka bërë për t’i dhënë rëndësi fitores së tij, për t’i rritur vetes pushtetshmërinë, e ndoshta edhe për të mobilizuar e motivuar shqiptarët, a mund të rezultojë ky krahasim dobiprurës? Personalisht mendoj se jo. Them jo, sepse ashtu sikurse edhe premtimet e tij, ky krahasim flet për një humnerë të madhe në vetëdijen e Kryeministrit midis, më një anë,  gjendjes reale të vendit, duke filluar që nga realiteti i ardhjes së tij në pushtet, dhe pritshmërive që na servir, më anë tjetër. Realiteti është se ai ka ardhur në pushtet në sajë të përvojës së hidhur të shqiptarëve me monstrën para tij, madje deri duke përdorur parullën “të bashkohen të gjithë qelbësirat kundër Sali Berishës” dhe jo si udhëheqës i një gjenerate të re shqiptarësh të ndershëm, që kërkojnë të hapin një epokë të re historike. Problemi i fjalëve të Ramës përballë këtij realiteti është se ai na premton një revolucion moral duke pasur prapa një ushtri me mëkatarë, ndër të cilët edhe shumë nga ata të viteve ‘90, madje duke qenë edhe vetë një i tillë. Problemi i këtij realiteti është se ndryshimi i vërtetë i tij do të mund të kryhej duke e njohur mirë atë dhe historinë e tij më së pari, me punë serioze njerëzish të ndershëm më së dyti dhe duke evituar sa të jetë e mundur premtimet e fjalët e mëdha, më së treti. Dhe shqetësimi i dukshëm në këtë rast është se, në mungesë të këtyre kapaciteteve, Kryeministri falsifikon një të kaluar historike për të na ndërtuar një të ardhme të falsifikuar. Me fjalë të tjera, shqetësimi është se ne do të vazhdojmë të jetojmë skizofreninë midis mjerimit të botës reale të politikës sonë dhe lavdisë së botës virtuale të propaganduar nga fjalët e mëdha të politikanëve tanë.(Panorama, 23 shtator 2013)

Tuesday, September 24, 2013

Mbi vendimet e para të qeverisë



Mendimi që e kam shprehur mëse një herë përsa u përket pritshmërive që kemi nga qeveria e re dhe qëndrimeve që duhen mbajtur ndaj saj, veçanërisht nga mediat, është se ajo duhet ndjekur hap pas hapi në vendimet e saj. Kjo veçanërisht në kushtet kur kemi një opozitë që ka një qëndrim që e bën jokredibël për më shumë se një arsye: së pari, pasi ajo nuk ka bërë as minimumin e vetëkritikës lidhur me humbjen e saj, por shkakun e ka gjetur jashtë vetes, te naiviteti i popullit shqiptar që ka besuar premtimet e gënjeshtërta të Edi Ramës me shokë dhe, së dyti, pasi më një anë ajo premton racionalitet dhe konstruktivitet dhe më anë tjetër shpall luftë totale në stilin e njohur të bërjes opozitë destruktive deri në kockë.
Me këtë rast më duhet të shtoj se janë iracionale edhe disa qëndrime që kërkojnë nga mediat apo gazetarë të caktuar që të mos bëjnë oponencë ndaj opozitës, por vetëm ndaj maxhorancës, apo që kërkojnë që oponenca që duhet t’i bëjë shtypi e mediat maxhorancës të shprehet në formën e bashkimit me opozitën. Kjo është një sëmundje infantile e shtypit tonë, e stimuluar nga mungesa e ndarjes së vërtetë të pushteteve në Shqipëri, ku bën pjesë edhe fakti se interesat financiare të pronarëve të mediave kanë qenë dhe janë edhe ato të varura nga pushteti politik i njërës ose tjetrës palë. Kam qenë dhe mbetem i mendimit se shoqëria jonë civile dhe mediat duhet të luajnë rolin e një pushteti të pavarur në shoqërinë tonë dhe se përballë tyre duhet të jetë pushteti politik me të cilin kam identifikuar dhe vazhdoj të identifikoj të tërë klasën politike, maxhorancë dhe opozitë, dhe strukturat ekonomike e mediatike që e mbështesin atë, pasi sistemi i mbrapshtë që na sundon është pjellë e të dyja palëve.
Duke u nisur, pra, që në nisje, nga një dyshim i thellë te të dyja palët dhe në mungesë të një force opozitare ndaj tyre, gjykoj se gazetarët dhe intelektualët vërtet të pavarur mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë fazë kur vendi është në udhëkryqin e ndryshimit të pushteteve, duke mbajtur qëndrime jo totalisht në favor apo kundër njërës palë, por në varësi të racionalitetit të vendimeve e qëndrimeve qoftë të maxhorancës, qoftë të opozitës. Për ta konkretizuar çka thashë më lart, do të shpreh qëndrimin tim ndaj dy prej tri vendimeve të para të qeverisë së re, ndër të cilat njërin e aprovoj dhe tjetrin e kundërshtoj.

Jam plotësisht dakord me vendimin për ndalimin e importimit të plehrave në Shqipëri. Kjo jo vetëm pse jam një prej nismëtarëve të lëvizjes për referendumin kundër plehrave, por edhe sepse te vendime si ato që promovojnë importimin e plehrave, të marra nga maxhoranca që sapo iku, kam parë dhe shoh pikërisht të keqen e madhe që ka pësuar vendi nga sistemi i ngritur që e ka vënë shtetin në shërbim të atyre interesave private që i kundërvihen interesit publik. Në këtë kontekst më duhet të shtoj se qeveria jo vetëm duhet përgëzuar për këtë vendim, por duhet nxitur të bëjë ç’është e mundur që imazhi i vendit tonë si një vend ku gëlojnë plehrat kudo që të shkosh të ndryshojë radikalisht. Ka nga ata që bashkëjetesën e shqiptarëve me plehrat deri në atë shkallë sa ato nuk u bëjnë përshtypje, e quajnë një gjë që ka të bëjë me kulturën shekullore të këtij populli, ashtu siç edhe të pështyrit përtokë. Sipas mendimit tim, problemi i mbytjes sonë nga plehrat është fortësisht i lidhur edhe me sistemin që u promovua këta njëzet vjet të ngritjes së kultit të privates mbi rrënimin e publikes.
Po të vësh re, plehrat gëlojnë te ne pikërisht në hapësirat publike: rrugët, lumenjtë, bregdetet ku derdhen këta, hapësirat midis ndërtesave të ndryshme etj. Po ashtu ato janë më së shumti produkt i aktiviteteve private që nuk shohin përtej gardhit të tyre. Mjaft të kesh parasysh lokalet pa fund që i hedhin mbeturinat e mutrat si pa të keq në lumenj, në dete apo në rrëpirën më të afërt. Edhe vetë vendimi i importimit të plehrave në një kohë kur në Shqipëri gëlonjnë plehrat nga të katër anët, ishte shprehje e këtij realiteti. Disa industri që kanë vetëm interesin e tyre – si p.sh. ato të shkrirjes së aluminit – kërkojnë të sjellin plehrat nga jashtë, ndërkohë që nuk bëhet asgjë për mbledhjen e diferencuar të plehrave brenda vendit, që mund t’i shërbente edhe kësaj industrie, por sigurisht, në atë shkallë që interesi i tyre të mos dëmtonte interesin e të gjithëve.
Pra, ne kemi nevojë të djegim plehrat tona duke ndotur ajrin aq sa prodhojmë plehra vetë, dhe jo të djegim plehrat e tërë Europës në emër të përfitimit të një grushti njerëzish në dëm të ajrit të të gjithëve. Në këtë kontekst aksionet e ndryshme për zhdukjen e sëmundjes së ndyrë të shpërhapjes së plehrave në tërë territorin tonë do të ishin edhe një sinjal i kthimit të shtetit nga shërbyes kriminalë të interesit të disa privatëve, në kujdestar të interesit publik, çka është edhe detyra e shtetit.

* * *
Ndërkaq nuk jam dakord me vendimin për heqjen nga muret e institucioneve qeveritare të portretit të Presidentit të radhës Bujar Nishani dhe zëvendësimin e tij me portretin e Ismail Qemalit. Ky është një akt që fshin një traditë – jo vetëm shqiptare – kuptimi i së cilës është se Presidenti është figura që jo vetëm simbolizon unitetin e kombit, por edhe që ushtron funksionet e tij në këtë drejtim. Pra nuk mjafton që një figurë thjesht dhe vetëm të jetë simbol i unitetit, se atëherë ndoshta mund të mjaftonte edhe një i vdekur si Ismail Qemali, por ai duhet të veprojë politikish si i gjallë në funksion të këtij roli kushtetues, që nuk është roli i Kryeministrit.
Së dyti, ekzistenca e figurës së Presidentit në vendin tonë ka qenë gjithsesi një lloj mbrojtjeje nga autoritarizmi i figurës që konsiderohet si figura më e pushtetshme, që në rastin tonë, që prej vitit 1997, ka qenë Kryeministri. Kush e kujton historinë e presidentëve tanë gjatë këtyre viteve do të verë re se presidentët, kush më shumë dhe kush më pak, edhe pse asnjëherë mjaftueshëm, e kanë luajtur një rol kundërbalancues.
Me fjalë të tjera, tjetër gjë është se sa zgjedhja e Nishanit ka qenë zgjedhja më e duhur për një figurë që duhet të luajë rolin e Presidentit, dhe tjetër gjë është se ç’përfaqëson institucioni i Presidentit. Dhe sipas meje, ky vendim sulmon institucionin, jo Nishanin, edhe pse mund të duket se është bërë për të sulmuar Nishanin. Dhe ky është një akt që bëhet edhe më shqetësues po të kemi parasysh prirjet autoritariste dhe prepotente që kanë manifestuar kryeministrat tanë, shoqëruar kjo gjithmonë, si anë tjetër e medaljes, nga prirjet serviliste të vartësve të tyre.
Zëvendësimi i autoritetit të të gjallëve me atë të të vdekurve që nuk mund të flasin, por veç përdoren, dihet se është praktikuar rëndom nga diktatorët për të eliminuar çdo autoritet tjetër përveç atë të tyrin. Ne presim nga maxhoranca ndryshime kushtetuese që do t’i forconin institucionet që kanë për detyrë të jenë arbitër midis maxhorancës dhe opozitës, dhe jo dobësimin e tyre. Pra ajo që presim ne nga maxhoranca e re është një ndryshim që do të forconte rolin e Presidentit si arbitër, si përfaqësues të të gjithëve, dhe jo një akt që dukshëm e dobëson figurën e Presidentit në këtë rol në sytë e publikut.(Panorama, 18 shtator 2013)

Saturday, September 7, 2013

Lepujt e qeverisë, qerrja e Folisë dhe ekspertët e Ramës


Konferenca e Ramës me ekspertë ndërkombëtarë nuk mund të mos më rikujtonte një ide të Makiavelit. Në Princin e tij ai thotë diku se detyra e Princit është që t’i shquajë problemet atëherë kur nuk i dallojnë dot të tjerët. Në këtë rast, thotë Makiaveli, korrigjimi apo zgjidhja e tyre është e lehtë, sepse kemi të bëjmë me fillimet. Ndërsa kur vjen puna që problemet i shohin të gjithë, zgjidhja bëhet shumë e vështirë.
E pra, sipas meje, ekspertët njëditorë ndërkombëtarë të Ramës bënë një xhiro të kotë nëpër Shqipëri për të konstatuar, duke parë territorin, diçka evidente: se i sëmuri na qenka duke vdekur dhe se ky na qenka problem. Puna është se çfarë duhet bërë për ta ngjallur.
Lidhur me ngjalljen e të vdekurit nuk ma merr mendja se ekspertët na thanë ndonjë gjë të madhe, që nuk e dinim. Në fakt, ata do të duhej të gjenin shkakun e sëmundjes më së pari. Dhe ky nuk mund të gjendet në një ditë.
Le t’ju jap një shembull për ta ilustruar këtë pamundësi objektive të ekspertëve njëditorë të Ramës. Gjatë gjithë gushtit e në vazhdim, mu në qendër të Tiranës, nga një lokal që më thanë se quhet Folia, jo më larg se 80 metra nga Bashkia dhe 50 metra nga Ministria e Rendit gjëmon muzika deri në orën 04:00 të mëngjesit. Si qytetar i kam telefonuar Policisë Bashkiake në numrin që ka për qytetarët, për të kërkuar zbatimin e ligjit, i cili thotë se në orën 23:30 përfundon muzika (në 24:00 në fundjavë), i kam telefonuar pa fund edhe 129-s. Me shumë mirësjellje dezhurnët e turnit më kanë thënë se do të njoftonin patrullat e policisë që qarkullojnë nëpër qytet, më kanë thënë edhe se kanë pasur me dhjetëra telefonata nga banorë që ankohen për të njëjtën ndotje akustike. Por Folia ka vazhduar pa e prishur terezinë e vet. I kam dërguar edhe nja dy SMS kryetarit të Bashkisë, kam folur edhe me shefin e Policisë Bashkiake. Por Folia po foli.
Tani më thoni ju, të dashur lexues, se çfarë mund të ketë thënë një ekspert njëditor i Ramës, nëse do t’i ketë qëlluar që hoteli i tij te ketë qenë në rrethin me rreze thuajse një kilometër që ndotet akustikisht natë për natë nga Folia. Se unë kaq larg e kam dhe, në katin tim, zhurma e saj vjen sikur ta kesh në oborr, sidomos kur ora shkon afër 3:00 pas mesnate. Me siguri do të çuditej, por do të thoshte se ky do të jetë rasti i ndonjë të çmenduri. Me gjasë do të jepte këshilla se si trajtohen në Europë të sëmurët psikikë që kanë prirjen ekzibicioniste të tërheqin vëmendjen e të tjerëve duke bërë zhurma kësisoj. E pra, dua të them se atij do t’i duhej të paktën të rrinte disa ditë të dëgjonte se si kavaleria muzikore e Folisë kalëron mbi gjumin e qytetarëve çdo natë, për të filluar të kuptojë që zhurma nuk vjen nga shtëpia e ndonjë individi të çmendur, por nga një lokal me emrin çmenduria, të kuptonte se pse policia është e pafuqishme ndaj tij, dhe të hynte pastaj të kërkonte ndonjë zgjidhje se si mund të shpëtohet qyteti nga kjo çmenduri, duke shtruar madje edhe pyetjen: nëse nuk jeni në gjendje të mbroni qytetarët nga shkelësit e ligjit 80 metra nga Ministria e Rendit dhe 50 metra nga Bashkia, ç’na sillni kot të merremi me ju?
Tani po ju kujtoj se ekspertët njëditorë të Ramës vizituan Shqipërinë dhe dhanë këshilla të ndryshme se çfarë duhet bërë për territorin. Meqë ra fjala – një njeri shumë i udhëtuar dhe shumë i ditur që nuk bënte pjesë në grupin e ekspertëve të Ramës, por që kishte ardhur për pushime në Shqipëri – iku duke u lënë miqve shqiptarë përshtypjen se nuk kishte parë në asnjë vend tjetër të botës atë që kishin bërë shqiptarët me territorin. Çmenduri! Por ai nuk kishe mundur të zbulonte se i çfarë natyre është ai virus që ka shkaktuar këtë çmenduri të paparë. Aq më pak them se do ta kuptonin ekspertët njëditorë të Ramës. Më thoni ju, të dashur lexues, a do të mund të bënin p.sh. ekspertët e Ramës ndonjë lidhje midis çmendurisë së Folisë dhe shkatërrimit të territorit? Ma thotë mendja se jo, kurrsesi. Kurse ne shqiptarët e bëjmë menjëherë. Ja unë vë bast që, cilëtdo qofshin pronarët e Folisë që na prishin gjumin, ata me 99% kanë zaptuar edhe territore me leje dhe pa leje. Po ashtu, eksperti me shumë gjasa do të na thoshte se tani që kemi Kryeministrin e ri, ky do të vërë rendin në rregull. Por unë sërish vë bast se pronarët e Folisë e kanë  grurë edhe me Ramën apo do ta kenë grurë edhe me të, edhe me Sajmir Tahirin, edhe me Lulzim Bashën.
Po si ka mundësi kjo? Jua them si. Dikur ka pasur një thënie, sipas së cilës shteti e kap lepurin me qerre. Në Shqipërinë tonë është Folia që i kap lepujt e qeverisë me qerre. Ja ky është problemi. A e keni vënë re se sa të gatshëm janë ato qerret, më falni karroatrecët që ia rrëmbejnë qytetarit makinat, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, sapo parkon makinën gabim, nganjëherë edhe pa e parkuar gabim? Të fluturon 7000 lekëshi fët e fët pa pasur mundësi ku të ankohesh. Pse Policia Bashkiake nuk i ve gjoba Folisë, siç ua ve qytetarëve në emër të ligjit? Pse nuk ia merr altoparlantët, siç u rrëmben makinat qytetarëve? Sepse qerret, më falni karoatrecët, janë të Folisë, nuk janë të qeverisë.
Disa lexues të mi, një dy e më shkruajnë: lëri diagnozat se na mërzite, zgjidhje Lubonja, zgjidhje të problemit duam. Këtyre lexuesve që s’kanë kuptuar ende se zgjidhjen duhet ta kërkojnë te vetja, u them: lexoni fillimin e shkrimit, ç’thotë Makiaveli. Pse ka ekspertë që t’ia gjejë ilaçin kësaj folie? Personalisht ndihem i pafuqishëm. Edhe Policinë Bashkiake dhe atë qendrore nuk e marr më në telefon. I vetmi ngushëllim që kam, është ajo thënia: ndaj të marrëve edhe Zoti është i pafuqishëm. (Panorama, 2 shator 2013)

Sunday, September 1, 2013

Pushteti i popullit; detyrat të qeverisë



Të gjithë e kanë përqendruar vëmendjen në ngjarjet e pakta politike që po ndodhin në këtë  sezon të nxehtë veror, në kapërcyell të ndërrimit të pushteteve. Nuk ka dyshim se të tejlodhur nga zhgënjimi dhe rrënimi material dhe shpirtëror, njerëzit presin ndryshim për mirë. Dhe, po ashtu, nuk ka dyshim se ndryshimin e presin nga ata që kanë ardhur në pushtet. Ja pse dhe vëmendja më e madhe është përqendruar mbi veprimet e politikanëve të maxhorancës së re.
Problemi është se, duke përjashtuar militantët, të cilët janë gjithnjë pro njërës palë dhe kundër tjetrës, qasja e njerëzve ndaj ndryshimit është pasive, si për mirë, edhe për keq. Një pjesë, siç e thashë, presin e shpresojnë për mirë, por pasivisht, sikurse ka edhe shumë të tjerë që presin pasivisht të ndodhë ajo që janë mësuar të ndodhë: mosmbajtja e premtimeve, pa menduar se mund të luajnë një rol në korrigjimin e trajektoreve.
Por mund të ketë edhe një qasje proaktive; kur veprimet e maxhorancës së re jo vetëm do të priten pasivisht, por edhe do të kërkohet të ndikohet mbi to. Sikur t’i marrim seriozisht fjalët e Edi Ramës se populli ka pushtetin, qeveria detyrat, do të ishte fiks kështu. Prandaj le të qëndrojmë pak te kjo fjalë. Pyetja shtrohet: si mund të bëhet që ne qytetarët të kemi pushtetin, kurse qeveria të zbatojë detyrat që i japim ne? Cila është puna jonë dhe cila e Edi Ramës për realizimin e kësaj thënieje që, me një fjalë të vetme, quhet demokraci?
Në një mënyrë ideale kjo do të ndodhte nëpërmjet një pjesëmarrjeje direkte në vendimet e qeverisë; dhe sot në botë flitet shumë për këtë. Aq më tepër kur edhe në vendet më të përparuara sot thuhet se demokracia ka hyrë në fazën e krizës post-demokratike në kuptimin se vendimet e rëndësishme që merren nga qeveritë dhe politika në përgjithësi nuk janë në emër të interesave të popullit, por të një pakice të fuqishme ekonomike financiare (Colin Crouch, Post-democracy, 2004). Interneti konsiderohet si një mundësi e madhe për të luftuar post-demokracinë. Nëpërmjet tij mund të realizohet që qytetari të votojë për vendime të ndryshme të qeverisë, por edhe të ketë mundësi t’i heqë votën një deputeti dhe t’ia japë një tjetri kur sheh se ai nuk po mban premtimet. Sigurisht, ne jemi larg kësaj, por do të thosha se që të realizohet sadokudo premtim-ideja e Ramës që populli të ketë pushtetin kurse qeveria detyrat, duhen parimisht dy gjëra. Më një anë ngulmimi i popullit në ushtrimin e presionit ndaj politikës në të mirë të tij, më anë tjetër, që politika të japë shenja se ajo reagon ndaj kësaj vëmendjeje dhe këtyre presioneve, se nuk bën veshin e shurdhër apo nuk e kualifikon çdo kritikë si vepër të armikut. E keqja e këtij sistemit tonë që s’mund të quhet post-demokraci, pasi s’e ka njohur ndonjëherë demokracinë – personalisht përkufizimi më i saktë më duket bandokraci – ka qenë se reagimin në emër të popullit e ka bërë banda tjetër që ka qenë e skualifikuar pasi është e cilësuar si bandë nga vetë kundërshtari. Gjithsesi, Ramës në këtë rast i duhet të sqarojë një pyetje: si do ta konsiderojë reagimin e opozitës ndaj vendimeve të qeverisë së tij, si zëdhënëse të popullit që ka pushtetin, apo do ta injorojë atë? Dhe, po ashtu, si do t’i konsiderojë zërat e shoqërisë që i bëjnë oponencë, si vegla të opozitës, apo si zëra të popullit? Sepse ka shumë rrezik që populli për Ramën të reduktohet vetëm në familjen socialiste dhe lsi-ste. Po të më lejonte t’i jepja një “detyrë”, si popull në pushtet që jam, do t’i thosha se reagimet e opozitës duhet t’i gjykojë e vlerësojë rast pas rasti duke parë racionalitetin dhe vërtetësinë e kritikave apo akuzave, dhe këto t’i vërtetonte edhe duke i ballafaquar me reagimet e popullit pa parti.
Në këtë kontekst, ky shkrim është inspiruar, për shembull, nga mbledhja joformale e qeverisë së ardhshme në Vlorë. Dhe më duhet të them se në këndvështrimin e sloganit “pushteti i popullit; detyrat të qeverisë” edhe unë e pashë me zhgënjim mbledhjen e parë joformale të Këshillit të ardhshëm të Ministrave në Vlorë.
Më tërhoqi vëmendjen për keq simbolika e kësaj ngjarjeje – që dihet se kishte kuptim simbolik. Nuk dua të merrem me simbolikën e përçarjes Jug – Veri që ka ushqyer në një mënyrë herë më eksplicite, herë më pak eksplicite politika jonë konfliktuale PD – PS gjatë këtyre 20 vjetëve dhe që, sipas meje, e përcjell sadokudo edhe kjo mbledhje e parë e qeverisë në Vlorë. Kjo mund të kapërcehet, ndonëse, sipas meje, po të ishte bërë mbledhja në Shkodër, më mirë do kishte qenë për maxhorancën e re. E kam fjalën për simbolikën e faktit se mbledhja e qeverisë së parë u bë në një mjedis privat dhe se nuk pati asnjë transparencë për ne, popullin që kemi pushtetin, se kush e financoi hotelerinë dhe ngrënien e pirjen e qeveritarëve tanë të ardhshëm në këtë mjedis, duke pasur parasysh edhe faktin se jetojmë në kohë krize. Ishin para të partive ato, personale të ministrave, apo dolën nga xhepi “bujar” i mikpritësit dhe ndonjë kolegu të tij?
Dikush mund të thotë se bëhet fjalë për pak të holla ndoshta, por në kuptimin simbolik janë shumë. Sepse problemi i madh i mospasjes së pushtetit nga populli te ne ka një arsye shumë të thjeshtë: fushatat e partive politike deri më tani, në mënyrë të pakontrolluar as nga ligji dhe as nga populli, janë financuar nga interesa privatësh që i kanë parë këto financime si investime nëpërmjet të cilave kanë nxjerrë pastaj fitimet kur kanë ardhur në pushtet ata vetë apo politikanët që kanë marrë këta financime. Ka pasur, pra, premtime publike që i janë bërë gjithë popullit dhe premtime jopublike që u janë bërë këtyre. Dhe fatkeqësisht qeveritë kanë ushtruar detyrat për të realizuar premtimet e dhëna këtyre të dytëve. E duke qenë kështu, nuk mund të mos të të lërë shije jo të mirë simbolike mbledhja e parë e qeverisë së rilindjes në një hotel privat kur gjëja e parë që u vjen ndër mend shqiptarëve të lodhur është të paragjykojë pronarin se ka interesa të investojë te partia në pushtet, aq më tepër kur ajo po projekton një pastrim të bregdetit të Vlorës nga konkurrentët e tij. Të gjitha këto duhet t’i kishin menduar ministrat tanë. Por edhe ne si popull në pushtet duhet t’i mendojmë e t’i themi. Sepse ne si popull nuk mund të harrojmë se këta që kemi nuk janë të rinj në qeverisje, përkundrazi, Rama dhe Meta, për shembull, janë ndër administratorët më afatgjatë të punëve tona publike, të cilëve ne ua njohim stilin. Dhe zor se mund të dalë kush që mund të thotë se na paskan qeverisur me parimin “pushteti i popullit; detyrat të qeverisë”. Kjo është një “detyrë” e re e rilindjes. Deri më sot vendimet në Tiranë, Durrës e në Vlorë e Shkodër e me radhë; jo vetëm me Ramën e Nanon e Metën, por edhe me Berishën e me të vetët, janë marrë në emër të pushtetit të privatëve të fuqishëm – jo rrallë edhe kriminelë – që kanë qenë sponsorët dhe propaganduesit mediatikë të politikave që kanë rezultuar në dëm të popullit. Ky është problemi më i madh që ka Shqipëria. Është shumë e vërtetë ajo që tha Rama në një konferencë mbi territorin së fundi, se “… deri më sot vendi ka rënë viktimë e një zhvillimi kaotik, pafuqie për të implememtuar…” – por kjo pafuqi (e popullit) dihet se ka qenë e lidhur me fuqinë e sponsorëve të Ramës, Metës e Berishës me shokë. Pra, në thelb rilindja e jonë është e lidhur ngushtë me vdekjen e këtij sistemi ku privati, si ujku që kërkon mjegull, pasurohet nëpërmjet grabitjes së publikes dhe të territorit me ndihmën e politikës e duke ndarë përfitimet me të. Mirëpo mbledhja e parë e qeverisë në Vlorë në një mjedis privat, ngritur në një territor ku s’duhet të kishte ndërtime, nuk na e dha këtë mesazh, përkundrazi, na bëri të mendojmë se me fjalën “rilindje” Edi Rama ka parasysh stilin e tij tashmë të mirënjohur të qeverisjes. (Panorama, 29 gusht 2013)

Tuesday, August 27, 2013

Mbi selinë e PD dhe SHQUP-in



Sa herë më ka ndodhur ta shoh godinën e selisë së PD të vendosur në peizazhin urban të Tiranës ashtu siç është sot, e para gjë që më ka ardhur në mendje është përdorimi i kësaj pamjeje si metaforë për të përshkruar atë që ka ndodhur në Shqipëri këta 20 vjet.  Për mua, zhytja e saj si një xhuxhmaxhuxhe në mes të disa ndërtesave të larta dhe një grataçiele është jo vetëm një shëmtim urban,
 por edhe simbol i raporteve të shëmtuara midis pushtetit politik si përfaqësues i interesit publik dhe pushtetit arrogant e prepotent të biznesit privat.
Tani po flitet se PD-ja po don të shkojë në një ndërtesë më të madhe, te selia e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve. Opozita po thotë se kjo është e paligjshme, pasi nuk e ka firmosur shefi i Shtabit – nuk e di a është kështu. Akuzohet gjithashtu edhe Presidenti Nishani se e ka firmosur dekretin, pasi godina aktuale e selisë së PD është pronësi e tij apo familjarëve të tij. Por, me sa duken bathët, ata kanë vendosur të hyjnë me përdhunë, dhe zor se do t’i ndalojë kush.
Nëse doni mendimin tim, godina ku është selia e PD-së nuk duhet të ekzistojë fare atje ku është. Merrni urbanistin më të rëndomtë, tregojini ligjin apo rregulloren urbanistike, dhe do t’ju thotë se në respekt të raportit ndërtim-gjelbërim, ajo godinë nuk duhet të ekzistonte. Pse? Sepse  grataçielat rrotull PD-së – e kam fjalën për atë majtas me xhama që është mbi dhjetëkatëshe, atë djathtas që është njëzetepesëkatëshe, atë që po ndërtohet përballë saj, por edhe Torre Drinin pak më prapa, në një qytet normal do të duhej të kishin midis tyre hapësira të gjelbra rreth e rrotull shumë më tepër sesa ç’do të mund t’u krijohej edhe sikur të shembeshin të gjitha ndërtesat që kanë pranë. Me një kalkulim të thjeshtë del se ose këto grataçiela nuk do të duhej të ishin projektuar dhe ndërtuar – dhe ky është mendimi im – ose që godina e PD-së do të duhej të ishte rrafshuar së bashku edhe me ndërtesa të tjera.
A do të thotë kjo se PD-ja apo familjarët e Nishanit do të mbeteshin me gisht në gojë? Jo. Në vendet normale ligji parashikon se, kur bëhen ndërtime e shembje të tilla, banorët e ndërtesës së sakrifikuar për hir të gjelbërimit u jepet gjithnjë, në varësi të sipërfaqes që posedojnë, pjesë nga godina e re që ndërtohet. Me fjalë të tjera, selia e PD apo familjarët e Nishanit do të duhej të kishin gjetur strehim ose te godina me xham djathtas, ose te 25-katëshja majtas saj, ose  te godina që po ngrihet përballë tek ish-lulishtja. Kurse atje ku është PD-ja do të duhej të kishim një lulishte.
I kujtoj lexuesit gjithashtu se lejet e ndërtimit të grataçielave që e bëjnë godinën e PD-së të paligjshme, sepse janë kundër rregullores urbanistike, i ka dhënë Edi Rama, i cili tani po thotë se dekreti i kalimit të godinës së SHQUP-it PD-së është i paligjshëm dhe i turpshëm.
Që është një gjë e turpshme, këtë e them edhe unë, me të madhe madje. Në fakt, vendimi për të kaluar PD-ja te ndërtesa e Shtëpisë Qendrore të Oficerëve ishte një e papritur jo vetëm e turpshme, por edhe një akt që dha disa mesazhe tejet shqetësuese. Së pari, s’ka qytetar normal të qytetit të Tiranës që të mos e përjetojë atë si një akt plaçkitjeje të pronës publike. Dhe kjo pikërisht në momentin kur kjo parti do të duhej të ishte më kokulur se kurrë, pasi është ndëshkuar me votë pikërisht për arrogancë, prepotencë dhe për politika plaçkitëse të pronës publike. Mesazhi është se s’ka shpresë që kjo parti të reflektojë qoftë edhe një sekondë për dënimin që i dha publiku.
Por ky akt ka edhe simbolika të tjera. Nuk mund të harrojmë se PD ka lindur si një parti që kërkonte të përfaqësonte frymën kundër regjimit të kaluar. Edhe fakti që PS-ja ka vazhduar të qëndrojë në ndërtesën kur ishte Komiteti i Partisë së Tiranës, kurse PD-ja në një ndërtesë më pa identitet në lidhje me të kaluarën e regjimit, kishte një simbolikë të vetën. Kalimi i PD sot te godina e selisë së Shtëpisë Qendrore të Oficerëve, me një histori dhe arkitekturë që të kujton ndërtesat e regjimit, sikur i heq edhe leskrën e fundit të hipokrizisë kësaj partie, që në fakt ka qenë trashëgimtare e PPSH-së si në frymë, edhe në stil. Ideja se në atë godinë do të jetë selia e partisë që lindi nga lëvizja antikomuniste do t’i japë tashmë edhe një ngjyrim qesharak kësaj ndërtese.
 Një simbolikë e tretë që të ngjall ky kalim është raporti i zhdrejtë midis madhësisë së godinës dhe mbështetjes popullore për këtë parti. Sa më e madhe dhe më e rëndësishme godina, aq më teposhtë mbështetja dhe reputacioni. PD-ja dikur ka qenë e vendosur në një ndërtesë të vogël te rruga “Fortuzi”. Ishte koha e lavdisë së saj; s’ka rëndësi se sa e madhe ishte ndërtesa e selisë. Me këtë akt plaçkitjeje, të cilin, sipas mendimit tim, kryetari i ri i PD, Lulzim Basha, do të duhej ta kundërshtonte për t’i dhënë nismën një qëndrimi të ri politik, PD-ja vulos vetveten si një parti me njerëz që janë futur në politikë për të plaçkitur.
Sali Berisha dhe zëdhënës së tij po na servirin argumentin se kjo ndërtesë paskësh qenë një palo vend ku janë bërë vetëm gjëra të parëndësishme, si ceremoni mortore e ku di unë; a thua se janë bërë punë më të mira nëpër selitë e partive tona. Sigurisht, destinacioni i saj do të duhet të ishte ndryshuar me kohë, por jo kështu, por për t’i dhënë publikut një diçka më të mirë, më të kulturuar, qoftë një muze apo ku di unë. Dhe për këtë mungesë përgjegjëse është përsëri edhe vetë PD-ja.  
Pyetja që ngrihet, megjithatë, sot nga shumë është: a do ta pengojë Edi Rama dhe të vetët këtë plaçkitje? Kjo edhe në kuadrin e premtimeve se do të zhbëjnë shumëçka nga vendimet e padrejta dhe abuzive të marra nga maxhoranca.
Do të doja shumë të ishte kështu, por dyshoj po ashtu shumë se do të ndodhë një gjë e tillë. Mjaft të kesh parasysh se grataçielat që ka lejuar Edi Rama të ndërtohen rreth ndërtesës së PD-së janë edhe ato akte të pastra plaçkitjeje të pronës publike, të lulishteve, të shesheve, trotuareve, të ajrit, të frymëmarrjes së qytetarëve. Të shohim megjithatë, shtatori nuk është larg. (Panorama, 18 gusht 2013)

Mbi disa projekt - ide të Ramës

Gjatë këtyre ditëve paszgjedhore kemi dëgjuar nga lideri i koalicionit fitues Rama disa propozime apo projekt-ide për të ardhmen. Nuk mund të mos tërheqin vëmendjen ideja e rifutjes së FMN-së si element kontrolli që duhet të bëjë një auditim, ideja e një dogane të kontrolluar nga të huajt, ideja e INSTAT-it që do të funksionojë me një lloj binjakëzimi. Së fundi, ideja e një autoriteti që do të kontrollojë gjithë çka të bëjë me financat e vendit, d.m.th. edhe Bankën Kombëtare apo ajo e një Byroje të Hetimit Kombëtar pranë Kryeministrit. Nëse do t’i analizojmë këto projekt-ide, nuk mund të mos arrijmë në konkluzionin se ato kanë një gjë të përbashkët: mosbesimin e thellë tek institucionet që kemi ngritur deri tani, veçanërisht ato që në vend se të jenë të pavarura, konsiderohen të kapura, pra jo të besueshme. Ato flasin për dështimin e ngritjes së shtetit të së drejtës që në themelet e tij. Dhe këtë askush nuk e mohon dot, se është e vërtetë. Projekt-idetë e propozuara, megjithatë, për mendimin tim, janë tejet të diskutueshme për një sërë arsyesh që po përpiqem t’i rreshtoj.
Së pari, duke krijuar institucione që në një farë mënyre duket se do të funksionojnë në mënyrë paralele me institucione të tilla si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria etj., lind pyetja se sa janë kushtetuese e sa do të hyjnë në konflikt me institucionet e akuzuara si të kapura nga Berisha?
Së dyti, ngrihet pyetja se sa të huajt do të jenë efikasë, edhe po pranuan të punojnë, në një terren shqiptar të minuar nga të katër anët nga ekonomia kriminale dhe nga polarizimi ekstrem?
Së treti, sa këta do të jenë vërtet të pavarur dhe sa në shërbim të maxhorancës së re, d.m.th. sa do t’i rezistojnë sistemit, i cili, sipas vetë fjalëve të Ramës, korrupton çdokënd?
Së katërti, prurja e të huajve në këto vende dhe marrja prej tyre e përgjegjësisë së arbitrit, sa do t’i ndihmojë shqiptarët dhe sa do t’i vonojë në pjekurimin e tyre?  Një gjë është e padiskutueshme: kërkesa për tërë këto institucione e për tërë këta të huaj është shenjë e dështimit në ngritjen e institucioneve që jo vetëm duhet të jenë të pavarura nga partitë, por edhe t’i kontrollojnë partitë.  E padiskutueshme është se ne kemi një regjim bandokratik, ku bandave nuk u ka interesuar arbitri dhe prandaj jemi në këtë gjendje. Disa e kanë cilësuar këtë pohim timin si shumë radikal, por më duhet ta ripohoj se sipas meje – dhe një opinioni mjaft të përhapur – është vërtetthënës për sistemin se si funksionojmë. Mjaft t’ju kujtoj se ne do të kemi për Kryeministër një person, i cili, sipas vetë fjalëve të partnerit të tij kryesor, Ilir Metës, është i kapur nga krimi i organizuar, ne do të kemi në postin e kryetarit të Parlamentit një njeri që, sipas vetë fjalëve të Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama, është një kryebandit me “bllok korrupsioni në dorë” që u bë shkak që aleati i tij i djeshëm, Berisha dhe zëvendësi i tij si kryetar i opozitës sot, Lulzim Basha, të kryejnë vrasje të paligjshme.
Në një shtet të së drejtës, ose njëra palë do të kishte shkuar në burg për këto akuza për shkak të vërtetësisë së tyre, ose pala tjetër do të kishte shkuar në burg për shpifje. Te ne nuk ndodh as njëra, as tjetra, pasi nuk ka shtet të së drejtës. “Nëse mungon e drejta, shteti bëhet një bandë brigandësh” – tha Papa në vizitën e tij në Berlin para disa kohësh, duke cituar Shën Agostinin. Ky është realiteti i shtetit tonë. Tani ne kemi dy banditë të bërë papë që na premtojnë ndërtimin e një shteti të ri. A ka gjasë të ndodhë kjo? Për mua është një sfidë e madhe, por jo e pamundur. Është si të çarmatosësh ushtri që deri dje kanë bërë luftë e plaçkitje dhe t’i kthesh ushtarët e saj në bujq e punëtorë të mirë. Është si të kthesh një organizatë terroriste të mësuar të bëjë krime në organizatë politike.
Pyetja që shtrohet lidhur me projekt-idetë në fjalë është: a janë ato shenja të vetëdijes së nevojës urgjente të këtij transformimi? Nuk më bën zemra të them “jo” me bindje të plotë, por më duhet të them se Ramës i duhet një akt shumë i rëndësishëm që të fitojë besimin se ka ndërruar rrugë dhe, duke u nisur nga përvoja e së djeshmes, por edhe duke marrë në analizë propozimet e fundit, sipas meje këto nuk duken shenja se synojnë “çarmatimin” e partive nga pushtetet që s’u përkasin. Sipas mendimit tim, ajo që duhet të propozojnë Edi Rama dhe Ilir Meta për të filluar çarmatimin e bandave dhe kthimin e tyre në parti, është pikërisht ngritja e institucioneve të pavarura, realisht të pavarura, që të kontrollojnë edhe partitë e tyre, edhe deputetët e tyre.
Pra, ndryshimi duhet të fillojë nga mbisundimi i vullnetit politik për të pranuar arbitrin, çarmatosësin. Dhe kjo nënkupton që edhe Basha në krahun tjetër (e përdora qëllimisht Basha dhe jo Berisha), të bjerë dakord për çarmatimin, që konkretisht do të thotë qoftë ndryshime kushtetuese e ligjore, qoftë ndryshime në emërime e në struktura institucionale.
Për shembull: nëse Rama ka dyshime për abuzime me financat dhe kërkon që përpara se të marrë në dorë pushtetin të verifikojë gjendjen dhe të caktojë përgjegjësit, madje edhe të kërkojë procedimin e tyre ligjor nëse rezultojnë të vërteta, është e udhës që opozita e sotme ta pranojë një gjë të tillë. A do të jetë ky auditim i huaj apo shqiptar? Më e rëndësishme nuk është kjo, por që të ketë një pranim nga të dyja palët në besueshmërinë e atij që bën auditimin. A ka një vullnet çarmatimi, që do të thotë edhe një ndryshim të gjuhës që përdorin ndaj njëra-tjetrës? Sipas meje, jo.
Në fakt, pranimi duhet të ekzistojë pasi shteti ka institucione që duhet ta bëjnë këtë kontroll. Dhe këtu fillon problemi. Rama kërkon të verë të vetët. Nëse këta të fundit do të nxjerrin këto përfundime që atyre nuk u pëlqejnë, është e gatshme që të thotë se kanë vepruar nën diktatin e maxhorancës së re. Vini re se ç’ndodhi me vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Deri dje ai konsiderohej se qe nën kontrollin e Berishës. Sapo mori disa vendime që nuk i pëlqyen këtij, u akuzua menjëherë se po i shërbente Edi Ramës dhe Ilir Metës. Nën dritën e kësaj problematike duhen parë edhe projekt-idetë e fundit.
Duke parë ato nuk mund të mos ngrihet pyetja: prapa idesë se do të bëjmë një strukturë që funksionon më mirë, a mos qëndron synimi që të bëjmë një strukturë që e kemi ne nën kontroll dhe jo një strukturë të pavarur nga të dyja palët? Pra, për të nxjerrë jashtë loje një institucion të akuzuar si të kapur nga Berisha, ndërtohet një strukturë tjetër, në krye të së cilës emërohet një njeri i maxhorancës së re. Lexova në shtyp p.sh., se në krye të së ashtuquajturës Byro Hetimore Kombëtare që synohet të krijohet pranë Kryeministrit – sipas sugjerimit të Tony Blair – do të vihej ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku. Nuk mund mos të të shkojë menjëherë në mendje se ky është akuzuar disa vjet rresht si njeri që flinte mbi dosjet e korrupsionit të Edi Ramës me shokë.
Është e imagjinueshme se sa do të pranohej e do të besohej nga opozita e sotme një institucion kaq delikat me në krye një person si ai, edhe pse i propozuar nga Tony Blair. Meqë ra fjala, një miku im anglez më shkruante një ditë: “Edhe Tony Blair i duhej Shqipërisë”. Pasi nami i tij në Angli, midis të majtëve veçanërisht, është tejet i keq. Por unë dyshoj se Blair po përdoret në këtë rast dhe kemi përvojë se (keq)përdorimi i të huajve ka qenë në stilin e Ramës. Projektet e grataçielave të dështuara janë ideuar në Tiranë, studiot e huaja vetëm kanë zbatuar porosinë. Në rastin në fjalë: ne problemin kryesor këta njëzet vjet kemi pasur pikërisht korrupsionin e gjeneruar nga kryeministrat – të gjithë me radhë. Tani befas po i vëmë mëlçitë ujkut në qafë, po i lëmë Kryeministrit në dorë ndjekjen e krimit të korrupsionit.
Hajde këshillë që po na jep, o Tony Blair, hajde!) Nga ana tjetër mund të ngrihet me të drejtë pyetja: po ku t’i gjejmë njerëzit që pranohen nga të dyja palët? Sipas meje, njerëzit sillen si të pavarur kur hiqet trysnia dhe vullneti për instrumentalizimin e tyre dhe kur kjo shprehet edhe me garanci ligjore. Ndërtimi i institucioneve me pushtete të pavarura mbi parimin “check and balance” të besueshme nga opinioni dhe të respektuara nga të gjitha palët, është sfida kryesore që ka Shqipëria dhe klasa politike që ka ardhur në pushtet.
Përndryshe, do të vazhdojë loja e delegjitimimit reciprok, ose më saktë, teatri i delegjitimimit reciprok me pasoja vazhdimin e shtetit të brigandëve, dhe jo ndërtimin e shtetit të së drejtës. Dyshimi është se pikërisht kjo do të ndodhë. Të paktën t’ua themi se ky është një teatër i bërë bajat që nuk e ndjek më kush. (Panorama, 7 gusht 2013)

Tuesday, August 20, 2013

Mbi krimin në Vlorë

Te lajmi i krimit në Vlorë më tërhoqi vëmendjen një detaj; “vrasësi iku me një fuoristradë”. M’u kujtua menjëherë për asosacion një bisedë që kisha pasur vetëm para disa ditësh me një specialist ndërkombëtar në fushën e drejtësisë dhe krimit, i cili e njeh jo pak Shqipërinë. Duke bërë krahasim midis vendeve të tjera europiane dhe Shqipërisë, ai më tha pak a shumë këto fjalë: “Mafie dhe krim ka edhe te ne, por ka edhe antimafie dhe antikrim, kurse te ju mungon kjo e dyta. Në Itali ka mafie, por ka edhe Falcone e Borselino, këtu jo. Ky është problemi. Ja, le të marrim për shembull Rumaninë. Edhe atje ka mafie dhe krim. Ku qëndron ndryshimi? Ta them unë: në rrugët e Bukureshtit ti nuk mund të shohësh kurrsesi djem të rinj mbi makina fuoristradë BMW X5 apo X6 apo Ferrari, siç sheh këtu. Nuk ka shans të shohësh një gjë të tillë sepse edhe ai mafiozi që e ka mundësinë t’i blejë nuk e blen, se do të kapet menjëherë për shkak të makinës. Kurse këtu i sheh në mes të Bllokut të parakalojnë pa e prishur terezinë. Të bëjnë edhe karshillëk madje. Sepse nuk kanë frikë nga shteti. Ja, ky është ndryshimi”.
Në fakt, në shoqëri njerëzore jetojmë të gjithë, ndryshimi qëndron në atë se si sillemi. Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht krimi shëtit sheshit. Madje edhe po vret pa e prishur fare terezinë. Numri i kriminelëve, të rinj shumica, që shëtisin të lirë nëpër rrugët e qyteteve tona, një pjesë e mirë me makina luksoze dhe të armatosur, është shtuar aq shumë, sa nganjëherë të duket se janë në gjendje ta mbysin shoqërinë nëse ajo kërkon t’i luftojë seriozisht.
A është kështu, apo e teproj? Nuk e teproj nëse konsiderojmë se këto akte që bëjnë bujë janë thjesht maja e ajsbergut, apo thjesht qelbi që del nga një pus infeksioni shumë i thellë në trupin e shoqërisë sonë. Sipas meje, ata që për një sherr banal marrin kallashnikovin dhe vrasin kë t’u dalë përpara, siç ndodhi në Vlorë, nuk se janë qytetarë normalë që për një çast humbasin mendjen. Ata janë kriminelë që jetojnë nëpërmjet krimit dhe që ndihen aq të pakërcënuar nga shteti dhe ligji, sa u shkon mendja se mund të bëjnë akte të tilla. E përsëris: janë vetëm maja e ajsbergut të krimit. Sepse edhe ata pronarët e lokalit që i kanë parë të hyjnë në lokalin e tyre me kallash në duar dhe nuk kanë ndërhyrë, madje as i kanë kallëzuar në polici, janë, në një mënyrë a në një tjetër, ose të lidhur  me këta, ose të terrorizuar, sepse e dinë se çfarë i gjen. Sepse, po ashtu, nuk është rastësi që këta kriminelë janë kapur e lëshuar nga policia disa herë, derisa arritën të kryejnë këtë vrasje llahtar. Ne e dimë shumë mirë se edhe policia, në një mënyrë apo në një tjetër, ha me apo nga këta. E ripërsëris: fakti që kriminelë të tillë shëtisin kaq të patrazuar kur nuk vrasin, madje shpesh edhe pasi vrasin – siç ma përshkruante eksperti që përmenda – është shenja më evidente se ne kemi ndërtuar një sistem simbioze me krimin. Në një shkrim të paradokohshëm këtë e kam quajtur “të hash nga ujku”. Dhe po qe se duam të merremi seriozisht me luftën kundër krimit, duhet të merremi me atë që qëndron poshtë ajsbergut.
Kur kërkojmë të kuptojmë se pse kemi arritur deri në këtë pikë, nuk duhet të harrojmë disa faktorë të rëndësishëm. Së pari, ne dolëm me një sistem krejtësisht të dështuar ekonomik ku, përveç emigracionit një burim kryesor mbijetese u bë edhe krimi – në formën e trafiqeve njerëzore, të drogës, prostitucionit dhe të krimeve të tjera të ndryshme. Së dyti, ne dolëm me një eksperiment që nuk mbahet mend të ketë ndodhur në historinë njerëzore: nga një sistem ekonomik ku gjithçka ishte pronë kolektive, në një sistem ku kjo pronë do të privatizohej. Edhe kjo, duke pasur parasysh edhe pikën një, u bë burim plaçkitjeje dhe pasurimi të shpejtë. Së treti, që ka të bëjë me faktorin njeri,  ai sistem dështoi edhe përsa i përket kapitalit më të çmuar. Në vend të njeriut të ri që sakrifikohej për të tjerët, shoqërinë, socializmi prodhoi një njeri që pikërisht pse iu mohua çdo shprehje e interesit personal u kthye në një monstër interesi personal që e shfaqi trajtën e tij më monstruoze tek elita e re drejtuese.
Për fat të kaq duhet thënë se krimi është mëkati fillestar i këtij tranzicioni që po na ndjek duke u bërë gjithnjë e më kërcënues. Dhe kërcënimi më i madh vjen ngase krimi sa më shumë që është forcuar, aq më fort e ka kapur shtetin, politikën. Dhe një politikë që jeton nëpërmjet krimit dhe për krimin, e ka vështirë të luftojë krimin. Mjafton të kesh parasysh piramidat dhe gjëmën që krijuan ato. Siç e kam thënë edhe në shkrimin “Të hash nga ujku”, krimi i organizuar dhe i çorganizuar jeton në simbiozë me shoqërinë tonë. Shikoni pallatet që janë ngritur nëpër Shqipëri. A është ulur kush të bëjë kalkulimin se si janë gjetur tërë këto para? Askush. Sepse ato para janë burimi kryesor i mbijetesës edhe për njerëzit që nuk dinë të përdorin kallashnikovin, por vetëm mistrinë dhe çekanin. Politikanët e quajnë “zhvillim”, por në fakt e kanë shumë të qartë se është krim, ndaj njeriut, ndaj territorit dhe ndaj të ardhmes së fëmijëve tanë, që e bëjnë ata për interesat e tyre personale.
Kjo, pra, është klima e përgjithshme në të cilën lulëzojnë dhe shpërthejnë pastaj edhe akte si ai i Vlorës. Nuk mund të harroj se kur erdhi në pushtet PD-ja e Sali Berishës, ndër premtimet e shumta (të pambajtura) bëri edhe atë që do të ndalonte makinat me xhama të zinj. Sot ndalon makinën në semafor dhe sheh gjithnjë e më shpesh se përbri teje ka ndaluar një makinë e madhe, e re, me xhama të zinj prej nga ti nuk mund të shohësh assesi se cili është prapa. Kush ka parë shumë filma policorë, ka rrezik t’i ngjallet paranoja se prapa atij xhami dikush mund ta qëllojë e të ikë i patrazuar në rrugën e tij. Po për çfarë filmash po flas, a nuk ndodhi kështu vrasja e shoferit të njërit prej kryeprokurorëve tanë? A nuk e vranë kështu një shef policie?
Si pasojë, kjo strukturë ekonomike e politike kriminale ka krijuar edhe sistemin e vet të vlerave dhe njeriun monstër të ri, ku të kesh një fuoristradë të blerë me pare droge dhe të kesh kallashnikovë në bagazhin e saj, që mund t’i përdorësh për çdo rast, nuk quhet krim, por normalitet në këtë shoqëri. Në këtë aspekt, vrasësit e Vlorës, aq sa ç’mund të konsiderohen kriminelë, mund të konsiderohen edhe viktima të kësaj shoqërie.
Gjer këtu, do të më thonë kritikët e shkrimeve të mia, nuk na ke thënë ndonjë gjë të re, madje i dimë dhe vetë, a mund të na thuash ndonjë gjë se si të dalim nga kjo gjendje?
Është e vërtetë se tmerri që të kap kur dëgjon një lajm të tillë si ai i Vlorës, ku një kriminel vret tre njerëz sepse motrës së shokut të tij i kanë kërkuar adresën e Facebook-ut dhe ikën i patrazuar, flet shumë më tepër nga ç’thashë më lart edhe për ekonominë dhe shtetin e kapur nga krimi, edhe për sistemin e vlerave në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, mendoj se nuk duhet të reshtim së vëni në dukje se përgjegjësia kryesore mbi këto krime bie mbi politikën jo thjesht si paaftësi, por edhe si nxitje me veprimet e tyre për veprime kriminale në shoqëri. Sepse media ka një tendencë ta trajtojë krimin e ashtuquajtur të kronikës së zezë si të palidhur me krimet e atyre me kollare dhe këmishë të bardhë. Kurse unë mendoj se ata i inkurajojnë shumë këto krime. Prandaj, ndaj pyetjes “ç’duhet bërë?”, përgjigjja për mua është e thjeshtë: duhet ndërprerë simbioza e njeriut shqiptar me krimin, ngrënia nga ujku. Si mund të bëhet kjo? Ka një hap të parë në çdo gjë, i cili t’i dikton vetë pastaj edhe hapat e tjerë. Hapi i parë është ai që politikanët që sapo kanë ardhur në pushtet dhe kanë marrë në dorë qeverinë duhet të reshtin së ngrëni me ujkun dhe për ujkun. Kjo mund të çojë në hapin e dytë, largimin nga ujqit dhe pastaj në hapin e tretë, izolimin e ujqve dhe dënimin e tyre. Pa pikë dyshimi ky ndryshim në sjelljen e tyre do të reflektohet edhe në sjelljen e atyre që janë më poshtë. Kjo është rruga e vetme. Teknikalitetet gjenden lehtë nëse ekziston ky vullnet ndryshimi.
Ti po u kërkon ujqve të ndërrojnë natyrë, do të më ironizonin shumë lexues, duke ma kthyer shkrimin në rreshtat e para. Në thelb po, duhet një mutacion, një lindje e re, jo një rilindje siç e ka quajtur Rama atë që synon të bëjë. Përndryshe edhe më zi do të shkojë kronika e zezë. (Panorama, 3 gusht 2013)